Ia mbyllën sytë Hasan Prishtinës, “që të mos e shoh turpin”


Studentët protestues, të cilët sot për të tretën ditë me radhë kanë bllokuar Rektoratin e UP-së, kanë zhvilluar pak më parë një performansë domethënëse. Duke ia mbyllur sytë Hasan Prishtinës, të shkrirë në bronzë para këtij institucioni, dhe duke ia vënë në gjoks parullën plot ironi: “Unë e shkriva pasurinë për arsimin, ju po e shkrini arsimin për pasuri”!Fitim Salihu, njëri nga organizatorët e këtij aksioni simbolik, ka thënë se mbyllja e syve të shtatores së Hasan Prishtinës është bërë që ai të mos e shohë turpin që po ndodhë në universitetin që mban emrin e tij.
Pak para këtij aksioni, një familje iu ka sjellë protestuesve çaj me biskota. Xhemile Sylejmani ka thënë se studentët kanë të drejtë që po protestojnë dhe se e kanë përkrahjen e qytetarëve, transmeton Koha.net.
Protesta po vazhdon e qetë, e mbikëqyrur nga Policia e Kosovës. Deri tash nuk ka pasur ndonjë incident.