Varfëria mbyt Maqedoninë

Shqipëria, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia janë shtetet më të varfra të Evropës, ndërsa Luksemburgu është shteti më i pasur në Evropë. Sipas të dhënave të Eurostat, Maqedonia është vendi i tretë më i varfër në Evropë. Bruto Prodhimi Vendor në Maqedoni në vitin 2012, për kokë banori, të matur sipas parimeve të fuqisë blerëse arin 35 për qind nga mesatarja që e kanë 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo shifër Maqedoninë e vendos në fund të listës së varfërisë.

Sipas të dhënave të Eurostat , më të varfër se Maqedonia janë Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina. Në Shqipëri, Bruto Prodhimi Vendor për kokë banori vitin e kaluar arrinte 30 për qind nga mesatarja e BE-së, ndërsa në Bosnjë 29 për qind.
Vendi më i pasur në BE është Luksemburgu, ku Bruto Prodhimi Vendorë për kokë banori vitin e kaluar ishte vetëm 2.5 herë më e lartë se mesatarja evropiane.
Partia opozitare LSDM ka akuzuar VMRO-në për mashtrimet që i bën popullatës në lidhje me punësimet dhe mirëqenien. “Qeveria e VMRO-DPMNE-së lavdërohet për uljen e papunësisë në vend dhe se gjithçka po shkon mirë. Por demanti arriti shumë shpejt dhe gjithçka e thënë nga qeveria ra në ujë. Ne propozojmë që masat t’i promovojmë para qytetarëve dhe të presim vlerësimet, sugjerimet dhe propozimet e tyre. Së bashku ta kthejmë shtetin në rrugën e vërtetë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së Oliver Spasovski para banorëve të Gazi Babës.
Bullgaria, shteti më i varfër në Bashkimin Evropian
Bullgaria me prodhimin e brendshëm rreth 30 miliardë euro në vit dhe me një mesatare të të ardhurave prej tre mijë eurove në vit, është shpallur shteti më i varfër në BE.
Sipas raportit të Eurostat, Bullgaria dhe Rumania vazhdojnë të jenë shtetet më të varfra në mesin e 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Statistikat kanë treguar se gjendja e vështirë ekonomike e Bullgarisë ka detyruar 1.5 milionë qytetarë të vendit të emigrojnë nga ky vend, gjë që ka shtuar në masë të madhe shqetësimet për fenomenin e ikjes së mendjeve që i përkasin sektorëve jetik të Bullgarisë./Lajm