Maskilizmi makabër i meshkujve të Indisë

Me më shumë se 25 000 raste përdhunimi çdo vit, India është vendi i mallkuar për femrat që dëshirojnë të trajtohen sikundër çdo qenie njerëzore me respekt dhe barazi

Përdhunimet

Zinxhirët e prishur të pantallonave të meshkujve indianë dhe historitë e përdhunimeve të femrave vendase
Nuk bëhet fjalë për asnjë gabim teknik të industrisë tekstile, në të kundërt bëhet fjalë për një krim njerëzor, që po përsëritet gjithnjë e më shumë, aq sa është bërë një fenomen thuajse i pandalshëm në Indi.
Mentaliteti mashkullor shtypës është një çekiç që qëndron në kokën e çdo femre indiane dhe nuk ngurron aspak të bjerë duke shtypur kokat që përpiqen të ngrihen. Ky është fati i grave që kanë pasur fatkeqësinë të lindin në vendin e prapambetur kulturalisht të Lindjes.
Çdo orë të ditës dhe natës, dhjetëra gra indiane përdhunohen mizorisht nga gangsterët e rrugëve, por jo vetëm, mediat tregojnë për raste të fëmijëve që janë abuzuar nga vetë familjarët e tyre ose shokët e shkollës.
Respekti për “seksin e dytë”, siç do të thoshte Simone de Beauvoir, në vendin ku lopët janë të shenjta, ndërsa gratë pa vlerë, është aq i ulët sa e kalon edhe minimalen.
Në Indi femrat duhet të martohen në moshë fare të re dhe të kalojnë nga autoriteti i babait apo burrave të shtëpisë në autoritetin e bashkëshortit të ri dhe të gjithë familjes së tij.
Të jesh një nuse në Indi nënkupton t’u bindesh të gjithë urdhrave, të bësh çdo punë të shtëpisë, të mos flasësh kur nuk të pyesin, të mos bësh asgjë pa lejen e partnerit dhe familjes që të ka mirëpritur.
Të jesh babai i një vajze që do të martohet, është një mallkim financiar, për shkak se dhëndri i ardhshëm ka të drejtën të kërkojë të mira financiare dhe materiale nga familja e vajzës në çdo kohë. Dhuratat që kërkohen janë luksoze dhe e kalojnë sasinë e kostos që mund të përballohet nga familjet e shtresës së ulët vendase.
Kur një grua martohet, tregojnë indianet, jeta e saj ka marrë fund, ajo nuk ka më një jetë personale dhe detyra e saj është të lindë fëmijë.
Dhe ç’është më e keqja, nuk bëhet fjalë për fëmijë të çfarëdoshëm, këtu flitet për djem. Vetëm djemtë janë një lajm i mirë në Indi, ndaj vetëm lindja e tyre festohet. Sa për femrat, ato janë të përçmuara, të keqtrajtuara dhe të padëshiruara qysh në lindje. Për këtë arsye, shumë bashkëshortë i përdorin mjetet mjekësore të parashikimit të gjendjes së fëmijës në barkun e nënës, për të zbuluar nëse fëmija do të jetë djalë ose vajzë.
Dhe nëse përgjigjja është vajzë, atëherë pyetja më e shpeshtë është: “Do të bësh djalë apo abort?” Mendohet se fenomeni më i përhapur i abortit të detyruar (ndonëse i paligjshëm) të foshnjave femra bëhet nga shtresa e lartë ekonomike, ndërsa shtresa e ulët vazhdon të provojë të ketë fëmijë derisa të lindë një djalë.
Për t’iu rikthyer çështjes së përdhunimeve të shumta në Indi duhet të përmendim rastin më të bujshëm që tronditi më shumë mediat e huaja sesa ato vendase.
Një vajzë që kthehej në shtëpi me autobus nga kinemaja, pasi kishte parë filmin “Life of Pi” së bashku me një shok, u përdhunua në mënyrë çnjerëzore nga një grup prej gjashtë djemsh. Duke përfituar nga fakti që autobusi ishte i papopulluar, djemtë kërcënuan shokun e vajzës dhe e përdhunuan këtë të fundit disa herë. Vajza vdiq pas dy javësh nga plagët e marra.
Të velur nga përdhunimet e shumta dhe zinxhirët e prishur të meshkujve indianë, të cilët e kanë të pamundur ta kontrollojnë veten kur shohin një femër, shoqëria civile është ngritur në këmbë për të kërkuar masa më të rrepta në lidhje me krimin e përdhunimit. Autoritetet vendase kanë filluar përpjekjet për t’i dhënë situatës një zgjidhje, por duket se shumë punë duhet bërë derisa femrat indiane të jenë në gjendje të ecin të qeta rrugës.
Pavarësisht protestave dhe njerëzve që i mbështesin liritë e femrave, në Indi pjesa më e madhe e burrave mendojnë se femrat e meritojnë keqtrajtimin që u bëhet në rrugë. Kjo, sepse ato nuk ngjallin respektin e duhur te meshkujt, që këta të fundit të mos i prekin.
Megjithatë kjo nuk është aspak e vërtetë dhe njerëz që shprehen kështu janë dukshëm të prapambetur kulturalisht. Mos vallë vajzat pesë, dhjetë, dymbëdhjetë, tetëmbëdhjetë dhe njëzetvjeçare të marra së bashku qenkan aq të pacipa sa të joshin meshkujt indianë me qëllim?
Sipas shoqërisë indiane, të dalësh në klube nate, në qendra tregtare dhe në çdo vend tjetër ku adoleshentet e pjesës tjetër të botës dalin pa problem, nënkupton të meritosh përdhunimin.
Në rastin e një vajze katërmbëdhjetëvjeçare, e cila u shpërfytyrua me acid nga një shok i klasës që e ngacmonte, cili është faji i adoleshentes?
Me fytyrë të djegur nga acidi, me buzëqeshjen e humbur dhe me vështirësi në shikim dhe frymëmarrje, vajza e vogël nuk bën gjë tjetër veçse qan duke u shprehur se jeta e saj ka marrë fund pa nisur mirë. Trajtimi, nëse është i mundur, është i papërballueshëm për familjen e varfër. E pyetur se çfarë fati i uron sulmuesit të saj, vajza thotë se dëshiron ta varin, ose ta djegin me acid ashtu siç ai dogji atë.
Nga ana tjetër, një vajzë e vogël, e rrahur publikisht pa asnjë shkak, vajton për fatin e saj duke thënë se video e publikuar nga një gazetar vendas i ka shkatërruar jetën dhe askush nuk do të dojë më të martohet me të.
“Ne jemi fëmijët që nuk duhet të kishim lindur kurrë, vajzat që i sjellin familjes rrënimin ekonomik, kafshët e burrave që do të na marrin dhe nënat që do të lindin të tjerë meshkuj që do të vazhdojnë t’i keqtrajtojnë femrat, pavarësisht se ne u dhamë jetën”, shprehet një femër që pret për kohën kur ajo dhe miket e saj do të mund të dalin lirisht rrugëve pa frikën e ndonjë përdhunimi.