Home »
» Alfred Peza: 20 gabime që s’duhet të bëjë e majta pas ardhjes në pushtet
Alfred Peza: 20 gabime që s’duhet të bëjë e majta pas ardhjes në pushtet
Kandidati socialist në Peqin, Alfred Peza, ka rreshtuar 20 gabimet që e majta nuk duhet të bëjë kur të vijë në pushtet. “Pas ardhjes në pushtet më 23 qershor, nisur nga problematikat që i kanë shoqëruar qeverisjet e majta pas 1990 në Shqipëri, koalicioni ynë fitues NUK duhet të bëjë gabimin që:
1 – Të mos respektojë marrëveshjen me 36 partitë aleate.
2 – Të mos mbajë premtimin për vendosjen e taksës progresive.
3 – Të mos mbajë premtimin për uljen e çmimit të karburantit dhe plehrave për bujqësinë.
4 – Të mos respektojë dhe shpërblejë kontributorët kryesorë të së majtës në 23 vjet.
5 – Të mos rikthejë koncesionet e dyshimta dhe korruptive të dhëna nga qeveria “Berisha”.
6 – Të mos rihapë çështjen “Gërdeci” dhe të mos nxjerrë përpara drejtësisë urdhëruesit dhe ekzekutorët e 21 janarit.
7 – Të mos pastrojë administratën nga militantët dhe të vendosë sistemin e meritokracisë.
8 – Të mos përfundojë në një kohë rekord, të gjitha rrugët nacionale të lëna gjithandej të papërfunduara nga kjo qeveri.
9 – Të mos hapë 300 mijë vende pune brenda mandatit të parë.
10 – Të mos integrojë të gjithë shqiptarët në Shqipëri, përpara se të kërkojë integrimin e Shqipërisë në BE.
11 – Të mos rivendosi rendin dhe qetësinë publike brenda 300 ditësh.
12 – Të mos unifikojë tregun, arsimin dhe artin Shqipëri- Kosovë.
13 – Të mos çlirojë mësuesit dhe mjeket, nga diktati politik i pushtetit.
14 – Të mos ia rikthejë Televizionin Publik Shqiptar, qytetarëve.
15 – Të mos reformojë rrënjësisht të gjithë sistemin arsimor, publik dhe privat.
16 – Të mos çmontojë sistemin e korrupsionit alarmant në vend.
17 – Të mos reformojë thellësisht sistemin e drejtësisë.
18 – Të mos zgjidhi njëherë e përgjithmonë çështjen e dekomunistizimit të vendit dhe rehabilitimin përfundimtar të ish- të përndjekurve politikë.
19 – Të mos zgjidhi çështjet e pronës dhe legalizimeve.
20 – Të mos rivendosi në një kohë sa më të shpejtë, kontrollin mbi territorin, në çdo pëllëmbë të vendit”, shkruan Peza në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Një gjë është e sigurt, se kryeproblemi që duhet të zgjidhi qeveria e kryeministrit Edi Rama, është gjetja e të gjitha rrugëve më të shpejta dhe efikase, për nxjerrjen në mënyrë urgjente të vendit nga kriza e thellë social- ekonomike dhe morale ku ndodhet Shqipëria sot”, e përfundon analizën e vet Peza.






