TemA TV/ Rama dhe Meta nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit e premtojnë: E fusim vendin në BE brenda 2 mandatesh (VIDEO)

rama meta1
Edi Rama dhe Ilir Meta kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit të PS-së me LSI-në për zgjedhjet e 2013-s. Marrëveshja është nënshkruar në qytetin e Shkodrës, nën praninë e përfaqësuesve të Partive Socialiste Europiane.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë pas leximit të një karte të parimeve të përbashkëta nga ana e Taulant Ballës nga PS dhe Ralf Gjoni nga LSI. Në kartën e parimeve përfshihej edhe premtimi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda dy mandateve qeverisëse të të majtëve, ndërsa nuk u përmend kund çështja e korrupsionit.
Para nënshkrimit të marrëveshjes, Edi Rama është shprehur shqiptarëve do u kthehet një qeveri legjitime, ndërsa Meta tha se bashkimi i së majtës është një aksion politik historik.
“Ne jemi sot këtu për të firmosur marrëveshjen që do i kthejë shqiptarëve të drejtën sovrane të qeverisjes së këtij vendi. Kemi rënë dakord për një marrëveshje që nis nga një kartë parimesh”, tha Rama.
“Faleminderit gjithë miqve tanë të ardhur nga Rajoni e Europa për të asistuar në këtë ditë të shënuar për dy arsye, pasi për herë të parë në Shkodër, Partia Socialiste Europiane mban konferencën e saj për Ballkanin, por sot pas një rrugëtimi të vështirë por edhe falë mbështetjes e inkurajimit të miqve të PSE, jemi së bashku dy partitë e majta për të filluar një rrugë të re, dhe për t’i dhënë Shqipërisë një perspektivë të re”, tha Rama.
Sipas Ramës, “më pak se 15 vjet ka ndodhur një ndryshim marramendës, për gjithë Ballkanin. Me finalizimin e dialogut Kosovë Serbi u shënua fundi i shpërbërjes së Ish-Jugosllavisë. Ja ku jemi sot këtu për të treguar që ne njerëzit mund të bëjmë të pamundura në harkun e jetës gjëra që duken të pamundura në shekuj. Ne besojmë tek fuqia e njeriut për të ndryshuar botën dhe tek politika për ta ndryshuar jetën për mirë”.
Lideri i PS, tha më tej se ka ardhur koha që rajoni të bashkëpunojë për të ardhmen e tij të përbashkët europiane.
“Në këtë rajon të gjithë së bashku mund të ngremë shtëpinë e të ardhmes sonë europiane. Jeta e re e Ballkanit ku jetojmë duhet të dëshmojë atë që ne predikojmë, paqen dhe fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin rajonal në funksion të jetës së njerëzve që jetojnë në këtë rajon. Ne shqiptarët, por edhe gjithë të tjerët nuk mund të predikojmë paqen në rajon dhe të mos ushqejmë nacionalizmin e vjetër. Ne duam që Shqipëria europiane të ketë një zhvillim të frytshëm, ku popujt e rajonit punojnë së bashku për të ardhmen. Në duam të arrijmë një marrëveshje kuadër për mbrojtjen e pakicave në rajon, pakicat i shohim si ura dhe jo si hendeqe në vendet e Ballkanit. Ne duam që serbët e shqiptarët në Kosovë të jenë një arsye më shumë për paqen dhe stabilitetin, shtetet tona të rrisin cilësinë e jetës së njerëzve dhe mirëqenien e të gjithë rajonit. Ne duam që retorikën e vjetër pas 23 qershorit t’ia lëmë arkivave, që të mos pengojë rrugën e së ardhmes. Ne së bashku duhet të shohim nga Brukseli për transformimin ekonomik dhe shoqëror, për të cilat rajoni ynë ka nevojë”, shtoi Rama.
“LSI iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS për krijimin e një koalicioni paraelektoral. Bashkimi i të majtës dhe i gjithë forcave progresiste është një aksion politik historik, i domosdoshëm, që bashkon dëshirën e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim substancial. Zgjedhjet e 23 qershorit janë një gurë prove për demokracinë dhe të ardhmen, dhe sot e majta ndjen përgjegjësinë dhe detyrën patriotike kombëtare për të hapur një perspektivë të re, e cila mbyll tranzicionin dhe integron shqiptarët në BE. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët do të sjellin një ritëm të ri, me qëllim integrimin e vendit në BE. Kjo aleancë e re bazohet në vlera të njëjta themelore të social-demokratëve dhe progresistëve europianë. Ky është një koalicion i natyrshëm dhe do të jetë solid dhe afatgjatë. Faleminderit për inkurajimin për të lënë pas të shkuarën dhe për t’u bashkuar në interes të Shqipërisë”, u shpreh Meta./b.l