Home »
Patologjia
» Shërimi dhe riparimi i plagës
Shërimi dhe riparimi i plagës
Në shërimin e plagës përfshihet rigjenerimi i indit nga qelizat e të njëjtit lloj dhe riparimi I indit me zëvendësim nga indi lidhor. Indet ndryshojnë për nga kapaciteti regjenerativ. Popullatat qelizore labile të cilat rigjenerohen gjatë tërë jetës përfshijnë qelizat epiteliale sipërfaqësore, qelizat hematopoetike dhe qelizat mëma. Në qelizat stabile të cilat replikohen në nivel të ulët gjatë tërë jetës mirëpo mund të ndahen nëse stimulohen përfshijnë hepatocitet, qelizat e tubuleve proksimale dhe qelizat endoteliale. Qelizat permanente të cilat nuk mund të replikohen në moshën e pjekurisë përfshijnë neuronet dhe qelizat e muskulaturës kardiake. Riparimi i indeve me zëvendësimin e zonës së dëmtuar nga vrraga e indit lidhor ndërmjetësohet nga faktorë të shumtë të rritjes dhe citokine. Fillimisht formohet indi i granulacionit i cili më vonë pëson kontraksion të plagës proces ky i ndërmjetësuar nga miofibroblastet duke rezultuar kështu përfundimisht me formimin e vragës së vërtetë fibrotike. Shërimi i plagës me tentimin e parë (lidhja primare) ndodhë pasi buzët e pastërta të plagës të jenë afruar mjaft afër njëra tjetrës. Shërimi i plagës me tentimin e dytë (lidhja sekondare) ndodhë tek plagët me defekte më të mëdha buzët e të cilave nuk mund të afrohen shumë. Problemet që mund të paraqiten në shërimin e plagës përfshijnë shërimin e vonuar të plagës, formimin e vrragës hipertrofike dhe formimin e keloidit.
Në organizëm gjenden lloje të ndryshme të kolagjenit. Kolagjeni i tipit I është forma më e shpeshtë. Kolagjeni i tipit II gjendet në kartilagje. Kolagjeni i tipit III është formë e pa maturuar dhe gjendet në indin e granulacionit. Kolagjeni i tipit të IV gjendet në membranat bazale. Për prodhimin e kolagjenit nevojitet vitamina C dhe bakri. Në përbërësit tjerë të matriksit ekstraqelizor përfshihen edhe fijet elastike, molekulat e adhezionit, proteoglikanet dhe glukozaminoglikanet. Membranat bazale kanë ngarkesë negative neto dhe janë të përbëra nga kolagjeni dhe komponentet tjera të matriksit ekstraqelizor.