Industria
Kompani gjigante nga të tria vendet bashkojnë forcat
Kompania më e madhe energjetike e kinës “PetroChina”, do të bashkohet me “Exxon Mobil” në zhvillimin e fushës gjigante naftëmbajtëse Qurna Perëndimore në Irak dhe ndërkohë po bisedon me kompaninë “Lukoil” të Rusisë për të hyrë bashkërisht në një projekt të dytë, raporton “Reuters”.
Kina është sakaq lojtari më i madh i huaj në fushat naftëmbajtëse të Irakut. Një marrëveshje për Qurnan Perëndimore, e cila gjendet rreth 50 kilometra larg Portit të Basras mund të rrisë dominimin e këtij vendi dhe mund ta bëjë “PetroChina” investitorin më të madh në naftën e Irakut. Kjo fushë naftëmbajtëse mund të prodhojë deri në 5 milionë fuçi naftë në ditë, gjë që do ta bëjë Irakun prodhuesin kryesor të botës. “PetroChina do të marrë pjesë në zhvillimin e kësaj fushe”, tha një burim nga industria me dituri mbi marrëveshjen me “Exxon”. Marrëveshja pritet të njoftohet brenda pak javësh. Kompanitë refuzuan të komentojnë.
“PetroChina” është partnere me BP-në në një zonë tjetër prodhuese të Irakut, si dhe operon më vete dy zona të tjera. Bagdadi ka nënshkruar disa kontrata shërbimesh më 2009-n, të cilat synojnë të rrisin prodhimin e naftës nga ky vend në rreth 12 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2017, më shumë nga sa prodhon aktualisht Arabia Saudite. Problemet me infrastrukturën dhe sigurinë kanë bërë që Bagdadi të ulë objektivin në 9 milionë fuçi naftë në ditë deri nga viti 2020. Problemet me sigurinë janë aq të mëdha sa Iraku mund të shënojë rënie të prodhimit të naftës më 2013-n. Por pavarësisht këtyre, gjigandët ndërkombëtarë kanë vijuar të investojnë dhjetëra miliardë dollarë në nxjerrjen e naftës.
“PetroChina” është gjithashtu edhe në bisedime me “Lukoil” për të marrë një paketë aksionesh në një fushë tjetër naftëmbajtëse aty pranë. “Lukoil” duket se parapëlqen një partner aziatik, pra një partner kinez për të siguruar një treg të vazhdueshëm konsumator. Kina është importuesi i dytë më i madh i naftës në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe ka rritje të shpejtë të kërkesës.
Prodhuesit e naftës në Lindje të Mesme, Rusi dhe Afrikë po konkurrojnë për të shitur naftën e tyre në ekonomitë në zhvillim si Kina dhe India pasi kërkesa nga SHBA dhe Europa është në rënie.