Arsyet pse duhet ndjekur një kurs, fushat e domosdoshme

Shumë nga ne arrijnë të mësojnë vetë si të mbajnë llogaritë e tyre pa shumë probleme, por kontabiliteti është tjetër gjë dhe është diçka shumë e nevojshme nëse keni një biznes tuajin ose dëshironi të merreni me disa aspekte të një plani financiar


 Kohët e fundit duket sikur të gjithë jemi duke ndjekur vazhdimisht trajnime të fushave të ndryshme dhe ndoshta sepse shumë individë arrijnë që të mësojnë më shumë konceptet e duhura në një mjedis studimor sesa në shtëpitë e tyre. Ky proces bëhet akoma më i thjeshtë nga fakti se gjatë një trajnimi kemi më shumë burime në dispozicion, si p.sh. një ekspert të fushës që shpjegon si dhe kolegët që na rrethojnë, të cilët ndihmojnë me pikëpamjet nga këndvështrimet e tyre. Disa kurse janë vërtet shumë më efektive, nëse mësohen në një “klasë”, sesa si autodidakt. Fushat që janë të domosdoshme për të zhvilluar një kurs janë disa.

Kontabiliteti

Shumë nga ne arrijnë të mësojnë vetë si të mbajnë llogaritë e tyre pa shumë probleme, por kontabiliteti është tjetër gjë dhe është diçka shumë e nevojshme nëse keni një biznes tuajin ose dëshironi të merreni me disa aspekte të një plani financiar. Pikërisht për shkak të natyrës delikate të kontabilitetit do të ishte shumë e nevojshme ndjekja e një kursi për jo profesionistë të financës.

Shkrimi
Aftësia e të shkruarit përmirësohet duke e praktikuar, por mund të keni mangësi në gramatikë, që mund të thellohen, nëse bazat tuaja nuk janë të forta. Ndoshta, në punën tuaj nuk është nevoja të keni një diplomë universiteti në shkrim akademik, por mund të ishte i përshtatshëm një kurs i shkurtër me një pedagog në gjendje të kritikojë punën tuaj dhe të rrisë ndjeshëm aftësitë tuaja komunikuese me shkrim.

Një gjuhë e huaj
Sot mund të gjeni shumë metoda të cilat premtojnë t’ju mësojnë një gjuhë të huaj autodidakt, por sidoqoftë shpjegimi i një mësuesi është shumë më ndryshe; pikërisht për këtë këshillohet të ndiqet një kurs. Duke konsideruar situatën e tanishme në Shqipëri dhe duke marrë parasysh numrin e madh të kompanive të huaja që operojnë këtu, njohja e një gjuhe të huaj do të ishte një plus për ju, pak rëndësi ka nëse punoni për dikë apo keni një biznes tuajin.


Menaxhim projektesh
Disa nga aftësitë e duhura për përmbushjen e disa projekteve, si p.sh. përdorimi i ndonjë software-i enkas për atë projekt, mund edhe të mësohen autodidakt. Në njëfarë mënyrë, ju mund të mësoni vetë si të planifikoni projektet dhe t’i realizoni ata, por një trajnim i mirë në këtë fushë ju mëson si të përballoni sa më lehtë probleme dhe situata me të cilat ndoshta nuk ishit përballur më parë.

Dhënia e ndihmës së shpejtë dhe menaxhimi i situatave të ngjashme
Në këtë rast mund t’ju hyjë në punë edhe kursi për dhënien e ndihmës së shpejtë pranë Kryqit të Kuq Shqiptar, që tashmë është i detyrueshëm për çdo qytetar që merr patentën. Ekzistojnë gjithashtu edhe trajnime për menaxhimin e situatave emergjente dhe një trajnim i tillë tingëllon bukur në CV-në tuaj. Kjo, sepse aftësitë për të reaguar menjëherë në çfarëdolloj emergjence çmohen nga të gjithë.

Kurse riparimesh të ndryshme
Që kur shkollat nuk zhvillojnë më mësime të “punës me dru” apo “punës me metal”, shumë individë mund ta kenë të vështirë përdorimin e veglave, të riparojnë makina apo të menaxhojnë situata të ngjashme. Thjesht të jesh në gjendje të evitosh të shkosh tek mekaniku mund t’ju bëjë më të sigurtë në vetvete. Plus, do të keni mundësi të mësoni të përdorni disa lloj veglash pa qenë nevoja t’i blini vetë. duapune.com.