A do të vijnë “Heronjtë e Shkupit”?!...


Këto padrejtësi, do të eliminohen më shpejtë se sa mendohet, kur vetë shqiptarët e Maqedonisë, do të vetëdijesohen se “Obcioni i Shkupit”, është i vetmi obcion politik, që shqiptarët e Maqedonisë i bën me sovranitet të plotë në këtë shtet 

Azam DAUTI 

Në këto ditë të ndryshimeve klimatike e politike, vazhdoj të jem nën frymëzimin e ndodhive të fundit politiko-humoristike në Maqedoni (Emri, kontesti për “grurin” Kosovë-Maqedoni, arrestimet e “spiunëve”…) dhe një shkrimi të paradokohshëm kritik të studentit Faton Curri, që e kishte titulluar “Heronjtë e Shkupit”. 

Pakënaqësia e tij orientohej ndaj të gjitha institucioneve partiako shtetërore. Madje, edhe kundër nivelit akademik shqiptar, që me aktivitetet e tyre, vetëm se e pasqyrojnë këtë udhëheqje të gabuar të politikës shqiptare. 

Më la përshtypje, se autori i këtij shkrimi, mbetet besnik në idenë, që “shkupjanët do të ringriten dhe do të faktorizohen, ashtu siç duhej të ngriten në vitin 1912”. 

Këtë, e thotë me një optimizëm të natyrshëm dhe bindës, që qetëson shpirtin e lënduar dekada me radhë të çdo shqiptari, që identifiokeht me “Obcionin e Shkupit”, si mbrojtëse e të drejtave kombëtare shqiptare në Maqedoni. 

Këtë frymë të lirisë dhë mëvetësisë së qenies shqiptare në Shkup, nuk e di a mund ta kenë më të moshuarit, të cilët i ka mbuluar ndjenja e “pritjes dhe dëshpërimit”?! 

Por, ky kuadër i ri, njësoj si disa raperë shkupjanë (“Gjyksi” “Familja Shkupjane” etj.), që shprehin pakënaqësinë e tyre me pozitën e shqiptarëve të Shkupit, është një vlerë njerëzore, që identifikon shpirtin dhe trupin e pastër liridashës. Shqiptarët e Shkupit, meritojnë të jetojnë shumë më mirë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë arsimor, kulturor, sportiv, politik, social etj. 

“Fatkeqësia” e zemërgjerësisë shkupjane, është se ata asnjëherë nuk kanë bërë dallime brendashqiptare. Gjithmonë i kanë respektuar më shumë të tjerët, se sa të vetët. J

orastësisht, ata që vinin nga provinca janë nderuar, të ulen në krye të vendit. Shkupjanët, gjithmonë kanë preferuar të mbeten sakrifica më e sinqertë e kombit shqiptar, duke filluar nga histori më të vjetra e deri te kryengritja e 2001-shit. Në të cilën luftë më shumë se gjysma e luftëtarëve ishin shkupjanë. 

Këto flijime dhe përpjekje të pastra njerëzore, i dinë dhe i kanë çmuar të gjithë shkupjanët, si virtyt për çështjen kombëtare. Të gjithë shqiptarët e ndërgjegjshëm anekënd botës, e çmojnë kontributin e shkupjanëve, përveç atyre të “nivelit akademik” provincial, që në vend se të shtojnë 5 drejtime fakultetesh në USHT të Shkupit, ata i heqin 5 drejtime! Këtë, e bëjnë për nevoja dhe interesa tejet të ngushta personale! 

Kjo, nënkupton, që shqiptarët e Shkupit, po “shpërblehen” me diskriminim të dyfishtë, si nga shteti, ashtu edhe nga “ata që i ulim në krye të vendit”! Jorastësisht, dy kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, para ca ditëve, alarmuan për diskriminimin institucional të shqiptarëve në Maqedoni dhe e përkujtuan “elitën politike shqiptare” se është obligim i tyre, të mbrojnë shqiptarët nga ky diskriminim. 

Kontesti artificial Kosovë – Maqedoni, që ndodhi për mbrojtjen e disa “prodhues-shitësve të grurit vendor”, që janë të afërt me qeverinë, vetëm se e shton edhe më shumë ironinë e (mos)veprimit politik shqiptar në Maqedoni. 

Angazhimi i dështuar për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në emër të një “politike shtetërore” por me metoda të organizatave joqeveritare, si dhe mosangazhimi i ndryshimit të disa mijë emrave maqedonase të shkollave (Madje, në disa shkolla ku u ndërruan emrat në mënyrë ligjore, lideri shqiptar as që e çeli gojën kur kryeministri i kërcënohej zëvendës liderit shqiptar nga foltorja e parlamentit! Pse?!... 

Tashmë në këto shkolla ekzistojnë masat e dhunshme dhe jashtëligjshme!), rrugëve dhe institucioneve nëpër vendbanimet shqiptare, flet qartë se pse këtë parodi politike, dy kryeministrat shqiptarë nuk mund ta durojnë më. 

Me plot të drejtë, kërkojnë nga politikanët e këtushëm një “angazhim më të madh në mbrojtjen e interesave shqiptare në Maqedoni”. Nuk e di, a është kjo edhe kërkesë për liderë të ri shqiptar në Maqedoni, që identifikohet si politikan i frymës së re shkupjane? Arrestimet e fundit policoro – politik të 22 maqedonasve (asnjë shqiptar!) për “spiunim” (Për kë spiunuan?! 

Për shërbimet e huaja, apo LSDM-në?!), është vetëm një paralajmërim se në formën edhe më të vrazhdë do të mund arrestohen me dhjetëra shqiptarë, me të njëjtin arsyetim për “spiunim”. 

Natyrisht, që nuk do të arrestoheshin funksionarë e kryetarë të degëve e komunave shqiptare, që janë servilë të liderit partiak e shtetëror, por ata që përpiqen të mendojnë e veprojnë në të mirën e elektoratit të vet. A kanë “kurban” më të sigurt se shkupjanët?! 

Nëse kjo ndodh, mund të marr me mend se sa të lumtur, do të jenë ata që shesin interesat njerëzore e kombëtare të Shkupit, për një “mirëqenie” personale në kasollet e tyre provinciale. 

Por, pavarësisht asaj se “lideri i fundit tranzicional maqedonas” do t’i ftoj apo humb zgjedhjet, çka fitojnë shqiptarët e Shkupit dhe ata të Maqedonisë, nëse nuk çlirohen nga sundimtarët e huaj dhe të vetë. Çfarë pushteti do të jetë ai pushtet, të cilin një pjesë e madhe e qytetarëve nuk do ta ndjejnë si të vetin?! 

Nëse vazhdon të injorohet ky zë i rinisë së arsyeshme shqiptare të Shkupit, e cila nuk pranon nëpërkëmbje dhe nënçmim nga askush, atëherë për çfarë lirie dhe avancimi të vlerave njerëzore e kombëtare mund të flasim?! Guximin e paartikulluar, që buron nga të rinjtë e pakënaqur nga pozita e tyre në Shkup, nuk mund ta pengojnë sytë e gjykatësve etnocentrik që ndëshkojnë të rinj shqiptarë dhe mbyllin sytë ndaj dhjetëra të rinjve maqedonas, që rrahin shqiptarë në mënyrë qyqare! 

Madje, as sytë e ateistëve shqiptarë, që për interesa personale dhe eliminimit të konkurrencës shoqëroro politike, etiketojnë rininë shqiptare të Shkupit si “fanatike”, duke mos e parë humnerën e tyre mosbesimtare. 

Padrejtësitë institucionale, që u bëhen shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre të Shkupit në veçanti, nuk mund t’i eliminojnë, ata që “shiten për pesë pare”. Këto padrejtësi, do të eliminohen më shpejtë se sa mendohet, kur vetë shqiptarët e Maqedonisë, do të vetëdijesohen se “Obcioni i Shkupit”, është i vetmi obcion politik, që shqiptarët e Maqedonisë i bën me sovranitet të plotë në këtë shtet./Zhurnal