Sot dua të jem turk

Nga Ilir Yzeiri

Turqia, më saktë zemra e saj Stambolli, është ndezur flakë dhe mijëra njerëz, kryesisht të rinj, kanë dalë në protestë pse kryeministri Erdogan, i dehur nga pushteti dhe nga ethet e një zhvillimi grandioz që merr përpara gjithçka në emër të komercializmit dhe të kapitalizmit të egër, ka vendosur të presë pemët e një prej lulishteve më të mëdha dhe më të bukura të Stambollit që të ngrejë aty një qendër të madhe biznesi.
Kaq ka mjaftuar dhe zemërimi i një pjesë të madhe të popullsisë ka shpërthyer me fuqi të jashtëzakonshme dhe Turqia ka zënë faqet e para të gazetave më të mëdha të botës.
Çfarë po ndodh? Prej kohësh, vënë në dukje analistët, Erdogan po qeveris me dorë të hekurt dhe, në të njëjtën kohë, ka shënuar edhe një progres të dukshëm ekonomik, por duke sakrifikuar të drejtat dhe liritë e një pjese të madhe të popullsisë.
Ai ka përdorur forcën ndaj protestuesve pikërisht pse e ndien veten të dehur me pushtet.
Ai ka monopolizuar pushtetin në një dorë të vetme. Laikët janë të pakënaqur sepse ai po shtie në hapësirën publike besimin fetar.
Ka miratuar një ligj për kufizimin e alkoolit, ka futur në burg një intelektual armen duke e akuzuar për blasfemi.
Ai ka mënjanuar edhe një grup islamik fetar tolerant, ka shkatërruar hierarkinë ushtarake dhe tani në fund, me ndryshimet kushtetuese, kërkon ta kthejë Turqinë në një republikë presidenciale dhe të shtjerë në dorë edhe këtë post.
Të gjitha këto e shumë të tjera, thonë analistët, e kanë çuar zemërimin e të rinjve, studentëve dhe të së majtës turke në kufijtë e një shpërthimi që ka mundësi ta kthejë sheshin “Taksim” në sheshin “Tahrir”.
Po këtu te ne çfarë ndodh? Asgjë. Mua më vjen turp që jam shqiptar, që jam pjesë e këtij populli të squllët që nuk ka shpirt e zemër, por është ndryrë brenda këmishës prej skllavi dhe duron gjithfarë idiotësh e despotësh mbi krye.
Sa herë pyes veten ku janë studentët, ku janë intelektualët në këtë vend? Si ka mundësi që është shuar e gjithë vetëdija qytetare dhe ne mund të durojmë mbi kurriz çdo të marrë.
Po vijnë zgjedhjet dhe ende në këtë vend njerëzit janë në mëdyshje se çfarë duhet të bëjnë.
Shumë tellallë të kësaj karikature që na qeveris zgërlaqen çdo mbrëmje nëpër ekrane TV-sh dhe me surratin që ju shkëlqen nga yndyra dhe lyra e puthadorit i thonë këtij populli se sharlatani diktator që na qeveris duhet të vijojë të na qeverisë ende.
Për dhjetë pemë që po priteshin në Turqi, të rinjtë, intelektualët, studentët dolën dhe u përleshën me policinë.
Të mos harrojmë se janë mbi 1000 vetë të plagosur, sepse policia ka reaguar ashpër. Ndërsa këtu te ne ai që kërkon votat na vrau dhe na shtiu me plumb dhe ne ende mendohemi që ta mbajmë apo të mos e mbajmë në pushtet.
Mua më vjen turp që jam shqiptar, më vjen turp që jam pjesë e një populli që gjatë gjithë historisë së tij të re ka pranuar që t’i hipin në kurriz lloj-lloj gomerësh e sharlatanësh dhe nuk di të çlirohet prej tyre.
Edhe sot jemi bërë qesharakë duke i mbajtur sytë te ambasadori amerikan Arvizu dhe të dërguarit e SHBA-ve.
Ende nuk e kemi kuptuar se nuk mund të jesh partner me një vend të madh në qoftë se je një popull qaraman që nuk di ta marrësh vetë në dorë fatin tënd.
Sot e ndiej veten krenar që isha i pari që nuk e miratova qëndrimin e ambasadorit amerikan Arvizu kur ai mori në mbrojtje kriminelin Berisha.
Koha më dha të drejtë mua dhe për fat të keq e vendosi edhe ambasadorin amerikan Arvizu në anën time në atë anë që nuk e quan më Berishën burrë shteti. Mirëpo sot nuk më interesojnë këto.
Sot më vjen turp që jam shqiptar, sot do të doja të isha turk. Mirëpo, ne mesa duket nuk jemi as Lindje as Perëndim. Jemi një specie pa formë e pa ngjyrë që përshtatet me diktatorin dhe me kriminelin më të parë.
Ndaj, ashtu siç e kam thënë që në fillim, më 23 qershor nuk mbaron, në atë ditë fillon beteja për ta vendosur demokracinë, sepse lubia që kemi në kurriz nuk largohet me votë.
Tani duhet ta dinë të gjithë se jemi vetëm. Krejtësisht vetëm. Ndaj ose do të ulim kurrizin edhe më ose do të shpëtojmë.
Unë jam pesimist, sepse ne jemi shqiptarë dhe nuk jemi turq. Unë sot do të doja të isha turk.