Flaka Surroi: KOHA nuk është në shitje


Gjatë ditës së sotme, ueb-faqja “gazetaexpress” publikoi një artikull për kinse interesimin e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Lazim Destani, për të blerë grupin medial “Koha”.
Ndaj këtij shkrimi ka reaguar Drejtoresha Grupit “Koha”, Flaka Surroi, e cila tërë këtë shkrim e ka quajtur humoristik, nisur nga fakti se del nga një e ashtuquajtur gazetë.
“E mahnitur me serinë humoristike e cila gatuhet në kuzhinën e një të ashtuquajture gazetë, që e kapluar nga paniku sepse regjimi po i humb, veç mundem të komentoj për mjerimin dhe mungesën e etikës së një kuazimediumi që e mban vetën duke i vjedhur informatat që i punojnë dhe i hulumtojnë redaksi të tëra, si dhe duke botuar një sërë rrenash sensacionaliste që udhëheqësit e saj me gjasë i shohin ëndërr”, ka thënë Flaka Surroi, Drejtoreshë e Grupit “Koha”.
Drejtoresha Surroi ka theksuar se, përkundër dëshirës së “këtij shtypi të verdhë dhe shefave të vet politikë, KOHA NUK është shitje”.
“Nuk e di se përse nuk u befasova kur dëgjova që firma ime e falimentuar (kjo është ëndrra e atij mediumi tjetër që e udhëheq regjimi) qenka bërë synim i një biznesmeni shqiptar nga Maqedonia. Se çfarë synimesh ka z. Destani, unë nuk e di, e mbase këtë është dashur ta pyesin ata që e plasuan lajmin sot në ueb, por atë që e di është se KOHA, përkundër dëshirës së këtij shtypi të verdhë dhe shefave të vet politikë, NUK është në shitje”, ka përfunduar Drejtoresha Surroi.