Publicisit dhe shkrimtari Kim Mehmeti nuk ka qëndruar indiferent ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë.
“Në Kosovë policia i mbron profesorët e paaftë nga studentët e tyre! Në Shqipëri ndodh për çdo dit nga një vrasje! Në Maqedoni lulëzon injoranca politike dhe mendësia vasale e politikanëve shqiptarë! Jemi mes një mjegulle nga e cila nuk arrijmë të dalim, por jo vetëm pse kemi politikanë të korruptuar e të paaftë, por pse të gjithë nga pakë u korruptuam, ngaqë të gjithëve na përshtatet kjo mjegullnajë që e fsheh të vërtetën se populli legjitimohet nëpërmjet elitave që ka dhe, kur flitet për popullin, mendohet në këto elita që e kompletojnë letërnjoftimin e tij!”, ka shkruar shkrimtari Mehmeti në rrjetin e tij social.
Sipas tij, rinia studentore ka mbetur në duart e disa profesorëve e shkenctarëve që nuk kanë dituri as sa një trajnues qensh.
“Sa shqetësuese, sa përbuzëse është kur e sheh se rinia jonë studentore ka mbetur edhe në duart e disa ‘profesorëve’ e ‘shkencëtarët’ që nuk dinë ta lidhin as një fjali, që të bëhet se nuk kanë dituri as sa një “trajnues qensh”! Dhe kjo është e mundur në shoqëri ku universitet publike janë bërë degë partiake, vende ku punësohen pakurrizorrët dhe të dëgjueshmit e pushtetarëve e të cilët pastaj, u japin tituj shkencorë deputetëve dhe burrështetasve. Ky është krimi mbi të gjitha krimet, ngaqë bëhet ‘atentat’ mbi diturinë, mbi rininë dhe të ardhmen tonë! Në këtë krim marrim pjesë edhe ne prindërit që u pajtuam të paguajmë që fëmijët tanë të marrin vetëm diploma, por jo edhe të vjelin dituri, që i gënjyem fëmijët tanë se njeriu nuk vlerësohet nëpërmjet diturisë që ka në kokë, por vetëm sipas diplomës që bartë në xhep!”, shkruan Mehmeti.
Policia speciale e Kosovës ka larguar me forcë studentët protestues, të cilët që para orës tetë kishin bllokuar Rektoratin e UP-së, duke mos lejuar askë të hynte brenda.
Policia e Kosovës bëri të ditur se gjatë ndërhyrjes për zhbllokimin e Rektoratit të UP-së, policia ka arrestuar 25 studentë protestues. Ajo nuk sqaroi se çfarë veprimesh të mëtejshme do të merren ndaj të arrestuarve, por njoftoi për dy policë të lënduar.
Protestat e sotme të një grupi të studentëve kundër drejtuesve aktual të Universitetit publik të Prishtinës që përfunduan me dhunë policore dhe shoqërimin e mbi 20 studentëve në Polici janë përkrahur edhe nga Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes.
Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka publikuar në profilin e tij në Facebook disa fotografi të arrestimeve të studentëve sot para ndërtesës së Rektoratit. Ai ka shkruar se këto foto nuk i duhen Kosovës se Lirë!
Sipas tij, Kosovës i duhen foto pune, mësimi e studimi, foto jete e jo dhune!





