Ajo që duan shumica e kosovareve eshtë pavarsia. Kjo është e kuptueshme padyshim. Pas gjithë asaj neper çka ata kane kaluar, është krejt e natyrshme që ata ta barazojne sovranitetin me mbi jetesen. Por parimi per te cilin ne dhe aleatet tane kemi luftuar ne Ballkan eshtë parimi i një demokracie tolerante, multietnike dhe gjitheperfshirëse. Ne kemi luftuar kunder idese se shtetesia duhet të mbështetet teresisht mbi karakterin etnik. Zgjidhja më e mirë për të gjitha vëndet e Europës Juglindore nuk është një ngatërrim i pafund i kufijve të tyre, por një integrim më i madh në një Evropë në të cilën sovraniteti ka rëndësi, por në të cilën kufijtë po bëhen përherë e më të hapur e më pak të rëndësishëm në kuptimin negativ.
Bill Klinton («Ne luftën, ju paqen», f.223)
Diplomacia e pengjeve dhe diplomacia e « gabimeve » me bomba ? ! !
Tiranë, Prill 1999
U mbushën një muaj e gjysëm që forcat e Natos të udhëhequra nga Amerika po bombardojnë Jugosllavinë dhe megjithatë Milosheviçi nuk po dorëzohet. U mbushën një muaj e gjysëm që shqiptarët e Kosovës, po deportohen nga trojet e tyre me dhunë dhe masakra, e megjithatë kujdesi i politikës dhe propagandës deri tani është vetëm humanitar. U mbushën një muaj e gjysëm luftë politike e diplomatike e hapur dhe e fshehtë e megjithatë gjenocidi mbi shqiptarët vazhdon, masakrat vazhdojnë, Kosova vazhdon të zbrazet. Përkundër përpjekjeve të Natos që aleanca të jetë e bashkuar, ka kohë që në Europë ka dalë në skenë lobi sërb, i cili po bën të gjitha përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë regjimit të Beogradit. Kjo dukuri e bën situatën më komplekse dhe plot të papritura për të ardhmen e Kosovës por dhe të Shqipërisë. Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja : Si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen ? Në mungesë të njohjes së prapaskenës së politikës dhe diplomacisë euro-amerikane, jemi të detyruar që të deshifrojmë frazat me ekuivoke, veprimet shpesh herë kontradiktore të vendeve të ndryshme pjesmarrës në bombardime etj. Njëkohësisht është e nevojshme që të krijohet një gjykim realist mbi parullën që është bërë më e përhapura në Shqipëri, se « Shqipërinë dhe Kosovën do t’i mbrojë Nato ». Pavarsisht nga dobësia e faktorit shqiptar në Kosovë dhe n¨èe Shqipëri, është e papranueshme dhe e dëmshme që faktorët politikë shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri, të bëjnë të tyren mentalitetin e rrugës dhe njeriut të thjeshtë në Shqipëri, që çdo gjë do ta zgjidhë Nato dhe Amerika. Në politikë sado i dobët të jesh ekonomikisht dhe ushtarakisht, në fund të fundit kërkohet partneritet dhe analizë serioze e situatës politike dhe sociale, për të llogaritur dhe variantet më të vështira që mund të ndodhin si rezultat i ndryshimit të konjukturave ndërkombëtare, duke ju dalë atyre përpara dhe duke i neutralizuar sa kohë që ato janë vetëm në potencë. Cilat mund të ishin disa nga variantet më të mundshme të zhvillimit të ardhshëm të ngjarjeve në Kosovë dhe në Shqipëri ?
Varianti i parë :
« Eshtë i poshtër, por është i yni »
Kur e pyetën presidentin amerikan Duajt Ajzenhauer se cili ishte mendimi i tij për diktatorin e Nikaraguas, Anastazio Somozën, ai u përgjegj në mënyrë lakonike : « E di që është i poshtër, por është i yni ».
Nëqoftëse do të hiqnim një paralele me qëndrimin e bashkësisë euroamerikane ndaj Milosheviçit, tablloja do të na paraqitet e tillë : Qëndrimi i politikës dhe diplomacisë anglo-amerikane është më i prerë dhe ka pak ekuivoke. Këtë qëndrim e vërejmë qysh nga fillimi i bombardimeve, si në intervistat apo deklaratat e shtypit e deri tek veprimet praktike. Amerikanët dhe anglezët së bashku kanë rreth 85% të dispozitivit ushtarak që po bombardon në Jugosllavi. Ndërsa qëndrimi i politikës dhe diplomacisë italiane, gjermane, franceze etj është plot ekuivoke dhe disa kuptimëshe.
Nga njëra anë nëpër fjalime apo intervista të ndryshme, disa politikanë europiane, pohojnë se Milosheviçi është një diktator, që ai po kryen gjenocid dhe masakra në Kosovë. Ndërsa nga ana tjetër veçanërisht në prapaskenë, qarqe të ndryshme politike dhe diplomatike në Europë, vazhdojnë ta mbështesin Milosheviçin, përpiqen ta shpëtojnë atë me sa më pak dhimbje. Në funksion të kësaj janë përpjekjet e politikës dhe diplomacisë gjermane, franceze, italiane mbi lloj lloj planesh me gjashtë, shtatë apo dy pika të cilat duhet t’i plotësojë Milosheviçi. Në fillim opinioni publik u njoh me pesë pikat e Natos të cilat duhet t’i përmbushte Milosheviçi. Disa ditë pas kësaj doli në skenë plani gjerman prej 6 pikash, i cili në thelb ishte nën nivelin e pesë pikave të natos, më vonë doli në skenë plani i të dërguarit rus, i cili u pasua nga deklarata e Zhospenit mbi nevojën e plotësimit vetëm të dy pikave nga ana e Milosheviçit. Dhe në fund doli në dritë plani i grupit të të tetëve. Interesante është se të gjitha këto plane, të hartuara në kulmin e masakrave dhe gjenocidit në Kosovë, janë nën nivelin e Marrëveshjes së Rambujesë e hartuar para fillimit të deportimit masiv të shqiptarëve. Pse ? Sepse ai, domethënë Milosheviçi, në fund të fundit « është i yni ». Siç duket kjo politike dhe diplomaci, në prapaskenën e saj, po përpiqet të shpëtojë Milosheviçin dhe jo popullin e Kosovës ! !.
Varianti i dytë :
Nxitja e përçarjes tek faktori politik i Kosovës
Eshtë një variant i mundshëm, që ka filluar të japë shënjat e para të tij. Para Rambujesë, dy të dëguarit e posaçëm, të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, Kristofer Hill dhe Volfagang Petriç, u përpoqën mjaft që faktori shqiptar në Rambuje të shkonte i bashkuar dhe e realizuan një gjë të tillë. Bile u arrit që kryetar i delegacionit shqiptar të zgjidhej përfaqësuesi i Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa aktualisht në kulmin e bombardimeve të Natos dhe kulmin e deportimit të Kosovarëve, në një pjesë të politikës dhe diplomacisë europiane ka filluar të ravijëzohet e kundërta ; nxitja e përçarjes në radhët e faktorit politik të Kosovës. Kjo dukuri tashme po konkretizohet. Në bazë të marrëveshjes së Rambujesë, formohet qeveria e Kosovës me kryeministër nga radhët e UçK-së. Por Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pranon ta njohë këtë qeveri. Nga Gjermania vjen në Tiranë Bujar Bukoshi dhe deklaron se « unë jam kryeministër ». Po përsëri Bukoshi shkon në Itali dhe atje e pret sekretari italian i shtetit në Ministrinë e jashtme Ranieri. Në Tiranë janë dy përfaqësues diplomatik nga Kosova, një i qeverisë së Bukoshit, i quajtur Ilaz Ramajli që ka dhe zyra dhe një i qeverisë së Thaçit, i quajtur Xhavit Haliti që nuk ka seli. Po në Tiranë ekziston dhe funksionon Ministria e Mbrojtjes e Bukoshit, ashtu siç fuksionojnë dhe struktura të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Thaçit. Për qeverinë shqiptare ky paradoks vazhdon të konsiderohet normal.
Lamberto Dini, bisedon me mikun e tij Slobodan Milosheviçin dhe Rugova mbrin në Romë. Cilësimi i tij politika dhe diplomacia italiane veçanërisht nga ministri i jashtëm Dini, është me synime përçarëse. Atë e quajnë « lideri i moderuar ». Aluzioni është shumë i hapur ndaj faktorëve të tjerë politike dhe ushtarakë të Kosovës veçanërisht ndaj Uçk-së që sipas Dinit, del të jetë ekstremiste. Siç duket në prapaskenën e politikës dhe diplomacisë se qarqeve të ndryshme europiane synohet përçarja e shqiptarëve për të lehtësuar Milosheviçin. Një perçarje reale midis shqiptarëve do të ishte në situatën aktuale, një ndihmë e jashtëzakonshme për regjimin e Beogradit. Megjithatë problemi që mbetet të analizohet dhe vëzhgohet është : Deri ky synohet kjo përçarje ? Mos vallë deri atje sa shqiptarët në Kosovë të fillojnë të luftojnë me njeri tjetrin edhe me armë? Mos vallë në sirtarët e diplomatëve dhe politikanëve të ndryshëm europianë ekziston dosja me emrin « Afganistan » në të cilin pas tërheqjes së trupave pushtuese sovjetike, filloi një luftë e egër e armatosur midis fraksioneve rivale . Mos vallë kjo politikë që deri dje bërtiste dhe « përbetohej » se Kosova nuk do të bëhet Bosnjë, megjithse deportimi u krye, nesër do bërtasë që « ne nuk mund të lëmë që Kosova të bëhet Afganistan », duke justifikuar mbetjen e Kosovës nën Jugosllavi. Kjo do të ishte shumë tragjike, megjithatë dhe ky është një variant.
Varianti i tretë :
Të eleminohet UçK-ja ! !
Në kushtet e një politike të sinqertë në mbështetjen ndaj shqiptarëve të Kosovës, pas bombardimeve mbi Serbinë, Aleanca Atllantike do të duhej të armatoste UçK-në. Një veprim i tillë do tja lehtësonte shumë punën Aleancës, nuk do të kishte nevojë për të hartuar plane për dërgimin e trupave tokësore, nuk do ta trëmbte opinionin publik të vëndeve të aleancës me frikën e vrasjes së djemve të tij dhe të « gogolit Vietnam » dhe do ta gjunjëzonte më shpejt regjimin e Beogradit. Por kjo nuk u bë dhe as nuk ka ndërmënd të bëhet. Përse vallë ? Kush ka frikë nga armatosja dhe forcimi i UçK-së ? Mos vallë synohet eleminimi i saj ? Shënjat e para kanë filluar të duken. Në dokumentin e G 8, figuron një pikë ku flitet për çarmatosjen e saj. Këtë kërkesë e paraqiti dhe e mbrojti edhe Ibrahim Rugova gjatë vizitave të tij në Itali dhe Gjermani. Për çarmatosjen e UçK-së janë të interesuara dhe shtresa të caktuara popullsie në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilave dalja në skenë e saj dhe fillimi i luftës u prishi komoditetin e jetës dhe pasurinë e fituar. Por këtë e ka kërkuar dhe e kërkon dhe Milosheviçi. Për më tepër eleminimi i UçK-së, nga europianët, do të ishte ndihma më e madhe që do t’i jepej atij dhe regjimit të tij. Do të jetë një variant tragjik, megjithatë është një variant i mundshëm.
Varianti i katërt :
Të ndryshojë struktura etnike e Kosovës !
Qëndrimi i deritanishëm i bashkësisë europiane, ndaj deportimit masiv dhe total të shqiptarëve, për shumëkë që beson sinqerisht fjalimet apo intervistat e përditshme të politikanëve dhe diplomatëve të ndryshëm, duket i pakuptueshëm. Ai konkretizohet në formën e pyetjes : « Cila është vlera e bombardimeve, kur Kosova po zbrazet e tëra ? Cila është vlera e bombardimeve kur UçK-ja nuk lejohet të armatoset e për më tepër kur as ushqime nuk u hidhen me avion atyre qindra mijra shqiptarëve që janë akoma në Kosovë?».
Siç duket prapaskena është tjetër nga ajo që paraqesin intervistat apo konferencat e shtypit. Tashme dihet nga të gjithë se përbërja etnike e Kosovës është 90% me 10% në favor të shqiptarëve. Llogaria e lobit proserb në Europë, mund të jetë e tillë : « Le ta lëmë Milosheviçin deri sa ta spastrojë plotësisht popullin e Kosovës. Le t’i marrim një pjesë prej tyre në Perëndim. Le të shkojnë shumica prej tyre në Shqipëri. Le të nxitim tek ata konceptin e dy atdheve. Më vonë një pjesë e mirë e tyre nuk do të kthehen dhe sido që të vijë puna, struktura etnike e popullsisë në Kosovë do të ndryshojë në dëm të shqiptarëve ». Duke dëgjuar pohimin e kryeministrit Majko se « Shqipëria mund të presë deri në një milion kosovarë », duket se ky variant ekziston realisht dhe ka filluar të zbatohet. Por nuk dihen akoma qartë dhe konkretisht, nxitësit dhe përkrahësit e këtij varianti në Europë.
Varianti i pestë
A do të ketë trazira dhe konflikt të armatosur në Shqipëri ?
Pyetja e mësipërme është një ndër variantet e mundshme të zhvillimit të ngjarjeve të ardhshme. Tentativa e parë e Milosheviçit në fillim të muajit prill, për të destabilizuar Shqipërinë duke deportuar kosovarët dështoi. Populli i Shqipërisë brënda varfërisë së tij në ditët e para të ardhjes masive të refugjatëve, nuk e lejoi këtë destabilizim dhe i dha mundësi qeverisë ta merrte situatën në dorë pas hutimit të ditëve të para.
Por Beogradi dhe përkrahësit e tij në Europë duket se nuk kanë hequr dorë nga përpjekjet për destabilizimin e Shqipërisë. Këto përpjekje do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, natyrisht të fshehta dhe të kamufluara. Në ndihmë të tyre janë disa elementë jetës politike dhe sociale shqiptare.
Së pari : Klasa politike shqiptare vazhdon të jetë e përçarë dhe siç duket as ka ndër mënd të bashkohet ndonjëherë. Bile mund të themi se aktualisht për4arjet nuk janë midis spektrit të majtë dhe të djathtë, por po shtohen shumë, qoftë brënda spektrit të majtë, qoftë atij të djathtë. Brënda partisë demokratike tashme ekzistojnë dy rryma, njëra për tu futur në parlament, tjetra që cvazhdon ta kundërshtojë një gjë të tillë. Brënda Partisë socialiste po ndodh e njëjta gjë. Eshtë shfaqur hapur një grup që kërkon rikthimin e Nanos në krye të partisë dhe një grup tjetër që e kundërshton këtë rikthim. Brënda koalicionit qeverisës po vërehet e njëjta dukuri. Ka disa ditë që lideri i Aleancës demokratike Neritan Ceka, ka bërë një sërë sulmesh ndaj qeverisjes aktuale, në të cilën ai është pjestar me ministrat e tij. Për Beogradin dhe lobin sërb në Europë, ky është një element i përshtatshëm për të kultivuar trazira fshehur pas luftës politike.
Së dyti : Disa politikanë shqiptarë të së majtës apo të së djathtës, gjatë periudhës 1991-1199, në mjaft raste e kanë fituar kredibilitetin e tyre, më tepër nga përkrahja e këtij apo atij shteti të fuqishëm se sa në sajë të vlerave të tyre intelektuale dhe civile. Kësisoj në mesin e tyre gjen mjaft sish që kanë nga një « pro » si parashtesë të cilësimit të tyre si për shëmbull pro amerikan, pro gjerman, pro italian, pro grek, pro francez etj, e cila në kushtet e pluralizmit shpreh preferencat ndaj këtij apo atij vëndi. A do të dinë këta politikanë dhe a janë ata të « lirë » që mbi preferencat ndaj këtij apo atij vëndi të fuqishëm të vënë preferencat kombëtare, në një kohë që realiteti politik i Kosovës ka nxjerrë në pah interesat dhe rivalitet midis vëndeve të ndryshme të koalicionit euro-amerikan ? Mbetet të shihet konkretisht në të ardhmen.
Së treti : Varfëria e popullit shqiptar. Bujaria e treguar nga populli shqiptar ndaj vëllezërve të tij, tashmë dihet. Janë me mijra familje që e treguan këtë. Por dihet dhe një gjë tjetër, që mungesa e ndihmave, ardhja e refugjatëve të tjerë, sa më shumë që zgjat ankthi i shqiptarëve, aq më shumë këtë bujari ka rrezik ta kthejë në të kundërt. Për më tepër që si në Shqipëri, ashtu dhe në kosovë ka shtresa që kanë filluar ta nxitin një gjë të tillë.
Së katërti : Lobi serb që ka filluar të gjallërohet në europë, ka interes ta nxisë dhe do ta nxisë një gjë të tillë në Shqipëri. Dukuria e parë ka filluar të duket lidhur me ndihmat. Nëqoftëse do të vëzhgohet sasia dhe cilësia e ndihmave në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë, tablloja do të flasë se ndaj Maqedonisë që ka dhe më pak shqiptarë të deportuar, vëmëndja e bashkësisë është dhe më e madhe. Jo rastësisht vëndet europiane janë interesuar më shumë që të evakuojnë sa më shumë të deportuar nga Maqedonia. Preteksti që përdoret është ruajtja e raporteve etnike në Maqedoni dhe stabiliteti i saj. Ndërsa po kjo bashkësi qëndron indiferente ndaj kërkesës së disa partive parlamentare dhe jo parlamentare për të organizuar një referendum kundër pranisë së forcave të Natos në Maqedoni. Jo rastësisht, Presidenti i Italisë Skalfaro, gjeti rastin që në të njëjtën kohë, në Maqedoni të flasë për ndërprerjen e bombardimeve.
Varianti i gjashtë :
Shqiptarët të jetojnë në një shtet, në Shqipëri ! !
Përbën ndoshta variantin më tragjik në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Kërkesën e shqiptare në Kosovë, për liri dhe dinjitet kombëtar, lobi serb në Europë ti japë një zgjidhje të tillë. Të nxisë ardhjen e shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri (shifra që përmëndi Kryeministri Majko, për rreth një million kosovarë, është shumë shqetësuese. Po kështu pohimi i zv-kryeministrit Meta në takimin me Boninon, që qeveria shqiptare kërkon ndihmë, edhe për periudhën e dimrit për kosovarët, përsëri është shumë shqetësues). Të marrë masa për integrimin e tyre në Shqipëri, ta shtyjë kthimin e tyre në Kosovë në kalendat greke, të nxisë ikjen ilegale të tyre nëpërmjet detit dhe një ditë të bukur të thotë për ata që kanë mbetur në Shqipëri: « Nuk ka çështje kosovare, kosovarët e kanë shtetin e tyre Shqipërinë. Ata e quanin Shqipërinë shteti amë dhe ne i çuam tek nëna » !!? Kjo do të ishte cinizmi më i madh politik, megjithatë politika e njeh dhe cinizmin. Mjafton të kujtojmë deportimin dhe masakrimin e një milion e gjysëm armenëve nga Turqia gjatë luftës së parë botërore, për të parë se në këtë botë ndodhin dhe variante të tilla. Mjafton të kujtojmë dhe një fakt të tillë. Gjatë këtij shekulli që po lëmë pas në gjithë botën kanë ekzistuar 432 regjime të ndryshme, të cilat secili për hesap të vet ka folur për liri dhe të drejta njerëzore, por që të gjithë bashkë kanë vrarë 172 milion njerëz.
Varianti i shtatë :
A do të dinë shqiptarët të bëjnë shtet ?
Në prapaskenën e politikës euro-amerikane në qëndrimin ndaj Kosovës, pyetja e shtruar më lart përbën ndoshta një ndër hezitimet kryesore të tyre veçanërisht të amerikanëve, ndaj problemit kosovar.
Varianti i tetë
A do ketë luftë në Maqedoni ?
Eshtë një variant i mundshëm i cili mund të ndodhë në dy tabllo të ndryshme. Tablloja e parë : Në Maqedoni po vjen në rritje një frymë në aparencë antiNato, por që në thelb është antiamerikane. Këtë frymë e nxit psikologjia sllaviste dhe lobi serb në Europë. Demostratat e zhvilluara dhe diegia e ambasadës amerikane dhe angleze ishin dukuria e parë. Përpjekjet për të zhvilluar një referendum për largimin apo mbajtjen e trupave të natos që do të thotë për largimin apo mbajtjen e Maqedonisë nën influencën amerikane është dukuria e dytë tepër sinjifikative. Në kushtet e rritjes së kësaj fryme, Amerika mund të hakmerret ndaj Europës dhe lobit serb në Evropë, duke nxitur shqiptarët dhe UçK-në të fillojë luftën dhe në Maqedoni, veprim që do të kishte pasoja katastrofike për paqen në Europë, pasi do të angazhonte në konflikt Turqinë, Bullgarinë, Greqinë dhe vënde të tjera europiane.
Tablloja e dytë : Ushtria çlirimtare e Kosovës, arriti ta sigurojë mbështetjen e Amerikës, deri tani veç të tjerash sepse ajo e siguroi atë se nuk do ta prekte Maqedoninë. Dhe drejtuesit e UçK-së me këtë veprim treguan një pjekuri të madhe politike, treguan se ata dijnë të bëjnë dhe politikë. Prandaj, në listat e dëshmorëve që janë vrarë në Kosovë, figurojnë dhe mjaft shqiptarë nga Maqedonia, më i shquari nga të cilët ishte Ismet Jashari, me pseudonimin « Komandant Kumanova », prandaj dhe sot si këshilltarë apo përfaqësues diplomatikë të qeverisë « Thaçi », ka mjaft shqiptarë nga Maqedonia.
Megjithatë mund të ndodhë, që për hir të konjukturave të ndryshme, për hir të balancit të forcave brënda Europës apo në rang global, Amerika të tërhiqet nga mbështetja që i ka bërë dhe po i bën UçK-së. Në një mundësi të tillë, UçK-ja e tradhëtuar, mund të bëjë një hap tjetër, ta konsiderojë të pavlefshëm fjalën e dhënë për mos prekjen e Maqedonisë. Por ashtu si në tabllonë e parë, edhe në tabllonë e dytë, flaka e Maqedonisë do përhapet shumë shpejt dhe në rajonë të tjera të Evropës.
Varianti i nëntë:
Interesat jetike të Amerikës dhe çështja shqiptare
Në datën 22 Mars 1999, Kryetari i Amerikës, Klinton deklaroi se Amerika në Kosovë ka interesa jetike. Dy ditë pas kësaj deklarate, mbi Sërbi filluan bombardimet e Natos. Në pjesmarrjen në bombardime, forca ushtarake e Amerikës, përbën rreth 80% të dispozitivit ushtarak të Natos. Përputhja në vazhdimësi e interesave të Amerikës në rajonin e Ballkanit me interesat e shqiptarëve të Kosovës, përbën variantin më të mirë dhe më të plotë të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Problemi që kërkon analizë është : Sa do të jenë të konsoliduara këto interesa dhe deri ku shtrihen ato. Zyrtarisht në Jugosllavi bombardon Nato, ndërsa realisht është Amerika ajo që bombardon pas flamurit të Natos. Gjatë këtyre sulmeve Amerika, arriti disa synime njëherësh
E para : Ajo testoi organizatën e Atlantikut verior dhe konkluzioni ishte se jo të gjithë antarët e Natos janë të gatshëm për të vepruar njësoj. Italia, Greqia, Portugalia, në një farë mase Gjermania dhe Franca ranë në grackën amerikane. Prandaj dhe në fjalimin e mbajtur me rastin e 50 vjetorit të Natos, Kryetari i Amerikës, Bill Klinton në fjalimin e mbajtur përmëndi me emër vetëm Anglinë, Turqinë, Spanjën, duke « harruar » Italinë dhe Gjermaninë.
E dyta : Amerika uli tensionin në vëndet muslimane të Lindjes së mesme. Deklarata e Klintonit se ne do t’i mbrojmë « muslimanët » e Kosovës, për tju kundërvënë propagandës se sërbëve dhe lobit serb në Europë që donte ta kanalizonte luftën në Kosovë si luftë fetare, u prit shumë mirë nga vëndet arabe. Dy ditë pas kësaj, ministri i jashtëm i Iranit si përfaqësues i Lidhjes islamike vjen në Shqipëri dhe mbështet sulmet e Natos. Pas tij, një tjetër armik shekullor i Amerikës, Libia me anë të Kadafit deklaron se mbështet sulmet e Natos
E treta : Amerika i dha një mësim planeve të Europës për tu shkëputur nga ajo.
Retrospektivë
Sen-Malo 4 Dhjetor 1998. Në takimin midis Shirakut, Zhospenit dhe Blerit, diskutohet dhe arrihet në përfundimin se « Europa duhet të ketë një kapacitet autonom veprimi mbështetur mbi forca ushtarake kredible »(Pjesë nga deklarata e përbashkët midis Shirakut dhe Blerit në Sen-Malo të Francës në 4 Dhjetor 1998). Në 15 Mars 1999 në takimin e nivelit të lartë të Berlinit, ishte Gjermania dhe Italia që e kërkuan me urgjencë krijimin me urgjencë të një force ushtarake evropiane, dhe pati një tërheqje të Anglisë. Analiza e fjalëve « autonome » dhe « kredible » do të thotë, eleminimi i Natos ku parësore është Amerika dhe krijimi i një force tjetër ushtarake e cila ta trajtonte Amerikën vetëm si mik të largët dhe asgjë tjetër. Por ndërkaq kishte filluar për herë të dytë Konferenca e Rambujesë për të zgjidhur një problem europian, atë të Kosovës. Ashtu si herën e parë, ky problem ishte lënë për ta zgjidhur nga dy vënde, nga Franca dhe Anglia. Siç u pa më vonë, kjo nu kishte gjë tjetër veçse një grackë amerikane, e cila u kap shumë vonë nga diplomacia europiane. Nëqoftëse sërbët do të kishin firmosur në Rambuje, ky do të ishte triumf i Evropës mbi Amerikën. Por serbët refuzuan kompromisin e Rambujesë dhe atëhere evropianët u detyruan të pranojnë se akoma ata nuk mund t’i zgjidhin problemet rajonale në Evropë pa Amerikën dhe prandaj u detyruan tu binden amerikanëve.
Varianti i dhjetë :
Diplomacia e pengjeve dhe diplomacia e gabimeve me bomba
Për shumë kohë, Rugova gjatë paraqitjeve të tij në televizionin sërb në takime me Milosheviçin, Milutinoviçin dhe Shahinoviçin, trajtohej nga politika dhe diplomacia si « peng » i serbëve. Por papritur si rezultat i kombinacioneve politike midis Lamberto Dinit dhe Milosheviçit, ai mbrin në Romë. Qysh në deklaratat e para dhënë shtypit, ai deklaron se takimet me udhheqësit sërbë i kishte zhvilluar vetë, pa asnjë lloj kërcënimi dhe detyrimi nga policia sërbe. Megjithatë diplomacia italiane vazhdon t’i përmbahet emërtimit « peng ». Pritja që ju bë dhe vazhdon t’i bëhet Rugovës nga qarqe të ndryshme politike dhe diplomatike Evropiane, duket se vetëm në pamje të parë ka të bëjë me Rugovën. Në realitet tashme që ai është në Itali, ai vërtet mund të konsiderohet « peng ». Ndërsa në thelb qëndrimi ndaj Rugovës, duhet të ketë të bëjë me doktrinën e Rugovës, me kthimin pas të çështjes shqiptare në vitet 1991-1998. Lobit sërb në Europë dhe përkrahësve të tij në kancelaritë e ndryshme politike dhe diplomatike europiane u shkon dhe u intereson shumë kjo doktrinë paqësore në mardhëniet me Serbinë. Pacifizmi i Rugovës , për 8 vjet rrjesht nuk i krijoi asnjë problem Sërbisë, përkundrazi probleme u krijoi vetëm shqiptarëve. Siç duket përpjekjet bëhen, që të çvleftësohet dhe Rambujeja, duke u kthyer tek marrëveshja e arsimit. Dlobi sërb në Europë kërkon që duke rehabilituar doktrinën e pacifizmit, realisht të eleminohet doktrina e UçK-së.
Një mundësi tjetër e këtyre qarqeve në qëndrimin ndaj Rugovës, ka të ngjarë të synojë shndrimin e tij si negociator midis Natos dhe Sërbisë. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Milosheviçit dhe lobit sërb në Europë. Por siç duket amerikanët, politika dhe diplomacia e tyre e kanë kuptuar këtë lojë të lobit sërb në Europë dhe nuk janë dakord. Janë disa dukuri që të çojnë në një konkluzion të tillë. Në mënyrë të përmbledhur nëqoftëse lobi serb ka filluar të manovrojë me anë të « diplomacisë së pengjeve », Amerika dhe mbështetësit e saj më të ngushtë në Evropë kanë filluar të lozin me anë të « diplomacisë së gabimeve me bomba » Në shtypin e shkruar dhe konferencën e shtypit në Bruksel, pas bombardimit të ambasadës kineze në beograd, u pohua se avionët e Natos gabuan tragjikisht kur goditën ambasadën kineze në Beograd. Kina bëri zhurmë të madhe, kinezët demonstruan para ambasadës amerikane, qeveria kineze ngriu disa marrëveshje me Amerikën. Ndërsa Amerika me anë të Kryetarit të saj Klinton, i kërkoi falje publike Kinës. Pas kësaj, kinezët ndaluan demonstratat, njoftuan opinionin e tyre publik për faljen që kërkoi Klintoni, por ngulën këmbë në një kusht : Sipas lajmeve, kinezët do të vinin veton në Këshillin e Sigurimit lidhur me diskutimin e planit të G8 për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Për rusët dhe lobin sërb, vendimi i kinezëve ishte i papritur dhe në disfavor të tyre. As vizita e Cernomërdinit dhe më vonë e Shrëderit në pekin nuk arritën t’i bindin kinezët që të ndrrojnë mëndje. Ndërsa për amerikanët, për politikën dhe diplomacinë e tyre, qëndrimi i Kinës ishte i favorshëm. Tashme ata kanë të drejtë tu thonë rusëve dhe antarëve të lëkundur të Aleancës : « E shikoni, kot ta paraqesim planin në Këshillin e Sigurimit, se nuk do të aprovohet. Prandaj të vazhdojmë akoma bombardimet kundër Beogradit »
Në politikë, kjo quhet « diplomacia e gabimeve me bomba », që u tregua me e suksesëshme se « diplomacia e pengjeve »
Në vënd të konkluzionit
Afrikanët kanë një thënie : « Sikur luanët ta shkruanin vetë historinë e tyre, ajo do të ishte kryjtësisht e ndryshme nga historia që kanë shkruar gjahtarët » «Luanët» e Drenicë, Llapit, Shalës, Nerodimes, Pashtrikut, Rrafshit të Dugagjinit etj, akoma nuk e kanë shkruar historinë e tyre, por janë duke luftuar në Kosovë. Le të shpresojmë se « luanët » këtë radhë do ta shkruajnë vetë historinë, dhe nuk do lejojnë që atë ta shkruajnë « gjahtarët » e politikës dhe diplomacisë në Shqipëri, Itali, Gjermani, Zvicër apo gjetiu.