Njësoj si në Irak, edhe në Siri, lufta po zhvillohet mes linjave sektare, por brenda sunive, duket se janë dy grupime që po përballen me njëri-tjetrin. Njëri përbëhet nga islamikë të moderuar, tjetri po funksionin si aleat i “Al-Kaedës” në Siri…Iraku dhe Siria
The Economist*
Që kur filloi kryengritja e Sirisë, shumë njerëz, përfshirë edhe administratën amerikane të ngopur me luftë, e kanë parë krizën nën prizmin e Irakut, pavarësisht se dy konfliktet kanë dallime të mëdha. Në Irak, një pushtim i huaj për të rrëzuar Sadam Huseinin solli shpërthimin e një lufte sektare që vijon edhe në ditët tona; në Siri, një rebelim lokal paqësor kundër presidentit Bashar Asad u kthye në një luftë civile në të cilën të huajt po përzihen në të dyja palët. Megjithatë, disa sirianë po bazohen për shpjegime te çfarë ndodhi në Irak.Në Sirinë Lindore, ku fiset suni banojnë zonën përgjatë kufirit me Irakun fqinj, rritja e Xhahbat al-Nusra, një grup rebel ekstrem i shoqëruar me “Al Kaedën”, po shqetëson qeveritë e Perëndimit dhe të tjera qeveri në Lindjen e Mesme. Disa vendorë i kanë vënë nofkën ‘Sahva’ një grupi islamik të moderuar të quajtur “Faruk”. Në Irak ky term që në arabisht do të thotë “rilindje”, përdoret për milicitë fisnore suni që u bashkuan me amerikanët për të shkatërruar “Al Kaedën” në Irak. “Faruk” mori nofkën “Sahva”, pasi u përplas me “Al-Nusrën” në zonat ku të dyja grupimet konkurrojnë për pushtet.
“Ata janë sahvati ynë”, thotë një burrë në periferi të qytetit Raka, një qytet me 250 mijë banorë në verilindje të Sirisë, i cili është edhe qyteti më i madh që rebelët kanë marrë nën kontroll nga regjimi i Asadit.
Në anën tjetër të blogosferës xhihadiste gjenden shumë paralajmërime se sahva është një kërcënim që po zhvillohet nën mbikëqyrjen e amerikanëve, jordanezëve dhe sauditëve.
Faruk, që filloi në Homs, qyteti i tretë më i madh në Siri dhe u përhap në lindje, dikur ishte grupimi më i fuqishëm në zonën e Rakas, pjesërisht për shkak të fondeve nga Katari dhe mbështetjes nga Turqia.
Megjithatë “Al-Nusra” dhe grupime të tjera salafiste u rritën për t’u bërë më të mëdhenj se ata, falë faktit se kishin më shumë para dhe strategji më të mirë.
Njerëzit e “Faruk” ankohen për faktin se “Al-Nusra” kapi fushat e naftës dhe të pambukut dhe shpesh është i suksesshëm në përpjekjet për të vrarë komandantët rebelë rivalë. Anëtarët e frontit “Al-Nusra” përgjigjen duke thënë se ata janë thjesht më të aftë në luftë dhe tërheqin më shumë mbështetje, gjë që i mundëson të kapin depo armatimesh.
Por nuk janë vetëm rebelët rivalë që janë armiqësor ndaj “Al-Nusrës”. Civilët po kthehen kundër saj gjithashtu. “Njerëzit janë të ngopur me përpjekjet e grupit për të ndaluar hajdutët e vegjël që grabisin makina apo shtëpi, ndërsa mbështesin hajdutët e mëdhenj, të cilët marrin naftën”, shpjegon një sheik që bën marrëveshje shpesh me organizatën. “Ne jemi të frikësuar nga ata”, thotë një grua, e cila ka një anëtar të familjes te ky grup.
Protestuesit në Raka, qytet që kontrollohet nga një gamë e gjerë grupimesh rebele, kanë dalë në rrugë më shumë se një herë për të thirrur: “Rala është e lirë, e lirë, e lirë, Xhahbat Al-Nusra ik nga këtu”, (fjalë që kanë rimë në arabisht). Gratë e zonës të cilat dalin pa hixhab, kanë refuzuar t’iu binden kërkesave të grupit që ato të mbulohen.
“Al-Nusra” në Siri ka reaguar më me kujdes se sa “Al-Kaeda” në Irak. Duke iu përgjigjur kriticizmit, grupi i Sirisë duket se është vetëpërmbajtur nga sulmet me bomba që me gjasa shkaktojnë viktima civile.
Grupimi fitoi ca mbështetje duke siguruar ushqime dhe shërbime për njerëzit në Alepo, qyteti i dytë më i madh në Siri. Por njoftimi i prillit të këtij viti që fliste për lidhjet me “Al-Kaedën” mund të ketë dëmtuar përgjithmonë marrëdhëniet e grupit me sirianët e shqetësuar.
“Do të ishte shumë mirë sikur të gjithë sirianët të ishin me ne”, thotë një luftëtar i “Al-Nusrës” në Sirinë Lindore. “Por kjo nuk është e rëndësishme. Abrahami dhe Sarah [te Testamenti i Vjetër] qenë një minorancë kundër mosbesimtarëve, por kjo nuk kishte rëndësi sepse ata, njësoj si ne, po bënin gjënë e drejtë”.





