Gazeta Dita, një speciale për Kokëdhimën: Trazimi “2K”



Çfarë po ndodh me Kokëdhimën. Pse shkaktoi kaq reaksion pikërisht ky emër krahas 139 të tjerëve… A e ka kërcënuar Kokëdhima këto ditë Mero Bazen dhe si përgjigjet ky i fundit. Çfarë ndodhi në studion e TV Klan mes Fevziut dhe të ftuarit Kokëdhima, a u fye Mustafa Nano dhe pse Andrea Stefani është kundër këtij të fundit për këtë temë. Çfarë shkruajnë Kastriot Islami dhe Fatos Nano orët e fundit në Facebook…

Në fakt PD e ka bërë tashmë refren. Njëherë Gerdi e më pas Gerda, njëherë Laura e pastaj Jorida nga podiumi i qeverisë, në podiumin e Bashkisë, dëgjon vetëm llomotitë e përhershme, por me shënjestër të re: Koço-Rama, Rama-Koço. Ashtu siç paralajmëronte disa ditë më parë Mero Baze, Berisha do ta bëj Koçon “këngën e fushatës së tij elektorale”.
Këngë apo vjershë, stretegjia e mbrojtjes së Kocos dhe strategjia e sulmit të Berishës përputhen plotësisht: Koço nxjerr si justifikim që e meriton emërimin deputet sepse është “viktimë e qeverisë”. Dhe aleatin më të fortë në këtë strategji, ka pikërisht Berishën. Ky po e sulmon parreshtur. Shumë shpejt do t’u mbushë mendjen edhe të majtëve më të pezmatuar që Koçua është vërtet viktimë.
Mediat e djathta e kapën rastin që në ajër. I pari që e dha lajmin  për prezencën e Kokëdhimës në listën e PS-së (ende pa u mbyllur mbledhja e kryesisë së PS-së) ishte ABC News i Frangajt. Të nesërmen të gjitha mediat pranë qeverisë nisën të kërkonin njëherazi numrin e telefonit të Kokëdhimës.
Ky i fundit, i etur me sa duket për një protagonizëm që kishte kohë që i mungonte, nuk mungoi në apel: Intervistë në Tv Klan, deklarime tutje-tëhu dhe replika flakë për flakë me kritikët. Dhe çuditërisht më ashpër me të gjithë, iu sul atyre që janë ikona të gazetarisë opozitare: Mero Bazes e Mustafa Nanos.
E ndërsa sulmonte këta të dy,  përballë Adi Krastës nuk shprehu mëri, madje tha se kishte “respekt për kryeministrin, si njeri” dhe se “nuk do të baltoste figurën e kundërshtarit të tij”. Në studion e Fevziut më vonë, adaptoi termin që rrethi politik përdor për Berishën. Nuk i thoshte më “Saliu” si më parë, por “Doktori”.
“Surpriza e listës Rama ishte kandidimi në ekipin e deputetëve të Vlorës e gurusë, klientit dhe njëkohësisht njeriut të pandashëm të tij: Koço Kokëdhimës. Me këtë vendim që e mbajti të fshehur gjer në minutën e fundit, Rama rriskon t’u japë shumë kosto socialistëve”, shkruante në “Tema” Andi Bushati. Vërtet? Nëse Berisha vazhdon e sulmon kësisoj, ka shumë gjasa që ta zhdukë këtë kosto. E bën me dashje apo pa dashje Berisha?  Kjo është tjetër temë.


Mesazhi për Mero Bazen
Dy ditë më parë Mero Baze merr një email, në të cilin shkruhej: “I dashur Mero, E lexova shkrimin tuaj dhe pavarësisht se sa i sofistikuar është mendimi jot, ti mbetesh po aq shpifës, i pavërtetë dhe keqdashës si Sali Berisha për mua. Tani nuk kam kohe, por pas 23 qershorit do t’i kthehem diskutimit dhe shpjegimeve të hollësishme për mendimet e tua. Miqësisht, Koço Kokëdhima”.
Botuesi i gazetës TemA, gazeta që mban rekordin e leximeve online, postoi pas këtij mesazhi një frazë ironizuese në Facebook: “ Më erdhi kërcënimi i parë nga pushteti i ri i pas 23 qershorit”. Më pas, duke komentuar mesazhin e Kokëdhimës, Baze tha: “E vetmja gjë pozitive qenka premtimi se: “nuk ka kohë”. Shpresoj se do të shkojë në Jug për fushatë. Shpresojmë të mos na bëhet simbol i opozitës para 23 qershorit, siç dëshiron Berisha”.
Çfarë e shkaktoi pezmin e Kokëdhimës me Bazen? Një editorial i Bazes, ku ky shkruante ndër të tjera:
“…Ajo që unë kam me Kokëdhimën, por dhe me drejtuesit e fushatës së opozitës, është që të mos hyjnë në spiralen e lojës së Berishës, që debati publik të përqendrohet tek Kokëdhima. Kokëdhima është caktuar deputet i Delvinës dhe Bregut dhe bën mirë të niset nga Tirana në Qeparo, të ulet me patriotët e vet dhe të përpiqet t’u mbledhë ndonjë votë për opozitën atje. Nëse Edi Rama me Koço Kokëdhimën, meqë kanë shkuar të dy bashkë në Vlorë, nuk e bëjnë Vlorën 8 me 4 për opozitën, do të jenë humbësit moralë të këtyre zgjedhjeve edhe nëse marrin pushtetin. Një gjë e them me siguri: Ai nuk bën punë, por prish punë, nëse tashmë na shfaqet si udhëheqës kombëtar, si një prurje e re që do ndriçojë opozitën dhe opozitarizmin në këtë prag ndërrimi pushteti. Ta kalojë këtë fushatë nga Qeparoi në Delvinë dhe jo nga TV Klani tek çdo altoparlant i Berishës. Nuk di nëse opozita ka një strategji të daljeve publike të deputetëve të saj, por nuk do të dëshiroja që Kokëdhima të ndjekë axhendën e Berishës, për t’u kthyer në problem kombëtar të opozitës…”
Duket një këshillë e mirë. Por përgjigja e Kokëdhimës ishte “barazimi i Bazes me Berishën” dhe një “tani nuk kam kohë, flasim pas 23 qershorit”, një shprehje megallomane më shumë se një kërcënim, autorësinë e së cilës Kokëdhima, e mohoi.

Refreni: “S’e kam bërë unë…”
Thonë se pasi Baze publikoi lajmin e mesazhit, ka patur një telefonatë të shqetësuar të Ramës drejt Kokëdhimës dhe ky i fundit ka hequr autorësinë nga vetja. “S’e kam bërë unë – ka thënë –  duke shtuar që “mesazhin e ka dërguar një djalë që merret me fushatën e tij elektorale”.
Kjo “s’e kam bërë unë” është përsëritur mbi dhjetë herë më pas në intervistën me Blendi Fevziun në Tv Klan. I shpërqëndruar që në fillim nga pyetjet ngacmuese të Fevziut, Kokëdhima vishte e zhvishte herë kostumin e politikanit e herë atë të biznesmenit, duke i grisur në fund të dy.
“S’e kam bërë unë, pyesni redaktorët” – tha për një kopertinë të Shekullit e cila me ligësi shfaqej në sfondin e studios së Fevziut herë pas here. Është kopertina e njoftimit nga Shekulli të një letre të Ambasadës Amerikane ku kjo e fundit shkruante se “ndërpriste marrëdhëniet” me gazetën për shkak të një shkrimi të gazetarit Ilir Yzeiri. Fjala “kinezëri” ishte marrë me sfond racist. Gjithcka ishte një keqkuptim që u sqarua në 24 orët e mëpasme dhe raportet mes Shekullit dhe Ambasadës u rivendosën thuajse menjëherë me ftesa të dyanshme dhe miqësore. Mund të thoshte këtë të vërtetë të thjeshtë, por Kokëdhima ra në grackë duke vijuar me atë “s’e kam bërë unë” derisa detyroi ambasadorin amerikan të dërgonte vetë një mesazh qetësues në celularin e Fevziut.
“S’e kam bërë unë” – tha edhe për taksat e papaguara në Bashki duke e adresuar intervistuesin tek “ata që i kanë kompanitë blerë pas meje”. “S’e kam bërë unë” – ishte përgjigja per gabimet ne ndertime, ne ura tavane shkollash etj..  “S’e kam bërë unë” – ishte përgjigja shmangëse për çdo pyetje ngacmuese dhe këto të fundit ishin vërtet shumë.
M’u duk si Berisha për dështimet e të cilit fajtor është përherë dikush apo dicka tjetër, ose Rama që na la pa hyrë në Europë, ose hëna blu që shkakton përmbytjet në Shkodër. Kthejeni pasqyrën nga vetja o burrat e Shqypnisë – komentonte me ironi një lexues online poshtë intervistës në TV Klan.

E ka edhe me Mustafa Nanon…
Mustafa Nano ka qenë një nga opinionistët më në zë të Shekullit. U largua vite më parë. Para tij ishte larguar Lubonja, i cili e dërgoi konfliktin në gjyq. Si dhe pse kanë ikur Lubonja e Nano, ish-drejtuesit e Shekullit (të ikur dhe këta tanimë) e dinë. Sigurisht që nuk është ajo që Kokëdhima i tha Fevziut. Ky e pyeti “pse Mustafai thotë që është i zhgënjyer thellë nga Rama për kandidimin tënd” dhe përgjigja e Kokëdhimës ishte alla-Berishë: “Të siguroj që do ta çliroj edhe Mustafain nga kompleksi i inferioritetit”. Pak më tej madje, fut dhe një nga të vetat duke i thënë intervistuesit Fevziu (këmbëngulës në emrat Mustafa Nano-Fatos Lubonja) që të mos merrej me ata që “kishte shkarkuar nga puna”. Nano e Lubonja të shkarkuar? “Po ata janë figura publike – ishte replika e Fevziut, por replika u mbyll aty.
Një ditë më parë Mustafa Nano në një intervistë në DITA dhe në një shkrim në SHQIP kishte shprehur zhgënjimin e tij për kandidime të këtij lloji:
“…Është tjetër analiza që duhet bërë; është tjetër dhe arsyeja pse ky kandidim të shock-on (mua, të paktën). Nuk ka lidhje me Kokëdhimën, s’ka gjë se mua më ka dhënë trishtim hyxhymi i tij drejt politikës, e se do isha shumë i kënaqur sikur dikush të dilte tani e të më thosh se “e gjitha ishte një shaká”. Ka lidhje me Ramën, i cili me vendosmërinë për të kandiduar mikun e tij të ngushtë ka demonstruar se as që ka ndër mend të ndalet në projektin për të ndërtuar një Parti Socialiste të vetën, tërësisht të vetën…. Dhe të kuptohemi, Partia e miqve nuk më krijon bezdi thjesht për faktin që është e miqve. Jo, shoh me shqetësim qëllimin, për të cilin kjo parti miqsh po ndërtohet. Rama po ndërton partinë, të cilën nuk ka ndërmend ta lëshojë ndonjëherë…”
Ky është thelbi i shënimit të Mustafait që ka irrituar Koçon, në atë pikë sa të tentojë psikologun dhe çlirimin e Mucit nga komplekset.

“Shekulli”, gabimi më i madh i jetës sime” (!)
Pjesa e mësipërme me Mustafain është hequr nga një botim që faqja online e gazetës Shekulli i ka bërë intervistës së Kokëdhimës me Fevziun e Tv Klan. Dhe jo vetëm kjo pjesë. Mungon edhe një tjetër deklaratë e bujshme gjatë kësaj interviste: “Bërja shtyp është gabimi më i madh i jetës time” – i tha Kokëdhima, Fevziut.
Çfarë do të thotë kjo deklaratë? Dhe si do korrigjohet ky gabim? Përse kur ishte në majat e veta, “Shekulli” ishte krenaria e Kokëdhimës, kurse tani që është rrënuar është “gabimi i tij më i madh”?
Vladimir Karaj gazetar i MAPO-s dhe ish-gazetar i “Shekullit”e lidh pikërisht me këtë, futjen e Kocos në parlament. “Për shumë do të kishte qenë logjike, nëse Kokëdhima do të ishte përfshirë edhe më herët në lista politike, atëherë kur edhe “Shekulli” ishte sigurisht një pikë reference, por kjo nuk ndodhi. Ndoshta edhe sepse gazeta i jepte atij ndikim të mjaftueshëm për të mos e pasur nevojën e të qenit i përfshirë drejtpërdrejt…”
Do të thotë kjo që tashmë, me biznese të rrënuara dhe një Shekull që nuk është më as hija e atij që ka qenë, ka nevojën “e të qenit i përfshirë drejtpërdrejt…”? Dhe Rama thjesht e ka ndihmuar të mos dalë përfundimisht nga skena aq e lakmuar e teatrit politik shqiptar? Duket shumë më e pranueshme se gjithë ato që thonë të tjerët për Kokëdhimën, apo ato që thotë Kokëdhima për vete. Në fakt, historia përsëritet. A nuk ka bërë Nikollë Lesi të njëjtën gjë më parë?

Vërtet, çdo të ndodhë me Shekullin?
Kam bërë gabim të madh – tha botuesi i Shekullit për gazetën e tij, dikur gazeta lider në shtypin e vendit, sot me një grusht lexuesish që pakësohen nga muaji në muaj. Me siguri edhe për këtë dikush tjetër është fajtor. “S’e kam bërë unë” – do thotë me siguri Kokëdhima po ta pyesin. Disa ua venë fajin rrogave të papaguara. Jo. Ato janë një arsye dytësore. Arsyeja kryesore është që gazeta tradhtoi pritshmëritë e lexuesve. Dhe Shekulli ka patur lexuesit më të mrekullueshëm në planet. U ngjirën të gjorët muaj me rradhë duke kërkuar atë që nuk mund t’u jepej më. Sidomos pas rënies së Ramës nga Bashkia e Tiranës.

Stefani: Rotacioni ia vlen edhe me ca të …meta!
Jo të gjithë janë dakordme kritikat. Andrea Stefani edhe ky, një vlerë e opozitarizmit publik shqiptar shkruan lidhur me kritikat e Mustafait:
Mustafa Nano gëzon simpatinë time si një polemizues i mprehtë, i guximshëm dhe një nga gazetarët më të sinqertë e me kontribut të rrallë, konstant dhe afatgjatë në luftimin e së keqes autokratike që po e mundon si një kancer Shqipërinë. Besoj është pikërisht ky sinqeritet, që e bën atë që qëmtojë si me lupë dhe të denoncojë edhe “qimen” në listat e opozitës. Por… Është e keqja më e madhe (Berisha në pushtet) që do ta përdorë këtë kritikë për të luhatur mendjen e njerëzve dhe për të mbetur në pushtet. Dhe shpresoj që Mustafa Nanos të metat, të pritshme në fakt, në listën e opozitës të mos ia lëkundin besimin e gjithë këtyre viteve se largimi i Berishës, rotacioni (dhe jo thjesht ardhja e Edi Ramës në pushtet), janë një e mirë e madhe për Shqipërinë…. Opozitarët nuk janë engjëj. Opozita nuk është pa të meta. Rama nuk është pa të meta. Meta aq më pak nuk është pa të meta. E megjithatë ne duhet themi: Rotacioni ia vlen edhe me ca të …meta!

“Doktori”, Kastrioti, Fatosi, etj
Kokëdhima, (2K siç quhej dikur kompania e tij më e famshme) do jetë një nga 140 deputetët e sesionit të ardhshëm parlamentar. Duket si tallje por Berisha ka emëruar deputetin e tij të ri Islami që të merret me Kokëdhimën. Islami bashkë me Fatos Nanon që shpalli mbështetjen e tij për kandidatin e pavarur Malaj në Vlorë, kanë nisur prej ditësh atë këngën që paralajmëronte Mero Baze. “Ata me 4 këmbë i quan miq, ne me dy këmbë jemi armiq” – shkruante Kastrioti në faqen e tij në FB për raportin e Ramës me Kokëdhimën duke e lidhur këtë të fundit me “Fermën e  Kafshëve”.
E përsëriti edhe të premten mbrëma në emisionin e Arian Çanit, ku emri Kokëdhima hidhej me spond nga Islami te Fevziu, nga Henri Çili tek Baton Haxhiu për të ngelur në dhëmbët e një shushke me fytyrë ëngjëlli që nuk lidhte dot dy fjalë e ulur edhe ajo në panelin shumëngjyrësh të Çanit.
Fatos Nano nuk mbetet pas: “Në periudhën 1991 deri në 1997, kur Partia jonë Socialiste ka qenë në shumicën dërrmuese të kohës në opozitë, ASNJE socialist, e përsëris, ASNJE, me gjithë presionin psikologjik, dhunën fizike, janë sjellë në mënyrën më të QYTETERUAR, me EUROPIANE, sesa rrugaçët sot që shajnë dhe kërcënojnë këdo që mendon ndryshe nga Rama-Kokëdhima, qoftë në Facebook, qoftë drejtpërdrejt. Është për të ardhur keq, sinqerisht !!!” – shkruan ai në FB.
23 qershori do jetë fundi i këtyre historive apo fillim i ri? Do ndodhë ajo që Fevziu i tha të ftuarit të tij të trazuar: “Pas ca muajsh do vish këtu të më shash Ramën”? Ose Metën? Do mbrohen nesër me po kaq zjarr të kundërtat e atyre që thuhen sot? Siç ka ndodhur dhe po ndodh? Ndoshta. Por hë për hë, 2K bën mirë të ndjekë këshillën e Mero Bazes për fushatën. Një fushatë që me sa duken bathët, e meriton plotësisht atë fjalën e urtë të veriut: “Lele hora mori vashë, po vjen puna tu u ntrashë”.


INTERVISTA
6 pyetje që DITA ia ka drejtuar dje Kokëdhimës. Nuk dërgoi përgjigje. Tha se kishte axhendë të ngjeshur
1 – Zoti Koço, gazetari Mero Baze ka deklaruar se është kërcënuar nga ju. Si qëndron e vërteta e kësaj historie?
2 – Mustafa Nano, ka pasur kritika për kandidimin tuaj për deputet. Për kritikat e tij deklaruat se “pas 23 qershorit do ta çlironi dhe Mustafajin nga kompleksi i inferioritetit”. Mund të na sqaroni çfarë veprimesh kini parasysh me këtë?
3 – Mendoni se përfshirja juaj në politikë aktive e ndihmon apo e dëmton gazetën tuaj “Shekulli”? Çfarë do të ndodhë me gazetën pasi të zgjidheni deputet?
4 – U shprehët në emisionin “Opinion” se investimi në shtyp ishte gabimi juaj më i madh në jetë. Do ta korrigjoni këtë gabim tani? Dhe si?
5 – Pas 23 qershorit do të zhvilloni mbledhje me grupin kuvendor. Si do t’i drejtoheni në atë kohë Edi Ramës, me emër apo me Kryetar?
6 – Çfarë mendimi ke për njerëzit në politikë apo jashtë saj që fajin për dështimet e veta ua hedhin përherë të tjerëve?
Gazeta DITA