Miratohet rregullorja e re e punësimit. Në listë edhe kandidatët e vendeve jashtë BE-së
Shpresa Mezini
Të gjithë ata që kanë ndjekur arsimin e mesëm profesional mund të kandidojnë për t’u punësuar në Gjermani. Thirrje të tilla për punësim janë zbardhur herë pas here, ndërsa e reja e këtij viti është se janë të ftuar edhe kandidatët që aplikojnë nga vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Të interesuarit që plotësojnë kushtet kanë të drejtë të aplikojnë për t’u punësuar në një prej rreth 18 profesioneve, ku në Gjermani ka mungesë punëtorësh të kualifikuar. Për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar në Gjermani, Agjencia Federale e Punësimit po kërkon kandidatë të përshtatshëm, jo vetëm nga vendet që janë pjesë e Bashkimit Europian, por edhe prej atyre që nuk janë pjesë e saj.
Gjermania ka hapur herë pas here aplikime për plotësim të vendeve të lira të punës, që ofron ky shtet, por profesionet klasike ku ka janë evidentuar mungesa kanë qenë kryesisht: Infermierët dhe Kujdestarët e të Moshuarve.
Ndërsa sivjet, në kuadër të rregullores së re të punësimit, e cila ka hyrë në fuqi më datë 1 korrik të këtij viti, Gjermania kërkon të punësojë profesionistë në fushat profesionale.
Duke iu referuar gazetës “Welt Am”, Agjencia Federale e Punësimit dhe Ministria e Ekonomisë kanë përpiluar një listë me 18 grupe profesionesh, për të cilët ka shumë nevojë dhe mungesa në Gjermani. Agjencia Federale e konsideron këtë listë si “Lista pozitive”, e cila përmban sidomos profesionet teknike, mes tyre elektricistë për sipërmarrje industriale, teknikë automatizimi, mekatronikë apo teknikë të teknologjisë së ftohjes dhe të ngrirjes. Disa prej dokumenteve që duhet të plotësojnë aplikantët janë: Dëshmia e notave për të gjitha vitet e shkollës se mesme profesionale, në shqip dhe të përkthyera në gjermanisht; Dokumenti përfundimtar i Studimeve/Diplomë e shkollës së mesme, në shqip dhe e përkthyer në gjermanisht; (CV) në gjermanisht; dëshmi penaliteti, dokument që vërteton njohuritë në gjuhën gjermane.
Hapja e tregut të punës për këto profesione për qytetarë nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së u bë e mundur nga një rregullore e re për punësimin, që është në fuqi nga 1 korriku 2013. Kjo u lejon të gjithë të interesuarve, që kanë përfunduar shkolla profesionale që të kandidojnë për vende të lira pune në ato profesione ku në Gjermani ka mungesë punëtorësh të kualifikuar.
Agjencia Federale e Punësimit në Gjermani, ndonëse më shumë e interesuar për punësim në sektorët profesional si: Elektrikë, Mekanik apo Hidraulik vazhdon të kërkojë edhe infermierë dhe kujdestarë për të moshuarit, dy prej profesioneve për të cilat vit pas viti shpreh nevojën për plotësime të vendeve të lira të punës. Përparësi për kandidatët në këto fusha përbën mosha, që duhet të jetë mbi 22 vjeç dhe përvoja e punës, ndërsa kontrata e punësimit zgjat për një periudhë kohore prej 18 muajsh.






