Rusia furnizon me armë moderne Asad


Një raketë kundër anijeve iu dorëzua Damaskut dhe mund të kërcënojë anijet perëndimore në rast ndërhyrjeje


Rusia i ka dërguar raketa antianije të sofistikuara Sirisë, bën të ditur media amerikane. “New York Times” citoi zyrtarë amerikanë pa emër që thanë se raketat mund të përdoren për të reaguar ndaj ndonjë ndërhyrjeje të mundshme ushtarake në Siri. Pa konfirmuar detajet, ministri i Jashtëm i Rusisë tha se furnizimet nuk shkelin asnjë ligj ndërkombëtar.
Lajmi për armatimet moderne vjen ndërkohë që alarmi për përdorimin e armëve kimike është rritur, diçka që Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e ka shpallur si një limit që Asad nuk duhet ta kapërcejë.
Ndërkohë, përpjekjet vijojnë për të organizuar një konferencë ndërkombëtare. Sekretari i OKB-së, Ban Ki-Moon u takua me ministrin e Jashtëm rus, Lavrov, në Soki dje për të diskutuar planet për një konferencë, e cila synon të ulë në bisedime opozitën e Sirisë dhe qeverinë e Presidentit Bashar al-Asad.
Siria disponon gati 5 mijë tankse, 2500 mjete të këmbësorisë, 2500 njësi vetëmbushëse të artilerisë, 325 avionë taktikë, 143 helikopterë dhe gati 2 mijë raketa të mbrojtjes ajrore. Ushtria e Sirisë ka 295 mijë personel aktiv dhe 314 mijë rezervistë.
Në një konferencë për shtyp, Ban tha se qe e rëndësishme “të mos humbet momenti” për një shtyrje drejt konferencës së paqes. Lavrov tha se zgjidhja mund të gjendet vetëm përmes dialogut gjithëpërfshirës në Rusi me pjesëmarrjen e të gjitha forcave pa ndërhyrje të jashtme, sa më parë të jetë e mundshme.
Po dje, agjencia e refugjatëve të OKB-së tha se më shumë se 1.5 milionë sirianë janë të regjistruar si emigrantë jashtë vendit, ndërsa shifra reale mund të jetë shumë më e madhe se kaq.
“Refugjatët na tregojnë për luftime të intensifikuara, ndërsa qytetet dhe fshatrat kalojnë shpesh nga kontrolli i njërës palë në kontrollin e palës tjetër, veçanërisht në zonat e konfliktit, gjë që shtyn gjithnjë e më shumë civilë të vendosin të largohen”, tha UNHCR.
Rusia është një nga aleatët e paktë të Sirisë dhe furnizuesi kryesor me armë. Përgjatë viteve, kontrata me vlerë miliarda dollarë janë nënshkruar dhe mijëra tankse e njësi artilerie janë transferuar.
Sipas “New York Times”, një ngarkesë e kohëve të fundit nga Rusia për në Siri përfshinte një formë të avancuar të raketës Yakhont. Me gjatësi 6.7 metra dhe me rreze veprimi 290 kilometra, ajo mund të pajiset me një kokë me eksploziv me fuqi të madhe ose me një kokë blindëshpuese.
Yakhont është një raketë e drejtuar me radar dhe ka fuqi supersonike. Ajo është krijuar për mbrojtje bregdetare. SHBA shpreh shqetësimin se kjo armë i jep Asad mundësinë të detyrojë një forcë detare armiqësore të qëndrojë larg brigjeve të Sirisë.
Por rëndësia e vërtetë e këtij lajmi qëndron te mesazhi që Rusia po dërgon duke theksuar se nuk dëshiron asnjë forcë të huaj të ndërhyjë në Siri siç ndodhi në Libi. Vendosjet detare aktuale të Rusisë në Mesdhe aktualisht tregojnë pikërisht këtë gjë.
Porosia fillestare për 72 raketa bashkë me shtratet e lëshimit dhe mjetet mbështetëse u bë në vitin 2007 dhe dorëzimet e para pritet të kryheshin më 2011. Një zyrtar amerikan tha se dorëzimet e fundit janë pajisur edhe me sisteme të drejtimit me radar që janë shumë të zhvilluara dhe në gjendje që t’i shmangen mbrojtjes së një anijeje.
Sergei Lavrov tha se ai nuk e kuptonte se pse “media po përpiqet të krijojë sensacion për këtë çështje”.
“Ne nuk e kemi fshehur se ne furnizojmë armë për Sirinë nën kontratat e nënshkruara pa dhunuar asnjë marrëveshje ndërkombëtare apo legjislacionin tonë. Më e rëndësishmja është që ne furnizojmë sisteme antiajrore dhe kjo nuk krijon asnjë disbalancë fuqie në rajon apo asnjë lloj avantazhi në luftën kundër opozitës”.
Një gazetë tjetër amerikane raportoi se Moska ka dërguar një duzinë me anije lufte për të patrulluar ujërat përreth bazës detare ruse në qytetin sirian, Tartus. Një zyrtar amerikan tha se bëhej fjalë për një demonstrim muskujsh nga Moska.