Stambolli, më i populluari në Evropë!

Qyteti më i madh i Turqisë do të bëhet më i populluari në Evropë ndërmjet viteve 2017 dhe 2018, duke ia kaluar Londrës dhe Moskës, e lëre më Parisit, që do të mbetet shumë pas tij.


Ai tashmë mund të jetë i madh, por së shpejti do të bëhet edhe më i madh. Sipas parashikimeve të bëra nga Euromonitor këtë muaj, qyteti më i madh i Turqisë do të bëhet më i populluari në Evropë dikur ndërmjet viteve 2017 dhe 2018, duke ia kaluar Londrës dhe Moskës, e lëre më Parisit, që do të mbetet shumë pas tij. Para 2020-s, qyteti pritet të ketë mbi 16 milionë banorë, krahasuar me 13.8 milionë sa kanë pasur në vitin 2012, ka shkruar revista The Atlantic.
Këto parashikime po nxiten nga ekonomia e lulëzuar turke, e cila është rritur për 5.3 për qind çdo vit dekadën e kaluar, teksa fqinjët lindorë dhe perëndimorë janë goditur nga krizat dhe luftërat.
Sipas admiruesve të mrekullisë turke, Turqia duhet t’i falënderohet menaxhimit të shkëlqyer të ekonomisë për ngritjen e saj mbresëlënëse. Skeptikët e shohin këtë zhvillim si të paqëndrueshëm, varshmëria e të cilit nga kreditë nga jashtë po ushtron një ndikim çekuilibrues. Stambolli nuk është i vetmi metropol që po fryhet – Euromonitor ka listuar pesë qytete turke në mesin e dhjetë qyteteve me zhvillimin më të shpejtë në Evropën Perëndimore. Stambolli ende mbetet një vigan si asnjë tjetër, me një apetit të vazhdueshëm për zgjerim dhe me imigrantë në dukje të pafund.
Gjatë disa viteve të ardhshme emocionuese dhe të vështira, sfidat e Stambollit do të jenë titanike. Për fillim, ekzistojnë probleme praktike me zgjerimin e një qyteti që është në stres të madh edhe në madhësinë aktuale. Sistemi i transportit publik i Stambollit, për shembull, që shumë kohë nuk po arrin të mbajë hapin me zhvillim e qytetit. Por, shumëçka është përmirësuar: rrjetet e trenave dhe tramvajeve po vazhdojnë të zgjerohen, përderisa hekurudha e re nëntokësore e ndërtuar nën Bosfor në kushte tejet të vështira më në fund i ka mundësuar qytetit një alternativën të duhur. /Portalb/