Home »
» Themelohet “Partia e Fortë”
Themelohet “Partia e Fortë”
“Të enjten, më datë 20 qershor 2013 është zyrtarizuar në KQZ partia që po jep kthesën e madhe të historisë së njerëzimit. Duke marrë numrin rendor 60 pranë këtij institucioni—pra KQZ-së—Partia e Fortë është renditur aty ku edhe ka vendin, me një numër kaq madhështor. Numri 5 është numri i preferuar i kryetarit të Partisë, z. Visar Arifaj. Nëse numri 300 (që koincidentalisht është filmi i preferuar i tij) pjestohet me numrin 5, rezulton në numrin rendor historik 60. Kjo është Partia e Fortë!”.
Kështu thonë drejtues të partisë më të re në Kosovë, “Partia e Fortë”, e cila programin e saj e bazon në satirë.
Sipas drejtuesve të partisë, “Kosova është një shtet që hyn në grupin e atyre më demokratike në botë, si fole e zgjedhjeve më të sakta e transparente, ku votojnë jo vetëm të gjallët por edhe ata nga bota tjetër”.
“Vendi ku zgjedhja e presidentëve është gërshetim i artë i votimit parlamentar, teknologjisë celulare e zarfore dhe bashkëpunimit me miqtë më të mëdhenj të këtij populli, SHBA-të. Zgjedhje për të cilat kishte zili edhe vetë Europa”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
“Shtresa e përfaqësuesve të sotëm politik është treguar tepër modeste për arritjet e veta gjatë gjithë kësaj kohe. Madje nga modestia kishte edhe të atillë që në vende tjera ishin regjistruar si të sëmurë mendor, gjë që nuk ua diti për nder askush”.
“Partia e Fortë” thekson se “koha është për një parti politike që fuqimisht e shprehë krenarinë, përparimin dhe prosperitetin e këtij shteti. Një parti që e përfaqëson fuqinë e vërtetë të këtij vendi. Një Parti e Fortë”.
“Shteti ecën përpara bashkë me qytetarët. Qytetarët përparojnë bashkë me liderët e tyre. Liderët përparojnë vetëm kur ka pasuri. Ky është principi thelbësor në të cilin bazohen politikat shoqërore të Partisë. Pasuritë ekonomike do të kenë distribuim të qartë hierarkik duke filluar me Kryesinë e partisë, për mundin e tyre vetëmohues, familjarëve të tyre sepse, siç e dimë të gjithë, familja është shtylla e çdo shoqërie”, theksohet në komunikatën e kësaj partie.
“Ka individë që ankohen se rreth 40% e buxhetit të Kosovës shpenzohet në “Rrugë” dhe “Tjera” gjersa vetëm 9% shkojnë në “Shëndetësi”. Çfarë na duhet shëndetësia nëse nuk kemi rrugë të asfaltuara ku mund të vozisim veturat tona të bukura në shpejtësinë e tyre të preferuar? Jeta është e shkurtë dhe nuk kemi llogari të humbim kohë duke pritur në trafik. Rruga për integrim europian nuk është ndryshe veç se e asfaltuar”, theksojnë drejtues të kësaj partie.
Më tej, kjo parti thekson se “vetëm të Fortit mbijetojnë”.
“Kjo është premisa mbi të cilën e bazojmë edhe zhvillimin tonë kulturor. Çdo gjë që i referohet të kaluarës, çdo monument që nuk i përket sistemit të sotëm politik, duhet të shkatërrohet dhe t’i lirohet hapësira gjërave të reja. Edhe drunjtë më të vjetër se 20 vjet të zëvendësohen me fidane të njoma”, thotë “Partia e Fortë”.
“Mbi të gjitha, ne duhet të punojmë pa kompromis në fortësimin e krenarisë kombëtare. Nuk na duhet shkollimi nëse nuk na pranon Fifa. Nuk ka vlerë muzika nëse nuk këndojmë për bashkëkombësit tanë i rezistojnë kondukterëve në vende tu huaja kur ata i kërkojnë biletën. Përulja është e papranueshme në çfarëdo rasti”.
“Partia e Fortë do të punojë në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë ndërkombëtar duke mos harruar se ishin ata që na përcollën dhe na përcjellin hap pas hapi në rrugëtimin tonë të përparimit. Ne jemi gjithmonë mirënjohës dhe me krenari do t’i mbartim Vizat sa herë që udhëtojmë sepse përveç tjerash ai dokument tregon që ne gëzojmë aq shumë respekt në këto vende sa që dëshirojnë të na njohin secilin prej nesh ende pa shkuar atje”.
“Do të jetë rrugë e gjatë dhe e lulëzuar kjo e përparimit të vendit tonë më të fortë, Kosovës”, përfundon komunikata e “Partisë së Fortë”. /Zëri