Home »
» INTERVISTA/ Hervin Çuli: Shqipëria e deformuar e Sali Berishës
INTERVISTA/ Hervin Çuli: Shqipëria e deformuar e Sali Berishës
Kështu e quan kryeministrin në fushatë regjisori Hervin Çuli, teksa pranon se nga i gjithë kjo maskaradë premtimesh boshe i vjen për të qarë. Lideri demokrat, të cilit i pat dhënë dhe votën, e bën atë sot të ndihet fajtor për naivitetin e dikurshëm. Në këtë intervistë për “JAVA”, ai vë gishtin mbi degradimin e sistemit administrativ në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe Teatrin Kombëtar të udhëhequr nga drejtues militant që po e transformojnë artin
Nga Gladiola Bendaj, JAVA
Pak kohë më parë, teksa vendosi të angazhohej në një prej emisioneve më të rinj televiziv, të quajtur thjesht “Paçe me gazeta”, regjisori Hervin Çuli, pat menduar se gjithë këtë tollovi premtimesh e zhuzhimash elektorale, pasqyruar sipas orekseve nëpër mediat e shkruara, mund ta shohësh shumë më ndryshe nën lupën babaxhane të njerëzve të zakonshëm. Në një parodi të mbështetur në atë sillën e përditshme politike, që ai dhe ata e gëlltisin si pacen, si Shqipërinë e vërtetë…
Por, ja që prapëseprapë, ajo çka ndodh vërdallë në këto ditë që ziejnë, nuk mund të përcillet dhe me aq sportivitet nga artisti që prej vitesh nuk është treguar indiferent ndaj jetës politike e sociale të vendit. “Jam i hidhëruar edhe sepse nuk mundëm ta heqim qafe këtë njeri shumë vite më parë kur e kishim mundësinë, por përkundrazi me naivitetin tonë e përkrahëm. Ky naivitet herë pas here më bën të ndjeshëm, thellësisht fajtor”, thotë ai, teksa pranon se gënjeshtrat e përditshme të kryeministrit, që dikur i ka dhënë votëbesimin, sot e bëjnë për të qarë.
Duke mos harruar të përmendë degradimin e sistemit administrativ në tempujt e artit dhe kulturës, siç është Teatri i Operës dhe Baletit dhe Teatri Kombëtar, Çuli akuzon hapur drejtuesit e tyre që i kanë kthyer ato në fole burokratësh që nuk punësojnë e përkrahin më talentin dhe ata që e meritojnë vendin e punës, por idhtarët dhe militantët e PD-së.
Shpresmirë tek ndryshimi i situatës, gjatë një interviste për JAVA regjisori Hervin Çuli zbulon hapur votën e tij për socialistët, edhe pse preferon ta quaj atë “një votë të kushtëzuar”.
Zoti Çuli, ju keni qenë tradicionalisht i ndjeshëm ndaj zhvillimeve politike të vendit. Si po e përjetoni këtë fushatë elektorale?
Vazhdoj të jem i ndjeshëm e goxha i angazhuar edhe në këtë fushatë. Vazhdoj të shpresoj që gjërat do shkojnë në drejtimin e duhur, e më në fund të gjithë ne shqiptarët do kemi mundësinë të jetojmë në një vend normal, ku gjithsecili vlerësohet për atë që vlen, ku të thuash atë që mendon është privilegj dhe jo frikë, ku fëmijët tanë edukohen me modelin e së mirës dhe jo me modelin e heroit të degraduar që u shfaqet pareshtur nga mëngjesi deri në darkë nëpër ekranet e televizionit. Kjo fushatë përditë e më shumë më mbush me zemërim dhe trishtim. Kryeministri shqiptar po përpiqet t’i vërë përfundimisht brirët popullit të tij. Një nga thëniet e famshme që udhëhiqte në politikë Hitlerin ka qenë: “Sa më e madhe të jetë gënjeshtra aq më shumë e hanë njerëzit”. Berisha po e zbaton me përpikëri këtë model. Gënjeshtrat e tij nuk kanë të sosur. Fatkeqësisht, kryeministri ynë është një klloun qesharak që shumë njerëz të mençur i bën të gajasen, por mua sinqerisht më bën për të qarë. Shikoni si tallet me kohën televizive, si tallet me popullin e tij, si tallet me ndërkombëtarët, si tallet me vetë Partinë Demokratike; shikoni se si është i gatshëm të thotë e bëjë gjithçka vetëm e vetëm për të ndenjur në pushtet. Shprehjet e tij në këtë fushatë do më ngelen gjatë në memorie. Një prej tyre s’kam për ta harruar kurrë, madje me siguri do jetë pjesë e ndonjë shfaqjeje të ardhshme. Ai iu drejtua fermerëve me këto fjalë: “Nëse nuk do isha bërë kardiolog, patjetër mue do isha bërë fermer…”. O Zot, për të qarë dhe për të qeshur! Ish komunisti i ri Sali Berisha, në kohën kur u lind e u rrit, mund të ishte e shumta ose Kryetar Kooperative ose pjesë aktive e fshatarësisë punonjëse, po kurrsesi fermer. Fermerët në atë kohë u zhdukën nga ai dhe Partia e tij e Punës. Vini re, çdo fjali e Berishës fillon me fjalët: “Unë ju jap ju fjalën e nderit, që 4 vjetët e ardhshme…”, duke na kujtuar në çdo moment se s’ka ndërmend as ta mendojë më pas atë që ka premtuar, pasi ai që përbetohet asnjëherë nuk e mban fjalën e dhënë. O Zot, a nuk po thotë se kam hapur 200.000 vende pune dhe përbetohet se do hapi dhe 250.000 të tjera?! Ja pra, ky tani me këtë premtim mund të punësojë dhe grekët, se me shqiptarët ka mbaruar punë që tek 200.000 mijëshi i parë. Ky njeri i pabesë e gënjeshtar vazhdon të çirret duke pështyrë vetëm zanore histerike për kundërshtarët e tij politikë, e as përpiqet më të ketë qoftë edhe një moment normaliteti elektoral. Zhurma që shpërndan mund të mashtrojë ata që kanë ndarë mendjen për t’u mashtruar, që i ndjekin mitingjet e tij qorrazi, por kurrë më shqiptarët e ndershëm. Jam i hidhëruar edhe sepse nuk mundëm ta heqim qafe këtë njeri shumë vite më parë kur e kishim mundësinë, por përkundrazi me naivitetin tonë e përkrahëm. Ky naivitet herë pas here më bën të ndjeshëm, thellësisht fajtor. Them se kështu duhet të ndjehen edhe shumë të tjerë si unë që dikur e kanë votuar. Kështu do të ndjehen shumë shpejt edhe ata që vazhdojnë ta votojnë, prej interesit apo naivitetit qoftë. Do pendohen edhe ata që e votojnë për interes, sepse qorrsokaku ku i ka degdisur Saliu u ka marrë gjithçka, emrin nderin, lirinë e tyre. Kam biseduar me shumë njerëz të ndershëm, por edhe me dallkaukë që vazhdojnë t’i shërbejnë, e të gjithë nën zë thonë si për t’i dhënë gajret vetes: “Kjo është politika, të gjithë e dimë se si funksionon. Çudia më e madhe tri ditë zgjat. Kur të largohet gogoli të gjithë do harrojnë se ç’kemi thënë e ç’kemi bërë dhe do merren vetëm me të. Edhe ne vetëm me të do merremi. Ja, sa t’i shkasi këmba”. E kuptoni, edhe në PD asnjë nuk e do, asnjë nuk e beson, vetëm e kanë frikë. Kjo pra është Shqipëria e Sali Berishës, një Shqipëri e deformuar, një Shqipëri e frikësuar.
Sa prezente është politika në art? Në ç’raport qëndrojnë artet skenike, me aktivitetin politik? A është ky një raport i drejtë?
Fatkeqësisht politika është shumë e përfshirë në art. Në fakt, politika duhet të jetë e përfshirë në art, ose më mirë arti duhet ta përfshijë politikën, por në një formë tjetër nga ajo ku synon pyetja juaj. Arti i madh është i pandarë nga politika, ndaj ç’do vepër e madhe artistike kthehet në një akuzë të ashpër për fenomenet negative që na rrethojnë. Ç’do vepër e madhe akuzon, ç’do vepër e madhe demaskon korrupsionin, autokracinë, vesin, krimin, e jo si sot në institucionet artistike shqiptare, ku mbijeton një art butaforik e i shëmtuar që lustron çizmet e politikës. Motoja e punës në atelietë qendrore të art-kulturës është: “Arti s’na hyn në punë! Në këmbim të rrogës do na ofroni shërbime politike”. A ju kujtohen peticionet që u shpërndanë dy herë në mënyrën më të turpshme nga Jozi, një herë për grevën e urisë të PS-së, dhe një herë tjetër për votimin e tre ligjeve? Kontrolloni listat dhe do vini re se 90 për qind e firmëtarëve janë rrogëtarë të institucioneve artistike. Madje dhe ata që atëherë nuk figuronin në punë sot e kanë gjetur një vend brenda institucioneve artistike. Kuptohet, kështu i lan borxhet partia e Saliut, duke të futur në punë, i aftë apo i paaftë qofsh, i ligjshëm apo i paligjshëm qoftë emërimi yt, rëndësi ka që partia ta jep atë që meriton në këmbim të firmës kundër opozitës. Ja pse sot institucionet e art/kulturës janë kalbur dhe janë plakur duke vegjetuar. Ja pse një reformë e fortë duhet t’i përfshijë ato duke i futur në treg. Ja pse ka ardhur dita që tempujt e artit t’i kthehen pronarit legjitim të tyre, publikut. Ja pse celulat e partisë duhet të kenë fole vetëm nëpër godinat e partive politike dhe jo tek institucionet e shenjta të shtetit shqiptar. Edhe një gjë tjetër, kujtohuni e nderuar gazetare nëse këto vitet e fundit keni parë ndonjë film apo ndonjë shfaqe teatri që t’i referohet problematikave të përditshme. Absolutisht asnjë! Drejtorët e institucioneve artistike qendrore nuk e kanë fare në mendje misionin e shenjtë të artit, atë të të qenit prokurori më i fuqishëm i fenomeneve negative të jetës. Përkundrazi, në mendje kanë vetëm një qëllim, se si ta shtyjnë sa më shumë atë copë rrogë dhe ato pak privilegje që u ofron kolltuku i pamerituar i drejtorit. Shikoni drejtorin e Teatrit të Operas dhe Baletit se si e ka kthyer institucionin në një degë të Partisë Demokratike. Për të kënduar në skenë apo për të drejtuar orkestrën duhet të kesh patjetër teserën e PD-së. Lexoni denoncimin e një dirigjenti të njohur të TOB-it, para disa ditësh në një të përditshme, e do ta kuptoni më mirë këtë. Shikoni kur del ndonjë premierë në TOB. Lozha kryesore, si dikur Byroja Politike, është e pushtuar nga zyrtarët hijerëndë e injorantë të Partisë në pushtet, që të nesërmen e shkruajnë në CV-në e tyre faktin që kanë parë dhe Opera. Vendosa t’i referohem si fillim Drejtorit të TOB-it, sepse një herë e një kohë gëzonte një emër të nderuar në rrethin e profesionistëve e tani fatkeqësisht është katandisur në një militant partie. Sa për Drejtorin e Teatrit Kombëtar, nuk ke ku e kap të ziun. Ky syresh, si për nga karriera (ka luajtur ndonjë film mediokër, ndërsa në skenë asgjë) dhe për nga formimi i përgjigjet tamam vlerave provinciale që promovon Partia Demokratike. Ky drejtor kukull i emëron njerëzit në punë pa asnjë kriter, përveç atij politik. Kuptohet, ato emërime që bëhen ndodhin vetëm kur e marrin në telefon njerëzit e familjes së doktorit. Për të nuk ka rëndësi as teatri as ligji, por vetëm padroni. Nëse i thonë merre filanin se është me PD-në, ai e bën menjëherë, edhe pse shkel kokë e këmbë ligjin. Vetëm kohët e fundit ka emëruar me telefon dy aktorë (që nuk i paragjykoj për aftësinë e tyre, por për mënyrën e emërimit), duke mos respektuar as minimumin e detyrimit që ata të kenë ndonjë rol në skenën e TK-së. Nejse, shpresojmë që këto të ndryshojnë pas 23 qershorit. Frikë është sepse këta njerëz përpiqen të krijojnë lobe edhe në krahun tjetër politik, me shpresën se po t’i lënë aty ku janë do t’u shërbejnë me po të njëjtën devotshmëri e përulje dhe padronëve të rinj. Kjo është një specie e rrallë që ka një tjetër talent të spikatur, kuptohet aspak artistik.
A jeni dakord se jetojmë në një regjim partitokratik, pra në një mjedis ku shumëçka rrotullohet rreth forcave kryesore politike? A nuk është koha që jeta shqiptare të dalë nga kjo dozë e skajshme politizimi?
Absolutisht, po! Padyshim që jeta shqiptare duhet të shpëtojë nga ky makth, e për këtë duhet ndryshuar në radhë të parë mentaliteti. Shpresojmë që opozita shqiptare nëse fiton pas 23 qershorit të krijojë një dimension tjetër të lirisë sonë. Shpresojmë që Rama të mos jetë si Berisha, shpresojmë që aftësia të mos jetë e lidhur pazgjidhshmërisht me militantizmin, shpresojmë që meritokracia të mos ketë të bëjë me përkatësinë partiake. Është e vështirë, pritshmëria është e dyshimtë, sidomos pas koalicionit me LSI-në, por duhet shpresuar. Ndaj unë personalisht do votoj për Ramën, por vota ime do të jetë një votë e kushtëzuar. Them se ia vlen t’i japim shansin me një votë të kushtëzuar nga e nesërmja, të kushtëzuar nga ato që do të bëjë në raport me ato që po premton, një votë të kushtëzuar nga qeverisja e tij. Po udhëhoqi me të njëjtin model si Saliu do kemi mundësi t’ia përplasim votën në fytyrë dhe ta largojmë edhe atë nga pushteti. Kështu duhet të jetë, vetëm duke qenë ne sovrani dhe politikanët që qarkullojnë shërbëtorët e popullit gjërat mund të shkojnë më mirë. Në të kundërt, po i pamë me tifozllëk, në qafë paçim veten.
Nëse do t’ju ftonin të bënit një bilanc të tetë vjetëve të qeverisjes së kryeministrit Berisha, cili do të qe ai?
Për këtë, më vjen keq por nuk ia vlen një përgjigje e detajuar. Jo vetëm që nuk ka bërë asgjë (përveç disa rrugëve, siç thotë edhe vetë ai), por mbi të gjitha na ka lodhur dhe deformuar si shoqëri. Ai po edukon një popull të tërë me idenë se po ishe me pushtetin, po ishe me më të fortin, mund të jetosh më mirë, e asnjë gjemb s’të hyn në këmbë, edhe hajdut a kriminel qofsh; por po ishe i ndershëm dhe do ta ndërtosh të ardhmen tënde nëpërmjet punës, pa i shërbyer askujt, nuk ke të ardhme. Të jesh i lidhur me politikën, sot është në modë. Edhe me rojën e ndonjërës nga partitë politike po pate miqësi mund të vlejë më shumë se një barrë shkollë mbi shpatulla. Duket se pak, për të mos thënë aspak, individë e mendojnë të ardhmen e tyre të shkëputur nga militantizmi politik. Të gjithë po rendin të gjejnë shokë e miq pranë partive politike për të ngrënë ndonjë çapë bukë pas 23 qershorit. Këtë na bëri Saliu, na shndërroi të gjithëve në ingranazhe të ndyrësisë politike që na rrethon.
Ju kemi parë të aktivizuar me një format mëngjesor në A1Report. Përse “Paçe me gazeta”?
Formati është një formulë cinike televizive që ka shumë politikë brenda. Është një parodi që mbështetet në atë sillën e përditshme politike që gëlltisim. Është një angazhim modest që tenton të ndikojë sadopak drejt ndryshimit. Unë së bashku me disa njerëz të zakonshëm komentoj titujt e shtypit të përditshëm. Titujt i gëlltisim si paçen, paçen e këmbëve, apo të kokës, që në fakt është Shqipëria e vërtetë, larg 1000 m2, andej nga blloku, ku qarkullon pseudoelita kryeqytetase. Ideja ka qenë që arsyetimi i papërpunuar i njerëzve të thjeshtë të komentojë lajmin e ditës. Veç analistëve të shumëparë, që rendin nga e hëna deri të premten nga televizioni në televizion, në një serial të pafundmë televiziv, ku Ezeli apo Shamikuqja as që krahasohen me Fevziun, Çilin, Hoxhën, Shkullakun, Bushatin, Zhejin, Zogajn, Vangjelin, apo dhe me karakterin më të ri, shumë fotozhenik, Peka, mu duk interesante të mbështetesha tek analiza e atyre që filtrin e mendimit nuk e kanë aq të “përpunuar” sa disa syresh të opinionit mediatik shqiptar.
Cilat janë projektet tuaja artistike gjatë vitit 2013?
Nuk e di!… Ndofta një skandal politik,… ndofta një tekst akuzë nga Roberto Saviano! Të heqim qafe zgjedhjet njëherë.






