VIDEO/ Shpërthejnë protestat, Bosnja në flakë dhe rajoni në ankth


Protestat në Bosnje Hercegovinë hynë në ditën e tretë, duke u bërë akoma më të dhunshme.
Sipas BBC, protestuesit i vunë flakën godinave qeveritare.
Policia përdori plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në kryeqytetin Sarajevë dhe në qytetin verior të Tuzlës.
Mediat transmetuan pamje të presidencës në flakë.
Protestuesit janë të zemëruar me gjendjen ekonomike dhe politike në vend.
Rreth 40 përqind e boshnjakëve janë të papunë.
Këto protesta janë më të rëndat që pas luftës në Bosnje.
Raportohet për të paktën 50 persona të plagosur nga përplasjet me policinë.
Të enjten, përplasjet mes policisë dhe demonstruesve bënë që të paktën 130 persona të plagosen.
Gjithçka nisi në Tuzla në fillim të javës. Njerëzit u ngritën në protestë për mbylljen dhe shitjen e fabrikave në atë rajon, që punësonin shumicën e njerëzve.
Korrespondenti i BBC thotë se në thelb të protestave është inercia e këtyre viteve dhe paaftësia e drejtuesve.
Bosnja përbëhet nga dy entitete të ndara, një federatë boshnjako- kroate dhe një tjetër, e njohur me emrin Republika Srpska, që përfshin serbët e Bosnjës.
Secila ka presidentin, qeverinë, parlamentin, policinë dhe trupat e tjera qeveritare.
Kjo strukturë kaq e ndarë dhe e vështirë qeverisëse ka bërë që në vend të ketë stanjacion politik dhe vendi të jetë vulnerabil ndaj korrupsionit.