Ligji i amnistisë së pasurisë i Turqisë mund të japë shembullin për rajonin

“Southeast European Times”



Kriza e sektorit bankar të Qipros dhe një ligj i miratuar së fundmi në Turqi kanë hapur një debat mbi amnistinë e pasurisë anembanë Ballkanit. Megjithëse vendet e Ballkanit që nuk janë në BE u ndalojnë shtetasve që të kenë llogari bankare jashtë vendit me përjashtim të rrethanave të veçanta, autoritetet vlerësojnë se shumë shtetas arrijnë t’i shmangen ligjit e të investojnë paratë e tyre në parajsat e huaja tatimore, siç është Qiproja. Për shkak të sekretit bankar në vende të tilla, nuk dihet se sa llogari gjenden atje. Ndërsa bankat qipriote janë në krizë, disa vende janë të hapura ndaj mundësisë së amnistisë për personat që kanë llogari të huaja, duke lejuar që kapitali të kthehet në ekonomitë vendase. Megjithëse qeveria maqedonase nuk ka ofruar zyrtarisht amnisti, Goran Trajkovski, administrator i Zyrës së Taksave maqedonase, e mbështet një masë të tillë. "Është diçka për të cilën kam folur për gjatë disa viteve të kaluara. Amnistia do t’u lejojë banorëve tanë të kthejnë paratë e tyre në Maqedoni, duke nxitur kështu ekonominë kombëtare", tha Trajkovski.
Por ekspertë paralajmërojnë gjithashtu në lidhje me rreziqet e mundshme. "Duhet të jemi të kujdesshëm e të kontrollojmë plotësisht pasurinë, të kontrollojmë nëse paratë kanë dalë nga vendi në mënyrë të paligjshme. Nuk duhet të ketë asnjë amnisti për kapitalin e paligjshëm, sepse do të ketë efektin jo-stimulues për njerëzit që punojnë e investojnë paratë e tyre këtu, njerëzit që paguan taksat e tyre", tha Shenaj Haxhi Mustafa nga Qendra për Analizën Ekonomike. Sipas studimit të botuar nga Integriteti Financiar Botëror, një organizatë ndërkombëtare e studimeve dhe këshillimeve, 4,6 miliardë dollarë dolën nga Maqedonia nëpërmjet kanaleve të paligjshme ndërmjet 2001-shit e 2010-s. Shumica e parave përfunduan në parajsa tatimore si Belizë, Ishujt Marshall, Qiproja, Panamaja dhe Zvicra. Më 22 maj, parlamenti i Turqisë miratoi një ligj të amnistisë të pasurisë të krijuar për të inkurajuar shtetasit turq me fonde jashtë vendit që t’i tërhiqnin në vend pa u përballur me taksa dhe gjoba ndëshkuese. Ligji u miratua nga presidenca turke më 29 maj. Shtetasit ose kompanitë turke duhet të deklarojnë pasurinë e tyre -- prona, të holla, aksione, bono e investime të tjera -- përpara fundit të korrikut nëse dëshirojnë të përfitojnë nga ligji i amnistisë. Legjislacioni kërkon vetëm një taksë prej 2 përqind, duke parandaluar taksat relativisht të mëdha që përndryshe mund të arrinin në 30 deri në 40 përqind. Individët e ndërmarrjet nuk do t’i nënshtrohen ndonjë hetimi të origjinës së pasurisë së tyre ose arsyeve për mbajtjen e saj jashtë vendit. Sipas Ministrisë së Financave të Turqisë, turqit patën deri në 130 miliardë dollarë në llogari të huaja në fund të vitit të kaluar. "Rëndësia e këtij ligji vjen nga fakti se pasuria e paregjistruar do të regjistrohet ndërsa do të kontribuojë për ekonominë kombëtare nëpërmjet riatdhesimit. Mund të konsiderohet si një zbatim i suksesshëm nëse të paktën 10 miliardë lira sillen në Turqi", tha Murat Sheker, një ekonomist nga Universiteti i Stambollit. "Megjithatë, gjithashtu ka disa disavantazhe, si drejtësia e taksimit sepse pasuritë jashtë vendit do t’i nënshtrohen një amnistie të taksimit në njëfarë mënyrë e nuk do të ketë asnjë hetim në lidhje me të kaluarën e asnjë dënim për ata që nuk deklaruan pasuritë e tyre në të kaluarën", shtoi ai. Qeveria rumune i është sjellë vërdallë idesë së amnistisë fiskale, por ligji i fundit i Turqisë ka nxitur një debat të ri mbi mundësinë e një mase të ngjashme në Rumani. Autoritete dhe ekspertë ekonomikë vlerësojnë se të paktën 20 miliardë euro janë fshehur në parajsa fiskale si Zvicra, Luksemburgu, Qiproja dhe Ishujt Kajman, ku shumë që thonë se numri mund të jetë më i madh, duke ditur korrupsionin e përhapur gjerësisht në Rumaninë pas komunizmit. Sipas ekonomistëve rumunë, përveç shumave të mëdha të parave që po kthehen në shtëpi për përfitimin e ekonomisë vendase, një taksë e thjeshtë prej 5 përqind e amnistisë do të sjellë ndërmjet 1 miliardë dhe 5 miliardë euro në buxhetin e shtetit. "Që nga kriza, paratë janë të pakta e më të shtrenjta. Qeveritë ankohen se nuk i kanë ato dhe marrin hua nga banka sepse nuk kanë ndonjë zgjidhje tjetër", tha Dan Popa, një bloger ekonomik. Integriteti Financiar Botëror njoftoi se ndërmjet 2001-shit e 2010-tës Kroacia humbi 11.6 miliardë euro në transferta të paligjshme të parave si korrupsion dhe shmangie nga taksat. Banka Kombëtare Kroate njoftoi së fundmi se ndërmjet 1993-shit e 2012-tës kroatët investuan rreth 330 milionë euro në streha pa taksa në Karaibe e Paqësor.