“SI I KËRKUAM KLINTONIT MË ‘93 SULME MBI SERBI”


Nga: Lorenc Vangjeli


Rrëfimi i deputetit Arian Starova, çfarë ndodhi 14 vjet më parë në Zyrën Ovale, në takimin e Presidentit Klinton me kryeministrin Aleksandër Meksi. Interesi për Kosovën dhe mënyrat sesi mund të parandalohej lufta që do të niste vetëm 6 vite më vonë. Shqipëria vë në dispozicion të SHBA-së hapësirën e saj dhe akuzat në Tiranë për cënim të sovranitetit kombëtar

Po! Qeveria shqiptare ka kërkuar zyrtarisht sulme ajrore mbi Serbi që në prill të vitit 1993. E kemi bërë këtë deklarim me ish-Presidentin amerikan Bill Klinton, duke e konsideruar si mënyrën e vetme që të ndalej genocidi që kishte nisur në Bosnje dhe do të merrte më pas përmasa të frikshme në Kosovë, si dhe të parandalohej lufta që po përgatiste po në Kosovë, Slobodan Milosheviçi”. Mbas 14 vjetesh, deputeti Arian Starova, ish-zëvendësministër i jashtëm në vitet ’90, tregon një nga misteret më të mëdha të ruajtura me xhelozi, për shkak të sekretit shtetëror dhe mbi të gjitha, për shkak të faktit që kjo ishte një çështje shumë delikate.
Pak ditë mbas vizitës së parë në Tiranë të një Presidenti amerikan, Starova tregon për MAPO një nga episodet më interesante të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por natyrisht dhe më të panjohurin, të paktën në Tiranë. Ky takim madje nuk u përmend as në specialet që përgatitën televizionet shqiptare për historikun e marëdhënieve shqiptaro-amerikane pak ditë më parë. Më parë, vetë ish-kryeministri Aleksandër Meksi, protagonist i këtij takimi e ka përmendur shkarazi në një intervistë të tij. Gjithashtu, në arkivat e Departamentit Amerikan te Shtetit, padyshim që kjo kërkesë zyrtare e Shqipërisë ndodhet e fiksuar dhe madje ajo përmendet dhe në një libër të një diplomati amerikan që ka shërbyer në rajon, në Slloveni, në këtë periudhe. Që gjithsesi nënvizon se SHBA, pavarësisht se kishte përcaktuar prej kohësh vijën e kuqe poshtë të cilës nuk duhej të zbriste Milosheviçi, Kosovën, në atë periudhë ishte e përqëndruar në luftën që po zhvillohej në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë dhe kërkimin me çdo kusht të rivendosjes së paqes aty. Në fakt ajo kohë ishte paradhoma e marrëveshjes së Dejtonit, që do të ndodhte dy vjet më vonë, ku Miloshevic kishte akoma një rol prej “paqebërësi”. Të paktën ashtu sic shpresonin ende në Uashington.
Po në atë periudhë, ka dhe një përkitje veçanërisht interesante; ndërsa qeveria shqiptare kërkonte zyrtarisht bombardime në Serbi, ish-Presidenti i Republikës, zoti Berisha, përfshihej në atë çka më pas u konsiderua si thyerje e embargos së OKB-së vendosur ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Në shtator të të të njëjtit vit, Berisha pret Momir Bulatoviç, në atë kohë, president i Malit të Zi, takim i mbajtur në Tiranë që i hapi rrugë formalisht lumit të naftës që përfundonte në Republikën e vogël veriore dhe pastaj derdhej ku të mundej nëpër ish-Jugosllavi. “Në makinerinë Serbe të luftës”, akuzonte opozita e atëhershme dhe e sotme shqiptare; “Për të mos e lënë popullin e Kosovës dhe atë malazez që të vuanin pasojat e embargos”, pranonte vetë Berisha në dhjetorin e vitit të kaluar.

Takimi
Në rrëfimin e tij për takimin me Presidentin Bill Klinton, deputeti Starova është i përmbajtur dhe duket që një pjesë të detajeve kërkon ende ta ruajë me fanatizëm. “Ndodhesha në delegacionin qeveritar të kryesuar nga Aleksandër Meksi, kryeministër i asaj kohe. Në Uashington kishim shkuar me ftesë për ditën botërore të përkujtimit të Holokaustit dhe na njoftuan që do të priteshim fillimisht nga zëvendëspresidenti amerikan Al Gore. E kujtoj mirë që ky propozim na u bë nga një punonjëse amerikane e protokollit që na pyeti nëse do ta donim një takim të tillë. “Pse jo, nëse Zëvendëspresidenti Al Gore do ta kërkojë një gjë të tillë, ne pranojmë me kënaqësi”, ishte përgjigja që dha me humor delegacioni shqiptar. Starova thotë se për ta kjo ishte surprizë. “Në Uashington ndodheshin dhe shumë delegacione të tjera nga gjithë bota, kryetarë shtetesh dhe kryeministra dhe kjo vëmendje na u duk si një ogur i mbarë”. Starova kujton se Al Gore i takoi fillimisht që në sallën e pritjes dhe se u tha menjëherë që e njihte Shqipërinë dhe falë një mikut të tij shqiptaro-amerikan, Bill Kovaç, gazetar i Neë York Times.
Por Al Gore ishte vetëm ndalesa e parë. Ai i futi krahun ish-kryeministrit Meksi dhe i gjithë delegacioni shqiptar u drejtua në Zyrën Ovale që ndodhej pak metra më tej. Aty i priste vetë Presidenti Klinton. Të paralajmëruar nga protokolli që takimi nuk do të zgjaste më shumë se 15 minuta, ngjarjet mbas derës së rëndë do të merrnin një drejtim të paimagjinueshëm për delegacionin nga Tirana. Tre shqiptarët, Meksi, Starova, ish-ambasadori shqiptar në SHBA Roland Bimo, por dhe përkthyesi shqiptaro-amerikan Frenk Shkreli, do të ndesheshin me një zhvillim të papritur; amerikanët do të kërkonin zyrtarisht mendimin shqiptar për Kosovën, të tashmen e të ardhmen e saj, por dhe për parashikimin shqiptar për rrjedhën e mundshme të ngjarjeve. Dhe ishte radha e shqiptarëve që të afronin “të papriturën” e tyre.

Klinton
“Zoti President! Qeveria shqiptare mendon se mbi Serbi duhet të nisin sulmet ajrore. Kjo është mënyra e vetme që të qetësohet i gjithë rajoni”. Aleksandër Meksi nuk kishte hezituar të shfrytëzonte fatin që Shqipëria kishte marrë papritur që të ishte një zë që do të dëgjohej në qendrën botërore të vendimmarrjes. Starova e kujton mirë këtë detaj. Ishin zyrtarët e parë shqiptarë që takoheshin me Presidentin Klinton, që kishte nisur një presidencë ambicioze dhe që vetëm gjashtë vite më pas, do të bënte realitet pikërisht atë që ngjante me një mision të pamundur në prillin e largët 1993. Për t´u shndërruar në një hero të shqiptarëve dhe për tu pasuar nga një tjetër amerikan gjithashtu hero për shqiptarët, Presidenti Bush, që kësaj here në Tiranë, 14 vjet më pas, do të tregonte se rruga e vetme për Kosovën është pavarësia.
“E kujtoj mirë ndriçimin e Zyrës Ovale. E kujtoj mirë që biseda, ajo u zhvillua e gjitha në anglisht dhe pa ndërhyrjen e përkthyesit, nisi pikërisht me Kosovën. Pikërisht me pyetjen e Presidentit Klinton se çfarë mendonte Shqipëria për Kosovën. “Sulme ajore mbi Serbi”, ishte përgjigja e kryeministrit dhe mbas saj pati një moment të gjatë pauze. Ndoshta kjo ishte fjalia që dhe vetë Presidenti Klinton do të donte të dëgjonte, por që vetë zgjodhi të mos shprehej për mundësinë apo pamundësinë e kësaj ndërhyrjeje”, kujton Starova.
Sipas tij Meksi bëri fare shkurt një retrospektivë historike të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Meksi ishte në fushën e tij, historinë, ndaj e shpjegoi atë me fjalë të pakta, që nga koha e ndarjes së Kosovës nga Shqipëria e deri në preludin e viteve ´90 kur kishte nisur dizintegrimi i ish-Jugosllavisë. Në fillim Sllovenia, pastaj Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina kishin njohur luftën dhe dukej se lufta do të ishte mjeti i vetëm për të vendosur paqen në Kosovë, stacionin e fundit të saj. Sipas ish-kryeministrit shqiptar, sanksionet ekonomike të vendosura për Serbinë dhe Malin e Zi ishin të pamjaftueshme për të ndalur Milosheviçin në planet e tij për krijimin e Serbisë së madhe. Ato duhej të shoqëroheshin patjetër me ndërhyrje të vendosur ushtarake dhe me gjuhën e forcës. Që sipas shqiptarëve duhej të drejtohej mbi aeroportet, bazat ushtarake serbe dhe rrugët e furnizimit nga Beogradi për serbët e Bosnjes.
Starova kujton se Presidenti Klinton desh të dinte më shumë se çdo të bënte dhe çfarë afronte Shqipëria. “Gjithçka që kemi. Ne do t´ju vemë në dispozicion të gjithë hapësirën tonë ajrore, tokësore dhe detare me kërkesën tuaj më të parë”, ishte përgjigja e Meksit, sërish e njëjta që dukej se vetë Presidenti Klinton kërkonte ta dëgjonte. Të ardhur nga profesione që dikur nuk kishin të bënin me politikën, tre shqiptarët në Zyrën Ovale, tani u duhej të preknin drejtpërdrejt pjesën më të rëndësishme të politikës shqiptare. Aleksandër Meksi, ish-kryeministër gjithashtu e kujton mirë atë moment. E pranon që ekzaktësisht në 13 prill 1993, i ka kërkuar zyrtarisht, në emër të qeverisë shqiptare Presidentit Klinton ndërhyrje në Serbi. Me vetëm një vit qëndrim në karrigen e Kryeministrit, kur i ishte dashur më shumë të merrej me luftën e përditshme për sigurimin e bukës, vajit e sheqerit për një popull në kufinjtë e urisë në Shqipëri, ai nuk e kishte menduar ndoshta kurrë se Shqipëria, me gojën e tij, do të fliste në Uashington për luftën, atë të vërtetën me avionë, luftanije dhe ushtarë. “E dija që ato ishin nga minutat më të çmuara që duhej t´i “shpenzonim” në mënyrë të çmuar. Vëmendja e të mëdhenjve të kësaj bote normalisht që është një gjë që nuk zgjat shumë dhe duhej të dëshmoja të vërtetën tonë për Kosovën, por dhe gjithë Shqipërinë. Fola për genocidin serb, por dhe për optimizimin tonë për ndarjen nga komunizmi dhe etjen për t´ju bashkuar botës së lirë”, thotë Meksi, që pretendoi përpara Presidentit Klinton se pa zgjidhjen e problemit shqiptar në rajon nuk do të kishte qetësi për të gjithë rajonin.
Takimi i planifikuar për vetëm 15 minuta kishte zgjatur dyfish. Në fund të tij, zëvendëspresidenti Al Gore kishte propozuar të pozonin përpara fotografit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë. Një foto e Presidentit Bill Klinton me Aleksandër Meksin me duar të shtrënguara dhe më pas dhe një foto e gjithë pjestarëve në takim vijnë në Tiranë vetëm tetë ditë më pas, në datën 21 prill 1993. Një bisedë natyrisht e regjistruar në Ëashington, por që ekstrakte të saj ndodhen dhe në arivin e Këshillit të Ministrave dhe në Ministrinë e Jashtme shqiptare.
Takimi i Presidentit Klinton me delegacionin nga Tirana ishte i fundit i planifikuar. Presidenti Klinton dhe Meksi dalin së bashku nga zyra dhe përshkrojnë së bashku rrugën deri në sallën e pritjes ku ndodheshin dhe delegacionet e tjera të pranishëm për të bërë foton zyrtare. Por përpara saj, Meksi firmos në librin e posaçëm të vizitorëve të Zyrës Ovale. Me një stilograf të verdhë me mbishkrimin “Presidenti Klinton”, të cilin sipas protokollit amerikan duhet ta merrte me vete në Tiranë si suvenir.

Heshtja dhe Tirana
Asnjë nga protagonistët e këtij takimi të pazakontë nuk e theu rregullin e heshtjes. Edhe pse aso kohe pa përvojën e mundshme në diplomaci, ata patën mençurinë që të mos lejonin daljen në publik të asnjë detaji nga takimi. Në Tiranë u mësua vetëm një fakt zyrtar. Që Shqipëria kishte afruar edhe zyrtarisht pranimin e saj për të vënë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara hapësirën e saj ajrore, tokësore dhe detare. Fatkeqësisht, opozita e atëhershme, e keqkuptoi thelbin e kësaj oferte shqiptare. Në kushtet e mungesës së informacionit, kjo gjë u konsiderua madje edhe si cënim i sovranitetit kombëtar. Aleksandër Meksi u thirr në interpelancë në Kuvend për të shpjeguar arsyet e një vendimi të tillë dhe refuzoi ta bëjë. Ai vetë, por dhe dëshmitarët e takimit të pazakontë ndjeheshin të detyruar të mos dekonspironin bisedën e bërë në Zyrën Ovale me Presidentin Klinton, në të cilën, gjatë atyre minutave të çmuara ata patën mundësinë të dëgjoheshin në vendin e vendimmarrjes botërore. Pikërisht në ditën përkujtimore për holokaustin, kur u përpoqën të kontribuojnë për të ndalur “holokaustin” që po përgatitej në Kosovë. Ekzaktësisht gjashtë vjet më pas, SHBA do të kryesonte koalicionin më të madh ushtarak të të gjitha kohërave që do të sulmonte Serbinë për të mbrojtur parimet e lirisë dhe të demokracisë. Dhe po ekzaktësisht tetë vjet më pas, në ditën kur Milosheviçi do të urdhëronte tërheqjen e trupave serbe nga Kosova, një tjetër President amerikan, Xhorxh W. Bush, do të deklarohej pa mëdyshje në Tiranë për pavarësinë e Kosovës.