Kosovë: Ezani, përplasë deputetët

Projektligji për mbrojtjen nga zhurma ka ngjallur reagime të ashpra në Kuvend, duke qenë se kundërshtohej neni 4, i cili ezanin e vlerëson si zhurmë. Deputetët thanë se ky nen është në kundërshtim me Kushtetutën, saktësisht nenin 38, e cila flet për liritë fetare. Megjithatë, në fund me 38 vota për, 30 kundër, projektligji u votua në parim.


Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, gjatë prezantimit të Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma, tha se projektligji obligon qeverinë përkatësisht komunat për hartimin e planeve të veprimit të cilat janë të bazuara në rezultatet e matjes së zhurmës me qëllim të parandalimit të nivelit të zhurmës në mjedis, veçanërisht kur ekspozimi ndaj zhurmës mund të shkaktojë pasoja të dëmshme për shëndetin e njeriut.
“Po ashtu krijon bazën e vendosjes së masave për zvogëlimin e zhurmës, të cilën e bëjnë burime të mëdha të zhurmës veçanërisht automjetet, transporti rrugor, transporti ajror, pajisjet e jashtme të industrisë, e tjera. Projektligji përfshinë po ashtu edhe Bashkësitë fetare pas konsultimit me të gjitha këto bashkësi”, tha Gashi.
Por, debati u ndez kur deputeti i Koalicionit për Kosovë të Re, Gëzim Kelmendi kërkoi nga ministri Gashi të kthejë këtë projektligj, për faktin që  bie ndesh me nenin 38 të Kushtetutës ngase neni 4 i këtij projektligji paragrafi 2 vlerëson pajisjet akustike fetare, konkretisht ezanin e xhamive dhe kambanat e kishave si burim të zhurmës.
“Sa i përket ndjenjave të besimtarëve, në veçanti besimtarëve islam, qëndrimet e ministrit nuk janë të panjohura, qysh nga viti i kaluar në vend që të merret me dikasterin, i cili është mjaftë specifik Ministria e Mjedisit, dhe të udhëheq dhe të merret me ndërtimet pa leje që e kanë zënë frymën në Kosovë, është marr me rolin e historianit, duke fyer historinë 600 vjeçare të këtij populli. Sulmet e tij ndaj identitetit islam në Kosovë nuk kanë të ndalur ngase vitin e kaluar ka pezulluar ndërtimin e xhamisë, dhe në debat nëtelevizionin publik ezanin e ka quajtur ndotje të ambientit. Ka bërë atë çka asnjë ministër nuk e ka bërë në Kosovë, ka pezulluar lejen e xhamisë që e ka dhënë Komuna vitin e kaluar, dhe xhamia ka mbetur me katër mure”, tha Kelmendi.
Mirëpo, në debat është kyçur edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, i cili tha se ky projektligj nuk është kundër askujt.
“Unë po e bëjë një ndërhyrje sepse ky ligj nuk është kundër askujt. Ky ligj nuk është as kundër ezanit të hoxhës nëse ai e thirr pa mjete zmadhuese, prandaj bëjeni diferencimin, nuk është ashtu siç po thoni”, tha Krasniqi.
Mirëpo, i ashpër ndaj këtij neni në projektligj ishte edhe deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, i cili tha se duhet të zgjidhet çështja mirë që mos të konsiderohet thirrja e ezanit si zhurmë.
“Nuk mund të lëmë që ezani të trajtohet si zhurmë, përpos kur nëpërmes ezanit dikush dëshiron të bëjë zhurmë të palodhshme. Nëse dikush e keqpërdor atë, dhe bënë zhurmë ajo është diçka tjetër. Por tradita e thirrjes së ezanit nuk mund të konsiderohet si zhurmë, prandaj ju lutëm ministër të keni kujdes mos të na krijoni probleme të panevojshme dhe të paqena në këtë shoqëri. Sepse këtu po krijohen problemet dhe pastaj krejt debati i shoqërisë do të komentohet se u ndalua ezani. Kjo është shumë problematike. Askush se ka bërë problem shaminë as nuk ka qenë temë diskutimi derisa është nxjerr udhëzimi administrativ i panevojshëm. Edhe sot është problemi si me heq atë. Prandaj, po i mbahem ligjit, por po e tërheq vërejtjen mos krijoni probleme të panevojshme, zgjidhini me kujdes këto gjëra, e mos i përzini zhurmën me ndjenjat”, tha Mustafa.
Vargut kundër këtij neni i’u bashkua edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, e cila tha se mos të konsiderohet ezani si zhurmë.
“Gjithashtu dua të mbështes dhe të përkrah zëra të cilët thërrasin sot që ezani dhe kambanat të hiqen nga emërtimi i klasifikimit si mjete të zhurmës. Mos të thirremi shumë në standarde evropiane sepse shumë u fol më herët, sepse e dimë të gjithë nëse jo zyrtarisht, atëherë privatisht kemi frekuentuar nëpër kryeqytetet evropiane dhe kudo që kemi shkuar kemi dëgjuar kambanat ose ezanin ku ka pasur xhamia dhe nuk janë klasifikuar si zhurmë”, tha ajo.
Mirëpo, pas të gjitha këtyre akuzave, ka ndërhyrë edhe një herë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i cili tha se ky nen është formuluar pas konsultimit me Bashkësitë fetare dhe janë dakorduar që kur të vjen radha e përpilimit të udhëzimit administrativ, ku specifikohen decibelët bashkërisht të vendosin.
“Do të thotë nuk është fjala që ezani është ndotës i mjedisit ose zhurmës, fjala është që mjetet akustike në disa pjesë me apo pa qëllim i tejkalojnë të gjitha suazat. Këto kanë ardhur si shqetësime të banorëve, të Kosovës. Prandaj, nuk është fjala ndaj asnjë fesë, nuk ka nevojë për asnjë gardian të vetëshpallur të fesë”, tha ai.
Edhe deputetët e tjerë kanë kritikuar projektligjin, i cili me nenin 4 e vlerëson si zhurmë, ezanin e hoxhës dhe kambanat e kishës.
Deputeti Amir Ahmeti tha se Kosova ka pasur nevojë për një ligj kundër zhurmës, por për këtë ligj të ministrit nuk ka pasur nevojë. Ai akuzoi ministrin që tentoi të manipulojë me opinionit, pasi nuk është konsultuar me bashkësitë fetare.
Kurse, deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli tha se metodat e vlerësimit të indikatorëve të zhurmës, të indikatorëve të dëmshëm, kërkesat minimale për përgatitjen e hartave strategjike të zhurmës dhe kërkesat minimale për planet e veprimit janë në përputhshmëri të plotë me direktivat e Parlamentit Evropian të datës 25 qershor të vitit 2002, madje një përkthim bukur i saktë i tyre.
Ndërkohë, Daut Haradinaj u shpreh se meqë projektligji është në lexim të parë, mund të bëjnë ndryshimin e duhur nëse ka kërkesa dhe pajtim, ndonëse tha se nuk po shihet se me nenin 4 po atakohet ndonjë sekt fetar. /Telegrafi/