Fjalimi i kryeministrit të ri shqiptar
Kryeministri e “harroi” kontributin e presidentit Rugova për shtetin
Ardhjen e kryeministrit Rama për vizitë në Kosovë e kemi pritur me një dashamirësi të madhe. Dhe, na ka interesuar, pa masë, se çka do të thotë ai në Parlamentin e Kosovës. Megjithatë, gjatë fjalimit na zhgënjeu pa masë, kur fare nuk e përmendi kontributin e Rugovës për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës
Shkruan: Mr. Bislim Aliu
Populli i Kosovës me krenari dhe me një dashamirësi të madhe e pret ardhjen e liderëve të Shqipërisë për vizitë Kosovës. Edhe në këtë vazhdë të mikpritjes, për kryeministrin Edi Rama ishte një pritje vëllazërore. Ai u prit me nderime të larta shtetërore, por e përshëndeti edhe i gjithë populli shqiptar.
Megjithatë, gjatë fjalimit në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ai e bëri një gafë të rëndë, duke “rrëshqitur” jashtëzakonisht keq. Dhe, për angazhimin e figurave në lirinë e Kosovës dhe për kontributin në shtetndërtimin e saj fare nuk e përmendi Ibrahim Rugovën, arkitektin e pavarësisë.
Dihet mirëfilli mundi dhe angazhimi kreativ i Rugovës për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, e të mos përmendet fare emrin i tij për kontributin e pashoq për 20 e sa vjet, është një lëshim dhe një gafë e pafalshme, e rëndë dhe që fare nuk kapërdihet dot.
Rugovën duhet respektuar
Me vëmendje të madhe e kam përcjellë fjalimin e kryeministrit Rama. Dhe, sigurisht, më ka interesuar shumë, a thua çka do të thotë për rrjedhat e ardhshme në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, në mandatin e tij të ardhshëm si kryeministër. Megjithatë, gjatë fjalimit, disi ishte në momente edhe konfuz, por ajo që u vërejt dukshëm ishte anashkalimi i emrit të Rugovës për kontributin e dhënë për lirinë dhe për shtetin e Kosovës. Ndaj, ky lëshim i rëndë për mosrespektimin e figurës së Rugovës dhe angazhimin e pashoq të tij për Kosovën, kur dihet se ai ishte arkitekti dhe udhërrëfyesi historik i të gjitha rrjedhave përparimtare në vend, e të mos përmendet kontributi i tij është një gabim i rëndë, politik, njerëzor dhe vëllazëror. Nuk e di dhe fare, disi nuk po besoj dhe as nuk po e kuptoj, si mundi z. Rama ta bëjë një gabim të tillë: logjik, patriotik e njerëzor ndaj një figure madhore [më e madhja ndër shqiptarët], e të mos përmendet fare kontributi dhe vepra e tij madhore e njerëzore për Kosovën, është një ligësi e llojit të vet me shumë mangësi. Edi Rama nuk e di a e ka dëgjuar thënien e ish-kryeministri të Shqipërisë, Sali Berisha, ku thotë: “Ibrahim Rugova është figura më madhore e kombit shqiptar, pas Skënderbeut”. Kjo është ajo e vërteta për Rugovën.
E, këtë të vërtetë Rama nuk po e ditka, ndoshta as që i intereson që ta dijë! Sigurisht me këtë, kryeministri Rama në fjalimin e tij nuk u tregua i vëmendshëm dhe as vëllazëror për kontributin dhe arkitektin e Kosovës. Ndaj, me këtë sigurisht Rama nuk u tregua shumë unifikues dhe sidomos realist për njeriun tonë të madh, të arsimuar, të edukuar, strategun politik dhe vizionarin e intelektualin tonë më të madh që ka pasur ndonjëherë Kosova. Ndaj, ky gjest i tij joparimor dhe do të thosha jo njerëzor ndaj figurës madhore të Rugovës, e irritoi popullin e Kosovës, familjen e tij dhe LDK-në, në përgjithësi. Me këtë, Rama nuk u tregua fare realist, vëllazëror dhe unifikues i popullit të Kosovës, por me këtë ai bëri përçarje tejet të panevojshme, kur LDK-ja u largua edhe nga salla e Kuvendit. A thua, çka t’u desh Rama ta bësh këtë gafë? Ndoshta, Edi nuk ke nevojë që ta duash Rugovën, megjithatë atë ka shumë nevojë që ta respektosh, por edhe ta nderosh. Fundi i fundit, autoritetin prej vizionari dhe politikani të shquar ai e tregoi me punë dhe me vizion të qartë për pavarësinë e Kosovës dhe për ardhmërinë e saj të ndritshme.
E, të mos përmendet as emri i tij për gjithë atë që ka bërë, për Kosovën dhe popullin e saj, është një padrejtësi morale, intelektuale dhe njerëzore për Ibrahim Rugovën, figurën më të ndritshme të Kosovës, por edhe të shqiptarisë, në përgjithësi.
Burrat kërkojnë falje, kur ata gabojnë
Sigurisht për këtë gafë, nuk e di dhe ende nuk po e di, se a po e ndien veten se ke gabuar, apo ende e mban në vete atë qëndrim të mospërfilljes për ta përmendur emrin dhe kontributin e Rugovës. Dhe, nuk u ndale pak e të mendosh pak më shumë se a thua bëre mirë, apo “rrëshqite” rëndë në këtë mospërfillje, është një sihariq i pamatur dhe fare i pakuptueshëm. Mendoj se është dashur të kërkosh falje për këtë gafë të bërë. E burrat, kur gabojnë, ata kërkojnë falje burrërisht. Ndaj, populli i Kosovës ka pritur që këtë do ta bësh, megjithatë të gjithë ne u zhgënjyem me të madhe për këtë lëshim të pa kontrolluar. Sido që të jetë, vizitën tënde,
Rama, populli i Kosovës e priti me dashamirësi, njerëzore, vëllazërore e politike, por ja që ky gabim [lëshim] e zbehu bukur shumë ardhjen tënde në Kosovën tonë të dashur e heroike. Ndaj, kryeministër Rama, Rugova ynë është më i madhi, më i ndritshmi dhe intelektuali ynë i pakontestueshëm. Ai është Presidenti ynë historik, arkitekti i pavarësisë, e të mos ia përmendësh as emrin idhullit të Kosovës dhe popullit të saj, asnjëri prej nesh nuk mund ta duron këtë mangësi dhe këtë lëshim të pakontrolluar. Sinqerisht e kam, nuk është dashur të veprosh kështu, apo ke dashur ta analizosh pulsin e dashurisë të popullit të Kosovës për Rugovën. Ky lëshim dhe ky gabim i rëndë dhe i pakontrolluar te populli në përgjithësi mbeti sihariq i vërtetë, i mospërfilljes, i mosrespektit dhe i mosdashurisë ndaj figurës më madhore e historike në Kosovë.
Dhe, nuk është dashur dhe sigurisht populli i Kosovës nuk e ka pritur nga një kryeministër i Shqipërisë, të jetë mospërfillës dhe jo admirues ndaj figurës dhe respektit që gëzon Ibrahim Rugova te shqiptarët e Kosovës, por edhe te shqiptarët në përgjithësi! Ndaj, Rama, kur përmendet Rugova, përmendet Kosova. Pra, Kosova është vetë Rugova. Këtë, duhet ditur gjithmonë.