“Klonoi” adresën në “Facebook”, dënohet

Untitled-1 
“Arbër Prengaj hapi llogari me emrin dhe fotot e një femre, duke postuar pornografi”

Sokol Çobo

Një 26-vjeçar është dënuar nga gjykata me 6 muaj burg, pasi akuzohet se ka “klonuar” një adresë “Facebook”-u të një shtetaseje, duke i marrë të dhënat personale, fotografitë dhe moshën. Ai ka krijuar një faqe të re, ndërsa i ka marrë shokët edhe shoqet virtuale, duke biseduar me ta. Arbër Prengaj është gjetur fajtor për akuzën e falsifikimit kompjuterik, akuzë të cilën e ka pranuar. Sipas vendimit të gjykatës, një kopje të së cilës disponon edhe gazeta “Shqip”, i pandehuri ka hedhur në internet edhe fotografi pornografike në profilin e “Facebook”-ut me emrin e të dëmtuarës.

Denoncimi

Më datë 16 gusht 2011, në Policinë e Tiranës, është paraqitur dhe ka depozituar një kallëzim penal Valbona R. E dëmtuara ka përcaktuar se në rrjetin kompjuterik social “Facebook”, ka të hapur një faqe personale të saj të titulluar Valbona R., të shoqëruar me adresën e saj të e-mail-it. Valbona ka shpjeguar se në datat 3, 4 gusht 2011, është ftuar për t’u bërë “Friends”, në adresën e saj nga një faqe tjetër, profil tjetër i quajtur Valbona R. Ky profil në rrjetin kompjuterik “Facebook”, nuk ishte krijuar nga kallëzuesja Valbona Rustemi. Në këtë profil, i quajtur Valbona R, gjendeshin foto që i përkisnin Valbonës. Këto foto ishin pikërisht ato, që kallëzuesja i kishte hedhur në faqen e saj të “Facebook”-ut me emrin e saj dhe mund të shikoheshin dhe nga përdoruesit e tjerë të këtij rrjeti kompjuterik, të cilët nuk ishin bërë “Friends” të faqes së saj. Nga profili tjetër i rrjetit kompjuterik, kallëzueses i kanë shkuar disa mesazhe, ku personi që e kontaktonte, pretendonte se e njihte dhe i kërkonte numrin e saj telefonik. E dëmtuara nuk i është përgjigjur personit që ka kërkuar këto të dhëna, dhe që nuk është njohur nga kallëzuesja. Në datën 10 gusht 2011, Valbona ka takuar një shoqen e saj me emrin Zana. Në bisedë e sipër, Zana i ka thënë kallëzueses se nga një profil në rrjetin kompjuterik “Faceboook”, në emrin Valbona R., me fotografitë e saj, i kishin dërguar mesazhe fyese dhe të rënda në drejtim të saj, (Zanës). Kallëzuesja ka shpjeguar se profili i faqes së “Facebook”-ut në emrin e Valbonës nuk i përket asaj. I njëjti person dhe pikërisht i pandehuri Arber Prengaj, ka krijuar shqetësime dhe në adresën e “Facebook”-ut të vajzës së saj, si dhe në adresë të e-mail-it që i përkiste vajzës së saj. I pandehuri Arbër Prengaj, ka vazhduar të dërgojë në adresë të Valbonës foto pornografike dhe të krijojë dhe profile të tjera në emrin Kristalina, Valbona dhe Valbona R.
Hetimet
Në kuadër të hetimit të çështjes janë administruar printime të faqeve të “Facebook”-ut, ku janë konstatuar komunikime të këtyre adresave të rrjetit kompjuterik “Facebook” me adresën zyrtare të shtetases Valbona R, si dhe dërgime të fotove pornografike në adresën zyrtare të kallëzueses Valbona R. Kallëzuesja ka dyshuar se këto veprime të kundërligjshme janë kryer nga një person i cili e ka telefonuar me numër të fshehur në datat 29 dhe 30 tetor 2012. Nisur nga këto fakte është kërkuar informacion nga një kompani celulare për trafikun e telefonatave të numrit telefonik në drejtim të kallëzueses. Ka rezultuar se e dëmtuara është telefonuar nga dy numra telefonikë. Nga hetimi ka rezultuar se pronarë të këtyre numrave janë i pandehuri Arbër Prenga dhe nëna e tij, shtetasja Pashkë Prenga.

Dëshmia

I pandehuri: E bëra se më fshiu nga lista e miqve në “Facebook”

Arbër Prengaj ka pranuar faktin se e njeh Valbonën dhe se kanë qenë në marrëdhënie shoqërore “Friends” në rrjetin social “Facebook” që prej një viti. I pandehuri ka theksuar se pasi ka komunikuar disa herë me të dëmtuarën ajo më pas nuk ka dëshiruar ta kishte “Friends” dhe e ka fshirë nga lista. I pandehuri Arbër Prengaj, pas këtyre veprimeve, e cila i ka mohuar komunikimin me të me anë të rrjetit kompjuterik, duke dëshiruar që të ketë kontakte me këtë shtetase, pasi është konsultuar me një shokun e tij me njohuri të mira kompjuterike, ka hapur, krijuar, një faqe të re në rrjetin social “Facebook” me emrin e kallëzueses Valbona. I pandehuri është futur, ka marrë të dhëna dhe fotografi në faqen “Facebook” të kallëzueses Valbona duke krijuar faqe të re me fotografi të saj, me emrin Valbona Rustemaj, me të dhëna të rreme me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në dëm të Valbonës. Ai e ka pranuar këtë fakt gjatë hetimeve dhe gjykimit duke treguar pendim të thellë.