Shkencëtarët italianë janë vënë në kërkim të Mona Lizës misterioze të Leonardo Da Vincit. Për këtë kanë nisur një varg zhvarrosjesh dhe analizash. Universiteti i Bolonjës ka analizuar mbetjet e tetë trupave të gjetura gjatë gërmimeve në kuvendin e Shën Orsolës në Firence: tre prej tyre përputhen me moshën e vdekjes së Lisa Gherardinit, modeles që Leonardo Da Vinci ka shfrytëzuar për Mona Lizën (Monna Lisa). Ky është rezultati i analizave të para të realizuara në Universitetin e Bolonjës. Ky lajm është bërë i njohur nga Komiteti Kombëtar për Vlerësimin e Vlerave Historike, Kulturore dhe Ambientale, që drejton kërkimin e eshtrave të Lisa Gherardinit. Laboratori i Antropologjisë në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Bolonjës, drejtuar nga prof. Giorgio Gruppioni, edhe përgjegjës i komitetit shkencor të sektorit Antropologjik, tashmë ka mbyllur pjesën e parë të kërkimit. Analizat e kryera mbi mbetjet kockore, që paraqiten në kushte të këqija konservimi, kanë dhënë disa indikacione: nga tetë mostra të marra, shtatë i përkasin seksit femëror. Vetëm për një nga zhvarrimet, seksi mbetet i paqartë. Porsa i përket moshës së vdekjes, të gjitha mbetjet eshtërore rezultojnë të jenë mbi 30 vjeç. Mes tyre 3 individë paraqesin një moshë vdekjeje më të madhe, krahasuar me moshën e vdekjes së Lisa Gherardini, e njohur si Mona Liza.





