A po i vjen fundi regjimit të Assad-it?


BASHKIM ZENELI




 SHBA dhe aleatët e saj, veçanërisht Britania e Madhe, duket se janë diskutimet përfundimtare për një sulm ushtarak kundër regjimit të Assad-it në Siri. Ndërkohë kanë filluar edhe lëvizjet e flotës ushtarake, detare në Mesdhe dhe koordinimet paraprake. 
Drita jeshile për këtë u hap nga shkelja e “vizës së kuqe” që pat paralajmëruar që në tetorin e vitit të kaluar Presidenti i SHBA, Obama, mbas dyshimeve për mundësinë e përdorimit të armëve kimike e bakteriologjike një javë më parë dhe ku humbën jetën 500 veta. Ndonëse vendet e Europës janë të ndara, SHBA deklaroi dje se Siria duhet të përballet me pasojat. 
“Pranvera Arabe” përfshiu në fillim të vitit 2011 edhe Sirinë, krahas Libisë, Egjiptit e Tunizisë. Por ajo që pritej për të ardhmen e MENA, vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, nuk u arrit dhe këto vende janë përfshirë nga lufta civile dhe nga pasiguria në rritje. Një përjashtim për nga përmasat e luftës do të bënte Tunizia, ku regjimi u rrëzua nëpërmjet demonstrimeve paqësore. Atje edhe ushtria refuzoi të angazhohej në zgjidhjen politike të krizës së fillimvitit 2011.
Në Libi regjimi u rrëzua nga revoltat e brendshme, por me ndihmën e ndërhyrjen e NATO-s, OKB-së si dhe angazhimit të Francës, Britanisë së Madhe, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit.
Rajoni i MENA ka 52% të rezervave botërore të naftës dhe 42.5% të atyre të gazit. Në rajonin e MENA prodhohet 36% e sasisë botërore të naftës dhe 21% e asaj të gazit. Presidenti i SHBA, Obama, më 19 maj të vitit të kaluar, në një fjalim të mbajtur në Departamentin e Shtetit, deklaroi: “Nuk ka asnjë dyshim se SHBA i mirëpresin ndryshimet në këto vende dhe se SHBA kundërshtoi përdorimin e dhunës dhe represionit kundër popujve të rajonit. Ne mbështesin reformat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore që populli i thjeshtë të arrijë aspiratat legjitime”.
U bënë mbi 2 vjet e gjysmë që nga 23 marsi i vitit 2011, kur në Siri nisën revoltat mbas vrasjes nga forcat e sigurisë të 6 qytetarëve e që u pasuan në prill me vrasjen e 22 të tjerëve. Protestat ishin paqësore dhe i trembur edhe nga ngjarjet në vende të tjera të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme, Presidenti Assad bëri disa ndryshime në qeveri dhe vendosi edhe një amnisti për të burgosurit politikë, si dhe premtoi lejimin e krijimit të partive opozitare. Por ndërsa përshkallëzoheshin protestat, rritej edhe dhuna e regjimit të Assad-it. Më 9 maj të atij viti, BE vendosi sanksione ndaj Sirisë, përfshirë edhe embargon e armëve, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën edhe sanksione për të mos lejuar dalie nga vendi të Assad-it dhe anëtarëve të lartë të regjimit. Më 5 tetor, Rusia dhe Kina vendosën veton për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia ka një traktat miqësie e bashkëpunimi me Sirinë, që në vitin 1980 dhe sot e konsideron atë si një aleat shumë të rëndësishëm në rajon, duke qenë njëkohësisht edhe furnizuesja kryesore me armë. Në përpjekjet për zgjidhjen politike të krizës, në fillim të dhjetorit Siria pranoi një plan-paqeje të propozuar nga Lidhja Arabe për t’i dhënë fund krizës. Por misioni i saj me gjithë mbështetjen e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, dështoi gradualisht. 
Duke synuar zgjidhjen e krizës në Siri nëpërmjet një procesi politik gjatë kësaj periudhe që nga fillimi i luftës civile, pati një angazhim të gjithanshëm të Diplomacisë perëndimore nëpërmjet nismave të ndryshme. Por Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk arriti asnjëherë gjatë kësaj kohe të miratojë rezoluta për shkak të vetos të përsëritur nga Kina dhe Rusia. Dështoi ende pa filluar mirë misioni diplomatik i ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, si i dërguar special i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, me planin e tij prej 6 pikash. Diçka më jetëgjatë është misioni i ish-ministrit të Jashtëm të Egjiptit, Brahimi, që pavarësisht angazhimit aktiv, nuk arriti të bindë palët për armëpushim dhe zgjidhje të krizës. Duket se i vetmi sukses i Perëndimit gjatë kësaj kohe në Siri, ka qenë ai i misioneve humanitare, që me gjithë vështirësitë e pengesat e shumta, ka mundur të bëjë diçka. 
Assad-i, duke i konsideruar ngjarjet në vend si ndërhyrje nga jashtë, është shprehur i vendosur në rrugën e tij të dhunës së egër e të vrasjes masive të sirianëve. Të njëjtën gjë ka bërë në shkurt të vitit 1982 edhe babai i tij, ish-presidenti Hafez Al Assad, që qëndroi për 30 vjet në pushtet e që vetëm brenda 3 ditëve vrau gjysmën e popullsisë se qytetit Hama, afro 12 mijë veta. 
Ajo që po ndodh në Siri ka shokuar me kohë botën dhe është konsideruar nga Gjykata Penale e OKB-së si “Krime kundër njerëzimit”. Që nga marsi i vitit 2012 e deri më sot janë vrarë rreth 150 mijë veta. Sipas komisionerit për refugjatët të Kombeve të Bashkuara, 3.5 mln sirianë kanë marrë arratinë në vendet fqinje e kryesisht në Turqi. Vendi është totalisht i shkatërruar dhe lufta civile i ka kushtuar deri më sot Sirisë mbi 100 miliardë USD.
Rezistenca e popullit ka qenë përherë në rritje dhe dezertimet nga Ushtria kombëtare dhe forcat e sigurisë së regjimit kanë qenë të shumta dhe prej tyre është krijuar në gusht të vitit 2012 Ushtria e Lirë Siriane (FSA). Por, me gjithë luftën kundër regjimit të Assad-it, drejtues të saj që në fillim kanë shprehur një frymë të hapur antiperëndimore për shkak të mosangazhimit me ndërhyrje ushtarake. Ndërkohë, opozita, me gjithë rrolin e luajtur, është e përçarë, në grupime, ndasi fetare, etnike etj. Ajo ka pasur që në fillim mbështetje nga Perëndimi, e sidomos Turqia, Arabia Saudite e vende të tjera të Gjirit Arabik, që e kanë ndihmuar si materialisht, ashtu dhe financiarisht. Ndërkohë, Moska ka vazhduar furnizimin me armë të regjimit të Assad. 
Shqetësimi i SHBA-ve dhe vendeve të BE-së ditët e fundit është rritur shumë, mbas vrasjes së mbi 500 vetave, të dyshuar për vdekjen nga përdorimi i armëve kimike. Këto vende i kanë kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërmarrjen urgjent të një hetimi mbi mundësinë e përdorimit të armeve kimike e bakteriologjike. 
Që një vit më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan për rrezikun e përdorimit të armëve kimike, ndërkohë që Rusia deklaroi se kishte marrë garanci nga Assad-i për mospërdorimin e tyre. Frika ka ekzistuar jo vetëm në përdorimin apo edhe në mungesën e kontrollit të magazinimit të armëve kimike, por edhe në mundësinë e përdorimit nga forcat e Al-Kaedës apo Hazbullahut, mbështetëse të regjimit. Afro 1 vit më parë, Ministria e Punëve të Jashtme të Sirisë lëshoi dy deklarata të njëpasnjëshme, që krijuan shqetësim te Perëndimi: “Armët kimike nuk do të përdoren deri në rastin e një agresioni nga jashtë”, e më pas deklarata tjetër: “Armët kimike e biologjike nuk do të përdoren brenda Sirisë”. 
Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, Presidenti i SHBA-ve, Obama, në një fjalim që mbajti në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes, theksoi: “Unë dua t’ia bëj absolutisht të qartë Assad-it dhe atyre që janë nën kontrollin e tij se: Përdorimi i armëve kimike është dhe do të jetë totalisht i papranueshëm dhe nëse ju bëni gabimin e përdorimit të këtyre armëve, konsekuencat do të jenë të mëdha”.
Siria ka sasi të jashtëzakonshme armësh kimike dhe biologjike. Ajo është prodhuese e tyre që në mesin e viteve 1970, dhe me programe të plota, e pavarur në prodhim dhe në lëndë të parë është në mesin e viteve ‘80. Tani flitet për një Halabja siriane, referencë e përdorimit të armëve kimike nga Sadam Hussein në vitin 1988, në qytetin kurd të Halabjas.
Siria, ashtu si Egjipti, Koreja e Veriut e ndonjë vend tjetër, nuk e kanë nënshkruar dhe nuk është pjesë e Konventës për Armët Kimike (CWC) dhe Organizatës për Ndalimin e Përdorimit të Armëve Kimike (OPCW). Formalisht nuk mund të lejohet investigimi në terren për përdorimin apo jo të potencialeve kimike. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, i është referuar përdorimit të armëve kimike në vitin 1988 nga Iraku dhe ka praktikuar edhe për rastin e Sirisë formulën e titulluar “Mekanizmi i Sekretarit të Përgjithshëm për hetimin e përdorimit të armëve kimike e biologjike”. Kjo ka përjashtuar nevojën e miratimit në KS të OKB-së. Grupi i inspektorëve, që aktualisht janë në Siri, drejtohet nga shkencëtari i njohur suedez, Ake Sellstrom, që ka qenë edhe në inspektimet në Irak.
Ndonëse burimet sigurojnë për përdorim të armëve kimike, pritet raporti i inspektorëve të OKB-së që SHBA, Anglia, NATO dhe vende të tjera të Europës të vendosin për ndërmarrjen e një sulmi ushtarak, jashtë vendimit të KS të OKB-së, që do të ishte i pamundur, meqenëse do të vendosej vetoja e Rusisë dhe Kinës. Ndaj është shtyrë edhe takimi i planifikuar për nesër në Hagë.
Presidenti sirian, Assad, ka paralajmëruar SHBA-në se një sulm kundër vendit të tij do të kishte pasoja dhe humbje të mëdha për “agresorët”. Gjithsesi, duket se regjimi, mbas 2 vitesh e gjysmë luftë civile, po i afrohet fundit. Më shqetësuese dhe më e vështirë do të jetë periudha e post-Assadit, një tranzicion me probleme të panumërta politike, ekonomike e fetare, krahinore, etnike etj. Por, gjithsesi, do të fillojë me rënien e Assad-it.