50-vjeçari tenton të vetëvritet: Nuk kam bukë të ha!


Fier/Dëshpërimi dhe vështirësitë ekonomike e kanë detyruar një 50 vjeçar të ndërmarrë veprimin tragjik për të tentuar të vrasë veten e tij. I mbytur në borxhe e në kredi, babai i disa fëmijëve dhe bashkëshorti që njihej nga të gjithë të njohurit e tij si një njeri i qetë dhe punëtor, Gramoz Hoxha, ka hyrë fshehtas rojeve në HEC-in e Fierit duke u ngjitur më pas në lartësinë e kullës prej 50 metrave ku më pas duke qarë e duke u ankuar për jetën e tij ka tentuar të hidhet por është shpëtuar në kohë nga policia. “Nuk kam bukë të ha, dua të vras veten”, ishin fjalët e Gramoz Hoxhës, 50 vjeç teksa varej nga maja e kullës prej 50 metra tek HEC-i i Fierit, me qëllim të hidhej prej aty. Fati e ka ndihmuar 50 vjeçarin që mendohet se në ato momente ishte në një krizë depresioni pasi ai ka qëndruar i varur në ajër për më shumë se 20 minuta, ndërsa thërriste i shqetësuar se nuk donte të jetonte më në varfëri. Sipas të dhënave të policisë Gramoz Hoxha ishte prej disa kohësh pa punë, dhe ishte vetmi person në familjen e tij që mbante familjarët e tij më të ardhura financiare.

Ngjarja

Shtetasi Gramoz Hoxha qëndroi disa minuta hipur në kullë duke thirrur me zë të lartë se do të vriste veten. Pasi e kanë dëgjuar punonjësit e HEC-it dhe roja ata kanë njoftuar policinë e Fierit që ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe pas negociatave me 50-vjeçarin, duke u ndihmuar edhe nga efektivët e policisë Gramoz Hoxha mundi ta zbresë nga lartësia prej 50 metra. Burime nga policia thonë se Hoxha ka hyrë fshehur nga rojet në TEC dhe është ngjitur deri në kullë pa u zbuluar nga askush deri në lartësinë 50 m. Gramoz Hoxha është shoqëruar në ambientet e policisë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Më pas janë marrë në pyetje edhe familjarët e tij bashkëshortja, fëmijët dhe vëllezërit që kanë dëshmuar se 40 vjeçari nuk ka dhënë asnjëherë më parë shenja depresioni.

Precedenti

Kohët e fundit vetëvrasjet dhe tentativat për vrasje nga persona të ndryshëm në gjithë vendin duket se shënojnë precedentët më të shpeshtë të ngjarjeve tragjike. Sipas të dhënave të policisë viti 2013 ka qenë viti më problematik përsa i përket shifrave dhe statistikave për vetëvrasjet, më së shumti nga kryefamiljarë dhe vajza e djem të rinj për shkak të depresionit, papunësisë dhe shkaqeve ekonomike. Por edhe të miturit duket se shpesh herë janë bërë pre e vetëvrasjeve për shkaqe mosmarrëveshjesh me prindërit apo me shokët e tyre.