Nga Andi Bushati
Në mini-dokumentarin që u shfaq gjatë prezantimit të Edi Ramës në Vlorë, pati një episod mjaft domethënës që u kalua pothuajse në heshtje nga mediat dhe komentatorët. Aty nga mesi i këtij materiali, bashkëshortja e kandidatit për kryeministër, tregoi një ndodhi të dy viteve më parë. Sipas rrëfimit gati epik të Linda Ramës, në 28 janarin e vitit 2011, ka pasur një plan për vrasjen e kreut të opozitës. Më saktë, për të qenë konkret me citimin që gjithkush mund ta shohë në You Toube, për “eliminimin fizik të tij”. Fjala është për atë ditë kur opozita e bashkuar siç quhej atëherë, vendosi të bëjë një miting përkujtimor për viktimat e 21 janarit. Eshtë ai mitingu i famshëm pas të cilit Berishës iu dha përkohësisht etiketa e burrit të shtetit dhe ku opozita fitoi gjithë mërinë momentale të ndërkombëtarëve, pasi nuk e dëgjoi këshillën e tyre për anulimin e atij kortezhi të përmortshëm. Gjithnjë, sipas Linda Ramës, në vigjilje të kësaj ngjarjeje, “agjenci serioze” e lajmëruan burrin e saj se po i kanosej jeta. Ky fakt në vetvete është shumë i diskutueshëm. Cilat qenë këto agjenci serioze? Edhe nëse ekzistojnë, a ka qenë real paralajmërimi i tyre? Edhe nëse ai është bërë vërtet, a mund të ketë qenë thjesht një lojë e të huajve për të arritur të njëjtin qëllim, atë të zmbrapsjes së një demonstrate tjetër, që mund t’i shtonte trazirat që kishin arritur kulmin pas vrasjes me gjakftohtësi në bulevard?
Natyrisht, zëra të tillë nuk dëgjohen sot për herë të parë. Gjithkush e mban mend se me këtë ngjarje u mor dhe policia shqiptare madje dolën dhe emrat e atyre që patën planifikuar krimin. E gjithë kjo ndodhte në një situatë të nxehtë politike. Kryeministri Berisha e kërcënoi publikisht Ramën me shprehjen e famshme: “provoje po ta mbajti”, të përsëritur disa herë. Shumëkush nga gazetarët dhe njohësit e mjediseve politike i kanë dëgjuar me veshët e tyre (edhe mua më ka ndodhur) shumë nga hierarkët e shumicës, ta përsërisin në tavolina të njëjtin qëndrim, madje edhe me shprehjen: “këtë radhë do t’i ikë koka”.
Por, është e vështirë të mendohet se ky kërcënim, përpos të qenit një lojë politike, sa e egër po aq dhe e ulët, të ishte edhe një plan serioz. Një projekt për vrasjen e liderit të opozitës.
Por, rrëfimi që shfaqet në dokumentarin e Ramës nuk përfundon këtu. Aq sa u tha, mund të merret thjesht si një abuzim i lehtë me publikun apo me ato agjenci, sekretin e të cilave nuk e ruajtën në Tiranë. Ajo që ndodhi në vijim është edhe më e rëndë. Në intervistën e saj, zonja Rama tregon për natën e gjatë, që ndau çastin e marrjes së lajmit me agimin e ditës së protestës. Sipas asaj që thotë ajo- dëshmitarja e vetme e kësaj nate pagjumë- Edi Rama paskësh thënë se ai nuk e anulonte mitingun e 28 janarit, qoftë edhe me koston e humbjes së jetës së tij. Dhe këtu arrin kulmi. Sepse në fund të fundit, kjo jetë nuk vlente hiç më shumë se jeta e katër të vrarëve të 21 janarit. Se vënia e saj në rrezik kishte shumë më pak rëndësi sesa tulatja apo frikësimi i opozitës.
Pyetja e parë që të vjen në mendje është: e përse na duhej ky rrëfim? Për të treguar vendosmërinë e Ramës? Për të nxjerrë figurën e liderit që qëndron me masat si i barabartë mes të barabartëve, aq sa jeta e tij vlen njësoj me të tyren? Për të hyjnizuar rrolin e udhëheqësit që vë interesin e përgjithshëm mbi atë personal?
I gjithë ky rrëfim nuk do të kishte asnjë vlerë sikur ai të qe rrëfimi i një gruaje shtëpie, i një familjareje të merakosur, i bërë në tryezë me shoqet duke gjerbur një kafe të rastësishme. Por ai nuk është i tillë. Ai nuk shpreh shqetësimin e sinqertë të një bashkëshorteje për njeriun e saj të kërcënuar. Ai nuk shpreh merakun e një familjareje për të afërmin e saj që i kanoset qoftë edhe një rrezik minimal apo i shpikur. Po të qe i tillë, ai nuk do ta kishte kapërcyer pragun e bisedave me mikeshat. Jo, ai nuk është një shqetësim familjar, ai është një akt politik. Sepse ai është bërë si një rrëfim enkas për fushatën elektorale. Askush nuk mund ta mohojë se zonja Rama mund të ketë qenë vërtet e shqetësuar – ashtu siç mund t’i ndodhë çdo gruaje- në natën e 27 janarit të dy viteve më parë. Por fakti se ky shqetësim e ka kaluar filtrin e këshilltarëve për komunikimin të kandidatit për kryeministër e zhvesh atë nga xhenuiniteti familjar. Fakti se ai është përdorur me qëllime të pastra politike e bën atë të diskutueshëm.
Dhe këtu kthehemi tek pyetja e mëparshme: po përse vlen atëherë ky rrëfim? Çfarë domethënie ka ai si akt politik? Të tregojë për një lider të fortë? Të na flasë për një hero pozitiv, sipas përcaktimit që këtij termi i bënte arti i dikurshëm i soc- realizmit? Të na dëshmojë për një “super man” që është i gatshëm të sakrifikohet për një ide dhe parim të tij. Të na vizatojë një lider të gatshëm për t’u martirizuar për hir të interesave të popullit opozitar?
Po ta shohësh frymën e të gjithë mini-dokumentarit që u shfaq në Vlorë, këto pikëpyetje marrin edhe më shumë kuptim. Aty, Edi Rama nuk përshkruhet si një politikan normal. Ai aty është njeriu që nuk lufton për karrige, por për bindjet e tij, njeriu që ka vetëm një synim: të lërë emër të mirë në historinë e këtij vendi.
Po a është ky roli i Edi Ramës, ai i një misionari që ashtu si katër vite më parë, po ritenton të imponohet edhe këtë fushatë? Askush nga ata që dëshirojnë fitoren e tij, por aq më shumë ata që kërkojnë largimin me çdo kusht të kryeministrit aktual, nuk kanë nevojë për një Edi Ramë të tillë. Atyre nuk i duhet as superheroi, as Lei Feni dhe as profeti që do t’i rilindë. Atyre në këto momente u duhet vetëm një politikan i aftë, që mos të bëhet pengese për të ndalur frymën anti- Berishë. Kaq, asgjë më shumë. Një njeri i thjeshtë dhe i zakonshëm, pas lodhjes tetëvjeçare me një kryeministër që zotohej se do t’u nxinte kundërshtarëve fytyrën si këpucë, me një kryeministër që u shpallte rininë e përjetshme nga thellësitë e ujërave të Jonit dhe fitoret e pafundme nga lartësitë e murit të madh kinez. Atyre u duhet thjesht një politikan normal, një formulë që funksionoi në Francën e Sarkozisë e që nuk ka si mos triumfojë në Shqipërinë e Berishës. Boll të bëjë kaq dhe Edi Rama e ka kryer detyrën me të gjithë ata për të cilët ishte i gatshëm të sakrifikohej dy vite më parë. Fabulat e tjera janë thjesht broçkulla. Rrëfimet me vrasje, vetëmohim dhe heroizëm janë përralla që nuk zënë vend. Ato janë tentativa qesharake për të vizatuar njeriun e jashtëzakonshem, që është në fakt vrasësi i vërtetë i atij që mjafton për të mundur Berishën.