Diplomacia e turpit!




Nga Arbana Xharra 


Militantë të partisë, kushërinj, balldëska, asistent/e, sekretaresha, persona që s’dinë t’i lidhin dy fjalë anglisht e as gjuhë të tjera të vendeve ku kanë shkuar, vetëm pse e kanë “krahun e fortë” janë ndërtuesit e imazhit të Kosovës. Përfaqësues diplomatikë jashtë vendit, për më keq, tash po del se janë edhe njerëz me dosje si të dyshuar nga Prokuroria. Diplomacia e Kosovës ka dërguar në Tiranë ambasador, të dyshuarin “për torturim, dhunim e keqtrajtim të popullatës civile gjatë kohës së luftës” (sipas EULEX-it).

Dërgimi i Sylejman Selimit në postin më të lartë diplomatik të Kosovës në Tiranë tregon se Kosova nuk e merr seriozisht as Shqipërinë. Ky skandal lidhet drejtpërdrejt me imazhin e Kosovës. Seriozisht nuk u mor as Kroacia, në shkurt kur ministri i jashtëm Enver Hoxhaj tha se Kosova do të dërgonte një serb ambasador në Zagreb. Që nga atëherë ministri ende po hesht… Delegimet diplomatike në këto vende, me disa përjashtime, në vazhdimësi janë duke u degraduar me një numër të konsiderueshëm servilësh të padijshëm që punësohen nëpër këto zyra. Fatmirësisht jo të gjithë bëjnë dalje publike për të parë nivelin e ulët të tyre intelektual.

Si bëhet përzgjedhja, kush për kë lobon, dhe si përfundojnë këta zyrtarë nëpër ato zyra, mësohen vetëm atëherë kur zyrtarizohet delegimi i tyre. Mjafton që të kesh një lidhje me dikë të “fortë” në PDK dhe brenda natës shndërrohesh në diplomat apo nëpunës i shërbimit të jashtëm diplomatik. Tashmë mundësia për të qenë pjesë e diplomacisë së jashtme është bërë e lehtë, me jarani dhe dikë në pushtet, sepse nuk ka kushedi se çfarë kritere, bile- bile edhe nga pozita e asistentes mund të ngrihesh në postin e zëvendëskonsullit.

Emërimet e fundit sa qesharake aq edhe shqetësuese, të bëjnë të pyesësh për ata që nuk e dinë realitetin se: a ka Kosova potencial intelektual më të lartë sesa një çun i ri, i cili për shijen e dikujt mund të duket i bukur, apo i paska ardhur rendi këngëtares nga Skenderaj, Leonora Jakupi, që të punësojë vëllanë në ambasadë.

Ka ardhur puna që një këngëtare të ketë ndikim brenda partisë sa që të punësojë familjarë të saj me pozitë aq të lartë në diplomaci. Dorën në zemër, ajo në kongresin e fundit të PDK-së sillej kryelartë, ta merr mendja se çfarë kontributi ka dhënë në zhvillimin e kësaj partie. Kish qenë mirë në fazën e reformatimit të qeverisë, kryeministri ta konsideronte opsion emërimin e saj si ministre të kulturës, pse jo, kriteret e këtij pushteti nuk është larg mendsh se edhe Leonora Jakupi i plotëson. Nëse jo kultura, bile estrada përfiton diçka!

Tash tri-katër vjet jemi dëshmitarë të procedurave dhe mënyrës sesi janë deleguar diplomatët e parë në shtete përkatëse. Atyre tashmë sipas ligjit, do t’u skadojë mandati. MPJ-ja ani pse nuk ka respektuar ligjin për shumë diplomatë kur i ka akredituar në vende të ndryshme, tashmë si duket po ka një interes ta zbatojë atë. MPJ së fundi iu ka dërguar letra më shumë se 20 diplomatëve të cilëve ua ka bërë me dije se po u skadon mandati si diplomatë në atë shtet. Disa prej tyre u është dhënë afat edhe gjashtë javë përkatësisht fillimi i korrikut derisa të tjerëve u është dhënë fillimi i gushtit që të kthehet. Vala e dytë e kthimit pritet të ndodhë në nëntor.

Tërë këta diplomatë do të zëvendësohen me të tjerë. Është mundësi e mirë për të gjithë ata që u kanë mbetur mbesat e nipat, shokët a shoqet, vëllezërit a motrat, kunatat apo kunetërit pa gradë diplomatike e që mund t’i qasen lehtë partisë në pushtet, t’i mprehin tashmë dhëmbët. E në anën tjetër asnjëherë nuk u dha ndonjë qartësim se çfarë ndodhi me 700 aplikacionet në konkursin e MPJ-së.

Asnjë nga këta 700 që pretenduan të jenë staf diplomatik apo konsullor nuk i plotësuan kushtet? Për të dërguarit me grada diplomatike janë shpikur aq shumë pozita, sa që mund t’i kënaqin shumicën e kërkesave partiake. Për secilën ambasadë shkojnë: ambasadori, zëvendësi i tij, ministër këshilltarë, këshilltarë, sekretari i parë, i dytë e diku-diku edhe sekretari i tretë, konsull, zëvendëskonsull, edhe të tjerët që nuk bartin grada diplomatike por që janë zyrtarë administrativë.

Ministri i MPJ-së, Enver Hoxhaj, duhet të jetë në zor të madh, kushedi se sa e gjatë është lista e kërkesave të bashkëpartiakëve të tij për raundin e ardhshëm të punësimeve. Kështu që ata të rinj entuziastë, të shkolluar e të gatshëm për këto pozita, as të mos ia mësyjnë, se fatkeqësisht është koha e atyre që i hapin dyert me këmbë!

Related Posts: