Mes shqetësimeve kulturore për “afrim me Orientin” apo vlerës së ulët edukative të telenovelave, serialet kanë pushtuar mbrëmjet e Kosovës, duke konkurruar me filmat amerikanë apo edicionet e lajmeve. Dhe reklamat janë të bollshme…
Tendenca
Donjeta Demolli, GazetaJNK
Seritë televizive turke kanë pushtuar një të tretën e ditës në disa nga televizionet kosovare, përfshirë në prime time (08:00-23:00). Disa i quajnë ato pseudoartistike dhe të stërngarkuara emocionalisht. Por televizionet i mbrojnë, duke thënë se janë trende botërore, i përshtaten mentalitetit kosovar dhe sjellin reklama.
Për njëzetekatër orë, dy televizionet me frekuenca nacionale KTV e RTV21, transmetojnë e ritransmetojnë rreth tetë orë seri amerikano-latine e turke.
Në një hulumtim të kryer nga “Index Kosova”, në dhjetor të vitit 2012, dilte se programi më i shikuar, 39 për qind, ka qenë seria turke “Veri Jug” (Kuzey Güney), e transmetuar në TV21, duke lënë pas lajmet qendrore në RTK.
“Kuzey” pasohej me 29 për qind të shikueshmërisë nga “Dashuri dhe Ndëshkim” (Ask ve Ceza), po ashtu seri turke e transmetuar në KTV. Këtyre serive viteve të fundit u është rritur edhe çmimi.
Nga 90 euro sa kushtonte një episod i “El Clone” (Kloni) në fillim të viteve 2000, çmimi i një episodi të këtyre serive tashmë shkon deri në mbi 1500 euro, thonë zyrtarët e së paku dy televizioneve kosovare.
Dhe arsyet përse ato blihen, ndonëse mund t’u kushtojnë në disa raste më shtrenjtë se seritë amerikane, është se ato ndiqen. Producentët e këtyre televizioneve i shohin seritë turke si më të përafërta me mentalitetin shqiptar.
“Klan Kosova” vazhdon t’i rezistojë këtij trendi me vetëzgjedhje, duke transmetuar vetëm seri amerikane, me gjithë shikueshmërinë minimale, për shkak se i duket se kjo është zgjedhje e drejtë për t’i ofruar audiencës së vendit.
Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se seritë turke e amerikano-latine janë në të shumtën e rasteve kiç e shund, dhe se problemi kryesor është se ato transmetohen në prime time.
Yasemini (“Dashuri dhe Ndëshkim”) ka humbur besimin në dashuri, por pas një nate me Savasin jeta e saj ndryshon.
Në mes peripecish e ngatërresash të shumta, tregimi i të përhiturës së Turqisë ka marrë zemrat e shumë shikuesve shqiptarë.
A do ta gjejë Savasi, Yaseminin dhe t’ia shprehë ndjenjat? A do të zbulohen sekretet? A do të tejkalohen pengesat? Janë këto pyetje që e intrigojnë shikuesin ta përcjellë këtë seri çdo ditë në “Koha Vizion”, në orën 21:15.
“Arsyeja e parë pse kemi filluar të transmetojmë seri turke ka qenë se kemi konsideruar që tematika që trajtohet në një seri të tillë është më e përafërt me mentalitetin në Kosovë, dhe kjo do ta tërheqë më shumë shikuesin kosovar”, thotë Dardan Selimaj, producent në “Koha Vizion”.
Selimaj thotë se brenda serive turke ka shumë elemente – gjakmarrja, me kë po shkon djali ose vajza, dallimet klasore etj. – që publikun kosovar e bëjnë t’i përcjellë “madje-madje edhe në prime time”.
Ai thotë se seritë turke, pavarësisht se nga shumëkush mund të quhen seri të dobëta televizive dhe jo tërheqëse, zakonisht gjykohen në mënyrë të tillë, për shkak se ata njerëz nuk ndalen t’i shikojnë ato.
“Ndoshta në mesin e këtij grupi kam qenë edhe unë dikur, por sot kam tjetër mendim në raport me prodhimin turk sa u përket serive, për shkak se kinematografia turke është duke kaluar nëpër një fazë ose frymë të artë, e cila po reflektohet edhe në prodhimet televizive”, thotë Selimaj. I të njëjtit mendim është Florin Kelmendi nga RTV21.
Ai thotë se kosovarët e kanë kompleksin e të voglit dhe përpiqen të dalin kundër shijes dhe trendeve botërore.
“Kemi pseudoshikues dhe pseudoanalistë, të cilët për arsye të ndryshme, qoftë për shkak të disa interesave parciale, qoftë për shkak të disa komplekseve, reagojnë duke thënë se këto seri nuk janë në nivel. Ka edhe të tillë që thonë se këto seri degradojnë shoqërinë”, thotë ai.
“Nëse janë të dëmshme për ne, pse nuk janë të dëmshme edhe për botën, e cila i shikon me ëndje? Për shembull, ‘Sulltani’ që transmetohet tashmë te ne, transmetohet në mbi 50 vende dhe ka mbi 200 milionë shikues”, vazhdon Kelmendi.
Sipas hulumtimit të “Index Kosovës” të dhjetorit 2012, shikueshmëria e serive turke e kalon edhe atë të serialit vendor “Kafeneja jonë”, emisionit argëtues “Oksigjen” dhe debatit “Jeta në Kosovë”.
Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se këto seriale assesi nuk mund të konsiderohen artistike.
“Qasja e tyre është qasje që i ul kriteret artistike në mënyrë që audiencën ta rrisë në mënyrë maksimale”, thotë ai.
Turqia, thotë Muhaxhiri, ka pasur zhvillim në aspektin kinematografik, por jo edhe aq sa këto seri të konsiderohen si diçka që është artistike.
“Prapëseprapë, kemi seri që kanë me qindra episode, të cilat janë të ngarkuara emocionalisht dhe melodrama që zhvillohet në to është krejtësisht një kiç me emocione të stërtepruara dhe në të cilat aktrimi është mesatar”, thotë ai. “Aktrimi është mediokër, në fakt”. Por Selimaj i KTV-së e kundërshton këtë. Ai e merr shembullin e prodhimit “Kenedy’s” të transmetuar në KTV.
“Pavarësisht se Kennedy është presidenti me më shumë influencë, me më shumë kontradikta për mënyrën si është bërë president dhe si e kanë likuiduar… përsëri nuk është rrëfim i afërt me mentalitetin e Kosovës”, tha ai. Ai thotë se serialet, si turke dhe amerikane, “pak a shumë lëvizin në ujërat e njëjta, por në mentalitete të ndryshme”.
“Nëse për shembull ‘Sex and the City’ është serial edukativ, atëherë ndoshta unë kam problem me perceptimin e asaj se çfarë është edukative, e çfarë jo”, thotë Selimaj.
Duke ekzistuar në këtë treg, ku në prime time transmetohen seri turke, kryeneçësia e “Klan Kosovës” po i kushton edhe në fitim. Alaudin Hamiti, producent i këtij televizioni, thotë se qëllimi është që shoqërisë kosovare t’i serviren seri kualitative, që janë ato amerikane.
“Për shembull, ‘Doctor House’ në të gjithë botën është një prej serive më të shikuara”, thotë Hamiti. “Shikueshmëria e fundit në Francë, në prime time, arrinte diku 7 milionë dhe është seria më e shikuar e natës”.
“Te ne është krejt e kundërta, edhe pse e transmetojmë këtë seri”, thotë Hamiti.
Ai thotë po ashtu që bizneset kosovare nuk janë aspak të interesuara të reklamohen në kuadër të serive amerikane që i transmeton “Klan Kosova”.
Ndërkaq, Selimaj nga KTV-ja thotë së seria “Dashuri dhe Ndëshkim” është në krye të tri programeve televizive që siguron të hyra më së shumti, pas “Oksigjenit” dhe lajmeve të mbrëmjes. Kjo është edhe arsyeja kryesore që televizionet tona janë fokusuar në këto lloj serish, thotë Artan Muhaxhiri.
“Këto seri kushtojnë lirë. Ka të tilla që nuk janë aq të lira, por prapëseprapë janë më të lira sesa seritë profesionale që krijohen në Amerikë ose në Britaninë e Madhe”, thotë ai.
Sipas rregullores për komunikimet komerciale audio-vizuale, kohëzgjatja e reklamimit televiziv dhe teleshopping (përfshirë reklamimin me ekran të ndarë dhe telepromocionin) për transmetuesit televizivë komercialë nuk duhet të kalojë dymbëdhjetë minuta për orë, me përjashtim të dritareve të teleshopping. Mirëpo, Liridon Dalipi, drejtor i departamentit ligjor në Komisionin e Pavarur për Media, thotë se ka pasur shkelje nga transmetuesit.
“Ka pasur shkelje edhe në të kaluarën, edhe kohëve të fundit. KPM-ja, në bazë të procedurave, ka ndërmarrë veprime ligjore të parapara”, thotë ai.
KPM-ja, në dhjetor të vitit të kaluar, i ka bërë vërejtje RTV21 dhe në tetor “Klan Kosovës”, pasi kishin monitoruar më se katër herë gjendjen, ku ata kalonin më shumë se 12 minuta reklama brenda një ore, duke thyer kështu rregullat. KTV-ja ka marrë vërejtje të njëjtë më 8 janar 2013.
Producentët e televizioneve nacionale, që transmetojnë seriale turke e amerikano-latine e pranojnë se televizionet janë ato të cilat e imponojnë shijen, mirëpo ata veprojnë gjithmonë në bazë të kërkesave të shikuesit.
“Asnjëherë nuk na është kërkuar nga shikuesit të transmetojmë program edukativ, ndryshe nga kërkesat për transmetimin e serialeve”, thotë Dardan Selimaj.
Përkundrazi, thotë ai, ka pasur ankesa nga shikuesit për disa prodhime amerikane, kryesisht për filma.
E për të prodhuar emisione argëtuese vetanake si “Oksigjeni”, shton Selimaj, ato kushtojnë, dhe tregu kosovar është i vogël përkundër se ndoshta do të kishin shikueshmëri.
Kështu, një prodhim kosovar me shikueshmëri rekord janë “Stupcat”, të cilët vazhdimisht kërkohen nga shikuesit. Ata kanë video me më shumë se 1 milion klikime në “YouTube”.
Agron Sokoli, producent i “Stupcave”, thotë se nuk kanë pasur oferta konkrete nga televizionet nacionale, “sepse me evoluimin e ‘Stupcave’ është rritur edhe kostoja e tyre, duke pasur parasysh që gjithmonë qëllimi kryesor i ‘Stupcave’ është kualiteti”.
Ai thotë se e vetmja mënyrë që ata të jenë më afër publikut është përmes videove që i postojnë në “YouTube”, por se janë në bisedime me disa organizata të huaja për donacione, në mënyrë që të jenë prezentë në televizionet nacionale.
Marrë nga gazeta Jeta në Kosovë





