Duke u nisur nga fakti se për punësimin e 4 mijë personave Qeveria ka ndarë rreth 9 milionë euro, atëherë sipas një matematike të thjeshtë do të ishte dash që të punësoheshin rreth 180 mijë persona, nëse paratë e atij projekti përdoreshin për punësime
Qeveria e Maqedonisë i ka ndarë 525 milionë denarë ose rreth 9 milionë euro Agjencisë për Punësim dhe Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale për punësimin e rreth katër mijë personave.
Nëse Qeveria e Maqedonisë do të kishte menduar për punësimin e qytetarëve dhe jo për projekte kontroverse siç është ai i Shkupit 2014, papunësia në Maqedoni do të kishte arritur në 18 për qind ndërsa shkalla e varfërisë do të ishte dukshëm më e ulët nga sa është tani.
Projekti Shkupi 2014 me përmendoret e tij ka kushtuar rreth 400 milionë euro. Duke u nisur nga fakti se për punësimin e 4 mijë personave Qeveria ka ndarë rreth 9 milionë euro, atëherë sipas një matematike të thjeshtë do të ishte dash që të punësoheshin rreth 180 mijë persona, nëse paratë e atij projekti përdoreshin për punësime.
Profesor Izet Zeqiri thotë se Qeveria nuk merret me masa aktive për uljen e papunësisë, por mban gjallë ideologjinë e VMRO-së së me projekte si ai i Shkupit 2014.
“Nëse paratë e Shkupit 2014 do të shfrytëzoheshin për punësime, papunësia do të kishte arritur në 18-20 për qind, e jo 28 për qind saç është sot. Po ashtu do të ishte zvogëluar shumë edhe shkalla e varfërisë. Mirëpo Qeveria nuk merr masa aktive për uljen e papunësisë. Me ‘Shkupin 2014’ arriti të mbajë gjallë ideologjinë e VMRO-së, ndërsa punësimet i bën për të treguar se po merret edhe me çështje të tjera”, thotë Zeqiri për “Lajm”.
Ai sqaron se papunësia nuk ulet me punësimin në administratë, papunësia ulet me rritjen e ekonomisë. “Ekonomia është ajo që hap vende të rreja pune, jo administrate shtetërore. Maqedonia ka administratën më të ngarkuar në rajon, dhe atë e ka bërë për të mbajt nën kontroll votuesit e saj. Punësimi duhet bërë me masa aktive, përmes ekonomisë, firmave ekonomike, dhe jo përmes administratës”, thekson profesor Zeqiri.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë Aleksandër Gjorgjiev sqaroi se si do të kryhet punësimi i katër mijë personave. “Hapi i parë për këtë është i ashtuquajturi ‘shansi i parë’, ku përfshihet punësimi i të rinjve deri në moshën 29 vjet, me diploma universitare të vitit 2012/13.
Masa e dytë e planit operativ parasheh punësimin e njerëzve në bazë të aftësive të tyre në kuadër të sektorit të transportit. Këtu përfshihen persona që kanë më shumë se dy vjet që e posedojnë patent shofer të kategorisë C. Atyre do t’u ofrohet trajnim falas për marrjen e Kategorisë D, për të cilën ka mungesë në treg”, tha Gjorgjiev.
Ai sqaro se shteti do të subvencionojë dhe marrjen e patent shoferit të Kategorisë D, dhe pas kalimit do të punësohen persona brenda tre muajve. “Masa e tretë pritet të publikohet më 3 mars, ku do të ketë punësime të njerëzve me statusin e punëkërkuesve aktivë. Për tre muaj punëdhënësi do të marrë subvencione nga shteti prej 5,700 denarë për çdo punonjës dhe më pas është i detyruar të angazhohet për të mbajtur në punë 50 për qind të tyre”, tha Gjorgjiev, duke shtuar se këta punëtorë do të paguhen 13 mijë denarë në muaj, ndërsa punëdhënësi është i obliguar që t’i mbajnë në punë për 12 muaj./Lajm






