Instituti i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të Shqiptarëve, jo vetëm që e ka vulën në maqedonisht, por edhe në komunikimin zyrtar duhet të përdorë vetëm gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik
Shkup – Problemet me përdorimin e gjuhës shqipe nuk kanë të sosur. Ligjet kundërthënëse herë e lejojnë, e herë e ndalojnë përdorimin e saj.
Instituti I Trashëgimisë Kulturore she Shpirtërore të shqiptarëve, jo vetëm që e ka vulën në maqedonisht, por edhe në komunikimin zyrtar duhet të përdorë vetëm gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik.
“Sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, që është i vetmi i këtij lloji në Maqedoni dhe është shtylla e mbrojtjes së gjuhës shqipe në Maqedoni, e ka të ndaluar komunikimin zyrtar në gjuhën shqipe. Madje, edhe tabela para Institutit, ku është e shkruar edhe shqip emri i këtij institucioni, është ilegale, sepse ligji nuk e lejon përdorimin e këtij emërtimi në gjuhën shqipe.
Duke besuar se shqipja është zyrtare, Instituti jonë ngriti iniciativë për të marrë të drejtën e dhënies së licencave për lektorët e gjuhës shqipe, por përgjigjja e autoriteteve të Ministrisë së Kulturës ishte se kjo nuk mund të bëhet, për shkak se nuk ekziston kornizë ligjore që ia lejon shqipes një të drejtë të këtillë”, shkruan Zeqirja Ibrahimi në kolumnën e tij “Për shqipen (jo)zyrtare”.
I pyetur nga “Lajm” se si e shpjegon faktin që Instituti që është shtylla mbrojtëse e gjuhës shqipe në Maqedoni, e ka te ndaluar komunikimin zyrtar në gjuhën shqipe, drejtori I këtij Institucioni, Shefqet Zekolli thotë se gjithçka varet nga Qeveria dhe jo nga ata.
“Duke iu referuar Ligjit për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë….., Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në propozim-statutin e vet, të cilin në vitin 2012 ia kishte dorëzuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, e kishte përcaktuar që komunikimi zyrtar i ITSHKSH-së me institucionet dhe organet e tjera në vend të mund të bëhet, përveç në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, edhe në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj latin. Po ashtu në atë statut ishte propozuar që edhe vula e ITSHKSH-së të ishte në dygjuhësi.
Por, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, duke iu referuar ligjit për përdorimin e gjuhës, e kishte refuzuar miratimin e këtij statuti dhe kishte kërkuar që në statut të mbetet gjuhë zyrtare e komunikimit vetëm gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Për shpjegime dhe interpretime të mëtejme rreth kësaj, mund t’ju drejtoheni shërbimeve juridike të Qeverisë”, thotë për “Lajm” Zekolli.
Ku e ka te lejuar komunikimin shqip Instituti dhe ku e ka të ndaluar?
“Nëse e keni fjalën për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përgjigja e kësaj pyetje tashmë është dhënë në përgjigjen e parë. Ndërkaq, për përdorimin privat të gjuhës, besoj se nuk ka nevojë për përgjigje, sepse ajo është e vetëkuptueshme”, thotë Zekolli.
Cila pjese e ligjit duhet ndryshuar që të paktën Instituti të flasë e shkruaj shqip?
“Në këto kushte këtë përgjigje më së miri do ta jepnin juristët dhe shërbimet profesionale të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Ne do të kishim dashur që në dokumentet zyrtare të shtetit, kushtetutë dhe ligje, të sanksionohet përdorimi i gjuhës shqipe duke e theksuar edhe togun ‘gjuha shqipe’, por kjo mbetet në kompetencë të organeve shtetërore. Diçka tjetër në këtë kontekst, që mund të bëhet, është edhe interpretimi me ligj tjetër i Ligjit për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë….., që ashtu të konstatohet se cila është ajo gjuhë.
Natyrisht, ITSHK-ja botimet i ka në gjuhën shqipe, konferencat dhe të gjitha tubimet i bën në gjuhën shqipe, komunikimet me institucionet e Kosovës e të Shqipërisë i bën në gjuhën shqipe e kështu me radhë”, thotë Zekolli.
Ky është realiteti ynë I hidhur me të cilin po përballemi edhe sot, 13 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit./Lajm






