Presidenti Obama ia kthen Kongresit të drejtën për të shpallur luftë

Nga Ruben Avxhiu,
Illyria New York
Presidenti thotë se ka vendosur që duhet ta ndëshkojë Sirinë ushtarakisht dhe se ushtria është gati, por se ka marrë edhe një vendim të dytë, se do të veprojë vetëm nëse i jep leje Kongresi
 
Presidenti Barack Obama bëri një hap historik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke u bërë i pari president që ia kthen Kongresit të drejtën për të shpallur luftë.
Sot, inspektorët e OKB-së u larhuan nga Siria, 10 ditë mbasi regjimi në fuqi ndërmori një sulm vrastar me armë kimike, duke mbytur me gaz civilë të pambrojtur shumë prej të cilëve gra e fëmijë.
Presidenti Obama kishte paralajmëruar se nëse regjimi i Al-Assad-it do të përdorte armë kimike, kjo do të përbënte një vijë të kuqe që do të shkakonte një përgjigje ndëshkuese nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar.
Pak minuta më parë, në një konferencë urgjente për shtyp, Presidenti Obama deklaroi se kishte vendosur se duhej që ta ndëshkonte Sirinë ushtarakisht. Ai tha se Komanda e Lartë ushtarake amerikane i kishte thënë se ushtria ishte gati dhe në çdo moment mund të jepte urdhërin për të sulmuar.
Presidenti tha se mund të vendoste të godiste të nesërmen, një jave më vonë, ose një muaj më vonë, por ai shpjegoi për gazetarët se kishte marrë edhe një vendim të dytë. Atë për të lënë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit amerikan, kongresistët për të vendosur nëse duhej hyrë në luftë.
Sipas ligjit në fuqi, e drejta për të shpallur luftë i takon Kongresit. E megjithatë, presidentët modernë amerikanë kanë përfituar nga që e drejta për të autorizuar veprime lufte u takonte vetëm atyre kane preferuar ta interpretojnë ligjin sikur u jepte leje që të hynin në luftë pa shkuar për një votë Kongres.
Edhe në vitin 1999, kur Bill Clinton vendosi të sulmojë Jugosllavinë pati protesta për këtë vendim. Kongresi në atë kohë u mundua të “hakmerrej” duke ia bllokuar fondet për luftën. Pas luftërave në Irak dhe në Afganistan, thirrjet për të mos ia lënë vendimin vetëm presidentit janë shtuar. Vetë Barack Obama si senator ka qenë përkrahës i vendosur i kësaj ideje.
Me afrimin e hijes së luftës në Siri, zërat u shtuan përsëri dhe të paktën 150 kongresistë u deklaruan në favor të një vote në Kongres për të vendosur se çfarë duhej bërë me Sirinë.
Sot, shumëkush priti që Barack Obama të shpallte luftën ndaj Sirisë. Në një farë mënyrë ai e bëri. Por ngjarja e ditës është vendimi i tij për t’ia hequr vetes vendimin për fillimin e luftës dhe për t’ia kthyer atë demokracisë amerikane.
Fuqia jonë më e madhe nuk janë armët që kemi, tha ai, por besimi ynë te forca e demokracisë dhe e ligjeve. Ne besojmë se nuk është fuqia që e bën drejtësinë, por drejtësia ajo që të bën të fuqishëm.
Ishte në emër të drejtësisë që Presidenti Barack Obama tha se nuk mund ta linte ndërgjegjia të qetë nëse nuk do të vepronte me mundësitë që kishte kundër një diktatori që sfidon dinjitetin njerëzor dhe marrëveshjet ndërkombëtare duke mbytur me gaz gra e fëmijë. Ai tha se për këtë do t’i kërkonte me forcë Kongresit që ta lejonte të ndëshkonte kriminelin e luftës.