Dajak për BDI-në në Vaksincë?


lajme_Fadil_Nimani_tigri_almakos_283765147 
Atmosferë e tensionuar ka zëvendësuar atmosferën festive që është përgatitur të shtunën me rastin e shënimit të 12 vjetorit të rënies heroike të Fadil Nimanit-Tigrit, njërit nga ushtarakët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Dëshmitarë okularë që kanë qenë prezent, thonë se në manifestim është sulmuar fizikisht ish deputeti i BDI-së dhe kryetari aktual i SHVL-UÇK-së Fazli Veliu, njëherit daja i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, ka njoftuar televizioni “Kanal 5″. Incidenti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve nëse duhet t’i jepet, fjalë rasti Veliut, ose jo.
“Qëllimi i organizatorëve ishte që manifestimi i sivjetmë të mos ketë asnjë ngjyrim politik dhe këtë ia sqaruam edhe zotëri Veliut. Ai fillimisht u pajtua me këtë sqarim dhe u ul në rendin e tretë ose të katërt. Më vonë prapë insistoi të marrë fjalën me çka revoltoi përfaqësuesit e këshillit organizativ të cilët e sulmuan fizikisht”, kanë thënë disa dëshmitarë. Sipas tyre, me këtë rast fjalë të rënda ofenduese i janë drejtuar edhe deputetit aktual të BDI-së Rexhail Ismaili, i cili e ka shoqëruar Veliun. “Në fshatin Vaksincë gjatë kohë ekziston pakënaqësi për shkak të anashkalimit të luftëtarëve të vitit 2001 nga ana e BDI-së, kurse ky incident ishte kulmi i kësaj revolte”, thonë ata njofton Almakos.
Burime brenda BDI-së konfirmojnë se ka pasur incident, mirëpo japin një version tjetër. “Është e saktë se Veliut nuk i është dhënë fjala në manifestim dhe se kemi qenë të sulmuar verbalisht, mirëpo në asnjë moment nuk ka pasur sulm fizik ndaj tij, e as të tjerëve që e kanë shoqëruar. Incidente fizike kanë ndodhur pas largimit tonë edhe atë mes fshatarëve të pakënaqur nga mënyra se si u soll Këshilli Organizativ ndaj zotëri Veliut dhe atyre që nuk lejuan fjalimin e tij”, thonë burime të larta partiake në BDI. Këto burime insistojnë të mbeten anonime, sepse si duket BDI u ka dhënë urdhër përfaqësuesve të vet të mos prononcohen zyrtarisht për Almakos.