Kinë, 23-vjeçarja ‘vritet’ nga iPhone


Një 23-vjeçare kineze ka gjetur vdekjen pasi është goditur nga një valë korrenti ndërsa ishte duke folur me telefonin e saj celular iPhone, që ndërkohë ishte duke u karikuar.
Ma Ailun, ish-punonjëse e “China Southern Airlines”, është goditur nga celulari menjëherë sapo ka tentuar t’i përgjigjet telefonatës së ardhur në celularin e saj dhe me gjithë ndihmën e mjekëve nuk ka arritur të mbijetojë.
“Apple” ka reaguar menjëherë duke njoftuar se ka nisur një hetim të hollësishëm për të kontrolluar sigurinë e produktit më të shitur të saj, i cili fillimisht mendohej se ishte një iPhone 5 por më vonë u vërtetua se ishte një iPhone 4.
Ndërkohë çështja ka ndezur një debat në vend lidhur me sigurinë e këtyre aparateve celularë të cilësuar si super modernë, por specialistë të ndryshëm shprehen se problemi nuk qëndron tek telefoni, por te karikuesi i baterisë së përdorur nga 23-vjeçarja, i cili sipas tyre ka qenë fals, ose i blerë në treg dhe jo karikuesi origjinal i iPhone.