TemA TV/ Rama konfirmon kandidimin në Vlorë: Braçe është pjesë e listës, falenderoj gjithë ata që mbetën jashtë (VIDEO)


edi ramaKryesocialisti Edi Rama, gjatë një dalje për mediat pak orë para shpalljes së listave të deputetëve, kë shuar spekulimet se Erion Braçe nuk do të bëjë pjesë në listën e kandidatëve për deputetë, edhe pse nuk ka thënë se në cilën zonë do të kandidojë ai.
“Mosqenia në listë e Erjon Braçes është spekulim, ai është një nga pjesëtarët e skuadrës dhe për të mos bërë përjashtim nga të tjerët ka vendin që i takon në frontin e një beteje ku ne nuk jemi për vete po për qëllimin e përbashkët, duke përputhur atë që japim me atë që kërkohet nga çdo territor. Brace gëzon të gjithë respektin dhe vlerësimin tim në funksion të një beteje ku askush nuk është i domosdoshëm por të gjithë janë të nevojshëm”, ka thënë Rama.
Ai ka konfirmuar se do të kandidojë në qarkun e Vlorës.
“Kam vendosur të jem në krye në listën e Vlorës me një mesazh shumë të qartë jo për Vlorën, por për Tiranën, Shkodrën e Prishtinën, me mesazhin e kryeqytetit të pavarësimit të shtetit shqiptar dhe fillimit të rrugës së shtetit shqiptar, të domosdoshmërisë që të gjithë bashkë të rinisim rrugëtimin për të hapur me faqe të bardhë kapitullin e dytë të 100 vjetëve të dyta të shtetit tonë, që sapo fillon dhe s’mund të vazhdojë si inerci e 8 viteve rrënim skandaloz”, tha Rama.
Kreu i PS-së ka falenderuar ndërkohë të gjithë atë deputetë të këtij legjislativi që nuk do të jenë në listat e kandidatëve për deputetë.
“Me shumë mirënjohje dhe respekt falënderoj të gjithë deputetët e PS që në këto katër vjet kontribuuan në rezistencën opozitare, në përgatitjen e Rilindjes dhe për hir të rikonfigurimit të domosdoshëm nuk do të jenë të përfshirë në skuadrën tonë, por janë treguar të gatshëm të përfshihen në këtë betejë. Falënderoj të gjithë ata që kanë pranuar të zbresin në vende poshtë duke dhënë mesazhin se përfshirja ose mospërfshirja lidhet me idetë tona dhe pasionin për t’i çuar gjërat përpara. Skuadra jonë do të konsolidojë atë që kemi ndërtuar në vite. PS ka lindur si një parti e transformimit. Ka lindur si një forcë që transformimin e Shqipërisë e ka mision. Skuadra jonë vazhdon me traditën e harmonizimit të brezave. Do të kemi ata që e kanë përfaqësuar në vite PS dhe ata që ofrohen rishtas për ta përfaqësuar. Kjo skuadër do të ketë më shumë gra, më shumë barazi gjinore dhe përfaqësim. Kjo skuadër është shprehja më kuptimplotë e vullnetit për të ndarë përgjegjësitë. Ne nuk e mbyllim legjislativin shqiptar brenda një rrethi prej 73 apo 74 vetash që do të jenë deputetë të PS”, tha Rama./b.l