Me shi dhe me bereqet po shkojmë drejt Beratit me Skuadrën tonë të Rilindjes për Beratin, me Ermonelën, Fidelin, Artan Lamen, Edin tjetër. Një tjetër Ed, se jemi tre Ed në autobus. Dy Ed do rrinë në Berat, më i gjati do kthehet. Pastaj me Stavrin me Erionin. Kemi një Erion tjetër në skuadrën e Beratit. Me Anilën dhe me Almën. Sipas eksperiencës të bukur së herës së shkuar jemi bashkë me një grup gazetarësh për të bërë një bashkëbisedim dhe për të shfrytëzuar kohën për të komunikuar edhe me dashamirësit, mbështetësit, me publikun dhe sigurisht edhe me kundërshtarët përmes transmetimit live. Falënderoj, gazetarët që na janë bashkuar në këtë rrugëtim. Përpara se t’ju jap fjalën dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për ecurinë më shumë sesa shumë të mirë të fushatës, e cila ende nuk ka hyrë në tempin e vet më të lartë, por është me ritme të kënaqshme dhe me një inpakt më të mirë sesa ç’e kishim parashikuar për këtë fazë.
Pasi kemi bërë prezantimet e skuadrave në Durrës, Shkodër, jemi sot këtu për të mbyllur në mbrëmje prezantimin e skuadrës së Beratit. I japim shumë rëndësi qarkut të Beratit jo thjesht për faktin që do të marrim 6 mandate për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, por për faktin që Berati për ne është një nga zonat që meriton vëmendje të jashtëzakonshme nga qeveria e pas 23 qershorit, pas një keqqeverisjeje që si kudo ka hapur dhe në Berat plagë të rënda.
Pyetje – Cilat kanë qenë arsyet reale që ai u transferua nga qarku i Beratit për në qarkun e Fierit?
Faleminderit për pyetjen! Erjon Braçe është në vijën e parë të një pjesë shumë të rëndësishëm të frontit të betejës elektorale, në qarkun e Fierit. Ku njësoj si në qarkun e Beratit ne synojmë të marrim maksimumin dhe do të marrim maksimumin. Për këtë arsye edhe Erjon Braçe gjendet aty, krah për krah, me Gramozin, me Eglantinën, me Armando Subashin, me Ilirjan Celibashin dhe gjithë skuadrën e Fierit. Sigurisht, që ju keni nevojë për fabula që tërheqin më shumë telespektatorë dhe lexues, por në këtë rast nuk ka asnjë çudi, nuk ka asnjë anomali. Ne jemi një Skuadër Kombëtare ku secili është pozicionuar aty ku e kërkojnë interesat e përbashkëta të skuadrës dhe ku kërkon qëllimi i madh i një fitoreje që do të realizohet qark për qark dhe pastaj në të gjithë Shqipërinë.
Pyetje – Meqë jemi duke udhëtuar drejt Beratit dhe Berati është një qytetet që mbrohet nga UNESCO. Cili është programi konkret i Partisë Socialiste për ruajtjen e kësaj trashëgimie?
Ne do të bëjmë për qytetet tona atë që nuk është bërë për vite të tëra. Nuk e ekzagjeroj po të them që edhe për Beratin, si për Vlorën, për Korçën, për Elbasanin, për Durrësin, për Shkodrën, për Lezhën, për Gjirokastrën, pa i përmendur të gjitha, por në këto qendra qarqesh ku gjendet graviteti i jetës urbane të këtyre territoreve dhe ku flenë vlera të trashëgimisë, vlera të kulturës, vlera të historisë, vlera të zhytura në pluhur dhe në degradim do të bëjmë ç’nuk është bërë 20 vjet të marra së bashku. Në qeverinë tonë do të ketë një prioritet absolut. Ne kemi fatin që shumëçka ta gjejmë gati për të filluar punën sepse kemi kryebashkiakë të cilët kanë projektuar, kanë planifikuar, i kanë projektet dhe planet në sirtar dhe presim vetëm mbështetjen e qeverisë kombëtare. Një qeveri që nuk e kanë pasur në Tiranë për vite me radhë. Nga një anë mllefi, për faktin që kanë votuar masivisht Partinë Socialiste, nga ana tjetër obskurantizmi i këtyre 8 viteve në qeverisjen e vendit kanë krijuar pamundësira të mëdha dhe kanë thelluar plagë të mëdha.
Duke i dhënë gjeneratës së re, gjithë popullit shqiptar disa pika referimi për një të ardhme europiane të dukshme dhe të prekshme, siç i dhamë qytetarëve të Tiranës në ato fillime, kur askush nuk mund të imagjinonte që pazari i madh oriental që quhej Tiranë mund të kthehej në një qytet europian. Për më tepër akoma, ne kemi një skuadër shumë të kombinuar, me personalitete që janë personalitete me profil politik, personalitete që janë me profil vendor, qytetar, siç është Stavri.
Do doja t’ja kaloja fjalën për të thënë diçka për të mos e bërë shumë monotone edhe Artanit.
Artan Lame: “Unë do jepja një element që nuk ka nevojë shumë për investime të mëdha. Pa shkuar pastaj tek ato çka mund të bëhen realisht me investime në qytete si Berati, me ato pasuri që flenë në qytete si Berati. Futja e Beratit bashkë me Gjirokastrën në listën e pasurive kulturore botërore tërhoqi vëmendjen e botës tek ne, por teorikisht duhet të tërhiqte edhe donacione, edhe donatorë që do jepnin për Beratin. 8 vjet u treguan të paaftë të tërhiqnin çfarëdolloj donacioni për këtë qytet. Mjafton kjo, për të treguar që thjesht nuk e bënë, këtu nuk duheshin para. Të japim një element tjetër që ka të bëjë prapë me Beratin dhe me trashëgiminë e vetë kulturore. Futja e Beratit në filtrin e të gjithë sistemit rrugor të zonës së vet, me të gjithë pasuritë që ka përreth, pa ndërhyrë prapë në qytet, do t’i jepte prapë një input të jashtëzakonshëm. Pra, minimalisht sikur të bëhej rruga për të shkuar në Berat, se edhe sikur të ishte bërë Berati ndonjë mrekulli në këto 8 vite, me donacione e me të tëra, prapë mungesa e rrugës do zeronte çdo lloj mundësie për ta vizituar atë. Pa u futur pastaj nëqoftëse një qeveri e përgjegjshme do të investonte në këtë qytet, çfarë mund të bënte me atë mrekulli të atij qyteti. Të vëmë këto dy elemente të parat që thashë, pra; të tërheqim vëmendjen e donatorëve, që ka pasur raste që janë lutur në këto vite dhe që injoranca, padija, harbutllëku i ka larguar. I hapim shtegun e vajtjes së njerëzve dhe investimeve dhe të qytetarëve dhe të turistëve në këtë qytet nëpërmjet bërjes së rrugës legjendare, “torturës legjendare” për të shkuar në Berat. Pastaj të fillojmë investimet restauruese brenda për brenda qytetit.
Pyetje – Sot ju vini nga një aktivitet që keni bërë me gratë socialiste dhe me nënat socialiste. Por, vetëm dje KQZ ju ka vënë një gjobë se nuk keni plotësuar kushtin prej 30% gra.
Së pari, unë jam shumë krenar që promovuam rritjen e kuotës në ligjin elektoral. Jemi partia që me këtë promocion, me këtë shtytje të madhe përfshimë kuotën dhe e çuam në parlament më shumë gra sesa Partia Demokratike apo forcat e tjera. Jemi partia që sot do të çojmë përsëri në parlament më shumë gra se PD. Mbetet sfidë që të plotësojmë kuotën kudo jo vetëm në pjesën e sipërme të listës, por në të gjithë listën. Por, ama një gjë kam nevojë ta nënvizoj që nuk kemi përdorur emrat e grave dhe vajzave për të mbushur listat në pjesën e poshtme, por kemi qenë shumë të vendosur që të shtojmë numrin e grave që do të jenë në parlament dhe kemi më shumë gra se ç’kishim. Ndërkohë që jemi zotuar dhe kjo do të jetë sfida e zgjedhjeve të ardhshme vendore që në çdo këshill bashkiak dhe komunal të Shqipërisë ne do të kemi 50% gra në lista. Është një proces. Nuk mund të kalojmë nga një ekstrem në pikën tjetër që do të ishte përmbushja e barazisë së plotë gjinore. Ekstremi ishte i tmerrshëm, mungesë e plotë përfaqësimi i grave. Sot nuk mund të themi më që parlamenti ynë është një parlament që s’ka lidhje me Europën nga kjo pikëpamje, sepse ka një numër të konsiderueshëm për ne, për Shqipërinë, dhe për traditën e saj të derikëtushme, grash dhe vajzash.





