Nobelisti Orhan Pamuk rreshtohet pro protestuesve


‘Gruaja me të kuqe’ bëhet simbol i protestave në Turqi

Imazhet e saj janë shpërndarë pa fund në rrjetet sociale dhe janë kthyer në simbol të protestave në Turqi. E veshur me një fustan veror, me varëse në qafë dhe një çantë në krah, ajo sulmohet nga një polic që e spërkat me gaz lotsjellës. Një studente turke, Esra, thotë se ky imazh përmbledh esencën e të gjithë protestës. “Dhuna e policisë kundër protestuesve paqësore, njerëzit thjesht po tentojnë që të mbrojnë veten dhe vlerat e tyre,” thotë Esra. Fotoja e saj (falë fotografit të Reuters Osman Orsal) është kthyer në një poster pro- protestave. “Sa më shumë na spërkatni, aq më të shumtë bëhemi,” lexon në poster.

Turqi, arrestohen 25 të rinj për mesazhet në Twitter

“’Taksimi’ është kudo, secili prej nesh është një pemë e Parkut ‘Gezi’”. Ky mesazh në Twitter çoi në arrestimin e 25 të rinjve në Izmir. Akuza e ngritur kundër tyre është: “nxitje e përleshjeve dhe përhapje e propagandës në rrjetet sociale”. Është hera e parë, prej ditës së nisjes së protestave që arrestohen disa persona, të cilët shkruajnë kundërshtimin e tyre për planin e zhvillimit të Parkut ‘Gezi’, në Stamboll. Të dielën, Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan e cilësoi Twitter-in “një kërcënim”, që përdoret për “përhapjen e gënjeshtrave”. Arrestimin e te rinjve e bëri publik, Ali Engin, zyrtar i Partisë Popullore Republikane, në opozitë. Engin foli me autoritetet dhe kërkoi “lirimin e menjëhershëm te protestuesve virtualë”.
Pamuk pro protestuesve

Edhe fituesi i çmimit Nobel në letërsi Orhan Pamuk, ashtu si shumë intelektualë dhe artistë turq, është rreshtuar përkrah manifestuesve të Sheshit Taksim, duke denoncuar “trajtimin shtypës dhe autoritar” të qeverisë së kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, citon Hurriyet. Këtë vit, shkruante Pamuk në gazetën turke, qeveria në fillim ndaloi të festohej 1 Maji në sheshin Taksim, vendi simbol i të së majtës turke, dhe tani thekson Pamuk ka vendosur “që e vetmja hapësirë e gjelbër në qendër duhet të bëhet një qendër tregtare, pa pyetur mendimin e qytetarëve të Stambollit”. “Ky ishte një gabim i rëndë”, thekson më tej novelisti. “Në origjinë të kësaj të kësaj problemi është pandjeshmëria dhe sjellja shtypëse e kësaj qeverie”, shkruan Pamuk. “Më jep besim dhe shpresë, shkruan akoma Nobelisti, ti shoh protestuesit e Stambollit që mos të tërhiqen kollaj për të drejtat e tyre, dhe të manifestojnë në Taksim për kujtimet e tyre”.


Ankara irritohet me SHBA-në: Nuk jemi demokraci e kategorisë së dytë

Shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu, i ka shprehur homologut amerikan John Kerry irritimin e Ankarasë për një numër komentesh të Uashingtonit mbi protestat anti-qeveritare në Stamboll. “Turqia nuk është një demokraci e kategorisë së dytë”, ka thënë Davutoglu gjatë një bisede telefonike me Sekretarin e Shtetit të SHBA.


Televizioni turk kërkon ndjesë

Televizioni turk NTV kërkoi ndjesë që nuk mbuloi protestat prej fillimit të tyre. Shefi ekzekutiv Cem Ajdin of Dogus, tha se “Audienca jonë u ndje e tradhëtuar”, pas një takimi me stafin, disa prej pjesëtarëve të tij dhanë dorëheqjen, në shenjë proteste për mungesën e raportimeve të ngjarjeve.


Zëvendëskryeministri turk kërkon ndjesë, protestuesit e refuzojnë atë

Protestat kanë vazhduar dhunshëm edhe në natën e pestë të tyre në qytetin e Stambollit në Turqi. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për te shpërndarë protestuesit. Përleshjet vazhduan edhe pasi zëvendëskryeministri Bulen Arinc kërkoi falje për përgjigjen e dhunshme të policisë nga protestuesve. “Ky qe një gabim”, tha numri dy i ekzekutivit turk, që nuk ia drejtoi nga ana tjetër ndjesën e tij atyre që siç tha, shkatërruan prona dhe prekën lirinë e qytetarëve. Në komentet e tij zoti Arinc u bëri thirrje demonstruesve të ndalin protestën. Por protestuesit të cilët refuzuan ndjesën thane se këtë te fundit e presin nga vete kreu i qeverisë, Reccep Tayyip Erdogan dhe kërkuan largimin e tij nga pushteti.

Protesta ndryshon objektiv

Protestat nisën të premten si kundërshtim i planeve për prishjen e një parku në qendër të Stambollit dhe për të bërë aty ndërtime të reja. Por, një pjesë e demonstruesve tani e kane drejtuar zemërimin e tyre tek qeveria konservatore me orientim islamik e Erdoganit dhe ndaj asaj që e shohin si ndërhyrje në jetën e qytetarëve që nuk ndajnë pikëpamjet e tij fetare