PJESA E PESTË NË LËVIZJEN STUDENTORE DHE PJESËMARRJA NË PD




28.
Reportazhi i Fevziut në numrin e parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, për lëvizjen studentore

      Blendi Fevziu ka kërkuar që vajtjen e tij në gazetën e Partisë Demokratike të porsakrijuar, atë “Rilindja Demokratike”, e cila ishte gazeta e parë opozitare në Shqipëri, ta shpjegojë me bujën e supozuar që bënë intervistat e tij me shkrimtarët në gazetën “Studenti” në 1989. Në intervistën që i dha Ilva Tares në dhjetor 2011, në RTV Ora News, Fevziu tha se për vajtjen e tij në gazetën “Rilindja Demokratike”, u bënë shkak intervistat që ai bëri tek gazeta “Studenti”, së bashku me Ben Blushin. Në intervistën e përmendur më lart me Ilva Taren, ai thotë, duke e pasur fjalën për intervistat me shkrimtarët në gazetën “Studenti”:
      Kjo bëri një bujë të madhe dhe në vitin ’91 Preç Zogaj, i cili ishte intervistuar nga ne në atë kohë, na ftoi të merrnim pjesë në gazetën “Rilindja Demokratike”, sepse gazetarët e vjetër refuzonin që të bëheshin pjesë e gazetës.E mbaj mend ditën që ka ndodhur ekzaktësisht. Bëmë një mbledhje për krijimin e gazetës.Pastaj nuk dihej se kur do të krijohej.Kur një ditë, në bordurën përballë Hotel “Dajtit”, ku kaloja mbrëmjet, mesditat, mbërriti një djalë që quhej Dritan Kaba, një personazh i njohur i shtypit të këtyre viteve (Fevziu e ka fjalën për vitet që pasuan- K.M.) dhe më tha, hajde se të kërkon Frrok Çupi se do të bësh reportazhin hapës të “RD”-së.
      Në të vërtetë buja u bë për shkak të ndërprerjes së intervistave pas incidentit në shtëpinë e Shefqet Peçit. Atëherë Blendi Fevziun deshën ta përjashtojnë fare nga shkolla, por shpëtoi falë mbështetjes së zyrave sekrete të regjimit komunist. Nuk ngjan asfare e besueshme që Preç Zogaj ta ketë thirrur Fevziun në “RD” për shkak të përshtypjes që i patën bërë intervistat që ishin bërë dy vjet më parë në gazetën “Studenti”. Në gazetën “Studenti” patën shkruar shumë të rinj që ishin pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore. Duke përdorur si referencë një të dhënë kohore që na ka ofruar Blendi Fevziu në librin e tij me kujtime politike “Piedestale pa statuja”, dhe që do ta citoj më tutje, del se Dritan Kaba ka shkuar ta takojë tek bordurat në pasditen ose mbrëmjen e 30 dhjetorit 1990. Si mund të rrinte Fevziu atë pasdite ose mbrëmje, pa shkuar tek selia e gazetës “RD”, që ishte afër vendit ku gjendej ai kur e njoftuan, pas një lajmi të tillë? Kuptohet se Fevziu nuk u njoftua me anë të Dritan Kabës. Është interesante se Fevziu ka dhënë dy versione të ndryshme për mënyrën se si e njoftoi Dritan Kaba, për të bërë reportazhin “e famshëm”. Derisa tek intervista me Ilva Taren thotë se gjendej tek bordurat, në një pasdite ose mbrëmje, kur e thirrën për të bërë reportazhin, në librin e vet “Piedestale pa statuja”, Blendi Fevziu jep një tjetër version:
      Ishte mëngjesi i 31 dhjetorit kur duke shkuar në varrimin e vëllait të një shoqes sime më takoi D. Kaba. Isha së bashku me Beni Blushin (pikërisht “Beni”-K.M.).
      -Të kërkon Frroku, tha, ka që mbrëmë.
      -Di gjë përse?- pyeta.
      -Ndoshta për reportazhin e studentëve. Gazeta do dali të shtunën. Të gjitha janë gati.[i]
      Këtu, në një libër të shkruar në 1993, Blendi Fevziu thotë se Dritan Kaba e njoftoi në mëngjesin e 31 dhjetorit, kur po shkonte në një varrim. Derisa në versionin e parë, Dritan Kaba i kumton Fevziut kërkesën e kryeredaktorit të RD që të vinte të takohej me të se duhej të shkruante reportazhin për lëvizjen studentore, në versionin e dytë, Dritan Kaba i thotë Fevziut thjesht se Frrok Çupi e kishte dërguar që t’ i thoshte Blendit se duhej të vinte ta takonte në redaksi. Vetëm pasiqë Blendi e pyet nëse Kaba e dinte se përse bëhej fjalë, ky i fundit bën hipotezën se ndoshta bëhej fjalë për reportazhin për lëvizjen studentore. Më e besueshme duket që Frrok Çupi të mos i kishte treguar fare Kabës se përse e donte Fevziun.
      Në ato që i thotë Kaba Fevziut ka një të vërtetë, numri i parë i gazetës RD ishte menduar të dilte ditën e shtunë, në 3 janar. Duke qenë se plani ishte kështu, drejtuesit e “Rilindjes Demokratike” nuk mund ta linin për kaq vonë shkrimin e reportazhit për lëvizjen studentore në numrin e parë të gazetës, çka ishte ngjarja kryesore në vend në ato kohë. Më e besueshme duket që Preç Zogaj dhe Frrok Çupi ta kishin vendosur që ditë më parë se reportazhin do ta bënte Blendi Fevziu, por e mbanin sekret këtë gjë, për ta shpallur vetëm në momentet e fundit, për arsye që do t’ i shpjegoj më tutje në këtë libër. Blendi Fevziu, në librin e tij me kujtime të botuar në 1993,  thotë se ai shkoi tek selia e gazetës “Rilindja Demokratike”, mesditën e 31 dhjetorit, pasiqë e njoftuan të shkonte atje:
      Në mesditë shkuam në gazetë. Selia e re e PD-së në rrugën “Asim Vokshi” qe shndërruar në vend pelegrinazhi. Dhjetëra vetë hynin dhe dilnin pa përmendur ata që rrinin në korridoret dhe shkallët. Në katin e dytë ku qe vendosur përkohësisht gazeta vazhdonin punimet e rikonstruksionit. Frrokun e gjetëm në këmbë mbi një tavolinë të mbushur me letra e artikuj. Ishte e vetmja dhomë e padëmtuar e katit ku mungonte gjithçka e mbi të gjitha edhe karriget. Punonte për numrin e parë. Ende nuk ishte vendosur makina e shkrimit.
      -Të kam kërkuar- tha. – Duhet të shkruash reportazhin për lëvizjen studentore.
      E dija se ishte rekomandimi i dikujt tjetër. Ndoshta i Preçit.
      -Ti e di vetë si ta shkruash,- vazhdoi,- të enjten duhet të jetë patjetër gati.
      Unë pranova dhe ai e uli kokën përsëri mbi fletët e shpërndara në tavolinë. Në një karton qe shkruar me bojë të kuqe “Shtypi”.
     Përpara se të dilnim takuam Preçin.
     -Mos harro,- tha,- përsërit faktin që pluralizmin nuk e solli Ramiz Alia, por ju studentët.[ii]
      Kjo bisedë bëhet në 31 dhjetor, ditën e mërkurë. Kryeredaktori Frrok Çupi i thotë Fevziut se reportazhi duhet të jetë gati ditën e enjte, çka do të thotë të nesërmen. Që reportazhi duhet të ishte gati të enjten, kjo ishte në logjikën e agjendës së daljes në qarkullim të gazetës ditën e shtunë. Pot nuk mund të mos bëhet pyetja se përse Frrok Çupi e vonoi deri në momentet e fundit caktimin e njeriut që do të bënte reportazhin për lëvizjen studentore në gazetën e parë opozitare në vend. Arsyeja ishte se Frrok Çupi vepronte sipas logjikës së faktit të kryer. Për atë se kush do të ishte autori i reportazhit për lëvizjen studentore në gazetën e parë opozitare, kishte shumë interesim nga studentët pjesëmarrës në lëvizjen studentore. Disa grupe studentësh i patën paraqitur Frrok Çupit edhe tekste të llojit të reportazhit mbi lëvizjen studentore, për t’ u botuar në numrin e parë të gazetës “Rilindja Demokratike”. Çupi nuk kundërshtonte asnjë nga këto kërkesa dhe thoshte se do të shqyrtoheshin. Më e arsyeshme do të kishte qenë që të bëhej një lloj përmbledhjeje e këtyre teksteve, duke u vënë të gjithë emrat e autorëve në fund. Në çdo rast, autori i reportazhit për lëvizjen studentore, duhet të përmbushte një kusht të domosdoshëm, të kishte qenë i pranishëm në natën e madhe të lëvizjes studentore, atë të fillimit të saj, natën e 8-9 dhjetorit. Blendi Fevziu nuk pati qenë i pranishëm në ngjarjen kryesore të lëvizjes studentore natën e 8-9 dhjetorit, kështu që ishte absurde që ai të shkruante reportazhin. Reportazhi si zhanër i shtypit bëhet nga një njeri që ka qenë i pranishëm në ngjarje, që e ka përjetuar atë. Fevziu shkruan për vendndodhjen e tij në 8 dhjetor, kur u zhvillua ngjarja kryesore e lëvizjes studentore:
      Ishte ajo natë shumë e përfolur, kur në Institutin e Arteve kujtohej 10-vjetori i vdekjes së Xhon Lenonit, dhe kur unë shëtisja i qetë me një shoqen time në afërsi të Stadiumit “Qemal Stafa”, pranë muzeut arkeologjik. Qe natë e butë me hënë. Në të vërtetë gjatë gjithë atyre ditëve kishte qenë kohë e butë. Nga lart nuk dëgjohej asnjë zhurmë e dyshimtë.
      Rreth orës 19.00 u përballa me një shok tek Kafe “Flora”. Ai vinte nga Qyteti “Studenti”.
      -Si kaloi mbrëmja?- E pyeta.
      -Asgjë,- më tha,- mirë.
      Edhe rrugët ishin krejt të qeta, thuajse si përnatë. Me çifte të dashuruarish, me të rinj të rinj të dëshpëruar që shtrëngonin në xhep pasaportat, me letrarë gjimnazistë që vazhdonin të ankoheshin përvajshëm për Kadarenë që i la. Nuk e di sa ka qenë ora kur rashë të fle. Nuk ndihej asgjë e dyshimtë.[iii]
      Fevziu e pohon se ai nuk ka qenë i pranishëm në natën e 8-9 dhjetorit në lëvizjen studentore. Ai ka pretenduar se i është bashkuar lëvizjes studentore paraditen e së nesërmes, por edhe këtu ka dhënë një detaj që ia zbulon gënjeshtrën e tij:
      Ishte e diel, një mëngjes i hirtë dhe i vrenjtur. U zgjova me një dhimbje koke të fortë. Në të vërtetë koka nuk më kishte dhembur prej kohësh. U kujtova që ishte ditë shkolle. Mendova të mos dilja fare, por kur ndjeva zhurmën e lavatriçes e kuptova se si përherë të dielat janë të pamundura të përballohen në shtëpi. U vesha dhe u nisa për në shkollë.
      Më të mbërritur tek Ura e Lanës, pranë Rrugës së Elbasanit dëgjova thirrje të largëta. Demostratë, mendova, dhe diçka më lëvizi në gjoks. Shpejtova hapat. Pastaj në çast u ftoha. Besova se zhurmat vinin nga stadiumi ku me sa duket zhvillohej një ndeshje. Kisha mbërritur ndërkohë te Liceu kur pashë studentë të fakultetit tim që zbrisnin me vrap drejt qytetit.
      -Ç’ ka?- pyeta katër studentë të vitit të dytë letërsi.
      -Demostratë- m’ a kthyen- ik shpejt?!
      Ngela i habitur. Nga lart po tërhiqeshin disa prej shokëve të mi. Në rrugicat anësore dallova policë të armatosur me shkopinj. Dy makina të mëdha ndaluan te Liceu dhe sambistë të armatosur me shkopinj, mburoja dhe helmeta zunë rrugën. U ndodhëm të rrethuar. Demostruesit ende nuk po dukeshin. I ndodhur midis policëve ndjeva diçka të çuditshme. Ishte frikë, patjetër frikë. Ushtarë me helmeta, shkopinj gome, shteti, ligji. Për herë të parë në jetën time ndodhesha fare pranë këtyre tabuve të tmerrshme komuniste. Dhuna ishte aty, edhe egërsia socialiste… Nuk isha tërhequr plotësisht kur kolona e gjatë në katërsh u gjend përballë meje. Aty në rreshtin e parë pashë Artan Mirakën, shokun tim të grupit. Ngriva. Me nofullat e shtrenguara fort, kapur përdorë sikur i jepnin zemër njëri-tjetrit. Frika m’ u zhduk. Është e çuditshme. Në një çast të vetëm, sapo pashë disa fytyra të njohura në ballë të grupit. Gjithmonë më është dukur se ai çast fatlum nuk do të përsëritet më. Ankthi, tensioni, 50-vjet frikë dhe terror të zhvleftësuara lehtësisht, shkopinjtë e gomës, thirrjet përballë “Hiqni policinë”. Ishte nga ato momente që padashur ndryshojnë jetën e njerëzve. U rrotullova nga shtëpia e Gramoz Pashkos pas Muzeut Lenin-Stalin dhe nëpër fushën krah Ambasadës Italiane u bashkova me studentët. Policia ndau turmën më dysh. Mbetëm vetëm rreth 1000 vetë të bllokuar tek Liceu Artistik. Pas shpinës sonë vështronte personeli i Ambasadës Italiane. Ishte ora 10.00.[iv]
      Ajo çka e zbulon gënjeshtrën e Blendi Fevziut është se ai thotë që kur ai doli hë hyrje të rrugës së Elbasanit dhe dëgjoi zhurmë të shkaktuar nga zëra të një turme njerëzish, mendoi se ato vinin nga stadiumi “Qemal Stafa”, që gjendej aty pranë. Por Blendi i cili ishte tifoz futbolli e dinte se ndjeshjet e futbollit në atë stinë të vitit nisnin vetëm në orën 14.00. Derisa Fevziu thotë se u gjend tek ura, në hyrje të Rrugës së Elbasanit, ku duhet të kalonte për të shkuar në ndërtesën e fakultetit të tij, atëherë kuptohet se ai nuk kishte shkuar në shkollë atë ditë. Fevziu kishte dalë nga shtëpia rreth mesditës për të shkuar në stadium. Ai shkruan në librin e tij me kujtime:
      Ora po shkonte 12.30. U afrova në krye. Rreshti i parë po përpiqej të vazhdonte bisedimet. Midis tyre takova Shvarcin.
      -Ikni,- më tha,- hapuni ju që të tërhiqen edhe të parët. Kanë marrë urdhër të na shpërndajnë me forcë.
      Një orë më vonë fillonte derbi i futbollit shqiptar dhe 20000 vetë, të gjithë të rinj do të kalonin nga ajo rrugë për në stadium.[v]
      A mund të besohet se Blendi Fevziu, i cili ishte një tifoz i zjarrtë i “Dinamos”, pikërisht ditën e kësaj ndeshjeje të madhe, mund të mendonte kështu, siç e kam cituar të thotë më lart:
      Besova se zhurmat vinin nga stadiumi ku me sa duket zhvillohej një ndeshje.[vi]
      Kështu mund të mendonte një njeri që nuk i ndiqte ndeshjet e futbollit, por jo tifozi i zjarrtë i “Dinamos”, që nuk mungonte në stadium në asnjë ndeshje të “Dinamos”. Çfarë pritej të bënte Blendi Fevziu ditën e dielë, pasiqë mbrëmja e shkuar kishte qenë krejt e qetë, përveçse t’ i bashkohej grupit të tifozëve të “Dinamos”për të shkuar në stadium? E diela e 8 dhjetorit ishte vërtet ditë shkolle, për shkak se zëvendësohej një ditë e humbur, por Blendi Fevziu niset për në shkollë pikërisht në kohën kur dëgjohen zhurma nga stadiumi, pra në kohën kur ishte duke nisur ndeshja. Ndeshja nuk do të niste në 13.30 siç thotë Blendi Fevziu më lart, por në 14.00. Kjo do të thotë se Blendi i kishte qëndruar vendimit për të mos shkuar në shkollë atë ditë. Kështu që ai duhet të ketë dalë nga shtëpia për të shkuar në stadium, diku rreth orës 13.00. Që nga shtëpia e tij në Rrugën “Hilë Mosi”, ai, për një çerek ore duhet të ketë dalë tek ura në hyrje të Rrugës së Elbasanit. Prandaj Blendi Fevziu nuk ka qenë i pranishëm në ngjarjet që përshkruan më lart dhe as në ato që i përshkruan në reportazh, në vetën e parë, si pjesëmarrës. Fevziu nuk ka qenë i pranishëm në përleshjen mes policisë dhe studentëve që ndodhi në 9 dhjetor, se kur ndodhi ajo, midis orës 12.30 dhe 13.00, Fevziu nuk kishte arritur ende. E shumta që ka parë Fevziu ishte pamja e vendngjarjes pas përleshjes.
      Ky njeri megjithatë u ngarkua që të bënte reportazhin për lëvizjen studentore. Me këtë rast Fevziu tregoi natyrën e vet prej “Tartarini të Taraskonit”, që fliste sikur të kishte qenë i pranishëm në ngjarje ku nuk kishte marrë pjesë. Për të shmangur protestat e natyrshme paraprake të studentëve pjesëmarrës në lëvizjen studentore ndaj vendimit që reportazhin ta shkruante Fevziu, emri i tij doli vetëm në momentet e fundit si njeriu i përzgjedhur për të qenë autor i reportazhit. Duke qenë se emri i Fevziut u caktua në 31 dhjetor, ditën e fundit të vitit, kur studentët nga rrethet, të cilët patën qenë protagonistët e lëvizjes studentore, e cila u zhvillua në në konviktet e Qytetit Studenti  tashmë qenë larguar të gjithë për në shtëpitë e tyre që të festonin vitin e ri, vendimi nuk do të ndeshte në kundërshtime. Edhe në ditët e para pas Vitit të Ri, studentët protagonistë të lëvizjes studentore do të mungonin në Tiranë, për shkak të pushimeve dimërore, kështu që ata do të gjendeshin para faktit të kryer kur të dilte numri i parë i gazetës “RD”, në 5 janar.
      Një gjë tjetër e dyshimtë nga ato që shkruan Fevziu është se ai thotë, siç e kam cituar më lart,  se kur e takoi Frrok Çupin në 31 dhjetor, ai i tha se reportazhi duhet të ishte gati të enjten, pra ditën e nesërme, sipas planit se gazeta duhej të dilte të shtunën.[vii]Megjithatë, Fevziu thotë se nisi ta shkruante reportazhin vetëm dy ditë më pas, pra ditën e premte. Blendi Fevziu shkruan kështu për momentet kur së bashku me Ben Blushin doli nga zyrat e RD-së:      
      Dolëm. U vërtitëm nga pas Hotel “Arbërisë” nëpër bulevardin pa emër, të quajtur deri vetëm një javë më parë “Stalin”…
      -Po deshe e shkruajmë bashkë,- më tha Beni,- po qe se e ke të vështirë.
      Kjo qe zgjidhja më e mirë. Ndanim ditët e lëvizjes dhe i bashkonim në një reportazh. Dy ditë më vonë kur u ula të shkruaja e kuptova se kjo pati qenë e domosdoshme. Të merrje përsipër i vetëm një reportazh të atillë qe e pamundur.[viii]
      Si shpjegohet që Blendi Fevziu nisi ta shkruajë të premten reportazhin të cilin kryeredaktori ia kërkoi për ditën e enjte, pra të nesërmen? Merret vesh, Fevziu e dinte se gazeta nuk do të dilte ditën e shtunë, por ky qe vetëm një bluff i Frrok Çupit. Studenti Blendi Fevziu kishte kodet e komunikimit që nuk i zotëronin bashkëmoshatarët e tij të tjerë. A nuk e dinin ata që e ngarkuan Fevziun të shkruante reportazhin se ishte e pamundur që një njeri i vetëm, aq më tepër një student pa përvojë në gazetari, të shkruante atë reportazh, për ngjarje ku për më tepër nuk kishte qenë i pranishëm? Natyrisht se gazetari me përvojë Frrok Çupi e dinte këtë gjë. Me gjithatë ai e ngarkoi Blendin me këtë detyrë se ky do të vinte vetëm emrin në reportazh. Blendi Fevziu thotë se ai u tregua “bujar” dhe e ndau me Ben Blushin autorësinë e reportazhit, duke shkruar secili gjysmën e reportazhit; Fevziu dy ditët e para të lëvizjes studentore, Blushi dy ditët e fundit. Derisa Blushi, së paku kishte qenë i pranishëm në dy ditët për të cilat do të shkruante reportazhin, Fevziu nuk kishte qenë i pranishëm në dy ditët e para, për të cilat ai do të shkruante. Fevziu nuk kishte tagër që ta ndante kështu reportazhin që iu besua. Më e besueshme duket që atij i thanë që të vinte së bashku me Blushin në zyrat e “RD”, që t’ i kërkohej si “spontanisht”, që të bëhej bashkëautor i reportazhit. Në librin “Piedestale pa statuja”, Fevziu e përshkruan kështu shkrimin e reportazhit:     
     Më 2 janar mbasdite u ula të shkruaja reportazhin. Kisha hartuar më parë nja dy-tri pasazhe të bukura. Kisha hartuar më parë nja dy-tri pasazhe të bukura. Dy vite pune tek “Studenti” më ndihmonin. Reportazhi më ecte normal, me përjashtim të gjatësisë. Duke i shtuar edhe mbylljen e duke llogaritur pjesën e Benit shkonte gati 15 faqe. Nuk e di sa ishte ora kur mbarova. E lexova edhe një herë. Pastaj vetëm pasazhin për forcat e rendit dhe sambistët. Qesha. Censura ishte zhdukur. Nuk kisha ndjerë asnjë hezitim, asnjë frikë nga ballafaqimi në shkrim me forcat e rendit. Gjithçka pati ndodhur vetvetiu. Vonë u takova me Benin. Bashkuam dy pjesët. Ai ishte po aq i lodhur sa unë. Reportazhi qe i gjatë.[ix]
      Blendi Fevziu këtu përsëri thotë se ai u ul të shkruante në 2 janar një reportazh për të cilin kishte porosi që ta dorëzonte një ditë më parë! Reportazhi i Blendi Fevziut për lëvizjen studentore ishte Gënjeshtra e Madhe me të cilën nisi shtypi opozitar në Shqipëri në vitin 1991. Kur Blendi Fevziu thotë më lart se duke shkruar reportazhin ai ndjeu se censura ishte zhdukur, nuk mund të mos i thuash se censura nuk është veçse bija e gënjeshtrës! Të dyja janë armike të së vërtetës. Fevziu si autor i reportazhit për lëvizjen studentore, nuk ishte gjë tjetër veçse një bir i gënjeshtrës, i cili i buzëqeshte censurës. Dhe që i thoshte censurës se do ta respektonte atë, siç do të rrëfej më tutje. Këtë e pohon vetë Fevziu kur përshkruan “lavdinë” e tij, ditën e daljes së gazetës, në 5 janar:
      Atë mbrëmje unë shëtisja udhëve të Tiranës me një shoqen time. Qe një mbrëmje e butë, çuditërisht e butë. Njerëz të panjohur më përqafonin. Një grua, e jëma e një të njohurit tonë, qau. Mësova se edhe shumë të tjerë kishin qarë. Kishin lexuar pjesën për fushën e demonstratës me librat dhe fletoret e rrëzuara. Unë heshta. Nuk doja t’ ju tregoja për ato stolat e betonit, ku duke ikur me vrap nëpër natë të ndjekur nga policia, studentët përplaseshin, thyenin këmbët, gjunjët, gjakoseshin e nuk ngriheshin dot më. Akoma edhe më vonë në betonin e tyre mbetën njollat e murrme të gjakut.[x]
      Të gjithë këta njerëz të sinqertë nuk e dinin se kishin të bënin me një sharlatan, i cili nuk kishte qenë fare i pranishëm në lëvizjen studentore dhe që kishte uzurpuar të drejtën e të tjerëve. Fevziu nuk na shpjegon se përse ai, i cili më lart na kishte thënë se kishte qeshur i çliruar që censura kishte marrë, fund, tani pohon se kishte shkruar nën autocensurë, duke mos futur në reportazh skenat më të dhunshme të sulmit policor kundër studentëve. Pasiqë Fevziu bëri reportazhin, ai u fsheh për disa ditë, se studentët pjesëmarrës në lëvizjen studentore e kërkonin për ta pështyrë në fytyrë, për ato që kishte shkruar. Djemtë e bordurave, sa e morën në dorë gazetën RD dhe panë emrin e “Rafael coftinës” tek reportazhi për lëvizjen studentore, nuk e lexuan fare. Në intervistën që i dha Ilva Tares në dhjetor 2011, në RTV Ora News, Fevziu tha për këtë reportazh:
      Gazeta u shtyp në 100 mijë kopje, u lexua nën dorë, ndoshta gjysma e Shqipërisë e lexoi atë gazetë dhe ky ishte një fat shumë i madh. Kështu filloi ecja në gazetari.
      Ecja e Fevziut në gazetari, e cila në fakt kishte nisur me reportazhin për Enver Hoxhën, në 1989, u përshpejtua me reportazhin e rremë në numrin e parë të gazetës RD. Karriera mediale e Fevziut ishte vendosur e sigurt mbi themelet e gënjeshtrës dhe të mashtrimit. Sipas shembullit të mashtrimit të pjesëmarrjes në lëvizjen studentore,  Fevziu u përpoq të krijonte dhe mashtrime të tjera, si atë që kishte qenë pjesëmarrës në grevën e urisë të studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti, në shkurt 1991. Blendi Fevziu, në një autobiografi të tij, që gjendet në një libër të cilin ai e ka botuar në bashkëautorësi me Ben Blushin, në 1992, thotë për vetveten:
      në shkurt 91 orator mitingjesh dhe grevist urie.[xi]
      Blendi Fevziu nuk ka përmendur asnjë miting ku ai të ketë qenë orator, dhe nuk ekziston asnjë i tillë. Gjithsesi, e sigurt është se Blendi Fevziu nuk ka qenë pjesëmarrës në grevën e urisë të studentëve. Pas protestave të shumta të pjesëmarrësve në grevën e urisë, Fevziut u detyrua që ta tërhiqte këtë gënjeshtër dhe ta korrigjonte autobiografinë, duke shkruar në një botim të mëvonshëm në 1996:
      Në shkurt 91 orator mitingjesh dhe kronist urie.[xii]
      Në të vërtetë, Fevziu nuk pati qenë as kronist urie. Për këtë ka një episod sa qesharak aq edhe domethënës. Fevziu shkoi vërtet një mbrëmje tek grevistët e urisë si gazetar, për të bërë një kronikë nga greva e urisë, dhe ata e ftuan që ta kalonte natën me ta, për të patur përjetime të vërteta. Fevziu nuk pranoi duke thënë se ai duhet të shkonte tek gazeta, çka nuk ishte e vërtetë, se gazeta “RD” dilte vetëm dy herë në javë, dhe Fevziu kishte kohë për të bërë reportazhin e tij nga greva e urisë. Kur disa nga studentët grevistë i thanë si me shaka se atë nuk do ta lejonin të iktë, por do ta mbanin atje, Fevziu nisi ankohet pothuajse me përlotje, se do të shqetësoheshin prindërit në shtëpi për mungesën e tij. Kështu që e lejuan të ikte përmes të qeshurave tallëse. Një vit më pas, Fevziu, me paturpësi shkruajti se kishte qenë pjesëmarrës në grevën e urisë! Tani duhet pritur të dalë i ashtuquajturi ditar politik i Fevziut, botimin e të cilit ai e ka paralajmëruar, për të parë se çfarë do të ketë shkruar për këtë periudhë. Një gjë është e sigurt, mitomania e Fevziut do të ketë prodhuar me siguri “perla” të reja në dobi të kultit të tij, të cilin ai është duke e ndërtuar me pasion që prej 21 vitesh. Në maninë e krijimit të kultit të vetvetes, Fevziu ka diçka të ngjashme me Enver Hoxhën, të cilin e qorton për këtë gjë në të ashtuquajturën biografi që ka shkruar për të.
      Blendi Fevziu nuk ka i ka dhënë kurrë qasje në emisionin e tij televiziv krijimit të gazetës “RD”, si e para gazetë opozitare në vend, me ç’ rast të thërresë ata që e nxorrën numrin e parë për të rrëfyer se si u përgatit ai. Kuptohet se përse nuk e bën këtë gjë. Atje do të duhej të shpjegohej dhe se si u ngarkua Fevziu të shkruante reportazhin për lëvizjen studentore, dhe se mbi bazë të cilave përjetime e shkruajti ai këtë. Fevziu është i vetëdijshëm se nëse bën diçka të tillë atëherë do të provokonte një debat në të cilin do të thuheshin shumë të vërteta të papëlqyeshme për të nga dëshmitarët realë të atyre ngjarjeve. Fevziu kënaqet me kultin e vetvetes të cilin e krijon ai vetë. 


29.
Pse nuk u bë Fevziu kandidat për deputet i PD-së në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991

      Blendi Fevziu, në një autobiografi të vetën të publikuar në një libër të botuar në 1992, në bashkëautorësi me Ben Blushin, shkruan për ëndrrat e fëmijërisë dhe të adoleshencës:
      Në fillim kisha vetëm dy ambicje: të studioja histori dhe të bëhesha politikan i njohur. E para qe e pamundur në historinë e gjymtuar; e dyta do të jetë gjithmonë mallkim në këtë vend të vogël.[xiii]
      Kështu del se djaloshi i deklasuar që jetonte në fshatrat e Lushnjës, ëndrronte që të bëhej anëtar i Byrosë Politike, se kjo do të thoshte që të ishe politikan i njohur gjatë diktaturës komuniste. Si mund ta mendonte një i deklasuar? Vetëm një i deklasuar që ishte spiun i Sigurimit të Shtetit mund t’ i ushqente vetes një ëndërr të tillë. Më tutje, Fevziu shkruan në të njëjtën autobiografi:
      Të ndaluara në fëmijëri kisha vetëm tre gjëra: politikën, historinë dhe letërsinë.[xiv]
      Ndalimi për t’ u marrë me politikë ishte i natyrshëm në një familje të deklasuar. E megjithatë, përmbysja politike e vitit 1990 bëri që Fevziut t’ i ringjallet ëndrra e rinisë për t’ u bërë politikan. Përpjekja e parë e Fevziut për të hyrë në politikën e lartë, dështoi në një mënyrë domethënëse. Ky episod kërshëror politik, për të cilin Fevziu rrëfen në një libër me kujtime, mund të shpjegohet vetëm me kompleksin e bejlurçinës-laro mund të shpjegohet një episod kërshëror politik, të cilin e rrëfen Blendi Fevziu në një libër me kujtime. Në librin e vet të llojit të autobiografisë politike, “Piedestale pa statuja” (1993), Blendi Fevziu rrëfen një episod të ndodhur para zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare të 31 marsit 1991:
       Në një nga këtyre ditëve më lajmëruan se dega e PD-së së Tiranës më kishte propozuar kandidat për deputet. Krejt i habitur takova Arben Imamin. I lodhur dhe i pagjumë ai e kishte shumë të vështirë të më sqaronte.
      -Duhet një student,- tha.- Jeni ti dhe Peshkëpia. Është mirë që parlamenti të ketë edhe përfaqësues të studentëve.
      Në të vërtetë, i bindur se pas mbarimit të studimeve do të nisesha tek gjyshja ime në SHBA, e ndjeja të gjithën këtë një pengesë. Aq më tepër që parlamenti, serioziteti i rëndë, seancat e njëpasnjëshme më lodhnin vetëm me idenë e tyre. Isha 22 vjeç dhe i ardhur nga një lëvizje rebele.
      -Më mirë jo,- i thashë,-gjeni një tjetër.
      -Gonxhja iku.- tha ai.
      Po atë mbasdite Natasha Lako me Fisnik Sinën më lajmëruan se tani bëja pjesë në listat elektorale të PD-së. Dy ditë më vonë, Ridvani, i porsaardhur nga Saranda, më takoi tek bordura.
      -Duhet të mbetet vetëm një student,- më tha. –Unë ju thashë atyre që nuk duhet të ketë rivalitet midis nesh.
      -Padyshim,- ju përgjigja.- Unë do të tërhiqesha me dëshirë.
      Dy ditë më vonë më lajmëruan se qe vendosur Ridvani.
     Duhej të kalonte një vit për të mësuar atë që kish ndodhur. Në kafen e parlamentit të dytë pluralist, Albert Kariqi dhe Përparim Rama më treguan se edhe pas kërkesës sime për largim, me këmbënguljen e disa tifozëve të “Rilindjes Demokratike” ishte votuar mes meje e Ridvanit. Ridvani kishte fituar me dy vota më tepër pas një abstenimi.[xv]
      Nëse do të kishte ndodhur vërtet kështu siç shkruan Blendi Fevziut, atëherë ai do të meritonte që për të të shkruhej një libër, si një ekzemplar i rrallë i politikës shqiptare, i cili hoqi dorë nga karriera politike në moshën kur të gjithë ëndrrojnë ta fillojnë, pa i mbushur ende 22 vjeç. Por nuk ka ndodhur kështu. Ndonëse Fevziu u diplomua atë vit ai nuk u largua për në Amerikë. Në këtë fragment nuk ka asgjë të vërtetë përveç faktit se emri i Blendi Fevziut fillimisht ka qenë në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së, në vitin 1991. Ajo që nuk e thotë Fevziu është se kjo gjë nuk i erdhi si surprizë, por ai bëri shumë përpjekje dhe intriga që emri i tij të hynte në listën e kandidatëve për deputetë. Historia është kështu. PD donte të fuste në listat e kandidatëve për deputetë në Tiranë, edhe një student nga një familje e përndjekur politike. Liderët e PD, duke vënë disa emra nga familjet e deklasuara si kandidatë për deputetë, donin të merrnin votat e të deklasuarve. Konkurentët për këtë vend qenë dy, Blendi Fevziu dhe Ridvan Peshkëpia.
      Përderisa bëhej fjalë për të kandiduar në qytetin e Tiranës, kandidimi për deputet do të thoshte praktikisht që Fevziu të bëhej deputet, se elektorati i Tiranës mbështeste fuqimisht PD. Ridvan Peshkëpia, i cili kandidoi për deputet nga PD në zgjedhjet e 31 marsit 1991, fitoi lehtësisht duke i bërë deputet i parlamentit të parë pluralist të Shqipërisë. Fevziu, për të fituar të drejtën e të qenit kandidat për deputet, bëri një përshkrim të hollësishëm të historikut të familjes së tij, duke përmendur gjyshin e vrarë nga Kajo Karafili, gjyshen e arratisur në Amerikë, pronat e konfiskuara nga regjimi komunist, xhaxhain e burgosur politik, prindërit e tij të dëbuar nga Tirana, dhe për një periudhë të internuar etj. Port ë gjitha këto Fevziu i thoshte gojarisht, në biseda private me liderët e PD dhe nuk pranonte t’ i thoshte publikisht. Ridvan Peshkëpia, nga ana e tij, fliste publikisht për përndjekjen që i kishte bërë komunizmi familjes së tij. Në një intervistë që i dha kryeredaktorit të gazetës “Studenti”, Arben Muka, në 3 dhjetor 1991, Ridvan Peshkëpia tha:
      I përkas asaj kategorie sociale e cila pësoi plagë të rënda nga lufta e klasave. Gjyshi im, Nexhat Peshkëpia, gjatë Luftës II Botërore u bashkua me ato forca që luftonin për demokraci e bashkim kombëtar. Pikërisht për këtë arsye ai ishte edhe një kundërshtar i vendosur i komunizmit. Pas pushtimit komunist të vendit, ai u strehua në SHBA, ku zhvilloi një aktivitet të gjerë politik në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan në dobi të çështjes kombëtare. Vëllai i tij, Manushi u pushkatua pa gjyq në incidentin e Ambasadës Sovjetike. Vëllai i gjyshes sime, Abaz Omari dhe djali i xhaxhait të tij, Bahri Omari janë pushkatuar në 1945. Nuk po përmend këtu kushërinj, deri të gjeneratës së tretë, të pushkatuar apo të burgosur, por po them se gjithsej në rrethin tim të zgjeruar bëhen tetë të pushkatuar dhe gati 50 vjet burg. Për këtë arsye im atë nuk mundi të kryejë studimet e larta, ndonëse ishte mjaft i aftë. Pas një vit regjistrimi në Universitet atij i hoqën të drejtën e studimit. I njëjti fat më ndoqi dhe mua. Kur mbarova shkollën e mesme nuk m’ u dha e drejta e studimit për mosplotësim të kriterit politik. Punova një vit si xhenerik dhe me vështirësi të shumta arrita të kapërcej barrierat e përgjakshme partiako-burokratike e të regjistrohem në Universitet në degën e arkitekturës. Por pas një viti më hoqën të drejtën e studimit me një vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit firmosur nga Llambi Gegprifti. Motivacioni: “Mosplotësim i kriterit politik dhe mungesë sinqeriteti”. Qava dhe qesha. Qava se ngela pa shkollën që e doja aq shumë. Qesha se më quanin të pasinqertë pasi në dokumente nuk kisha shkruajtur për tim gjysh se është arratisur, por se është larguar nga Shqipëria. Të vërtetën rreth tij dhe aktivitetit të tij e dinin shumë mirë spiunët e Komiteteve të Partisë. Përse prisnin t’ ua thoja unë? Kjo ndodhi në qershor 1985. atëherë Ramiz Alia sapo ishte vënë në krye të politikës shqiptare dhe unë ashtu si i gjithë populli isha mbushur me iluzione rreth tij. Por përgjigjet që m’ u kthyen ishin brengosëse. Nga këto përgjigje dhe nga fjalimet e njëpasnjëshme që ai mbante u binda se asgjë nuk do të ndryshonte pozitivisht në politikën e shtetit tonë. Që atëherë kjo bindje nuk më është lëkundur. Më pas kreva shërbimin ushtarak, punova në një brigadë avaro-shpëtuese të linjave të tensionit të lartë, e pastaj edhe në minierë. Në vitin 1990, në sajë të një liberalizmi që u vu re në dhënien e të drejtave të studimit unë rifillova shkollën. Kjo është e përmbledhur historia e një pjese të vogël të jetës sime.[xvi]
      Nga intervistat e Ridvan Peshkëpisë të vitit 1991, përzgjodha pikërisht këtë që ai i ka dhënë gazetës “Studenti”, se në numrin pasues të kësaj gazete ka dhënë një intervistë Blendi Fevziu (për këtë intervistë do të flas më tutje), por ai as që e ze me gojë se ka qenë i deklasuar, e jo më të japë hollësi si Ridvan Peshkëpia. Shkalla e deklasimit të Fevziut nuk ishte më e ulët se ajo e Peshkëpisë, madje në një pikëpamje të caktuar ishte më e lartë. Të dy kishin nga një të afërm të arratisur në Amerikë, Fevziu gjyshen, Peshkëpia gjyshin. Derisa Ridvan Peshkëpia kishte xhaxhain e babait të vrarë pa gjyq nga regjimi komunist, Fevziu kishte gjyshin (më i afërt) të vrarë nga kryeatentatori komunist, Kajo Karafili. Familjes së Fevziut i qenë konfiskuar prona shumë herë më të mëdha se familjes së Peshkëpisë. Për më tepër, Blendi Fevziu kishte edhe një xhaxha të burgosur politik. Fakti që Ridvan Peshkëpia e kishte Bahri Omarin djalë të xhaxhait, të vëllait të gjyshes, nuk mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e statusit të familjes së tij, se kjo ishte një lidhje e largët.
      Fevziu u bëri liderëve të mahnitur të PD një gjenealogji politike të familjes së tij, duke u përpjekur t’ u provonte se ai e meritonte më shumë se Peshkëpia të ishte kandidat për deputet. Në fund Fevziu hodhi në lojë atë që e quante kartën më të fortë. Paraardhësit e arratisur e të vrarë të Peshkëpisë patën qenë kolaboracionistë të pushtuesve fashistë, ndërsa të tijtë jo. Ky argument sikur zuri vend. Berishës iu duk shumë interesante që gjyshi i Blendit ishte vrarë nga kryeatentatori komunist Kajo Karafili pa pasur asnjë lidhje me pushtuesin fashist dhe tha se kjo i shërbente PD, për të kundërshtuar atë që thoshte propaganda e regjimit të Ramiz Alisë, se PD po denigronte luftën antifashiste dhe vlerat e saj. Por ajo çka u shpëtoi fillimisht liderëve të PD-së që po e dëgjonin Fevziun ishte se ai përmendte emrat e paraardhësve të tij nga babai, por jo mbiemrat. Dëgjuesit nënkuptonin se mbiemri i personave për të cilët fliste Blendi ishte “Fevziu”. Berisha dhe të tjerët në lidershipin e PD u duk se u bindën që të ishte Blendi kandidat për deputet dhe i kërkuan që në një intervistë në gazetën e PD, t’ i përshkruante hollësisht ato që u tha atyre, me emra dhe mbiemra.
      Eh, këtë intervistë Blendi Fevziu nuk e dha kurrë. Blendi Fevziu gënjen kur thotë se në mars 1991 ai deklaroi se nuk donte të ishte kandidat për deputet. Siç e kam cituar më lart, ai vetë thotë se emri i tij kaloi në votim në forumet e PD dhe humbi me dy vota. Nëse Fevziu do të ishte tërhequr nga kandidimi, emri i tij nuk do të votohej. Në humbjen e Fevziut ndikoi fakti se ai nuk pranoi të bënte publike të shkuarën e familjes së tij. Në PD në atë kohë kishte filluar loja e përdorimit të mbiemrave për të mbledhur vota. Por Fevziu u duk shumë i tronditur kur e dëgjoi këtë gjë dhe madje fillimisht e quajti provokim të PPSH, partisë komuniste në pushtet, pa e shpjeguar dot se përse paraqitja e tij me mbiemrin që kishte pasur gjyshi nga babai, “Starova”, dhe me të cilin kishte lindur i ati, ishte një provokim. Por Fevziu, pa dhënë përgjigje, deklaroi refuzimin e tij për të qenë kandidat për deputet, duke shtuar se në PD ishte ngritur një intrigë kundër tij, dhe se ai ishte bërë viktima e parë e luftës biografike në partinë e parë opozitare. Ata që e dëgjonin nuk mund të kuptonin asgjë, dhe kjo ishte e kuptueshme se që të mund të kuptonin diçka duhej që të njihnin labirintet e biografisë familjare dhe të gjenealogjisë së Blendi Fevziut. Në rrënjë të fjalës “kandidat”është fjala “kandid”. Por “Baroni Dë Tunder-ten trok” assesi nuk mund të ishte “Kandid”.
      Për të penguar kandidimin e Ridvan Peshkëpisë si deputet i PD-së, Blendi Fevziu, pasiqë u informua nga daja i nënës, Ali Fevziu për të historinë familjare të Ridvan Peshkëpisë, mori librin e Enver Hoxhës “Vite të Rinisë” dhe shkoi në PD për t’ u thënë të gjithëve se Ridvan Peshkëpie nuk e meritonte që të ishte deputet i PD pasiqë ai ishte kushërira e Enver Hoxhës. E vërteta është se gjyshja për të cilën flet Ridvan Peshkëpia në intervistën e mësipërme, ishte kushërira e Enver Hoxhës. Enver Hoxha në librin “Vite të Rinisë” shkruan kështu për gjyshin dhe gjyshen e Ridvan Peshkëpisë, duke folur për kohën kur u kthye në Shqipëri nga Belgjika në 1936 dhe jetonte në Tiranë, duke u përpjekur të gjente punë:
      Nexhati më merrte shpesh për drekë e për darkë në shtëpinë e tij. Ai ishte profesor dhe vëllai i tij, Manushi, ishte nëpunës banke. Gruaja e Nexhatit ishte mbesë në Hoxhatët dhe kjo lidhje bënte që unë të shkoja pa teklif në shtëpinë e tyre.[xvii]
      Siç e kam cituar më lart nga intervista e Ridvan Peshkëpisë, Nexhati ishte gjyshi i tij dhe gruaja e tij, e quajtur Fero, ishte gjyshja e tij. Fevziu, i pajisur me këto të dhëna,  thoshte lart e poshtë se gjyshi dhe gjyshja e Ridvan Peshkëpisë kishin përgjegjësi që Enver Hoxha erdhi në pushtet, kështu që nipi i tyre dhe kushëriri i diktatorit nuk duhej të bëhej deputet i PD. Inati i Blendi Fevziut me Ridvan Peshkëpinë ishte aq i madh saqë 12 vjet më pas, në vitin 2003, Fevziu qëndroi i heshtur në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Aleanca Demokratike, kur kryetari Neritan Ceka, e nxorri forcërisht jashtë mbledhjes Ridvan Peshkëpinë, me policët që kishte marrë nga kryeministri Nano, duke përdorur postin e tij si kryetar i Komisionit Parlamentar për Rendin dhe SHISH.
      Më pas, e kam fjalë pasi nuk u bë dot kandidat për deputet në 1991, Blendi Fevziu është shprehur se ai nuk dëshironte të bëhej kandidat për deputet, se nuk donte të bënte karrierë politike në Shqipëri, por të shkonte tek gjyshja në Amerikë, siç e kam cituar edhe më sipër nga libri i tij “Piedestale pa statuja”. Që Blendi Fevziu, jo vetëm që nuk kishte asnjë ngurim për të bërë karrierë politike, por e dëshironte shumë këtë gjë, kuptohet nga fakti se tre muaj më pas, kur u krijua Qeveria e Stabilitetit, e kryesuar nga Ylli Bufi, me pjesëmarrjen e PS dhe PD, Blendi Fevziu bëri gjithçka që të zinte një post drejtori në Ministrinë e Kulturës, e cila iu dha PD-së, dhe si rezultat Blendi Fevziu ia arriti që të bëhet drejtor i Drejtorisë së Rinisë dhe Sporteve, në këtë Ministri, ndonëse nuk kishte marrë ende diplomën universitare. Në një autobiografi të tij, që ka botuar në fund të librit me tregime “Gjysma tjetër e botës” (1996), Fevziu shkruan:
      Në fillim mendova se ishte mirë të bëhesha Drejtor.[xviii]
      A mund të besohet se ai deshi të bëhet drejtor, tre muaj pasiqë “nuk deshi” të bëhet deputet? Sa për planin e tij për të shkuar në SHBA tek gjyshja, tashmë pas më tepër se dy dekadash, është e tepërt të thuhet; kjo nuk ishte e vërtetë. Gjithsesi, Blendi Fevziu u bë politikani i parë karriera politike e të cilit u ndërpre për arsye biografike. Kjo ishte arsyeja kryesore e largimit të Fevziut nga PD pak kohë më vonë. Më pas me siguri që Fevziu është penduar për atë tërheqje emocionale nga kandidimi për deputet në 1991. Nisur nga ato që do të ndodhnin më pas në politikën shqiptare, me akuza e kundërakuza ndaj politikanëve dhe mes politikanëve, rasti i Fevziut nuk do të dukej ndonjë skandal veçanërisht i madh, aq më tepër që nuk kishte gjasa që rasti “Fevziu” të zbulohej në tërësinë e vet, se për këtë gjë do të duhej një libër më vete. Që Fevziu e ka dashur vetë kandidimin për deputet në 1991, kjo kuptohet kur ai shkruan në një autobiografi të tij, që ka botuar në fund të librit me tregime “Gjysma tjetër e botës” (1996), duke folur për vitin 1993:
      Po kaq thjeshtë iu ktheva dhe një ëndrre të vjetër të jetës sime: nisa prapë politikën dhe prapë mallkova veten.[xix]
      Kur Fevziu thotë se nisi prapë politikën, kjo nënkupton se për herë të parë atë e nisi në 1991, kur kërkoi të bëhet deputet i PD. Nisur nga eksperienca politike e Fevziut në 1991, në retrospektivë mund të thuhet se Blendi Fevziu nuk është vetëm drejtuesi i një emisioni televiz politik në një televizion të madh, por ai është edhe një politikan, madje një nga politikanët më interesantë të tranzicionit. Është e vërtetë se ndonëse Blendi Fevziu ka nisur një karrierë politike në disa parti, duke filluar që nga PD, PAD, më tutje PS, për t’ u rikthyer në PD, ai ka pasur një profil të ulët si politikan. Por ajo çka e bën interesant dhe unik Fevziun si politikan është fakti se ai është politikani i parë në kohën e pluralizmit politik, i cili hoqi dorë nga kandidimi për deputet, në zgjedhjet e para pluralistë të vitit 1991, për një shkak biografik. Edhe nëse Fevziu do të kishte vetëm këtë ngjarje në jetëshkrimin e tij dhe më pas do të ishte larguar në Amerikë, ai do ta kishte merituar një libër biografik, pa folur pastaj për veprimtarinë e tij të mëvonshme.
      Pasiqë Blendi Fevziun nuk e bënë kandidat për deputet në zgjedhjet e 31 marsit 1991, ai u largua nga Shqipëria në mënyrë demonstrative, për në Itali, një ditë para zgjedhjeve, duke thënë se në PD kishte një intrigë kundër tij. Të gjitha arsyet që ai nxorri pas kthimit për largimin e tij, siç do të tregoj më tutje në këtë libër, i ka përgënjeshtruar me vetë rrëfimet që ka bërë në librat dhe shkrimet e tij. Në ditën e zgjedhjeve, në 31 mars, Blendi Fevziu ishte i nevojshëm për PD-në në Shqipëri, dhe jo në Itali. Si gazetar ai duhet të ishte duke mbikqyrur qendrat e votimit, procesin zgjedhor në përgjithësi. Si aktivist i PD ai ishte i nevojshëm në Shqipëri atë ditë. Ndonëse Blendi Fevziu ka pretenduar se ai shkoi në Itali me një detyrë nga gazeta “Rilindja Demokratike”, ai megjithatë qëndroi jashtë Shqipërisë për rreth tre muaj. Në një shkrim me titull, “Mërgim, pa titull”, ai rrëfen se kur gjendej në Romë, në vitin 2003, meditonte për udhëtimin e tij të parë atje, në pranverën e vitit 1991:
      I kujtova të gjitha këto, duke pasur përballë bordurat e pandryshuara të hyrjes së stacionit, po ato rreshta të gjatë granite, në të cilat qeshë mësuar të gjeja çdo mbrëmje të marsit dhe prillit 1991 bashkëatdhetarët e mi të mërguar.[xx]
      Në qershor 1991, Fevziu gjendej ende në Romë, çka del edhe nga një “ese” që ka shkruar më vonë, ku thotë:
       një ditë të mrekullueshme qershori të vitit 1991 në Romë, kur duke u vërtitur me një listë numrash telefoni në dorë, në kërkim të një strehe për të futur kokën, së bashku me Armand Shkullakun, kishim ngecur tek një plak i vjetër që na priti me shumë dashuri. Quhej Lazër Radi dhe jetonte në një apartament në periferi të Romës, në Xhenazano në pritje të kthimit në Shqipëri.[xxi]
      Që prej 30 marsit 1991 Fevziu endej nëpër Itali. Në Genazano ai qëndroi dhjetë ditë dhe pastaj u kthye në Shqipëri:
      Plot humor dhe edukatë, plaku të cilit ende nuk di se ç’ rekomandim i kishim prezantuar, u bë për, më shumë se 10 ditë një pritës i mrekullueshëm.[xxii]
      Në Genazano Blendi Fevziun e dërgoi Mentor Çoku si spiun, pasiqë atje ishte shejtnorja (sanktuari) i Zonjës së Kshillit të Mirë, i ndërtuar pas mrekullisë së vitit 1467, kur, pak vite para pushtimit të qytetit nga turqit, imazhi i Shën Marisë që gjendej në një kishë në Shkodër, u shkëput prej altarit dhe nën shoqërinë e engjëjve shkoi fluturim në Genazzano, pranë Romës. Mentor Çoku dyshonte se Vatikani do ta bënte Genazano-n qendër të një fushate fekthimi në drejtim të Shqipërisë, kështu që dërgoi atje Fevziun si spiun, që të shikonte se çfarë po ndodhte. Nëse do të kishte vërtet një plan të tillë, Fevziut, që ishte musliman dhe një njeri që kishte bërë njëfarë emri me reportazhin e tij për lëvizjen studentore, do t’ i bëheshin oferta për t’ u bërë katolik dhe për të marrë një rol në këtë fushatë.
      Kur Blendi Fevziu u largua nga Shqipëria në 30 mars 1991, ai në ikje e sipër vodhi dhe aparatin e faksit të gazetës “Rilindja Demokratike”, të cilën redaksia e gazetës e kishte marrë si ndihmë nga një fondacion perëndimor. Atëherë nuk kishte internet dhe e-mail, kështu që fakset qenë mënyra kryesore e dërgimit të teksteve të gjata. Kështu që nuk është e vështirë të merret mend dëmi që i solli Partisë Demokratike vjedhja e aparatit të faksit një ditë para zgjedhjeve. Për vjedhjen e faksit Fevziu, më pas kur u kthye, fajësoi Frrok Çupin, të cilit ia shpërbleu kështu me të keq, të mirën që i bëri duke i mundësuar të shkruante reportazhin për lëvizjen studentore në numrin e parë të gazetës RD.


30.
Enigma e lidhjes së Fevziut me Mentor Çokun

      Mentor Çoku është një emër që ka hyrë në mitologjinë e politikës shqiptare të kohës së tranzicionit, duke u quajtur ndërmjetës i një takimi mes kryetarit të PS, Fatos Nano dhe kryetarit të PD, Sali Berisha, në Trieste, në shkurt 1992, ku supozohet të jetë bërë marrëveshja për kalimin paqësor të pushtetit tek PD pas zgjedhjeve të pritshme të marsit 1992. Asgjë të vërtetë nuk ka tek ky mit. Mentor Çoku nuk i kishte atributet për të bërë ndërmjetësin për një marrëveshje mes palëve të politikës shqiptare. Ndërmjetësi në politikë është gjithëherë një njeri që ka fuqi më të madhe se të dy palët që ndërmjetëson. Është e vërtetë se Nano dhe Berisha u ulën bashkë në tryezën e një restoranti në Trieste të ftuar për darkë nga Mentor Çoku, por kjo nuk ishte e vetmja tryezë restoranti ku u ulën Nano dhe Berisha së bashku gjatë tre ditëve që qëndruan në Trieste. Ndërmjetësi i vërtetë i takimit ishte ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Gianni De Michellis, i cili i ftoi dy krerët e politikës shqiptare për të marrë pjesë në një forum ku do të diskutohej për zhvillimet në vendet ish-komuniste, me fokus zhvillimet në ish-Jugosllavi, që e shqetësonin posaçërisht Italinë, si vend kufitar. Por Italia, e cila gjatë vitit të kaluar kishte përjetuar dy valë eksodi masiv nga Shqipëria, ishte e shqetësuar dhe për zhvillimet në Shqipëri, ashtu që i trembej destabilizimit të vendit me rastin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, pak javë më pas, çka mund të shkaktonte një eksod edhe më të madh se të parët. Prandaj Italia kishte interes që liderët e dy partive të mëdha shqiptare të uleshin bashkë në një tryezë në Itali, ku Roma do të merrte sigurime se në Shqipëri nuk do të përsëritej situata e vitit të kaluar. Natyrisht se bisedimet e Nanos dhe Berishës me politikanët e lartë italianë nuk u bënë në forumin e bisedimeve në të cilin qenë ftuar, por jashtë tij. Në forumin e bisedimeve merrnin pjesë shumë drejtues shoqatash e institutesh politike, religjioze, të sigurisë etj. Një nga pjesëmarrësit e forumit ishte dhe Mentor Çoku si drejtues i një shoqate të quajtur L’ Unione Islamica in Occidente (UIO). Mentor Çoku (1914-1996) ishte i biri i Hamdi bej Ohrit, me origjinë nga Dibra, por që banonte në Ohër. Nuk dihet se përse Mentori nuk mbante mbiemrin e të atit, por atë “Çoku”që kishte pasur familja para largimit nga fshati i Dibrës nga e kishte origjinën. Në vitet ‘20 Mentor bej Ohri (Çoku) pati bërë pjesën më të madhe të shkollës së mesme në Beograd. Më pas ai pati ardhur në Shqipëri, ku përfundoi shkollën e mesme. Pastaj shkoi në Itali për të bërë studimet universitare juridike. U kthye nga Italia pa u diplomuar. Diplomën do ta merrtë vetëm pas largimit përfundimtar nga Shqipëria në 1944. Në prill 1942, Mentor Çoku u bë anëtar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist, do të thotë të parlamentit të Shqipërisë së kohës të pushtimit italian. Në tetor 1943, Mentor Çoku u zgjodh anëtar i Kuvendit Kombëtar, parlamentit të vendit gjatë pushtimit gjerman.
      Në vitin 1943, Mentor Çoku u martua me vajzën e Ahmet bej Resulit, nga Lushnja, i cili ishte një nga pronarët më të mëdhenj të tokave në Shqipëri. Nga kjo martesë u lindi një vajzë në tetor 1944. Në prag të ardhjes së komunistëve në pushtet, në nëntor 1944, Mentor Çoku u largua nga Shqipëria për në Itali, së bashku me vjehrrin. Të dy i lanë familjet në Shqipëri, duke menduar, si pjesa më e madhe e të ikurve politikë të asaj vjeshte, se do të riktheheshin në pranverë kur të çelnin gjethet, se anglo-amerikanët nuk do të lejonin kurrë që Shqipëria me dalje në Mesdhe të bëhej vend komunist. Por kaloi dimri, erdhi pranvera dhe përmbysja e pritur nuk ndodhi. Atëherë Mentor Çoku i kërkoi Enver Hoxhës, të cilin e kishte njohur në vitet ‘30 kur ai që më pas do të bëhej diktator i Shqipërisë ishte diplomat i Monarkisë në Bruksel, që të lejonte gruan e tij që t’ i bashkohej në Itali. Duke ditur se cili qe Mentor Çoku dhe cili qe babai i gruas së tij, kjo kërkesë dukej absurde, se regjimi komunist, me të ardhur në fuqi e kishte mbyllur vendin dhe kurrkush nuk mund të qarkullonte më lirisht, aq më pak njerëzit me biografi të keqe politike. Regjimi komunist i shihte familjarët e të arratisurve politikë si pengje, me të cilët do të kushtëzonte sjelljen e atyre që gjendeshin jashtë vendit. Prandaj regjimi nuk lejonte largimin e familjarëve të të arratisurve politikë. Mentor Çoku ishte megjithatë një nga të rrallët për të cilët u bë një përjashtim, duke u lejuar gruaja e tij që të udhëtonte jashtë vendit për në Itali në vitin 1945. Në një intervistë që Valbona Miraka (Çoku), vajza e Mentor Çokut, dha për suplementin “Unë gruaja” të gazetës “Panorama”, në 14 gusht 2011 tha:
      Prindërit e mi kishin vetëm një vit të martuar bashkë. Pas largimit të babait nëna mbeti vetëm me mua, një foshnjë njëmuajshe dhe e gjithë kjo situatë e bëri të sëmurej rëndë nga mushkëritë. E përjetoi shumë keq ndarjen nga babai.  Nuk ishte e lehtë dhe sa vinte gjendja e saj shëndetësore rëndohej. Vendosi që të kurohej në Itali dhe mamanë e ndihmuan që të pajisej me një pasaportë dy shokët e saj të shkollës Nako Spiru e Manush Myftiu. Duke qenë se ajo kishte studiuar në një kolegj francez në Greqi, aty e kishte ruajtur miqësinë dhe njohjen e përbashkët me këta dy persona, të cilët e ndihmuan nënën time që të kurohej në Itali. Kështu ajo iku, duke më lënë mua në duart e besuara të dajës sim, Ibrahim Resulit. Mamaja iku, po nuk e dinte ku qëndronte babai, sepse ishte ende kohë lufte. Ashtu e sëmurë shumë dhe me një peng në zemër, që po më linte mua pas me gjyshen dhe me dajon.[xxiii]
      Sipas praktikës së regjimit komunist kjo kishte kuptimin që Nako Spiru dhe Manush Myftiu u bënë garantë se gruaja e re do të kthehej në Shqipëri, pasiqë të kurohej në Itali. Por, as Nako Spiru dhe aq më pak Manush Myftiu, i cili në në atë kohë ishte vetëm një zyrtar i rangut të mesëm, nuk kishin fuqi që të nxirrnin jashtë vendit tashmë të izoluar gruan e një të arratisuri politik. Këtë gjë mund ta bënte vetëm Enver Hoxha, ose Koçi Xoxe, për llogari të Sigurimit të Shtetit. Kjo kuptohet dhe nga fakti se, ndonëse gruaja e Mentor Çokut nuk u kthye më në Shqipëri, duke u shndërruar dhe ajo në një të arratisur politike (se ajo kërkoi strehim politik në Itali), Nako Spirut nuk iu përmend kurrë kjo gjë, kur ai u kritikua për gjithçka në 1947 përsëgjalli, si dhe pas vdekjes në Plenumin VIII të Komitetit Qendror të PKSH, në shkurt-mars 1948, se kishte ndërhyrë që të largohej jashtë vendit gruaja e një të arratisuri politik. As Manush Myftiut nuk iu përmend kurrë kjo gjë në rastet kur u kritikua më pas. Ndonëse dukej se gruaja e re do të kthehej në Shqipëri pasi të kurohej, se kishte lënë si një lloj pengu vajzën foshnjë, fakti është se shumë familjarë të të arratisurve politikë kërkonin të udhëtonin jashtë vendit në Perëndim, me shkaqe të tilla, por pothuajse kurrkujt nuk iu bë ky privilegj. Gruaja e Mentor Çokut e gjeti ferrin komunist nga iku, më të rëndë se braktisjen e vajzës. Pas të gjitha gjasave, Mentor Çoku dhe gruaja e tij menduan se ata do të mund ta nxirrnin vajzën nga Shqipëria komuniste, duke qenë se një herë ia patën dalë me sukses që të arrinin një marrëveshje me regjimin komunist, të cilën gjithsesi Mentor Çoku e ka paguar duke u bërë agjent i Sigurimit të Shtetit. Mentor Çoku bëri një pakt djallëzor me regjimin komunist, të cilin do të ishte i detyruar që ta mbante deri në fund të jetës. Këtej e tutje ai do të përpiqej për të nxjerrë vajzën nga Shqipëria komuniste. Por diktatura komuniste shqiptare nuk do të ishte ajo që ishte, nëse do t’ ia bënte këtë lëshim, qoftë edhe një agjenti të saj në Perëndim. Vajza do të rrinte peng në Shqipëri, përsa kohë të ekzistonte regjimi komunist. Diktatura komuniste, nuk mund të rrinte pa treguar anën e saj të keqe, edhe atëherë kur bënte një “mirësi”. Gjithsesi vajza e Çokut do të lejohej të banonte në qytetin e Tiranës deri në vitin 1960, në një kohë që ajo tashmë i kishte të dy prindërit të arratisur politikë. Të tjerë fëmijë të mitur të të arratisurve politikë jetonin në kampet me tela me gjemba të internimit, siç qenë në dekadën e parë të regjimit komunist, ndonëse nuk i kishin prindërit. Vetëm kur binte shumë në sy, si zbutje e luftës së klasave, regjimi komunist merrte masa ndaj familjarëve të të arratisurve politikë, të cilët i pati privilegjuar në njëfarë mënyre.
      Mentor Çoku, i cili ishte një besimtar islamik, u bë edhe më i përkushtuar ndaj religjionit të tij, duke shpresuar në ndihmën e Allahut për të nxjerrë vajzën e tij nga ferri komunist. Në kohën që emigrantët e tjerë politikë shqiptare, ndonëse e njihnin mirë Italinë dhe një pjesë e madhe kishin studiuar dhe jetuar atje, jetonin megjithatë në kampet e e krijuara nga aleatët dhe qeveria italiane, Mentor Çoku ia arriti që shumë më shpejt se të tjerët të dilte nga kampi dhe të vendosej në Romë. Çoku e njihte mirë Italinë se kishte qenë atje për studime universitare në vitet tridhjetë, të cilat megjithatë nuk i kishte përfunduar. Pak kohë pas arritjes në Itali, Çoku i shkruajti një letër një të njohuri të familjes që kishte ardhur në Romë si pjesë e një dërgate saudite që do të hapte përfaqësinë diplomatike saudite në Romë, dhe i kërkoi ndihmë, duke përdorur njohjen që kishte pasur i ati i tij, Hamdi Çoku me mbretin saudit të kohës, Abd Al Aziz, Faisal Al Saud (1876-1953), në kohën që ky i fundit ishte shtetas otoman, para Luftës së Parë Botërore.
      Diplomati saudit shkoi dhe e takoi Çokun në kamp dhe e ndihmoi që të dilte prej andej dhe t’ i jepej e drejta e qëndrimit në Romë. Sauditët ndërhynë për këtë tek amerikanët, të cilët komandonin kampet e emigrantëve politikë nga vendet ku kishin ardhur në fuqi komunistët. Fjala e sauditëve kishte filluar të kishte ndikim tek amerikanët për shkak se amerikanët kishin interes për naftën saudite. Sauditët e kishin përzgjedhur Çokun për të krijuar një shoqatë islamike në Itali, e cila do të lobonte për të bërë realitet ëndrrën e hershme të botës arabo-muslimane, ndërtimin e një xhamie në Romë, gjë të cilën ia kishin kërkuar Mussolinit, i cili shtirej si mik i arabëve. Arsyeja për të cilën u përzgjodh Çoku për këtë qëllim, nuk është e vështirë të kuptohet. Kjo ishte një çështje me ndjeshmëri të madhe, dhe italianët do të prekeshin më pak nëse kampion i kësaj kauze do të ishte një shqiptar, pra një europian, se një arab. Në 1947 Mentor Çoku krijoi organizatën e parë islamike në Itali, UIO. Deri në 1965 ishte e vetmja organizatë islamike në Itali. Që prej vitit 1951, kur në Itali u hap Legata e Arabisë Saudite, e cila në 1958 u ngrit në rangun e ambasadës, Mentor Çoku do të ishte një ndër frekuentuesit e shpeshtë të saj. Çoku ishte shumë aktiv në dobi të kauzës islamike në Itali. UIO gjithashtu krijoi dhe Academia della Lingua Araba e della Cultura Islamica, e cila nxirrte revistën “Islam, storia e civilta”. Gjithashtu UIO hapi në 1982 shkollën e parë në arabisht në Itali, të njohur nga autoritetet italiane. Sauditët, me kalimin e kohës, duke parë përpjekjet në rritje të Çokut për kauzën islamike, filluan t’ a ndihmojnë gjithëherë e më tepër financiarisht, aq më tepër që të ardhurat e Mbretërisë Saudite nga shitja e naftës erdhën duke u rritur me shpejtësi. Çoku i shkathët nuk u kufizua duke marrë para nga sauditët. Në vitin 1972, tre vjet pas ardhjes së kolonelit Gaddafi në pushtet në Libi, ky vend krijoi një organizatë globale për mbështetjen dhe përhapjen e Islamit në botë, të quajtur World Islamic Call Society. Kjo shoqatë libiane në Itali përfaqësohej zyrtarisht nga UIO i Mento Çokut. Pas vdekjes së Çokut UIO u drejtua nga një qytetar italian me kombësi libiane, i quajtur  Mansur Tantoush. Mentor Çoku ishte arabofon. Ai gjithëherë prezantohej si Mentor Hamdi Çioku, për shkak se emri musliman “Hamdi”, që ishte i babait të tij tregonte përkatësinë e tij muslimane. Çoku mori pjesë në krijimin e Centro Islamico Culturale d’ Italia.
      Siç e thashë, qëllimi kryesor i shoqatës islamike të Mentor Çokut ishte që në Romë, në kryeqytetin historik të Krishterimit, të ndërtohej në xhami. Për 18 vjet rresht deri në vitin 1965, kur në Itali u krijua një shoqatë tjetër islamike veç asaj të Çokut, ai ishte lobisti i vetëm i rëndësishëm, përfaqësues i muslimanëve të Italisë, që lobonte për këtë gjë, duke shpenzuar shuma të mëdha parash. Edhe pas vitit 1965, Çoku mbeti lobuesi kryesor zyrtar për ndërtimin e xhamisë. Natyrisht se në prapaskenë vepronin forca të tjera por ishte Çoku njeriu kryesor që vepronte publikisht. Ata që e ngarkuan Çokun me këtë detyrë, e kishin menduar mirë punën. Çoku krijoi miqësi me Clelio Derida, kryetari i Bashkisë së Romës në vitet 1969-76, dhe pas të gjitha gjasave ishte njeriu që i pagoi këtij të fundit, si dhe një grupi anëtarësh të Këshillit Bashkiak, një mitë të madhe në dollarë për të siguruar lejën e ndërtimit të xhamisë. Gjithsesi, në 1974 u arrit të merrej leja për ndërtimin e xhamisë, duke u siguruar dhe trualli si dhuratë nga Bashkia e Romës. Por, puna e Çokut nuk përfundoi këtu, se reagimi kundërshtues vazhdonte të ishte shumë i fortë, saqë u deshën të kalonin edhe 10 vjet përpjekje, që në 1984 të mund të fillonte ndërtimi i xhamisë, duke u vënë guri i parë. Çoku arriti ta shikonte xhaminë të ndërtuar, para se të vdiste, ashtu që ndërtimi i saj përfundoi në 1995, dhe ajo u promovua dhjetë muaj para vdekjes së Çokut. Në kohën që xhamia u ndërtua ajo ishte më e madhja në Europë. Ndërtimi i Xhamisë u financua nga Mbreti i Arabisë Saudite. Në ndërkohë, Çoku shpërndante në botën arabe librin e Enver Hoxhës “Shënime për Lindjen e Mesme”, një libër gjithsesi i pëlqyeshëm për islamikët, për shkak të antisemitizmit dhe antiamerikanizmit të skajshëm.
      Në kohën e rënies së komunizmit në Shqipëri, Çoku nisi të interesohej intensivisht për zhvillimet në Shqipëri. Synimi i këtij aventurieri islamik ishte që të promovonte Islamin në Shqipëri, si dhe ta përdorte vendin tonë si një bazë për të mbështetur muslimanët bosnjakë në luftën e pritshme në Jugosllavi. Me hapjen e Shqipërisë, Çoku nisi të vendoste sa më shumë lidhje me njerëz në Shqipëri nga fushat e politikës, medias etj., për të cilët mendonte se mund të ishin të dobishëm për qëllimet e tij. Kështu që Çoku hyri në lidhje edhe me Fevziun. Çoku kishte një lidhje gjaku me Fevziun, duke qenë se atë e kishte kushëri nga ana e nënës së tij. Se nëna e Mentor Çokut ishte toptanase. Vërtet nëna e Fevziut dhe Mentor Çoku nuk qenë kushërinj të afërt, por në këtë rast, kur Çoku kërkonte kontakte politike në Shqipëri, një lidhje gjaku kishte shumë rëndësi. Qëkurse u hap Shqipëria, Çoku grumbullonte dhe lexonte me vëmendje të gjithë shtypin që botohej në Shqipëri, duke përfshirë natyrisht edhe gazetën e parë opozitare, “Rilindja Demokratike”. Atje, që në numrin e parë i bëri përshtypje emri i Blendi Fevziut, për shkak se kishte njohur familjen e Bajram Fevziut në Tiranë, në vitet ’30-‘40, pasiqë gruaja e Bajramit, e cila ishte toptanase, ishte kushërirë e nënës së Mentor Çokut. Mentor Çoku e dinte se mbiemri “Fevziu” ishte unik në Shqipëri, kështu që ai mendoi se mund të bëhej fjalë për ndonjë pasardhës të kësaj familjeje, djali ose nipi i Ali Fevziut, të cilin e kishte njohur në Tiranë para vitit 1944. Ali Fevziu, daja i nënës së Blendit kishte qenë mbi 20 vjeç kur Mentor Çoku u largua nga Shqipëria në 1944.
      Mentor Çoku komunikoi me Ali Fevziun me anë të Jusuf Vrionit, dhe u interesua se çfarë lidhje kishte me Blendi Fevziun. Në atë kohë komunikimi nuk ishte i lehtë, pasiqë njerëzit nuk kishin telefon në shtëpi. Pasiqë u informua, Mentor Çoku i kërkoi Blendi Fevziut që nëse donte mund të vinte në Itali, vetëm ose me ndonjë mik, me shpenzimet e atij, Mentor Çokut. Blendi Fevziu pranoi dhe me anë të Partisë Demokratike siguroi vizën në Ambasadën e Italisë në Tiranë. Meqënëse nguronte të shkonte i vetëm mori me vete dhe mikun e tij. Meqënëse ishte i pakënaqur ngase PD nuk e kishte bërë kandidat për deputet në zgjedhjet e 31 marsit 1991, Fevziu nuk priti as që të përfundonin zgjedhjet, por u nis një ditë para zgjedhjeve. Fevziu më pas shkruan për këtë udhëtim në një libër të tij:
      Mëngjesi i 30 marsit qe çuditërisht i pastër, i bukur dhe lulet e kumbullave që përhapnin nga oborret e shtëpive një aromë të lehtë, të këndshme. Në Qendrën e Shtypit gazetarë të vonuar jepnin lajmet e fundit për mitingun e djeshëm dhe njoftonin redaksitë e tyre se entusiazmi demokratik në Shqipëri qe i shkëlqyer. Shumica po gatiteshin të niseshin që atë pasdite drejt qendrave të votimit për të ndjekur nga afër procesin që kryhej për herë të parë në këtë vend.
      Midis kësaj rrëmuje të përditshme unë me Armandin vërtiteshim me dy pasaporta në xhep, si dhe biletat e avionit që atë pasdite do të na dërgonte në Itali. Në momentin e zgjedhjeve ne do të ishim pranë refugjatëve, për të parë reagimin e tyre.
      Të gjitha formalitetet ishin kryer fare shpejt. Takuam Frrokun, Mitron dhe u bëmë gati. Avioni nisej në ora 16.00. Tirana kishte filluar të jetonte me ankthin e zgjedhjeve. Muret qenë mbushur me parrulla e pllakata, ndërsa në ballkonet vareshin flamujtë blu të PD-së. Në bulevard xhiroja kishte nisur herët dhe grupe të mëdhenj djemsh qenë mbledhur përpara qendrave të nesërme të votimit. Të takoje dikë nga udhëheqësit e PD-së qe pothuajse e pamundur. Ata qenë larguar nëpër rrethe e për më tepër, në PD të gjithë shpejtonin për diku. Ashtu siç do të shpejtonim ne atë natë drejt ndonjë kampi refugjatësh shqiptarë. As vetë nuk e dinim ku.
      Pastaj avioni u nis dhe Bishti i Pallës, Gjiri i Durrësit, gjithë ajo pjesë e bregdetit, u shndërrua në kartolinë nën krahun e tij.[xxiv]
      Siç shihet, Fevziu nuk rrëfen arsyen e vërtetë të udhëtimit në Itali. Arsyeja që jep Fevziu duket krejt e pabesueshme. Blendi Fevziu dhe Armand Shkullaku nuk qenë reporterë televizivë që të mund të sillnin atmosferën në kampet e refugjatëve në Itali ditën e zgjedhjeve. Si gazetarë, në 31 mars 1991, Fevziu dhe Shkullaku qenë të nevojshëm në Shqipëri, për të ndjekur procesin zgjedhor në qendrat e votimit dhe përreth tyre, jo në Itali. A mund të mungonte një gazetar (Fevziu po shkonte në Itali si gazetar) në një ngjarje të tillë madhore, siç ishte zhvillimi i zgjedhjeve të para pluraliste në një vend që kishte kaluar 47 vite diktature komuniste?! Natyrisht se asnjë gazetar nuk do të donte që ta humbte këtë ngjarje. Fevziu e humbi se ai humbi interesin për zgjedhjet në momentin që mësoi se nuk do të ishte kandidat për deputet. Si qytetarë të Shqipërisë në moshë madhore, Fevziu dhe Shkullaku nuk mund ta humbnin, për asgjë në botë mundësinë për të votuar në zgjedhjet e para pluraliste në vend. Tekefundit, a nuk kërkonin votën e lirë studentët që u ngritën në protesta në dhjetor 1990? A mund të mendohej se autori i reportazhit për lëvizjen studentore, të mos votonte në zgjedhjet e para pluraliste në vend? Aq më tepër që lagjia në të cilën banonte Fevziu në Tiranë, bënte pjesë në zonën elektorale ku ishte kandidat diktatori i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia. Fevziu ka shkruar në librin e tij “Para dhe pas kamerave”:
      Kujtova një mëngjes në Romë, kur unë dhe Armand Shkullaku ishim magjepsur nga lajmi që Ramiz Alia kishte humbur zgjedhjet në zonën time dhe se në vend të tij kishte dalë deputet një inxhinier i thjeshtë i quajtur Frano Kroqi.[xxv]     
      A mundej që një i ri që i përkiste një familjeje të deklasuar, t’ i hiqte vetes kënaqësinë për të votuar kundër Ramiz Alisë? Është e qartë se këtu kishte diçka që nuk shkonte, aq më tepër që Fevziu nuk bëri as atë gjë për të cilën supozohej se ishte nisur në Itali. Që Blendi Fevziu dhe Armand Shkullaku nuk kishin shkuar në Itali për të vizituar kampet e refugjatëve shqiptarë, të ikur në Itali në ditët e para të marsit, me anijet, kjo kuptohet, kur ai shkruan, duke rrëfyer për ditën e dytë të tij në Itali që ishte 31 marsi, dita e zgjedhjeve në Shqipëri:
      Të nesërmen qe ditë e bukur, e vazhdimisht ne u endëm nëpër rrugët e Romës, më pak të pranishëm se kurrë aty. Kampet e refugjatëve ishin larg për 50 dollarët që i ruanim në xhepat, ndërsa prania e tyre e shpërndarë qe e ndjeshme kudo. Ato çaste në Tiranë kishin filluar zgjedhjet.[xxvi]
      Por, se ku gjendeshin kampet e refugjatëve, Fevziu dhe Shkullaku e dinin qëkurse ishin në Shqipëri. Vendodhjen e kampeve e dinin të gjithë në Shqipëri nga televizioni italian. Fevziu dhe Shkullaku e njihnin hartën aq sa për të ditur largësinë e kampeve nga Roma. Fevziu, si një komedian i vërtetë, shtiret se atë ditë në Itali jetonin me atmosferën zgjedhore në Shqipëri dhe me pritshmërinë e fitores së PD:
      Po afronte mëngjesi i 1 prillit. Të strukur në një rreze të errët ne nuk dinim asgjë nga këto. Ne pritnim me po atë shpresë të parë, që buronte nga flamujt blu që valviteshin në erë, vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve. Ishte pra mëngjesi i prillit 1991, kur së bashku me dy refugjatë rumunë ne pritnim përpara kishës së Shën Maria di Transburtina.[xxvii]
      Është e vështirë të ekzagjerosh ironinë e kësaj situate, ashtu që Fevziu i cili ishte nisur të takohej me emigrantët shqiptarë në ditën e 31 marsit, kur mbaheshin zgjedhjet në Shqipëri, si dhe të nesërmen, 1 prill kur priteshin rezultatet e zgjedhjeve, gjendej në shoqërinë e dy refugjatëve… rumunë! Pasiqë bisedon me një plak italian në rrugë, Fevziu i telefonon Mentor Çokut, edhe për të mësuar se si kishin shkuar zgjedhjet në Shqipëri:
      Ikëm. Ai na foli akoma diçka për komunizmin që kishte vdekur në Itali prej zgjedhjeve të 1948-ës. Nuk dinim ku të shkonim, telefonuam në familjen e një miku shqiptar.
      -Humbëm,- tha ai.- Humbëm por Ramiz Alia nuk fitoi, as Spiro Dede, as Muhamet Kapllani, as Skënder Gjinushi. Fatos Nano ka shkuar në raundin e dytë, gjithë Tirana ka votuar kundra. Nga ne, Saliu ka fituar 90%, Pashko gati 80%, Preçi dhe Azemi po ashtu.
      Në të vërtetë plaku italian kishte të drejtë. Ajo qe një fitore e vdekur, por një vdekje që do ta shtonte agoninë shqiptare. Dy orë më vonë ne kishim mbërritur në Termini dhe kërkonim autobusin për Korso Trieste.[xxviii]
      Blendi Fevziu nuk e thotë në këtë libër të botuar në 1993 se “miku shqiptar”, të cilit ai i telefonoi dhe që u dha të dhëna të hollësishme për zgjedhjet në Shqipëri që në mëngjesin e 1 prillit, ishte Mentor Çoku. Blendi Fevziu nuk e thotë as se për në  Corso Trieste u nisën se i ftoi Mentor Çoku. Nuk duhet ngatërruar Corso Trieste me qytetin e Triestes. Corso Trieste është një rrugë në Romë, afër qendrës historike të qytetit. Atje qe Selia e UIO, ku kishte zyrën Mentor Çoku. Dy paragrafet e mësipërme nga libri i Fevziut kuptohen më mirë, nëse citohet një shkrim që Fevziu ka botuar 15 vjet pas librit “Piedestale pa statuja”, në 2008. Është fjala për një shkrim të botuar në gazetën “Panorama”, në 4 nëntor 2008, me titull “Mentor Çoku një histori a la Grim”, ku ai thotë:
      E paharrueshme dhe që nuk kam nevojë ta shënoj askund për ta rikujtuar me saktësi. Që prej 15 vjetësh nuk kam shkelur më kurrë atje, kam harruar numrin e urbanit që merrja në Termini për të arritur, emrin e stacionit ku ndaloja madje edhe pjesën e Romës ku është vendosur, por jam i sigurt se njeriun që më priste aty nuk do ta harroj asnjëherë. Quhej Mentor Çoku, ishte diku në prag të të 80-tave kur e njoha dhe kam bindjen se si një personazh i famshëm i Graham Grinit te “Komedianët”, asnjëherë, askund në jetë, askush nuk e ka kuptuar se çfarë ishte me saktësi. E njoha në një ditë dhe në rrethana krejt të veçanta në 1 prill 1991! Kisha mbërritur në Romë dy ditë më parë bashkë me Armand Shkullakun si dy gazetarë të rinj të gazetës së opozitës, ende studentë dhe po atë ditë Shqipëria mbante zgjedhjet e para të lira në historinë e saj. Zgjedhjet e 31 marsit. Ishim vërtitur nëpër qytetin e panjohur me entusiazmin e udhëtimit të parë jashtë Shqipërie në moshën 22 vjeçare dhe me shqetësimin e asaj çfarë ndodhte tek ne; kishim shpresuar gjatë në fitoren e opozitës, edhe pse thellë-thellë e dinim se rezultati pak rëndësi kishte për ne. Shqipëria kishte hyrë në rrugën e transformimit dhe kjo ishte tashmë e vetmja gjë që nuk kthehej më mbrapsht. Kishte kaluar nata e parë, magjepsja e qytetit dhe ideja që ndodheshim këtu, dhe mbeteshim tashmë në pritje të asaj tjetrës, rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri. Në fakt, Perëndimi nuk kishte qenë aq mikpritës me ne në takimin e parë me të. Kishim fjetur një natë të tërë jashtë, rrugëve të Vatikanit dhe mëngjesin e datës 1 prill, në pritje të rezultateve të votimit, telefonuam të vetmin numër me prefiks të Romës që kisha me vete, atë të Mentor Çokut. Nuk e dija ç’ ishte, ç’ moshë kishte dhe me se merrej. Një ditë përpara ikjes, Shpëtim Nazarko, shefi i informacionit i PD, ma kishte dhënë me lehtësi, duke më thënë se dukej në moshë, se kishte telefonuar disa herë në selinë e PD dhe se kishte pyetur se me se mund të na ndihmonte nëse kishim nevojë… I telefonova nga një kabinë pranë “Shën Pjetrit” dhe ai m’ u përgjigj i gatshëm nga ana tjetër e telefonit. Më shpjegoi se në Shqipëri i kishim humbur zgjedhjet, por se komunistët s’ kishin fituar asnjë nga qytetet e mëdha; se Ramiz Alia ishte sfiduar nga një inxhinier i panjohur dhe se kjo ishte një fitore e madhe morale. Më tha se atë ditë ishte pushim, Pashkë, por se ai po na priste në zyrën e tij: Corso Trieste 90![xxix]
      Mentor Çoku vërtet kishte telefonuar në zyrat e PD, siç thotë Fevziu, por nismëtar i lidhjes së tyre nuk u bë Shpëtim Nazarko, siç thotë Fevziu, por Jusuf Vrioni. As këtë herë Fevziu nuk e thotë se ai e kishte kushëri Mentor Çokun. Nga këto që thotë Fevziu në shkrimin e vitit 2008 zbërthehet qartë ato gjëra që ai i lë enigmatike në librin e vitit 1993, që e kam cituar më lart. Mentor Çoku është “miku shqiptar” të cilit i telefonuan. Gjithashtu, qartësohet dhe arsyeja se përse Fevziu mori autobusin për të shkuar në Rrugën Corso Trieste. Atje qe selia e shoqatës së Mentor Çokut, i cili e priste në zyrë.  Përse Fevziu la disa pika të errëta në rrëfimin e tij të vitit 1993. Kuptohet se përse. Kjo është sjellja e kriminelit që fsheh gjurmët e krimit. Fevziu mendonte se historia e bashkëpunimit të tij me Mentor Çokun, këtë veprimtar islamik me profil të lartë, ishte kompromentuese për të. Këtu nuk ishte fjala thjesht për udhëtimin e parë, por edhe bashkëpunimin e mëtejshëm të tyre. Se Fevziu që u nis për pak ditë në Itali qëndroi atje rreth tre muaj, duke bujtur në shtëpinë e Mentor Çokut, së bashku me Shkullakun. Mentor Çoku kishte synim t’ i bënte të dy të rinjtë aktivistë islamikë në Shqipëri. Madje Shkullakut, i cili e kishte lëshuar mjekrrën, i tha se me pamjen që kishte do të dilte një imam i mrekullueshëm.
      Fakti që Fevziu pohon në shkrimin e cituar më lart të vitit 2008, pohon se nga Shqipëria u nis duke pasur si të vetmin numër telefonik kontakti në Itali, atë të Mentor Çokut është prova përfundimtare se Fevziu ishte nisur nga Shqipëria në Itali, pikërisht për të takuar Mentor Çokun. Nëse Fevziu do të ishte nisur për të vizituar kampet e refugjatëve, ai do të kishte marrë ndonjë numër kontakti nga Ambasada e Italisë në Shqipëri, me anë të PD. Ndryshe si do ta përmbushte misionin, kur ai kishte një deadline, mëngjesin e ditës së nesërme të arritjes në Itali? Fevziu dhe Shkullaku e mësuan që në takimin e parë se cili ishte Mentor Çoku. Fevziu shkruan në artikullin e vitit 2008, për takimin me Çokun, në 1 prill 1991, kur mbërritën në zyrën e tij:
      E takuam pak kohë më vonë. Afër të 80-va, i pashëm, i veshur shik, dhe me një qetësi të admirueshme. Fliste ngadalë, me një logjikë të hekurt dhe nuk e di pse më ngjante se ai dinte çdo gjë dhe gjithçka. Ishte President i Unionit Islamik të Europës Perëndimore, një shoqatë që e kishte krijuar vetë, dhe që besoj se i sillte përfitime jo të pakta nga donatorët e pasur arabë, përfshi Libinë. Kishte ndikuar fort në ndërtimin e një xhamie në Romë dhe ruante lidhje lidhje perfekte në Vatikan e në politikën italiane. Në ditë të gjata bisedash me të më tregoi se kishte njohur gjyshin tim, se kishte qenë mik me Enver Hoxhën në Belgjikë në mes të viteve ’30 dhe se më pas kishte luftuar me nacionalistët kundër komunistëve. Ishte larguar me çetat e fundit në nëntor 1944 dhe qe vendosur në Itali. Kishte jetuar gjithnjë aty, por fare pak fliste për jetën e tij në Romë.[xxx]
      Që kryetari i një shoqate me emrin Unioni Islamik i Europës Perëndimore të ketë lidhje perfekte në Vatikan, kjo ngjan krejt e pabesueshme, se kështu del që Vatikani dëshironte promovimin e Islamit në Europë?! Por Fevziu e thotë këtë rrenë për të bërë apologjinë e tij, për bashkëpunimin me Çokun. Në fakt, krejt shkrimi i Fevziut, i vitit 2008, është apologjetik. Fevziu, për të fshehur të vërtetën e bashkëpunimit të tij me Çokun, kërkon të na bindë se ai nuk e kishte seriozisht përkushtimin që shfaqte ndaj Islamit:
      Nuk e di sa i sinqertë ishte në rrëfimet e tij. Më pas kam dyshuar shumë për këto. Pata gjithnjë bindjen, edhe pas vdekjes së tij në prill 1996, se një ditë do të më shfaqej në ëndërr dhe si ai personazhi i famshëm i Graham Grinit do të më thoshte: Blendi, ti besove seriozisht? Gabim! Por edhe unë nuk të gënjeva, të thashë ato që besoj edhe vetë, pavarësisht se sa të vërteta janë. Në fund të fundit, a nuk jemi të gjithë nga pak komedianë? Në fakt ai duhej të ishte një komedian i përsosur, për të mos thënë brilant. Drejtonte një Union Islamik, por jam i sigurt se Islami ishte gjëja që i interesonte pak, për të mos thënë aspak. Thjesht kjo kishte qenë mënyra më e mirë për t’ i siguruar një jetë komode në atdheun e tij të dytë.[xxxi]
      Personazhi i Graham Green për të cilin flet Fevziu është një personazh i romanit të tij “Komedianët”, Majori Jones (Xhons), i cili në të vërtetë nuk ishte fare oficer, por shtirej si i tillë për të mashtruar të tjerët, ashtu që t’ u merrte atyre para. Në të vërtetë, Mentor Çoku ngjan më tepër me një personazh tjetër të romanit “Komedianët” të Graham Green, i cili quhet Smith dhe që është i përkushtuar ndaj kauzës së Vegjetarianizmit, për çka udhëton në Haiti me një anije, së bashku me personazhet e tjera, për të hapur në këtë vend një qendër vegjetariane. Smith është vërtet i përkushtuar ndaj kauzës së Vegjetarianizmit. Smith e ndihmon Jones-in, duke i dhënë para që të shpëtojë nga burgu dhe kërkon ta bëjë vegjetarian. Në marrëdhënien e Mentor Çokut me Fevziun, “Majori Jones” ishte Fevziu, i cili u shtir se fjalët e Mentor Çokut i ngjallën përkushtimin ndaj Islamit. Për orë të tëra, në shumë ditë, Çoku u foli dy të rinjve për Islamin, duke u përpjekur që t’ i bënte të përkushtuar ndaj këtij religjioni. Duke qenë se këto biseda bëheshin në restorantet e shtrenjta të Romës, si dhe në intervalet mes tyre Çoku i çonte në dyqane të shtrenjta ku iu blinte veshje, Fevziu dhe Shkullaku nisën ta ndiejnë veten “muslimanë” të përkushtuar. Çoku i ftoi të lexonin Kuranin dhe ata nisën ta bëjnë me zell këtë punë, duke qenë se pas çdo faqeje të librit që shfletonin gjenin si të thuash nga një kartmonedhë të gjelbër amerikane. Është kërshërore, se Fevziu në shkrimin e vitit 2008 rikthehet vazhdimisht tek enigma e Mentor Çokut, për të cilën kishte heshtur kaq shumë vjet:
      Druaj se ai ishte nga ata njerëz për të cilët besohet gjithçka thuhet, edhe pse asnjëherë nuk je i sigurt se çfarë është realisht e vërtetë. Ndaj shumë herë kam besuar se mund të ishte edhe një ndërmjetës në tregtinë e naftës me Libinë, siç u akuzua, edhe një trafikant armësh, siç thoshte një gazetë italiane, edhe një njeri me zemër të madhe që priste refugjatët, e ndoshta edhe një shenjt. Ishte thjesht nga ata njerëz që iu besohet gjithçka dhe që sekretin e vërtetë, portretin e tyre real, e marrin me vete nga kjo jetë.[xxxii]
      E sigurt është se Mentor Çoku ishte përzier në shumë afera të pista mes Perëndimit dhe botës arabe. Fakti që ai nuk u përball me akuza legale nga autoritetet italiane për këto çështje, nuk do të thotë se ai ishte i pafajshëm. Duke qenë se në lojë qenë interesat e naftës, punët e Çokut mbeteshin në zonën e hijes, atë të raison d’ etat, ku nuk vepronte drejtësia. Ndonëse Çoku mund të krijonte përshtypjen e një mirëbërësi deri tek një shenjti, për shkak të ndihmës financiare që u jepte refugjatëve shqiptarë, e gjithë kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një imazh i ndërtuar me kujdes në funksion të agjendës së tij prej rekrutuesi islamik. Edhe në rastin e Fevziut, Çoku para së gjithash shfaqte aspektin e tij si rekrutues islamik. Fevziu shkruan se Çoku i zbuloi atij dhe ambicjet e tij politike:
      Në biseda të gjata në Romë dhe në Tiranë pata përshtypjen se gjatë vitit 1991 e deri në fitoren përfundimtare të PD-së në mars 1992, ai kishte një ambicje për të qenë President i vendit. Nuk besoj se këtë e shihte si një lloj përfitimi personal. Besoj se në jetën e tij, ky mund të ishte shpërblimi më i madh që mund t’ u jepte gjithë bashkëmoshatarëve dhe gjithë njerëzve që kishin pasur apo vuajtur të njëjtin ideal me të.[xxxiii]
      Mentor Çoku donte të bëhej President i Shqipërisë që të promovonte fuqishëm Islamin dhe ta bënte Shqipërinë bazë të mbështetjes për muslimanët e Bosnjë-Herzegovinës, duke depërtuar atje nëpërmjet Kosovës dhe Sanxhakut. Kur u kthye në Shqipëri, në qershor 1991, Fevziu ishte bërë një ithtar dhe promovues i Mentor Çokut. Fevziu praktikisht krijoi Komitetin “Çoku President”. Fevziu, duke dashur të përgënjeshtrojë tërthorazi zërat që dolën atëherë se ai kishte marrë shumë para nga Mentor Çoku, shkruante në vitin 2003, në një “ese” të tij (Kur Fevziu kërkon të përhapë të pavërteta për vetveten ose familjen e tij, e ka praktikë që të shkruajë nga një “ese”):
      Kujtova se si e kisha të pamundur të paguaja biletën e autobusit sa herë nisesha nga Termini për në “Korso Trieste 90”, selia e Komunitetit Islamik të Europës Perëndimore, në zyrat e së cilës, gjeja çdo ditë Mentor Çokun, një ndër të vetmit shqiptarë të emigruar që kishte pasur fat në emigrimin e tij. Plak i mençur dhe i këndshëm, ai nuk përtonte asnjëherë të më tregonte se shqiptarët kanë qenë gjithnjë protagonistë të shthurrjeve të mëdha si kjo, dhe se po kaq thjesht janë shndërruar në protagonistë të ndryshimeve.[xxxiv]
      Përse i duhej Fevziut të merrte autobusin kur ai banonte në shtëpinë e Mentor Çokut? Sa për paratë, ato nuk i mungonin në atë kohë. Me përrallën e mësipërme,  Fevziu kërkon të mbulojë faktin se ai banonte në shtëpinë e Mentor Çokut. Në qershor 1991 në Itali shkoi Preç Zogaj, në prag të krijimit të qeverisë së përbashkët PS- PD, e ashtuquajtur “qeveri e stabilitetit”, ku Preç Zogaj  do të bëhej ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me ç’ rast do ta bënte Fevziun drejtor të Drejtorisë së Rinisë dhe Sporteve. Kur Zogaj e takoi Fevziun i tha që të shkonte të banonte disa ditë tek një mik katolik, para se të vinte në Shqipëri, se në Tiranë qenë hapur zëra se Fevziu dhe Shkullaku qenë bërë islamikë të thekur. Fevziu nuk mungon të flasë në shkrimin e vitit 2008 edhe për të famshmin takim të Triestes, të shkurtit 1992, mes Çokut, Nanos dhe Berishës, për të cilin kam folur në fillim të këtij kapitulli. Edhe këtu Fevziu nuk mungon të thotë më tepër se një rrenë:
      Ndodhi që të isha dëshmitar i paratakimit. Në janar të 1992 isha në një vizitë në Kuneo të Italisë dhe prej andej udhëtova me tren për Romë. Mentor Çoku më priste në zyrën e tij, mbushur pothuaj gjithnjë me shqiptarë, dhe një lloj vendtakimi komun. Shumë gjëra kishin ndryshuar në ato muaj mes nesh. Isha tashmë një nga njerëzit me lidhje të forta më PD dhe punoja prej kohësh me Preç Zogajn, që PD-ja e kishte zgjedhur të drejtonte Ministrinë e Kulturës në Qeverinë e Stabilitetit. Ylli i Zogajt ishte padyshim në majat e tij në atë kohë.[xxxv]
      Fevziu këtu gënjen trashë, sipas praktikës së tij. Në janar 1992 ylli politik i Zogajt kishte rënë në PD, pasiqë ai kundërshtoi Berishën për çështjen e qëndrimit ose jo të PD në qeverinë e përbashkët me PS. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, në janar 1992 Zogaj nuk ishte më ministër, se PD tashmë qe larguar nga qeveria. Zogaj nuk do të ishte në listën e kandidatëve për deputetë të PD në zgjedhjet që do të mbaheshin dy muaj më pas, në mars. Edhe ylli i Fevziut, si bashkëpunëtor i ngushtë i Zogajt, dhe si njeri që ishte prononcuar tashmë publikisht kundër Berishës, siç do ta citoj më tutje në këtë libër, ishte në rënie. Në janar 1992, në PD, njeri me lidhje të forta quhej ai që kishte lidhje me Berishën, ose me njerëzit më afër tij, dhe Fevziu nuk ishte një njeri i tillë. Prandaj Mentor Çoku humbi interesin e mëparshëm për Fevziun, ndonëse ende kishte interes për të si për çdo njeri që mund t’ i shërbente kauzës së tij. Sipas atyre që rrëfen Fevziu, Çoku e ka gënjyer atë:
      Çoku ishte i qetë. Më sqaroi se PS-ja italiane kishte një kongres në Trieste, dhe se atje do të merrte pjesë edhe Nano por se ai kishte insistuar që të thirrej edhe Berisha. Ja kishin konfirmuar dhe pritej që ai t’ i takonte të dy atje.
      -I kam ftuar për darkë,- më tha,- dhe dua që të vish edhe ti. E ndërroj biletën e avionit dhe fluturon që andej.
      Refuzova me një justifikim të fortë për kohën, por që më pas më vjen për të qeshur sa herë e kujtoj. Pas dy ditësh në Tiranë zhvillohej konkursi i parë i Miss Albania-s dhe unë si organizator dhe anëtar jurie duhej të isha aty. Mund edhe të mos kisha qenë, por ndodhi fare thjeshtë kështu. I thashë Mentorit se nuk mundesha dhe të nesërmen u nisa për Tiranë.[xxxvi]
      Siç kam thënë në nisje të këtij kapitulli, takimin, ose më saktë bisedimet (se pati më tepër se një takim) Nano-Berisha në Trieste i organizuan italianët. Nuk ishte fjala për një kongres socialist, por për një forum, apo tryezë për zhvillimet në ish-Jugosllavi. E vetmja gjë e vërtetë në rrëfimin e mësipërm është se Çoku i kishte ftuar Nanon dhe Berishën për një darkë, kur të vinin në Trieste. Nuk ishte Çoku ai që i kërkoi Fevziut të ishte i pranishëm në takim, por ishte Fevziu ai që ia kërkoi Çokut këtë gjë. Madje Fevziu i kërkoi Çokut me të madhe që të ndërhynte tek Berisha që Fevziu të ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e marsit. Por Çoku, i cili e dinte se marrëdhëniet e Fevziut me Berishën qenë përkeqësuar, që prej dhjetorit të kaluar, nuk donte t’ i bënte Berishës kërkesa për të cilat e dinte se ai nuk kishte disponim. Mund të përcaktohet me saktësi edhe data e këtij takimi të Fevziut me Mentor Çokun. Spektakli Miss Albania, për të cilin flet Fevziu u mbajt në Tiranë, në 31 janar 1992, ditën e premte. Përderisa Fevziu thotë se biseda e tij me Çokun u bë dy ditë më para se ky event, atëherë del se biseda e Fevziut me Çokun është bërë në 29 janar 1992. Konferenca në Trieste u mbajt në 22-23 shkurt 1992. Kështu që Fevziu kishte kohë të shkonte në Tiranë, të qe i pranishëm në spektaklin Miss Albania, dhe pastaj kishte edhe 21 ditë kohë për të udhëtuar në Itali për të marrë pjesë në takimin mes Çokut, Nanos dhe Berishës. Merret vesh, Fevziu gënjen trashë, siç bën rëndom. Nëse është e vërtetë arsyeja që thotë Fevziu se përse Çoku e donte takimin në Trieste me Nanon dhe Berishën, atëherë Çoku kishte arsye për të mos qenë Fevziu i pranishëm. Fevziu shkruan për Çokun:
      Ai shkoi vërtet në Trieste. Takoi Fatos Nanon që përfaqësonte PS-në dhe Sali Berishën e Aleksandër Meksin e PD-së. I ftoi të gjithë për darkë, një darkë misterioze në dukje, por që padyshim ka qenë shumë e thjeshtë. Një tentativë e tij e fundit për të marrë ndoshta atë që ëndrronte ato ditë: Presidentin e Shqipërisë. Njohës i mrekullueshëm i rregullave të lojës së Perëndimit, në një kohë që ne ende sa po hynin në të, ai kishte vendosur t’ ua paraqiste këtë të gjitha palëve njësoj. Atyre që përbënin trashëgimtarët e forcës politike që e kishte ndarë nga vajza dhe e kishte lënë 50 vjet në mërgim dhe atyre që paraqisnin shpresën e tij të madhe për ndryshim. Nuk e di ekzaktësisht se ç’ ka qenë ajo bisedë. Jam i sigurt se nëse është bërë ose jo, siç pretendojnë të gjithë, ky ka qenë thelbi i atij takimi.[xxxvii]
      Nëse Çoku do t’ i kërkonte Berishës që të mbështeste kandidaturën e tij për President i Shqipërisë, atëherë nuk kishte dyshim se Çoku, ky negociator i sprovuar, nuk do të bënte gafën që të shkonte në takim me një njeri që tashmë ishte pozicionuar në PD si kundërshtar i Berishës. E vërteta është se Çoku u kërkoi vërtet Nanos dhe Berishës që të mbështesnin kandidaturën e tij për President. Nano dhe Berisha shijuan darkën në restorantin e shtrenjtë, por nuk morën asnjë angazhim, duke u shprehur në mënyrë evazive se para se të shpreheshin ata, ai duhej të siguronte mbështetjen ndërkombëtare. Çoku ngulmonte se ai mund ta siguronte lehtë këtë mbështetje, nëse ata të dy shpreheshin publikisht pro kandidaturës së tij. Biseda hyri në një udhë pra krye. Takimi mund të ketë rëndësi vetëm sa i përket anekdotikës së politikës shqiptare, se në fund të takimit u krijua një situatë shumë humoristike. Çokut iu desh të çohej nga tryeza, se e njoftuan që e kërkonin në telefon. Atëherë nuk kishte telefona celularë dhe Çokut iu desh të shkonte në holl për të folur në një telefon statik. Por, Çoku e gjeti të arsyeshme që ta ndërpriste telefonatën dhe ta vazhdonte nga një kabinë jashtë ndërtesës ku gjendej restoranti, kjo me sa duket për t’ ju shmangur interceptimit të bisedës që kishte të bënte me punët e tij. Nano, i cili e pa  që e pa nga dritarja Çokun që doli në rrugë, i tha Berishës:
      -Doktor, më duket se na punoi ky ballisti, ishte marrë vesh me kamerierin që ta njoftonte se e kërkojnë në telefon, dhe iku pa paguar, nga inati që nuk pranojmë të bëhet President. Tani si do të bëjmë për ta paguar faturën për gjithë këto gjëra të shtrenjta që porositëm. Sa para keni ju të dy?
      Të tre, ishte dhe Aleksandër Meksi, mbetën ngushtë, se të tre së bashku kishin vetëm një përqindje të vogël të shumës së faturës të darkës. Por Mentor Çoku u kthye dhe iu kërkoi ndjesë dhe kjo krizë e paparashikuar në të cilën u përfshinë liderët e politikës shqiptare, pa dallim ideje, u kapërcye. Nano nuk mungoi të bënte një shaka. Duke i thënë Çokut se nëse do të kishte qenë ai në vend të tij nuk do të ishte kthyer fare. Kaq për anët e panjohura të takimit të Triestes të shkurtit 1992, i cili gjithsesi është filmuar nga shërbimet inteligjente italiane, dhe nëse do të ketë dikur ndonjë “Wikileaks” italian, do të vërtetohen këto që kam thënë unë këtu. Fevziu thotë në përfundim të shkrimit të tij për Mentor Çokun, në 2008, duke shkruar për mënyrën sesi e përjetoi vdekjen e Çokut në 1996:
      Kishte ikur një njeri që kishte shenjuar dhe lidhur fort raportin tim të parë me Perëndimin, por në fakt kishte ikur nga kjo botë dhe njeriu i vetëm që kisha njohur me një filozofi të plotë të një të djathti të vërtetë.[xxxviii]
      Nuk është ironi e vogël që Fevziu pohon se raportin e tij të parë me Perëndimin e kishte shenjuar një aventurier fanatik islamik! Fevziu, kujdeset që thotë se ai është ndarë prej kohësh nga ndikimi i Çokut:
      Nuk e di ku prehet dhe asnjëherë nuk jam interesuar më për këtë. Do të doja që varri i tij të ishte në Shqipëri.[xxxix]
      Edhe kjo i mungon Shqipërisë, që në truallin e saj të varroset njeriu pati si kauzën kryesore të jetës së tij ndërtimin e xhamisë së Romës! Mentor Çoku ishte më tepër arab se shqiptar. Ai Shqipërisë nuk i la asgjë, as nuk shkruajti dhe nuk botoi kujtime për atë periudhë të trazuar të historisë shqiptare, në të cilën ishte dëshmitar, dhe pjesëmarrës jo krejt pa rëndësi në politikë.


31.
Si Fevziu ia atribuon Ismail Kadaresë kthimin e vet në Shqipëri, në qershor 1991, që ndodhi për shkak të Preç Zogajt

      Blendi Fevziu pohon se në pranverën e vitit 1991, ai kishte vendosur të largohej nga Shqipëria përgjithmonë, dhe e shpjegon kështu arsyen se përse ndryshoi mendim:     
      Mbaj mend që herën e parë, kur besova se më në fund kishte ardhur çasti i shumëpritur, ishte qershori i 1991. Vërtitesha në rrugët e Romës i tunduar nga kurioziteti për atë që po ndodhte në Shqipëri, për atë që do të vinte më pas, po aq sa edhe nga ideja për t’ u larguar, më në fund. Nuk e di se cila nga këto ide qe më e fortë tek unë, kush dominonte tjetrën, deri në një moment kur, duke kërkuar në një librari të vogël, por të ngrohtë në Sheshin e Shën Pjetrit, gjeta një libër të Erik Faj. Një libër prej katër intervistash me Ismail Kadarenë, filluar në Tiranë dhe përfunduar më pas në Paris, pas largimit të tij në tetor 1990. Autori përshkruan apartamentin e shkrimtarit në Tiranë, rrugën buzë tij ku për shumë kohë kisha shpenzuar i mbështetur pas murit të MAPO-s mbasditeve të këndshme të gjimnazit dhe Sheshin e Tiranës që shihej hijshëm nga ballkoni. I gjithë ai vizatim që e përjetova si virtuoz, ringjalli edhe një herë tek unë nostalgjinë për qytetin tim, për mbasditet e mrekullueshme të Tiranës në pranverë dhe për xhiron, atë shëtitje të qetë dhe shik, mbrëmjeve në Bulevardin e madh të Tiranës. U përgatita disa herë ta blija librin dhe më pas, duke e konsideruar një shpenzim rrënues për buxhetin tim modest, u largova. Shumë vite më vonë e kam konsideruar atë një libër magjepsës, pa arritur të kuptoj nëse ishte realisht i tillë, apo u zbukurua ndjeshëm nga malli im për Tiranën. Kur një pjesë e intervistave u ribotuan në veprën e Kadaresë nxjerr nga Fajar, asnjëherë nuk desha t’ i rilexoja. Druaja se do të humbja magjinë e parë, atë që më kishte ndaluar mbasditen e vonë të qershorit në Sheshin e Shën Pjetrit.
      Sidoqoftë nuk u largova. E ruajta idenë e ikjes, duke gjetur gjithnjë e më shumë motive për të thënë jo.[xl]
      Kështu, Fevziu kërkon t’ ia atribuojë ndikimit të Ismail Kadaresë vendimin e tij për t’ u kthyer në Shqipëri. Nëse do të kishte qenë vërtet kështu, përse Blendi Fevziu nuk e rrëfen këtë ngjarje në librin e tij me kujtime “Piedestale pa statuja”, që është botuar në vitin 1993, dhe ku përshkruan edhe këtë udhëtim në Itali? Përse këtë ngjarje kaq të rëndësishme të jetës së tij e rrëfen vetëm në një “ese” dhjetë vjet më pas? Merret vesh, Fevziu e ka sajuar atë më vonë. Fevziut i pëlqen të thotë se Ismail Kadare ka pasur një impakt formativ në jetën e tij. Në një ese të tij Fevziu shkruan:
      Mbaj mend se, shumë herë, në vitet e gjimnazit i rikthehesha një poeme të mrekullueshme të Kadaresë. Një poeme në të cilën ndërthurreshin edhe lufta, edhe ëndrra, edhe ideja e një brezi që sapo ishte nisur në rrugën e jetës, bashkë me entusiazmin e tij, edhe hezitimin nga e panjohura. Ishte një poemë rrjedhëse, në të cilën, ekzistonin edhe dy vargje të mrekullueshme. Dy vargje që sqaronin se brezi i Kadaresë përpara zogjve kishte mësuar të njihte market e avionëve bombardues të Luftës së Dytë Botërore. Dhe se emrat e zogjve nuk kishte arritur t’ i mësonte më pas. Nëse emrat e zogjve nuk i mëson dot në fëmijëri, ato nuk ke për t’ i mësuar më pas kurrë, ishte pak a shumë shpjegimi i Kadaresë.
      Më vonë kam besuar se kjo sentencë më tepër sesa me zogjtë dhe avionët kishte lidhje me vetë formimin e njeriut. Ka shumë gjëra që mësohen në fëmijëri, por ato shprehi që nuk i njeh dhe nuk i prek atëherë, i ke vështirë t’ i bësh të tuat më vonë.[xli]
      Poema e Kadaresë që përmend Fevziu është nga ajo pjesë e krijimtarisë së Kadaresë, të cilën vetë ky i fundit e ka quajtur si të dobët dhe të pavlefshme, duke qenë se është thjesht një vargëzim i shablloneve ideologjike. Këtë poemë dhe të tjera si ajo Kadare nuk i ka përfshirë në asnjë nga botimet e veprës së tij të plotë që janë bërë pas vitit 1990. Vargjet për të cilat flet Fevziu i përkasin poemës “S’ lindëm ne princa”, të botuar në 1961, dhe që Kadare nuk mund të mos e mohonte për shkak se ajo është një imitim i qartë i poezisë ideologjike sovjetike të kohës. Dy vargjet që përmend Fevziu janë në këtë kontekst, në poemë:
      S’ lindëm ne princa,
      Megjithatë
      Mijëra topa përshëndetën ardhjen tonë,
      Ish kohë e hekurt kur në qiej
      Më shumë bombardonjës
      Se sa zogj fluturonin

      Dhe qysh aherë dhe gjer tani
      Unë zogjve s’ ua di emrat mirë,
      Ne markat e aeroplanëve
      Atëherë si abëcënë i dinim!
      Nga zhurmë e motorëve i njihnim,
      Siç duhet të njihnim
      Zogjtë nga cicërima.

      Mëso netëve më vonë zoologjinë,
      Merr diplomën në veterinari
      Zogjtë, po nuk erdhën me fëmininë,
      Nuk vijnë kurrsesi.
      Kështu pra u rritëm
      N’ atë kohë të rreptë,
      Ne të pazogjtë,
      Aeroplanmëdhenjtë![xlii]     
      Por një eksperiencë të tillë e patën pasur fëmijët sovjetikë që ishin rritur në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në Moskë, Leningrad, Stalingrad etj., ku gjëmonin mijëra topa dhe ku të dy palët ndërluftuese përdornin në luftime pothuajse të gjithë market e avionëve që prodhoheshin në atë kohë në botë. Por një eksperiencë të tillë nuk mund ta kishte sigurisht një fëmijë shqiptar i asaj kohe. Në Shqipëri nuk kalonin aq shumë aeroplanë luftarakë sa të zhdukeshin zogjtë, siç ndodhi në disa nga qytetet sovjetike ku për shkak të bombardimeve me topa e artileri, u larguan zogjtë për një kohë të gjatë. Nuk kuptohet se përse Fevziu, i cili lindi dhe u rrit në katundet e Lushnjës, ku jetoi deri në moshën 14 vjeç, nuk i njohu zogjtë. Madje edhe në lagjen e vjetër tiranase ku ai jetoi pas moshës 14 vjeç, kishte shumë zogj në oborret me pemë. Apo Fevziu nuk u kushtonte vëmendje zogjve se ishte një fëmijë i llojit të Timurit, i ngarkuar me detyra speciale?
      Një nga arsyet për të cilat Ismail Kadare nuk pranoi që të shkruante një parathënie për librin e Fevziut “Enver Hoxha”, ndonëse ky ia kërkoi me ngulm, duke i përmendur edhe se Kadare kishte shkruar një parathënie për librin e Fahri Balliut “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” ishte se Fevziu e ka mërzitur Kadarenë duke u thënë shumë herë në prani të tij bashkëbiseduesve të huaj për përshtypjen e madhe që i kishte bërë në rini poema e mësipërme e Kadaresë. Paradoksi ironik është se Blendi Fevziu, i cili, siç e kam cituar më lart ka thënë se në 1991 u rikthye në Shqipëri për shkak të përshtypjes që i bëri një intervistë e Kadaresë, megjithatë në një autobiografi të tij, të botuar në një libër të shkruar në bashkëautorësi me Ben Blushin, në 1992, shkruan:
      Ka kohë që mendoj se asgjë në botë nuk ia vlen të merret seriozisht.[xliii]
     Fevziu këtë gjë e shkruante në moshën 23 vjeç, në 1992! Sa kohë mund të kishte që 23 vjeçari Blendi Fevziu mendonte se asgjë në botë nuk ia vlente të merrej seriozisht? Është e qartë se në qershor 1991, kur endej në Romë me dilemën nëse duhej të kthehej ose jo në Shqipëri, atij tashmë i qe krijuar ideja se nuk ia vlente që të merrej seriozisht asgjë në botë. Ky duhet të ishte një lloj besimi familjar, i trashëguar nga Neki bej Starova. E vërteta e kthimit të Fevziut në Shqipëri në qershor 1991, është krejt ndryshe nga ç’ thotë Fevziu. Fevziu u kthye në Shqipëri se në mes të qershorit 1991, Preç Zogaj u bë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në atë që u quajt Qeveria e Stabilitetit (një qeveri e përbashkët e PS, PD dhe e disa partive të tjera), me ç’ rast e ftoi Fevziun të bëhej  Drejtor të Drejtorisë së Rinisë dhe Sporteve në këtë ministri. Edhe kjo është një histori interesante dhe e ndërlikuar, që do ta tregoj në vazhdim të këtij libri. Gjithsesi, histori e çuditshme kjo e tyre. Në nëntor, shtatë muaj më parë studenti Blendi Fevziu trokiti në zyrën e shefit të redaksisë së prozës së shkurtër në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, për t’ i dorëzuar një vëllim me tregime që donte ta botonte, kurse shtatë muaj më pas, në qershor, Preç Zogaj që ato ditë ishte bërë ministër, e ftoi studentin ende të padiplomuar Blendi Fevziu që të drejtonte një drejtori në ministrinë e tij! A nuk është për t’ u thënë si urim: “Paç fatin e spiunit!” Është domethënëse se të gjithë ata që e kanë çuar para karrierën e Blendi Fevziut kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
      Koha tregoi se të gjithë mirëbërësit e Fevziut patën si të përbashkët atë se patën qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Një tjetër njeri i cili në atë kohë i bëri një shërbim të madh familjes së Blendi Fevziut ishte Njazi Kosovrasti. Me krijimin e Qeverisë së Stabilitetit, u bë ndarja e pushtetit edhe në shkallët e ulta të pushtetit, me ç’ rast njësitë e pushtetit vendor, komitetet ekzekutive, u bënë pluraliste, duke marrë dhe PD e partitë e tjera poste në to. Tirana ishte  e ndarë në rajone, secili nga të cilët kishte komitet ekzekutiv. Si përfaqësues i PD, Njazi Kosovrasti, u bë sekretar i komitetit ekzekutiv të Rajonit nr. 1. Njazi Kosovrasti e emëroi babain e Blendi Fevziut shef të seksionit të arsimit të Rajonit nr.1., çka është një post i barasvlefshëm me atë të drejtorit të Drejtorisë Arsimore sot. Ky emërim u bë në mënyrë të parregullt se, sipas marrëveshjes së partive politike, posti i shefit të seksionit të arsimit të Rajonit nr.1 i takonte një partie tjetër, nga tryeza e partive. Pas emërimit të babait të Blendit si drejtues i arsimit, edhe gruaja e tij u emërua nëndrejtoreshë e një shkolle në qytetin e Tiranës. Kështu që e gjithë familja u punësua.
      Në kohën që Preç Zogaj e emëroi Fevziun drejtor në Ministrinë e Kulturës, ky i fundit ishte emëruar nga Ministria e Arsimit mësues në një fshat të Pukës, ashtu si të gjithë të diplomuarit e tjerë, të cilët u emëruan në rrethe të ndryshme të vendit. Por Blendi Fevziu, jo vetëm që nuk shkeli asnjë ditë në Pukë, madje e quajti emërimin e tij një provokim që ia bënte ministri i Arsimit Maqo Lakrori, i cili qe i Partisë Socialiste. Prej këtej animoziteti që Fevziu ka pasur që atëherë ndaj Maqo Lakrorit. Fevziu pretendonte se Maqo Lakrori ia kishte bërë këtë gjë për shkak se ai Fevziu ishte gazetar i gazetës Rilindja Demokratike të Partisë Demokratike. Por nuk ishte fjala aspak për një keqtrajtim të Fevziut. Në atë kohë ishte praktikë që me diplomimin e studentëve, ata emëroheshin në punë, pjesa më e madhe në zonat e thella malore të vendit, me përjashtim të atyre të paktëve, cilët interesoheshin me anë të miqve dhe mënyrave të tjera, për të siguruar një emërim më të mirë. Blendi Fevziu, as që u interesua se ku do të emërohej mësues, se ai as që kishte ndërmend të punonte si i tillë. Kështu që emërimi i tij u bë për inerci.
      Si drejtor drejtorie në ministri, Blendi Fevziu tregoi anët e këqija të karakterit të tij. Në një interviste që ai i ka dhënë gazetës “Studenti” në 24 dhjetor 1991, intervistuesi e pyeti:
      Kaluan gjashtë muaj që në ministrinë tuaj u krijua Drejtoria e Rinisë. Nga fokusi juaj: a mendoni se diçka ka ndryshuar në favor të rinisë?[xliv]
      Fevziu u përgjigj:
      Detyrat janë vëzhgimi i gjendjes së përgjithshme të rinisë shkollimi, punësimi, argëtimi, bashkëpunimi me shoqatat dhe financimi i aktiviteteve të rëndësishme të tyre. Pastaj marrëdhëniet me jashtë, nënshkrimi i protokolleve dhe projekt-marrëveshjeve.[xlv]
      Fevziu nuk ka folur kurrë hollësisht për atë se çka bëri ai për t’ i përmbushur këto detyra gjatë periudhës prej prej rreth dy vjetësh që mbajti postin e drejtorit në ministri, nga qershori 1991 në mars 1993. Mund të thuhet se 21 muaj nuk janë një periudhë shumë e gjatë kohe, por gjithsesi nuk është dhe një kohë e shkurtër. E vetmja gjë që bëri Fevziu si drejtor ishte se siguroi ftesa për udhëtime jashtë vendit për vete, dhe në fund kur u largua vodhi edhe kompjuterin e zyrës, sipas traditës së të gjyshit, i cili kur largohej nga një post vidhte edhe kolltukët e zyrës. Pasardhësi i Fevziut në këtë drejtori nuk gjeti gjë në zyrë përveç disa revistave pornografike dhe një projekti për privatizimin e klubeve sportive, për të cilin Fevziu kishte një interes personal.
      Kur Preç Zogaj u bë ministër, në 1991, ai në fillim deshi të krijonte dy drejtori të ndryshme, një për rininë dhe një për sportet, por Fevziu e binte që t’ i bashkonte në një. Qëllimi i Fevziut ishte që të merrte ftesat që vinin nga vendet perëndimore edhe për sportin. Kur Fevziu u bë drejtor i Drejtorisë së Rinisë dhe Sporteve ai bëri një projekt për privatizimin e klubeve sportive. Qëllimi i tij ishte që të privatizonte Klubin “Dinamo”, me gjithë kompleksin e tij, të bërbërë nga një sipërfaqe e madhe trualli dhe ndërtesa,  dhe të bëhej president i tij. Fevziu thoshte se gjyshja e tij, e cila ishte martuar në Amerikë me një njeri shumë të pasur do të investonte që “Dinamo” të bëhej një klub sportive shumë i fuqishëm. Në të vërtetë, qëllimi i Fevziut ishte që të uzurponte një sipërfaqe të madhe trualli dhe ndërtesat që gjendeshin në të. Por privatizimi i klubeve sportive kërkonte ligje të veçanta, që mund të bëheshin vetëm pas ardhjes së PD në pushtet. Kështu që projekti i Fevziut ngeci se ai nuk i kishte mirë marrëdhëniet me Berishën, për shkak të qëndrimit kundër tij që kishte mbajtur në përplasjen brenda PD në vjeshtën e vitit 1991, për të cilën do të flas hollësisht më tutje. Nuk është për t’ u habitur që Fevziu nuk flet kurrë për veprimtarinë e tij si drejtor në ministri.
      Që nga ajo kohë Fevziut i ka mbetur si zakon përdorimi vanitoz i fjalës “zyrë”kur flet për vetveten. Kështu, simptomatikisht, ai nuk thotë në studion time, në kuptimin e dhomës së punës, ose kabinetit, por thotë “në zyrën time”. Preç Zogaj as që do të ishte kujtuar ta kërkonte Blendi Fevziun në Romë, për ta bërë drejtor në ministri, sikur këtë gjë të mos ia kishin kërkuar Edi Rama dhe Ben Blushi, të cilët e shoqëruan Zogajn në një udhëtim në Romë, në qershor 1991. Ky udhëtim dhe takimet që u bënë gjatë tij do të qenë vendimtare për të ardhmen e Edi Ramës, Ben Blushit, Blendi Fevziut, e deri në një farë mase edhe të Preç Zogajt.


32.
Pse Fevziu i ka mohuar takimet me të dërguarin e parë të Soros në Shqipëri,  Fron (Fran) Nazi, në vitin 1991

      Blendi Fevziu, në një “ese” të tij, ku shkruan për ardhjen në Shqipëri, në dhjetor 1991, të të dërguarit të parë të Sorosit në Shqipëri, Fron Nazi, shkruan:
      Me një libër të titulluar “Si ngrihet një fondacion” dhe me ndrojtjen se po shkonte drejt të panjohurës më të njohur të jetës së tij, Fran Nazi mbërriti një ditë dhjetori të vitit 1991, në Tiranë… Shumë vite më vonë, të ulur në një restorant ballkanas si gjithmonë të zhurmshëm dhe të pistë të Nju Jorkut, Fran Nazi më tregonte përballjen e tij të parë me ato që mund të quheshin institucionet e shtetit shqiptar. Ishte dita e parë e rënies së Qeverisë së Stabilitetit, kur shqiptarët qenë më të paqartë se kurrë dhe kur në të gjithë zyrat qeveritare merrte po atë përgjigje të sertë:
      -Nuk dimë ç’ të themi, qeveria ka rënë, e rrëzoi Sali Berisha.
      Shumë herë më pas jam përpjekur të rindërtoj në mendjen time përballjen e zyrtarëve të vjetër të shtetit komunist shqiptar me këtë djalë të ri, krejt të ndryshëm dhe të panjohur për ta, që me një tufë letrash në dorë kërkonte gjënë për të cilën s’ i jepte dot përgjigje askush: të ngrinte një fondacion. Po atë ditë, kur pothuajse i gjithë kryeqyteti shqiptar jetonte me komentet e një mbledhjeje të zgjatur të qeverisë me partitë politike, në të cilën Sali Berisha, kryetar i PD-së kishte dëshmuar realisht se rrëzimi i Qeverisë së Stabilitetit kishte qenë një vendim politik që PD-ja po e merrte për të garantuar suksesin në zgjedhjet e ardhshme. E transmetuar direkt në TV, mbledhja realisht mund të merrte etiketimet e zyrtarëve të hutuar se Qeveria kishte rënë dhe se qeverinë e kishte rrëzuar Sali Berisha.
      Por nëse impresionet e Franit shërbenin në mënyrë perfekte për të kuptuar perceptimin që bota mund të kishte për ne në atë dimër të parë të hapjes pas gjysmë shekulli, nëse shumë pyetjeve të tij naïve mund t’ i jepja përgjigje me një lloj zbavitjeje dhe kënaqësie, asnjëherë nuk dita t’ i jap përgjigje atij dhe vetes sime se pse rrëzimi i qeverisë qe bërë nga Sali Berisha dhe pse evenimente kaq të rëndësishme të politikës apo historisë së një vendi janë gjithnjë të lidhura tek ne, jo me institucionet, por me emra konkretë?[xlvi]
      Një nga zyrat në të cilën shkoi Fron Nazi kur erdhi në Tiranë, në dhjetor 1991 ishte ajo e drejtor Fevziut, në Ministrinë e Kulturës. Organizatori sorosian ishte posaçërisht i interesuar për rininë, ndër të tjera për të marrë nën kontroll projektet e kësaj ministrie për rininë. Duke qenë se drejtor i Drejtorisë së Rinisë në këtë ministri në atë kohë ishte Fevziu, i dërguari i Sorosit në Shqipëri shkoi edhe në zyrën e drejtor Fevziut. E megjithatë Fevziu nuk e thotë këtë, por i paraqit gjërat sikur këtë histori ia rrëfeu Nazi, vite më pas, kur ata të dy u takuan në SHBA. Përse Fevziu nuk ka dëshirë të rrëfejë se ai ishte një nga njerëzit që e priti Nazin në zyrë, në 1991? Nuk ngjan e besueshme që arsyeja të ketë qenë se Fevziu ishte njëri ndër zyrtarët që i tha atëherë Nazit: “Nuk dimë ç’ të themi, qeveria ka rënë, e rrëzoi Sali Berisha”. Këtë shkrim Fevziu e ka botuar së pari, në dhjetor 2001, në shtyp, dhe shkrimi ishte konceptuar si kundër Berishës. Tekefundit, Fevziu mund të kishte thënë se Nazi i erdhi në zyrë dhe i tha se në të gjitha zyrat e tjera ku pati qenë i kishin thënë fjalinë e mësipërme. Çfarë të keqeje kishte këtu? Problemi ishte se Fron Nazi, i cili kishte ardhur në Shqipëri me një listë njerëzish të përzgjedhur në xhep, shkoi në zyra të caktuara, dhe të gjithë ata njerëz të cilëve u shkeli ai në derën e zyrës, ose në shtëpi, në atë dhjetor të vitit 1991, u bënë të preferuarit e Soros në Shqipëri, në dy dekadat që pasuan. Fevziu e di se kjo listë njerëzish do të publikohet një ditë, prandaj ai nuk dëshiron që të të pohojë vetë se edhe ai ka qenë në atë listë.
      Që Fron Nazi erdhi në Shqipëri me një listë njerëzish në xhep, këtë e ka pohuar Fatos Lubonja, në parathënien e botimit në shqip të librit të Fron Nazit “Midis Bronksit dhe Ballkanit”, ku Lubonja shkruan:
      Me Fron Nahzin (në kohën e botimit të librit Nazi e pati ndryshuar mbiemrin në “Nahzi”, çka e thotë vetë.- K.M.) jam takuar për herë të parë më 1991, në hotel “Dajtin” e atyre viteve, kur hoteli më i famshëm i Shqipërisë ishte hapur edhe për shqiptarët e zakonshëm dhe ende ishte hoteli kryesor i vendit. Me sa kujtoj, ishin të njëjtët, kolltukë, të njëjtat tryeza e të njëjtët kamerierë të kohës së komunizmit dhe takimi me ato mjedise e objekte përjetohej me një kureshtje të veçantë, përzier me habinë e ndryshimit të kohëve. Froni vinte me misionin për të hapur Fondacionin “Soros” dhe dikush i kishte dhënë edhe emrin tim në listën e njerëzve që mund të kontaktonte për t’ u marrë një mendim apo për t’ u kërkuar bashkëpunim.[xlvii]
      Sigurisht që Fron Nazi do të vinte në Tiranë me një listë kontaktesh, por problemi ishte se kjo nuk ishte thjesht një listë kontaktesh paraprake, por një listë njerëzish të përzgjedhur me kujdes për të zbatuar një agjendë të mirëmenduar, sipas së cilës pinjojtë e ish-nomenklaturës komuniste shqiptare do të merrnin kontrollin e Shqipërisë në rrethanat e reja të krijuara pas përmbysjes së komunizmit, si dhe do të punonin për shkatërrimin e strukturës së nacionit (kombit) shqiptar, duke goditur simbolet nacionale, si mite të vjetëruara. Meqënëse Fondacioni “Soros” do të bëhej një qendër e sponsorimit të pakursyer të pinjojve të ish-nomenklaturës komuniste, ishte menduar nga Sorosi që lakuriqësia e këtij projekti të mbulohej me “gjethe fiku”. Për këtë u përzgjodh Fron Nazi si i dërguari i parë i posaçëm sorosian në Shqipëri, që do të drejtonte Fondacionin “Soros” në Shqipëri deri në 1997. Fron Nazi ishte me origjinë nga një familje katolike, nga katundi Bugjon i Iballës së Pukës. Babai i tij, Kolë Nazi, pasiqë kishte kaluar disa vite në burg, si i dënuar politik në kohën e diktaturës komuniste, u arratis nga Shqipëria komuniste në Jugosllavi, në rrethana krejt të dyshimta, në 1952. Nga Jugosllavia babai i Nazit ia arriti që bashkë me familjen të shkonte në SHBA, gjë që nuk ishte asfare e lehtë. Fron Nazi shkruan kështu për të atin:
      Shteti stalinist marksist kishte nisur t’ i zhdukte të ashtuquajturit “armiq të shtetit” duke i futur në burg ose duke i vrarë. Për tim atë që i kishte kaluar pesë vitet e mëparshme duke hyrë e duke nga burgu për arsye politike, ishte e shkruar që do të bëhej viktima e radhës e spastrimit të madh. I frikësuar për fatin e tij dhe të sime mëje ai vendosi të arratisej në Jugosllavi dhe të rrinte atje derisa të rrëzohej Partia Komuniste Shqiptare. Për të udhëtuar nga Shqipëria në Jugosllavi, duhej të ecje një javë me këmbë nëpër një terren të ashpër malor dhe të shmangie patrullat e kufitarëve që kishin urdhër të të qëllonin një herë e pastaj ta vrisnin mendjen se si e qysh ndodhi.[xlviii]       
      Duke qenë se Fron Nazi i përkiste një familjeje “antikomuniste”, ai u përzgjodh nga Sorosi për të zbatuar agjendën e tij në Shqipëri. Fron Nazi ishte një njeri i llojit të Blendi Fevziut se ai pati ndryshuar emrin dhe mbiemrin. Fron Nahzi i sotëm, alias Fron Nazi i vitit 1991, ka lindur, si Fran Nazi, në 1962, në Janjevë të Kosovës, një fshat katolik ku ishte vendosur me banim familja e tij. Emri “Fran”, që është shkurtim i emrit “Françesk” përdoret nga katolikët shqiptarë në trajtën e shkurtuar siç ndodh me shumë emra të tjerë. Kur erdhi me mision sorosian në Shqipëri, Fran Nazi e ndryshoi emrin në “Fron”, që është një emër pa kuptim. Fran (Fron) Nazi ka shpjeguar se përse e ndryshoi mbiemrin nga “Nazi” në “Nahzi”, por jo se përse e ndryshoi emrin. Në librin e vet, ai shpjegon për veten, në vetën e tretë, se:
      Në vitin 2005 Froni i shtoi një “h” mbiemrit të vet, me shpresë që njerëzit të mos bënin më shaka me atë mbiemër.[xlix]  
      Se përse Fron Nazi i shtoi një “h” mbiemrit është e qartë: “Nazi” në anglisht do të thotë “nazist”. Por se përse e ndryshoi gërmën “a” të emrit në “o”, këtë ai nuk e gjen të nevojshme të shpjegojë. Një gjë është e sigurt. Pas ndryshimit të emrit, Fron Nazi (Nahzi) ka të drejtë të thotë se ai nuk është i njëjti person me të quajturin Fran Nazi, i cili është rekrutuar si agjent i Sigurimit të Shtetit në SHBA, me materialin shtrëngues, siç thuhej në gjuhën profesionale të Sigurimit të Shtetit, të mundësisë së keqtrajtimit të motrës së tij që kishte mbetur në Shqipëri, kur familja e tij ishte arratisur nga vendi. Natyrisht se Sigurimi i Shtetit nuk kishte arsye përse t’ i tregonte djalit se arratisja e të atit ishte legjenduar, siç thuhej në gjuhën e Sigurimit të Shtetit, për ta dërguar me misione të posaçme në diasporën shqiptare antikomuniste. Nuk kishte arsye përse babës t’ i merrej fytyra para djalit. 
      Në qershor 1991,  Fron Nazi, i cili atëherë sapo ishte ngarkuar nga Soros që të krijonte Fondacionin “Shoqëria e Hapur” (“Soros”) në Shqipëri, gjendej në Hungari, ku po trajnohej pranë Fondacionit “Soros” të këtij vendi, që të aftësohej për detyrën që kishte marrë. Ndonëse nuk kishte ardhur ende në Shqipëri, Fron Nazi kishte nisur të takohej me njerëzit e listës së tij shqiptare, kur ata udhëtonin në kryeqytetet përreth Shqipërisë, në Athinë, Romë, Beograd. Në qershor 1991, Fron Nazi shkoi në Romë për të takuar ministrin e sapoemëruar të Kulturës, Preç Zogaj. Natyrisht se Fron Nazi, në detyrën e re që do të merrte, ishte i interesuar për të pasur qasje tek Ministria e Kulturës në Shqipëri, dhe për të infiltruar idetë sorosiane në veprimtarinë e kësaj ministrie. Me rastin e vajtjes në Romë, Fron Nazi do të takonte edhe një njeri tjetër të listës së tij, Blendi Fevziun, emri i të cilit ishte futur në listën sorosiane nën ndikimin e gjyshes së tij, e cila bënte pjesë në atë që mund të quhet si këshilli që u mblodh në New York me njerëzit e rëndësishëm të Sigurimit të Shtetit në Amerikë, dhe që bënë një pjesë të listës që iu dha Fron Nazit. Nga Roma, Fevziu bisedonte në telefon me gjyshen në SHBA, e cila e lidhi me Nazin. Sigurisht që edhe të dhënat që Nazi mori nga sorosianët e Tiranës për Fevziun, qenë të pëlqyeshme. Takimi i Fevziut me Fron Nazin në dhjetor 1991 nuk ishte takimi i parë mes tyre. Ata të dy u takuan për herë të parë në qershor 1991, në Romë. Ajo që donte Nazi ishte që në Ministrinë e Kulturës të kishte njeriun e tij në Drejtorinë e Rinisë, për ta bërë atë një qendër të veprimtarisë sorosiane. Meqënëse në të gjitha projektet që do të bëheshin me rininë kontrollin do ta kishin pinjojtë e ish-nomenklaturës komuniste, Nazi donte që drejtori të ishte, sipas modelit të tij, një njeri që vinte nga shtresa e të deklasuarve, e ish-të përndjekurve politikë nga diktatura komuniste. Fevziu iu duk Nazit si njeriu më i përshtatshëm për këtë detyrë. Preç Zogaj, i cili donte që të lidhej me njeriun e Sorosit, të cilit tashmë ia pati dëgjuar emrin, bëri sikur edhe ai nuk kishte pasur mendim tjetër për emrin e drejtorit të Rinisë në ministrinë e tij, përveç Fevziut.
      Kështu Fevziu u bë një nga sorosianët e parë në Shqipëri. Të gjithë njerëzit e listës së Nazit, të cilën e përmend Lubonja, firmosnin atje dhe merrnin një shpërblim të përhershëm mujor, në para, gjoja si një lloj bamirësie e Sorosit ndaj intelektualëve të vendeve ish-komuniste, të cilët kishin dalë të varfër nga periudha komuniste e vendeve të tyre. Ndër ta ishte edhe Fevziu. Në origjinë të lidhjes mes Blendi Fevziut dhe Fatos Lubonjës është pikërisht sorosiani Fron Nazi.


33.
Njeriu i tyre në Tiranë

      Fevziu, në një ese të tij, ka thënë se shkrimtari që ka ndikuar më së shumti tek ai, në moshën 20 vjeç ishte Graham Greene (Grin), duke veçuar si librin që i ka bërë më së shumti përshtypje në atë kohë, romanin “Komedianët” të këtij autori. Një analizë e personalitetit të Blendi Fevziut ka si premisë të domosdoshme këtë libër, i cili nëse nuk mund të quhet libër formativ për Fevziun, së paku është një libër ku ai pa, të ilustruara tek personazhet, bindjet e tij të thella. Blendi Fevziu shkruan për këtë libër:
      Ishte tamam në atë kohë, diku në vitin 1989, kur diktatura qe zbehur tashmë dhe ingranazhi i saj i dhunës e forcës po ndryshkej dukshëm. Pikërisht atëherë zbulova Graham Grinin dhe mësova të kem besim edhe tek ato gjëra që ngjajnë përjetësisht të largëta, përjetësisht të pamundshme, por edhe rrezeatuese. Por tek ç’ befasi do të kisha besim në atë kohë dhe sa lehtë e kisha të ëndërroja në një vend të mbyllur dhe të izoluar? Student i vitit të tretë kisha filluar të merresha pak me shqetësimin e gjithë bashkëstudentëve të mi, emërimin në Verilindje të vendit dhe i kushtoja shumë kohë pasioneve që në atë kohë ngjanin si një ëndërr e bukur, por absolutisht e parealizueshme? Fillova të kisha një pasion të madh për të takuar autorin e “Komedianëve”, për të folur me të mbi romanin, ashtu siç kisha pasion për të njohur Papën, njeriun që më mahniste me misteriozitetin e tij, Xhulio Andreotin, politikanin që më befasonte me zgjuarsinë dhe sensin e humorit, apo Stivi Uonderin, këngëtarin e madh, melodia e të cilit thyente netët monotone, por pasionante të Mamurrasit. Të një kampi fushimi, ku pjesa më e madhe e studentëve të Universitetit të Tiranës qenë detyruar të kalonin stërvitjen dyjavore ushtarake që në gjuhën e përditshme dhe të rëndomtë quhej thjesht “zbori”. Po pse duhej të kisha pasione të tilla dhe të isha kaq larg realitetit në ca net të zgjatura tetori të vitit 1989, kur dukej se e ardhmja ishte më e zymtë se kurrë! As vetë nuk dija të jepja përgjigje, edhe pse mbaja gjithnjë në dorë librin e Grinit dhe lexoja e rilexoja po ato pasazhe të mrekullueshme shprese dhe besimi.[l]
      Libri “Komedianët” është botuar në Shqip që në 1987, pra dy vjet para se ta lexonte Fevziu. Teksa shkruaj unë kam në dorë botimin që e kam blerë që në atë kohë.[li] Fevziut i ka rënë me vonesë në dorë libri, se ai duke qenë se qëndronte tek bordurat nuk kishte shumë kohë të shihte se çfarë librash të rinj dilnin në shitje, në libraritë e Tiranës. Pastaj Fevziu nuk kishte as kohë për të lexuar, dhe me rastin e stërvitjes ushtarake që e largoi për dy javë nga bordurat, mundi ta lexonte këtë libër që i la aq mbresë. Çfarë i pati bërë Fevziut kaq përshtypje në këtë libër? Ai shkruan kështu:
      “Në e keni braktisur një fe a një besim, mos i braktisni të gjitha. Çdo besim që bjerrim na le gjithherë mundësinë për të zgjedhur së dyti”. Nuk e di sa mijëra herë e kam lexuar dhe rilexuar këtë frazë të mrekullueshme të Graham Grinit, ndërsa mbaja në dorë romanin “Komedianët” dhe nuk lodhesha së magjepsuri prej tij. Isha ende student dhe në një kohë disi më liberale, më duhej të diskutoja gjatë me profesorin e letërsisë angleze, i cili tentonte të më sqaronte se ky qe një roman për luftrat çlirimtare të popujve ndërsa unë mendoja se ishte thjesht një roman i shpresës dhe besimit, një roman, që më shumë se gjithçka synonte të zbardhte personalitetin e dyfishtë, gjithnjë të pranishëm dhe të komplikuar të qenies njerëzore, si dhe jetën befasuese dhe të papritur të tij.[lii]
      Çfarë besimi kishte braktisur djali njëzetvjeçar Blendi Fevziu në 1989? Komunizmin? Ai thotë se nuk e kishte dashur kurrë komunizmin, siç e kam cituar më lart në këtë libër, dhe kjo më duket e besueshme se jeta e Blendi Fevziut do të kishte qenë ndryshe nëse Shqipëria nuk do të ishte bërë komuniste. Ai me siguri që do të kishte shkuar për studime në një universitet perëndimor, falë parave të familjes së tij. Fevziu nuk braktisi ndonjë fe, për të marrë ndonjë tjetër në 1989. Ai vetë thotë se nuk beson tek Zoti. Atëherë për çfarë arsye i bëri Fevziut përshtypje kjo sentencë e librit “Komedianët”? Për këtë gjë ka vetëm një shpjegim. Fevziu në vjeshtën e vitit 1989 e ndjente se së shpejti do të ndahej me Sigurimin e Shtetit, i cili kishte qenë qendra e gravitacionit të jetës së tij. Me ngjarjet që po ndodhnin, Sigurimi i Shtetit do tëe shpërbëhej, Fevziu e ndjente këtë gjë. Një botë pa Sigurimin e Shtetit për të ngjante si një botë pa gravitacion, se ai ishte mësuar që gjithçka ta arrinte falë shërbimit sekret komunist. Shkurt, Fevziu po e përjetonte keq rënien e regjimit komunist.
      Nuk është rastësi që sentencën që veçon Fevziu në roman, e thotë Dr. Mazhio, një mjek komunist haitian në letrën që i dërgon para vdekjes personazhit kryesor, të quajtur Braun, një britanik që kishte ardhur në Haiti për të marrë hotelin që i pati lënë nëna e tij.[liii]Unë e kam lexuar librin “Komedianët”dy vjet para Fevziut dhe mund të them se personazhi i dr. Mazhioit ishte që në fillim e deri në fund antipatik për mua, ndonëse ai ishte një burrë i ndershëm. Por a nuk është e mbushur historia me burra të ndershëm që u kanë sjellë vendeve të tyre tragjedi të mëdha për shkak të besimeve të tyre ideologjike të gabuara. Doktor Mazhioi ishte, nëse do të shprehem në një term të profesionit të tij, bartës i një “virusi” të rrezikshëm. Natyrisht se unë nuk admiroja të kundërtin e tij, diktatorin haitian doktor Dyvalje, por perspektiva që i ofronte Haitit  doktori komunist, diktatura komuniste, ishte më e keqe. Një i deklasuar si Fevziu, duhet ta kqyrte me një sy shumë skeptik dhe nuk mund të simpatizonte për asnjë arsye komunistin haitian të romanit “Komedianët”. Për një lexues që vuante diktaturën komuniste, doktor Mazhioi, ndonëse nga autori paraqitej si një personazh tragjik, ishte edhe ai një komedian. Si një njeri që kishte studiuar në Francë, ai tashmë, në vitet ‘60, kur zhvillohen ngjarjet në roman, duhet ta kishte kuptuar se komunizmi ishte një utopi shkatërruese. Në tetor 1989, kur regjimet komuniste në Europën Lindore qenë duke rënë njëri pas tjetrit dhe kur pak javë më pas do të binte Muri i Berlinit, Fevziu frymëzohej nga fjalët e një komunisti haitian!
      Tekefundit, çfarë po i kërkonte komunisti haitian Braunit, përveçse që të bëhej komunist? Braun, i cili kishte braktisur shkollën e jezuitëve, nga ku do të kishte dalë prift, tashmë në moshë të madhe po merrte një këshillë të tillë nga një komunist! Situatë ironike! Kur lexon romanin “Komedianët” e ke të qartë se autori simpatizon kauzën komuniste. Këtë e ka pohuar dhe vetë autori më pas. Romani “Komedianët” është, në një kuptim, vazhdim i drejtpërdrejtë i një romani tjetër të Greene, dhe të dy së bashku janë një mbështetje për kauzën komuniste në Amerikën Qendrore. Fjalën e kam për romanin e tij “Njeriu ynë në Havanë” (1958), i cili ishte një ndër botimet e fundit të regjimit komunist shqiptar, pasiqë, sipas shënimit që gjendet në fund të librit, hyri në procesin e shtypjes në tetor 1990 dhe doli në qarkullim në korrik 1991. Graham Greene në një letër për Ian Thomson në 18 gusht 1988, shkruan për romanin e tij “Njeriu ynë në Havanë”:
      Unë tashmë e njihja Kubën dhe simpatitë e mia qenë me fidelistët në male.[liv]
      Jo më kot regjimi komunist shqiptar, i përzgjodhi këta dy romane të Greene për t’ i botuar. Në një pasthënie të shkruar nga Greene për një botim të vitit 1980 të librit “Njeriu ynë në Havanë”, ai thotë:
      Por në qytetin fantastik të Havanës, në atë atmosferë absurditetesh, pjellë e Luftës së Ftohtë (se s’ ka njeri që ta quajë kauzë të madhe ruajtjen e kapitalizmit perëndimor) ekzistonte një situatë mjaft komike.[lv]
      Kjo mënyrë të foluri është karakteristike për intelektualët perëndimorë që u bënë mbështetës të tërthortë të kauzës komuniste. Kauza e antikomunizmit quhej e pavlefshme për t’ u mbështetur, çka shndërrohej në një përparësi për komunistët. A duhet besuar që Blendi Fevziut t’ i ketë bërë kaq përshtypje sentence që ai përmend nga libri “Komedianët”? Kjo nuk është asfare e besueshme. Fevziut, si komedian, i pëlqen të thotë se sa herë që ka bërë një veprim të rëndësishëm në jetën e tij, ai është ndikuar nga një ose disa libra që i ka lexuar në ato momente. A ndoshta përshtypja e tij vjen për shkak se personazhi kryesor i romanit “Komedianët”, Braun, është braktisur nga prindërit dhe është marrë nën kujdestari nga etërit jezuitë. Ndoshta Blendi Fevziu, në nënvetëdijen e tij, ka gjetur këtu një analogji me veten, duke qenë se ai u birësua nga daja i nënës në moshën katërmbëdhjetëvjeçare!
      Graham Greene ishte miku i Kim Philby-t, të cilin e mbështeti edhe pasiqë u mësua se ai ishte një agjent sovjetik. Graham Greene shkoi dhe e vizitoi Philby-n në Moskë, madje shkroi edhe një parathënie për librin e Philby “Lufta ime e heshtur”, ku jo vetëm që nuk gjen asnjë fjalë për ta qortuar Philby-n por madje e merr në mbrojtje. Ai nuk e fsheh se simpatitë e tij janë me Philby-n. Greene shkruan në parathënie:
      Si shumë katolikë që, nën mbretërinë e Elizabetës punuan për fitoren e Spanjës, Filbi ka një siguri të plotë në saktësinë e gjykimit të tij, fanatizmin logjik të një njeriu që, pasi ka gjetur dikur një besim, nuk do ta humbasë atë për shkak të padrejtësive dhe të mizorive që imponohen nga gabimi i instrumentave njerëzore.[lvi]
      Çfarë eufemizmi cinik! Krimet e komunizmit quhen “gabime të instrumenteve njerëzore”! Gjithsesi kjo logjikë do të pranohej nëse Greene do ta shikonte dhe Gjermaninë Naziste në të njëjtën optikë, pra do të thoshte se nazistët u frymëzuan nga realiteti i SHBA së kohës për të ndërtuar një shoqëri ku hebrenjtë ashtu si zezakët amerikanë qenë të përjashtuar, dhe Holokausti është vetëm një gabim i instrumentave njerëzore! Por Greene nuk i shikon gjërat asfare kështu. Ai është i njëanshëm.
      Ndonëse Graham Greene ishte shkrimtari i adhuruar i Fevziut dhe këtij të fundit i kishte bërë aq shumë përshtypje libri i Greene “Komedianët”, atij duhet t’ i ketë lënë mbresë edhe libri tjetër i Greene që u botua në Shqipëri pas romanit “Komedianët”, dhe që ishte romani “Njeriu ynë në Havanë”. Libri “Njeriu ynë në Havanë” është nëna nga e cila lindi libri “Komedianët”, që supozohet t’ i ketë bërë aq përshtypje Fevziut. Personazhi kryesor i librit “Njeriu ynë në Havanë”, një anglez i quajtur Wormold (Uormolld), është një njeri i ngjashëm me Majorin Xhons të librit “Komedianët”, një aventurier që bëhet një agjent sekret, e që në thelb është vetëm një komedian i suksesshëm. Libri “Njeriu ynë në Havanë” doli në qarkullim në shqip, në korrik 1991, çka del nga shënimi në fund të librit për datën e daljes së tij nga shtypi. Libri doli në qarkullim kur Fevziu kishte pak kohë që ishte bërë drejtor i Rinisë dhe Sporteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas dëshmitarëve, ky ishte libri i Greene të cilin Fevziu nuk e hoqi për ditë të tëra nga dora, në zyrën e tij në ministri. Fevziu i referohet këtij libri në një shkrim të tij në vitin 1997, kur kërkon të mbrohet për dyshimet që u ngritën në Itali mbi atë se cili ishte burimi i informacionit për përgjimet e bisedave të ambasadorit italian në Tiranë Foresti, me kryetarin e PD të kohës, Tritan Shehu, të cilat u publikuan në gazetën “Indipendent” të Tiranës, ku Fevziu qe zëvendëskryeredaktor:
      Dhe gazetarët që janë mësuar me idenë e një Shqipërie misterioze, gjysëm banditeske dhe gjysëm ekzotike, ndihmuar edhe nga librat e Graham Grinit me spiunazh, në vend të efektit politik dhe vërtetësisë së lajmit nisën diskutimin e burimit të tij.[lvii]
      Aq shumë përshtypje i kishte bërë Fevziut libri i mësipërm i Greene, i botuar në Shqipëri, saqë Fevziu mendonte se edhe gazetarë italianë kishin lexuar pikërisht atë. Libri i Greene është një satirë ndaj shërbimit të fshehtë britanik, Secret Intelligence Service, dhe ndaj shërbimeve inteligjente perëndimore në përgjithësi, të cilët kundër komunizmit në vendet e botës së tretë. Ngjarjet e librit ndodhin në Kubë, në prag të ardhjes së Fidel Castro-s në pushtet. Në libër njerëzit e shërbimit të fshehtë britanik kërkojnë të rekrutojnë agjentë sekretë në Havanë me arsyetimin se:
      Havana mund të bëhet një pikë kyçe. Komunistët futen gjithmonë aty ku ka trazira.[lviii]
      Shorti i bie Uormolldit, një britaniku që jeton në Havanë ku merret me shitjen e fshesave elektrike të ardhura nga Britania e Madhe. Duke dashur të fitojë para sa më shumë, Uormolld i mashtron eprorët e tij në Shërbimin e Fshehtë, duke u raportuar se kishte rekrutuar një rrjet agjentësh, të cilët në fakt nuk ekzistonin, por që atij i sillnin përfitime financiare se përvetësonte pagën dhe shpërblimet që dërgohej për ta nga Londra. Gjithashtu ai bën dhe raporte të rreme spektakolare, për t’ i bërë shefat e tij të shtonin shpërblimet për të. Kështu, ai raporton për ndërtimin e një impianti bërthamor në një vend sekret, në malësitë e Kubës, dhe bën skicën e një fshese elektrike, duke e paraqitur si atë të impiantit bërthamor. Në fund, kur zbulohet mashtrimi, vetë Shërbimi i Fshehtë vendos, jo vetëm që të mos e ndëshkojë Uormolldin, për të shmangur ridikulizimin publik që do t’ i bëhej këtij institucioni, por edhe t’ i japë një medalje në shenjë “mirënjohjeje”, për ta varrosur sa më thellë këtë ngjarje të papëlqyer. Duket se Fevziu ka vepruar sipas urtësisë së krerëve të Shërbimit të Fshehtë britanik që ka heshtur për këtë libër. Në vitin 1991 Fevziut po i krijoheshin perspektiva të reja për të bërë karrierë si agjent, kështu që ai, me instiktin e agjentit tashmë të sprovuar e kuptoi se ishte më mirë që shefat e tij të mos mendonin se atij i kishte bërë shumë përshtypje personazhi i Uormolldit, pasiqë mund të dyshonin se ky mund të ishte modeli i agjentit për Fevziun, dhe se ai “njeriu i tyre në Tiranë”, ose më saktë një nga njerëzit e tyre në Tiranë, do t’ u dërgonte raporte të rreme. Pra, Fevziu tregoi diskrecion profesional në këtë rast. Çfarë mund të veçonte Fevziu nga libri “Njeriu ynë në Havanë”? Fjali të tilla si, kjo kur shefi i Shërbimit të Fshehtë i thotë oficerit që është eprori i Uormolldit:
      Tërë suksesi në shfrytëzimin e një agjenti qëndron në njohjen e karakterit të tij.[lix]
      Pastaj në libër kishte dhe ngjashmëri të mëdha me gjendjen që po përjetonte Fevziu në kohën kur lexoi libër. Në libër shefi i Shërbimit të Fshehtë bisedon me oficerin drejtues të Uormolldit për jetën private të këtij të fundit, dhe informohet për marrëdhëniet e agjentit të Havanës me gruan:
      -Ajo e ka lënë.
      -E ka lënë? Jeni i sigurt?
      -Fare i sigurt, sër.
      -Aha, ajo nuk ka arritur ta gjejë atë bllokun që thamë. Gjejeni Hothorn, dhe do ta keni njeriun tuaj për jetë.[lx]
      Siç del nga romani i Fevziut “Hiri i vullkanit” atë e kishte braktisur e fejuara në vitin 1991. Shefi i Shërbimit të Fshehtë ngulmon se Uormolldi kishte një bllok shënimesh, një lloj ditari, ku shkruante gjërat e tij private. Shefi i thotë oficerit drejtues të Uormolldit:
      Por në doni të nxirrni gjë në dritë me të, do të bënit mirë të gjeni atë bllokun e lirë. Flas në mënyrë simbolike.[lxi]
      Nëse Fevziu do të shkruante për këto gjëra, atëherë shefave të tij mund t’ u vinte në mendje që t’ i kërkonin blloqet e shënimeve të tij konfidenciale, nga të cilat si letrar ai duhet të kishte më tepër se një. Fevziu, në kohën që po e lexonte këtë libër, ishte një ish agjent i një shërbimi sekret komunist të shpërbërë. Sigurimi i Shtetit kishte pushuar së vepruari vetëm pak javë më parë- në fund të majit 1991 kishte marrë fund pagesa e bashkëpunëtorëve të llojeve të ndryshme. Prandaj ky libër ishte një frymëzim për Fevziun që të punonte në dobi të atyre shërbimeve sekrete të huaja që donin shërbimet e tij, dhe paguanin për këtë. Tashmë puna që kërkohej nga Fevziu ishte kryesisht ajo e agjentit influencues, i cili mund të jetë një zyrtar, gazetar etj., i cili përdoret për të influencuar institucionet, publikun etj., për t’ u arritur në vendime apo ide të caktuara. Këtu duhet pasur parasysh se një njeri mund të jetë një agjent influencues i një shërbimi sekret të huaja, edhe pa qenë formalisht agjent i këtij shërbimi të huaj, por mjaft që të punojë për institute dhe organizata, të cilat një shërbim sekret i përdor si fronter, si instrumente të tij. Nga kjo pikëpamje Fevziu, në shumë nga shkrimet dhe emisionet e tij televizive mund të konsiderohet si agjent influencues grek dhe serb në Shqipëri, për arsyet që unë i shpjegoj në këtë libër. Gjithashtu, me shkrime dhe emisione televizive të viteve të fundit, Fevziu mund të konsiderohet edhe si agjent influencues turk në Shqipëri. Ai që e lexon këtë do të pyesë me të drejtë:
      Nuk paske vendosur ende se çfarë agjenti influencues ta nxjerrësh Fevziun?
      Nuk është këtu çështja. Fevziu qartësisht është një agjent influencues i shumëfishtë, një aventurier që mendon se mund t’ i përdorë të gjithë ata që kanë nevojë për të, dhe që përfundon duke u përdorur nga të gjithë. Gjithsesi, për shkak të obsesionit aristokratik otoman, Fevziu praktikisht vepron më së shumti vepron si agjent influencues turk. Në parathënien e librit “Njeriu ynë në Havanë”, Graham Greene thotë për idenë fillestare për librin, së cilës iu desh të priste 12 vjet deri kur të bëhej libër:
      Kjo histori zuri vend diku në kokën time, ku iu nënshtrua kritikës së urtë të subkoshiencës.[lxii]
      Kritika e urtë, sa e vetëdijes, aq edhe e nënvetëdijes, e bëri Fevziun që të mos e përmendë kurrë mbresën e fuqishme që i shkaktoi ky libër i Graham Greene. Njerëzve si Fevziu, kur rrinë vetëm midis librave në bibliotekën e tyre, u ngjan se libra të caktuar i shpotisin ata nga raftet. Prandaj, Fevziu, i cili, për t’ u treguar si intelektual në shkrimet e tij, flet për librat që i kanë bërë mbresë, megjithatë nuk thotë asgjë për librin “Njeriu ynë në Havanë”. Në një vend në libër, autori thotë për personazhin kryesor:
      Në dorën mbante pasaportën e vet. “Profesioni: Spiun. Tipare karakteristike: Mungesë miqësie”.[lxiii]
      Fevziu, i cili gjen këtu epigramin për atë vetë, ka një frenim jo krejt të vetëdijshëm për të folur për këtë libër. Nëse Fevziu do të kishte pasur prirje për filozofi, ai do të kishte medituar mbi takimin e tij aq të dëshiruar por të munguan me Grene, nga pikëpamja e lidhjes paradoksale mes tyre. Libri i Greene “Njeriu ynë në Havanë” doli në qarkullim në 6 tetor 1958, tre muaj para hyrjes triumfale të Fidel Castros në Havanë. Shtatë ditë pas daljes në qarkullim të librit, në 13 tetor 1958, kur në Kubë ishte ende në pushtet Batista, Greene arriti në Havana së bashku me regjisorin Carol Reed, për të marrë lejen për të punuar për filmin atje. Ky fakt flet shumë për të ashtuquajturën diktaturë të Batistës. A mund të shkoje në Kubë, në 1962, pasiqë kishte ndodhur kriza e raketave, për të bërë një film ku ridikulizohej KGB sovjetike? Më pas Greene është përpjekur që të thotë se libri i tij nuk i pëlqeu as Fidel Castros. Në një pasthënie për një botim të librit në 1980, Greene shkruan:
      Për fat të keq, botimi i librit nuk u prit mirë as nga sunduesit e rinj të Havanës. Duke dashur të vija në lojë shërbimin e fshehtë anglez, unë e kisha minimizuar terrorin e regjimit të Batistës. Nuk kisha dashur të vizatoja një sfond tepër të errët për komedinë time gazmore, por, nga ana tjetër nuk duhej të kisha pritur që ata që kishin vuajtur tërë ato vite nën regjimin diktatorial, t’ i binin në të se ajo që doja të thosha në të vërtetë me atë libër ishte absurditeti i veprimeve të agjentit anglez dhe jo karakteri i drejtë i revolucionit.[lxiv]
      Por faktet flasin ndryshe. Në janar 1959 Castro erdhi në pushtet në Havana. Në prill morën lejen për filmin. Libri u u bë film që në 1959, pasiqë Fidel Castro lejoi që grupi i filmit të vinte në Kubë dhe të bënte filmimet atje. Në parathënien e librit “Njeriu ynë në Havanë”Greene thotë se pikënisja për këtë libër është eksperienca e tij si oficer i Shërbimit të Zbulimit britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore, kohë kur ishte miqësuar me Kim Philby, të cilin madje shkoi ta takonte në Moskë, kur ai ishte arratisur përtej Perdes së Hekurt. Graham Greene ishte një ish-oficer i një shërbimi sekret kapitalist, i cili shkruajti një libër spiunazhi prokomunist. Nga një pikëpamje e sigurt, Greene ishte një humbës i Luftës së Ftohtë. Në anën tjetër, Fevziu ishte një i deklasuar në një vend komunist, i cili ishte bërë agjent i shërbimit sekret komunist. Ironia është se libri “Njeriu ynë në Havanë” që u vendos të botohet në Shqipëri nga ana e regjimit komunist, me synimin për të ridikulizuar shërbimet sekrete perëndimore në luftën kundër komunizmit, u shndërrua në një lloj de profundis për shërbimin sekret komunist shqiptar dhe agjenturën e tij. Kur libri hyri në procesin e shtypjes, në tetor 1990, Sigurimi i Shtetit ekzistonte, kur libri doli në qarkullim, në korrik 1991, Sigurimi i Shtetit nuk ekzistonte më, në kuptimin që regjimi komunist dhe policia sekrete e tij kishin pushuar së ekzistuari, pavarësisht nga përdorimi që iu bë mbetjeve të tyre. Fakti kryesor ishte ky dhe mbetet fakt i pakundërshtueshëm. Ashtu siç është fakt se Fevziu ishte në anën e të mundurve në Luftën e Ftohtë. Definitivisht, Graham Greene dhe Blendi Fevziu do të kishin shumë për të folur nëse takoheshin, dhe, nëse Fevziu do të kishte qenë i sinqertë në këtë bisedë, me shumë gjasë Greene do të ishte frymëzuar nga Fevziu për të bërë një libër.


34.
Implikimi i Fevziut me mafien italiane, për trafikun e armëve kimike

      Në gjysmën e parë të viteve nëntëdhjetë, Blendi Fevziu u përzie në një aferë mafioze të trafikut të armëve kimike, ankthi i së cilës e ka ndjekur edhe më pas, çka reflektohet edhe në një të ashtuquajtur ese të tij, ku kërkon të shfajësohet për këtë pjesë të së shkuarës së tij. Në të ashtuquajturën ese, me titull “Zhiva e kuqe, një histori pasurie”, Blendi Fevziu shkruan:
      Më kujtohet se në fillim të viteve ’90, kur komunizmi tashmë po jepte shpirt dhe hapja e Shqipërisë tashmë ishte bërë ndërkohë një fakt i kryer, një histori që ngjan si një përrallë kishte filluar të më trazonte netët turbulluese. Në një nga ditët e gjata, kur vrulli për komunizmin që po binte dhe optimizmi për të ardhmen që na priste qenë ende në majat e tyre, një i njohur i rastësishëm, një prej atyre të njohurve me të cilët bëheshe befas mik pas disa batutash në bordurën e parkut “Rinia”, ose pas ndonjë mbrëmjeje të gjatë dhe të turbullt në ndonjë shtëpi të mbetur rastësisht bosh, më propozoi diçka tunduese. Më sqaroi se sapo ishte njohur me një mik italian që vinte nga Leçe, që e njihte çuditërisht mirë Shqipërinë në të gjitha sekretet e saj dhe që i kishte shpjeguar se tek ne gjendej një sasi e madhe zhive të kuqe. Duke i shkuar më tej historisë së tij krejtësisht të parezistueshme më sqaroi se zhiva e kuqe ishte diçka e rrallë në Perëndim, që nuk gjendej askund dhe që kishte një çmim mjaft të lakmueshëm. Bëhej fjalë për më shumë se 100 mijë dollarë që në sfondin e rrogave prej gjashtë dollarësh në muaj, në atë kohë, dukej shumë më tronditëse sesa sot. Me sa duket i njohuri im, i quajtur sipas shkurtimeve, aq tipike për Tiranën e kohës, Riku i Pazarit të Ri, qëlloi një tip sqarues deri në detaje dhe kreativ deri aty ku nuk besohej, madje me shumë fantazi. Për të ma ilustruar më mirë propozimin e tij më sqaroi se zhiva e kuqe ishte diçka që mbahej sekret, pak a shumë si “Uji i Rëndë” që shërbente për prodhimin e bombës atomike dhe për rrëmbimin e të cilit, në Norvegji, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishim parë një film shumë dramatik në kinema “Republika” në vitet e shkollës tetëvjeçare. Shtoi se duhej pak punë për t’ i rënë në gjurmë, por, duke negociuar më parë çmimin me italianin, ne nuk duhej të tregoheshim cingunë dhe mund t’ i premtonim nga një shpërblim të majmë të gjithë atyre që do të ndihmonin qoftë për ta gjetur e qoftë për ta futur në dorë materialin e rrallë. Por Riku i Pazarit të Ri, e aq më pak unë, nuk kishim asnjë idem bi pamjen, peshën apo sasinë e materialit të shtrenjtë që duhej të shtinte në dorë. Ashtu si dhe unë, kishte vetëm një ide të vagëlluar të zhivës së termometrave dhe të gjendjes së saj gjysmë të lëngët, siç e kishte parë kur qëllonte që termometri të thuhej. E dinte edhe që nuk ishte e rrezikshme pasi, si shumë gjimnazistë të tjerë të kohës, kishte kapërdirë pika të vogla të saj, sa herë donte t’ i ngrihej temperature për të marrë raport e për të mos u paraqitur në shkollë.
      Pra, me këtë dijeni gjysmake, me këtë mungesë absolute të informacionit dhe me fjalën që një italian nga Leçe i kishte thënë gjysmë tangent dhe gjysmë me shaka mikut tim, i hymë njërës prej aventurave më të mëdha që më ka qëlluar të ndërmarr në rininë time. Dhe që, pa dyshim mbetet unike në mosnjohjen dhe ecjen symbylltasi. Komunikuam me një njeri që njihte një tjetër njeri, që njihte mikun e një italiani që kërkon zhivë të kuqe. Humbën disa javë në diskutime pa fund derisa një ditë, një prej atyre ditëve që nisnin në ora 10.00 të mëngjesit me një takim tek bordure me Rikun e Pazarit të Rid he mbaronin në ora 23.00 po me një takim të tillë, morëm një ofertë konkrete. Një kile zhivë e kuqe, kushtonte afro 70 mijë dollarë dhe ky ishte një çmim me të cilin qe i gatshëm të na e blinte një tjetër italian, kësaj here nga Taranto. Na thanë se zhiva ishte krejt si ajo e termometrit dhe se dallimi ishte tek ngjyra, që vinte në vishnje, pra qe lehtësisht e dallueshme.
      Mjaftoi kjo fitore e thjeshtë,, pra konkretizimi i çmimit dhe formës së saj, që të kaloja disa nga ditët më të lumtura që mbaj mend. Flija dhe ngrihesha me një shije prej milioneri, nuk e mbaja dorën për të ruajtur financat e pakta, bota më dukej më e vogël dhe udhëtime të mrekullueshme e hotele luksozë kishin filluar të notonin në fantazinë time prej 20-vjeçari… Natyrisht fundi ishte shumë zhgënjyes dhe ka pak rëndësi odiseja e gjetjes së asaj, që mendoja se do të bëhej fati ynë i madh. Pas një vërtitjeje të gjatë dhe të kotë nga një kafe në tjetrën, pas një kalvari të gjatë takimesh me lloj-lloj personash që jepnin një milion variante dhe një mijë lloj zgjidhjesh, nuk gjetëm asnjë gjurmë të materialit fatlum. Kaluam më pas në një mision të gjatë zbulimi me ish-oficerë dhe magazinierë ushtrie dhe, befas, zbuluam se zhiva e kuqe që gjendej në Shqipëri nuk ishte më shumë sesa dy kile dhe për këto dy kile dukej se qenë hedhur në sulm më shumë se gjysma e shqiptarëve. Takoja kudo prej tyre, me një ankth që u mpiksej në sy dhe me po ato pyetje trazuese: ke marrë vesh gjë? Ty kush ta ble? Sa do ta shisni kilen? Natyrisht, asgjë nuk zbulohej dhe më dukej se vërtitja jonë ishte po aq bosh, sa shumë nisma të tjera të asaj kohe drejt pasurimit. Dhe në fund, si për t’ i dhënë edhe ca nota befasimi odisesë sonë tragjikomike, një profesor i vjetër fizike, që dikur më kishte dhënë mësim në gjimnaz, na sqaroi se zhiva e kuqe nuk ekziston, se nuk ka ndonjë material të tillë kaq të çmueshëm dhe se e gjitha kjo ishte thjesht një histori e përçartë.
      Është e vështirë ta imagjinosh zhgënjimin tonë dhe thyerjen që pësova atë moment. Kisha humbur jo një mundësi pasurimi, por një ëndërr të tërë.[lxv]
      Nga rrëfimi i Fevziut duhen veçuar çelësa konceptualë, për të kuptuar atë që ka ndodhur në të vërtetë:
      -Kjo histori ka vazhduar më shumë se një vit, çka kuptohet se Fevziu thotë që se ajo ka ndodhur “në fillim të viteve ‘90”.
      -Fevziu thotë se lënda që kërkonin “mbahej sekret”, pra ishte një sekret shtetëror. Përse duhej që zhiva e kuqe të ishte sekret shtetëror? Kaq gjë Fevziu duhet ta dinte. Në Shqipëri me fjalën “zhivë” quhej mërkuri. Ajo që Fevziu e quan “zhiva e kuqe” është trajta në të cilën mërkuri gjendet më së shumti si mineral. Zhiva e kuqe është Sulfid Mërkuri, formula kimike e të cilit është HgS. Minerali në të cilin gjendet ajo quhet në anglisht Cinnabar.  “Zhiva e zezë” është trajta në të cilën gjendet më së paku. HgS ka dy trajta kristalore një nga të cilat është Cinnabari i Kuq, me formulë kimike άHgS, në të cilën mërkuri gjendet më së shumti në gjendje natyrore. Mineral i rrallë, në të vërtetë, është zhiva e zezë, e quajtur metacinnabar, me formulë kimike β-HgS. Në Shqipëri nuk ka mineral të tillë. Në Ballkan ai gjendet vetëm në Idra, të Sllovenisë. Nga sulfidi i mërkurit dilnin pigmente që përdoreshin në pikturë, si dhe për ngjyrosje, e që quheshin vermilion. Cinnabari, të cilin romanët e vjetër e quanin minium kishte një vlerë të veçantë për ta, se ishte i domosdoshëm në ceremonitë festive. Prej tij përftohej ngjyrosësi që përdorej për të lyer fytyrat e komandantëve ushtarakë në paradat e fitores, kjo për t’ i shëmbëllyer kryezotit të panteonit roman, Jupiterit.
      Këtë historinë e zhivës së kuqe e dëgjova dhe unë në vitin 1991, por nuk u gënjeva nga kjo përrallë, madje ua shpjegova dhe atyre që më pyetën. Në moshën 21 vjeç, Fevziu nuk mund të gënjehej nga përralla e zhivës së kuqe, me njohuritë që kishte dhe leximet që kishte bërë. Edhe një nxënës i mirë i shkollës tetëvjeçare, i cili lexonte revistat me kureshti shkencore për adoleshentë, si revistën “Horizonti”, e kuptonte saora se si qëndronte e vërteta e zhivës së kuqe. Këto gjëra unë i kisha lexuar në revistat shkencore që në adoleshencë. Fevziu ishte një nxënës i mirë dhe një lexues i apasionuar i revistave për adoleshentë, kështu që ai nuk mund të mos i dinte këto gjëra, pak a shumë. Mjaft të pyestë një student të gjeologjisë dhe ai do t’ i thoshte se zhiva e kuqe gjendet në tokë vullkanike.
      -Fevziu thotë se lënda që kërkonte ai gjendej në depot e ushtrisë, për çka ai bisedonte me ish-oficerë dhe magazinierë të ushtrisë, të cilët gjithashtu qenë ushtarakë. Pra Fevziu kërkonte sende ushtarake, të cilat qenë pronë e shtetërore. Në çdo rast, zhivë e kuqe ose jo, Fevziu po kërkonte të bënte një vjedhje, madje një vjedhje në bashkëpunim, e cila dënohej rreptë nga Kodi Penal, si atëherë, ashtu edhe sot. Fevziu nuk mund të mos ishte i vetëdijshëm për këtë gjë, ndonëse ai shtiret kinse nuk e dinte se bëhej fjala për një krim. Në fillim të viteve nëntëdhjetë ai ishte së paku 21 vjeç, pra ishte në moshë madhore. Veprimet e Fevziut qenë parashikuar si krim nga Neni 62 i Kodit Penal të kohës, mbi vjedhjen nga një grup i organizuar të pronës shtetërore me vlerë të madhe financiare. Ajo që po bënte Fevziu ishte të organizonte një grup për të vjedhur pronën shtetërore ushtarake. Ky nen parashikonte për këtë vepër penale dënimin prej jo më pak se shtatë vitesh burg, deri në dënim me vdekje. Fevziu e quan si një gjë të natyrshme që ta përvetësonte “zhivën e kuqe”, a thua se e kishte mallin e babait. Fevziu thotë se u zhgënjye shumë kur mësoi se zhiva e kuqe nuk ekzistonte, a thua se zhiva e kuqe duhet të priste në magazinë, që të pasurohej Fevziu. Fevziu të gjitha këto i quan aventura rinore. Por një pjesë e madhe e të burgosurve në burgjet shqiptare, gjatë këtyre dy dekadave të tranzicionit janë të rinj të cilët kishin moshën e Fevziut në kohën kur kërkonte të vidhte “zhivë të kuqe”, madje edhe më të vegjël.
       Lënda që kërkonin nuk ishte zhiva e kuqe, atë e shpik Fevziu për të fshehur atë që po kërkonin në të vërtetë. Fevziu nuk ishte naiv që të kërkonte zhivë të kuqe. Ajo që kërkonte të bënte Fevziu ishte të trafikonte armë kimike, ndryshe të quajtura lëndë helmuese luftarake. Gjithçka nisi në qershor 1991, kur Perikli Teta u bë ministër i Mbrojtjes, si përfaqësues i PD, në qeverinë e Ylli Bufit. Fevziu, duke qenë pranë atyre njerëzve në PD që më pas do të largoheshin prej saj si mocionistë, krijoi miqësi me Tetën, i cili ishte njëri ndër ta. Fevziu, i cili në atë kohë posa qe kthyer nga Italia, ku kaloi pjesën më të madhe të pranverës së vitit 1991, i propozoi Tetës një aferë shumë fitimprurëse, atë të shitjes në Itali të një sasie armësh kimike. Fevziu kishte gjetur blerës të cilët qenë njerëz të mafies italiane.
      -Fevziu thotë se historia e zhivës së kuqe nisi për të, kur një djalë që e kishte njohur në bordurat e bulevardit të madh të Tiranës, i tha se kishte njohur një italian nga Leçe, i cili kërkonte të blinte zhivë të kuqe. Kjo është përrallë për fëmijë! E vërteta është se ishte Mentor Çoku, për të cilin Fevziu pohon se ishte i përfolur si trafikant armësh, ai që i propozoi Fevziut të nxirrte armë kimike nga depot e ushtrisë shqiptare, duke korruptuar ushtarakë me dollarët që do t’ ia jepte Çoku. Në vitin 1991, shtypi dhe televizionet europiane dhanë alarmin për rrezikun e trafikimit të armëve kimike nga Shqipëria. Fevziu ishte një nga njerëzit që po punonin për këtë gjë. Se si përfundoi kjo histori nuk dihet me saktësi, por një gjë dihet me siguri. Fevziu ka qenë vazhdimisht në ankth që prej asaj kohe deri më sot, për këtë episod të së shkuarës së tij. Prandaj ka shkruar edhe esenë që kam cituar më lart. Në 15 qershor 1997, kur Blendi Fevziu ishte zëvendëskryeredaktor i gazetës “Indipendent” ai botoi një shkrim me titull “Shqipëria fsheh një Çernobil”[lxvi]      Nëntitulli i këtij shkrimi ishte: “Alarmi: 20 ton armë kimike kërcënojnë Shqipërinë dhe Ballkanin”. Në këtë artikull Fevziu shkruan:
      Tre muaj më parë, kur në një nga emisionet qëndrore të lajmeve dy oficerë kimistë i bënë thirrje popullsisë të kthente në repartet ushtarake preparatet kimike të grabitura, alarmi mbërtheu në pak kohë vendet fqinjë. Stacionet televizive italiane dhe më pas ato greke lajmëruan se në arsenalin e armëve të grabitura bënin pjesë edhe armë toksike dhe se ky qe një fakt i rëndë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin. Lajmi alarmant nuk bëri bujë në Shqipërinë e mësuar tashmë me çudinë e armëve. Por ai ishte i mjaftueshëm për të provokuar reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Një oficer i saj doli përsëri në ekran dhe deklaroi kësaj here në RAI, se Shqipëria nuk zotëron armë kimike.
      Përgënjeshtrimi i nevojshëm qetësoi fqinjët dhe shqiptarët, por duket se ai nuk ka qetësuar oficerët e vjetër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturat ushtarake të Operacionit ALBA. Mbi intervistën e oficerit u vunë shumë pikëpyetje dhe xhaloja mori ngjyra misterioze. Si qëndron në të vërtetë problemi dhe a disponon Shqipëria armë kimike?
      Historia nis në fillim të viteve 50, gjatë kohës së pjesëmarrjes në Traktatin e Varshavës dhe më pas, në vitet e flirtit shqiptaro-kinez. Në këtë kohë, ushtria e Bashkimit Sovjetik ka furnizuar për disa vite me armë kimike ushtrinë shqiptare. Ky furnizim ka vijuar me një kontigjent të dytë nga Kina gjatë viteve 1965-1973. Të dhënat për këtë furnizim, edhe pse tepër sekret, njihen nga shumë oficerë të asaj kohe dhe të tjerë që kanë punuar më vonë në strukturat e mbrojtjes. Nuk dihet se si janë ruajtur këto armë kimike në vitin 1991, por një bilanc i bërë atëherë, shënonte sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, se Shqipëria zotëronte 20 ton lëndë helmuese luftarake të të gjitha llojeve. Këto lëndë tepër të rrezikshme qenë të shpërndara në mbi 150 depo dhe tunele në të gjithë vendin, mbrojtur sipas rregullave të sigurimit teknik. Ky arsenal kërcënues ishte tashmë krejt i panevojshëm. Për atë kishte vetëm një rrugëzgjidhje, shkatërrimi i plotë. Por ky proces, i njohur për shumë vende është një ndër proceset më të kushtueshme, i papërballueshëm jo vetëm nga Shqipëria por edhe vendet e tjera fqinjë të saj. Duket se zgjidhja u gjet tek bisedimi me Komisionin Ndërkombëtar për ndalimin e lëndëve luftarake dhe negocimi që shkatërrimin e tyre ta merrte ky. Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Perikli Teta, deklaron se për këtë problem u përgatit një specialist, i cili do të nisej për Paris, por kjo nuk u realizua. Teta nuk e di se çfarë ka ndodhur pas largimit të tij nga posti i ministrit më 11 dhjetor 1991, por ai e di se dy vjet më pas, më 1993, kryeministri Meksi firmosi në Paris marrëveshjen për mospërdorimin dhe mostranzitimin e armëve dhe lëndëve kimike. Vetë Meksi nuk mund të deklarojë diçka më shumë. Ai pranon se ka firmosur marrëveshjen për mospërdorimin e armëve kimike, gjë që tregon se Shqipëria zotëronte armë të tilla, por nuk ka pasur asnjë sinjalizim nga Ministri Zhulali për to. Meksi kujton se i vetmi problem kimik që është diskutuar ka qenë ai i disa mbetjeve të ardhura në stacionin e Bajzës në Shkodër dhe të kthyera mbrapsht në Gjermani. Asnjë dijeni nuk ka pasur as anëtari tjetër i Kabinetit Meksi, Genc Ruli.[lxvii]
      Fevziu kishte të drejtë në një gjë. Shqipëria në atë kohë zotëronte një arsenal armësh kimike të trashëguara nga koha e komunizmit. Pikërisht ato kërkonte Fevziu në 1991 dhe 1992 dhe jo zhivën e kuqe! Një nga njerëzit, të cilit Fevziu i propozoi bashkëpunim në këtë aferë ishte pikërisht Perikli Teta. Ajo që nuk e thotë Fevziu është se bisedat e tij me Perikli Tetën për armët kimike patën nisur që në vitin 1991 dhe motivi i Fevziut nuk ishte kureshtja prej gazetari. Ajo çka të bën përshtypje në fragmentin e mësipërm është se Fevziu thotë se ish-ministri i qeverisë “Meksi”, Genc Ruli nuk kishte pasur dijeni për armët kimike. Fevziu nuk thotë se përse nga të gjithë ministrant e kabinetit “Meksi” përzgjodhi pikërisht këtë ministër për të thënë se ai nuk kishte dijeni. Genc Ruli pati qenë Ministër i Financave për një vit e gjysëm në qeverinë “Meksi”, dhe jo ministër i Mbrojtjes, i Rendit Publik, apo qoftë edhe i Punëve të Jashtme, që të mund të mendohej se do të kishte dijeni specifike mbi çështjen e armëve kimike. Arsyeja se përse Fevziu flet kështu është se ai pati bashkëpunuar pikërisht me Genc Rulin për trafikun e armëve kimike, por kjo skemë nuk ia doli me sukses. Më tutje, Fevziu thotë në artikullin e tij:
      Çështja është hapur vetëm pak kohë më parë, kur forcat ndërkombëtare të Operacionit ALBA i kanë kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Mbrojtjes të dhëna mbi armët kimike dhe mbi masat e sigurimit të tyre. Ideja se atom und të gjenden në depo të zakonshme dhe çdo moment mund të bien në duart e qytetarëve si kallashnikovët, pushkët dhe granatat, ka alarmuar komandën shumëkombëshe. Sipas të dhënave që i konfirmojnë specialistë të armëve kimike, shpërndarja e këtyre lëndëve mund të helmojë ambientin dhe të kërcënojë jetën e qytetarëve në Shqipëri, Greqi, Kosovë, Mal të Zi, Serbi e deri në Italinë qëndrore. Ministria e Mbrojtjes nuk ka kthyer përgjigje, por burime prej andej sqarojnë se lëndët kimike nuk kanë rënë në duar të qytetarëve.[lxviii]
      Këtu të bën përshtypje se Fevziu i quan “qytetarë” ata njerëz të cilët kërkonin që të rrëmbenin armët kimike, kur në të gjithë botën këta njerëz quhen terroristë. Por Fevziu, qartësisht ka një lloj afeksioni ndaj këtyre “qytetarëve”, për shkak se ai pati qenë njëri ndër ta disa vite më parë. Fevziu qëllimisht nuk e thotë se armët kimike qenë shumë të siguruara, saqë nuk u bënë dot pre e grabitjes së depove ushtarake as në ditet e marsit 1997. Armët kimike qenë të mbyllyra në tunele të minuara, ku qenë të paarritshme nga grabitësit. Fevziu, i cili qe informuar hollësisht nuk mund të mos e dinte edhe këtë gjë, por ai nuk e thotë se qëllimi i tij ishte që të krijonte panik dhe t’ u jepte mundësi Serbisë dhe Greqisë që t’ i thoshin botës se Shqipëria përbënte një rrezik të madh për to, kështu që Serbia dhe Greqia qenë të justifikuara edhe për ta pushtuar ushtarakisht Shqipërinë, që t’ i jepnin fund këtij rreziku. Shkrimi i Fevziut bëhej në kohën kur SHBA dhe Britania e Madhe qenë duke e kërcënuar me luftë Irakun e Sadam Hussein për shkak se zotëronte armë të shkatërrimit në masë, që përbënin rrezik për botën. Armët kimike janë armë të shkatërrimit në masë. Më tutje, Fevziu thotë në shkrimin e tij:
      Ministri Teta, njeriu që së bashku me Zhulalin, dhe Ministrin kimist, Vukaj duhet të dijë gjithë enigmën nuk preferon të flasë. Ai vetëm sa e pranon ekzistencën e këtyre armëve dhe sqaron se objekti i Misionit ALBA, më shumë se sa shpërndarja e ndihmave duhet të jetë sigurimi dhe shkatërrimi i armëve kimike. Teta thotë se ai nuk është deklaruar deri më sot për këtë, nisur nga fakti se këto lëndë kanqë qenë të siguruara dhe se shkatërrimi i tyre i kushtonte shumë vendit. Tashmë që sigurimi i objekteve ushtarake dhe depove është i dyshimtë, shton ai, duhet bërë gjithçka për shmangien e rrezikut të armëve kimike.
      Enigma e tyre duhet të shqetësojë jo vetëm fqinjët, por në radhë të parë shqiptarët. Shaqir Vukaj, i cili mban veç postit të Ministrit dhe diplomën ruse të kimistit, duhet të japë sigurimet e tij. Nëse Shqipëria nuk realizon dot shkatërrimin e këtyre armëve, njëkohësisht as sigurimin e tyre. Europa duhet të shënojë në listën e shpenzimeve shqiptare, edhe koston e domosdoshme për t’ i dhënë fund aventurës së lëndëve kimike, nisur 40 vjet më parë, nga diktatori Enver Hoxha.[lxix]
      Por Teta i cituar nga Fevziu nuk thoshte se çfarë kishte ndryshuar në kushtet e sigurisë së armëve kimike që zotëronte Shqipëria, që ishte bërë shkak që ai të fliste tani. Kushtet e ruajtjes së këtyre armëve qenë gjykuar të tilla nga ekspertët ndërkombëtarë, kryesisht ata amerikanë, të cilët i patën inspektuar vendet e ruajtjes së këtyre armëve, që ato qenë konsideruar të neutralizuara, dhe asgjësimi i tyre mund të bëhej në një kohë të mëvonshme, kur të bëhej e mundur, ashtu siç edhe ndodhi. Nëse ministri socialist i Mbrojtjes, Vukaj, i ka deklaruar Fevziut në qershor 1997, dy javë para zgjedhjeve se synimi kryesor i forcës ushtarake shumëkombëshe në Shqipëri në atë kohë ishte sigurimi dhe asgjësimi i armëve kimike, atëherë kjo do të thotë se ai ka qenë ose i çmendur, ose agjent i Rusisë, ku qe shkolluar në kohën e komunizmit. I çmendur Shaqir Vukaj nuk ishte. Që forca shumëkombëshe ushtarake të merrej me çështjen e armëve kimike në Shqipëri dhe posaçërisht të asgjësimit të tyre, kjo nuk ishte e mundur, për vetë rrethanat në të cilat gjendej Shqipëria në atë kohë. Aksione të tilla kërkojnë rrethana paqësore. Sigurisht se shumëkujt në Greqi, Serbi, Rusi do t’ i kishte pëlqyer që forca shumëkombëshe ushtarake në Shqipëri, në 1997 të merrej me asgjësimin e  armëve kimike, se kështu shërbimet e fshehta të vendeve fqinje mund të aktivizonin skenarë terroristë masivë, që do të avanconin agjendën e shpërbërjes së shtetit shqiptar, që u la në mes në pranverën e vitit 1997. Pra, mund të bëhej pikërisht ajo që Fevziu paralajmëronte në titullin e shkrimit, një “Çernobil” shqiptar. Por, që të ndodhte kjo duhej që të hapeshin depot shumë të siguruara ku mbaheshin armët kimike, dhe aq më mirë nëse këtë gjë e bënte Misioni “Alba”. Fevziu, pak a shumë i kuptonte të gjitha këto, por shtirej kinse nuk i kuptonte, ashtu si atëherë kur kërkonte “zhivën e kuqe”. Shkrime të tilla, si ky i Fevziut, paguheshin aq sa zhiva e kuqe, se ato nuk qenë shkrime por kumte të shërbimeve të fshehta.
      Një tregues shumë interesant për të vërtetën e aferës së “zhivës së kuqe” është fakti se Blendi Fevziu në 1998, u largua nga Televizioni Publik Shqiptar, gjë të cilën thotë se e përjetoi shumë keq, për shkak se mbajti anën e Perikli Tetës, kur ky sfidoi shumicën e majtë parlamentare që po e largonte nga qeveria. Këtë ngjarje do ta shpjegoj gjerësisht më tutje. Nuk është asfare përkushtimi i fjalës së lirë ai që e bëri Fevziun të mbajë anën e Tetës në këtë konflikt, se Fevziu para dhe pas kësaj ngjarjeje kishte treguar dhe ka treguar, se akomodohet shumë mirë me qeveritë, të majta apo të djathta qofshin ato, pa u shqetësuar shumë për kauzën e lirisë së shprehjes. Rasti “Teta” është unik në historinë pesëmbëdhjetëvjeçare të emisionit televiziv të Fevziut. Shpjegimi i tij është se Teta e detyroi Fevziun të sillet kështu, duke iu kanosur me dosjen “Zhiva e kuqe”.
      Eseja e Fevziut për zhivën e kuqe provon postulatin kriminologjik se krimineli kthehet gjithëherë në vendin e krimit. Edhe Fevziu i rikthehet krimit të tij, në mënyrën e tij, me një ese. Nëse Fevziu do të ishte arrestuar dhë dënuar në vitin 1991, në Shqipëri ose në Itali, për vjedhje dhe trafik armësh kimike, jeta e tij do të kishte shkuar krejt ndryshe. Ai nuk do të kishte qenë ai që është sot. Por Fevziu siç është sot, është megjithatë një kriminel edhe më i keq se bashkëmoshatarët e tij që u bënë kriminelë dhe u dënuan si të tillë. Derisa ata janë kriminelë të ndëshkuar, që nuk aftësinë, mundësinë, apo edhe hipokrizinë që të bëjnë apologji publike, Fevziu ka hipokrizinë që të shkruajë ese për të mbuluar gjurmët e një krimi të pandëshkuar. Ky është ndëshkimi i tij.




[i] Blendi Fevziu, “Piedestale pa statuja”, Botim i “Brezi 22”, Tiranë 1993, f. 74
[ii] po atje: f. 75
[iii] po atje: f. 6-7
[iv] po atje: f. 18-19
[v] po atje: f. 22
[vi] po atje: f. 18
[vii] po atje: f. 75
[viii] po atje: f. 75
[ix] po atje: f. 76
[x] po atje: f. 91-92
[xi] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 125
[xii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 93
[xiii] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 125
[xiv] po atje: f. 125
[xv] Blendi Fevziu, “Piedestale pa statuja”, Botim i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1993, f. 278-279
[xvi] Gazeta “Studenti”, 3 dhjetor 1991, f. 3    
[xvii] Enver Hoxha, “Vite të rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 244
[xviii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 94
[xix] po atje: f. 95
[xx] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 144
[xxi] po atje: f. 120
[xxii] po atje: f. 120
[xxiii] Gazeta “Panorama”, 14 gusht 2011
[xxiv] Blendi Fevziu, “Piedestale pa statuja”, Botim i “Brezi 22”, Tiranë 1993, f. 291-292
[xxv] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999,
[xxvi] Blendi Fevziu, “Piedestale pa statuja”, Botim i “Brezi 22”, Tiranë 1993, f. 293-294
[xxvii] po atje: f. 294-295
[xxviii] po atje: f. 295-296
[xxix] Gazeta “Panorama”, 4 nëntor 2008, f. 19
[xxx] po atje: f. 19
[xxxi] po atje: f. 19
[xxxii] po atje: f. 19
[xxxiii] po atje: f. 19
[xxxiv] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 144-145
[xxxv] Gazeta “Panorama”, 4 nëntor 2008, f. 19
[xxxvi] po atje: f. 19
[xxxvii] po atje: f. 19
[xxxviii] po atje: f. 19
[xxxix] po atje: f. 19
[xl] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 11-12
[xli] po atje: f. 158
[xlii]Ismail Kadare, “Vepra”, vëllimi 2, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, f. 64-65
[xliii] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 127
[xliv]Gazeta “Studenti”, 24 dhjetor 1991, f. 3
[xlv] po atje: f. 3
[xlvi] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 97-98
[xlvii] Fron Nahzi, “Midis Tiranës dhe Bronksit”, Botimet “Dudaj”, Tiranë 2010, f. 14
[xlviii] po atje: f. 14
[xlix] po atje: f. 5
[l] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 34-35
[li] Graham Grin, “Komedianët”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1987
[lii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 34
[liii] Graham Grin, “Komedianët”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, f. 416-417
[liv] Graham Greene, “A life in letters”. London 2007, Little Brown, p. 403
[lv] Graham Grin, “Njeriu ynë në Havanë”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1991, f. 21
[lvi] Kim Philby, “Lufta ime e heshtur”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. XV
[lvii]Gazeta “Indipendent”, 27 maj 1997, f. 2
[lviii] Graham Grin, “Njeriu ynë në Havanë”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1991, f. 109
[lix] po atje: f. 111
[lx] po atje: f. 112
[lxi] po atje: f. 111
[lxii] po atje: f. 20
[lxiii] po atje: f. 337
[lxiv] po atje: f. 33- 34
[lxv] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 194-195-196-197
[lxvi] Gazeta “Indipendent”, 15 qershor 1997, f. 2
[lxvii] Gazeta “Indipendent”, 15 qershor 1997, f. 2
[lxviii] Gazeta “Indipendent”, 15 qershor 1997, f. 2
[lxix] Gazeta “Indipendent”, 15 qershor 1997, f. 2