Antivlerat në zgjedhje

Edi Puka

Shpeshherë kuptimi që i japim konceptit të vlerës dhe antivlerës është i ndryshëm, sipas këndvështrimeve të përdorura, duke mos nxjerrë deri diku në pah faktorin më të rëndësishëm të esencës së konceptit vlerë. Vlerat janë si një bosht referues i parimeve dhe botëkuptimeve, të cilat na ndihmojnë në gjykimin tonë personal të rrugës pozitive drejt së cilës duhet të drejtohemi. Ndërkohë që kuptimi i antivlerës do të ishte përzgjedhja e gabuar e rrugës pozitive të ndjekjes së qëllimeve tona drejt një përmirësimi personal brenda rrethit social individual. Në fakt, në qoftë se hedhim vështrimin nga realiteti shqiptar, shembujt aktualë të zgjedhjeve demonstrojnë që janë aq larg të së qenit vlerë, saqë tejkalojnë edhe përshkrimin e antivlerës. Ajo që ne vështrojmë çdo ditë është shkëputja pjesë-pjesë nga secili prej nesh e një përmbajtjeje personale shumë domethënëse të quajtur dinjitet njerëzor. Dinjiteti dhe vlerat kanë një lidhje gjenetike të pandashme, pasi njëra përbën brendësinë e tjetrës. Pra, kur fillon të shkërmoqet njëra, i njëjti proces shoqëron edhe tjetrën. Si i tillë, vetë procesi zgjedhor dhe përzgjedhja e individëve, të cilët duhet të përfaqësojnë mendimin dhe nevojën qytetare, pasqyron shembullin me eklatant të antivlerës dhe goditjes së dinjitetit të individit. Në fakt, në këtë proces individi ndihet i çoroditur, pa arritur të orientohet në lëmshin e pakuptimtë, i krijuar me objektivin kryesor moszgjedhjen në mënyrë logjike dhe të lirë. Është pikërisht kjo lloj kontradikte që mund t’i japë kuptim këtij kaosi të krijuar. Efekti i çoroditjes dhe goditjes së sistemit të vlerave me përfitimin e humbjes së të drejtës dhe logjikës së zgjedhjes. Individi kthehet vetëm në një misionar, i cili mundësinë e vetme të orientimit e ka humbur, pasi vetë misioni që i është paracaktuar nuk ekziston. Është mision i pamundur të kryesh një zgjedhje në momentin kur udhëzuesit kryesorë, pra vlerat dhe dinjiteti, mungojnë.
Tashmë politika e ka arritur objektivin e saj, atë të krijimit të një mjegullnaje të arsyes dhe logjikës njerëzore, atë të shkërmoqjes së themeleve të njerëzimit: të menduarit dhe vepruarit në mënyrë individuale dhe të lirë. Arsyeja është shumë domethënëse: njeriu që nuk arrin të konceptojë dhe të perceptojë në mënyrë individuale, është lehtësisht i modifikueshëm dhe lehtësisht i manipulueshëm për të kryer më pas zgjedhjen që i serviret si e vërteta absolute dhe si e vetmja rrugë për t’u ndjekur. E, për fat të keq, në këtë pikë individi është i pafuqishëm që të mendojë dhe të arsyetojë në mënyrë të pavarur dhe priret drejt një zgjedhje të pamenduar dhe mekanike të atyre që duhet të përfaqësojnë interesat e tij në arenën publike e, si rrjedhojë, antivlera fiton mbi vlerën dhe kjo e fundit shndërrohet thjesht në një koncept abstrakt të pakuptimtë, për më tepër jo koherent me kohën aktuale, ndërkohë që ka qenë dhe mbetet e vetmja mundësi për individin për të pasur një bosht referues të zhvillimit të tij njerëzor.

Ajo që mund të shihet si e vetmja mundësi për rikthimin e sistemit të vlerave vazhdon të jetë e të mbetet procesi edukativ, i parë në këndvështrimin e një formimi të shëndoshë individual dhe konceptual. Është e rëndësishme që njeriu të largohet nga mjegullnaja e ngritur me qëllim shpërbërjen e tij dhe t’i kthehet logjikës personale bazuar pikërisht në respektimin dhe formimin e dinjitetit njerëzor. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijë të përmbushë misionin e tij të përjetshëm, mirëqenien mendore dhe fizike. Largimi sa më parë nga një metodë e gabuar të menduari, bazuar në një arritje afatshkurtër dhe të paqenësishme, mbetet objektivi kryesor. Ngritja e një sistemi vlerash është i domosdoshëm. Është një e drejtë legjitime dhe një koncept ekzistencial i patjetërsueshëm i individit. Politika mund të ndihmojë në këtë proces, megjithëse do të ishte gati e pamundur, por jo e pashpresë. Ështs jetik kthimi i konceptit të njeriut, i cili zhvillohet, formohet dhe gjykohet në bazë të arritjeve të tij, dhe jo në bazë të një hierarkie antivlerash. Sa më parë të kuptohet dhe të respektohet ky koncept ekzistencial, aq më shpejt do të kemi një individ human dhe jo thjesht një qenie që ka humbur logjikën dhe dëshirën për të ekzistuarit.


*Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës /panorama

Related Posts: