35.
Intervista e Fevziut në dhjetor 1991, si çelës politik
Në fillim të dhjetorit 1991, kur Sali Berisha e largoi Partinë Demokratike nga qeveria e koalicionit me PS (qeveria e ashtuquajtur e stabilitetit), duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat PD i kishte kërkuar me kohë, Blendi Fevziu, në një takim të rastit me Berishën, e lajkatoi shumë këtë të fundit për këtë veprim politik, duke i thënë se me këtë ishte kurororëzuar lëvizja studentore e vitit të kaluar. Fevziu shpresonte që Berisha ta bënte deputet në zgjedhjet e ardhshme. Berisha nuk duhet të jetë habitur nga fjalët e Fevziut, se në ato ditë atë e përgëzonin shumë njerëz, të cilët patën qenë të rezervuar deri në momentin që lëvizja e tij për rrëzimin e qeverisë nuk kishte arritur sukses. Por Berisha duhet të jetë habitur shumë kur pa se Fevziu mbajti një qëndrim të kundërt në shtyp vetëm pak ditë më pas. Në 24 dhjetor 1991, Blendi Fevziu i dha një intervistë gazetës “Studenti”. Atëherë ishte koha kur në Partinë Demokratike sapo kishte ndodhur konflikti i parë politik publik. Nga njëra anë ishte kryetari i PD, Sali Berisha, i cili duke pasur mbështetjen e shumicës absolute të forumeve drejtuese dhe të anëtarëve e mbështetësve të PD, e largoi partinë nga qeveria e përbashkët me Partinë Socialiste, duke provokuar kështu zgjedhjet parlamentare të parakohshme brenda tre muajve. Në anën tjetër qenë disa nga anëtarët e forumeve drejtuese të PD, të cilët më pas do të largoheshin nga partia për të krijuar një parti të re me emrin “Aleanca Demokratike”. Në intervistën e tij Fevziu e bëri të qartë se ishte në anën e atyre që kishin qenë kundër largimit nga qeveria e përbashkët me PS, madje e bëri të qartë se kërkonte dhe largimin e Berishës nga posti i kryetarit të PD dhe zëvendësimin e tij me Gramoz Pashkon. Në intervistën e tij për gazetën “Studenti”, në 24 dhjetor 1991, në përgjigje të një pyetjeje të intervistuesit, mbi pjesëmarrjen e intelektualëve në politikë në anën e opozitës, Fevziut tha:
Unë besoj tek ta. Unë besoj tek Gramoz Pashko dhe shoh tek shkathtësia e tij e mençur Shqipërinë e ëndrruar, besoj tek Genc Rruli dhe Preç Zogaj, Aleksandër Meksi dhe profesori im Eduard Selami, Arben Imami dhe Arben Demeti.[i]
Fevziu përmend këtu emra të anëtarëve të forumeve drejtuese të PD, duke përjashtuar Berishën. Për Gramoz Pashkon, Fevziu shprehet në terma të tilla saqë mund të thuhet se për të Pashko duhet të bëhej kryetari i PD. Në atë kohë, Pashko ishte kritikuar ashpër nga “Zëri i Amerikës” për shkak të qëndrimit të tij kundër largimit të PD nga bashkëqeverisja me PS. Nga emrat që përmend Fevziu Aleksandër Meksi dhe Eduard Selami, ndonëse në dhjetor 1991 qenë kundër largimit nga bashkëqeverisja, pas ardhjes së PD në pushtet tre muaj më pas u bënë aleatë të Berishës, për shkak se u bënë, i pari kryeministër dhe i dyti zuri vendin bosh që la Berisha si kryetar i PD, se u bë President i Republikës. Këtu, është interesante se 22 vjeçari Fevziu dinte me saktësi ndarjen në lidershipin e PD, çka do të thotë se ai bënte pjesë në një klan të errët brenda PD-së.
Përse besonte Blendi Fevziu tek ata që kërkonin të vazhdonte bashkëqeverisja me PS? Bashkëqeverisja e PD me PS, e cila kishte nisur në qershor 1991, nuk po sillte asgjë konstruktive, madje nuk ishte as bashkëqeverisje reale. Bashkëqeverisja ishte në fakt një kurth i Ramiz Alisë për të zbatuar planin e tij të Pluralizmit politik me një parti të madhe, që do të ishte PPSH e shndërruar në PS. Ky plan i Ramiz Alisë u prish në zgjedhjet e marsit 1991 për shkak se PD arriti mori rreth 38.5% të votave, me gjithë se mori pjesë në një garë zgjedhore në kushte krejt të pafavorshme, me një parti-shtet. Ndonëse PPSH i fitoi zgjedhjet e marsit 1991, Ramiz Alia e dinte se partia ende komuniste dhe e pareformuar, nuk mund te qeveriste e vetme, se kjo shkonte kunder frymës së kohës në Europë. Ramiz Alia, i zgjedhur President, dhe Fatos Nano, që pritej të zgjidhej kryetar i partisë së reformuar, e panë bashkëqeverisjen me PD si mënyrë për të ulur peshën zgjedhore të partisë së madhe opozitare. Në këtë lojë, Alia dhe Nano kishin mbështetjen e një fraksioni të fshehtë brenda PD, të cilët ngulmuan që PD të merrte në qeverisjen e përbashkët portofolet që kishin të bënin me ekonominë. Idhulli politik i Fevziut, Gramoz Pashko ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Genc Rruli ishte ministër i Financave, Agim Mero ishte ministër i Tregtisë së Brendshme dhe Turizmit, Emin Musliu ishte ministër i Ndërtimit, Jordan Misja ishte ministër i Industrisë. Kjo krijonte përshtypjen se PD tashmë kishte përgjegjësinë për çështjet më të ndjeshme për zgjedhësit në Shqipëri, që ishin ato ekonomike, për të ardhurat, mirëqenia, strehimi, punësimi. Saora, e gjithë makineria e përbindshme e propagandës e regjimit të vjetër u vu në veprim për t’ i thënë popullit që të shikonte se çfare do të bënin tani ata të PD, të cilët patën folur aq shumë. Nëse bashkëqeverisja vazhdonte gjatë, atëherë kishte shumë gjasa që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare PD të mos arrinte as rezultatin që kishte arritur në mars 1991, pro të reduktohej në një parti të vogël.
Një përshtypje veçanërisht të keqe tek anëtarët dhe mbështetësit e PD bëri fakti se dy përfaqësuesit më të rëndësishëm të PD në qeverinë e përbashkët me PS qenë dy kunetër. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Gramoz Pashko ishte martuar me motrën e ministrit të Financave, Genc Ruli. Kështu kunetërit morën në dorë çelësat e ekonomisë shqiptare. Kjo gjë bëri përshtypje të keqe se një nga akuzat që i kishte bërë PD në fushatën elektorale PPSH në pushtet, ishte ajo për përqëndrimin e pushtetit në duart e një klani të lidhur me krushqi, duke e pasur fjalën në rradhë të parë për lidhjen e këtij lloji mes familjeve Hoxha dhe Alia. Tash PD, me Rulin dhe Pashkon dukej se po vazhdonte këtë traditë. Dështimi total i së ashtuquajturës Qeveri e Stabilitetit, e njohur ndryshe si qeveria “Bufi”, se kryesohej nga Ylli Bufi, bëri që, në nëntor 1991 tek mbështetësit e PD dhe në të gjitha nivelet e PD të arrihet deri tek bindja se kjo qeveri duhet të largohej, duke provokuar PD një krizë politike me largimin nga qeveria, çka do të bënte që vendi të shkonte sa më shpejt deri tek zgjedhjet e reja.
Këtë gjë e kërkonin edhe SHBA, të cilat donin që në Shqipëri të bëhej ndryshimi i pushtetit, nga partia që e kishte mbajtur për një gjysmë shekulli, tek një parti opozitare, se kjo qe tekefundit vetë prova e ndryshimit të sistemit të vjetër politiko-shoqëror, atij komunist, përmbysjen e të cilit në Europën Lindore SHBA e përjetonin si fitoren e tyre. Berisha, kishte mbështetjen amerikane për ta larguar PD-në nga bashkëqeverisja me PS-në. Argumenti kryesor që përdornin Ramiz Alia dhe PS për ruajtjen e qeverisë së koalicionit qe se Republika e Shqipërisë duhej të qe një faktor stabiliteti në rajonin e trazuar të Ballkanit, ku tashmë kriza kishte precipituar në luftë dhe që Shqipëria të qe faktor stabiliteti duhej të kishte faktor stabilitet të brendshëm politik. Ramiz Alia e dinin mirë se nëse qeveria e përbashkët PS-PD nuk binte deri në fillim të luftës në Bosnjë-Herzegovinë, çka pritej të ndodhte në pranverë, atëherë as amerikanët nuk do të mund t’ i lejonin vetes të nxisnin një krizë politike në Shqipëri. Destabilizimi i Shqipërisë mund të krijonte një proces zinxhir në Kosovë dhe Maqedoni.
Në fund të nëntorit 1991 u krijua një situatë e favorshme rajonale që mund të çonte në tolerimin e një krize politike në Shqipëri nga ana e ndërkombëtarëve, duke e bërë të pavlefshëm kartën e përhapjes së destabilizimit në trevat shqiptare të përtej kufirit, që e përdorte PS. Në atë kohë lufta në Jugosllavi kishte hyrë në një interval paqeje, me armëpushimin midis Serbisë dhe Kroacisë të arritur në 23 nëntor 1991, por pritej që së afërmi lufta të zhvendohej në Bosnjë-Herzegovinë, ku më 9-10 nëntor qe mbajtur një referendum nga serbët, të cilët u shprehën për shkëputje nga Bosnje-Herzegovina në rast se kjo republikë shkëputej nga Jugosllavia. Në shkurt 1992 qe fiksuar referendumi për pavarësinë e Bosnje-Herzegovinës, që pritej të shpallej në mars, çka do të thoshte se, e shumta në prill, do të fillonte lufta në këtë republikë. Në rast se në Republikën e Shqipërisë do të mbaheshin zgjedhje të parakohshme, fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit do të qenë limiti i fundit për ta futur vendin në një krizë politike, me daljen e opozitës nga qeveria e koalicionit, në mënyrë që zgjedhjet të mbaheshin e shumta brenda marsit. Në rast se opozita do të vonohej, atëhere kishte rrezik që dalja e saj nga qeveria të koincidonte me fillimin e luftës në Bosnjë-Herzegovinë dhe atëhere opozita do të mbulohej me akuzat nga PS se po shtonte destabilitetin në rajon dhe mbi opozitën do të kishte një presion të fortë ndërkombëtar, duke mos përjashtuar dhe atë amerikan, që mos të shkaktonte kriza politike. Kështu nuk do të qe e çuditshme që zgjedhjet e ardhshme të qenë zhvilluar në 1995, kur edhe mbaronte legjislatura.
Në këto rrethana, amerikanët ia bënë me dije Berishës se, në rast se do të dilte nga qeveria dhe do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme kjo qe koha më e përshtatshme. Në PD kishte debate për këtë gjë, ministrat demokratë qenë kundër daljes nga qeveria dhe po ashtu qe dhe një grupim deputetësh dhe anëtarësh të forumesh të larta, që më pas do të largoheshin nga PD. Në 26 nëntor 1991 u mbajt një mbledhje e tensionuar e Këshillit Drejtues të PD (homologu i Këshillit Kombëtar të sotëm), në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve, ndërsa sekretari i parë i ambasadës amerikane në Tiranë Christopher Hill priste në holl, shumë i interesuar për vendimin. Këshilli Drejtues mbështeti me shumësi votash propozimin e Berishës për daljen nga qeveria, në rast se qeveria nuk plotësonte disa kërkesa, të cilat PS nuk kishte prirje t’ i plotësonte. Zhvillimet precipituan deri në një krizë politike dhe PS u detyrua të pranonte zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në 22 mars 1992, nën presionin e SHBA. Berisha, protagonisti kryesor i kësaj manovre të shkëlqyer politike, i mbështetur fuqimisht nga amerikanët u bë politikani më popullor në vend dhe pikërisht në këtë kohë, në tubimet e opozitës filloi të brohoritej emri i tij.
Përmbysja e regjimit komunist shqiptar dhe detyrimi i PS që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta në vend, të cilat sollën në pushtet opozitën demokratike, ishte angazhimi i parë konsistent dhe i suksesshëm i SHBA në Ballkanin e pas Luftës së Ftohtë. Me këtë SHBA u tregoi ballkanasve dhe europianëve vendosmërinë dhe kapacitetin e vet për të mbështetur ndryshime progresiste në rajon, sfidë kjo ku angazhimi i SHBA në të ardhmen do të qe shumë më i madh. Në PD, ata që nuk e kishin dashur largimin e partisë nga bashkëqeverisja me PS qenë ata që mund të quheshin lobi grek në PD. Greqisë, por edhe Serbisë u interesonte që PS të vazhdonte të rrinte në pushtet, për shkak se kjo parti në programin e saj të shpallur pas ndryshimit të emrit qe shprehur kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe bashkëpunimit ushtarak me SHBA, çka do të thoshte se Shqipëria e qeverisur nga PS nuk do të ishte një kryeurë strategjike amerikane për të ndërhyrë ushtarakisht në Ballkan. Blendi Fevziu në dhjetor 1991 ishte në një pozicion antiamerikan.
Shumë vite pas kësaj interviste, në një artikull të shkruar në dhjetor 2001, dhe botuar në librin e tij me “ese”, Fevziu pohon tërthorazi atë gjë që e dinte çdokush në Shqipëri në dhjetor 1991, se vendimi i Berishës për të shkaktuar krizë qeveritare ishte mënyra për të siguruar suksesin e PD-së në zgjedhje, të cilat madje i solli vetë kriza qeveritare. Duke rrëfyer për ardhjen në Shqipëri të organizatorit sorosian, mikut të tij, Fran Nazi, që në Shqipëri u paraqit me emrin Fron Nazi, pikërisht në dhjetor 1991, Fevziu shkruan:
Me një libër të titulluar “Si ngrihet një fondacion” dhe me ndrojtjen se po shkonte drejt të panjohurës më të njohur të jetës së tij, Fran Nazi mbërriti një ditë dhjetori të vitit 1991, në Tiranë… Shumë vite më vonë, të ulur në një restorant ballkanas si gjithmonë të zhurmshëm dhe të pistë të Nju Jorkut, Fran Nazi më tregonte përballjen e tij të parë me ato që mund të quheshin institucionet e shtetit shqiptar. Ishte dita e parë e rënies së Qeverisë së Stabilitetit, kur shqiptarët qenë më të paqartë se kurrë dhe kur në të gjithë zyrat qeveritare merrte po atë përgjigje të sertë:
-Nuk dimë ç’ të themi, qeveria ka rënë, e rrëzoi Sali Berisha.
Shumë herë më pas jam përpjekur të rindërtoj në mendjen time përballjen e zyrtarëve të vjetër të shtetit komunist shqiptar me këtë djalë të ri, krejt të ndryshëm dhe të panjohur për ta, që me një tufë letrash në dorë kërkonte gjënë për të cilën s’ i jepte dot përgjigje askush: të ngrinte një fondacion. Po atë ditë, kur pothuajse i gjithë kryeqyteti shqiptar jetonte me komentet e një mbledhjeje të zgjatur të qeverisë me partitë politike, në të cilën Sali Berisha, kryetar i PD-së kishte dëshmuar realisht se rrëzimi i Qeverisë së Stabilitetit kishte qenë një vendim politik që PD-ja po e merrte për të garantuar suksesin në zgjedhjet e ardhshme. E transmetuar direkt në TV, mbledhja realisht mund të merrte etiketimet e zyrtarëve të hutuar se Qeveria kishte rënë dhe se qeverinë e kishte rrëzuar Sali Berisha.
Por nëse impresionet e Franit shërbenin në mënyrë perfekte për të kuptuar perceptimin që bota mund të kishte për ne në atë dimër të parë të hapjes pas gjysmë shekulli, nëse shumë pyetjeve të tij naïve mund t’ i jepja përgjigje me një lloj zbavitjeje dhe kënaqësie, asnjëherë nuk dita t’ i jap përgjigje atij dhe vetes sime se pse rrëzimi i qeverisë qe bërë nga Sali Berisha dhe pse evenimente kaq të rëndësishme të politikës apo historisë së një vendi janë gjithnjë të lidhura tek ne, jo me institucionet, por me emra konkretë?[ii]
Këtu Fevziu duhet t’ i përgjigjes pyetjes së përse ai, pikërisht në dhjetor 1991, kur ndodhnin këto gjëra, e shikonte të ardhmen e Shqipërisë të lidhur me emrin e një individi, Gramoz Pashkos (siç shprehet në intervistën e tij të cituar më lart), dhe jo të institucioneve. Merret vesh, Fevziu e kishte vetëm me Sali Berishën, i cili në dhjetor 1991 prishi lojën e Ramiz Alisë. Edhe Berisha njeriu i Ramiz Alisë kishte qenë, por ai u lidh me amerikanët. Këtu s’ ka gjë të habitshme se edhe Ramiz Alia kishte qenë anëtar i rinisë fashiste, i cili më pas u bë komunist, ashtu siç Enver Hoxha kishte qenë njeriu i Ahmet Zogut, i cili e dërgoi në shkollë jashtë vendit, e emëroi diplomat dhe mësues në Lice, e më pas Hoxha ia ndaloi hyrjen në Shqipëri. Kjo është historia. Pyetja është se përse i riu Blendi Fevziu mbeti në linjën e Ramiz Alisë edhe në dhjetor 1991? Fron (Fran) Nazi nuk pati ardhur rastësisht në Shqipëri pikërisht në dhjetor 1991. Ai ishte i dërguari special i Soros në Shqipëri dhe ardhja e tij e ngutshme, jo më herët, as më vonë, por pikërisht në ato momente krize politike, shprehte shqetësimin e qendrave sorosiane se gjërat në Shqipëri po shkonin ndryshe nga ç’ ishte parashikuar. Sorosi donte që në Shqipëri të mos kishte ndryshim të pushtetit, por partia komuniste e reformuar (PPSH e shndërruar në PS) të vazhdonte të qeveriste pa ndërprerje, çka u vërtetua dhe nga veprimet e mëtutjeshme të Sorosit në Shqipëri. Me ardhjen e Fran Nazit në Shqipëri, Fevziu do të bëhej shpejt mik me të, edhe në sajë të Ben Blushit, i cili ishte një nga beniaminët e Sorosit në Tiranë. Fondacioni “Soros” do t’ i paguante Fevziut shumë udhëtime jashtë vendit, të llojit të turizmit të OJQ-ve, në takime e konferenca ndërkombëtare, trainime etj.
Çfarë kishte ndodhur që Fevziu ndryshoi qëndrim brenda pak ditësh. Në dhjetor 1991 Ramiz Alia ishte duke bërë përpjekjet e fundit për të ndaluar ndryshimin e pushtetit, për të cilin ai e dinte se do të sillte largimin e tij nga posti i Presidentit të Republikës, të cilin ai e kishte marrë nga parlamenti i dalë nga zgjedhjet e atij viti. Në këtë lojë, Ramiz Alisë i hyri në punë edhe Fevziu, i cili gëzonte reputacionin e pamerituar të autorit të reportazhit të parë mbi lëvizjen studentore të një viti më parë. Intervista e Fevziut e dhjetorit 1991 është një çelës politik për sjelljen e Fevziut, për shkak se tregon që Ramiz Alia e kontrollonte Fevziun me anë të mekanizmave të trashëguar nga ish-Sigurimi i Shtetit. Ramiz Alisë i duhej që edhe autori i reportazhit të parë në “RD” për lëvizjen e dhjetorit të një viti më parë, pra Fevziu, të prononcohej kundër qëndrimit të PD. Fevziu, i cili donte që të bënte karrierë politike e kuptonte se sjellja e tij kishte një kosto të madhe politike, se me këtë i pritej çdo shpresë që të bëhej deputet në zgjedhjet e ardhshme. Por nuk kishte çfarë të bënte se ata të cilët e urdhëruan i kishin mjetet për ta detyruar.
Gjithsesi, Blendi Fevziu nuk u prek drejtpërdrejt nga rrëzimi i qeverisë së përbashkët PS-PD, se pas kësaj u krijua një qeveri teknike, e cila nuk bëri ndryshime në administratë, kështu që Blendi Fevziu mbajti postin që kishte si Drejtor i Drejtorisë së Rinisë, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas ardhjes së PD-së në pushtet, një vit më pas, në 1992, Tomor Dosti, një nga drejtuesit e PD, i cili ishte baxhanaku i vëllait të babait të Blendit, e emëroi babain e Blendit nëndrejtor të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Berisha e pranoi emërimin pa e ditur se bëhej fjalë për babain e Blendi Fevziut. Kohë më pas, kur ndodhi një skandal në dogana, me ç’ rast u arrestua drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Th. B., dhe disa doganierë, ky i fundit, i indinjuar nga fakti se atij kërkonin t’ i ngarkonin përgjegjësinë për gjërat që kishin bërë të tjerët, i shkroi një letër Presidentit Berisha ku i thoshte se kishin qenë të tjerët që kishin bërë si kishin dashur falë mbështetjes së Tomor Dostit, dhe se vartësi i tij ishte babai i një prej gazetarëve që shkruante më egër kundër Berishës. Me këtë rast, Berisha, i hutuar, tha një fjali që meriton të hyjë në fondin e artë të batutave të politikës shqiptare:
-Nuk e kuptoj, sa mbiemra ka kjo familje?
Derisa Berisha e kuptoi më në fund se sa mbiemra kishte familja e Blendi Fevziut, anëtarët e PD dhe votuesit e saj, ende nuk arrijnë të kuptojnë se për çfarë i duhet sot Blendi Berishës. Duhej pritur që Blendi Fevziu të ishte një mbështetës fanatik i Presidentit Berisha dhe i qeverisë së PD, të ardhur në fuqi në 1992. Si Blendi, ashtu dhe i ati qenë zyrtarë të lartë të administratës. Çfarë mund të donte më tepër Blendi në moshën 23 vjeç? Por Blendi ishte nipi i Neki bej Starovës, dhe nuk mund të rrinte pa bërë intriga dhe pa bërë lojë të dyfishtë. Blendi dëshironte të kishte lidhje të forta dhe me opozitën e majtë, për të vazhduar karrierën edhe kur të vinte ajo në pushtet. Kështu që Blendi shkruante me pseudonim kundër Presidentit Berisha dhe qeverisë në gazetën “Koha Jonë”, e cila ishte gazeta kryesore dhe më e ashpër e opozitës, në ndërkohë që Fevziu mbante një post të lartë në administratë si drejtor në Ministrinë e Kulturës. Fevziu iu bashkua grupit që krijoi Partinë “Aleanca Demokratike”, ku kishte shumë të larguar nga PD. Kjo parti ishte në aleate e Partisë Socialiste. Në një autobiografinë e tij të botuar në 1996, Fevziu shkruan mbi këtë veprim të tij:
Se përse e mallkoi veten Blendi Fevziu për herë të dytë, këtë do ta zbuloj më tutje, në këtë libër. Në autobiografinë e tij të botuar në, Fevziu shkruan mbi largimin e tij nga ministria:
Në fillim mendova se ishte mirë të bëhesha Drejtor. U bëra dhe një vit më vonë e kuptova se ishte absurde. Në fund të fundit nuk isha aq plak sa për të shkruar vetëm shkresa administrative. Pas kësaj u bëra gazetar dhe kryeredaktor gazete.[iv]
Blendi Fevziu nuk e mbajti postin e drejtorit në ministri për një vit siç thotë, por për rreth dy vjet, se ai e mori postin në korrik 1991 dhe e la në mars 1993. Blendi Fevziu nuk u largua nga ministria se iu duk absurde që ta mbante postin e drejtorit në atë moshë aq të re, por se kishte një ambicje shumë më të madhe. Ai donte të bënte karrierë politike dhe miku i tij i zyrës ku punonte në ministri, Ben Blushi, shoku i tij i shkollës, e bindi që të dilte hapur në anën e opozitës, se PD do ta humbte shumë shpejt pushtetin. Në atë kohë sapo qenë larguar nga PD një numër deputetësh të cilët atëherë po krijonin Partinë Aleanca Demokratike, e cila do të bëhej aleate e PS në opozitë. Atëherë kishte spekulime se PD shpejt do të humbte shumicën në parlament pasiqë do të largoheshin dhe të tjerë deputetë nga shumica, kështu që do të kishte zgjedhje të reja parlamentare. Blushi, i cili ishte kushëri nga nëna, me kryetarin e PS Fatos Nano, e bindi Fevziun se karriera e tij qe e garantuar kur të vinte opozita në pushtet. Prandaj, në fillim të vitit 1993, Fevziu doli në një konferencë për shtyp si zëdhënës i Partisë së porsakrijuar Aleanca Demokratike, në kohën që ishte ende drejtor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas kësaj Fevziun e shkarkuan nga posti që mbante në ministri. Në vitin 1993, Fevziu u bë kryeredaktor i gazetës “Aleanca”, që ishte organ i kësaj partie. Në gazetën “Aleanca”atëherë punonte dhe ish-bashkënxënësi i Fevziut në shkollën e mesme “Partizani”, si dhe bashkëstudenti i tij i klasës (kursit), për gjuhë-letërsi në fakultetin e filologjisë në Tiranë, Lorenc Vangjeli. Blendi dhe Lorenci nuk flisnin me gojë për shkak të një grindjeje që kishin pasur që në shkollën e mesme. Ata i pajtoi në 1993, Preç Zogaj, i cili atëherë u bë drejtor i gazetës “Aleanca”. Që atëherë Blendi Fevziu ishte një nga penat më të egra në shtypin e majtë kundër Presidentit Berisha dhe qeverisë së PD.
Por Blendi Fevziu si opozitar radikal ndaj atij që e quante në shkrimet e tij në shtypin opozitar të majtë, regjimi i Presidentit Berisha, qe në një konflikt serioz interesi me Blendi Fevziun që merrej aktivisht me çështjen e kthimit të pronave të familjes së tij. Se ai që Blendi Fevziu e quante çdo ditë në shtyp regjimi i Berishës, atëherë kontrollonte Komisionin e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave me të gjitha degët e tij, gjykatat, Arkivin Qendror të Shtetit dhe arkivat në rrethe ku duheshin kërkuar dokumentet, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si ato për qytetin (të quajtura rëndom atëherë Zyra e Hipotekës), ashtu edhe për fshatin, apo për territorin jashtë zonës urbane, apo vijës së verdhë (kadastra). Në të gjitha këto zyra të regjimit të Berishës kishte punë Blendi Fevziu. Jo thjesht për të marrë pronat që i takonin ligjërisht, por kryesisht për të marrë prona që nuk i takonin ligjërisht, duke bërë manipulime me dokumente në dëm të të afërmve të tij dhe të pronës publike. Ndonëse Fevziu publikisht thoshte dhe shkruante se regjimi i Berishës nuk e kishte të gjatë, dhe do të binte në këtë apo atë stinë, Fevziu nuk mund të priste rënien e regjimit të Berishës për të zgjidhur problemet e veta pronësore. Fevziu tekefundit pati të drejtë se regjimi i Berishës, vazhdoi pesë vjet (1992-1997).
Se sa ndikim të fshehtë kishte Blendi Fevziu në kohën kur Berisha ishte President i plotfuqishëm, në vitet 1992-1997, kjo kuptohet nga një ngjarje e asaj periudhe. Engjëll Hysenbegasi, nipi i Hasanit, vëllait të Neki bej Starovës, pati qenë një nga drejtuesit më të lartë të PD në kohën që kjo parti ishte herën e parë në pushtet në vitet 1992-97. Engjëll Hysenbegasi pati qenë nënkryetari i PD nga viti 1993 në 1997. Njohja personale me Presidentin Berisha bëri që Engjëll Hysenbegasi të ishte një ndër të besuarit e tij në PD, të cilët pas humbjes që përjetoi PD në zgjedhjet vendore të verës së vitit 1992, ishte duke punuar për riorganizimin e partisë. Duke qenë një ndër trashëgimtarët e Hasanit, vëllait të Neki Starovës, Engjëll Hysenbegasi sigurisht që do të kërkonte të drejtën e vet që të merrte pronat që i qenë njohur gjyshit të tij me vendimet gjyqësore të viteve 1936 dhe 1937, për të cilat kam folur më lart. Kjo e vuri Engjëll Hysenbegasin në konflikt gjyqësor me familjen e Blendi Fevziut, e cila tashmë pretendonte se Neki bej Starova ishte pronar i vetëm i pasurisë, titulli i së cilës pati qenë kundërshtuar gjyqësisht në vitet tridhjetë. Kështu që trashëgimtarët e Neki bej Starovës pretendonin të qenë trashëgimtarët e vetëm të kësaj pasurie. Blendi Fevziu qe shumë aktiv me ndërhyrje në të gjitha zyrat përkatëse, që pronat t’ i zotëronte tërësisht familja e tij. Duke qenë se ish-pronarët duhej të endeshin në një labirint zyrash dhe arkivash për të gjetur dokumentet e duhura për të marrë pronën që pretendonte, trashëgimtarët e Hasanit, shpresonin tek Engjëll Hysenbegasi për të përgatitur dosjen e dokumenteve të nevojshme. Kur Engjëll Hysenbegasi dhe të afërmit e tij nisën të mbledhin dokumentet me të cilët do të kërkonin, pronat që i trashëgonin, sipas ligjeve për kthimin dhe kompensimin e pronave, një nga gjërat e para që kërkuan qe një kopje e vendimit gjyqësor të formës së prerë i vitit 1937. Ky dokument gjendej në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (më pas Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH). Dhe atëherë ndodhi çudia. Kur trashëgimtarët e Hasanit shkuan në AQSH dhe ndoqën procedurën ligjore që ndiqte çdo qytetar i cili kërkonte kopje të dokumente atje, ata befas u përballën me kundërshtimin për t’ u shërbyer, me gjithfarë arsyetimesh jobindëse nga ana e punonjësve të AQSH. Kuptohej qartë se këtu ishte ndikimi i Blendi Fevziut.
Si shpjegohej që Blendi Fevziu, i cili në atë kohë kishte dalë publikisht kundër PD dhe drejtues i një partie opozitare, megjithatë kishte ndikimin e dukshëm mbi zyrat e shtetit, për të penguar një drejtues të partisë në fuqi, e cila i zotëronte të gjitha pushtetet, që të ushtronte një të drejtë të tij si qytetar? Engjëll Hysenbegasi nuk mund ta besonte atë që po ndodhte. Ai shkoi të takonte drejtorin e AQSH, Luan Malltezi, i cili qe njeriu i afërt i Berishës, si krushku i tij, pasiqë djali i Malltezit qe fejuar me vajzën e Berishës, me të cilën do të martohej pak kohë më vonë. Malltezi dredhonte në bisedë, çka e bëri Hysenbegasin të dyshonte se në lojë qe edhe Berisha. Engjëll Hysenbegasit nuk i mbeti gjë tjetër për t’ i bërë veçse të shkonte dhe të takonte vetë Presidentin Berisha dhe t’ ja parashtronte çështjen. Pyetja e Engjëll Hysenbegasit për Berishën ishte se, si shpjegohej që Blendi Fevziu, të cilin e kishin larguar nga detyra e drejtorit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për shkak se ishte shfaqur publikisht si zëdhënës i PAD, tashmë kishte fuqi mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Berisha i tha Hysenbegasit se do ta porosiste Malltezin që t’ i kryente punë. Kur Malltezi u ballafaqua për herë të dytë me Hysenbegasin, atëherë duke mos pasur nga t’ ja mbante, i tha, si nën zë, se pengesat i vinin nga SHIK (shërbimi i fshehtë). Atëherë Hysenbegasi shkoi drejt e në zyrën e kryetarit të SHIK, Bashkim Gazidede, dhe e pyeti se çfarë kishte SHIK kundër tij. Gazidede u ndodh ngushtë, dhe nuk pati ç’ të bënte tjetër përveçse t’ i jepte të kuptonte Hysenbegasit, duke ia sjellë fjalën si larg e larg, se SHIK në këtë çështje nuk luftonte atë, por thjesht mbështeste Blendi Fevziun për shkak se e kishte agjentin e vet. Gazidede i tha me sinqeritet Hysenbegasit se nëse do ta kishte ditur që nga mbështetja që SHIK i kishte dhënë Fevziut për këtë çështje, prekej ai, Hysenbegasi, atëherë nuk do ta kishte bërë këtë gjë. Gazidede u shfajësua edhe me kaosin e mbiemrave, që kishte krijuar Fevziu dhe familja e tij, gjë që ishte e vërtetë. Kryetari i SHIK, Bashkim Gazidede u detyrua që ta anulonte kërkesën që i kishte bërë drejtorit të AQSH që të mos jepej kopje e dokumenteve që dëmtonin interesat pronësore të Blendi Fevziut. Por, aq frikë kishin punonjësit e AQSH të bënin atë gjë për të cilën SHIK kishte kërkuar një herë që të mos bëhëj, saqë drejtori i përgjithshëm i AQSH, Luan Malltezi, u detyrua që të bënte vetë me firmën e tij një shkresë për trashëgimtarët e Hasanit, ku t’ u bënte me dije plotësimin e kërkesës së tyre. Kjo shkresë e datës 7 qershor 1993, me numër protokolli 539/2, është baras me dokumentin e bashkëpunimit të Blendi Fevziut me SHIK të Gazidedes, të cilin Gazidede i bëri nder duke ia asgjësuar para se të largohej nga detyra në 1997.
Pra, Blendi Fevziu kishte bërë një kompromis të fshehtë me atë që e quante publikisht regjimi i Berishës. Dhe kompromiset e fshehta për llogari të Berishës, me njerëzit si Fevziu, i bënte Bashkim Gazidede, kryetari i SHIK, shërbimit të fshehtë. Fevziu nuk e pati të vështirë, se ai tashmë kishte një karrierë të gjatë si agjent i Sigurimit të Shtetit. Fevziu mbeti antiberishian, por antiberishian gazidedian, një specie e veçantë dhe kërshërore antiberishiani kjo, në vitet 192-97. Këto sjellje të Fevziut tregojnë se nëse Fevziu si gazetar është karikaturë e Bruno Vespës, Fevziu si politikan ishte karikaturë e Vespasianit. Perandori romak Vespasiani, siç dihet, kur e qortuan për taksën mbi urinën, tha fjalët e famshme “Paratë nuk bien erë”. Nga njëra anë Fevziu kërkon të gjejë sa më shumë dokumente që të jetë e mundur, të cilët me interpretime, teza, manipulime, lidhje të rreme, t’ i përdorë për të marrë sa më shumë prona, si trashëgimi “të ligjshme”, veçanërisht sipërfaqe të mëdha tokësore, në Tiranë, bregdet, Pogradec, Korçë etj. Në anën tjetër Fevziu bën gjithçka për të asgjësuar gjurmët dokumentare të bashkëpunimit të tij me Sigurimin e Shtetit. Dhe ç’ është e vërteta Fevziu ka arritur që të asgjësojë një pjesë të madhe të dokumenteve të vërtetojnë bashkëpunimin e tij me Sigurimin e Shtetit. Por Fevziu nuk mund të asgjësojë kronologjinë e jetës së tij dhe të rrethit të ngushtë të të afërmve të tij. Dhe kur faktet e kësaj kronologjie ballafaqohen me Platformën e Sigurimit të Shtetit, atëherë është njëlloj si të zgjidhësh një rebus, se kështu zbulohet që arritjet e Fevziut në jetë, janë krejt kompatibile me Platformën e Sigurimit të Shtetit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kohën e SHIK të Gazidedes (1992-97), në mënyrën që e kam përshkruar më lart. Cum tempore.[v]
Ironia ishte se Blendi Fevziu edhe në detyrën e re për SHIK të Gazidededes kishte mbetur pranë bordurave të Parkut “Rinia” se detyra kryesore e tij nga SHIK ishte që të vepronte tek Bar “West”, i njohur ndryshe si “Fideli”, pas emrit të pronarit, dhe që gjendej tek skaji i Parkut “Rinia”, fare pranë vendit Fevziu deri pak kohë më parë ulej tek bordurat. Tek “Bar West” në atë kohë mblidheshin gazetarët pranë opozitës së majtë, politikanët opozitarë, njerëzit e OJQ-ve kryesore, që mbështesnin opozitën, si dhe diplomatë të huaj. Bar “West” ishte bërë obsesion i Gazidedes, që përpiqej të vendoste përgjues aty, por që mjeshtrat e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilët rrinin aty, ia zbulonin shpesh, kështu që lindte nevoja të viheshin të reja. Në atë kohë SHIK nuk kishte mjete shumë moderne të përgjimit në largësi. Por Blendi Fevziu nuk qe luajal ndaj SHIK. Sado i frikshëm që ngjante SHIK i Gazidedes, ai nuk i shkaktonte Fevziut aq frikë sa Sigurimi i Shtetit, prandaj Fevziu, i cili tashmë kishte përvojë si agjent, mund t’ i hynte një loje më ambicioze, asaj të agjentit të dyfishtë. Më pas Fevziu do të kalonte dorë më dorë nga SHIK i Gazidedes tek SHIK i Fatos Klosit. Ironikisht, të dy kanë qenë të ftuar në emisionin e Fevziut. Por, ndërsa Gazidede ka qenë vetëm një herë, Klosi ka qenë shumë herë. Kjo gjë shpreh në njëfarë mënyre edhe raportin e Fevziut me SHIK në të dy kohët, kur shërbimin e drejtonin këta të dy.
36.
Misioni i Fevziut tek agjenti i vjetër Sigurimit të Shtetit, në SHBA, Luan Gashi, “Kim Philby” shqiptar
Blendi Fevziu ka zakon prej agjenti të shërbimeve të fshehta, që edhe kur rrëfen për takimet e tij me ata që i quan personazhe historike, të fshehë rrethanat dhe arsyen e takimit. Rasti i Fron Nazit nuk është i vetmi. Kështu bën Fevziu edhe kur rrëfen për takimin me Luan Gashin:
Nuk kisha hyrë në brendësi të kësaj drame, së paku deri në një ditë të ftohtë dhjetori të vitit 1995, kur në një mbrëmje krishtlindjesh në Nju Jork, takova një personazh të vjetër të historisë së vendit tim. Ishte nje mbrëmje e zakonshme krishtlindjesh, një parti e thjeshtë e organizuar nga një shqiptaro-amerikan në moshë. I quajtur Bardhyl Quku, ai ishte djali më i madh i njërit prej komandantëve më të njohur të Ballit Kombëtar, Faik Qukut… Ishte pikërisht kjo mbrëmje kur, duke marrë vesh profesionin tim, Quku më prezantoi me një plak simpatik, në moshë, por edhe shumë energjik. Më tregoi se plaku ngjasonte më shumë me babain e tij dhe se për gati gjysmë shekulli në emigrim nuk ishte ndjerë asnjëherë pjesë e vendit të ri. Quhej Luan Gashi, ish-militant i rinisë së Ballit Kombëtar, i biri i një profesori patriot, Ahmet Gashit dhe pjesëmarrës në Takimin e Mukjes më 1943.
U ula pranë tij dhe nuk e di pse në disa orë bisedë, më shumë se sa një herë insistova në atë që quhet marrëdhënia me vendin e ri e një emigranti politik. Nuk e di sesa insistues duhet të kem qenë me të, përderisa ai më premtoi të shiheshim përsëri të nesërmen, për të më treguar të vetmin vend ku një emigrant politik, mund të dallohej fare qartë nga ai ekonomik.[vi]
Fevziu këtu e përmbys rendin e gjërave. Se në të vërtetë ishte Luan Gashi ai që e njohu me Bardhyl Qukun dhe jo e kundërta. Gjatë këtij udhëtimi në SHBA, Fevziu e kishte takuar Luan Gashin në New York para kësaj dite. Fevziu kishte njëfarë lidhjeje me Luan Gashin, se kushëriri i parë i këtij të fundit pati qenë martuar me motrën e stërgjyshes së Blendit Fevziut, nga ana e nënës, pikërisht atë motër të stërgjyshes të cilën ai e përmend se i shkonte për vizitë, siç e kam cituar më lart në këtë libër. Kushëri i parë i Luan Gashit, Y. Sh., pati qenë i martuar me Suhbije Zavalanin, motrën e stërgjyshes së Blendit. Një lidhje e largët sigurisht, por në rastin e njerëzve të formuar me traditën fisnore, si Luan Gashi, i cili në 1995 ishte 73 vjeç, kjo lidhje nuk ishte pa rëndësi. Blendi Fevziu kishte shkuar ta takonte Luan Gashin, i ngarkuar me një mision nga opozita e majtë, së cilës i përkiste në atë kohë. Partia Socialiste, e cila ishte partia më e madhe e opozitës së kohës, e shikonte partinë së cilës i përkiste Fevziu, atë Aleanca Demokratike, që kishte dalë nga Partia Demokratike, si një lloj pompe e cila do t’ i thithte vota PD-së. Që të mund ta bënte këtë, Aleanca Demokratike duhet të kandidonte për deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, që do të mbaheshin disa muaj më pas, edhe disa personalitete të së djathtës tradicionale, nga diaspora, të cilët do të rrëmbenin një numër të madh votat që ndryshe dukej se do t’ i shkonin PD-së. Për këtë qëllim Aleanca Demokratike kandidoi për deputet në zgjedhjet e vitit 1996, një njeri si Idriz Basha. Blendi Fevziu i kërkoi Luan Gashit që të kthehej në Shqipëri dhe të kandidonte për deputet me Aleancën Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fevziu mori përsipër me entusiazëm detyrën që ta bindte Luan Gashin të kthehej në Shqipëri dhe të kandidonte për deputet, pikërisht për shkak se kishte një lidhje me të. Fevziu, madje e përmend këtë historinë e kandidimit për deputet, por duke e nxjerrë nga konteksti, kur rrëfen për takimin të nesërmen me Luan Gashin:
U takuam realisht të nesërmen, në një nga stacionet e metrosë në jug të Manhatanit, fare pranë një rruge të quajtur “Spring Street”. Ecëm pak aty, deri në një gjysmë klub e gjysmë tavernë, që dilte në një nga rrugicat anësore të saj. Ishte një klub i thjeshtë dhe i zakonshëm, ku burri që më shoqëronte, më sqaroi se mblidheshin pothuaj gjithë emigrantët e njohur që fati dhe dhimbja i kishte sjellë në Nju Jork.
-Flasin vetëm për politikë,- tha plaku.- Kjo i mban gjallë. Flasin për të shkuarën, kujtimet. Por edhe të ardhmen. Janë të gjithë personazhe të mëdhenj, që i kanë dhënë dritë historisë. Kur erdha në fillim këtu, 30 vjet më parë, e ndjeva se nuk do të ikja më. Nuk kisha për të gjetur një tjetër vend për të kuptuar më mirë. As për të mbetur gjallë. Shokët e mi vdiqën nga hidhërimi. Unë jetova se shpresova. Shpresova me të gjithë këta. Edhe pse kaluan kohë. Disa vdiqën, të tjerë u kthyen në vendet e tyre, të tjerë erdhën prej andej me po atë brengë. Vetëm klubi nuk mbeti bosh. As rangu i tij. Plaku e ndjeu se nuk po e kuptoja dhe u përpoq të ishte konkret.
-Ai atje,- më tha, duke treguar nga muri është ish-Presidenti i Republikës Domenikane, -po rri bashkë me presidentin që erdhi pas tij. Ai e përzuri nga vendi e më vonë e përzunë edhe atë. Tani të dy e kanë të ndaluar të kthehen dhe janë bërë miq. Jeta është e çuditshme këtu. Pak kohë më parë, kur vdiq ish-kryeministri i Haitit, ata e varrosën. Ka qenë armiku i tyre më i madh por politika zbutet në mërgim.
Plaku vijoi të tregonte pa bërë gjeste me gisht. Përpara meje kaluan si në paradë një duzinë deputetësh nga Kuba, Barbadosi, Kili, Uruguaji, ministra nga Filipinet dhe Indonezia, disa kryeministra aziatikë dhe një numër i vogël nacionalistësh nga vendet e Europës Lindore.
-Ne jemi më të vjetrit,- foli plaku duke e ndërprerë paradën e tij të shndrritshme.- Kemi ikur që nga koha e luftës dhe pak nga pak jemi zhveshur nga çdo emocion. Të rinjtë e kanë më keq. Por përsëri vijnë këtu. Ndihmojnë njëri-tjetrin për punë dhe për të kaluar krizën e parë. Pastaj diskutojnë gjatë. Diskutojnë që ta bëjnë politikën të thjeshtë. Një ditë mund të kthehen në vendet e tyre dhe kësaj here kemi më shumë nevojë për pjekuri.
I kishte sytë të shndritshëm dhe më erdhi keq…
-Tani mund të kthehesh,- i thashë,- mund të vësh dhe kandidaturën për deputet.
Edhe vetë e kuptova që bëra gabim, por plaku s’ reagoi.
-Është vonë,- tha.- Në fillim jetonim me kthimin. E imagjinonim çdo ditë. Aq shumë, sa kur erdhi çasti të ktheheshim me të vërtetë, ishim të lodhur prej tij. Dhe vendosa të rri këtu. Të kontribuoj për politikën botërore me këta kolegë. Edhe ata kanë nevojë për eksperiencën tonë.[vii]
Fevziu nuk e pyeti Luan Gashin për përsenë e këtij paradoksi, që ai ia dedikonte kohën politikës në një tavernë në New York dhe nuk shkonte ta shpenzonte këtë kohë me politikë në Shqipëri. Pas të gjitha gjasave, Fevziu e kishte kuptuar, pak a shumë, shkakun e ngurimit të Luan Gashit. Fevziu nuk mund të mos i kishte dëgjuar në rrethin e tij familjar fjalët që thuheshin për të atin e Luan Gashit, Ahmet Gashin, i cili ndonëse e kishte djalin të arratisur politik, dhe një veprimtar shumë aktiv kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, megjithatë jetonte në qytetin e Tiranës dhe punonte si mësues gjeografie dhe historie. Në kohën kur u kryen operacionet subversive të mbështetura nga SHBA dhe Britania e Madhe, kundër regjimit të Enver Hoxhës, në fund të viteve dyzet dhe në fillim të viteve pesëdhjetë, Luan Gashi punoi me CIA-n për të përzgjedhur dhe bindur emigrantët shqiptarë që gjendeshin në Greqi, që të merrnin pjesë në këto operacione. Në Greqi në atë kohë kishte disa mijëra emigrantë politikë nga Shqipëria, të cilët jetonin nëpër kampe. Ndonëse Luan Gashi ishte vetëm 27 vjeç në vitin 1949, kur nisën këto operacione, ai nuk preferoi të merrte pjesë në to si desant, por kontribuoi vetëm me fjalime, për të cilat merrte rrogë nga amerikanët. Por fakti që i ati i tij, Ahmet Gashi, vazhdonte të jetonte në qytetin e Tiranës, kur edhe fshatarët që kishin në familjen e tyre të arratisur politikë të thjeshtë, qenë internuar në kampet e përqëndrimit komunist, e kompromentoi shumë Luan Gashin, dhe këtë nisën t’ ia thonë hapur emigrantët politikë të cilëve ai u mbante fjalime. Atëherë Sigurimi i Shtetit bëri kinse e internoi Ahmet Gashin. Por, me të përfunduar operacionet desantuese, regjimi komunist e riktheu Ahmet Gashin në Tiranë, madje i dha shtëpi pranë qendrës së kryeqytetit, në Rrugën e Durrësit, në një pallat ku banonin njerëz të nomenklaturës komuniste, dhe ku ai vdiq në 1977. Sigurisht se Ahmet Gashi kishte merita të mëdha si atdhetar, por diktatura komuniste nuk pyeste shumë për këto, dhe kishte pushkatuar e rrasur nëpër burgje edhe shumë nga ata të cilët patën nënshkruar aktin e shpalljes së Pavarësisë në 1912, kështu që nuk do t’ ia kursente Ahmet Gashit internimin.
Natyrisht se, sipas praktikës së Sigurimit të Shtetit, trajtimi i familjarëve të të arratisurve politikë, që gjendeshin në atdhe, varej nga sjellja e këtyre të fundit atje ku gjendeshin. Nëse ata që gjendeshin jashtë vendit pranonin të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit, familjarët e tyre në atdhe do të trajtoheshin mirë, kuptohet duke u mbuluar privilegjimi i tyre me një lloj “gjetheje fiku” të luftës së klasave, që sajohej me mjeshtëri, si në rastin e dëbimit nga Tirana të familjes së Blendi Fevziut. Në rastin e Ahmet Gashit, “gjethja e fikut” ishte veprimtaria atdhetare e tij, si mësues i hershëm, që nga koha e Rilindjes Kombëtare. Trajtimi i Ahmet Gashit është “letra e lakmusit” që na tregon raportin e Luan Gashit me regjimin e Enver Hoxhës. Luan Gashi, oratori i zjarrtë antikomunist i kampeve të emigrantëve politikë, që nuk u bashkohej atyre që i niste të desantonin në Shqipëri, nuk ishte gjë tjetër veçse një leitnant i Kim Philby, një lloj “Kim Philby” shqiptar, siç qenë dhe të tjerë si ai. Në ndërkohën mes fjalimeve të zjarrta për emigrantët politikë të kampeve greke, Luan Gashi e kalonte kohën me një vajzë greke, me të cilën u martua. Njerëz që e kanë njohur në atë kohë, thonë se ai për këtë prishi fejesën me një vajzë nga një familje shqiptare nga Kosova, të cilën ia patën gjetur për nuse kushërinjtë e tij në Stamboll. Se Luan Gashi, i cili pati lindur në Elbasan, i përkiste një familjeje me origjinë nga muhaxhirët e Leskocit, të dëbuar nga trojet e tyre prej ushtrisë serbe në kohën e Luftës Ruso-Otomane të viteve 1877-78, e cila familje qe vendosur në Prishtinë. Luan Gashi e dinte se nëse ai do të kthehej në Shqipëri në vitet nëntëdhjetë, për t’ u marrë me politikë, do të hapeshin historitë e vjetra, që prej trajtimit të privilegjuar të të atit të tij, e deri tek historitë e tij. Prandaj ai pëlqeu të rrinte në New York, në pub-in e politikanëve të dështuar ndërkombëtarë.
26 vjeçari Blendi Fevziu e mirëkuptonte 73 vjeçarin Luan Gashin. A nuk kishte qenë Fevziu ai që kishte hequr dorë nga kandidimi për deputet në 1991? A nuk ishte Fevziu ai që do të kundërshtonte të kandidonte për Aleancën Demokratike, në zgjedhjet parlamentare që do të mbaheshin disa muaj më pas? Shumë të tjerë, me dosje prej agjenti të Sigurimit të Shtetit, nuk nguronin të kandidonin, por për njerëzit si Fevziu dhe Luan Gashi gjërat ndërlikoheshin se ata kishin më tepër se një histori, që donin të mos përfolej në publik. Fevziu e përshkruan kështu ndarjen e tij me Luan Gashin:
Plaku dukej i menduar
-Po iki vetëm,- i thashë,- metronë e kam këtu pranë.
Dola në rrugë dhe s’ di pse kisha dëshirë të ecja. Ishte ftohtë dhe nga dy anët e rrugës vinin deri tek unë dritat dhe atmosfera festive e dyqaneve. Si për ta ndjerë se isha në një vend të qetë, ku nuk bien qeveritë dhe politikanët nuk mërgojnë. Ose si për ta kuptuar se njerëzit e atij vendi, nuk mund të kenë kurrë dy jetë, pa një vdekje në mes.[viii]
Megjithatë, vetë Fevziu ishte një njeri me dy jetë, dhe ishte pikërisht ky ndërlikim i jetës së tij që e pati sjellë në këtë takim me Luan Gashin. Ajo që nuk duronte dot Fevziu tek ky plak ishte se sytë e tij kishin një shprehje që tregonte fajësi dhe akuzë njëkohësisht, duke i thënë heshturazi bashkëbiseduesit të ri:
Edhe ti je si unë djalosh, edhe ti ke një jetë të dyfishtë, dhe ndoshta kur të jesh në moshën time, do të jesh edhe ti si unë. Ku i dihet jetës.
Në atë prag të vitit zgjedhor 1996, në Shqipëri, Fevziu dhe kryetari i partisë së tij, Neritan Ceka, u nisën me mision, njëri në Belgjikë dhe tjetri në SHBA, për të kapur dy peshq të mëdhenj për partinë e tyre, Idriz Bashën dhe Luan Gashin. Derisa Neritan Ceka pati sukses, duke e bindur Idriz Bashën, Fevziu nuk ia doli dot. Madje ndodhi dhe më keq. Sipas të gjitha gjasave, fakti që Fevziu shkeli në “derën e rrugës Spring nr. 1379”, në klubin e politikanëve të pafat ndërkombëtarë, shenjoi për keq destinin e tij politik se më pas Fevziu nuk arriti që të merrte një post politik, ndonëse e kërkoi me të madhe atë, kur një vit e gjysmë më pas, partia e tij erdhi në pushtet, si pjesë e koalicionit të majtë. Por Fevziu mund të ngushëllohet me atë se ai më tutje ka bërë një karrierë të lakmueshme si politikan informal.
37.
Në zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe në protestën e opozitës në 28 maj, në Sheshin “Skënderbej”
Partia Aleanca Demokratike, në forumet drejtuese të së cilës bënte pjesë Blendi Fevziu, në zgjedhjet e 26 majit 1996 paraqiti kandidatë për deputetë në 97 nga 115 zonat zgjedhore njëemërore. Kandidatë për deputetë të PAD qenë gazetarët Aleksandër Frangaj, Arban Hasani, Martin Cukalla.[ix] Në posterin e PAD për fushatën e zgjedhjeve të 26 majit 1996 qe një fotografi e dymbëdhjetë drejtuesve të PAD. Në këtë fotografi Blendi Fevziu gjendej në qendër, në mes të kryetarit të PAD, ose Presidentit siç quhej, Neritan Ceka, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Imami. Poshtë fotografisë qe slogani “Votoni për Aleancën Demokratike”.[x] Megjithatë Blendi Fevziu nuk qe kandidat për deputet i kësaj partie. Ndonëse drejtuesit e PAD i kërkuan me të madhe Fevziut që të kandidonte, ai refuzoi deri në fund me ngulm. Pra, moskandidimi ishte një zgjedhje e tij. Arsyeja e moskandidimit ishte se Blendi Fevziu nuk donte që të kalonte në filtrin e Komisionit për Kontrollin e Figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik, i njohur si Komisioni i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, në të cilin duhet të kalonin të gjithë kandidatët për deputetë. Edhe një vit më pas, në 1997, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Blendi Fevziu nuk kandidoi më, ndonëse partia e tij, Aleanca Demokratike pati kandidatë për deputetë në pjesën më të madhe të 115 zonave zgjedhore njëemërore. Dorëheqja e Fevziut nga kandidatura e deputetit në zgjedhjet e para pluraliste në 1991, po aq sa edhe moskandidimi i tij në zgjedhjet e vitit 1996, janë nga ato gjeste politike që më së shumti bien erë dosjesh të arkivave sekrete të Sigurimit të Shtetit, në të cilat në atë kohë Fevziu nuk kishte ende qasjen që e siguroi pas ardhjes në pushtet të koalicionit të majtë, në 1997. Atëherë edhe ndikimi i Fevziut u rrit për shkak të emisionit televiziv që ai nisi të bëjë fillimisht në Televizionin publik dhe më tutje në Tv Klan. Tashmë Fevziu, me ndikimin që kishte, mund të pastronte gjurmët dokumentare të së shkuarës së vet prej bashkëpunëtori të Sigurimit të Shtetit, ose së paku mendonte se e kishte bërë këtë gjë. Por ajo që nuk mund të asgjësojë Fevziu është jetëshkrimi i tij, kronologjia e jetës së tij, që tradhton forcat e fshehta që kanë shtyrë para karrierën e tij që në rini.
Në 28 maj 1996, në ditën që ka hyrë në mitologjinë politike të së majtës shqiptare, kur drejtuesit e partive të koalicionit të majtë, dhe mbështetësit e tyre protestuan në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë ndaj mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të dy ditëve më parë, Fevziu bëri një gjest që meriton të hyjë në një antologji të anekdotave të politikës shqiptare. Në 28 maj 1996, gazeta “Poli i Qendrës”, kryeredaktor i së cilës ishte Fevziu doli me titullin kryesor:
Sot ora 12.00 opozita në Sheshin “Skënderbej.[xi]
Mbititulli ishte: Vendim historik i opozitës.
Në faqen e parë, nën titullin kryesor ishte ky njoftim:
Dje në ora 13.00 partitë politike që janë larguar nga zgjedhjet e ditës së pardjeshme për arsye të dhunës së pashembullt të PD-së, kanë vendosur që sot, në ora 12.00, të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e tyre të manifestojnë në shesh kundër vjedhjes së votave, nga pushteti.[xii]
Por kryeredaktori i “Polit të Qendrës”, Blendi Fevziu, i cili ishte njëherësh dhe një nga anëtarët e forumeve drejtuese të PAD, nuk mori pjesë në këtë protestë. Preç Zogaj, një nga drejtuesit e PAD, në 17 faqe të një libri të tij me kujtime politike, i ka bërë një përshkrim dramatik tubimit të njerëzve të PAD në selinë e partisë, para nisjes së protestës dhe nisjes së tyre për në Sheshin “Skënderbej”, atë ditë të 26 majit 1996. Zogaj shkruan:
Në zyrat e PAD-së ishim një pjesë e Presidencës së partisë dhe disa kandidatë për deputetë. Rruga “Myslim Shyri” poshtë dritares sonë ishte plot me njerëz, por askush nga ne nuk shkoi të bisedonte me ta. Binte shi, akrepat e orës së murit lëviznin ngadalë drejt dymbëdhjetës, koha kur ishte lënë dalja në shesh. Si të mos i besonim asaj ne vështronim herë pas here orët tona të dorës. Dukeshim të qetë, por padurimin e kishim brenda. Perikli Teta ishte ulur në vendin e Neritan Cekës dhe mbante lidhje me selitë e partive të tjera. “E kanë bllokuar sheshin” na thoshte me buzëqeshjen e tij të zakonshme…
Arriti Gramoz Pashko me njerëzit e tij.
-Ku është Neritani?- tha duke shkundur shiun nga flokët.
-Te hotel “Tirana”. Po e presim të gjithë,- i tha Teta. Pashko nxitonte si gjithmonë.
-Nuk mund të presim më gjatë,- tha.- Tani duhet të dalim…
Ishim nja tridhjetë vetë të mbledhur grusht kur dolëm në rrugën “Myslim Shyri”. Pashko, Peshkëpia dhe Edmond Trako, prinin. Në strehën e Telekomit gjetëm Shahin Kadarenë që u bashkua me grupin tonë duke tërhequr pas vetes nja dhjetë pesëmbëdhjetë njerëz që po prisnin atje.[xiii]
Siç e kam cituar më lart në këtë libër, Preç Zogaj e nis librin e përmendur duke thënë se Blendi Fevziu është miku i tij. I tillë vazhdonte të ishte edhe në kohën kur u botua libri i Zogajt, madje i tillë mbetet edhe sot. Kështu që nuk kishte arsye përse Zogaj të mos e përmendte praninë e Fevziut në grupin e njerëzve të PAD që morën pjesë në protestën e 28 majit në Sheshin “Skënderbej”. Fevziu, qartësisht, nuk ka qenë atë ditë. Zogaj shkruan më tutje:
Grupi ynë i Aleancës Demokratike e mbajti frymën para hotelit “Tirana”, hollet dhe ballkonet e të cilit ishin plot me gazetarë, vëzhgues, kameramanë, fotoreporterë dhe natyrisht agjentë të policisë së fshehtë. Me të mbërritur ne, Neritan Ceka zbriti shkallët e jashtme të hotelit dhe eci drejt sheshit me hap të vendosur, i ndjekur nga dy-tre qind burra e gra, vajza dhe djem që dolën papritur nga ana e pasme e hotelit duke thirrur “poshtë diktatura”.[xiv]
Fevziu, njeriu i cili kishte dalë në posterin elektoral të PAD, në krah të Cekës, në 28 maj nuk gjendet kurrkund! Më tutje, Zogaj shkruan për njerëzit e PAD në atë ditë:
Futen në betejë edhe grupet e rrëmbimit. Afrohen nga thellësia e sheshit dhe marrin në rrëmujë e sipër Gramos Pashkon… Skenën makabre të zvarrisjes së Blendi Gonxhes përmes sheshit “Skënderbej” e pashë me tmerr si gjithë shqiptarët në televizionet e botës, por kur morën Arben Imamin i kisha sytë mbi të.[xv]
Fevziu nuk gjendet kurrkund. Deri edhe aktivistin e PAD, aktorin dhe regjisorin Artan Imami shikon Zogaj në shesh, por jo Fevziun:
Kam parë të rrihnin barbarisht regjisorin e Teatrit Popullor, Artan Imami.[xvi]
Ashtu si në 31 mars 1991, edhe në 28 maj 1996, Fevziu nuk ishte i pranishëm, në ato që vetë i pati quajtur ngjarje të mëdha. Të nesërmen, në 29 maj, titulli kryesor i gazetës “Poli i Qendrës”, që kishte si kryeredaktor Fevziun, ishte:
Regjimi ilegjitim i Berishës përgjak sheshin “Skënderbej.[xvii]
Të gjithë ata të cilët qenë në posterin zgjedhor të PAD për zgjedhjet e 26 majit 1996, u rrahën dhe u përgjakën në 28 maj, me përjashtim të Fevziut. Në 30 maj, në faqen e parë të gazetës “Poli i Qendrës” lexohej:
Junta torturoi gazetarin Bardhok Lala.[xviii]
Por përse “Junta” nuk i bënte gjë Fevziut? Në PAD të gjithë pyesnin se ku ishte atë ditë Fevziu. Fevziu, njeriu i cili kujdesej që të ishte gjithëherë në fokusin e kamerave televizive të huaja, sa herë që ndodhte që ato të përqëndroheshin tek lideri i PAD, Ceka, si dhe krerët e tjerë të kësaj partie, tashmë në 28 maj 1996, kur opozita dhe bashkë me të edhe drejtuesit e PAD qenë si kurrë ndonjëherë më parë në fokus të mediumeve të mëdha ndërkombëtare, nuk qe pranë kolegëve të partisë së tij. Me mungesën e tij në 28 maj 1996 Fevziu ishte njëlloj si të deklaronte se ai ishte agjent i SHIK të Gazidedes, ashtu si me mungesën e tij në Shqipëri në 31 mars 1991, ishte njëlloj si të deklaronte se ai ishte agjent i Sigurimit të Shtetit. Të qënët agjent i dyfishtë ishte në natyrën e adhuruesit të biografive që mbanin autorësinë e Cvajgut, nga të cilat atij i pëlqente më së shumti ajo për Fushenë. Fevziu u shfaq vetëm në 30 maj 1996, në një takim të Berishës me gazetarët. Të nesërmen, gazeta “Poli i Qendrës” shkruajti mbi këtë takim:
Dënohet dhuna ndaj gazetarëve[xix]
Por, në ato ditë, Fevziu nuk qe dhunuar as si gazetar dhe as si politikan. Fevziu i qëndroi larg edhe grevës së urisë që bënë ato ditë kandidatët për deputetë të Polit të Qendrës (PSD dhe PAD). Për gazetën “Poli i Qendrës”, reportazhin nga greva e urisë që nisi në 31 maj, e bëri Arban Hasani. Në 1 qershor 1996, gazeta “Poli i Qendrës” hapej me titullin kryesor:
50 kandidatë për deputetë të “Poli i Qendrës” ngujohen në grevë urie.[xx]
Mbi këtë titull ishte shënimi:
Ata nuk pajtohen me vendosjen e diktaturës së Berishës.[xxi]
Nëntitulli ishte:
Reportazh në dyert e besimit.[xxii]
Në “dyert e besimit” nuk kishte shkuar Fevziu, mjeshtri i reportazheve, por Arban Hasani. Një detaj interesant: në grevën e urisë merrte pjesë edhe Aleksandër Frangaj, që sot është pronari i televizionit ku Fevziu bën emisionin e tij televiziv. Por Fevziu dinte t’ i kompensonte këto mungesa, duke i shërbyer Greqisë, çka në partinë e tij shihej si një gjë me rëndësi të madhe. Në qershor 1996 gazeta në të cilën Fevziu ishte kryeredaktor u shfaq pa doreza si zëdhënëse e interesave të Greqisë në Shqipëri. Në 12 qershor 1996 gazeta “Poli i Qendrës” u hap me titullin e madh:
Dueli i “heshtur”
Sipër këtij titulli ishte shënimi:
Beteja elektorale i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë
Nëntitulli sqaronte se:
Opozita në Athinë, kontakte me zyrtarët më të lartë grekë”.[xxiii]
Në vazhdim bëhej e ditur se:
Dje u nisën për në Greqi emisarët e opozitës Gjinushi, Ceka e Dokle. Ata do të takojnë personalitete të ndryshme të politikës greke, përfaqësues të politikës greke dhe përfaqësues të partive politike të Greqisë në vijim të sensibilizimit të opinionit publik ndërkombëtar për farsën elektorale që u zhvillua në Shqipëri më 26 maj 1996 dhe që vazhdon ende. Ata do të takojnë, veç të tjerëve, zëvendëskryeministrin grek dhe ministrin e brendshëm Xohaxopullos, ministrin e Mbrojtjes Arsenis dhe personalitete të tjerë të lartë.[xxiv]
Kështu, gazeta e drejtuar nga Fevziu, e cila ishte organ i koalicionit ku bënte pjesë edhe partia e Fevziut, u bëri me dije shqiptarëve lajmin e çuditshëm se kryetari i partisë, Ceka, si pjesë e një delegacioni të opozitës, jo vetëm që e kishte bërë në Greqi vizitën e parë politike pas zgjedhjeve të kundërshtuara, por takimet më të rëndësishme do t’ i kishte me qeveritarët grekë të cilët drejtonin ushtrinë dhe policinë! Kjo nuk kishte kuptim tjetër veç atij se opozita e majtë shqiptare ishte forcë subversive e Greqisë në Shqipëri. Pasiqë gazeta “Poli i Qendrës”pati dhënë këtë lajm, ngjante qesharake ajo çka njoftonte kjo gazetë pak ditë më pas, në 23 qershor 1996, kur titulli kryesor i saj ishte:
Parlamenti i Berishës si parlamenti i Jakomonit[xxv]
Pasiqë opozita e majtë shqiptare kishte shkuar në Greqi, për të marrë kontakt me ministrat grekë të dhunës, duke u vetëparaqitur si forcë kolaboracioniste greke në Shqipëri, retorika antifashiste, nuk mund të ishte tjetër vetëm një përpjekje për të vënë një “gjethe fiku”. Ceka, Imami, Fevziu menduan se kolaboracionizmi grek do t’ u shpërblehej, duke marrë poste pas ardhjes së koalicionit të majtë në pushtet, dhe kur nuk u kënaqën ambicjet e tyre, atëherë u rikthyen tek Berisha, të cilin e patën quajtur diktator dhe kreun e një junte. Duhet pritur ditari politik që Fevziu ka paralajmëruar se do të botojë, për të parë se si do t’ i përshkruajë ai ngjarjet e maj-qershorit 1996, për të cilat qëndrimi i tij është i dokumentuar. Natyrisht se Fevziu nuk ka turp që të ndryshojë qëndrim, por ai gjithsesi duhet të thotë diçka për atë se përse nuk kandidoi në zgjedhjet e 26 majit 1996, ndonëse doli në posterin zgjedhor të PAD së bashku me kandidatët kryesorë të partisë, si dhe mbi atë se ku ishte në 28 maj 1996. Por më shumë gjasa ka që ditari politik i Fevziut të jetë si ditari politik i Enver Hoxhës, ku mungojnë pikërisht të dhënat që sqarojnë enigmat e tij.
38.
Aventura e çuditshme e Fevziut me bosin e Fondacionit “Populli”, Bashkim Driza
Një nga episodet e jetës së tij, të cilin Fevziu kërkon që të mbetet i mbyllur në sarkofagun e së shkuarës, dhe të mos e evokojë kush, është bashkëpunimi i tij me bosin e skemës mashtruese financiare “Populli”, Bashkim Driza, i cili ishte me origjinë nga fshati Drizë i Fierit, dhe që Fevziu e pati njohur që në Lushnjë, si mik të familjes. Në skemën financiare piramidale të krijuar nga Bashkim Driza në 1995, humbën paratë mbi 300 mijë shqiptarë, në një shumë totale prej 90 milion dollarë. Bashkim Driza ishte dhe kryetari i një partie me emrin Partia Popullore, e cila para zgjedhjeve parlamentare të majit 1996 krijoi një aleancë zgjedhore, brenda koalicionit të majtë, me Partinë Aleanca Demokratike dhe Partinë Socialdemokrate. Poli i Qendrës nxorri dhe një gazetë, të quajtur “Poli i Qendrës”, kryeredaktor i së cilës u bë Blendi Fevziu. Gazeta financohej pa kursim nga Bashkim Driza. Në gazetën “Poli Qendrës”të datës 18 qershor 1996 botohet një “Rezolutë e Partisë Popullore të Shqipërisë”, e cila mban autorësinë:
Për Partinë Popullore të Shqipërisë
Kryetari Bashkim Driza[xxvi]
Blendi Fevziu në atë kohë i rrinte rrotull Bashkim Drizës, të cilën e quante “shef”, “bos”. Skema piramidale e Bashkim Drizës, në verën e vitit 1996, nxiti dinamikën e rritjes katastrofale të përqindjes së interesit me të cilin merrnin hua para nga publiku i gjerë kompanitë rentiere në Shqipëri. Bashkim Driza doli me një ofertë të re, e cila i drejtohej publikut me moton “Në 20 muaj paratë tuaja dhjetëfishohen!”. Kjo i detyroi dhe kompanitë e tjera që praktikonin huamarrjen nga publiku i gjerë që të hynin në një garë të rritjes së përqindjeve të interesave, çka çoi brenda disa muajsh në paaftësinë e tyre për të bërë pagesat dhe në krizën e e krejt kompanive dhe skemave rentiere.
Nga 90 milion dollarët që shqiptarët humbën në skemën mashtruese të Bashkim Drizës, një sasi të papërcaktuar, por gjithsesi të madhe e shpërdoroi Blendi Fevziu. Bashkim Driza pagoi rrogën e madhe të Blendi Fevziut si kryeredaktor gjatë gjithë kohës që ekzistoi gazeta “Poli i Qendrës”. Gjithashtu, Bashkim Driza financoi dhe shumë udhëtime të Blendi Fevziut jashtë vendit, pa përmendur blerjet e shtrenjta të Fevziut në kohën kur qenë bashkë në SHBA. Bashkim Driza ka lënë gjurmë në kronologjinë pasurore që Blendi Fevziu bën për vetveten kur shkruan në një ese të tij:
25 vjeç hipa për herë të parë në makinën time private; 27 vjeç kisha veshur tashmë kostumin e një firme të njohur mode; 30 vjeç mbaja në dorë ëndrrën time të atyre viteve, një “Rolex”, ndërsa 33 vjeç pasi kisha ndërruar disa lloje makinash, kisha filluar të ngisja një “Mercedes” të mrekullueshëm.[xxvii]
Blerja e kostumit të parë firmato nga ana e Fevziut, në moshën 27 vjeç, domethënë në 1996, koincidon me lulëzimin e Fondacionit “Popullit”, por kjo nuk është thjesht një koincidencë. Kostumin e parë firmato Blendi Fevziut ia bleu Bashkim Driza. Gjërat e tjera, orën “Rolex” dhe “Mercedesin”, Fevziu i bleu duke bërë para sipas eksperiencës që kishte fituar nga puna me Bashkim Drizën. Blendi Fevziu mund të konsiderohet një punjonës i Fondacionit “Populli” se ai ishte kuratori i fushatës publicitare që bëri Bashkim Driza me moton “Në 20 muaj paratë tuaja dhjetëfishohen!” Në vjeshtën e vitit 1996, Blendi Fevziu e kuptoi se loja e Bashkim Drizës po shkonte drejt fundit. Fevziu u tremb se mos e pësonte dhe ai bashkë me Bashkim Drizën. Kështu që Fevziu vendosi të ikë në SHBA dhe të ndjekë prej andej zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri. Madje siç thotë Fevziu ai vendosi që të qëndronte përgjithmonë në Amerikë. Fevziu e ka përshkruar kështu këtë histori në një ese të tij:
Në 1996 do të gjendesha edhe një herë në një kryqëzim të ri, në një moment të pavendosur, ku më duhej sidoqoftë të merrja një vendim. Kishin mbaruar zgjedhjet e trukuara të 26 majit, Shqipëria ishte pushtuar nga firmat piramidale, dukej se padrejtësia kishte triumfuar tashmë dhe mbi të gjitha, familja ime gjendej prej më shumë se dy dy vjetësh në SHBA. Në nëntor të atij viti u vendosa në Nju Jork, duke besuar se do të ishte një ikje e gjatë dhe pa dyshim një provë e fundit në vendimin final. Kisha prerë një biletë njëvjeçare dhe nuk isha i sigurt nëse do ta përdorja kthimin e saj.
Fatmirësisht, edhe kësaj here ishte një libër që më bëri të mos ndihem mirë, të filloj të mendoj ndryshe dhe të më marrë malli për atë që kisha lënë këtu. Në ditët e hirta të qytetit, që mijëra herë e kisha kundruar në hartën e viteve të studimeve fillova të lexoj “Zorbën” e Niko Kazanxaqisit. Një libër i mrekullueshëm, në të cilin Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, i gjithë Ballkani, shkrihen në një. Një roman magjepsës, në faqet e të cilit fillova të ndiej mall për të gjitha ato gjëra, që nuk kisha për t’ i gjetur kurrë në Nju-Jork. Për jetën e lirë, atë mentalitet dërrmues, vendimet e rëndësishme të të cilit dominohen gjithnjë nga pasionet dhe jo nga logjika, për dashurinë për njerëzit dhe mbi të gjitha për dashurinë me të cilën qe mbushur dhe duket se do të vazhdojë të qëndrojë e mbushur jeta e ballkanasit. Kur e mbarova, isha i bindur se i takoja kësaj pjese të rruzullit. Se jeta zhurmuese e metropolit më tërhiqte, por se brenda vetes, më dukej se kisha nevojë për detin e ngushtë të Durrësit dhe shtëpitë e pjerrëta të Dhërmiut.
Të kenë pasur të njëjtën ndjesi edhe të parët e mi, pyeta veten? Të ketë qenë ky shkaku që nuk i ka lënë të ikin dhe të ngulen më shumë në atë tokë sa kontradiktore aq edhe tunduese?[xxviii]
Në të vërtetë, arsyeja për të cilën u kthye Blendi Fevziu në Shqipëri, në janar 1997, pikërisht në prag të falimentimit të skemave piramidale, siç do ta citoj atë vetë më tutje, ishte se Bashkim Driza e kërcënoi se nëse nuk kthehej që ta mbështeste atë në këto momente të vështira, atëherë do t’ u kërkonte miqve të tij mafiozë amerikanolatinë që ta ekzekutonin atje ku ishte. Kjo e kthjelloi Fevziun më shumë se “Zorba” dhe ai u kthye në Shqipëri “Para shiut” të plumbave të pranverës së vitit 1997, pikërisht atëherë kur nuk do të kishte dashur kurrë. Fevziu u kthye në Shqipëri, në janar 1997, çka kuptohet, kur ai shkruan më tutje, në të njëjtën ese, për kthimin e tij në Shqipëri:
Nuk e di me ç’ ankth fillova të vështroja nga avioni në ulje detin gri, kodrat e acarta të Prezës në janar.[xxix]
Përderisa Fevziu thotë, siç e kam cituar më lart, se ai nuk qëndroi as dy muaj në SHBA, atëherë del se është larguar nga Shqipëria në fund të nëntorit 1996, pra pasiqë falimentoi skema e parë e madhe piramidale, e njohur si “Sudja”. Fevziu e kuptoi se Bashkim Drizës do t’ i vinte shpejt radha dhe deshi të imitonte sjelljen e minjve në anijen që po mbytet. Jo më kot Fevziu kishte shkruar një tregim aq të ndjerë për minjtë. Bashkim Drizën e arrestuan vetëm pak ditë pas kthimit të Fevziut.
Sa për librin dhe filmat që përmend Fevziu, në fragmentin e mësipërm, ato mund të shërbejnë vetëm për tëbërë asosime ironike me marrëdhëniet e tij me Bashkim Drizën. Romani i Nikos Kazantzakis “Jeta dhe aventurat e Aleksis Zorbas”, që është titulli në origjinal, është në fakt historia e një intelektuali nga Athina, në periudhën mes dy luftrave botërore, i cili është vetë rrëfimtari në libër. Libri është në traditën e Romanticizimit europian ku tregohet për personazhe që braktisin befasisht jetën e tyre mes librave në qytete, për t’ u hyrë ndërmarrjeve aventuroze. Në libër, rrëfimtari i hyn një ndërmarrjeje utopike, atë të rihapjes së një miniere qymyrguri në ishullin e Kretës, vendlindja e vetë Kazantzakis. Rrëfimtari me këtë rast njeh Zorbën, një personazh i ngjashëm me ata të Hemingëay, një burrë në të gjashtëdhjetat, i cili ka përjetuar shumë në jetë, prototipi i kretanit, paksa filozof, paksa vagabond, njeriu që di të bëjë gjithçka, që pretendon se di të bëjë edhe punën e kryepunëtorit në minierë, dhe që mbi të gjitha di dhe do që të vallëzojë. Në fund, rrëfimtari falimenton duke i shpenzuar tërë paratë në ndërmarrjen e pashpresë për vënien në punë të minierës dhe largohet përsëri në Athinë. Kazantzakis e ka shkruar këtë libër nga nostalgjia për vendlindjen e tij Kretën. Vetë personazhi i Zorbës është frymëzuar nga një person real të cilin ai e kishte njohur në Kretë. Ky libër ku një shkrimtar grek shfaq mallin e tij për vendlindjen, Kretën, është arsyeja kryesore që supozohet ta ketë bërë Fevziun të mos qëndrojë përgjithmonë në SHBA, në 1996, por të kthehet në Shqipëri! Ky do të kishte qenë një motiv i mirë për një greko-amerikan që të kthehej në atdhe, jo për një shqiptar. Në fakt Fevziu nuk po kthehej në Shqipëri, po në Ballkan. Për Fevziun Kreta është më e afërt se vendlindja e tij, se trevat e tij të origjinës, Pogradeci dhe Lushnja. Sa të vërteta ka këtu? Më e besueshme duket që Blendi Fevziu me këtë rrëfim kërkon të bëhet i pëlqyeshëm për ato perëndimorët të cilët i pëlqejnë intelektualët e rinjë ballkanas kozmopolitë, të cilët e duan Ballkanin më shumë se atdheun e tyre, dhe vendet fqinje ballkanase më shumë se vendlindjen e tyre.
Për Fevziun “Zorba” ishte Bashkim Driza. Ndryshe nga personazhi kryesor i romanit, që është vetë Kazantzakis, Fevziu dhe “Zorba” i tij patën sukses në “minierën e arit” që kërkuan, dhe që ishte Fondacioni “Populli”. Por Fevziu e kuptonte se nuk ngjante bindëse që vetëm libri “Zorba” e bëri atë që ta braktiste ëndrrën amerikane, dhe të rikthehej në Shqipëri, domethënë në Ballkan. Duhej edhe diçka tjetër. Dhe shikoni se cila është gjëja e dytë që e bëri Fevziun të kthehet:
Nuk e di se sa do të kishte ndikuar “Zorba”, sikur dy-tre detaje të tjera të mos e vulosnin përfundimisht vendimin tim. Duke u vërtitur në raftet e “Bllakbasterit”, videotekës më të madhe të botës, në gjuetinë e ndonjë filmi interesant për të shtyrë mbasditet e gjata, pata rastin të gjej filmin “Mesdheu” të Gabriele Salvatores dhe “Pas Shiut të Milko Mançevskit”.
I pari, është një histori romantike me një skuadër ushtarësh italianë që mbeten të izoluar në një ishull të largët dhe të harruar të Greqisë në ditët e Luftës së Dytë Botërore. Fillojnë të jetojnë aty si vendas, jashtë asaj që po ndodhte dhe një ditë, duke zbuluar se kombësia dhe ideologjia nuk kishin ndonjë rëndësi. Se popujt e Mesdheut janë shumë të ngjashëm dhe se një ditë, kur më në fund u desh të largoheshin, vendosën vetë që të kthehen përsëri aty. Dhe kështu ndodhi vërtet. Dy vjet më parë, kur e kisha ndjekur filmin në Tiranë, pata përftuar vetëm një ndjenjë kënaqësie prej tij, diçka zbavitëse që duket se e gjen gjithnjë tek filmat italianë. Tani ishte krejt ndryshe dhe më dukej se nga distance dhe nga vendosja në një vend tjetër, kaq ndryshe nga ambienti i ngrohtë mesdhetar, filmi kishte marrë një rol të ri, të papërcaktuar, që ishte sa filozofi ndryshimi, aq edhe mall për vendin tim.[xxx]
Pra, gjëja e dytë që i la mbresë Fevziut në ditët e tij amerikane, dhe që e bëri të kthehet është një film ku tregohet sesi ushtarët italianë shndërrohen në… fshatarë grekë! Kombësia dhe ideologjia nuk kanë ndonjë rëndësi, siç thotë Fevziu, por me kusht që kombësia të jetë ajo greke! Fevziu supozohet që të jetë kthyer në Shqipëri nga Amerika, ashtu si ushtarët italianë që u rikthyen në ishullin grek, shumë vite pas luftës. (Në të vërtetë vetëm dy prej tyre u kthyen në ishull, pas 40 vitesh.) Por këta ish-ushtarë italianë kishin mall për vendet ku kishin pasur përjetime. Pra, Blendi duhet të kishte mall për fshatrat e Lushnjës ku kishte lindur dhe ishte rritur. Gjithë kjo dashuri e madhe e Fevziut për Greqinë, kishte të bënte edhe me një interes personal, në atë kohë Fevziu shpresonte që të merrte disa toka në Greqi, të cilat patën qenë pronë e familjes “Ypi”, nga e cila është gjyshi i tij nga nëna të cilin ai nuk e përmend kurrë. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, nga filmi nuk del se kombësia dhe ideologjia nuk kanë ndonjë rëndësi. Ajo që del nga filmi është se njerëzit me kombësi të ndryshme ia kalojnë mirë bashkë kur ndodhen në situata në të cilat interesat e tyre pajtohen. Sa për ideologjinë, ajo as që hyn fare. Pushtimi italian i Greqisë nuk ishte një pushtim ideologjik fashist, se italianët nuk bënë asnjë përpjekje për të fashistizuar shoqërinë greke, por vetëm një pushtim ushtarak. Gjithsesi, filmi reflekton armiqësitë historike. Është një kontrabandist turk i cili vjen në ishull, shtiret si mik, dhe pasiqë i ve në gjumë ushtarët italianë, u vjedh rrobet dhe armët. Me këtë rast prifti grek u thotë italianëve duke nënqeshur me ironi se nuk u duhet besuar kurrë turqve. Në të vërtetë, Fevziu, kur po e rishihte këtë film në SHBA, duket se ishte i tunduar që të shkonte dhe të fshihej në ndonjë ishull të vogël grek, si ai ku zhvilloheshin ngjarjet në film. Por frika e tij nga Bashkim Driza ishte aq e madhe, saqë ai në vend që të bënte këtë u rikthye në Shqipëri.
Filmi i dytë që i bëri aq mbresë Fevziut, është një film titullin e të cilit ai e shkruan gabim. Filmi i Milco Mançevski, për të cilin flet Fevziu është filmi “Pred dozdot” (1994), që në shqip do të thotë “Para shiut”. Që Fevziu gënjen kur thotë se ky film i ka bërë aq mbresë, sa që e ka parë dhe riparë gjatë një jave të tërë, kjo kuptohet nga fakti se nuk e mban mend titullin e filmit, duke thënë se ai është “Pas shiut”, siç e citova më lart! Fevziu e përshkruan kështu filmin e Mançevskit dhe përshtypjen që i bëri ai:
I dyti, është një dramë më shumë tragjike, në të cilën, me një vërtetësi ngjethëse trajtohen marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve pas shpërbërjes s ëish-Jugosllavisë. Një film i ashpër që mund ta kuptojmë vetëm ne e që për më shumë se një javë më mbajti peng me skenat dhe filozofinë e tij.[xxxi]
Filmi për të cilin flet Fevziu është një film ku ka vetëm dy personazhe shqiptare, dy femra, rolet e të cilave luhen të dyja nga dy nga aktore sllavo-maqedonase. Shqiptari si njeri është i përjashtuar nga ky film. Fevziu nuk e thotë se cila është filozofia e këtij filmi që e paska mbajtur të mbërthyer për më shumë se një javë. E sigurt është se ajo është filozofia e segregacionit sllavo-maqedonas ndaj shqiptarëve. Filmi fillon me një vajzë shqiptare që ndiqet nga një turmë maqedonasish, të cilët e akuzojnë për një vrasje. Një murg i ri maqedon e fsheh vajzën dhe bie në dashuri me të, por kjo histori nuk ka fund të lumtur. Fevziu në atë kohë do të kishte qenë gati të fshihej në ndonjë manastir të veçuar në Maqedoni, vetëm të mos shkonte përsëri në Shqipëri, të ndante fatin me Bashkim Drizën. Libri grek, dy filmat, si dhe kënga “Jon” e Ardit Gjebresë, të cilën Fevziu e shton në fund, me sa duket i vetëdijësuar se e ka tepruar, e bëjnë atë që të rikthehet në Shqipëri. Një këngë e njohur e Rilindjes Shqiptare thotë:
Por mbi të gjitha më parë,
dua më shumë Shqipërinë.
Fevziu mbi të gjitha, më parë, do më shumë Ballkanin, pastaj edhe Shqipërinë. Në Shqipëri Fevziun e solli lufta e vitit 1997. Ai shkruan:
Biletën njëvjeçare e harrova dhe pa mbushur ende dy muaj, rezervova kthimin e saj. Në Shqipëri kishin filluar rrëmujat e rënies së skemave piramidale dhe si një magnet i stërmadh, më tërhiqte rrëmuja që do të fillonte shpejt.[xxxii]
Sa ironike! Derisa ushtarët italianë në filmin “Mesdheu” u kthyen në ishullin grek pas luftës, Fevziu po kthehej në Shqipëri për të përjetuar luftën e pritshme. Ajo çka Fevziu nuk e thotë është se ai po kthehej në Shqipëri se mendonte që atje do të bënte karrierë, duke u shpërblyer për pjesëmarrjen e tij në trazirat që priteshin të fillonin së shpejti. Blendi Fevziu, njeriu që u kthye në Shqipëri i nxitur nga libri grek dhe dy filmat e mësipërm, mund të quhet si intelektuali-simbol i trazirave të vitit 1997, ku opozita bëri të vetin simbolin nacional-religjioz sllav të tre gishtave të ngritur lart. Natyrisht se opozita, e bashkë me të edhe Fevziu si pjesë e saj, kishte të drejtë në shumë nga ato që thoshte kundër Presidentit Berisha dhe qeverisë së PD, sa u përket zgjedhjeve të majit 1996 dhe mënyrës se si e menaxhoi qeveria krizën e firmave piramidale, por simboli i tre gishtave e kompromentonte kauzën e drejtë.
Nikos Kazantzakis, autor i librit “Zorba”, në një libër autobiografik të tij me titull “Raport Grekos”, i botuar në shqip me titullin “Letër El Grekos”, shkruan për Aleksis Zorbën, personin e vërtetë, të cilin ai e bëri personazh të romanit të tij:
Ai u drejtua nga veriu, për të mbërritur në Serbi, mbi një mal pranë Shkupit, ku kishte zbuluar një damar të pasur qymyri. Bleu pajisjet, mori punëtorët dhe filloi të hapë galeri. Theu shkëmbinjtë me dinamit, hapi rrugë, çoi ujë, ndërtoi një shtëpi, u martua me një vejushë të re, Ljuba dhe prej saj pati një fëmijë.[xxxiii]
Pra, Zorba real shkoi në Serbi dhe u martua me një serbe. “Zorba” shqiptar, Blendi Fevziu, çuditërisht gjeti edhe ai një “Ljuba”, se mikun e tij të afërt, dhe të ftuarin e përhershëm të emisionit të tij televiziv, Fatos Lubonjën, miqtë e tij, duke përfshirë edhe Fevziun, e quajnë me përkëdheli edhe “Ljuba”, në një shkurtim të mbiemrit të tij. Ljuba edhe fizikisht i nxjerr Fevziut mallin e Bashkim Drizës, ashtu siç ishte kur Fevziu e takoi në mars 1997, pasiqë Driza ishte arratisur nga burgu. Atëherë Bashkim Driza qe me mjekër dhe ngjiste shumë me Fatos Lubonjën. Kur Fevziu nisi emisionin e tij televiziv në gusht 1997, në Televizionin Publik, një nga emisionet e para që bëri ai, që në shtator 1997, ishte një debat për skemat piramidale financiare. Kur Bashkim Driza mësoi me anë të njerëzve të tij se do të bëhej ky emision, ai i dërgoi fjalë Fevziut që t’ i jepte mundësi të merrte pjesë në emision me anë të një telefonate. Fevziu që kishte dhe ka ende shumë frikë nga Bashkim Driza pranoi pa ngurim. Fevziu shkruan mbi këtë ngjarje:
Surprizat filluan që ditën që deklarova se do të diskutonim për fajdet. Dy ditë më vonë, një avokat i Bashkim Drizës, më njoftoi se Driza qe i gatshëm të ndërhynte gjatë emisionit me kusht që unë t’ i jepja numrin tonë. Driza ndërhyri vërtet, siç tha nga Nju Jorku, po ka mundësi që ndodhej diku në Ohër apo në Strugë. Një moment, për ta kuptuar këtë, e pyeta nëse e ndiqte transmetimin tonë dhe m’ u përgjigj se e shihte shumë mirë! Ishte një moment jashtë satelitit dhe në raste si këto, si njali nuk e kalon Dibrën, Ohrin apo Strugën.[xxxiv]
Ajo që nuk e thotë Fevziu është se dy ditë para emisionit ai ishte me Bashkim Drizën në Maqedoni. Bashkim Driza kishte qenë sponsorues financiar i Fevziut në kohën që ishte kryeredaktor i gazetave opozitare “Aleanca” dhe “Poli i Qendrës”, para vitit 1997. Blendi Fevziu e pati njohur Bashkim Drizën qëkurse ai ishte në Fondacionin “Demokracia Popullore” të Rrapush Xhaferit. Me këtë të fundit, Blendi Fevziu kishte njohje familjare qëkurse familja e tij banonte në Lushnjë. Rrapush Xhaferi, i cili në vitet gjashtëdhjetë kishte punuar në rrethin e Lushnjës, në administratën bujqësore. Më pas, Blendi Fevziu do të hynte dhe dilte në zyrat e Rrapush Xhaferit si në shtëpinë e tij.
Pyetja që i bëri Fevziu Drizës nëse e ndiqte emisionin, nuk ishte një mënyrë për të zbuluar vendndodhjen e këtij të fundit, se nëse do të kishte qenë kështu, atëherë Fevziu do të kishte vazhduar me pyetje, duke i thënë se si ishte e mundur që e shikonte emisionin në Amerikë. Natyrisht se nëse Fevziu do të thoshte këtë, Driza do t’ i kujtonte paratë që i kishte dhënë dhe këtu emisioni do të shndërrohej në komedi. Fevziu, duke e ditur se Driza po e ndiqte emisionin, në një moment, kur donte ta fuste Drizën në debat për t’ iu përgjigjur asaj që kishte thënë njëri nga të ftuarit në studio, e pyeti insntinktivisht nëse ishte duke e shikuar emisionin ende, në sensin që a e kishte ndjekur atë që po thuhej në studio. Kështu që nuk ishte vetëm Driza që tradhtoi veten, por edhe Fevziu.
Bashkim Driza u bë shkak që Fevziu të rikthehej në Shqipëri në janar 1997, pak ditë para arrestimit të Drizës. Me të ardhur në Shqipëri Fevziu shkoi drejt e në zyrën e Bashkim Drizës, i cili ato ditë kur po i rrëshqiste toka nën këmbë e kishte humbur vetëkontrollin. Fevziu shkoi si gjithmonë drejt tij me një buzëqeshje hipokrite dhe i zgjati dorën, por Bashkim Driza i përplasi në fytyrë ca tufa me para duke thënë:
Ç’ ke që fshihesh, nuk të pëlqejnë më paratë e mia? Se paratë po na rrjedhin ende. Njerëzit vijnë e zenë radhë për të dorëzuar para edhe tani që sportelet tona janë mbyllur. Kjo do të thotë se ti ke bërë një punë të mirë me gazetën. Tani nëse do para për gazetën merr këto që shikon, se nuk e di nëse do të jem në gjendje të të jap më të tjera. Quaje si testamentin tim.
Fevziu nuk pati turp dhe u ul dhe i mblodhi paratë e shpërndara në tokë, duke buzëqeshur. Nëse Fevziu do të kërkonte sinqerisht një person me të cilin kishte bashkëpunuar në Shqipëri, dhe i cili ngjante më shumë me atë personazhin e romanit “Komedianët” të Graham Greene, Majorin Jones (Xhons), mashtruesin e madh, ky është padyshim Bashkim Driza. Megjithatë Fevziu nuk ka folur kurrë për eksperiencën e tij personale me njërin nga bosët më të famshëm të skemave piramidale. Ndoshta kjo edhe për faktin se Fevziu e ndjente veten si Majori Xhons. Derisa Driza doli nga skena, Fevziu hyri në skenë. Çka do të kishte bërë Fevziu në Amerikë nëse do të kishte qëndruar atje? Ku do të punonte ai me diplomën e gjuhë-letërsisë të Universitetit të Tiranës? Apo ndoshta do të studionte për mjekësi, siç kishin dashur prindërit e tij dikur? Kjo kërkonte shumë vite, dhe Fevziu 27 vjeçar donte të bënte një karrierë të shpejtë dhe pa shumë mundime. Ai e ndjente me instinktin e pagabueshëm të sharlatanit intelektual se Shqipëria ishte i vetmi vend ku ai mund të arrinte diçka, ashtu si majori Xhons thoshte se Haiti ishte vendi i vetëm në botë për të.
Në gusht 1997, shtatë muaj pas falimentimit të skemës piramidale të Bashkim Drizës, Fevziu krijoi versionin e tij të skemave piramidale, me emisionin e tij televiziv, në të cilin ai vepronte sipas së njëjtës logjikë të skemave piramidale. Fevziu u merr teleshikuesve kohën dhe në këmbim u jep gënjeshtra. Këtë skemë ai e përdor për të siguruar nga qeveritë e kohës përfitime abuzive të cilat shtojnë pasurinë e tij. Të pyesësh se përse megjithatë ka shumë njerëz që shohin emisionin televiziv të Fevziut, është njëlloj si të pyesësh se përse kishte aq shumë njerëz të cilët depozitonin paratë e tyre tek Bashkim Driza.
Qëkurse Blendi Fevziu drejton emisionin televiziv, ai ka ndryshuar. Nuk është më ai kryeredaktori i gazetës që gjendej në takimet me Bashkim Drizën në skena dhe situata që dukeshin sikur kishin dalë nga filmat për mafien. Kur Bashkim Driza donte t’ i shprehte respektin më të madh një njeriu, e ftonte të shikonin bashkë filmin “The Untouchables” ku Robert De Niro luan rolin e Al Kapones. Bashkim Driza edhe fizikisht ngjante me Al Kaponen dhe çuditërisht kënaqej kur ia thoshin këtë gjë. Duket se filmi “Untouchable”i pëlqente se fjala, që ka kuptimin “Të paprekshmit” i krijonte një rezonancë të këndshme në mendjen e tij gjithëherë të trazuar dhe alarmuar. Fevziu e pa mëse njëherë këtë film me Bashkim Drizën, natyrisht edhe në shoqërinë e të ftuarve të tjerë, të rrethuar nga rojet e tij me vështrime a priori dyshuese. Driza sillej me Fevziun si Al Kapone me gazetarët e blerë prej tij, ai kërkonte të dukej i butë, por pa u munduar shumë që ta fshehë përbuzjen për njeriun që po ble, posa e kupton se shqetësimi i vetëm i tjetrit është që të rrisë çmimin me të cilin po e shtet veten. Kur Driza, në momentet që dehej, mburrej se i ngjante fizikisht Al Kapones, Fevziu gjente rastin dhe i thoshte se ai i ngjante edhe Berlusconit, dhe se mund të bëhej “Berlusconi” shqiptar. Këtu Fevziu i paraqiste Drizës projekte të mëdha për një televizion privat, ku ai vetë do të bënte një emision politik. Kështu zuri fill projekti për emisionin televiziv të Fevziut, pikërisht në zyrën e Bashkim Drizës, para fytyrës së Al Kapones në ekranin e televizorit. Bashkim Driza kishte një fjalë që i ishte ngulitur apo ia kishte ngulitur dikush në mendje, që ishte fjala “opinion”. Duke menduar se kështu dukej intelektual, ai e përdorte shpesh fjalën “opinion”, duke thënë gjëra të tilla si:
Unë që ia di hallet popullit tim të vuajtur, si biri i tij që jam, marr opinionin e popullit, zbuloj se përsa kohë do populli që të pasurohet dhe mbi këtë opinion ndërtoj skemën time të punës, për pagesën e parave. Populli ynë është i vuajtur, ai ka këtë opinion: “Na iku jeta në varfëri, dua të jap një lek dhe të marr dhjetë, sa më shpejt që të jetë e mundur”. Prandaj unë nuk i flas me vite popullit, i flas me muaj, i them unë e mora opinionin tënd dhe tani dëgjo ti popull i dashur opinionin tim: Ti më jep një lek unë të jap dhjetë. Për sa kohë do të thuash ti? Po ja, një lek e shumëzuam me dhjetë, tani këtë këtë dhjetëshen le ta shumëzojmë me dy, se paratë duan kohë të bëhen, edhe pula do kohë që t’ i ngrohë vezët në furrik. Kështu, dhjetë shumëzim për dy bëjnë njëzet, por çfarë do të thoni ju, vite? Jo, popull i dashur, ndonëse në të gjitha bankat e botës duhen njëzet vjet që të dhjetëfishohen paratë. Unë flas me muaj, njëzet muaj. Ky është opinioni im. Të pëlqen opinioni im, popull i dashur, mirë sill paratë dhe prit njëzet muaj të marrësh dhjetëfishin. Opinion nga Bashkim Driza, biri i këtij populli të vuajtur.
Blendi Fevziut iu ngulit aq fort në tru fjala “opinion” nga monologjet e Bashkim Drizësa, saqë më pas ia vuri si titull emisionit të tij televiziv. Kështu doli “Opinion” nga Blendi Fevziu. Kështu u përjetësua filozofia e Bashkim Drizës. Në emisionin televiziv të Fevziut teleshikuesit japin kohën e tyre dhe gjatë saj marrin dhjetëfish gënjeshtra, se çfarë do të merrnin nëse do të bënin ndonjë gjë tjetër në atë kohë, si bie fjala do ta kalonin kohën duke biseduar me miqtë e tyre.
39.
Libri që nisi si biografi e Sali Berishës dhe që përfundoi si biografi e Enver Hoxhës
Në tetor të vitit 1996, Blendi Fevziu, i cili në atë kohë ishte kryeredaktor i gazetës “Poli i Qendrës” (gazetë e një koalicioni politik opozitar, të quajtur “Poli i Qendrës”, ku bënte pjesë Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit dhe Partia Aleanca Demokratike e Neritan Cekës, të cilat ishin të dyja aleate të Partisë Socialiste në opozitë), si dhe politikan, anëtar i forumeve drejtuese të Partisë Aleanca Demokratike, thirri miqtë e tij në një darkë ndarjeje, para se të nisej në SHBA. Fevziu thoshte se do të shkonte të jetonte në SHBA, se po hiqte dorë nga politika, duke ndjekur shembullin e Faik Konicës, me të cilin kishte diplomuar për gjuhë-letërsi në 1991. Si për të mos i zhgënjyer krejt miqtë e tij politikë, Fevziu thoshte se gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, do ta imitonte Konicën edhe për një gjë tjetër. Ashtu siç kishte provuar Konica të shkruante një libër satirik për Ahmet Zogun (“Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”), ai Fevziu do të shkruante një biografi të Berishës, me titullin “Sali Berisha: biografia e një diktatori”.
Namik Dokle, bëri një shaka që doli të ishte një profeci:
-Shiko se Konica jo vetëm që librin nuk e përfundoi, por edhe vetë përfundoi si zyrtar i Zogut! Bejlerët e gjetën fjalën mes tyre,- shtoi Dokle.
-Por Berisha nuk është bej, madje nuk është as derë bajraktari,- tha Fevziu, duke e kuptuar se Namiku e kishte fjalën për origjinën prej beu, me të cilën Blendi Fevziu mburrej shumë. Fevziu shtoi:
-Nejse, librin do ta shkruaj, dhe ty do të jap kopjen e parë.
-Ashtu qoftë,- tha Dokle.
Tashmë kam rrëfyer për kthimin e Fevziut në Shqipëri pas ultimatumit të Bashkim Drizës. Gjithsesi, kur Blendi Fevziu u ndodh në Shqipëri, në janar 1997, dhe vuri re shenjat e qarta se në vend do të ndodhte një përmbysje e madhe, ai përfitoi të peshkonte në ujë të turbullt, për të përmbushur ambicjet e tij për karrierë. Kur Shqipëria u mbush me gazetarë të huaj nga e gjithë bota, në mars 1997, Blendi Fevziu u ngatërrohej atyre nëpër këmbë, duke iu paraqitur si biografi i Sali Berishës. Në fillim kjo e bëri interesant për gazetarët e huaj, të cilët e pyesnin se a gjendej libri edhe në anglisht. Por kur Fevziu përgjigjej se ishte ende duke e shkruar librin, atëherë gazetarët e huaj nisën që ta shohin si një sharlatan dhe madje nisën që të tallen me të. Madje gazetarët e huaj, duke bërë humor edhe me emrin e çuditshëm të Fevziut, “Blendi”, që në anglisht do të thotë “përzierje”, “miksturë”, nisën ta quajnë Fevziun, Blendisha, duke bashkuar emrin e tij me mbiemrin e Berishës.
Pasiqë gazeta “Poli i Qendrës” ishte kompromentuar tashmë si gazeta e Bashkim Drizës, Fevziu bashkëpunoi me mikun e tij Ben Blushi për hapjen e një gazete sorosiane në Shqipëri, me titullin “Indipendent”, ku Fevziu do të ishte redaktor. Kjo gazetë e cila e pati jetën e shkurtër vetëm disa muaj, u bë megjithatë e famshme, si gazeta e EYP, shërbimit të fshehtë grek, pasiqë publikoi transkriptin e disa bisedave telefonike mes kryetarit të kohës, të PD, Tritan Shehu, dhe ambasadorit italian në Shqipëri, Foresti. Përgjimi ishte bërë qartësisht nga Spiunazhi grek. Për këtë çështje u bë dhe një gjyq, pas padisë që Shehu bëri ndaj gazetës “Indipedent”. Fevziu e mori përsipër përgjegjësinë duke thënë se kishte gjetur një audiokasetë me bisedën e regjistruar, të cilën dikush ua pati lënë tek dera e redaksisë së gazetës.
Me këto rekorde, kur PS erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 1997, duke qenë qeverisja e re, e orientuar nga Greqia, Blendi Fevziu priste që të merrte ndonjë post, si anëtar me rëndësi i koalicionit të majtë në pushtet që e mbante veten. Fevziu kërkoi njërin nga dy postet, ose të të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, ose atë të ambasadorit të Shqipërisë në Francë. Fevziu mendonte se më lehtë do t’ i jepnin postin e ambasadorit. Ai e kërkonte që të bëhej ambasador në Francë. Ai e donte këtë post se mendonte që Ismail Kadare, i cili jetonte në Paris, do ta promovonte në sallonet letrare të Parisit. Ende Fevziu jetonte me ëndrrën për t’ u bërë shkrimtar. Por kur kryetari i partisë së Fevziut, Neritan Ceka, e bëri këtë kërkesë në takimin e koalicionit të majtë, Fatos Nano, ktheu këtë përgjigje;
-Ai djalë le të mbarojë biografinë e Berishës një herë për një herë, pastaj këtu jemi. Gati e ka postin. Për momentin nuk ka pse e humb kohën me punë burokratike deri atëherë. Puna e biografit të Berishës ka shumë më tepër rëndësi. Ambasadorë gjejmë sa të duash, por biograf të Berishës nuk kemi ku të gjejmë. Le të më dorëzojë biografinë e Berishës, dhe e largoj Luan Ramën nga Parisi, dhe ia hap vendin. Për momentin le të marrë një herë vërtetimin e nevojshëm nga Nafiz Bezhani.
-Ia fute vetes me atë biografinë e Berishës,- i tha Neritan Ceka, - nuk kam ç’ të bëj, vetë e ke fajin. Të paktën mbaroje shpejt.
-Pa diskutim,- tha Fevziu, i cili kur thotë kështu, zakonisht gënjen, dhe nuk e përgënjeshtroi veten as në këtë rast.- Por si ta përfundoj librin kur pritet nga momenti në moment që Berisha të largohet fare nga politika. Unë jam biograf serioz. Prandaj, më parë emërimi im pastaj biografia.
Kur Fevziu e pa se e majta në pushtet nuk po ia kënaqte ambicjet e tij për karrierë, atëherë vendosi që të luajë kartën e fundit, atë të rikthehet tek Berisha. Por këtë kartë e luante me ngurim se nuk e dinte nëse Berisha do të rikthehej në pushtet në zgjedhjet e vitit 2005. Vetëm pas zgjedhjeve të vitit 2005, Fevziu e kapërceu “Rubiconin” politik. Të vetmin detyrim për t’ u shfajësuar teke majta, e ndjente për Edi Ramën, i cili në vitin 2000 e kishte futur emrin e Fevziut në listën e PS-së për Këshillin Bashkiak të Tiranës, dhe që pritej të bëhej kryetar i PS në kongresin e vjeshtës. Sipas anekdotikës politike, ata patën këtë dialog:
-Unë të këshilloj të mbetesh miku i kryetarit të PS, edhe me PS-në opozitë dhe të presësh deri në zgjedhjen e Presidentit pas dy vjetësh, se atëherë do ta rrëzojmë Saliun, është e sigurt. - i tha Rama.
Por Fevziut nuk i duhej të kishte mik kryetarin e PS-së në opozitë, por kryetarin e PS-së në pushtet. Fevziu bëri me mend një llogari të shpejtë. Duke qenë se PS kishte qëndruar për tetë vite në pushtet, kishte gjasa që e majta të rikthehej në pushtet ishin pas tetë vitesh, pra në 2013. Fevziu nuk mund të rrinte tetë vite në opozitë. Më mirë i dilte që të bashkohej me Berishën tani që ai kishte fituar pushtetin, dhe më tutje të bashkohej me Ramën, kur ky të vinte në pushtet.
-Atëherë si të jem unë me Saliun, si të mos jem, nuk të bën ndonjë dëm.- i tha Fevziu Ramës.
-Më duket se ma hodhe,- ia ktheu Rama,- vetëm mos harro se po u vonove të bashkohesh me mua, duhet të kesh gati biografinë e Saliut, para se ai të bjerë nga pushteti, që të kesh shpresë të marrësh ndonjë post nga unë.
-Pa diskutim,- i tha Fevziu dhe shkoi tek Berisha të cilit i tha se ishte larguar nga e majta se i kishin kërkuar që të shkruante biografinë e Berishës.
-Edhe mua më kanë ardhur fjalë në vesh se po shkruan biografinë time.- I tha Berisha.
-Shpifje doktor,- i tha Fevziu,- unë kam filluar që të shkruaj biografinë e Enver Hoxhës që prej gjashtë vjetësh, dhe enveristët hapin fjalë se po shkruaj biografinë tënde.
-Vepër e madhe Blendi,- i tha Doktori,- do të bësh libër epokal.
Dhe kështu libri i Blendi Fevziut “Sali Berisha”, u shndërrua në librin “Enver Hoxha”. Libri i Blendi Fevziut “Enver Hoxha” në 8 prill 1985, tre ditë para datës zyrtare të vdekjes së Enver Hoxhës. Kapitulli i parë i librit të Fevziut mban titullin “Vdekja që troket në derë” dhe është shkruar në stilin e një reportazhi. Fevziu nuk shkruan në stilin e biografit, por në atë të reporterit, i cili gjendet i pranishëm në daljen e fundit të Enver Hoxhës nga dhoma ku dergjej i sëmurë në shtëpinë e tij, për të bërë një shëtitje në oborrin e madh të shtëpisë. Ndonëse Fevziu e ka pohuar se kjo biografi e tij për Enver Hoxhën, është shkruar më tepër në stil gazetaresk, nuk mund të mos të të intrigojë kjo mënyrë e të filluarit të librit si një lloj reportazhi i pragvdekjes së Enver Hoxhës. A është kjo thjesht një zgjedhje e autorit, për të nisur biografinë:
për njeriun që vdekja po e thërriste në mbretërinë e saj, në kulmin e pushtetit, atë mesditë të datës 8 prill të vitit 1985?[xxxv]
Natyrisht se do të ishte ëndrra e çdo gazetari të gjendej pranë Enver Hoxhës në ditët e fundit të jetës së tij, dhe të shkruante një raport mediatik për këtë ngjarje që ishte dalja e fundit e Hoxhës nga dhoma e tij. Por a është ky motivi i vetëm i Fevziut, apo ka diçka tjetër që e bën Fevziun ta nisë kështu librin e tij? Gjëja tjetër që të bën përshtypje në këtë kapitull të parë të librit të Fevziut është se dalja e Enver Hoxhës nga shtëpia, në prag të vdekjes, paraqitet si një vajtje në një takim ku ai është thirrur, dhe ku e pret… vdekja, për t’ u ballafaquar me të para se ta marrë! Ndonëse Fevziu nuk e thotë shprehimisht këtë gjë, duke lexuar fragmentin e mëposhtëm të librit të tij, të krijohet përshtypja se kjo ide ekzistonte në nënvetëdijen e tij, teksa shkruante për daljen e fundit të Enver Hoxhës:
Vdekja i është qasur dhe ai duket se e ndjen praninë e saj. S’ ka asnjë dyshim që Ai e di këtë… Vdekja qëndron mbi të. Tani i është qasur më afër se kurrë.[xxxvi]
Kjo mënyrë e të parit të gjërave nga ana e Fevziut, ka të bëjë me ngjarjet formative të jetës së Fevziut, i cili, më tepër se të bëjë një zgjedhje, për mënyrën sesi do ta nisë librin, thjesht ka zhvilluar një arhetip të formimit të tij familjar. Në vitin 1995, gjatë dy ditëve, në 25-27 gusht, siç thuhet në fund të tekstit, Blendi Fevziu ka shkruar një tregim me titull “Vrasja ndodhi në pesë mbasdite”, i cili është botuar në librin e tij “Gjysma tjetër e botës”, një vit më pas.[xxxvii]Në këtë tregim rrëfehet për vrasjen e stërgjyshit të Blendi Fevziut, Abdyl Ypit, në Durrës, në janar 1920. Në mënyrë kurioze, tregimi i Fevziut fillon pikërisht me daljen e Abdyl Ypit nga shtëpia për të shkruar në një takim misterioz para vdekjes. Njëjtë ka ndodhur edhe me gjyshin e Fevziut nga i ati, Neki Starova, i cili kishte qenë organizator i vrasjes së të atit të Haxhi Lleshit. Neki Starova, në maj 1940, doli një mbrëmje nga shtëpia e tij në Pogradec për të shkuar në një takim misterioz dhe u vra, ndoshta nga ata të cilët do të takonte. Natyrisht se këto ngjarje janë biseduar gjerësisht në familjen e Blendi Fevziut dhe përshtypjet nga këto biseda janë shtresëzuar në vetëdijen dhe nënvetëdijen e Blendi Fevziut që në fëmijëri. Dhe kur Fevziu ulet që të shkruajë biografinë e Enver Hoxhës, këto eksperienca formuese kushtëzojnë mënyrën e të shkruarit. Vetë Blendi Fevziu do të përjetonte një eksperiencë të ngjashme në 1997. Në një shkrim të botuar në vitin 2002, me titull “Rogner Hotel, pesë vjet midis”, Blendi Fevziu rrëfen se si në 12 mars 1997, ai e kaloi natën në Hotel “Rogner”, së bashku me gazetarë të huaj, duke vëzhguar nga tarraca e hotelit selinë e Presidentit të Republikës, në anën tjetër të bulevardit, për të parë sulmin e kryengritësve për të kapur ose vrarë Presidentin Berisha:
Rreth orës 21.00 shoqërova deri në hotel Tirana Lara Santoron, një gazetare italo-amerikane që ishte miqësuar me ne dhe në hotelin tjetër gjeta po atë situatë…Tirana ishte krejtësisht e shkretë dhe në ora 21.30, ndërsa makina ime po hynte sërish në Hotel Rogner, tanket filluan të dalin me radhë në bulevard. Armët dëgjoheshin nga të gjitha anët dhe fishekët në rënie të lirë kërcisnin mbi llamarinën e tavanit të makinës, duke lënë vetëm disa gjurmë të dukshme dhe ciflosëse që i pashë një ditë më vonë.
Aty nga mbrëmja, kur frika, humori dhe sensi i aventurës përziheshin në një masë të çuditshme por të parezistueshme, dikush propozoi të ngjiteshim në tarracën e hotelit për të parë sulmin që pritej të ndërmerrnin grupet e ardhura nga Jugu mbi presidencën. Po atë mbasdite, çdo helikopter që ngrihej ishte konsideruar si një ikje përfundimtare e Berishës, po ata pak gazetarë që ishin në lidhje me Genc Pollon e dinin që kjo nuk ishte e vërtetë. U sollëm nëpër disa korridore të gjata dhe nga një derë e trashë dhe e rëndë, hipëm në tarracën e hotelit.[xxxviii]
Fevziu në atë kohë, përveçse gazetar ishte dhe një politikan i opozitës së kohës. Fevziu ishte anëtar i forumeve drejtuese të Partisë Aleanca Demokratike, e cila ishte aleate e Partisë Socialiste. Fevziu nuk ishte thjesht një dëshmitar i ngjarjeve, ai ishte pjesë e frontit kundër Berishës dhe Partisë Demokratike në pushtet. Kështu që Fevziu ishte në anën e grupeve të armatosura që pritej të sulmonin selinë e Presidentit të Republikës. Fevziu atë natë me siguri që ëndrronte të shkruante reportazhin e pushtimit të selisë të Presidentit të Republikës dhe të kapjes rob, ose të vrasjes së Berishës nga kryengritësit. Fevziu në 12 mars mendonte kjo ditë do të ishte dita e madhe e jetës së tij si gazetar, kur do të bëhej i famshëm botërisht. Fevziu atë ditë se ku kishte gjetur një helmetë ushtarake dhe një jelek antiplumb, me të cilët do të shfaqej para kamerave të televizioneve të huaja, kur të pushtohej Presidenca, duke imituar kështu gazetarët perëndimore, të cilët raportonin nga zonat ku luftohej. Atë ditë Fevziu mori disa mësime gazetarie nga gazetarët e huaj, të pranishëm në Tiranë. Një nga këto mësime ishte ai truku i vjetër i gazetarëve, të cilët e shkruanin raportin për një ngjarje të të rëndësishme, të pritshme, që para se ajo të ndodhte, në një ose dy versione, për të qenë të parët që do ta raportonin atë.
Kështu që edhe Fevziu, me shkathtësinë e tij të veçantë, për të cilën mburret, kishte filluar që ta shkruante artikullin e tij, para se të ndodhte sulmi i armatosur mbi presidencë, në dy versione, atë ku Berisha vritej dhe atë ku kapej rob, që pastaj ta kishte gati dhe vetëm ta pasuronte me detaje, ashtu që të ishte i pari që do t’ ia shiste raportin për ngjarjen gazetave dhe televizioneve të huaja, të cilat në ato ditë e kishin përqëndruar vëmendjen në Shqipëri. Gjurmët e këtij artikulli paraprak, duket se janë në këtë fragment të kapitullit të parë të librit për Enver Hoxhën, ku tregohet sesi Enver Hoxha del për herë të fundit nga shtëpia, në 8 prill 1985:
Është i zbehtë si një kufomë dhe flokët e pakrehur dhe të paprerë i ngrihen aty-këtu nën beretën e zezë. Vdekja i është qasur dhe ai duket se e ndjen praninë e saj. S’ ka asnjë dyshim që Ai e di këtë. Regjimi që ka ngritur, adhurimi që ka imponuar, nuk e shpëtojnë dot prej saj. Vdekja, është e vetmja që ai s’ mund ta sfidojë. Nuk është as i pari dhe as i fundit. Mëria e komunizmit ndaj vdekjes është monumentale. Ajo është e vetmja që nuk i nënshtrohet ligjeve të marksizmit, është e vetmja që nuk bën dallim mes komunizmit dhe kapitalizmit, e vetmja që siç thotë Malaparte, e bën Stalinin, Çërçillin dhe Ruzveltin të kenë një fund të përbashkët, murin e varrezës ku do të prehen. A e ka lexuar Hoxha Malaparten? A e di që fuqia e tij mitike, ajo që e ka bërë të kontrollojë çdo gjë në jetën e një populli prej 3.5 milionë banorësh, këtu s’ ka më vlerë? Vdekja nuk pyet për të. Është e vetmja që s’ i bindet, e vetmja që nuk mund ta mbyllë në ndonjë prej qelive të 39 burgjeve që ka ngritur në Shqipëri ose ta degdisë në 70 kampet e internimit ku kalojnë jetën në vuajtje dhe në izolim ata që ai beson se kanë qenë kundërshtarët e tij. Vdekja qëndron mbi të. Tani i është qasur më afër se kurrë.
Pa dyshim çdo njeri që sheh këto pamje të patransmetuara, instiktivisht, së paku një herë, ka bërë pyetjen kureshtare:
-Ç’ mendon ai vallë atë moment?!
-Askush s’ mund t’ i japë asaj një përgjigje të saktë. Enver Hoxha vetë i pari. Sëmundja nuk e lejon të flasë gjatë, as të shpjegohet. Ndoshta refuzon ta bëjë këtë. Po ikën nga kjo botë pa lënë asnjë amanet të qartë.[xxxix]
Ky fragment i librit të Fevziut për Enver Hoxhën, ka shumë mundësi që të jetë një përshtatje e një prej dy artikujve paraprakë që shkruajti Fevziu në 12 mars 1997, për fundin e Berishës. I parari, pra shkrimi për kapjen rob të Berishës, duket se ka qenë kështu:
Presidenti Berisha është i zbehtë si një kufomë dhe flokët e pakrehur dhe të paprerë i ngrihen aty-këtu nën beretën ushtarake që mban. Vdekja i është qasur dhe ai duket se e ndjen praninë e saj. S’ ka asnjë dyshim që Ai e di këtë. Regjimi që ka ngritur, adhurimi që ka imponuar, nuk e shpëtojnë dot prej saj. Vdekja, është e vetmja që ai s’ mund ta sfidojë. Nuk është as i pari dhe as i fundit. Mëria e diktatorëve ndaj vdekjes është monumentale. Ajo është e vetmja që nuk i nënshtrohet ligjeve të pushtetit, është e vetmja që nuk bën dallim mes sundimtarit dhe të sunduarit, e vetmja që siç thotë Malaparte, e bën Stalinin, Çërçillin dhe Ruzveltin të kenë një fund të përbashkët, murin e varrezës ku do të prehen. A e ka lexuar Berisha Malaparten? A e di që fuqia e tij mitike, ajo që e ka bërë të kontrollojë çdo gjë në jetën e një populli prej 3.5 milionë banorësh, këtu s’ ka më vlerë? Vdekja nuk pyet për të. Është e vetmja që s’ i bindet, e vetmja që nuk mund ta mbyllë në ndonjë prej qelive të burgjeve që ai kontrollon në Shqipëri ose ta degdisë jashtë vendit, ku kalojnë jetën në vuajtje ata që ai beson se kanë qenë kundërshtarët e tij. Vdekja qëndron mbi të. Tani i është qasur më afër se kurrë.
Pa dyshim çdo njeri që sheh këto pamje, instiktivisht, së paku një herë, ka bërë pyetjen kureshtare:
-Ç’ mendon ai vallë atë moment?!
Askush s’ mund t’ i japë asaj një përgjigje të saktë. Sali Berisha vetë i pari. Plagët që ka marrë nga goditjet e kryengritësve nuk e lejojnë të flasë gjatë, as të shpjegohet. Ndoshta refuzon ta bëjë këtë. Po ikën nga kjo botë pa lënë asnjë amanet të qartë.
Versioni tjetër, për vdekjen e Berishës, duket se ka qenë kështu:
Presidenti Berisha është i zbehtë, një zbehtësi e çuditshme edhe për fytyrën e një trupi që posa është shndërruar në një kufomë. Flokët e pakrehur dhe të paprerë i ngrihen aty-këtu nën beretën ushtarake që mban. Vdekja e ka gjetur dhe ai duket se është mësuar me praninë e saj. S’ ka asnjë dyshim që Ai e priste këtë. Regjimi që ka ngritur, adhurimi që ka imponuar, nuk e shpëtojnë dot prej saj. Vdekja, është e vetmja që ai s’ mund ta sfidojë. Nuk është as i pari dhe as i fundit. Mëria e diktatorëve ndaj vdekjes është monumentale. Ajo është e vetmja që nuk i nënshtrohet ligjeve të pushtetit, është e vetmja që nuk bën dallim mes sundimtarit dhe të sunduarit, e vetmja që siç thotë Malaparte, e bën Stalinin, Çërçillin dhe Ruzveltin të kenë një fund të përbashkët, murin e varrezës ku do të prehen. A e ka lexuar Berisha Malaparten? Çfarë ndjeu kur u bë i vetëdijshëm se fuqia e tij mitike, ajo që e kishte bërë të kontrollonte çdo gjë në jetën e një populli prej 3.5 milionë banorësh, këtu s’ kishte më vlerë? Vdekja nuk pyeti për të. Është e vetmja që s’iu bind, e vetmja që ai nuk mund ta mbyllte në ndonjë prej qelive të burgjeve që ai kontrollonte në Shqipëri ose ta degdiste jashtë vendit, ku kalojnë jetën në vuajtje dhe në izolim ata që ai beson se kanë qenë kundërshtarët e tij. Vdekja qëndron mbi të. Tani ie ka marrë nën kontrollin e saj..
Pa dyshim çdo njeri që sheh këto pamje të patransmetuara ende, instiktivisht, së paku një herë, ka bërë pyetjen kureshtare:
-Ç’ mendonte ai vallë ato momente?!
Askush s’ mund t’ i japë asaj një përgjigje të saktë. Sali Berisha vetë i pari. Vdekja nuk e lejon të flasë, as të shpjegohet. Ndoshta refuzon ta bëjë këtë. Iku nga kjo botë pa lënë asnjë amanet të qartë.
Por, derisa Blendi Fevziu në 12 mars 1997, po shpejtonte që të ishte dëshmitar në takimin e Berishës me vdekjen, fati i kishte rezervuar Blendi Fevziut takimin e tij me vdekjen, në pajtim të plotë me traditën e tij familjare të vdekjeve politike. Fevziu shkruan në të njëjtin artikull ku përshkruan eksperiencën e tij të 12 marsit 1997, në Hotel “Rogner”:
Ishte një natë e ngrohtë dhe e mrekullueshme marsi, një natë që nëse nuk do të kishte aq shumë gjurmë fishekësh, duhej të dukeshin yjet si në verë. Tirana ishte krejtësisht e përflakur dhe qëllohej ngado. Të gjitha llojet e armëve villnin zjarr në shesh dhe askush nuk mund të thoshte se ku kishte luftë dhe ku thjesht krisma. Nga frika, nga ideja për të trembur të tjerët, ose edhe si pasojë e një histerie pa shpjegim të gjithë qëllonin. Fishekë gjurmëlënës ngriheshin nga lagjet periferike, ndërsa më larg, mbase nga fshatrat pranë Tiranës, dëgjoheshin zhurma edhe më tronditëse, me sa duket murtaja.
Bulevardi poshtë ishte i shkretë dhe herë-herë dëgjoheshin vetëm disa thirrje me theks të fortë verior që u kërkonin makinave që kalonin aty, të ndërronin drejtim. Nëse kjo nuk ndodhte, batare të forta armësh automatike derdheshin drejt guximtarëve pa kuptim. Ne nuk mund të kuptojmë gjë, më tha një gazetar hollandez me të cilin isha miqësuar prej disa kohësh, por nuk e di a e kuptoni ju? Kam pak javë që shkruaj prej këtu dhe nuk e kam kuptuar ende kush lufton, kundër kujt dhe kush janë komandantët! Monologu i tij i çuditur u ndërpre me disa thirrje të forta dhe një hyrje drejt derës së brendshme. Padashur, një gazetar i “Le Figaro”-s kishte ndezur cigaren dhe qe diktuar nga rojat në anën tjetër të bulevardit. Ata kishin thirrur, dhe duke mos marrë përgjigje, kishin derdhur një karikator të tërë në drejtim të tarracës së hotelit. Askush nuk ishte plagosur, por në panik e sipër, shumica qenë shpërndarë në dhomat e tyre. Shmidi, administratori austriak i hotelit, bërtiste ende se kjo qe një çmenduri, por nuk dihet se kush dëgjonte në atë panic e rrëmujë bashkë. U futa nuk e di ku, duke humbur miqtë e tjerë dhe i vendosur në dritare me dritë të fikur, ndiqja xhiron e tankeve që synonin të vendosnin rregull në atë kaos të pashpjegueshëm.[xl]
“Cigarja e ndezur” për të cilën flet Blendi Fevziu në fakt ishte një ndriçues me lazer, me të cilën grupi ku gjendej Fevziu po ndriçonin oborrin dhe dritaret e ndërtesës së Presidencës, për të parë se ku gjendej Berisha. Por duket se këtë e bënin më tepër për vanitet profesional që ndonjë gazetar i huaj të mburrej se kishte ngacmuar “diktatorin” që po rrëzohej, para vdekjes ose kapjes së tij të pritshme. Nga skaji i tarracës së Hotelit “Rogner” deri tek cepi i murit rrethues të selisë së Presidentit, në anën tjetër të bulevardit, nuk janë më tepër se 70 metra largësi. Kështu që nuk është asfare çudi që atë ditë të kishte patur të vdekur nga grupi në tarracën e hotelit, kur rojet e Presidentit qëlluan me armë. Fevziu atë natë ishte fare pranë vdekjes. Sot Fevziu do të quhej si viktimë e Berishës, si hero i medias dhe miqtë e tij Andi Bushati, Armand Shkullaku, Lorenc Vangjeli, Ben Blushi, do të rrëfenin kujtime për këtë “martir të shtypit”, i cili humbi jetën në moshën 28 vjeç. Miqtë e tij në Partinë Aleanca Demokratike, ndoshta do të thoshin se emri i tij ishte shënuar për të qenë ministër në qeverinë e paszgjedhjeve.
Ndonëse Blendi Fevziu si qenie e gjallë mbijetoi, Blendi Fevziu si gazetar vdiq në 12 mars 1997, kur i fërshëllyen në veshë plumbat e rojeve të Berishës. Blendi Fevziu, në të njëjtin artikull shkruan për natën e 12-13 marsit 1997, në Hotel “Rogner”:
Afër mesnatës, Xhoana Robertson raportoi nga dhoma e saj po aty për BBC-në dhe për herë të parë unë besova se sa e thjeshtë është të bëhesh gazetar i madh në një kaos si ky.[xli]
Blendi Fevziu atë natë deshi të bëhej gazetar i madh, duke përdorur vdekjen e pritshme të Berishës, por nuk e ndihmoi fati. Fati ndihmoi Berishën. Atëherë Fevziu u soll sipas traditës otomane që në Shqipëri është politikisht më e fortë tek njerëzit si ai, të ushqyer në familje me bëmat politike të paraardhësve të tij bejlerë: “Dorën që nuk e kafshon dot, duhet ta puthësh”. Fevziu e kafshoi dorën e Berishës për disa vjet dhe pastaj e puthi. Kështu, Blendi Fevziun fati dhe karakteri i tij, kishin rezervuar që të bëhej propagandist i Berishës, çka vazhdon të jetë ende. Në esenë e tij me titull “A jemi të gjithë injorantë”, Blendi Fevziu ka shkruar:
“Njeriu nuk di asgjë në jetë, përderisa nuk di ditën e vdekjes së tij”. Kjo thënie e vjetër e Borgesit, që e kisha gjetur në vitet e studimeve në një botim kosovar, nga ata që qenë të ndaluar për publikun shqiptar, nuk di pse në vend të trishtimit më kishte ngjallur një lloj hareje të pakuptueshme. Një të qeshur gurgulluese që me të përmbajtur, e përftoja sa herë e sillja nëpër mend.[xlii]
Blendi Fevziu tashmë e di ditën e vdekjes së tij si politikan dhe si gazetar. Fevziu si politikan vdiq në mars 1991. Fevziu si gazetar vdiq në 12 mars 1997. Fizikisht, Fevziu mund të jetojë edhe 100 vjet. Por Tashmë Fevziu është një zombie politik dhe intelektual. Duke treguar natyrën e tij prej “Tartarini të Taraskonit” Fevziu më pas do të fliste shumë për atë që i ndodhi në tarracën e Hotel “Rogner” në atë ditë marsi, duke shtuar detaje nga më të çuditshmet, të cilat megjithatë ende nuk ka guxuar t’ i përshkruajë në shkrime si ai që citova më lart. Ndoshta këtë gjë e ka lënë që ta bëjë në ditarin e tij politik, që ka paralajmëruar se do të botojë.
40.
Zëdhënësi i shërbimit të fshehtë grek në skandalin e përgjimit të ambasadorit italian në Shqipëri, në 1997
Nëse do të bëhej një antologji ndërkombëtare mbi rastet e përdorimit të të shtypit të një vendi nga shërbimet e fshehta të huaja, atëherë me siguri që atje do të duhej të përfshihej edhe rasti i gazetës “Indipendent” në Shqipëri, dhe të skandalit të përgjimit të ambasadorit italian në Shqipëri, në 1997. Gazeta “Indipendent” u krijua vetëm për të shërbyer në një operacion inteligjence, për publikimin e bisedave të përgjuara të ambasadorit italian në Shqipëri, dhe për komentimin e tyre sipas interesave të shërbimit të fshehtë të Greqisë. Numri i parë i gazetës “Indipendent” doli në 6 maj 1997. Blendi Fevziu ishte redaktor i politikës dhe zëvendëskryeredaktor. Këtë gjë Blendi Fevziu e ka shkruar vetëm në një nga jetëshkrimet e tij që ka publikuar pas vitit 1997, në atë që ka vënë në kapakun e pasmë të librit “Histori e shtypit shqiptar”, ku thuhet:
1997, zëvendëskryeredaktor i gazetës “Indipendent”.[xliii]
Në 21 maj gazeta “Indipendent”botoi transkriptin e bisedave telefonike mes ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Paolo Foresti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Tritan Shehu.[xliv]Në të vërtetë, nuk bëhej fjalë për biseda telefonike, por për biseda të drejtpërdrejta tete a tete mes Forestit dhe Shehut, të cilat qenë përgjuar dhe regjistruar, nga ana e shërbimit të fshehtë të Greqisë në Shqipëri, dhe më pas këtyre audioregjistrimeve u qenë montuar fragmente bisedash telefonike mes te dyve, për t’ u dukur si të tilla. Në bisedat e përgjuara dukej shqetësimi i Italisë se me rebelimin e armatosur kundër Presidentit Berisha dhe qeverisë së PD në Shqipëri, po nëpërkëmbeshin interesat italiane këtu. Publikimi i bisedave të përgjuara bëri bujë të madhe ndërkombëtare dhe Tritan Shehu bëri një kallzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj gazetës “Indipendent”. Blendi Fevziu, në këtë kohë ishte njeriu më aktiv në gazetën “Indipendent”, me shkrimet për këtë çështje. Në 25 maj, Fevziu botoi një koment për këtë çështje, me titullin e çuditshëm “Foresti: e dija se Shehu përgjohej”[xlv] Në këtë shkrim Fevziu thotë:
Çështja Foresti, e denjë për titullin Forestgate, i ka kaluar tashmë kufijtë shqiptarë. Diaologu telefonik i ambasadorit italian ka provokuar menjëherë reagimin e Kryeministrit Prodi, të ministrave Dini e Andreata, të Kryetarit të Komisionit të Jashtëm Oketo, të liderit të Rifondaciones, Bertinoti, lideri të CDU Butilione, të pothuaj gjithë sekretarëve të marrëdhënieve me jashtë të partive parlamentare italiane etj. Por telefoni i tij, i regjistruar me besnikëri në një kasetë të thjeshtë, duket se po kthehet në një çështje europiane. Vranicki është shprehur përmes zyrës së tij të shtypit, ndërsa ministri i Jashtëm grek, Pangallos ka kërkuar shpjegime të menjëhershme nga ministri Dini. Çështja Foresti e lidhur ngushtë me çështjen shqiptare dhe krizën e saj, ka nxjerrë në sipërfaqe të bashkëpunimit europian kontradiktat e vjetra.[xlvi]
Pikërisht ky ishte dhe një nga qëllimet e atyre që përgjuan ambasadorin italian dhe publikuan bisedat e tij, që Greqia të gjente rastin për t’ i kërkuar llogari Italisë mbi Shqipërinë. Fevziu ankohet në shkrimin e tij se:
Por çështja e denjë për të turbulluar rrjedhat e politikës ndërkombëtare ndaj Shqipërisë, ka kaluar pa shumë zhurmë në Tiranë. Partitë politike, me përjashtim të PAD, janë mjaftuar me shprehjen e disa opinioneve, ndërsa disa liderë dhe zyrtarë të tyre, shumica pritës të thekur të dyerve të konsullatës, përpiqen të qëndrojnë në telin e ekuilibrit në pritje të vendimeve nga Roma. I vetmi që është përfshirë direkt në rrjedhë është njeriu më i prekur nga ky publikim, kryetari i PD-së, Shehu.[xlvii]
Fevziu këtu, para së gjithash ankohet për politikanët kryesorë të koalicionit të majtë, aleatë të partisë së tij, Aleanca Demokratike. Por këta politikanë, duke e kuptuar mirë se këtu bëhej fjalë për një cover action të shërbimeve të fshehta, nuk donin që të implikoheshin në asnjë mënyrë. Më tutje, Fevziu zbulon natyrën e tij prej bufoni, të formësuar në mjedisin e veçantë të krijuar nga diktatura komuniste në Lushnjë, duke shkruar:
Shehu e ka dërguar çështjen në gjykatë dhe Indipendent, duhet të japë nesër llogari përpara Prokurorit. Natyrisht, Shehu është i shokuar nga publikimi i papritur. Ai është akoma më tepër i fyer nga fakti se kryetari i partisë në pushtet, gjendet papritur në mes të kryeqytetit të tij, nën magnetofonët që përgjojnë telefonatat politike. I indinjuar dhe i fyer, ai ka të drejtë të bëjë pyetjen: Kush e përgjoi dhe më pas kush i dërgoi regjistrimet e tij në redaksinë e Indipendent? Natyrisht, katër ditë më parë ne ja kemi bërë disa herë këtë pyetje vetes. Kur një dorë anonime lëshoi në derën e gazetës zarfin misterioz me kasetën dhe më pas, ulur përpara magnetofonit, ndërsa zërat vinin e identifikoheshin fare qartë, pothuaj i gjithë stafi duke u parë në sy, përsëriti pikërisht këtë: Kush dhe si? Pyetja torturuese vijoi të na tundojë edhte tani, ndërsa u mor vendimi i vështirë për botim dhe dy gazetarë vijojnë të hetojnë intensivisht pistat e mundshme.[xlviii]
Por nuk mund të mos bëhej pyetja se përse dora misterioze që supozohet të ketë çuar zarfin me gazetën tek dera e redaksisë së gazetës “Indipendent”nuk e dërgoi atë në të gjitha dyert e redaksive të gazetave shqiptare, por e bëri këtë gjë vetëm me një gazetë e cila kishte nisur të botohej prej vetëm dy javësh? Përse kjo lidhje e posaçme mes kësaj gazete dhe dorës misterioze? A nuk ishte kjo një arsye e mjaftueshme për të besuar se dora misterioze që dërgoi zarfin me kasetën në zyrat e redaksisë së “Indipendent”e krijoi vetë këtë gazetë? Nga ato që Fevziu shkruan më lart, kuptohet se ai nuk ka as preokupimin më të vogël nëse këto që po shkruan janë ose jo, sadopak të besueshme. Fevziu, qartësisht mendonte se ky ishte rasti që ai të tregonte edhe talentin e tij letrar. Fevziu mendonte se ai me talentin e tij letrar, si me një shpatë aleksandrine, mund të priste “nyjen gordiane” të kësaj çështjeje, duke kthyer kundër Forestit arsyetimin e këtij të fundit:
Por ankthi duket se ka marrë fund. Mjegulla e xhalos më të rëndësishme të këtyre viteve të fundit po ngrihet. Foresti ka deklaruar se ai e dinte që Shehu përgjohej dhe ka dhënë për këtë afate kohore. Në një intervistë të botuar dy ditë më parë në gazetën e madhe italiane “La Republica”, ambasadori ka logjikuar se ai nuk mund të fliste kaq hapur me Shehun në telefon. Ai ka shpjeguar se e dinte që kryetari i PD-së përgjohej. Foresti shprehet tekstualisht: “Shih… një gjë është e qartë. Unë e dija prej kohësh, të paktën prej një muaji, që telefoni i Tritan Shehut ishte nën kontroll”. Deklarimi ngjethës i Forestit i thjeshtëson shumë gjërat. Natyrisht, Ambasadori është i detyruar të deklarojë se kush e përgjonte Shehun dhe se nga e kish marrë vesh ai këtë. Ashtu siç është i detyruar të bëjë publike edhe çështje të tjera të kësaj natyre, nëse ekzistojnë dhe gjenden në arkivin e informacioneve të tij. Pas kësaj edhe çështja Shehu sqarohet. Kryetari i PD mund t’ i drejtohet direkt mikut të tij italian për të marrë të dhënat e mëtejshme apo ato plotësuese. Ai mund të hetojë mbi përgjimin dhe të kundërveprojë ndaj autorëve të tij sipas ligjit.[xlix]
Fevziut këtu mendonte se ishte duke thënë diçka shumë të zgjuar! Por ambasadori italian nuk kishte thënë ndonjë gjë të re dhe të habitshme, duke thënë se në atë kohë në Shqipëri shërbimet e fshehta të shteteve të ndryshme përgjonin politikanët dhe diplomatët në Tiranë. Kjo gjë ishte një e vërtetë e rëndomtë, të cilën e dinin diplomatët, politikanët dhe gazetarët, duke përfshirë Fevziun. Natyrisht se Foresti, si kryediplomati në Shqipëri i një fuqie të madhe, kishte informacione nga shërbimet e fshehta të vendit të tij. Por fakti se Foresti e thoshte këtë gjë, nuk e ngarkonte atë me detyrimin për të thënë specifikisht se cili e bënte këtë përgjim, aq më tepër që Foresti ishte diplomat. Ambasadori i Italisë nuk mund të thoshte se atë e kishte përgjuar shërbimi i fshehtë i Greqisë. Foresti, sigurisht që nuk i kishte bërë në telefon me Tritan Shehun ato biseda që u publikuan. Por këto fjalë qenë thënë në bisedat që ata kishin pasur drejtpërdrejt me njëri-tjetrin. Këto biseda qenë regjistruar, pastaj atyre u qenë shtuar pjesë nga regjistrime të bisedave telefonike mes tyre, sa për të krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për biseda telefonike. Fevziu e dinte mirë këtë gjë. Mënyra se si shkruante Fevziu, se çështja sqarohej duke i kërkuar Shehu Forestit që të tregonte se cilët e patën përgjuar bisedën e tyre, tregonte se Fevziu po keqpërdorej në kulm nga shërbimi i fshehtë grek, ashtu që ky të tallej me Italinë. Më tutje, Fevziu i dërgonte një kumt grek Shehut:
Shehu duhet të heqë dorë nga gjyqet kundër shtypit. Ai duhet të kuptojë se shtypi është i gatshëm të publikojë gjithçka që i shërben informimit dhe aq më tepër mbarëvajtjes politike në vend. Duhet ta kuptojë se kur ne vendosëm botimin këtë e bëmë më tepër të shokuar nga toni dhe gjuha e Forestit. Kundrejt bashkëbisedimit normal të kreut të PD-së, ambasadori italian shpaloste një siguri dhe këmbëngulje të habitshme. Të tillë që shkonte deri tek një tërheqje veshi ndaj Kryeministrit, apo një ndikim i padiskutueshëm ndaj Godos e Melos. Një gjuhë që padyshim, asnjë prej ambasadorëve italianë në Shqipëri, që nga Sola në vitet 20-të e deri tek Kardili në vitet 90-të, zor se do ta ketë përdorur. Shehu padyshim e kupton këtë, ashtu siç e kupton se gjyqet kundër shtypit, në fushatë elektorale apo edhe jashtë saj janë gjyqe me një kosto të lartë. Ose thënë ndryshe gjyqe ku politika del gjithmonë e humbur.[l]
Këtu, Fevziu, për llogari të Athinës, kërkonte të fuste një pykë mes Forestit dhe Shehut, duke i thënë Shehut se ai nuk ka arsye përse të jetë i prekur nga publimi i bisedave, dhe se i vetmi që ka arsye të jetë i shqetësuar dhe që kompromentohet prej tyre është ambasadori italian. Fevziu nuk bëri një analizë të bisedave për të provuar me fjalët e Forestit ato që i atribuonte atij në këtë shkrim. Në të vërtetë, në fjalët e Forestit, në bisedat e përgjuara, nuk kishte asgjë tjetër përveç shqetësimit normal të ambasadorit italian për atë që po ndodhte në vendin fqinj, të cilin që pas rënies së komunizmit Italia e kishte ndihmuar më shumë se çdo vend tjetër. Nga bisedat nuk dilte që ambasadori italian të kishte ndonjë ndikim të posaçëm mbi Sabri Godon dhe Vasil Melon, dy politikanë afër Greqisë në atë kohë, por Foresti thjesht shprehte habinë se si ata refuzonin të pranonin një ligj zgjedhor i cili qe shumë i favorshëm për partitë e tyre të vogla. Por ata vepronin kështu se merrnin urdhra nga Athina. Tre muaj më pas, kur do të largohej forca shumëkombëshe nga Shqipëria, Godo ishte njeriu i cili kërkoi publikisht që ushtarët grekë të vazhdonin të qëndronin në Shqipëri. Fevziut i duket çudi që ambasadori italian të ishte i pakënaqur me një kryeministër si Fino, i përzgjedhur nga PS si kryetar i qeverisë së përbashkët, e quajtur e pajtimit kombëtar, i cili me të marrë detyrën u nis të vizitonte Athinën, duke treguar qartë orientimin e tij. Sa për krahasimin që bën Fevziu mes Forestit dhe ambasadorëve të tjerë italianë në Shqipëri, të kohës kur në Itali ishte në fuqi fashizmi, nuk mund të mos thuhet se Greqia i merrte ata shumë më tepër seriozisht se ambasadorët italianë në Shqipëri në vitet nëntëdhjetë, për shkak se ata përfaqësonin një qeveri dhe në përgjithësi një shtet, i cili i ndiqte me seriozitet dhe konseguencë interesat e veta legjitime në anën tjetër të bregdetit adriatiko-jonian.
Një gjë që të bën përshtypje në gazetën “Indipendent” të datës 25 maj 1997, ku Fevziu shkruan për ambasadorin italian Foresti, shkruan edhe Artan Meçi, i cili tre muaj më pas, me ardhjen e PS në pushtet, do të bëhej drejtor i Zbulimit në SHIK.[li]Fevziu do të ishte në marrëdhënie shumë të mira edhe me SHIK të kohës kur PS erdhi në pushtet.
Dy ditë pas shkrimit të cituar më lart, në 27 maj 1997, Fevziu botoi një shkrim tjetër për çështjen e përgjimit të bisedave Foresti-Shehu, me titull “Shtypi dhe solidariteti i gazetarëve”. Në këtë shkrim, Fevziu kërkoi të bëjë një paralele mes çështjes së publikimit të “Pentagon Papers” në SHBA, në kohën e Presidencës Nixon, dhe të publikimit të përgjimit të bisedave mes Forestit dhe Shehut. Fevziu shkruante:
Shembulli tipik i kësaj është botimi nga “Neë York Times” në vitin 1971 i asaj që u quajt “Dosja Uashington”. Nxjerrja në faqet e para të gazetës i këtij materiali që konsiderohej ushtarak dhe tepër sekret, provokoi reagimin e menjëhershëm të strukturave shtetërore. Qeveria e dërgoi çështjen në gjykatë dhe urdhëroi ndërprerjen e botimit. Të nesërmen e vendimit arbitrar, dosja vijoi të botohet në gazetat “Ëashington Post” dhe “Boston Globe”. E gjendur përpara faktit të kryer, Gjykata e Lartë amerikane, me 6 vota pro dhe 3 kundër, i dha të drejtë gazetës dhe urdhëroi vijimin e botimit. Ajo e motivoi këtë me faktin se gazeta ka të drejtë të thotë të vërtetën dhe kjo e vërtetë është e patjetërsueshme. Si të mos mjaftonte kjo, një vit më vonë, gazetës dhe drejtorit të saj Sulzberger, ju dha çmimi më i madh i gazetarisë, Pulitzer.[lii]
Por, të dy rastet nuk kanë asgjë të ngjashme. Përgjimi i bisedave Foresti-Shehu ishte një rast spiunazhi, qartësisht në dobi të një vendi të tretë, nga ata që në SHBA nuk janë toleruar kurrë dhe janë ndëshkuar rëndë. Vetë Fevziu, ka pohuar, siç e kam cituar më lart, se nga publikimi i përgjimit të bisedave Foresti-Shehu, përfitoi Greqia, për t’ i kërkuar llogari Italisë mbi Shqipërinë. Më tutje, Fevziu detyrohet që, jo vetëm të pohojë se gazeta “Indipendent”nuk pati aspak atë solidaritet në Shqipëri, që pati “New York Times” në rastin e përmendur prej tij, por madje të pohojë edhe arsyet se përse ndodhi kështu:
Rasti i mësipërm do të ngjante jetim në Shqipëri. Edhe pse rastet për solidaritet kanë qenë këtu më të shumta dhe më të nevojshme se kudo tjetër. Ajo që ka ndodhur me Indipendentin pak ditë më parë, mund ta ilustrojë fare mirë këtë. Publikimi nga ana e gazetës i një bisede telefonike mes dy personazhesh në zë, ra në një truall të ftohtë mosbesimi. Ky mosbesim u reflektua në faqet e disa prej gazetave kryesore në vend, kontrastoi me qëndrimin privat të drejtuesve dhe gazetarëve të tyre. Shumë nga ata nuk hezituan të shprehin urimet dhe komplimentat për skupin, për t’ i kthyer më pas këto në hije dyshimi mbi burimin dhe interesat që po luheshin.[liii]
Këtu Fevziu praktikisht ka pohuar dallimin mes rastit amerikan të përmendur prej tij, dhe çështjes së përgjimeve në të cilën u përfshi gazeta “Indipendent”. Fevziu ka pohuar, në mënyrën e vet, se pjesa tjetër e medias në Shqipëri, ua bëri me dije kolegëve të “Indipendent”se ata qenë përzierë në një histori spiunazhi ku luheshin interesa që nuk kishin të bënin me lirinë e informacionit. Fevziu përpiqej më kot të shikonte një kauzë morale në atë që kishte ndodhur:
Në të gjithë këtë, dhe në faktin që askush e përmendi emrin e gazetës, nuk u shtrua pyetja më e thjeshtë, a ishte kjo e vërtetë dhe a ishte e nevojshme të publikohej ky dialog misterioz? Akoma më tepër, kur Shehu bëri kallzim në Prokurori, në vend të solidaritetit normal për një rast të tillë, disa drejtues gazetash nxituan të ankohen në ambientet e Rognerit, ku rëndom, punojnë gazetarët e huaj.[liv]
Ajo çka kërkonte Fevziu ishte që të mos flitej fare për burimin misterioz të këtij informacioni, si dhe për interesat e atyre që ia shërbyen gazetës “Indipendent”atë. Kështu, Fevziu donte që të kryqëzohej ambasadori italian, dhe vetë Italia që qëndronte pas tij, dhe të mos prekej ambasadori grek, i cili në instancë të fundit qe burimi i informacionit, si dhe Greqia, e cila qëndronte pas tij. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu më lart, në një rast të tillë si ai publikimit të transkriptit të përgjimit nga gazeta “Indipendent”, pikërisht mungesa e solidaritetit nga ana e gazetave të tjera do të ishte normale në çdo vend të botës, dhe jo solidaritet. Kurrkund në botën e lirë medias nuk i pëlqen të tërhiqet për hunde në skenarë spiunazhi dhe agjenture influencuese, së paku jo atëherë kur nuk ka përfitim të drejtpërdrejtë. Më tutje, Fevziu, kërkon të bëjë një tymnajë sa i përket burimit të informacionit, dhe të shfajësojë Greqinë:
Dihet që çështja Foresti, më tepër se në Shqipëri do ta kishte jehonën e saj në Itali. Duke e ndjerë këtë, pjesa më e madhe e korrespondentëve italianë, që gjenden prej disa muajsh në kërkim të lajmeve këtu, u hodh me shpejtësi në gjueti. Preja e kësaj gjuetie që do t’ i servirej publikut italian nuk mund të shmangej nga shijet e tij. Dhe gazetarët që janë mësuar me idenë e një Shqipërie misterioze, gjysëm banditeske dhe gjysëm ekzotike, ndihmuar edhe nga librat e Graham Grinit me spiunazh, në vend të efektit politik dhe vërtetësisë së lajmit nisën diskutimin e burimit të tij. Pikërisht këtu ju erdhi në ndihmë dëshira e disa prej kolegëve tanë për t’ i ndërlikuar gjërat. Për t’ i thënë të bardhës së zezë dhe anasjelltas. Këta kolegë nisën komentet mbi lidhjet Indipendent- Shërbime sekrete amerikane etj., sipas një skenari që do të çmeriste çdo autor librash policeskë kudo në botë. Me këtë logjikë, një lexues italian mund të marrë vesh nga shtypi i tij, se gazeta Indipendent është krijuar nga Fondacioni Soros në Tiranë; se zëri i një femre në kasetë është ai i ambasadores amerikane; se tek ne ekzistojnë plot kaseta të tjera si dhe dokumente për shitjen e vizave nga Foresti, e plot absurditete, të cilat, ne vetë s’ i kishim menduar kurrë.[lv]
Edhe këtu Fevziu nuk rri dot pa treguar “talentin” e tij letrar. Çka hyjnë librat e Graham Greene këtu? Ai nuk ka shkruar për Shqipërinë! Faktet në këtë histori nuk mund të shpërfillen me atë se kështu imitohen librat e Graham Greene me spiunazh, të llojit “Njeriu ynë në Havanë”, të cilin e kam përmendur më lart. Nëse në këtë histori përgjimi qe përzier edhe CIA, kjo nuk ndryshonte asgjë në pistën greke, pasiqë në atë kohë CIA drejtohej nga një veprimtar vorio-epirot amerikan, i quajtur George Tenet. Sa për Fondacionin “Soros” nuk është një sekret që ai në atë kohë në Shqipëri vepronte në lidhje të ngushtë me CIA-n dhe Fondacioni “Soros” ishte një nga financuesit zyrtarë të gazetës “Indipendent”. Kështu që në atë kohë ekzistonte një lidhje e qartë në trekëndshin EYP (shërbimi i fshehtë grek)- CIA- Fondacioni “Soros”. Por ajo që nuk mund ta bënte kurrë CIA ishte që të përgjonte ambasadorin e një vendi të rëndësishëm të NATO-s, siç ishte Italia, me të cilin në atë kohë SHBA qenë në bisedime të vështira për trupat amerikane që do të qëndronin në Itali në periudhën e pas Luftës së Ftohtë, dhe që, për arsye të strategjisë amerikane, do të ishin më shumë se në kohën e Luftës së Ftohtë.
Fevziu, i instruktuar nga ata që i dhanë audioregjistrimin gazetës së tij, dy javë pas publikimit të bisedës Foresti-Shehu, botoi një koment, ku u mundua që ta zhvendoste vëmendjen nga kërkimi i burimit të informacionit dhe dorës misterioze që bëri përgjimin, duke kërkuar që t’ i paraqiste gjërat sikur bëhej fjalë për një konflikt të brendshëm të politikës italiane. Në shkrimin me titull “Politika italiane ndeshet në Tiranë”, të botuar në gazetën “Indipendent”, në 4 qershor 1997, Fevziu shkruan:
Dy muaj më parë, kur Prodi u kryqëzua nga kritikat e pjesës më të madhe të formacioneve politike italiane mbi pjesëmarrjen e Italisë në operacionin Alba, dhe kur votimi për të u konsiderua si një votëbesim i ri, shumë njerëz ngritën supet të habitur. Qeveria e fuqishme që kishte arritur t’ i rezistonte çështjes së buxhetit, pensioneve dhe kushteve europiane për pjesëmarrjen në monedhën e përbashkët nuk kishte pse të krisej për një problem në pamje të parë të dorës së dytë. Aq më tepër që të gjithë qenë dakord për misionin ushtarak dhe kjo i shërbente në radhë të parë Italisë.[lvi]
Fevziu këtu gënjen edhe për fakte të njohura gjerësisht në Shqipëri, për shkak se në atë kohë në Shqipëri përcilleshin me shumë vëmendje zhvillimet politike në Itali, me anë të televizioneve italiane, për arsye që merren me mend. Kryeministri italian i kohës, Romano Prodi, nuk u qortua nga pjesa më e madhe e partive politike italiane për vendimin për pjesëmarrjen e Italisë në forcën shumëkombëshe paqeruajtëse që do të shkonte në Shqipëri në pranverën e vitit 1997, por vetëm nga komunistët. Në koalicionin qeveritar të Prodit qe edhe një parti e vogël komuniste, Rifondazzione Communista, e cila ishte kundër pjesëmarrjes së Italisë në forcën shumëkombëshe që do të shkonte në Shqipëri. Për këtë arsye Prodit iu desh të kërkonte votën e opozitës së djathtë, e cila nuk e përdori këtë rast për të shkaktuar një krizë qeveritare. I vetmi kush i opozitës ishte që Prodi të pranonte se kishte një krizë qeveritare dhe të kërkonte votëbesim në parlament, çka edhe ndodhi. Në paragrafin e cituar më lart, Fevziu është kontradiktor, se më tutje thotë që se të gjitha palët e politikës italiane pajtoheshin për pjesëmarrjen e Italisë në forcën shumëkombëshe që do të shkonte në Shqipëri, kur e vërteta ishte se kundër qe një parti e koalicionit qeveritar. Kjo parti nuk besonte se pjesëmarrja në operacionin “Alba” i shërbente Italisë. Në fakt, pjesëmarrja e Italisë në forcën shumëkombëshe u ndërlikua pikërisht nga kjo gjë. Fevziu i tjetërson faktet se ai kërkon që t’ i paraqesë gjërat sikur në politikën italiane, palët në konflikt për çështjen shqiptare qenë ndarë ndryshe, nga ç’ ndodhte në realitet. Fevziu shkruan se:
Por një muaj më vonë, kur Indipendent botoi bisedën Foresti-Shehu dhe ngjarja bëri bujë në Romë, situatat u ndërlikuan përsëri. Prodi dhe Dini e mbrojtën ambasadorin e tyre, por pa ja falur gabimin fatal. Foresti u thirr në Romë dhe në vendin e tij u emërua një diplomat i njohur, me eksperiencë dhe emër të madh. Kriza e cila u duk se po shmangej u ndërlikua papritur dy ditë më vonë, pas intervistës tashmë të njohur të Incisa di Camerana. Largimi i tij, emërimi i një komisari të jashtëzakonshëm pranë Kryeministrisë dhe vendi i mbetur bosh, lanë të dyshosh se Shqipëria ishte vetëm një pretekst. Sherri për poltronën diplomatike të mbetur bosh në Tiranë, qe vetëm maja e një kontradikte politike në mazhorancën italiane ose edhe më gjerë. Dini, duket se nuk ka ndërmend të lëshojë monopolin e politikës së jashtme, ku ashtu si në sistemin bankar ndihet influent. Ai nuk ka ndërmend t’ i bëjë koncesione Prodit dhe të dy duket se përgjojnë gabimet e njëri-tjetrit. Kontradikta tashmë e pafshehur Prodi-Dini, lë të besosh se bisedat telefonike të Forestit nuk kanë qenë, ashtu siç u pretendua, një qëndrim personal i tij. Sipas të gjitha gjasave, ky është qëndrimi i qarqeve të caktuara diplomatike dhe politike italiane, në të cilat gjithkush mund të mendojë se përfshihet edhe vetë ministri italian. Është fare e thjeshtë të mendosh tani për dy qëndrime diplomatike apo për një politikë italiane të dyzuar. Fakti që Dini nuk e lëshoi Forestin, apo që Prodi mbërriti në Tiranë, komentoi Incisa Di Cameranan, por nuk komentoi apo nuk kërkoi falje për gjestin e Forestit, të lë të kuptosh se ai nuk mund të shkonte më larg se ministri i tij.[lvii]
Përsëri Fevziu i tjetërson faktet për të treguar se kishte një konflikt mes kryeministrit italian Prodi dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Dini, sa i përkiste politikës italiane ndaj Shqipërisë. Fevziu kërkon t’ i paraqesë gjërat sikur tashmë në Shqipëri kishte dy ambasadorë italianë, një që ishte ai tradicional, që punonte me ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe tjetri që ishte i dërguari personal i kryeministrit, në cilësinë e Komisarit të Jashtëzakonshëm për Shqipërinë, që u emërua nga kryeministri Prodi në 30 maj 1997. Por, Prodi, me emërimin e gjeneralit Franco Angioni si Komisar i Jashtëzakonshëm për kordinimin e ndihmës italiane për Shqipërinë, nuk kërkoi që të dublojë politikën italiane për Shqipërinë, por thjesht që të marrë masat për një skenar të rastit më të keq, që do të ishte ai nëse zgjedhjet politike që do të mbaheshin në fund të qershorit në Shqipëri, bënin që të shkallëzohej konflikti në Shqipëri deri në një luftë civile të përgjithshme, çka do të bënte që Italia të përballej me një dyndje të madhe refugjatësh të ardhur nga Shqipëria. Ambasadori Foresti u thirr në Romë, në 24 maj, tre ditë pas publikimit të përgjimeve. Në 30 maj, në vend të tij u emërua si ambasador në Shqipëri, Manfredo Incisa di Camerana, një diplomat karriere, i cili kishte titullin e ambasadorit, dhe që ishte bërë i njohur ndërkombëtarisht për shkak se ishte ndërmjetës mes palëve në luftën civile në Mozambik. Ai, me të marrë emërimin u vu në fokusin e medias, siç nuk kishte ndodhur kurrherë me një ambasador të Italisë në Shqipëri. Ditën që mori emërimin Incisa Di Camerana, i deklaroi shtypit:
Do të shkoj në Tiranë. Do të zgjidhim krizën. Do të punoj për paqen si në Mozambik.[lviii]
Me këtë Incisa di Camerana ekzagjeronte shumë rolin e tij dhe të Italisë në përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Incisa di Camerana nuk arriti as që të shkelte në Shqipëri, se deklaratat e tij të mëtutjeshme bënë që emërimi i tij të shfuqizohet, ende pa u mbushur 48 orë, për shkak të publikimit të një interviste të Inciso di Camerana tek gazeta “La Repubblica”, të cilën ky i fundit e mohoi, duke thënë se nuk kishte dhënë asnjë intervistë, por qe sajuar një e tillë me thëniet e tij të nxjerra jashtë kontekstit. Qartësisht, dikush qe i interesuar që Italia të mos kishte një diplomat të nivelit të Incisa di Camerana në Shqipëri. Këtë interes natyrisht që e kishte së pari Greqia. Nuk qe e vështirë për shërbimin e fshehtë grek që të infiltronte një intervistë të sajuar të Incisa di Camerana në shtypin e majtë italian, ku paranoja ideologjike prevalon rëndom mbi vetëdijen e interesit nacional italian, cka me shtypin e majtë grek nuk ndodh kurrë. Kështu që, në 1 qershor qeveria italiane e anuloi emërimin e Manfredo Inciso di Camerana si ambasador në Shqipëri. Në vend të tij u emërua Marcelo Spatafora, një diplomat shumë larg rangut të tij.
Gjithsesi, ajo që ndodhi në Romë me çështjen “Foresti”, qe simptomë e një të keqeje të politikës italiane, të një lloji tjetër nga ai për të cilin fantazon Fevziu. Kjo e keqe do të shfaqej më qartë në rastin “Ochalan”, rreth dy vjet më pas, kur Italia praktikisht u keqpërdor nga Greqia, duke u tërhequr për hunde që të vepronte në dëm të interesave të saj dhe në dobi të Greqisë. Qeveria italiane e drejtuar nga ish-komuniste D’ Alema, e ftoi në Romë shefin e rebelëve kurdë të Turqisë, Ochalan, i cili kërkohej si terrorist nga autoritetet turke. Kjo shkaktoi një krizë në marrëdhëniet italo-turke, me pasoja të rënda për interesat italiane në Turqi, pasiqë u dëmtuan investimet jo të pakta italiane në Turqi. Më pas u vërtetua se Ochalan bashkëpunonte ngushtësisht me Greqinë, e cila e sponsoronte atë për t’ i krijuar probleme armikut historik, Turqisë. Pikërisht njeriu që i kërkoi zyrtarisht llogari Italisë për çështjen “Foresti”, ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Pangallos, ishte ai që u detyrua të jepte dorëheqjen më pak se dy vjet më pas, kur u zbulua se Ochalan strehohej në selitë diplomatike greke.
Periudha, nga 21 maji 1997, kur u publikua përgjimi i bisedave të ambasadorit italian në Tiranë, Foresti, deri në 4 qershor 1997, kur u emërua ambasadori i ri, definitive, italian në Shqipëri, Spatafora, ishte një periudhë e turpit të madh për diplomacinë italiane, jo në sensin që thotë Fevziu, por se Italia, ky vend i madh, u poshtërua nga Greqia, e cila për më tepër ishte përfituese e ndihmës ekonomike italiane, në kuadrin e Bashkimit Europian. Vizita e Prodit në Tiranë, në 2 qershor 1997, me ç’ rast ai nuk e mbrojti ambasadorin Foresti dhe pranoi të komentojë thëniet e ambasadorit të porsashkarkuar Incisa di Camerana, shënon pikën më të ulët në marrëdhëniet italo-shqiptare, kur Italia qe poshtëruar nga Greqia, nën ndikimin e greko-amerikanëve në Washington.
Gjithsesi, një tjetër i humbur i kësaj historie ishte gazeta “Indipendent”, e cila doli të ishte njëpërdorimëshe, se u mbyll pasiqë u përdor në këtë aferë. Bashkë me gazetën “Indipendent” duket se u mbyll edhe karriera politike e Blendi Fevziut, i cili priste që të merrte shpërblim për të gjitha këto shërbime që kishte bërë, pas ardhjes së të majtës në pushtet, në zgjedhjet e qershorit. Fevziu, në atë kohë, ishte aq entuziast për rolin e tij në atë që e quante“Forestigate” saqë thoshte se do të shkruante një libër për këtë çështje. Por më pas, si duket edhe ai e kuptoi më së fundi se kjo ishte një nga ato ngjarje për të cilat edhe ai vetë do të donte që të harroheshin dhe të mos përmendeshin më, se ajo nuk ishte një histori gazetarie, por një histori spiunazhi.
[i] Gazeta “Studenti”, 24 dhjetor 1991, f. 3
[ii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 97-98
[iii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 95
[iv] po atje: f. 94-95
[v] Lat.- Në përshtatje me kohën
[vi] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 159-160
[vii] po atje: f. 160-161-162
[viii] po atje: f. 163
[ix] Gazeta “Poli i Qendrës”, 5 maj 1996, f. 4
Gazeta “Poli i Qendrës” ishte gazeta e përbashkët e Partisë Aleanca Demokratike dhe e Partisë Social-Demokrate
[x] Gazeta “Poli i Qendrës”, 24 maj 1996, f. 7
[xi] Gazeta “Poli i Qendrës”, 28 maj 1996, f. 1
[xii] Gazeta “Poli i Qendrës”, 28 maj 1996, f. 1
[xiii] Preç Zogaj, “Rënia e zgjedhjeve”, Shtëpia botuese “Dita”, Tiranë 1997, f. 196-197
[xiv] po atje: f. 196-197
[xv] po atje: f. 206
[xvi] po atje: f. 211-212
[xvii] Gazeta “Poli i Qendrës”, 29 maj 1996, f. 1
[xviii] Gazeta “Poli i Qendrës”, 30 maj 1996, f. 1
[xix] Gazeta “Poli i Qendrës”, 31 maj 1996, f. 3
[xx] Gazeta “Poli i Qendrës”, 1 qershor 1996, f. 1
[xxi] Gazeta “Poli i Qendrës”, 1 qershor 1996, f. 1
[xxii] Gazeta “Poli i Qendrës”, 1 qershor 1996, f. 2
[xxiii] Gazeta “Poli i Qendrës”, 12 qershor 1996, f. 1
[xxiv] Gazeta “Poli i Qendrës”, 12 qershor 1996, f. 1
[xxv] Gazeta “Poli i Qendrës”, 23 qershor 1996, f. 1
[xxvi]Gazeta “Poli i Qendrës”, 18 qershor 1996, f. 7
[xxvii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 259
[xxviii] po atje: f. 12-13
[xxix] po atje: f. 15
[xxx] po atje: f. 13-14
[xxxi] po atje: f. 14
[xxxii] po atje: f. 15
[xxxiii] Nikos Kazanzaqis, “Letër El Grekos”, Shtëpia botuese “Uegen”, Tiranë 2001, f. 432
[xxxiv] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 14
[xxxv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 13
[xxxvi] po atje: f. 11
[xxxvii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 33
[xxxviii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 214- 215
[xxxix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 11
[xl] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 215-216
[xli] po atje: f. 216
[xlii] po atje: f. 119
[xliii]Blendi Fevziu, “Histori e shtypit shqiptar: 1848: 2005”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2005
[xliv] “Fragmente nga bisedat sekrete Foresti-Shehu”. Gazeta “Indipendent”, 21 maj 1997, f. 1-2
[xlv] Gazeta “Indipendent, ”25 maj 1997, f. 2
[xlvi] po atje: f. 2
[xlvii] po atje: f. 2
[xlviii] po atje: f. 2
[xlix] po atje: f. 2
[l] po atje: f. 2
[li] po atje: f. 6
[lii] Gazeta “Indipendent”, 27 maj 1997, f. 1
[liii] po atje: f. 1-2
[liv] po atje: f. 2
[lv] po atje: f. 2
[lvi] Gazeta “Indipendent”, 4 qershor 1997, f. 6
[lvii] po atje: f. 6
[lviii]“Corriere della Sera”, 25 maj 1997, f. 1





