Home »
» Të rinjtë, si të nisësh një biznes, hapat që duhen ndjekur
Të rinjtë, si të nisësh një biznes, hapat që duhen ndjekur
Sfida e parë për ju është të gjeni idenë e duhur, e cila përputh burimet, interesat, aftësitë dhe përvojat tuaja me nevojat e tregut dhe klientëve të tij. Një mënyrë për të krijuar ide biznesi është të vëzhgoni objekte të përdorimit të zakonshëm (në shtëpi, në rrugë, në dyqane) dhe mendoni për përmirësimet për të cilat njerëzit do të ishin të gatshëm të paguanin
Të bësh biznes në kohët e sotme duket si një hap i rrezikshëm nga shumë njerëz. Por eksperienca e shumë bizneseve të suksesshme ka treguar si nisja duhet bërë në një kohë kur shumë sektorë kanë problem financiare. Arsyeja ka të bëjë me shpenzimet pasi shumë pajisje apo mjete që të duhen për të hapur biznesin mund t’i marrësh me çmime të lira. Më poshtë janë renditur disa nga hapat që duhet të ndjekin të rinjtë
përpara se të hapin një biznes.
Si lindin idetë e biznesit?
Mundësitë e biznesit gjenden rreth e rrotull jush. Sfida e parë për ju është të gjeni idenë e duhur, e cila përputh burimet, interesat, aftësitë dhe përvojat tuaja me nevojat e tregut dhe klientëve të tij. Një mënyrë për të krijuar ide biznesi është të vëzhgoni objekte të përdorimit të zakonshëm (në shtëpi, në rrugë, në dyqane) dhe mendoni për përmirësimet për të cilat njerëzit do ishin të gatshëm të paguanin. Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve janë të suksesshme, sepse ata kanë sjellë ndryshime në produktet apo shërbimet ekzistuese të cilat ishin vlerësuar më parë nga klientët. Një mënyrë tjetër për të krijuar ide është të imagjinoni “Nëse do të kisha…” të tregoni një dëshirë, kërkesë apo nevojë për një objekt apo shërbim i cili nuk është i disponueshëm apo që është vështirë për tu siguruar. Ka nevoja të cilat vijnë me kohë dhe burojnë nga një ndryshim i interesave individuale apo teknologjisë. Mendoni për shembull për nevojat që kanë lindur së fundmi (p.sh. telefonat celularë, kasetofonat, çantat e shpinës, patinat).
Zgjedhja e ideve
Ndërsa krijoni ide biznesi më e mira është të jeni mendje hapur. Mendoni për sa më shumë ide të jetë e mundur dhe bëni një listë me të gjitha mundësitë e biznesit që ju vijnë ndër mend. Në krye të një flete të pastër shkruani një aktivitet që ju doni të kryeni (vëreni si titull). Përdorni një faqe tjetër për çdo aktivitet apo interes që ju keni. Në secilën faqe, listoni sa më shumë objekte që mund të identifikoni. Përdorni imagjinatën për ti transformuar këto objekte në produkte apo shërbime të cilat ju mund ti shisni. Rishikoni listat që sapo keni përgatitur dhe përpiquni të përcaktoni potencialin e suksesit për secilën ide. Zgjidhni idenë për të cilën mendoni se keni aftësitë e duhura. Duke analizuar aftësitë tuaja ndaj “biznesit” të planifikuar, ju do të kuptoni se cila ide ju përshtatet më shumë. Për çdo objekt të listuar, kryeni një kontroll realizueshmërie duke ju përgjigjur pyetjeve të mëposhtme:
1-Sa i përgjigjet nevojës produkti apo shërbimi?
2-Si prodhohet? Ç’lloj pajisjeje apo material nevojiten për të prodhuar objektin apo shërbimin?
3-Ku mund ta blini materialin. Sa mund të kushtojë ai?
4-A ka ndonjë gjë që ju nevojitet për biznesin dhe që është e vështirë për t’u gjetur (p.sh. gjendje e pakët e lëndës së parë, pajisje të shtrenjta apo teknologji e papërshtatshme)?
Informacioni
Ka shumë institucione dhe agjenci që japin informacion mbi mundësitë e vetëpunësimit dhe se si të ngresh kompaninë tënde. Këto zakonisht përfshijnë dhomat e tregtisë, agjencitë e zhvillimit të biznesit, shërbimet e punësimit, bankat dhe institucionet e mikrokredisë, organizatat komunitare, shërbimet publike si bashkitë dhe autoriteti i taksave. Në ditët e sotme mënyra më e mirë për të gjetur informacionin është nëpërmjet Internetit, por edhe numëratorëve të telefonit (faqet e verdha dhe të bardha) dhe mund të jenë të dobishme edhe listat e shërbimeve lokale publike dhe private. Është gjithashtu e rëndësishme gjetja e burimeve të asistencës dhe ekspertizës. Për shembull, mund të jetë një ide e mirë të vizitoni një organizatë punëdhënësish për të marrë informacion të dorës së parë mbi tendencat ekonomike. Nëse nuk jeni të sigurtë për informacionin që ju nevojitet dhe ku ta gjeni atë, vizita në një bibliotekë lokale publike mund të jetë një pikë e mirë për të filluar. Një mundësi tjetër është edhe të pyesni fqinjët, miqtë dhe pjesëtarët e familjes. Ata mund te njohin dikë që mund t’ju ndihmojë.
Analiza e tregut
Hapi më i rëndësishëm për përcaktimin e realizueshmërisë e idesë së biznesit është vëzhgimi nga afër i tregut. Suksesi i një biznesi varet shumë nga mënyra se si është targetuar. Për të gjetur nëse një ide biznesi ka treg, nevojitet të njihen se kush janë klientët potencialë, cilat janë nevojat dhe dëshirat e tyre dhe se çfarë çmimesh mund të paguajnë ata për produktet dhe shërbimet e ofruara. Analiza e tregut kërkon mbledhjen e informacionit mbi:
-Produktin apo shërbimin dhe procesin e prodhimit;
-Pajisjen dhe furnizimet që ju nevojiten për të filluar biznesin, si edhe aftësitë që kërkohen për drejtimin e biznesit
-Vendin më “të mirë” për të vendosur biznesin tuaj (p.sh. kryqëzime të rrugëve, pranë shërbimeve, rrjeteve të komunikimit)
-Konkurruesit tuaj kryesorë (d.m.th. ata të cilët shesin ose prodhojnë produkte apo shërbimeve të ngjashme)
-Klientët tuaj potencialë (dmth ata të cilët do të blejnë produktet dhe shërbimet tuaja dhe arsyet pse ata do t’i blejnë këto produkte apo shërbime nga ju).
Mbani parasysh parimin 80/20: për pjesën më të madhe të sipërmarrjeve, rreth 20 për qind e klientëve blejnë 80% të produkteve apo shërbimeve të tyre. Kjo nënkupton që pjesa më e madhe e klientëve të blejnë vetëm 20 për qind që mbetet. Kështu është e rëndësishme që ju të zhvilloni strategjinë tuaj të marketingut duke targetuar ato klientë të cilët do të blejnë pjesën më të madhe të produkteve apo shërbimeve.
Dështimi i idesë
Analiza e tregut ju ndihmon të zbuloni sa e realizueshme është ideja juaj e biznesit përpara se të investoni kohë dhe para. Gjatë kësaj faze ju mund të zbuloni se ideja juaj e biznesit ka pak mundësi të jetë e suksesshme (ajo mund t’ju kushtojë shumë, asnjë nuk është i interesuar etj). Mesatarisht, vetëm dy nga dhjetë ide biznesi mund të jenë potencialisht të mundshme dhe vetëm një mund të jetë realisht e realizueshme. Pra, mbani lart entuziazmin dhe përkushtimin, dhe përpiquni përsëri me një ide tjetër.
Shpenzimet fillestare
Shumë sipërmarrës të rinj nuk i kushtojnë shumë vëmendje planifikimit financiar, duke besuar se do të jetë e lehtë për të siguruar fonde shtesë nëse biznesi do të shkojë mbarë ose nëse ideja është e mirë. Megjithatë, shumë biznese të reja kërkojnë më tepër para se plani fillestar. Çfarë janë shpenzimet fillestare? Hapi i parë në planifikimin financiar është përcaktimi i shpenzimeve fillestare. Këto janë një nga kostot për të filluar biznesin (pajisje, mobilie, furnizime, rinovime, licenca, dhe shpenzime të tjera administrative dhe ligjore). Shpenzimet e kryera për hapjen e biznesit njihen si shpenzime operative. Ç’lloj strukture biznesi është më e mira për mua? Forma e biznesit e zgjedhur për sipërmarrjen mund të ndikojë në shpenzimet fillestare dhe operative. Për shembull, një strukturë e dobët biznesi mund të rezultojë në ekspozimin ndaj detyrimeve, ngarkesës dhe taksave të panevojshme gjatë kryerjes së veprimeve. Kur zgjidhni një strukturë për sipërmarrjen tuaj duhet të merrni parasysh:
-numrin e njerëzve pjesëmarrës në biznes
-rolin e secilit prej partnerëve në biznes dhe mundësinë për tu tërhequr nga sipërmarrja;
-burimet financiare të nevojshme.
-nëse keni nevojë për licencë për të drejtuar biznesin tuaj
Është ide e mirë që të kërkohen këshilla profesionale për të trajtuar disa nga këto çështje. Këshilla për biznesit jepen nga dhomat lokale e tregtisë dhe agjencitë e zhvillimit të biznesit. Kontabilistët, juristët dhe bankierët mund t’ ju ndihmojnë për të përzgjedhur formën më të mire për ndërmarrjen tuaj.
Marrë nga: Organizata Botërore e Punës (ILO)