Për shumë njerëz, femrat që shesin trupin në rrugë janë të paimagjinueshme, Zyrihu përkundrazi po kujdeset për punëtoret e seksit në qytet
Tregtia e seksit
Rregulla të reja për punëtoret e seksit do të imponohen në Zyrih këtë javë, të projektuara për t’u dhënë sadopak mbrojtje femrave që punojnë në tregtinë e seksit dhe për të sjellë paqe në qendër të qytetit.
Edhe pse prostitucioni është i ligjshëm në Zvicër, kritikët thonë se ligji aktualisht ofron pak mbrojtje për vetë femrat.
Për vite me radhë, disa zona në zemër të qytetit, më e dukshmja Sihlquai, një rrugë afër stacionit kryesor, është shtëpi e një tregtie shumë të gjallë seksi.
Banorët vendas kanë qenë prej shumë kohësh të pakënaqur me situatën dhe nëpunësit socialë thonë se vendi është shumë i rrezikshëm për femrat që kanë lidhje me të.
“Ato hipin në makinat e burrave që nuk i njohin dhe nuk e dinë se ku do të shkojnë”, shpjegon Ursula Kocher, e cila drejton një qendër këshillimi për punëtoret e seksit. “Ato shoqërohen me makinë jashtë qytetit, në pyll dhe kudo tjetër.”
Kanë ndodhur disa raste të dhunës dhe të grabitjes së femrave. Një studim i fundit i publikuar në Zyrih tregon se shumica e prostitutave që punojnë në rrugë janë rome nga Europa Qendrore ose Lindore dhe se shumë kanë fëmijë për të mbajtur.
Tani qyteti ka gjetur një zgjidhje që besohet se do të mbrojë punëtoret e seksit. Kërkimi i klientëve në rrugë do të ndalohet dhe në vend të kësaj, prostitutat dhe klientët e tyre do të përdorin një ndërtesë të përshtatur në zonën industriale të periferisë së Zyrihut.
Ndërtesa do të hapet këtë javë. Brenda portave që do të ketë roja sigurie, do të gjendet “një rrip”, i cili do t’i lejojë burrat të shohin dhe të zgjedhin femrën që duan.
Atje ka pemë, drita me ngjyra dhe stola për t’u ulur, të gjitha të projektuara për të krijuar një atmosferë që Michael Herzig i shërbimeve sociale të Zyrihut thotë se do të shërbejnë për të mos i bërë punëtoret të ndihen të trishtuara.
Por meqë i gjithë biznesi do të ndodhë brenda kompleksit, atje ka “kuti seksi” te të cilat mund të shkosh me makinë, vend ku janë marrë masa për të mbrojtur femrat.
Në anën e shoferit, kutitë janë shumë të ngushta, duke e bërë të vështirë për të daljen nga makina. Nga ana e pasagjerit ka shumë hapësirë, një buton alarmi dhe një dalje emergjence.
Në ndërtesën në periferi të Zyrihut ka edhe lajmërues: “Është një reklamë e madhe për parandalimin e HIV-it në të djathtë përpara makinës, në mënyrë që shoferi të kujtohet se duhet të vendosë një prezervativ”, thonë autoritetet e qytetit.
Rregullat janë shumë të forta: “Vetëm një burrë në makinë, nuk lejohen biçikletat dhe motorët, as filmimi dhe për më tepër as ndotja e mjedisit”.
Ndërkohë, vetëm disa hapa larg kutive, gjenden këshillues të gatshëm për ndihmë, një kuzhinë, tualete dhe një dush. Rregullat e reja gjithashtu u kërkojnë prostitutave të sigurojnë një licencë të përditshme si punëtore seksi për një taksë minimale dhe të kenë sigurim shëndetësor.
“Shumica e femrave nuk do ta bëjnë këtë punë përgjithmonë dhe ne duam që ato të jenë të shëndetshme edhe në vitet e ardhshme kur të fillojnë një jetë të re”, shprehet Kocher.
Njëzet vite më parë, Zyrihu hasi me skena të shitjes së hapur të drogës, ku personat përgjegjës nuk e kishin për turp të shfaqeshin dhe ku të varurit nga heroina i injektonin dozat në rrugë dhe parqe.
Për ta luftuar këtë, qyteti zhvilloi vende ku do të bëhej shitja, dhoma ku mund të injektohej droga, madje edhe receta të heroinës, duke u kërkuar të varurve që të raportonin në klinika nëse dëshironin doza të përditshme.
Masat dhanë sukses, sepse shitja e drogës u largua nga rrugët dhe ato u bënë më të sigurta, por askush nuk është i bindur nëse e njëjta gjë do të funksionojë edhe për tregtinë e seksit.
Taksapaguesit e Zyrihut e aprovuan projektin 2 milionë eurosh të kutive të seksit me anë të një referendumi dhe mendohet se kjo ka lidhje më tepër me dëshirën për t’i larguar prostitutat nga rruga sesa për t’u krijuar atyre kushte sigurie.
Zyrihu është një destinacion për seks, por njerëzit atje nuk dëshirojnë ta shohin tregtinë e hapur të tij, ndaj qeveria duhej të merrte disa masa.
Askush nuk është i sigurt nëse femrat dhe klientët e tyre do të shfaqen në projektin që qeveria ka realizuar për to në kutitë e seksit.
Ka nga ata ironikë që qeshin me këtë ide, duke deklaruar se Zyrihu ka krijuar një “park lojërash” të shtrenjtë për punëtoret e seksit.
Por qëllimi kryesor është reduktimi i dhunës dhe përmirësimi i kushteve të punës te punëtoret e detyruara të shesin trupin për të siguruar jetesën.





