PJESA E PARË DELIRI ARISTOKRATIK




2.
Enigma e dedikimit paradoksal në librin “Enver Hoxha” të Fevziut: tre stërgjyshe por asnjë gjyshe

      Me të nisur shfletimin e librit të Blendi Fevziut “Enver Hoxha”, vura re diçka që më bindi përfundimisht se ishte krejt e vërtetë një histori dashurie e Enver Hoxhës, të cilën unë e pata dëgjuar dikur në qytetin tim të lindjes, në Korçë, por që ngurova ta shkruaj në librin tim biografik për jetën e Enver Hoxhës, të botuar në 2008, për shkak se të dhënat qenë vetëm të llojit të traditës gojore. Unë që në parathënien e librit tim shpaloja metodologjinë time së cilës iu përmbajta me rreptësi, se traditën orale për Enver Hoxhën do ta sillja vetëm kur ajo mbështetej nga të dhëna të tjera që nga pikëpamja metodologjike mund të quhen si dokumente. Një tribut të cilin duhet të jenë të përgatitur ta paguajnë biografët e personave të njohur, çka pretendon të jetë Fevziu është mundësia që të shkruhet edhe vetë biografia e tyre (e biografit), me të njëjtën metodologji të cilën ata e zbatojnë ndaj subjektit të përzgjedhur prej tyre. Kjo është një nga pikëpamjet nga e cila e kam shkruar këtë biografi të Blendi Fevziut, “biografit” të Enver Hoxhës. Pra, unë jam përpjekur që ta shkruaj këtë libër ashtu siç do ta kishte shkruar Blendi Fevziu një libër autobiografik, nëse këtë gjë do ta kishte bërë sipas së njëjtës metodologji me të cilën ka zgjedhur që të shkruajë librin për Enver Hoxhën. Madje, unë e citoj Fevziun shumë më tepër sesa citon ai Enver Hoxhën në çështje të tilla si gjenealogjia, paraardhësit historikë, familja, shkolla, pikënisja e karrierës politike etj. Blendi Fevziu shkruan në mënyrë aluduese për Enver Hoxhën se:
      Mund të jetë sa për këtë arsye inferioriteti, aq edhe për arsye më të vështira për t’ u shpjeguar, që në kujtimet e tij, Enver Hoxha foli shumë pak për babanë e tij, Halilin.[i]
      Por a nuk është detyra e një biografi që të kërkojë shpjegime për “arsyet e vështira”? Blendi Fevziu i paraqet dilemat dhe u ikën atyre, duke lënë hije dyshimi se Enver Hoxha kishte një dilemë mbi atësinë e tij. Më tutje, Fevziu, shkruan, në të njëjtin stil:
      Se përse Hoxha nuk i kushton shumë vëmendje babait të tij Halilit, nuk dihet.[ii]
      Përsëri i njëjti stil aludues. I shqyrtuar nga kjo pikëpamje metodologjike e Fevziut e cituar më lart, këtij dedikimit në fillim të librit të tij, mund t’ i bëhet një zbërthim shumë interesant. Në korrik 2011 Fevziu kishte si të ftuar të vetëm në emisionin e tij “Opinion”, Simon Sebag Montefiore, biografin e Stalinit, i cili kishte ardhur në Shqipëri pas botimit të librit të tij në gjuhën shqipe. Gjëja që më bëri më shumë përshtypje tek intervista ishte se Fevziu nuk e pyeti Montefioren për një gjë të re që kishte sjellë ai si biograf i Stalinit, rrëfimin e detajuar për fëmijët ilegalë të Stalinit.[iii]Arsyeja e mospyetjes duhet kërkuar tek vetëdija e Fevziut për historinë e gjyshes së tij me Enver Hoxhën. Shembulli i Montefiores na tregon se biografi i një politikani dhe shtetari nuk duhet të ngurojë të hyjë në detajet familjare dhe fisnore të subjektit të tij. Natyrisht se duke bërë këtë gjë biografi do të shqyrtojë jetën private të personave të tjerë, jeta private e të cilëve u kryqëzua me atë të politikanit dhe shtetarit, i cili është subjekt i librit biografik. Aq më tepër që një njeri, i cili pretendon një status aristokratik në një shoqëri të barazisë legale, çka është Shqipëria e sotme, siç bën Fevziu, duhet të jetë i përgatitur që të paguajë një tribut të tillë. Në librin “Enver Hoxha”, Fevziu ka futur edhe gojëdhëna dhe anekdota politike për Enver Hoxhën. Kështu që çdo biograf i Fevziut është i legjitimuar që të përfshijë në një libër biografik për Fevziun, të gjitha rrëfimet në trajtën e anekdotave politike që qarkullojnë për Fevziun. Nëntitulli i librit të Fevziut “Enver Hoxha” është:
      E para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën.
      Unë arkivin personal të Fevziut nuk kam si ta gjej. Fevziu ka thënë se do të publikojë një pjesë të “arkivit personal” të vet në një ditar politik, që përfshin periudhën nga viti 1989 deri në 2009. Por ndonëse e ka thënë këtë gjë prej dy vjetësh, ende nuk e ka bërë. Nëse Fevziu do ta kishte botuar, në ndërkohë që unë po shkruaja këtë libër, unë do t’ i isha referuar këtij ditari, ndonëse kam dyshime të forta se Fevziu nuk ka mbajtur vërtet një ditar politik, por thjesht e ka krijuar më vonë, duke përdorur koleksionet e gazetave. Por unë kam pasur mundësi të mbledh rrëfimet e atyre që e kanë njohur nga afër Fevziun në periudha të ndryshme të jetës së tij, dhe ato i kam sjellë në libër. Në librin tim, metodologjia që ka përdorur Fevziu në librin “Enver Hoxha”, është vetëm një aspekt i metodologjisë që unë kam përdorur. Kjo për faktin se metodologjia e Fevziut, në tërësi, nuk përmbush standardin metodologjik që kërkohet të ketë një libër biografik, dhe që është vendosur si standard nëpërmjet librave të autorëve më të njohur të kësaj lloj literature. Kur mora në dorë librin e Blendi Fevziut “Enver Hoxha” dhe pashë dedikimin që Blendi Fevziu ka bërë në hyrje të librit të tij e kuptova se qe fjala për një dokument unik në llojin e vet, një gjëagjëzë shumë kërshërore për ata të cilët e njohin mirë biografinë e “biografit” të Enver Hoxhës. Dedikimi ka vetëm 26 fjalë:
      Prindërve të mi, babait Hektorit, kujtimit të sime mëje, Rezanës! Kujtimit të dajë Aliut dhe stërgjysheve të mia të bardha që shenjuan fëmijërinë dhe formimin tim!
      Cilido lexues, edhe ai që nuk i njeh faktet e errëta të biografisë dhe të gjenealogjisë së “biograf” Fevziut, e kupton se këtu ka, jo më diçka, por shumëçka që nuk shkon. Në linjë femërore përmenden stërgjyshet, por jo gjyshet! Megjithatë, në linjë mashkullore nuk përmendet asnjë stërgjysh, madje asnjë gjysh! Nuk duket e besueshme që Fevziu ka përmendur vetëm të afërmit e tij të cilët i ka njohur dhe kanë ndikuar në formimin e tij. Është krejt e pabesueshme që Fevziu, i cili lindi në 1969, të ketë pasur gjallë në fëmijërinë e vet, tre nga stërgjyshet, të cilat supozohet që të kenë ndikuar formësimin e tij intelektual. Nëse do të kishte ndodhur kështu, atëherë me të vërtetë që Fevziu do të ishte një rast unik. Ai që njeh faktet e së shkuarës së Fevziut dhe të rrethit familjar të tij, do të ishte në gjendje që ta vinte “biografin” e Enver Hoxhës përballë shumë pyetjeve, jo më pak si numër se sa ka fjalë dedikimi:
      Pse Blendi në dedikim të gjithë personat i përmend me emër, përveç stëgjysheve, të cilat i ka njohur në fëmijëri, dhe për të cilat në një vend tjetër shkruan se kanë qenë tre? Pse mbeten silueta në errësirë këto tre “stërgjyshet e bardha”, të cilat duke qenë nga familje “historike” dhe “të persekutuara” politike, supozohej që të nderoheshin duke iu përmendur emri në një libër të tillë? Pse e sajon Fevziu historinë e tre stërgjysheve që e formësuan atë në fëmijërinë e tij? Pse Blendi nuk mban mbiemrin e “babait Hektor”, i cili e ka mbiemrin “Bregasi”? A nuk duhet që “biografi” kinse “skrupuloz” i Enver Hoxhës ta quante dajë Aliun (i cili në fakt është daja i nënës së tij) “baba Aliu”, se Blendi mban mbiemrin e dajës së nënës, “Fevziu”, pikërisht se është adoptuar si djalë nga daja i nënës së tij? Nëse Blendi është adoptuar nga daja i nënës, që të mund të largohej nga vendi ku familja e tij gjendej e internuar, në katundin Dushk të Lushnjës, për të ardhur në Tiranë, siç ka legjenduar familja, atëherë përsë Blendi pas vitit 1990 nuk rimori mbiemrin e babait të vet? Ku ishin gjyshet e tij, që ky djalë na paska mbetur me stërgjyshet? Pse Blendi nuk përfshin në dedikim edhe gjyshin e tij, Ali Ypi, babain e nënës së tij, i cili jetoi deri në fund të viteve tetëdhjetë, dhe ishte në Lushnjë gjatë kohës që Blendi ishte me banim atje?  Pse babai i “biografit” të Enver Hoxhës, Hektori, e ka mbiemrin “Bregasi” dhe i ati i tij, gjyshi i Blendit e ka pasur mbiemrin “Starova”? Pse gjyshi i “biografit” të Enver Hoxhës, Nekiu, lindi me mbiemrin “Hysenbegasi” dhe vdiq me mbiemrin “Starova”? Pse “biografi” i Enver Hoxhës, i cili kërkon të na bindë se ka zbuluar shumë detaje enigmatike të biografisë së këtij të fundit, edhe kur shkruan një dedikim të thjeshtë, më tepër se të bëjë këtë, na reflekton dilemat mbi biografinë dhe gjenealogjinë e vet?
      Pse në një dedikim ku përmenden deri edhe tre stërgjyshet dhe daja i nënës, nuk përmendet gruaja, apo edhe fëmija? Në rrethana normale nuk do t’ i lejoja vetes që të pyesja se përse dikush nuk përfshin gruan dhe vajzën e tij në dedikimin e një libri ku ka përfshirë dhe stërgjyshet, por në rastin e Fevziut, po i lejoj vetes që të zbatoj metodologjinë aluduese me të cilën “biografi” hedh hije dyshimi mbi marrëdhëniet bashkëshortore të Enver Hoxhës me Nexhmijen, a ka të bëjë në mungesën e mësipërme fakti që Fevziu nuk e ka celebruar me martesë formale bashkëjetesën e vet? A mos është ndoshta kompleksi i Baronit Dë Tunder-ten trok, ai që e ndalon Fevziun ta bëjë këtë gjë? Baroni Dë Tunder-ten trunk nuk pranoi që motra e tij të martohej me Kandidin se ajo i kishte shtatëdhjetë e dy shkallë fisnikërie, ndërsa Kandidi nuk kishte asnjë të tillë. Këto janë vetëm disa nga pyetjet. Këtyre dhe pyetjeve të tjera do t’ i përgjigjem në vazhdim të librit. Të tjera do të dalin gjatë librit dhe do të marrin përgjigje.
      Në vazhdim të këtij libri, do të rrëfej se si vetë Blendi Fevziu e pohon se ai nuk ka njohur qoftë edhe njërën nga tre stërgjyshet e tij. Arsyeja për të cilën në dedikim mungojnë gjyshë dhe gjyshe ka të bëjë sa me vetëdijen, aq edhe me pavetëdijen e Fevziut. Me këtë përjashtim, Fevziu praktikisht ka konfirmuar tërthorazi njohjen personale që dy paraardhësit e tij, gjyshi dhe gjyshja nga babai, kanë  pasur me Enver Hoxhën, në rrethana që e bëjnë krejt të papëlqyeshme për Fevziun përmendjen e tyre në dedikim. Blendi Fevziu, duke mos përmendur në dedikim gjyshen dhe gjyshin e tij nga i ati, ka zbuluar dilemat e thella që ai ka pasur kur ka shkruar biografinë e Enver Hoxhës, si dhe motivet e tij të thella, për të cilat ka shkruar këtë libër. Mungesa e gjyshit dhe gjyshes nga ana e babait në dedikimin në fillim të librit të Fevziut “Enver Hoxha”, e shndërron dedikimin me 26 fjalë në një dokument që flet shumë për historinë e familjes së Fevziut, dhe atij vetë, histori që është e lidhur drejtpërdrejt dhe ngushtë me Enver Hoxhën.
      Dedikimi në fillim të librit të lartpërmendur të Fevziut, është një kryevepër epigramatike në llojin e vet. Nuk është ironi e vogël që një “biograf” e fillon një libër biografik duke paraqitur një epigram të tillë të biografisë së vet! I pëlqen apo nuk i pëlqen Fevziut, dedikimi i tij në fillim të librit të tij “Enver Hoxha”. është shndërruar në një fragment të gazetarisë rozë! Në fund të librit të tij “Enver Hoxha”, Fevziu thotë se e ka shkruar atë gjatë dy muajve, në qershor- gusht 2011. Nëse është kështu, atëherë ka shumë të ngjarë që konceptimi i dedikimit në fillim të librit, t’ i ketë marrë autorit më shumë kohë dhe mund se vetë libri! Në vazhdim të këtij libri unë do të zbërthej gjëagjëzën biografike që ka vendosur Fevziu në fillim të librit të tij. Në thelb të kësaj gjëagjëze qëndron kompleksi që i është krijuar Fevziut për shkak të ndryshimit të mbiemrit të tij. Në dedikim mungon gjyshi dhe gjyshja nga i ati, pikërisht ata që kanë inicuar ndryshimin e mbiemrave në familje.
      Duke lexuar librin e Blendi Fevziut “Enver Hoxha” vura re se kishte diçka që nuk shkonte, por që nuk po e kapja dot me leximin e parë. Ndoshta sepse, unë si autor i një biografie të mëparshme të Enver Hoxhës, në dy vëllime, të botuara në vitet 2008-2009,  në leximin e parë të librit të Fevziut kisha një interes si të thuash profesional. Kështu që u detyrova t’ i rikthehem librit të Fevziut dhe, ndërsa lexoja, pak nga pak ishte duke u kristalizuar në mendjen time ajo që në leximin e parë pati qenë vetëm një përshtypje, të cilën ende nuk po e kristalizoja dot si mendim të qartë. Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha”kishte anashkaluar dhe përjashtuar gjithçka të regjimit të Enver Hoxhës që kishte formësuar fatin e tij (Fevziut) dhe të familjes së tij në kohën e diktaturës komuniste. Kështu, Fevziu nuk thotë asgjë në librin e tij për dukurinë e ndryshimit të mbiemrave nga të deklasuarit në kohën e diktaturës komuniste, për t’ ju shmangur sadopak goditjes së luftës së klasave. Libri “Enver Hoxha” i Fevziut është një libër i shkruar nga një njeri që kishte ndryshuar mbiemrin në kohën e diktaturës komuniste, dhe që 20 vjet pas ndryshimeve politike në Shqipëri, kur u bë “biograf” i Enver Hoxhës, nuk ishte rikthyer ende tek mbiemri i vet, i cili për më tepër ishte një mbiemër të cilin e kishte ndryshuar familja e tij në kohën e komunizmit. Në kohën e regjimit komunist, kur lufta e klasave bëhej mbi bazën e parimit të fajësisë kolektive familjare dhe fisnore, që inicohej nga shpallja prej regjimit si i deklasuar e “armik”, i një njeriu të familjes, apo të fisit, mbiemri shndërrohej në një stigmë që e shënjonte njeriun ashtu siç shenjoheshin në mesjetë të dënuarit me hekur të skuqur. Njerëzit, të cilët e mbanin këtë stigmë përpiqeshin që të çliroheshin prej saj duke e ndryshuar mbiemrin, gjë që nuk ishte e lehtë, posaçërisht kur bëhej fjalë për njerëz “stigma” e të cilëve ishte shumë e njohur, se mbiemri i tyre lidhej me ngjarje të njohura të historisë komuniste. Në rastin e këtyre të fundit, ndryshimi mund të bëhej vetëm me miratimin e Sigurimit të Shtetit, kur mbiemri bëhej pengesë për veprimtarinë e këtyre njerëzve, për llogari të spiunazhit komunist. Pas rënies së regjimit komunist, pjesa më e madhe e njerëzve që patën ndryshuar mbiemrat dikur, apo pasardhësit e tyre, kur të parët nuk jetonin më, rimorën mbiemrat e tyre të mëparshëm. Por pati dhe një grup njerëzish të cilët edhe pas vitit 1991, mbajtën mbiemrat e ndryshuar. Këta njerëz, të cilët qëndruan të kamufluar edhe në liri, përbëjnë një dukuri interesante. Nga këta të fundit, ata më intriguesit janë disa individë, të cilët në kohën e komunizmit ia arritën që të ndryshojnë mbiemra të cilët, në kushtet e regjimit komunist, konsideroheshin si të pamundur të ndryshoheshin. Ekzemplari më interesant, për shkak edhe se ka një profil të lartë publik, i këtyre lloj njerëzve është Blendi Fevziu. Fevziu si person është i shenjuar nga një paradoks kërshëror. Ndonëse ai pretendon se është një njeri me prejardhje aristokratike që vjen nga disa familje të mëdha shqiptare të aristokracisë otomane, megjithatë ai vazhdon të mbajë si mbiemër emrin e njërit prej stërgjyshërve të tij nga nëna, të cilin e mori në kohën e komunizmit. Arsyet për të cilat Fevziu e bën këtë gjë, kërkojnë një libër të tërë për t’ u shpjeguar.
      Shumëkush mund të thotë se përse duhet që kjo çështja e mbiemrit të ketë kaq rëndësi. Por kjo çështje ka rëndësi sepse Fevziu vazhdon të qëndrojë i kamufluar edhe në liri. Fevziu pa befasisht se mbiemri i tij, të cilit i kishte ikur familja e tij, ishte problematik edhe në periudhën paskomuniste, ndonëse për arsye të ndryshme nga ato në të cilat ishte problematik në kohën e komunizmit. Nuk është befasi që në librin e Fevziut “Enver Hoxha” mungon një dukuri e kohës së regjimit komunist, ndryshimi i mbiemrave për t’ i ikur luftës së klasave. Merret vesh, “Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari”, siç thotë proverbi. Fevziu, i cili në librin e vet sjell shembuj individësh për të ilustruar luftën e klasave, në këtë rast ishte dashur që të sillte shembull veten dhe familjen e tij, gjë që ai nuk ka parapëlqyer ta bëjë se kështu do t’ i duhej që të shpjegonte se përse dreqin edhe në 2011 kur u botua libri, autori në kapakun e librit mban mbiemrin kamuflues të kohës së komunizmit. Unë dyshoj shumë se një studiues në të ardhmen, i cili nuk ka përjetuar regjimin komunist në Shqipëri, do të jetë në gjendje që të rrokë në tërësinë e vet domethënien e paragrafit të mësipërm, pra se çka implikonte ndryshimi i mbiemrit për t’ i ikur sadopak goditjes së luftës së klasave, rrezikut që bartte vetë veprimi i ndryshimit të mbiemrit, kur dikush ia dilte që të bënte këtë, ose se ç’ rrezik bartte deri edhe vetë orvatja për ta bërë ndryshimin e mbiemrit. Gjithashtu unë dyshoj shumë se një studiues i së ardhmes, i cili nuk ka përjetuar kohën e komunizmit dhe të tranzicionit, do të arrijë të kuptojë se çka do të thotë fakti që Fevziu nuk ka rimarrë mbiemrin e vet, pas rënies së komunizmit. Kjo nuk ishte një rastësi, por vinte nga një kompleks faji, për shkak të historisë së familjes së tij dhe së vetës personale në kohën e komunizmit.
      Ironikisht, pikërisht një njeri të tillë si Fevziun, kryeministri Berisha, në promovimin e librit të tij, e shpalli praktikisht biografin e autorizuar nga qeveria e tij, për të shkruar biografinë e Enver Hoxhës. Unë konstatova se nuk mund të bëhet një kritikë serioze e librit “Enver Hoxha” të Fevziut, pa shkruar një biografi të Fevziut. Madje, sjellja e Fevziut pas rënies së diktaturës komuniste, është shumë instruktuese si shembull i një syndrome të veçantë që u krijua tek njerëz të caktuar gjatë diktaturës komuniste, dhe që vazhdon t’ i sundojë ende. Kur unë nisa të shkruaj kritikën ndaj këtij libri të Fevziut, ura re se konteksti i domosdoshëm i kritikës së biografisë fevziane të Enver Hoxhës, është vetë biografia e Fevziut, pra biografia e pseudobiografit të Enver Hoxhës. Vetëm kështu mund të kuptohet ky produkt pervers intelektual që është libri biografik i Fevziut “Enver Hoxha”. Kjo ishte një arsye shtesë për të shkruar biografinë e Fevziut.

            
3.
“Gjëja që më çuditi fëmijërinë ishte fisi: emrat e mëdhenj historikë”: Gjenealogjia e një pseudoaristokrati

      Blendi Fevziu, në një autobiografi të vetën të botuar në 1992, në fund të një libri në të cilin është bashkëautor me Ben Blushin, shkruante:
      Gjëja që më çuditi fëmijërinë ishte fisi: emrat e mëdhenj historikë, qytetet e famshëm dhe varret e harruar në qimitere të largët.[iv]
      E njëjta fjali gjendet edhe në autobiografinë që Fevziu paraqiti në fund të një libri të tij, të botuar në 1996.[v] Në intervistën që dha për Ilva Tare në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 2011, Fevziu duke “rrëfyer për vetveten”, tha:
      Unë e kam thënë disa herë të tjera që familja ime ishte një nga familjet më të pasura dhe të rëndësishme të Shqipërisë së Mesme. Babai im vinte nga një familje shumë e rëndësishme e Korçës dhe Pogradecit.
      Por Fevziu nuk përmend kurrë se cilët kanë qenë mbiemrat e këtyre familjeve. Ai nuk përmend kurrë mbiemrin e familjes së babait. As për familjen e nënës së tij nuk flet kurrë. Ndonëse flet shpesh në media për familjen e tij, Fevziu parapëlqen që këtë ta bëjë në përgjithësi, dhe të përmendë me emër vetëm ndonjë stërgjysh të nënës, si Refik Toptani, apo Abdyl Ypi, por jo paraardhësit më të afërt të tij nga babai dhe nëna. Në një intervistë që Fevziu dha për gazetën “Mapo”në korrik 2011, që u botua edhe në gazetën “Koha Jonë”, Fevziu u pyet:
      Cila ka qenë familja juaj, ambienti ku jeni rritur?[vi]
      Përgjigjia e Fevziut ishte:
      Një familje fenomenale. Një familje që më shumë sesa prindërit dominohej nga tri stërgjyshe. Tri plaka të bardha që vinin nga familje të mëdha dhe me ndikim të madh në historinë e Shqipërisë. Një prej stërgjyshërve kishte qenë anëtar i Këshillit të Naltë në vitet 1921-1923, ndërsa stërgjyshi tjetër Ministër i Brendshëm dhe deputet në vitet 1921- 1924. Shtëpia ishte e mbushur me detaje nga historia e Shqipërisë, me kujtime gojore, por edhe letra, dekorata, shpata të vjetra dhe uniforma ushtarake, që më mrekullonin me shkëlqimin e tyre. Ishte një botë që s’ ekzistonte më, e harruar dhe që komunizmi e luftonte, por ishte aty. Në atë familje u rrita me dy mësime: që komunizmi gënjente për historinë dhe e shkruante atë siç donte; dhe e dyta, që unë kisha përse të mburresha me të parët e mi. Ishin njerëz që kishin punuar për të ndërtuar një shtet indipendent shqiptar dhe kishin luajtur rol në vitet e para të konsolidimit të tij.[vii]
      Nga këto fjalë të Blendi Fevziut dalin shumë dyshime. Fevziu gënjen hapur kur thotë se në kohën e diktaturës komuniste, në shtëpinë e tij kishte letra, dekorata, dhe uniforma ushtarake, të kohës së para ardhjes së komunistëve në pushtet, në 1944. Një familje e deklasuar nuk mund të guxonte ta bënte një gjë të tillë, se mbajtja e këtyre sendeve e çonte në burg atë që i kishte ruajtur. Njerëzit nga familja e Fevziut, të cilët i kishin pasur këto dekorata dhe uniforma përmendeshin për keq në librat e historisë zyrtare të kohës së diktaturës komuniste, kështu që mbajtja e këtyre sendeve qe një rrezik që asnjë i deklasuar nuk do ta merrte parasysh. Aq më pak që t’ ia tregonin ato një fëmije, i cili mund të fliste jashtë shtëpisë. Fevziu e thotë këtë gënjeshtër për të krijuar përshtypjen se ai është rritur si ata fëmijët aristokratë të librave dhe filmave, të cilët kanë lindur në familje me tradita shtetërore dhe ushtarake dhe të cilët jetojnë dhe formohen mes simboleve aristokratike, të llojit shtetëror dhe ushtarak.
      Gjithsesi, as këtë herë Blendi Fevziu nuk përmend emra. Cilët kanë qenë këta paraardhës të tij me emra të mëdhenj historikë? Çfarë i kanë dhënë ata Shqipërisë dhe me çfarë e kanë pasuruar historinë e saj? Pse Fevziu nuk ka bërë së paku një shkrim ku t’ i tregojë me hollësi këta paraardhës historikë të tij? Cili ka qenë ky stërgjysh i tij që ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme dhe deputet në vitet 1921-24? Pse nuk e përmend emrin e tij? Kur një njeri shkruan në këtë mënyrë që shkruan Fevziu, atëherë iu jep të drejtën të tjerëve që të zhbirilojnë, hulumutojnë, studiojnë mbi paraardhësit e tij, gjenealogjinë e tij dhe të zbulojnë se si është e vërteta. Dhe sa më thellë studion gjenealogjinë e Fevziut, aq më tepër vëren një paradoks intrigues. Blendi Fevziu nuk përmend pikërisht ata paraardhës të tij, të afërt, të cilët kanë emra historikë. Paraardhësi më i afërt i Blendi Fevziut që ka mbajtur postet më të larta në administratën shqiptare ka qenë stërgjyshi i tij nga nëna, Bajram Fevziu, gjyshi i nënës së tij. Ai është ministri i Punëve të Brendshme në fillim të viteve ‘20, që përmend Blendi Fevziu, siç e kam cituar më lart. Veç kësaj, ai ka qenë deputet dhe shef i Shtatmadhorisë (Shtabit të Përgjithshëm) të Ushtrisë Shqiptare në po këtë periudhë. E megjithatë, nuk ka një shkrim të Blendi Fevziut për këtë paraardhës të tij. Blendi Fevziu ka bërë vetëm dy shkrime të veçanta për paraardhësit e tij me emra historikë, dhe këto dy shkrime janë për dy paraardhës më të të largët të tij. Njëri shkrim është për Said Sermedin bej Toptanin, stër-stërgjyshin e tij, dhe tjetri është për stërgjyshin e tij Abdyl bej Ypin.
      Por paraardhësi më i afërt i Blendi Fevziut me emër historik është gjyshi i tij nga ana e babait, Neki bej Starova, i cili ka qenë anëtar i organizatës së fshehtë politike “Krahu Kombëtar”, prefekt në Dibër, kryetar bashkie në Berat etj. Por, këtë paraardhës të tij të afërt Blendi Fevziu nuk e përmend kurrë, madje nuk mban as mbiemrin e tij! Kjo është një gjë shumë intriguese për një njeri si Blendi që pretendon se ka në gjenealogjinë e tij emra historikë! Aq më tepër kur ky gjysh i tij është vrarë në një atentat misterioz gjatë Luftës së Dytë Botërore. Neki bej Starova, me origjinë nga Starova e Pogradecit, është një person që ka hyrë në historinë politike të Shqipërisë, në gjysmën e parë të shekullit XX, madje ka qenë protagonist në disa ngjarje shumë të diskutuara dhe enigmatike të saj. Kjo do të kishte qenë e mjaftueshme që Blendi ta përmendte për të kënaqur vanitetin e tij. Ndonëse Blendi Fevziu kishte arsye shumë serioze, për të mos e përmendur këtë gjysh të vetin në kohën e diktaturës komuniste, siç do të tregoj më tutje në këtë libër, është kërshëror fakti se ai vazhdon ta mohojë ende.
      Blendi Fevziu deri më sot nuk ka botuar një gjenealogji të tij, ku të tregojë pemën gjenealogjike aristokratike të tij, me kaq shumë  paraardhës të supozuar aristokratë të tij, të cilët e njihnin mirë Europën, qenë shkolluar atje dhe flisnin gjuhët e saj. Arsyet për të cilat Blendi Fevziu nuk e bën këtë gjë, janë disa. E para është se kështu ai do të detyrohet të zbulojë mbiemrat që ka ndryshuar familja e tij, çka do ta detyrojë që të shpjegojë përse ka ndodhur kjo. Arsyeja tjetër është se, nëse Blendi Fevziu do të bënte këtë gjenealogji, atëherë do të dilte e plotë tabloja e asaj që në gjuhën e diktaturës komuniste në Shqipëri quhej “përbërje e keqe politike”, do të thotë biografia politike e familjes së Blendi Fevziut. Kështu, “biografi” i Enver Hoxhës, Blendi Fevziu do të gjendej para detyrimit për të shpjeguar se, si ka ndodhur që familja e tij dhe ai vetë, duke qenë të deklasuar (një tjetër term i asaj kohe për të treguar klasat e përmbysura shoqërore) në një shkallë kaq të madhe, u trajtuan nga regjimi komunist ndryshe nga të ngjashmit e tyre, dhe praktikisht si të privilegjuar. Përderisa Blendi Fevziu nuk e bën këtë gjenealogji, mund të thuhet se ai është njeriu që i fyen më së shumti paraardhësit e tij, duke folur për ta në mënyrë evazive, më së shumti pa ua përmendur emrat, dhe duke e shprehur në mënyrë të mjegullt lidhjen që ka me ta. Megjithatë, kur një shqiptar del dhe pretendon një prejardhje të tillë aristokratike, me profil perëndimor, studiuesve u lind e drejta që ta shqyrtojnë origjinën dhe gjenealogjinë e këtij njeriu, se nëse kjo gjë del e vërtetë, atëherë është një arsye që të mburren të gjithë shqiptarët si komb me këtë njeri.
      Fevziu ka një mani të çuditshme për t’ u shfaqur si një lloj ringjallësi i aristokracisë shqiptare dhe këtë e bën duke u nisur nga prejardhja e tij prej disa familjeve të mëdha të Shqipërisë otomane. Argumenti më i mirë mbi atë se Blendi Fevziu e përdor emisionin e tij televiziv në interesin e vet personal është fakti se Fevziu ka prirjen që të bëjë një rivlerësim të periudhës otomane të Shqipërisë, duke e paraqitur atë në një dritë të mirë. Kuptohet se Fevziu e bën këtë për interesin e vet, se ai e quan veten aristokrat në sajë të prejardhjes së tij nga aristokracia otomane. E vërteta që del nga faktet është se paraardhësit e Fevziut janë ilustrimi më i saktë i asaj dukurie të shoqërisë shqiptare të dy dekadave të para pas shpalljes së Pavarësisë, të cilën Fan Noli e përshkruan, në terma denoncues, në parathënien e botimit shqip të “Don Kishotit të Mançës”. Fan Noli shkruan në introduktën (parathënien) e shqipërimit të “Don Kishotit të Mançës”, se dyshja Don Kishot-Sanço Pança ishte një dukuri mbizotëruese në realitetin shqiptar të kohës, prandaj ai e përzgjodhi këtë libër për të paraqitur, satirikisht, atë të keqe serioze të shtetit të ri shqiptar, ku aristokratët e varfëruar otomanë, kërkonin një status të privilegjuar në shoqëri, mbi bazën e titujve të fisnikërisë otomane. Këta aristokratë otomanë shqiptarë kërkonin që shteti i ri shqiptar të ishte Shqipëria otomane në trajtë karikature. Noli shkruan se:
      Në Shqipëri kjo vepër do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Se atje tipet e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothua të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të dekllasuar pa bazë ekonomike dhe kanë rënë në kllasin e bejlurçinave, qëkur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që aherë, aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe si shefë bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashkibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Asinë dhe Afrikën. Këta dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feodale, medievale, prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur përgjithnjë, se ashtu ua do interesi i kllasit, se ashtu gjejnë punë dhe bukë. Bejlurçinat e larot e Shqipërisë na bëjnë sot të qeshim e të qajmë me prapavajtjen e tyre, tamam si me Don Kishotin e me Sançon. Dhëntë zoti të na bëjnë nesër të qeshim, se të qajmë na bënë mjaft.[viii]
      Pavarësisht se dikush mund të mos ndajë shumë ide politike të Fan S. Nolit, është vështirë të thuhet se ai ekzagjeron në këtë pikë. Në kohën kur Shqipëria e ndarë nga Imperia Otomane, duhej të bënte gjithçka për të krijuar imazhin e një shteti europian, ruajtja dhe legjitimimi i traditës aristokratike otomane, të bejlerëve, pashëve, bajraktarëve, dhe qënia e këtyre me shumicë në drejtimin e shtetit të ri, ishte një mënyrë e sigurt për ta kompromentuar shtetin e ri, si një principatë otomane në mes të Europës.       Gjithsesi, nëse Fan S. Noli do të kishte qenë krejt i sinqertë, ai do të kishte pohuar gabimin e tij, që edhe në lëvizjen e tij, të proklamuar si kundër bejlerëve, pati sa të duash edhe bejlurçina të tilla, pa përmendur bajraktarët. Një shembull i këtyre bejlurçinave ishte Neki bej Starova, gjyshi i Blendi Fevziut nga babai. Pasiqë u zhgënjye prej Ahmet Zogut, nga i cili priste të merrte një portofol ministri, për shërbimet që i kishte bërë, Neki beu kaloi në anën e Fan Nolit, për t’ u rikthyer më vonë përsëri me Zogun. Ky është arhetipi politik i Fevziut. Në fantazinë e tij, Blendi Fevziu mendon se është duke imituar Faik Konicën, beun e oksidentalizuar, me të cilin thotë se diplomoi në 1991. Por, derisa Konica lindi në një familje bejlerësh të mirëfilltë, e cila e deklasua me kalimin e kohës, dhe ai pati meritën se u oksidentalizua më tepër se çdo njeri tjetër i klasës së tij, Fevziu është një njeri që pretendon se tashmë është formuar si një perëndimor, por që njëkohësisht kërkon të rigjejë shpirtin e klasës së tij bejlerëve, çka e bën atë një snob delirant. Si bejlurçinë-laro, Fevziut, si moderator i emisionit “Opinion”, nuk i shkon përcaktimi “Kalorës i Fytyrës së Trishtuar”, si Don Kishotit, por Kalorës i Fytyrës së Ngërdheshur. Personaliteti i dyfishtë prej bejlurçine-laro i Fevziut, ka bërë që tek ai të lindë “Tartarini i Taraskonit”, për të cilin krijuesi i këtij personazhi, Alphonse Daudet (Alfons Dode), shkruan:
      Don Kishoti dhe Sanço Pança brenda të njëjtit person.[ix]
      Ashtu si Tartarini i Taraskonit, që bënte aventura trimërore të rreme, dhe që mungonte gjithmonë atje ku qenë aventurat e vërteta, edhe Fevziu, sic do ta tregoj në këtë libër, ndonëse shtiret se si gazetar ka kërkuar aventurat e profesionit, rreziqet, sfidat e vështira, u është shmangur gjithëhëherë atyre.
      Gjëja e parë që të bën përshtypje kur studion origjinën dhe gjenealogjinë e Blendi Fevziut, është mbiemri i tij. Nuk ka ekzistuar një familje aristokratike e njohur shqiptare e kohës otomane me mbiemrin “Fevziu”. Veç kësaj, “Fevziu” nuk është mbiemri i babait të Blendit. Babai i Blendit quhet Hektor Bregasi. Atëherë ku e gjeti Blendi mbiemrin “Fevziu”? Mbiemri “Fevziu” është mbiemri i stërgjyshit të Blendit nga nëna. Nëna e Blendit, e cila quhej Rezana (fjala do të thotë “unazë” në osmanisht) kishte baba Ali Ypin dhe nënë Alisi Fevziun. Kjo Alisi Fevziu ishte vajza e Bajram Fevziut. Alisi Fevziu u arratis në Jugollavi në vitin 1949, duke lënë në Shqipëri burrin dhe një vajzë, nënën e Blendit. Blendi u birësua në moshën 14 vjeç nga daja i nënës, vëllai i Alisit, Ali Fevziu, i cili nuk kishte fëmijë. Prej këtej mbiemri “Fevziu” i Blendit, të cilin e mban ende edhe sot. Bajram Fevziu i përkiste njërës prej atyre familjeve të bejlerëve, të cilat erdhën duke u rrënuar gjithëherë e më tepër pas Tanzimatit, dhe që dëbimi i otomanëve nga Ballkani u dha goditjen e fundit. Për Bajram Fevziun madje ka dhe dyshime të arsyeshme se nuk ishte as shqiptar.
      Pyetja e natyrshme që lind kur lexon fjalët e cituara më lart të Blendi Fevziut, në intervistën për “Mapo”, si dhe kur dëgjon thëniet e tij në disa intervista televizive për origjinën aristokratike të tij, për të cilat do të flas më tutje, është se përse ky njeri, për të cilin paska kaq shumë rëndësi origjina aristokratike otomane, nuk mban mbiemrin që i takon nga babai dhe që i përket një familjeje aristokratike otomane? Blendi Fevziu është bej nga i ati, i cili është i biri i Neki bej Starovës, nga Starova e Pogradecit. Por as “Starova” nuk është mbiemri i vërtetë i familjes së tij. Neki beu, kur hyri në politikë pas krijimit të shtetit shqiptar, filloi të mbante mbiemrin e vendlindjes së tij, dhe jo atë të familjes së tij. Mbiemri familjar i Neki beut ishte “Hysenbegasi”, dhe ai e kishte ndryshuar këtë për arsye të cilat do t’ i bëj të njohura më tutje në këtë libër. Blendi Fevziu, të cilit i pëlqen që të mburret me paraardhësit e tij bejlerë, megjithatë nuk e përmend kurrë gjyshin e tij nga babai. Në intervistën e gjatë që Blendi Fevziu dha në emisionin “Tonight”të Ilva Tares, në Tv Ora News, në 20 dhjetor 2011, ai tha:
      Babai im vinte nga një familje shumë e rëndësishme e Korçës dhe e Pogradecit.[x]
      Por Blendi Fevziu nuk e përmendi se cili ishte mbiemri i familjes së të atit, i cili mban mbiemrin “Bregasi”. As në Korçë dhe as në Pogradec nuk ka ndonjë familje të rëndësishme historike me mbiemrin “Bregasi”. Arsyen për të cilën Blendi Fevziu vepron kështu, do ta shpjegoj më tutje në këtë libër. Gjithsesi, arsyeja për të cilën Fevziu vepron kështu, do ta kishte bërë Fan Nolin që të shkruante një satirë në frymën e introduktës së tij për botimin në shqip të “Don Kishotit të Mançës”. Se ajo çka Fan Noli nuk e parashikoi dot ishte se, rreth një shekull pas kohës për të cilën bënte fjalë ai, në Shqipëri, ndryshimi i klimës politike do të bënte që të ndodhte një mutacion shoqëror, nga i cili do të lindte një tip i ri, një hibrid: bejlurçina-laro. Pasardhësit e bejlurçinave otomane, pasi pësuan një deklasim tjetër edhe më të rëndë, nga komunizmi, gjatë kohës të së cilit u shndërruan në laro të Sigurimit të Shtetit, u ringjallën pas rënies së komunizmit dhe filluan të mburren me gjenealogjinë e tyre aristokratike, në ndërkohë që nga ambicja për karrierë, bënin laron politik. Në Shqipërinë paskomuniste vërehet kështu karikatura e karikaturës. Sot, disa nga pasardhësit e aristokracisë otomane, të cilët u persekutuan gjatë diktaturës komuniste, pasiqë u pasuruan në bashkëpunim me persekutorët e tyre ish-komuniste, tani kërkojnë që të paraqiten si aristokracia e Shqipërisë, në sajë të titujve të mykur otomanë të beut dhe të bajraktarit.
      Të tillë tipa, të llojit të bejlurçinës-laro, ose të bajraktarit-laro, i gjen si në të majtë të politikës, ashtu dhe në të djathtë. Është ky tip i bejlurçinës-laro dhe i bajraktarit-laro, që mund të quhet si specia më e neveritshme dhe e çuditshme e mutantëve politiko-socialë të lindur gjatë tranzicionit shqiptar. Ekzemplari më shprehës i bejlurçinës-laro është Blendi Fevziu. Kjo është një nga arsyet për të cilat  unë po shkruaj biografinë e Blendi Fevziut. Biografia e tij është një lloj stigmatizimi i të gjithë llojit të tij. Me fillimin e politikës pluraliste në Shqipëri, para dy dekadash, të dy krahët e politikës shqiptare, si e djathta dhe e majta, filluan që të bëjnë lojën e dekorit politik, duke përzgjedhur njerëz me origjinë nga familjet aristokratike të kohës otomane, pra pasardhës të bejlerëve dhe të bajraktarëve. Nuk do të kishte qenë dhe aq keq, sikur të qenë përzgjedhur njerëz me sadopak personalitet dhe integritet, por u përzgjodhën ata më të këqinjtë e llojit të tyre. Në parlamentin e parë pluralist, në 1991, Partia e Punës në pushtet, kishte si një prej oratorëve të saj më aktivë në parlament një plak folklorik me origjinë nga një derë e njohur bajraktari në Malësinë e Madhe. Partia Demokratike natyrisht që do të kishte edhe më tepër njerëz të këtij lloji. Me këtë rast, një kategori njerëzish përfituan për të bërë karrierë politike vetëm për shkak të mbiemrit dhe të origjinës familjare. Ata që e kanë bërë këtë gjë në këto dy dekada janë të shumtë. Kështu lulëzoi në politikë specia e bejlurçinës-laro, si djathtas, ashtu dhe majtas. Në fillim, bejlurçinat-laro kishin frikë dhe ngurim se mos demaskoheshin keq, por më pas u doli krejt frika dhe turpi. Në vitin 1991, Blendi Fevziu bëri gjithçka që të ishte kandidat për deputet i PD në zgjedhjet e para pluraliste të marsit 1991, dhe kur e arriti këtë, befasisht bëri gjithçka që ta hiqte emrin nga lista! Kjo gjë e bën Fevziun një nga politikanët më intrigues të tranzicionit, një arsye më tepër kjo që të shkruhet biografia e tij, aq më tepër duke u nisur nga motive që kishte Fevziu për të vepruar kështu.
      Volteri krijoi personazhin e Baronit Dë Tunder-ten-tronk për të satirizuar aristokratët e varfëruar anakronikë, të cilët kishin humbur gjithçka, por që ende mburreshin, dhe e mbanin veten më lart se të tjerët, për shkak të prejardhjes së tyre që tashmë ishte reduktuar në një mit gjenealogjik absurd. Baroni Dë tunder-ten-tronk, ndonëse i shndërruar në një karikaturë të aristokratit, në letër ishte megjithatë aristokrat. Por çka mund të thuhet për një njeri si Blendi Fevziu, i cili në shekullin XXI, ka maninë që të paraqitet si aristokrat i llojit perëndimor, në sajë të prejardhjes së tij nga disa familje të mëdha të Shqipërisë otomane? Nëse Blendi Fevziu është Baroni Dë Tunder-ten-tronk në versionin shqiptar, ai nuk është gjë tjetër veçse Baroni Dë Tunder-ten-tronk në trajtë karikature, pra karikatura e karikaturës, ndryshe kuintesenca e karikaturës. Blendi Fevziu ka shkruar një ese me titull “A ka elitë në Shqipëri?”, ku rrëfen meditimet e tij në një darkë me miqtë, ku u bisedua mbi çështjen nëse ka elitë në Shqipëri:
      Miku im e mbylli diskutimin me një frazë që aq shpesh kisha filluar ta dëgjoja vitet e fundit në Shqipëri: Eh, tek ne s’ ka elitë or mik!
      I stimuluar nga fraza e tij u ngula të dëgjoja një diskutim të gjatë, ku shumica e miqve dhe mikeshave të mia u përfshinë sipas dijeve dhe arsyetimit të tyre. Mes logjikës se nuk kemi një elitë të vërtetë, se klasa e të pasuruarve të rinj që duhet të ishte e tillë përbëhet kryesisht prej njerëzish pa shkollë dhe shpesh problematikë; se në të vërtetë nuk kemi pasur asnjëherë elitë; se mungesa e saj reflekton mungesën e një ekuilibri më të thellë të shoqërisë; ose të faktit se elitat kanë ekzistuar, por se ato i fshiu komunizmi, m’ u desh t’ ia shtroja edhe një herë pyetjen vetes: A kemi dhe akoma më shumë a kemi pasur ne një elitë të vërtetë në Shqipëri? Natyrisht, bëhet fjalë për një elitë që të arrijë të qëndrojë në nivelet më të larta dhe dinjitoze të shoqërisë së Perëndimit, që të jetë pjesë e saj dhe që në momente të caktuara, të jetë fanari i vërtetë i zhvillimeve shoqërore të vendit. Në këtë kuptim, pa dyshim, që nuk ekziston dhe kjo nuk është e vështirë që të evidentohet. Duke u shtyrë më tej, nuk mund të quhej aspak elitë paria e fshatrave apo qyteteve të vegjël në fillim të shekullit XX, ku njerëz që dinin të shkruanin apo të lexonin më mirë sesa bashkëfshatarët e tyre konsideroheshin si ajka intelektuale e krahinës; as ata prijësa apo liderë, shpesh analfabetë që aftësia për të vrarë apo luftuar me trimëri, i kishte shndërruar në përsonazhe të folklorit. Nuk mund të konsideroheshin as pasanikët e rinj, shumica e të cilëve i kishin përqafuar rregullat e etikës dhe edukatës nxitimthi, por që në vetvete vajtonin ende ditët e mrekullueshme, kur kishin punuar si shoferë eksporti, apo kamerierë tek Hotel Dajti. Si për t’ i dhënë një përgjigje më të mirë një pjese më të madhe të tyre, m’ u desh të huaj një copë interesante nga një tregim i Kiplingut. Një pasanik anglez, i obsesuar nga ideja për t’ i ngjarë fisnikëve të vjetër, kishte blerë kështjellën e lashtë të njërit prej tyre, titullin e tij dhe padyshim bashkë me ta kishte trashëguar edhe maxherdomin e tij të vjetër. Në një mbrëmje solemne, kur karroca me stemë priste jashtë dhe kur maxhordomi plak, që kishte shërbyer më shumë se 40 vjet tek lordi i rënë nga vakti e priste t’ i hapte derën, zotnia i drejtoi atij pyetjen që nuk e priste aspak:- Si më rri fraku o plak?
      Me korrektesën e një shërbyesi të vjetër dhe me edukatën e ftohtë, plaku i dha përgjigjen që ai nuk e priste aspak:
      -Fraku do 300 vjet që të të rrijë mirë dhe siç duhet imzot!
      Plaku inteligjent i kishte thënë më mirë se kushdo se pasuria fitohet, por fisnikëria trashëgohet dhe për të ardhur deri tek ajo, duhen as më shumë as më pak por 300 vjet. Nuk e di se sa reale ka qenë fabula e Kiplingut dhe nuk e di nëse duhen patjetër 300 vjet për të pasur një elitë të vërtetë. Për anglezët dhe termat e tyre mbase po! [xi]
      Këtu, Fevziu identifikon elitën me aristokracinë. Kur dihet se në një shoqëri demokratike këto nuk janë e njëjta gjë, madje edhe në një shoqëri aristokratike nuk janë e njëjta gjë. Kur bëhet fjalë për elitë, nënkuptohet një cilësi intelektuale që e zotëron ky grupim i shoqërisë. Fevziu mendon si surrogat-aristokrat. Ai është pjesë e elitës thjesht për faktin se ka një trashëgimi aristokratike të bejlerëve të oksidentalizuar. Kur Fevziu, në vazhdim të esesë së tij sjell katër shembuj të shqiptarëve që mund të quhen elitarë në rang europian. Të katër këta janë bejlerë. Të parin, Fevziu vendos Jusuf Vrionin për të cilin thotë:
      Po a ishte për shembull Jusuf Vrioni pjesë e një elite jo thjesht shqiptare dhe a kishte shembull më të mirë përfaqësimi për ne? Vështirë ta mohosh dhe vështirë të gjesh një vend tjetër lindor që të ketë pasur një personazh të tillë.[xii]
      Jusuf Vrioni kishte qenë një play boy i pasur në Parisin dhe Romën e periudhës midis dy luftrave botërore, por vështirë se ai mund të quhet njeriu i përshtatshëm për elitën e një vendi. Megjithë dy diplomat e tij pariziane, në shtypin shqiptar të kohës nuk gjen asnjë shkrim të tij. Si Jusuf Vrioni, në Paris dhe në Romë shkonin një pafundësi njerëzish të pasur nga vendet e tjera të botës, që diplomoheshin në Perëndim, mësonin mënyrat e sjelljes perëndimore, bënin gjithcka për t’ u shoqëruar me njerëz të shoqërisë së lartë, dhe për këtë shpenzonin paratë e tyre për argëtime të rafinuara, pa u interesuar për gjendjen në vendin e tyre. Më tutje, Fevziu shkruan, duke vazhduar të sjellë shembuj:
      Po Jusuf Vrioni nuk ishte i vetmi. As vëllai i tij, Mehmeti, që derisa vdiq, mbeti një ndër frekuentuesit e elitës italiane dhe një ambasador i famshëm.[xiii]
      Vëllai i Jusuf Vrionit, Mehmetali Vrioni ka qenë një tjetër playboy, si vëllai i vogël. Pasiqë diplomoi në Sorbonë në 1941, ai jetoi në Itali, dhe pas Luftës së Dytë Botërore gjeti një punë si zyrtar i rangut të ulët pranë UNESCO në Paris. Asnjëherë nuk ka qenë ai ambasador i famshëm, siç thotë Fevziu. Shembulli i tretë që sjell Fevziu më tutje është:
      Një tjetër kushëri i tyre, i quajtur Nuredin bej Vlora, djali i kryeministrit të famshëm dhe të fundit të Perandorisë Osmane, Ferid Pashë Vlorës, kishte bërë emër në ambientet aristokratike të gjysmës së Europës midis dy luftrave. Emri i tij mund të gjendet ende në revistat italiane që përshkruajnë kronikën mundane të Romës e Napolit, por fatkeqësisht, ai nuk qe asnjëherë veçanërisht i njohur në Shqipëri.[xiv]
      Përsëri një bej! Edhe Nuredin bej Vlora ishte një tjetër playboy nga ata djemtë e pasur që shkonin çdo vit me mijëra në Perëndim nga pjesa tjetër e botës, dhe që orbitonin rreth shoqërisë së lartë të kryeqyteteve perëndimore, duke koleksionuar me vanitet takime, pritje, darka, ndeshje tenisi etj., me njerëz të shoqërisë së lartë Asgjë të veçantë nuk ka bërë ai që të mund të quhet një njeri i elitës shqiptare. Më tutje Fevziu shton:
      Por veç vëllezërve Vrioni dhe Nuredin Vlorës, Londra kishte njohur, në fillim të shekullit, dy fisnikë të mrekullueshëm shqiptarë, Faik dhe Mehmet Konicën.[xv]
      Të gjithë bejlerë! Ndonëse nga të gjithë ata që ka përmendur Fevziu, Faik Konica është i vetmi që meriton të quhet shembull i njeriut të elitës shqiptare. Si njeriun model të elitës shqiptare, Fevziu na sjell këtë:
      Por pa dyshim, më i famshmi dhe më i spikaturi mes tyre mbetet një emër tjetër i njohur vetëm tashmë së fundi në Shqipëri. Bëhet fjalë për Eqrem bej Vlorën, pinjoll i familjes së njohur dhe njëri prej intelektualëve të mrekullueshëm që ka nxjerrë ky vend.[xvi]
      Eqrem bej Vlora ishte një njeri i kultivuar, por ai nuk mund të quhet më i famshmi dhe më i spikaturi. Ky vlerësim i Fevziut ngjan edhe më i dyshimtë, duke konsideruar se të gjashtë shembujt që sjell ai, janë të gjithë bejlerë! Fevziu nuk sjell asnjë shembull të krishteri, katolik dhe ortodoks. Merret vesh, për Blendi bej Fevziun, elita shqiptare është ekskluzivisht osmano-islamike! Eqrem bej Vlora, të cilin Fevziu e sjell si model të intelektualit elitar shqiptar, të habit me një kontradiktë në personalitetin e tij, që ngjan si fatalitet vetëshkatërrues. Ai shkruan në kujtimet e tij për martesën:
      Më 9 shkurt 1925 unë isha martuar. Bashkëshortja ime ishte Hadija, e bija e Salih Pashë Vrionit, xhaxhait të sime mëje dhe vëllait të kunatit të tim eti. Gruaja ime ishte rritur, kishte humbur që në fëmijëri baba dhe nënë dhe ishte rritur në shtëpinë e xhaxhallarëve të saj Omer Pasha dhe Galip Pasha. Ajo ishte 19 vjeç më e vogël se unë! Pra ishte një martesë me mendje dhe jo me dashuri. Nismëtarët e kësaj lidhjeje u bënë tezja ime e dashur dhe shumë mentare, Nasipeja, e shoqja e Galip Pashë Vrionit dhe im atë. Martesa me këtë kushërirë kaq të bukur, serioze, të vetëdijshme për sojin e saj, por edhe shumë të re, nuk do të më kishte shkuar kurrë ndërmend dhe jam i bindur që edhe ajo vetë nuk e kishte menduar ndonjëherë këtë mundësi. Megjithatë kjo martesë u bë dhe tani jam i bindur se unë vetë nuk do të kisha bërë kurrë një zgjedhje kaq të qëlluar dhe fatlume.[xvii]
      Kur lexon këto rreshta nga kujtimet e Eqrem bej Vlorës, nuk mund të mos habitesh që ky njeri, me kaq erudicion dhe sens vëzhgues, thotë, si për një gjë të natyrshme se ai u martua me kushërirën e dytë dhe me të pati dhe fëmijë. Eqrem bej Vlora, sigurisht që i njihte të këqijat e incestit, dhe megjithatë ai e bëri këtë martesë. A thua se ai vepronte si marionetë e komanduar nga një forcë okulte që ishte një mallkim që e ndiqte pas aristokracinë shqiptare të kohës osmane, ashtu siç kishte bërë dhe babai i tij dhe paraardhësit e tij. Gjenealogjia incestuoze ka qenë një mallkim i familjeve aristokratike osmane shqiptare, familjeve të bejlerëve dhe të pashallarëve, të cilat bënin martesa incestuoze për të mos lejuar që pronat e tyre të binin në duart e njerëzve jashtë fisit dhe rrethit të krushqisë. Kur u krijua shteti shqiptar, me dëbimin e otomanëve nga Ballkani, aristokracia osmane shqiptare e mbetur në vend, bejlerët dhe pashallarët, për shkak të gjenealogjisë incestuoze, mund të krijonin fare mirë komunitetin e një klinike psikiatrike, me të gjithë llojet e të sëmurëve, që nga defiçentët, debilët, paranoiakët, deri tek njerëzit me çrregullime më te lehta psikike, dhe ata që ishin bartës të sëmundjeve neurodegjenerative që do t’ u shfaqeshin në moshë më të madhe. Çrregullimet psikike të ardhura nga trashëgimia gjenetike incestuoze qenë me sa duket pasojë e mallkimit që rëndonte mbi aristokracinë osmane shqiptare, që sundoi Shqipërinë në shekujt e okupimit osman dhe që sundoi dhe shtetin shqiptar që me krijimin e tij, deri në vitin 1944. Të bëhet të besosh se aristokracinë osmane muslimane shqiptare e zuri mallkimi i aristokracisë së krishterë shqiptare të periudhës paraotomane, e cila mërgoi nga vendi kur ai u okupua nga osmanët. Duket se aristokracia e krishterë kur braktisi vendin la pas një mallkim për ata që do t’ i uzurponin vendin asaj: U çmendshi dhe ju shuajttë raca!
      Blendi Fevziu ka në trashëgiminë e vet gjenetike një gjenealogji të pasur incestuoze nga familjet bejlere Toptani, Ypi, Hysenbegasi, Fevziu etj. Prej këtej vijnë çrregullimet e personalitetit të Blendi Fevziut: mitomania, deliret. Fevziu mund të quhet  “aristokrat” vetëm për shkak të një titull që ka, atë të Urdhrit të Kalorësve të Lugës së Çorbës së Prishur, por për të nuk i pëlqen të flasë. Fakti që autori i librit “Enver Hoxha”, Fevziu, është një bejlurçinë-laro, ka bërë që librin e tij ta përshkojë një paradoks. Biograf Fevziu shkruan për diktatorin me delirin e aristokratit, të njeriut i cili e mban veten për një aristokrat të lartë, në gjenealogjinë e të cilit janë disa familje të mëdha bejlerësh. Fevziu-biograf i Enver Hoxhës është një bej i cili po kqyr me ironi jetën dhe bëmat e njerëzve të shtresave të ulëta, të harbutëve, të cilët u përzien në çështjet e politikës së lartë dhe sollën ato pasoja që sollën. Në librin e Fevziut, më tepër se keqardhja që Shqipëria u bë komuniste, ndjehet keqardhja që klasa e tij, e aristokracisë osmane, humbi sundimin e vendit. Është vështirë të ekzagjerohet në konstatimin e delirit prej aristokrati që shfaq Blendi Fevziu në librin e vet.


4.
Origjina toptanase e Blendi Fevziut

      Blendi Fevziu ka me Toptanët një lidhje nga ana e nënës. Stërgjyshi i tij nga nëna, Bajram Fevziu (1884-1928), u martua me Nigjare Toptanin, vajzën e Refik bej Toptanit (1870-1937), djalit të Said Sermedin Toptanit. Nga martesa e Bajram Fevziut me Nigjare Toptanin lindën një djalë me emrin Ali dhe një vajzë, me emrin Alisi. Alisi Fevziu u martua me Ali Ypin, djalin Abdyl bej Ypit. Nga kjo martesë lindi nëna e Blendi Fevziut, me emrin Rezana. Kjo është e vërteta e lidhjes toptanase të Blendi Fevziut. Të gjitha të tjerat që thuhen në media për të, se është stërnip i Esat Pashë Toptani janë spekulime pa bazë. Refik Toptani i përkiste një dege toptanasish të ndryshme nga ajo e Esatit dhe nuk ishte kushëri i afërt me këtë të fundit.
      Refik Toptani (1870-1937), njëri prej stërgjyshëve të Blendi Fevziut nga nëna, kishte pasur një rekord të mirë si atdhetar deri në vitin 1912. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit në 1908, u dënua nga autoritetet otomane për përhapjen e literaturës shqipe në 1910. Në 26 nëntor 1912 ai ishte pjesëmarrës në aktin e ngritjes së flamurit shqiptar në Tiranë, në kohën që ushtria serbe po i afrohej qytetit. Nga ky stërgjysh toptanas, Blendi Fevziu ka trashëguar veset e tij politike, pa trashëguar asnjë nga virtutet e tij. Stërgjyshi toptanas i Blendi Fevziut do të ishte aktiv në politikën shqiptare në gjysmën e parë të viteve njëzet. Në 1921, pasiqë në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e para politike, u krijuan dy parti të mëdha, Partia Popullore, me bazë organizatën e fshehtë “Krahu Kombëtar”, e cila vetëparaqitej si reformatore, kundër bejlerëve, nga njëra anë, dhe Partia Përparimtare, e cila kërkonte që të ruante statusin e privilegjuar të klasës aristokratike otomane, në anën tjetër. Derisa Refik bej Toptani u bë deputet i Partisë Përparimtare, dhëndrri i tij, Bajram bej  Fevziu u bë deputet i Partisë Popullore. Mënyra se si ata të dy bënë karrierë politike duke zbatuar një lloj makiavelizmi vulgar, të përshtatur në rrethanat e Shqipërisë së kohës, dhe duke shfrytëzuar me shkathtësi situatat e turbullta politike të asaj kohe, mund të shërbejë si një lloj manuali që për të kuptuar se si funksiononin gjërat në politikën shqiptare të kohës. Ajo çka ndodhi me Refik Toptanin dhe Bajram Fevziun në atë kohë, u shndërrua në një stereotip që do të përsëritej në mënyrë kërshërore më pas nga Blendi Fevziu dhe të afërmit e tij, në vitet nëntëdhjetë.
      Kur në dhjetor 1921, parlamenti shkarkoi dhe zëvendësoi dy nga katër anëtarët e Këshillit të Naltë (kryesisë kolektive të shtetit, regjencës) Aqif Biçakçiun dhe Imzot Luigj Bumçin, për shkak se ata kishin përmbysur qeverinë e ligjshme, me këtë rast dhanë dorëheqjen edhe dy anëtarët e tjerë të Këshillit të Naltë, me arsyetimin se duke qenë se ata qenë zgjedhur bashkërisht, dhe nuk mund të rrinin më në detyrë pasiqë qenë larguar gjysma e tyre. Njëri prej të dorëhequrve ishte Abdi Toptani. Parlamenti i dalë nga Kongresi i Lushnjës, dhe që nuk ndjehej ende i sigurt në Tiranë, ku Toptanët kishin shumë ndikim, e gjente të nevojshme që një nga anëtarët e Këshillit të Naltë të ishte toptanas. Kështu që Refik Toptani u zgjodh anëtar i Këshillit të Naltë, pra bashkëkryetar i shtetit. Stërgjyshi toptanas i Blendi Fevziut, Refiku u implikuan në kryengritjen e marsit 1922, për përmbysjen e pushtetit të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Refik Toptani u soll në një mënyrë mjaft të dyshimtë gjatë Lëvizjes së Marsit 1922, kur kryengritësit hynë në Tiranë, duke e detyruar qeverinë dhe parlamentin të largohen në Elbasan, ndërsa Zogu u ngujua në selinë e qeverisë dhe e mbrojti atë. Sejfi Vllamasi, një politikan i lartë i kohës, dhe kundërshtar i kryengritësve të marsit, e për këtë arsye edhe i besueshëm në këtë rast, rrëfen në kujtimet e veta një episod nga kjo ngjarje, kur komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë, Meleq Frashëri, u nis t’ u dilte para kryengritësve që po marshonin drejt Tiranës, për t’ i penguar me forcë që të hynin në kryeqytet:
      Fuqia e Meleqit para se të arrinte afër Kamzës ra në përgjakje. Fuqia e Hysni Toskës në marrëveshje qysh më parë me kundërshtarët, largohet para se të fillonte lufta dhe Meleqi me ata pak xhandarë që kish mbeti vetëm përpara armikut. Lufta filloi në befasi dhe si rezultat i saj vriten gjysma e xhandarmëve kurse Meleqi plagoset. Me gjithë këshillat e Muço Kapinovës që të kthehej në Tiranë në kalë, ai nuk dëgjoi të kthehej, qëndroi në vend derisa mbërrinë njerëzit e Elezit, midis të cilëve Azis Pilafi. Ky i mori pushkën, unazën e gishtit dhe të plagosur e vrau me një plumb kokës. Azis Pilafi më vonë u arrestua prej kapiten Riza Cerovës, komandant i xhandarmërisë së qarkut të Dibrës, dhe zhduket misteriozisht. 
      Me vrasjen e Meleqit, Refik Toptani, anëtar i Këshillit të Naltë që ndodhej në Kamëz, hipur mbi pelën e të vrarit, me vrap mbërrini në Tiranë duke prurë lajmin e zi të vrasjes së Meleqit dhe e tradhtisë së fuqive të Hysni Toskës. Një panik i tmerrshëm filloi. Më 8 mars 1922, pararojet e Elezit kishin arrirë në lagjet e jashtme të Tiranës, nga ana e veriperëndimit. Zogu me ato pak fuqi që dispononte qeveria ndërkohë po mundohej të merrte masat e rastit për mbrojtjen e kryeqytetit. Kurse qeveria bashkë me deputet u mblodh në kryeministri dhe vendosi të largohej në Elbasan, mbasi Tirana po bëhej fushë lufte.[xviii]
      Si ishte e mundur që kryengritësit lejuan që t’ u ikte nga duart një anëtar të Këshillit të Naltë? Përse e kursyen Refik beun kryengritësit, të cilët vranë komandantin e përgjithshëm të Xhandarmërisë? Refik beu, në rastin më të keq do të ishte një rob me mjaft vlerë. Aq më tepër kur dhëndrri i tij, Bajram Fevziu ishte  prefekt i Vlorës, në atë kohë dhe vjehrri mund të ndikonte tek ai. Kryengritësit jo vetëm e lirojnë Refik beun, por i japin dhe kalin e komandantit të vrarë të fuqive qeveritare! Të gjitha këto të bëjnë të kuptosh se Refik beu ishte në marrëveshje me kryengritësit, dhe se ai shkoi në Tiranë për të rritur sa më shumë panikun atje. Kur Refik beu pa se kryengritja dështoi, atëherë ai bëri kinse nuk kishte asnjë lidhje me të. Qeveria e kohës nuk mund të mos e kishte kuptuar sjelljen e Refik beut, por megjithatë parapëlqeu të heshtte. Në kryengritje qenë përzier haptazi të tjerë toptanas të fuqishëm, Abdi Toptani, Hamit Toptani, kështu që qeverisë dhe shumicës parlamentare nuk i konvenonte që të armiqësohej edhe me toptanasin e fundit të fuqishëm që në dukje ishte në anën e saj. Ende gjykohej e nevojshme që një toptanas i rëndësishëm të ishte në Këshillin e Naltë.  
      Kur Ahmet Zogu u bë kryeministër në 1922, ai natyrisht se e ndjente të nevojshme të bënte për vete sa më shumë anëtarë të Këshillit të Naltë. Duke qenë se njëri nga anëtarët, Sotir Peci, ishte kundërshtar i Zogut, dhe tjetri Gjon Çoba ishte një njeri i lëkundur (ai dha dorëheqjen në maj 1924 me fillimin e luftës civile që më pas u quajt me eufemizmin “Revolucioni i Qershorit”), Zogut i mbetej që të kërkonte mbështetjen e dy anëtarëve të tjerë, Xhafer bej Ypit dhe të Refik bej Toptanit. Zogu pati qenë ai që më së shumti u rrezikua nga sjellja e Refik beut gjatë Lëvizjes së Marsit, se Zogu atëherë gjendej i ngujuar në selinë e qeverisë, i rrethuar nga kryengritësit, dhe nëse binte mbrojtja, atëherë me siguri që kryengritësit do ta kishin pushkatuar Zogun. Por Zogu e dinte se Refik beu nuk kishte më alternativë. Refik beu ishte i vetëdijshëm se kundërshtarët e Zogut nuk do ta trajtonin atë më mirë se Zogun. Kështu që rrethanat e reja e bënin Refik beun aleat të Zogut. Kur Zogu, në prill 1923, katër muaj pasiqë ishte bërë kryeministër, e emëroi Bajram Fevziun Shef të Shtatmadhorisë (Shtabit të Përgjithshmë të Ushtrisë), në këtë vendim nuk mund të mos ketë ndikuar fakti që Bajram Fevziu ishte dhëndri i Refik bej Toptanit. Pasiqë në 1921 Zogu ishte fejuar me vajzën e beut me shumë ndikim të Elbasanit, Shefqet Vërlacit, i cili qe deputet dhe kreu i Partisë Përparimtare, ishte krijuar përshtypja se Zogu kërkonte të ndërtonte një regjim mbi bazë lidhjesh fisnore. Ky kombinacion tjetër nepotik i bërë nga Zogu, me emërimin e Bajram Fevziut, e ktheu në bindje këtë përshtypje. Refik beu u soll në mënyrë shumë të dyshimtë edhe kur ndodhi atentati ndaj Ahmet Zogut në parlament, në shkurt 1921. Kur atentatori Beqir Valteri qe ngujuar në banjën e parlamentit, ku ishte mbledhur Asambleja Kushtetuese, dhe nuk dëgjonte të dorëzohej, ishte gati të plaste lufta mes palëve kundërshtare politike që gjendeshin në ndërtesën e parlamentit, të gjithë të armatosur, deputetë, ministra, dhe mbështetësit e tyre. Sejfi Vllamasi kujton:
      Në Tiranë ishte shkaktuar një panik i madh nga ngjarja e Asamblesë dhe merreshin masa e kundërmasa për t’ u bërë ballë rreziqeve që mund të vinin për njerëzit e tyre të rrethuar në parlament. Muharrem Bajraktari kish hipur në minaret të xhamisë “Sulejman Pasha” që dominonte rrugën e Asamblesë, me disa veta të armatosur dhe, kundër tij, xhandarët ishin vendosur ndër penxheret e shtëpisë së Refik Toptanit, që neutralizonin minaren.[xix]
      Natyrisht, se xhandarët nuk mund të hynin pa leje në shtëpinë e anëtarit të Këshillit të Naltë të Shtetit, aq më tepër kur ajo ishte shtëpia e një beu të fuqishëm toptanas, e cila ruhej edhe nga roje private. Refik beu dhe të vetët kishin të drejtë të mos i lejonin xhandarët, që të hynin në shtëpi, se xhandarët në këtë rast nuk po vepronin si njerëz të ligjit, por ishin bërë palë në një konflikt politik. Zogu, tekefundit ishte ende kryeministër dhe atentati ndaj tij ishte një akt terrorist sipas ligjit. Kështu që këta xhandarë qenë duke penguar kapjen e një terroristi. Natyrisht se xhandarët nuk do të guxonin që të hynin me forcë në shtëpinë e anëtarit të Këshillit të Naltë, se ata që i patën dërguar, nuk donin që të hapnin luftë edhe me të, në një kohë që ishin në luftë me Zogun. Për më tepër që xhandarët as që mund të hynin me forcë në shtëpinë e Refik beut, që si shtëpia e çdo beu të madh, ishte një lloj fortese e mbrojtur nga rojet e tij private, përvec atyre shtetërore. Pra, Refik beu, duke i lejuar xhandarët që ta përdorin shtëpinë e tij si pozicion luftimi, mori qëndrim në këtë konflikt, duke u bërë me njërën palë, kundërshtarët e Zogut.
      Bajram Fevziu nuk do të sillej ndryshe nga vjehrri në kohën e kryengritjes së pranverës së atij viti, e cila është quajtur Revolucion i Qershorit, Bajram Fevziu tradhtoi në fillim Zogun, për çka u shpërblye nga pushtetarët e rinj, duke u lejuar të mbante postin e tij, si Shef i Shtatmadhorisë. Refik Toptani, i cili i qëndroi besnik Zogut, u largua jashtë vendit me ardhjen e Fan Nolit në pushtet. Është për t’ u shënuar se, derisa emri i Refik Toptanit figuronte në listën e personave të akuzuar si “shkaktarë të vëllavrasjes”, që shpalli regjimi i ri, megjithatë, Refik Toptani nuk u dënua nga gjyqi në mungesë që u bë personave më të rëndësishëm të regjimit të vjetër. Duket se regjimi i ri mendonte se me anë të Bajram Fevziut, do ta bindte Refik Toptanin që të kthehej në Shqipëri, çka do t’ i jepte regjimit të ri njëfarë legjitimiteti. Këshilli i Naltë kishte mbetur vetëm me një anëtar, dhe në mungesë të parlamentit, nuk mund të zëvendësoheshin anëtarët e ikur jashtë vendit, apo i dorëhequri Gjon Çoba. Refik Toptani nuk u kthye në Shqipëri, me sa duket i këshilluar edhe nga i dhëndrri i cili e gjente të dobishme që njëri pjestar i familjes të gjendej në anën tjetër, me Zogun. Kështu që kryeministri Fan Noli u detyrua që të merrte përkohësisht edhe funksionin e kreut të shtetit, çka e minoi përfundimisht legjitimitetin e tij të pretenduar. Në 13 dhjetor 1924, dy anëtarët e Këshillit të Naltë të cilët gjendeshin jashtë vendit, Refik Toptani dhe Xhafer Ypi nxorrën dekretin sipas të cilit autorizohej Zogu që të kryente operacionin për rivendosjen në fuqi të pushtetit legjitim. Prej këtej shpallja më pas nga Zogu e Triumfit të Legalitetit.
      Kur Zogu kundërmësyu në dhjetor 1924, për habinë e kurrkujt tjetër përveçse të Fan Nolit dhe të qeverisë së tij, Bajram Fevziu tradhtoi përsëri duke i hapur rrugën Zogut. Bajram Fevziu, i cili qe në Tiranë, praktikisht iu bind dekretit të vjehërrit, i cili gjendej jashtë Shqipërisë, dhe jo urdhrave të qeverisë së Nolit. Bashkë me Zogun, u rikthye si hero në Tiranë edhe Refik Toptani ku u prit krahëhapur nga dhëndrri i tij, Bajram Fevziu, i cili nuk i kishte ndjekur shokët e tij në arrati. Zogu kishte ende nevojë për Refik Toptanin për të bërë disa manovra politike që do të bënin të mundur një proces legjitim të ndërtimit të regjimit të tij. Pas dorëheqjes së kryeministrit Iljaz bej Vrioni, i cili ishte rikthyer në fuqi, Refik Toptani së bashku me regjentin tjetër dekretuan Zogun si kryeministër. Me shpalljen e republikës në janar 1925, dhe emërimin e Zogut President, Këshilli i Naltë u shkri.
      Refik Toptani, duke i vënë në balancë shërbimet dhe dëmet që i kishte bërë Zogut mendonte se shërbimet e tij qenë më të mëdha, dhe Zogu do ta shpërblente me një post. Të njëjtën gjë priste dhe dhëndrri i tij, Bajram Fevziu. Kur në zgjedhjet që u mbajtën në pranverë 1925, për parlamentin me dy dhoma, emri i Refik Toptanit nuk figuronte as mes dymbëdhjetë senatorëve, as mes pesëdhjetë e shtatë deputetëve, shumëkush mendoi se emri i Refik Toptanit do të ishte në listën prej gjashtë senatorësh që emëronte drejtpërdrejt Presidenti i Republikës, pra Zogu. Çuditërisht, emri i Refik beut nuk ishte as në këtë listë, ndonëse atje ishte edhe emri i Gjon Çobës, ish-anëtarit të Këshillit të Naltë, i cili u dorëhoq me fillimin e kryengritjes në maj 1924. E pra, ndër senatorët ishte dhe Zija Toptani, e ndër deputetët Sait Toptani dhe Hamit Toptani. Ish-regjenti tjetër besnik ndaj Zogut, Xhafer bej Ypi ishte shpërblyer duke u bërë deputet, dhe në vazhdim do të merrte poste të rëndësishme nga Zogu, duke u bërë disa herë ministër. Qartësisht, Zogu kishte qenë shumë i prekur nga tradhtitë e Refik beut dhe në njëfarë mënyrë po e ndëshkonte atë për lojën e dyfishtë. Këtë herë Zogu e flaku tutje Refik beun pasiqë e përdori, me sa duket për të mos i dhënë rast që ta tradhtonte edhe një herë.
      Karriera politike e Refik bej Toptanit, mori fund kështu befasisht në moshën 54 vjeç.       Fundi i karrierës politike së Refik Toptanit, ndriçon edhe shkaqet e vdekjes misterioze të dhëndrrit të tij. Vdekja e papritur e Bajram Fevziut ndodhi në 1928, fill pas ndërprerjes së plotë të karrierës politike të vjehrrit. Refik Toptanit iu desh që të kujdesej për familjen e dhëndrrit të tij, i cili nuk kishte të afërm në Shqipëri. Bajram Fevziu la pas gruan, Nigjare, me dy fëmijë të vegjël: një vajzë shtatë vjeçe dhe një djalë pesë vjeç. Vdekja e papritur e Refik beut shenjoi dhe fatin e fëmijëve të Bajram Fevziut. Refik Toptani vdiq në 1937, në moshën 67 vjeç, një vdekje kjo me sa duket e shkaktuar nga dëshpërimi i të mbeturit jashtë politikës, se ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje serioze. Derisa fundi i karrierës politike të Refik Toptanit ishte i hidhur, fundi i jetës së tij ishte tragjik. Sipas traditës së bejlerëve të martesave brenda fisit, ai ishte martuar me një kushërirë nga fisi Toptani, me emrin Zybejte. Ajo e braktisi burrin dhe iku në Itali.  Njëri nga djemtë e tij bëri vetëvrasje. Prej Refik bej Toptanit Blendi Fevziu trashëgoi gjakun çerkez, të ardhur prej gruas çerkeze të Said Sermedin Toptanit. Vajzën e mbetur jetime të Bajram Fevziut, e fejuan me një djalë të mbetur jetim që në moshën dy vjeç, Ali Ypin, djalin e Abdyl Ypit. Do të pasonte një martesë fatkeqe.
      Fevziu spekulon shumë me origjinën e tij toptanase. Rasti i Ihsan bej Toptanit është më domethënësi, sa për mënyrën sesi spekulon Fevziu me origjinën e tij toptanase, aq edhe për të treguar injorancën e Blendi Fevziut sa i përket paraardhësve të tij, me të cilët mburret. Në atë që është ndoshta paragrafi më pretendues i shkruar nga Blendi Fevziu, sa i përket prejardhjes së tij aristokratike, ai thotë:
      Një dilemë, që herë kthehej në peng e herë në moskuptim, ka shoqëruar fëmijërinë time. Sa herë që situata politike ashpërsohej, sa herë që “lufta e klasave” bëhej më e mprehtë dhe më goditëse, sa herë që magjepsjet e botës jashtë kufijve shfaqeshin tunduese në ndonjë ekran ilegal televizioni, gjithnjë i bëja vetes po atë pyetje turbulluese: Pse kishin qëndruar në Shqipëri të parët e mi? Pse nuk kishin ikur, nuk qenë vendosur diku tjetër, në Europë, apo Stamboll, ku besoja se një jetë dhe botë më e shkëlqyer do t’ i priste? I kthehesha dhe rikthehesha dilemës që nuk zbehej nga vitet që kalonin dhe sa më thellë i hyja, aq më të vështirë e kisha të gjeja një përgjigje logjike. Renditja fakte dhe detaje, shumica të dëgjuar nga bisedat e gjata dhe të ngadalshme të stërgjysheve dhe nuk gjeja përsëri një arsyetim logjik. Para kishin pasur bollëk të mjaftueshëm për të bërë një jetë luksoze kudo që do të vendoseshin, në Romë, Paris apo Stamboll; Europën e njihnin mirë, shumica qenë shkolluar atje, dinin të shkruanin dhe të lexonin në gjermanisht, italisht dhe frëngjisht më mirë se në shqip; e njihnin jetën dhe padyshim, Roma apo Vjena, qenë qytete ku kishin kaluar një pjesë të konsiderueshme të jetës së tyre. I përfytyroja në shtëpitë e tyre mobiluar me stil të rëndë europian, ndërsa pak metra pas dyerve gëlonte po ajo botë e lodhshme orientale dhe po ai realitet me të cilin nuk dukej se kishin ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë. Së paku këtë impresion duhej të kisha ushqyer edhe më vonë, kur herë në kujtimet e konsullit francez Degran, në fillim të shekullit XX, dhe herë në kujtimet e Emerit dhe Telmanit, oficerë anglezë në Shqipëri me të cilët u ndesha më vonë, gjeja po atë vlerësim; po atë befasim të udhëtarëve të izoluar europianë që gjenin një copë të harruar Perëndimi në shtëpitë e mëdha dhe mikpritëse të familjes sime.[xx]
      Ndonëse Fevziu nuk e citon Amery-n, toptanasi për të cilin flet oficeri britanik i ardhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, Julian Amery, është Ihsan bej Toptani. Amery bujti në shtëpinë e Ihasan bej Toptanit, në vitin 1944. Fevziu qëllimisht nuk e përmend se cila është lidhja e tij me Ihsan Toptanin, se kjo është një lidhje e largët. Ihsan bej Toptani ishte djali i Abdi bej Toptanit, i cili nga ana e tij ishte djali i Adem bej Toptanit, i cili nga ana e tij ishte djali i Abdi bej Toptanit (një tjetër Abdi). Stërgjyshja toptanase e Blendi Fevziut, e quajtura Nigjare qe vajza e Refik Bej Toptanit, i cili nga ana e tij qe djali i Said Sermedin Toptanit, i cili nga ana e tij qe djali i Abdylrrahim Toptanit. Ihsan Toptani ishte vetëm kushëri i tretë me stërgjyshen toptanase të Blendi Fevziut. Blendi Fevziu, në librin “Enver Hoxha” thotë më tepër se një të pavërtetë për Ihsan Toptanin, kur flet për Marrëveshjen e Mukjes:
      Më 1 dhe 2 gusht 1943 delegacionet e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe të “Ballit Kombëtar” u mblodhën pa rënë në sy në shtëpinë e një gazetari të ri, që kishte njohje dhe besim në të dyja palët. I diplomuar në Londër dhe i sapokthyer në Shqipëri, Ihsan Toptani ia arriti duke shfrytëzuar emrin dhe autoritetin e të atit, Abdi Toptanit, një patriot i vjetër dhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, të mbledhë në shtëpinë e vet në Tapizë, vetëm pak kilometra jashtë Tiranës, përfaqësuesit më të rëndësishëm politikë të rezistencës kundër pushtimit italian.[xxi]
      Në të vërtetë, Ihsan Toptani nuk kishte studiuar në Britaninë e Madhe por në Austri. Nëse Fevziu do të kishte lexuar atë që thotë Julian Amery në kujtimet e veta për Ihsan Toptanin, do ta kishte mësuar këtë gjë. Amery shkruan:
      Ihsan beu ishte ende tridhjetëvjeçar, truplidhur dhe i matur. Mbante veshur një fanellë ngjyrë hiri dhe një këmishë të bardhë, të hapur në qafë. Ai kishte studiuar në Vienë dhe në të vërtetë, mund të merrej për një xhentëlemn fshati austriak, nga të folurit e tij të paktë, nga prerja e rrobave dhe nga thurja gjermane e fjalive, në gjuhën britanike.[xxii]
      Ironikisht, Blendi Fevziu përmend Ihsan Toptanin, si shembull të paraardhësve të tij, të cilët nuk u larguan nga Shqipëria, ndonëse qenë në gjendje ta bënin fare lehtë këtë. Kur e vërteta është se Ihsan bej Toptani në fakt u largua nga Shqipëria në 1944 dhe shkoi në Britaninë e Madhe, ku edhe vdiq në 2001. Nuk mund të mos bëhet pyetja se përse ky Blendi Fevziu, i cili ka bërë një ese me titull “Të jetosh për atë që shkoi”, për dy emigrantë politikë antikomunistë, të ikur nga Shqipëria në 1944, djalin e Faik Qukut, të quajtur Bardhyl, i cili ishte larguar si emigrant politik nga Shqipëria së bashku me të atin, si dhe Luan Gashin, djalin e Ahmet Gashit, të cilët Fevziu i takoi në New York, në vitet ’90[xxiii],  nuk ka shkruar megjitatë veçse tërthorazi për  Ihsan bej Toptanin. Arsyeja është krejt e thjeshtë. Blendi Fevziu nuk dëshiron të tregojë se ka një lidhje të largët me të.
      Ndonëse Ihsan bej Toptani jetoi deri në vitin 2001 dhe deri në fund të jetës ishte në rregull mendërisht, Fevziu nuk bëri kurrë një emision televiziv me të. Edhe pse emisioni televiziv i Fevziut kishte nisur katër vjet para se të vdiste Ihsan Toptani. Në vitin 1999 Fevziu shkoi deri në Afrikën e Jugut për t’ i marrë një intervistë televizive Leka Zogut, por nuk shkoi megjithatë në Londër për t’ i marrë një intervistë Ihsan bej Toptanit. Ihsan bej Toptani kishte shumëçka për të treguar për historinë e Shqipërisë, duke nisur që nga kujtimet e fëmijërisë së tij. Ai gjendej në Stamboll në 1913, dhe përjetoi msymjen e turmës së fanatikëve otomanë, të cilët u vunë zjarrin shtëpive të të atit të tij Abdi, si dhe të Murat bej Toptanit, kur u mësua se këta patën firmuar deklaratën e shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë nga Imperia Otomane. Ihsani i vogël u shpëtua me vështirësi nga të afërmit e vet. Ai do të kishte shumëçka për të treguar edhe për bisedimet mes komunistëve dhe nacionalistëve në 1943, ashtu dhe për misionet britanike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht në shtëpinë e tij u strehua i sëmurë, u mjekua dhe vdiq lietnant-koloneli Nichols, shefi i shtabit të Gjeneralit Davies.[xxiv]Ihsan Toptani e vizitoi Shqipërinë pas rënies së regjimit komunist në 1993, por as atëherë Blendi Fevziu nuk shkruajti gjë për të. Blendi Fevziu nuk shkruajti gjë për Ihsan Toptanin as kur ai vdiq në 2001, në Londër. Nëse Blendi Fevziu do të kishte treguar vëmendje ndaj Ihsan Toptanit, ai do të kishte lexuar atë çka shkruajti gazeta britanike “The Guardian”për të, me rastin e vdekjes. Gazeta “The Guardian” e datës 13 qershor 2001, botoi një shkrim të llojit obituary (nekrologji) me titull “Ihsan Toptani: kampioni shqiptar i lirisë së vendit të tij”. Në këtë shkrim thuhet për Ihsan Toptanin:
      Në moshën tetëvjeçare Ihsani i ri u dërgua në shkollë në Vienë dhe përfundimisht mori një doktoratë nga Universiteti i Grazit, në shkencat politike.[xxv]
      Nëse do t’ i kishte lexuar këto, Fevziu nuk do të bënte marrëzinë të fliste për shkollimin anglez të Ihsan Toptanit. Ihsan Toptani studioi në Austri deri në vitin 1940, kur mori doktoraturën. Pasiqë kryeu shkollën fille në Austri, ai në vitet 1920-28 bëri gjimnazin klasik në qytetin Graz (Grac), në këtë vend. Në 1928 filloi universitetin e Graz, ku në 1940 doktoroi. Ihsan Toptani u kthye në Shqipëri në 1942 dhe nuk ka punuar asnjë ditë si gazetar, siç thotë Blendi Fevziu për të, në librin “Enver Hoxha”. Si gazetar, Ihsan Toptani do të punonte pas Luftës së Dytë Botërore.
      Ihsan Toptani vdiq në Londër në 28 maj 2001 dhe u varros në 7 qershor 2001. Kështu që Blendi Fevziu kishte gjithë kohën e duhur për të marrë pjesë në varrimin e tij nëse do të kishte dashur, aq më tepër që ai u njoftua për këtë gjë. Me njohjet që ka Blendi Fevziu në ambasadat e huaja, nuk ishte e vështirë për të që të merrte një vizë britanike me procedurë të përshpejtuar dhe të merrte pjesë në varrimin e paraardhësit të tij të pretenduar, me të cilin është mburrur, ndonëse pa ia përmendur emrin. Por Blendi Fevziu nuk e bëri këtë gjë, ndoshta se ai ishte i zënë me fushatën për zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit të atij viti në Shqipëri. Sa për Blendi Fevziun, atij njerëzit si Ihsan Toptani i shërbenin më tepër të vdekur se të gjallë.
      Oficeri tjetër britanik William Tilman, dhe jo Telman siç thotë Fevziu (ndoshta ky emër i ka bërë asosacion me atë të kryetarit të Partisë Komuniste të Gjermanisë, që përmendej aq shumë në kohën e Enver Hoxhës), nuk flet në kujtimet e veta për takim me ndonjë toptanas[xxvi]. Tilman qëndroi thellë në Shqipërinë e Jugut, në zonën Vlorë-Gjirokastër. Është detyrimi i Fevziut që të na thotë se ku e ka gjetur ai këtë rrëfim të Tilman.
      

5.     
Perla e mitomanisë së Fevziut: stërgjyshi i tij- flamurtar i Revolucionit të vitit 1848 në Francë!

      Kurrkund nuk shfaqet më qartë deliri prej aristokrati i Blendi Fevziut se kur  pretendon që një stërgjysh toptanas i tij paska marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 në Francë, ku paska ngritur flamurin mbi Panteon, në Paris. Blendi Fevziu, në esenë me titull “Stërgjyshi im në Paris”, të përfshirë në një libër të botuar në 2004, shkruan:
      Asnjë përrallë, asnjë film i magjishëm multiplikativ, asnjë futbollist i famshëm nuk më ka turbulluar fëmijërinë më shumë sesa një stërgjysh i largët, një njeri i vrullshëm dhe i hedhur, që kishte lënë ende pas, 100 vjet më vonë, po atë sharm që dukej se kishte pasur në rininë e tij. Për të mos thënë se koha, ngjarjet dhe padyshim zhvillimi, i kishte dhënë nota shumë herë më romantike sesa kishte pasur në gjallje të tij.
      Nuk e di sa herë i jam rikthyer po asaj historie, duke përpirë çdo detaj dhe duke pranuar ndryshimet normale në tregimin e njërës plakë të vjetër të fisit tim ose tjetrës. Me po atë përpunim që historia kishte pësuar gjatë ditëve jo më pak të stuhishme të shekullit XX. Nuk e di pse gjithmonë, madje edhe më pas, kam besuar se e shkruar, historia nuk do të kishte asnjëherë magjepsjen që merrte në rrëfimin e ngadalshëm dhe pa kohë të stërgjysheve të mia të vjetra.[xxvii]
      Stërgjyshi për të cilin Blendi Fevziu ka bërë këtë shkrim, të quajtur prej tij ese, është Said Sermedin Toptani, për të cilin ai pretendon se ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 në Francë, me ç’ rast ka ngritur flamurin në kupolën e Panteonit. Në një libër të botuar në vitin 1996, ku Fevziu ka përfshirë shënime nga udhëtimet e tij jashtë vendit, gjendet edhe një shkrim që mund të quhet reportazh nga një vizitë e Fevziut në Panteon, në Paris, në 1994, dhe që mban titullin “Panteoni pa lavdi”. Ky reportazh është shkruar në 1995 pas një vizite në Paris, dhe është botuar në librin e tij “Gjysma tjetër e botës”(1996). Në këtë shkrim Fevziu thotë për Said Sermedin Toptanin:
      Ai ishte nisur për në kryeqytetin francez dhe atje, në vitin e fundit të studimeve për drejtësi ishte hedhur në barrikadat e revolucionit të vitit 1848. Por jo vetëm kaq. Ishte ngjitur në mëngjes mbi kupolën e artë të Panteonit, për të vendosur aty flamurin e fitores.[xxviii]
      Said Sermedin Toptani (1823-1882), emri i plotë i të cilit, sipas traditës otomane të emrave të dyfishtë, qe Mehmet Said Sermedin, ishte pinjoll i njërës prej degëve të trungut të fisit të madh Toptani. Said Sermedini ishte një prej katër djemve të Abdurahman Toptanit, sundimtarit të Tiranës. Said Sermedini gjatë kohës që ishte i internuar në pjesën otomane të Kaukazit, u martua me një çerkese, me emrin Hanife, me të cilën pati fëmijë, një prej të cilëve ishte Refik Toptani[xxix]. Gjeni çerkez duket edhe në tiparet e Blendi Fevziut. Në tregimin “Panteoni pa lavdi” Fevziu rrëfen për kinse meditimin e tij në Panteon, në Paris:
      Kolonada qe e ngushtë dhe e gjatë. Nuk e di nëse e kisha imagjinuar ashtu. Kur fëmijëria qe magjepsur nga gjesti i plakut dhe unë përpiqesha ta imitoja atë. Lidhja në dorë një flamur festash dhe ngjitesha në ballkon. Bezja çngjyrosej nga djersa, ndërsa unë i lodhur dhe coptuar nuk mund ta shmangia momentin solemn, ngrija lart flamurin i bindur se ia kisha arritur. Përkundesha në atë dehje nga e cila komshinjtë nuk kuptonin asgjë. Ata nuk e dinin, por edhe nëse po, askush nuk bëhej vonë se një djalë i ri shqiptar, 150 vjet më parë, qe ngjitur mbi një çati franceze, për të ngritur flamurin e fitores mbi Paris.[xxx]
      Si një sharlatan i çuditshëm që është, Fevziu thotë se imitimi prej tij i stërgjyshit ka ndodhur 150 vjet më pas, në fëmijërinë e tij. Por, duke qenë se revolucioni në Francë ku Blendi pretendon se kishte marrë pjesë stërgjyshi i tij, kishte ndodhur në 1848, atëherë del se imitimi nga ana e Blendit i stërgjyshit ka ndodhur në 1998. Në 1998 Fevziu nuk ishte fëmijë, ai ishte tashmë 29 vjeç, dhe prej një viti kishte nisur emisionin e tij televiziv. E gjithë kjo tregon se Blendi Fevziu vuan nga një mitomani infantile! Por imitimi nga ana e Blendi Fevziut i gjestit të supozuar të stërgjyshit, nuk mund të ketë ndodhur as në fëmijërinë e tij, se në fshatin Dushk të Lushnjës, ku Blendi kaloi fëmijërinë deri në moshën 14 vjeç, ai nuk kishte as ballkon në shtëpinë e tij, e cila qe një nga ato shtëpitë standard njëkatëshe me dy hyrje, ku banonin dy familje, dhe që ndërtoheshin për familjet e punëtorëve të bujqësisë dhe të të internuarve të privilegjuar. Në shkrimin e botuar në 1996, Blendi Fevziu, thotë se të dhënat për Said Sermedin Toptanin si flamurtar i Revolucionit të vitit 1848 gjendeshin në muzeumin e Panteonit në Paris. Fevziu e fillon tregimin pikërisht me këto fjalë të ciceronit gjatë vizitës së tij në Panteon, në një udhëtim në Paris në 1994:
       Po, ishte ai i pari që ngriti flamurin mbi Panteon. Të gjitha gazetat e kohës kanë botuar të njëjtën kronikë dhe lajmin se vinte nga një krahinë e perandorisë turke. Me këtë origjinë qëndroi në stendën e muzeut deri në vitet 30-të të shekullit tonë. Pastaj dikush paraqiti dokumenta të tjera dhe ne e quajtëm shqiptar. Dokumentat janë ende në bibliotekë. Në mos gaboj aty thuhet se ka qenë pinjoll i një familjeje të madhe të kryeqytetit të tanishëm, Tiranës. Duhet të jetë kështu. Vetëm një familje e tillë mund ta sillte djalin për të studiuar në Paris më 1848.[xxxi]
      Nga këto fjalë, del sikur nga muzeumi francez qe pranuar zyrtarisht gjesti i Said Sermedin Toptanit. Por, Fevziu ka virtutin e pavetëdijshëm intelektual të përgënjeshtrimit të vetvetes. Në një ese të tij, të shkruar vite më vonë dhe të përfshirë në një libër të botuar në vitin 2004, Fevziu, kur përshkruan vizitën e tij në Panteon në 1994, përgënjeshtron pikërisht ato që i ka paraqitur si fakte historike në vitin 1996. Fevziu shkruan në librin e botuar në 2004:
      Më 1994, gjatë një udhëtimi në Francë, i ngutur nga dëshira e mirë e shoqëruesit tim që kërkonte të më tregonte me sa më shumë dashuri vendlindjen e tij, i tregova për historinë e vjetër të fëmijërisë. I thashë se asnjë guidë e Panteonit nuk e përmendte këtë dhe asnjë dokument nuk kisha gjetur në udhëtimet e mia të mëparshme. Si njeri i apasionuar pas historisë dhe me shumë njohje në atë që mund të quhet “Parisi i historianëve”, ai më telefonoi në hotel në mbrëmje vonë, sa për të më sqaruar me dy fjalë se gjithçka është e vërtetë; ka disa dokumente në bibliotekë dhe ka mundësi që nesër të kemi një fotokopje të tyre.
      Të nesërmen, në një ditë të mrekullueshme tetori, ai më solli veç disa fijeve letër të fotokopjuara nga ndonjë bibliotekë ose arkivë e vjetër edhe një djalë të ri, një mikun e tij që kishte studiuar dhe ndjekur për shumë kohë atë që quhej Revolucioni i vitit 1848. Djali më sqaroi se gjithçka ishte e vërtetë, se Said Sermedin Toptani që të gjithë e njihnin dhe e thërrisnin “turku trim”, kishte kryesuar së bashku me Namik Qemalin, turmën e studentëve të huaj dhe kjo kishte qenë një e veçantë e atij revolucioni; se si banor i Sorbonës ai kishte luftuar midis Panteonit dhe bulevardit “Sen Mishel” dhe se në një nga përplasjet kishte lënë barrikadën dhe kishte ngritur mbi kupolën e Panteonit flamurin e fitores. Fitores që nuk erdhi kurrë. Djali më tregoi disa gazeta të kohës dhe një reportazh më të gjatë, në të cilin tregohej jo vetëm për aktin, por edhe për përjashtimin e dy studentëve nga Stambolli.
      -Askush nuk e ka ditur që ishte shqiptar,- më tha më pas me një timbër të habitur.- Për Namik Qemalin kemi marrë shumë të dhëna më vonë, ai u bë një shkrimtar i madh dhe politikan i njohur në Turqi. Said Seremedini na humbiste, prandaj edhe ne e kemi konsideruar thjesht si një student turk që diti të ishte një lloj heroi në Parisin e Revolucionit të vitit 1848.
      I thashë se ishte thjesht shqiptar dhe se pas kthimit nga Parisi, liria e vendit të tij qe edhe preokupimi më i madh në jetë. Kështu edhe vdiq, e sqarova, në një vend të largët i internuar dhe duke besuar se do të kthehej përsëri në shtëpi.
      -Ne besonim se ishin dy turq, por qenkan një turk dhe një shqiptar.- më tha djali.[xxxii]
      Nga këto fjalë të Blendi Fevziut kuptohet se ai pretendon që, jo më në vitet ‘30, siç ka shkruar ai në vitin 1996, por as në vitin 1994, kur ai vizitoi Panteonin, në muzeumin parisian nuk kishte një stendë për Said Sermedin Toptanin, si flamurtar i Panteonit në Revolucionin e vitit 1848. Nga fjalët e mësipërme të Fevziut del se ai ka gënjyer kur ka thënë në librin e botuar në 1996, se ka qenë ciceroni ai që i rrëfeu në stendën e muzeumit të Panteonit të dhënat se flamurtari i Panteonit ishte shqiptari Said Sermedin Toptani. Në librin e botuar në vitin 2004 Fevziu thotë se këto të dhëna gjendeshin në një bibliotekë, dhe se ato ia solli një miku i shoqëruesit të tij parisian. Fevziu, as në librin e botuar në vitin 1996, as në atë të botuar në 2004, nuk sqaron se çfarë qenë këto dokumente. Përderisa thotë se gjendeshin në një bibliotekë, me siguri është fjala për ndonjë artikull gazete, të shkruar shumë kohë pas Revolucionit të vitit 1848, ku dikush ka shkruar se flamurtari i Panteonit ishte Said Sermedin Toptani. Por kjo nuk provon asgjë. Nëse Said Sermedin Toptani do të ishte përjashtuar nga Universiteti i Sorbonës se ngriti flamurin mbi Panteon gjatë revolucionit, atëherë me siguri që do të ekzistonin dokumente për të në arkivat policore franceze, dhe në Universitetin e Sorbonës, se përjashtimi nga shkolla, do të vinte pas hetimeve policore, dhe do të përjashtohej një individ me identitet të përcaktuar. Por ka shumë arsye për të besuar se njerëzit të cilët i paraqitën “dokumentet” Fevziut në Paris qenë dy mashtrues profesionistë, nga ata të cilët vijnë rrotull të huajve, për të përfituar prej tyre. Në librin e botuar në 1996, Fevziu shkruan kështu për shoqëruesin e tij francez, të cilin e kishte marrë me pagesë si ciceron, gjatë udhëtimit në Paris, në tetor 1994:
      Brenda vetes u përpoqa të fajësoja edhe një herë shoqëruesin tim. Një francez në prag të pensionit, të quajtur Radek, që pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar si mësues në Australi dhe Afrikë. Ai më çmeriti që në momentin e parë, në aeroport, kur m’ u prezantua si mik i carit të vdekur të Rusisë. Jam në lidhje me shpirtin e tij, tha plaku duke më folur gjatë gjithë rrugës për të. Të nesërmen, në Versajë, ai më tregoi se si në nja nga rruginat e fshatit të vogël artificial të Trianonit, pati parë një mëngjes Maria Antuanetën.
      “20 vjet më parë, tha plaku, të veshur me një fustan të ndryshëm nga ata që mban në portretet e kohës. Ja përshkrova një specialistë të Luigjit XVI. Ai u befasua. Mbretëresha mbante fustanin që pati veshur vetëm një herë. Ditën që e morën për ta çuar në gijotinë. Ngjarja bëri bujë. Shkruajtën edhe gazetat për të”.[xxxiii]
      Nga këto fjalë kuptohet se plaku Radek ishte një nga ata njerëzit që bëjnë shoqëruesin me pagesë për të huajt që vizitojnë Parisin, duke u shërbyer edhe si cicerone personal në muzeumet e Parisit. E tepërt të thuhet, Radeku, shoqëruesi i Fevziut ishte një mitoman. Radeku e kishte parë Mari-Antoinete, po aq sa ç’ kishte qenë mik i Car Nikollait II, i cili kishte vdekur në 1918. Mësuesi mitoman, për të cilin Fevziu thotë se në mes të viteve nëntëdhjetë ishte në moshën e pensionit, as që kishte lindur në kohën kur vdiq cari rus. Fevziu në një shkrim tjetër të botuar në një libër me ese në vitin 2004, ku i rikthehet kësaj historie, dhe që do ta citoj më tutje në vazhdim të këtij kapitulli, thotë se ky udhëtim në Paris, ka ndodhur në vitin 1994. Cari rus kishte vdekur 76 vjet më parë dhe shoqëruesi i Fevziut duhet të kishte qenë së paku midis moshës 100 dhe 110 vjeç që të kishte jetuar në kohën kur mund të kishte qenë mik i carit. Sa për përshkrimin e fustanit të mbretëreshës franceze, plaku mitoman me siguri e ka parë në ndonjë album për veshjet e kohës. Nuk ka gjasa që ky plak mitoman francez t’ i ketë folur Fevziut për Said Sermedin Toptanin. Më tepër ka gjasa që të ketë qenë Fevziu ai që e vë në gojën e tij këtë histori. Me këtë plak mitoman Fevziu vizitoi Panteonin në Paris. Këtij plakut mitoman të quajtur Radek, Fevziu i tregoi historinë që e kishte dëgjuar në fëmijërinë e tij, për stërgjyshin flamurtar të Panteonit, siç e kam cituar në esenë që gjendet në librin e botuar në 2004. Plaku mitoman e kap rastin fluturimthi dhe i thotë Fevziut se do t’ i gjente një “ekspert” që t’ ia sqaronte këtë çështje. Dhe e gjeti vërtet, se njerëzit si Radeku kanë gjithëherë në gatishmëri “historianë” të cilët gjejnë çfarëdo dokumenti që kënaq trillet e turistëve të huaj që vizitojnë Parisin. Duhej pritur që Blendi Fevziu në esenë e tij, të citonte dokumentet për të cilat flet në tregimin e tij të shkruar në vitin 1995, të cilin e kam përmendur më lart. Por, jo, Fevziu nuk citon asnjë nga gazetat dhe dokumentet, që thotë se ekzistojnë dhe e përshkruajnë këtë ngjarje. Kështu Fevziu pohon tërthorazi se e gjithë kjo histori nuk është e vërtetë.
      Me siguri që gjatë ecjes së tyre në korridoret e Panteonit, mitomani Radek i ka thënë Fevziut se diku në rrëzë të ndonjë kolonade, po shihte Said Sermedin Toptanin, me flamur në dorë, duke biseduar me Carin Nikollaj II, mbi revolucionet. Nëse Fevziu do t’ i kishte thënë mitomanit Radek se Said Sermedin Toptani kishte njohur gjatë revolucionit të vitit 1848 një vajzë franceze, e cila ishte mbesa e Robespierr-it, dhe me të cilën ai qe martuar (ai në fakt qe martuar me një çerkese vite më vonë), atëherë Radeku me siguri që do t’ i gjente një “ekspert” që do t’ i paraqiste dokumentet që e provonin këtë gjë. Synimi i Radekut dhe bashkëpunëtorit të tij ishte që t’ i shisnin këtij turisti ekecentrik “dokumentet” në fjalë. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu në librin e botuar në 2004, nuk ishte Radeku që e çoi atë në Panteon, por ishte Fevziu ai që ia kërkoi këtë gjë. Kjo kuptohet kur Fevziu, shkruan në reportazhin e tij “Panteoni pa lavdi” për vajtjen e tij së bashku me të në Panteon:
      Burri u bë gati të dilte, kur unë e luta të qëndronte edhe pak. Një natë më parë, ndërsa ai i qe përgjigjur tashmë telefonatës time kisha ndjerë të njëjtin trazim përzierë me një ndjenjë faji dhe mirënjohjeje.[xxxiv]
      Pra, Fevziu, gjatë qëndrimit të tij në Paris, i ka telefonuar Radekut për ta shoqëruar në Panteon. Si të gjithë sharlatanët, Radeku dhe bashkëpunëtori i tij sharlatan, kanë bërë gabime prej diletantësh në historinë që sajuan, dhe të cilat Fevziu nuk ka qenë në gjendje t’ i zbulojë as në 1994 dhe as në 2004, ndonëse thotë se ka lexuar gjithçka për historinë e ngritjes së flamurit në Panteon gjatë Revolucionit të vitit 1848. Gabimi i tyre është se përziejnë në këtë histori poetin e njohur turk Namik Qemal, për të cilin mund të thuhet me siguri absolute se nuk ka qenë në Paris në 1848, siç do të tregoj më tutje në këtë kapitull. Por më parë do të tregoj se si Fevziu ka rënë viktimë e dy mashtruesve parisianë, duke ndërtuar mbi bazën e të dhënave të rreme të tyre, një histori të rreme, e cila është monument i injorancës së tij. Në esenë “Stërgjyshi im në Paris” Fevziu shkruan më tutje për Said Sermedin Toptanin:
      Historia niste në të vërtetë shumë kohë më parë, në vitet ’40 të shekullit XIX, kur Said Seremedin Toptani, djali më i vogël i sundimtarit të Tiranës, braktisi liceun francez të Beshiktashit në Stamboll dhe u transferua në Paris. Djaloshi 20-vjeçar që i kishte hyrë udhëtimit bashkë me një mikun e tij, shkrimtarin dhe politikanin e mëvonshëm Namik Qemal, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në Sorbonë. Asnjë nga tregimtaret e vjetra, mbesa të harruara të personazhit në fjalë, nuk dinte gjë për ecurinë e tij. Asnjë studim i mëvonshëm nuk e përmendte këtë. Dihej vetëm se djali i ri kishte depërtuar në rrethet politike të anarkistëve dhe kishte filluar të zinte vend në to. Dukej se politika kishte qenë më e rëndësishme se drejtësia për të, përderisa tre vjet më vonë, gjatë Revolucionit të Shkurtit 1848, ai ishte shndërruar në lider i grupit të studentëve të huaj të Sorbonës.[xxxv]
      Në paragrafin e cituar më lart, e vetmja gjë e vërtetë është se Said Sermedin Toptani ishte djali i sundimtarit otoman të Tiranës. Paragrafi i mësipërm mund të konsiderohet si manual i mënyrës se si mashtron Fevziu me shkrim dhe me gojë (në televizion). Said Sermedin Toptani nuk mund të kishte kryer Liceun Beshiktash në Stamboll, për arsyen e thjeshtë se ky lice u hap në vitin 1936, pra 44 vite pas vdekjes së Said Sermedin Toptanit, gjë që mund të vërtetohet lehtë edhe nga website zyrtar i kësaj shkolle[xxxvi]. Përveç kësaj, kjo nuk ishte shkollë franceze. Blendi Fevziu duke e ditur se në Stamboll ka pasur një shkollë të mesme franceze, ku patën studiuar shumë shqiptarë, dhe mendon se ka qenë ajo e Beshiktashit. Në fakt, Liceu francez ka qenë ai i Gallatasarajt, por edhe ai u hap në 1868, kur Said Sermedin Toptani ishte 44 vjeç.
      Sipas atyre që thotë Blendi Fevziu në paragrafin e mësipërm, Said Sermedin Toptani duhet t’ i ketë nisur studimet për drejtësi në Universitetin e Sorbonës, në vitin 1845. Nëse do të kishte qenë kështu, atëherë për këtë gjë do të kishte dokumente. Se regjistrat e Universitetit të Sorbonës ekzistojnë dhe janë të disponueshme. Derisa Blendi Fevziu thotë në këtë “ese” se Said Sermedin Toptani shkoi në Paris për studime në moshën 20-vjeçare, ai, në anën tjetër, na jep të kuptojmë se në Francë shkoi në moshën 22-vjeçare, çka kuptohet kur thotë se tre vjet pas nisjes së studimeve në Paris, mori pjesë në Revolucionin e vitit 1848, në Francë. Kështu, Blendi Fevziu, në mënyrë jo të vetëdijshme, brenda të njëjtit artikull na jep dy data të ndryshme për vajtjen e Said Sermedin Toptanit për studime në Francë, vitin 1843 dhe vitin 1845.
      Në vitet kur supozohet të ketë shkuar në Paris, Said Sermendin Toptani duhet të ketë qenë duke bërë gjueti dhelprash në Tiranë, çka kishin nisur ta bënin aristokratët otomanë të kohës së Tanzimatit, duke imituar lordët anglezë. Edhe Fevziu bie si dhelpra në leqe, kur thotë, siç e kam cituar në paragrafin e mësipërm, se Said Sermedin Toptani shkoi në Paris së bashku me mikun e tij të supozuar Namik Qemal, shkrimtarin e njohur turk. Këtu del praktikisht i njëjti problem me të dy datat që jep Blendi Fevziu për vajtjen e Said Sermedin Toptanit në Francë. Namik Qemali ka lindur në 21 dhjetor 1840, dhe në 1843, kur sipas Blendi Fevziut ai ka shkuar në Paris së bashku me Said Sermendinin, ka qenë vetëm tre vjeç! Sipas Blendi Fevziut del se Namik Qemal u regjistrua në Universitetin e Sorbonës para se të niste shkollën fillore! Përveç kësaj, kështu del se Namik Qemali ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 në Francë, në moshën tetë vjeç! Sipas datës tjetër që jep Blendi Fevziu për vajtjen e Said Sermedin Toptanit në Francë, që është viti 1845, del se Namik Qemal ka shkuar për studime në Francë në moshën pesë vjeç dhe ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 në Francë, në moshën tetë vjeç! E vërteta është se as Namik Qemal dhe as Said Sermedin Toptani nuk kanë qenë në Francë në atë kohë. Në 1848 Said Sermedin Toptani gjendej për studime në Venedik (Venecie), e cila atëherë i përkiste Austrisë. Fevziu shkruan se plaku Radek, që e shoqëronte, i tha në Panteon:
      Është e pabesueshme,- vazhdoi ai,- por studenti shqiptar u bë lideri i grupit të studentëve të huaj. Ka qenë së bashku me Namik Qemalin, një turk që më pas u bë themelues i romanit modern në vendin e tij. Stenda e Qemalit është pasuruar më vonë. Që kur punoj këtu e kanë vizituar disa historianë turq.[xxxvii]
      Përveç ndonjë sharlatani mashtrues, asnjë njeri tjetër në Paris nuk do të thoshte se në Panteon ka një stendë ku është evidentuar pjesëmarrja e Namik Kemal në Revolucionin e vitit 1848 në Francë. Por këtu çështja nuk është se Fevziut ia tha dikush këtë gjë dhe ai shkruajti pa e parë. Fevziu rrëfen pikërisht për një bisedë të bërë para stendave të Panteonit. Kështu që mashtruesi kryesor në këtë rast është Fevziu. Blendi Fevziu, me përrallën e mësipërme, nuk ka bërë gjë tjetër veç sa ka treguar injorancën e vet, duke gënjyer. Të njëjtën gjë bën ai edhe kur shkruan në vazhdim të “esesë” “Stërgjyshi im në Paris”:
      Fati nuk qe i mbarë për anarkistët francezë. Revolucioni dështoi, por në një nga ditët e betejave të tij, djaloshi nga Tirana, që të gjithë e njihnin si “turku trim”, u ngjit mbi platformën e Panteonit, kishës madhështore të Parisit, për të ngritur flamurin e fitores. Fitores që vdiq shpejt pa iu gëzuar trengjyrëshit që valëvitej mbi një nga majat dhe kodrat më të larta të Parisit.[xxxviii]
      Por Said Sermedin Toptani nuk e ka bërë gjestin që ia atribuon Blendi Fevziu, ngritjen e flamurit në Panteon, gjatë Revolucionit të vitit 1848 në Francë. Nëse Fevziu nuk arrin të sjellë asnjë dokument që të vërtetojë ato që thotë për Said Sermedin Toptanin, se ky ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 në Francë dhe se ka ngritur flamurin mbi Panteon, të tjerë studiues që kanë bërë kërkime në arkivat franceze dhe otomane na thonë me siguri se kjo nuk është e vërtetë. Studiuesja franceze Nathalie Clayer, në librin e vet, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”, pasiqë shqyrton arkivat franceze përgënjeshtron një biograf shqiptar të Said Sermedin Toptanit, Niko Nishkun, i cili në një libër të tij, pa asnjë dokument, përsërit pretendimin e Fevziut mbi Said Sermedin Toptanin:
      Mbi Said Toptanin, shih Nishku 2000. Ky autor pohon gabimisht se Said Toptani kishte qenë në Paris gjatë revolucionit të 1848, siç thotë në mënyrë po ashtu të pasaktë edhe për Ibrahim Shinasiun.[xxxix]
      Bernard Lewis, një autoritet i njohur në rang botëror sa i përket historisë së Turqisë, në librin e vet “Lindja e Turqisë moderne”, e merr me rezervë pjesëmarrjen e një  otomani në Revolucionin e 1848-ës dhe shprehet me kujdes dhe skepticizëm, duke thënë se sipas një gojëdhëne otomane këtë veprim e ka bërë Ibrahim Shinasiu:
      Ibrahim Shinasiu ishte poet, dramaturg dhe gazetar. Bir i një oficeri artilerie, ai e mori arsimimin e tij të parë në frëngjisht nga një prej kolegëve të të atit, një renegat francez i vënë në shërbimin otoman, i cili, edhe vetë më vonë do të merrte një post në zyrën e artilerisë. Nën përkujdesjen e Reshid Pashës, ai mundi të regjistrohej në një nga misionet e studentëve turq në Paris, ku qëndroi për katër ose pesë vjet. Sipas të dhënave të traditës letrare turke, ai mori pjesë në Revolucionin e 1848-ës dhe ngriti një flamur republikan mbi Panteon.[xl]
      Por Fevziu ka një alibi intelektuale nëse mund të shprehem kështu. Fajin e ka Piro Misha, i cili është botuesi i këtij libri në shqip. Piro Misha, siç pohon Fevziu në një rast që do ta citoj më tutje, i ka rrëfyer Fevziut për librin me kujtime të Eqrem bej Vlorës, të cilin megjithatë Fevziu nuk e ka lexuar, ndonëse i referohet shpesh. Pse Piro Misha nuk i tregoi Fevziut për këtë libër të Bernard Lewis? Ose më saktë, pse nuk ia tregoi këtë detaj të librit, se Fevziu as që kishte ndërmend ta lexonte, siç do ta provoj më tutje se bën me librat e vlefshëm që ia sugjeron Misha. Duke mos u mjaftuar me këto gafa, Blendi Fevziu bën edhe një tjetër, në të ashtuquajturën ese të tij, kur nga njëra anë thotë se Said Sermedini ishte anarkist, dhe në anën tjetër thotë se flamuri që ai ngriti në Panteon ishte trengjyrëshi francez. Por anarkistët përdornin flamurin njëngjyrësh, vetëm të kuq ose të zi. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, Revolucioni i Shkurtit 1848 në Francë nuk dështoi, por bëri të mundur rrëzimin e monarkisë dhe shpalljen e republikës. Natyrisht që revolucioni mund të quhej i dështuar nga pikëpamja e anarkistëve, të cilët nuk donin fare shtet, as në formën e monarkisë dhe as atë të republikës. Është qartësisht nën ndikimin e Blendi Fevziut që në një botim zyrtar të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, siç është Fjalori Enciklopedik Shqiptar, të shkruhen gjëra të rreme për Said Sermedin Toptanin. Tek “Toptanët”thuhet:
      Ndërkaq, gjatë shekullit XIX në gjirin e familjes Toptani ndodhën ndryshime të rëndësishme. Një degë e saj u shqua për veprimtari përparimtare dhe patriotike. Përfaqësuesi i saj më i spikatur gjatë shekullit XIX ishte Sait Sermedin Toptani, i cili u arsimua në Paris, madje mori pjesë në revolucionin e vitit 1848. Për shkak të pikëpamjeve të tij përparimtare, demokratike e patriotike pësoi për 20 vjet internime nga qeveria osmane në viset e Kaukazit. Bijtë e tij Murat Toptani dhe Refik Toptani morën pjesë në lëvizjen patriotike dhe demokratike të shtetit shqiptar.[xli]
      Këto fjalë janë shkruar nga historiani Kristo Frashëri, i cili supozohet ta njohë metodologjinë shkencore të shkrimit të historisë, ndryshe të historiografisë. E megjithatë ky zotëri ka bërë këtu një sharlatanëri të çuditshme. Sepse, nëse një shqiptar do të kishte ngritur flamurin në revolucionin e vitit 1848 në Francë, atëherë, a nuk meritonte ky individ që për atë të kishte një jetëshkrim të veçantë në Fjalorin Enciklopedik dhe jo që të kishte saktësisht vetëm shtatë rreshta në një kolonë të një faqeje te ndarë më dysh vertikalisht, siç ndodh me Said Sermedin Toptanin? Kjo është prova më e mirë se hartuesit e fjalorit, duke përfshirë edhe Kristo Frashërin, nuk janë të bindur se Said Sermedin Toptani e ka kryer këtë akt, megjithatë e kanë shënuar për të kënaqur Blendi Fevziun. As Kristo Frashëri nuk sjell ndonjë dokument se kjo gjë ka ndodhur me të vërtetë. Kristo Frashëri ndoshta mund të kishte sjellë si “burim” atë “esenë” e Blendi Fevziut, të cilën e citova më lart, e cila është zhvillim i reportazhit që Blendi Fevziu e ka shkruar në vitin 1995, me titull “Panteoni pa lavdi”, kur rrëfen mitin e rremë të stërgjyshit të tij-flamurtar revolucionar të Panteonit. Kristo Frashëri e fut stërgjyshin e Fevziut në Fjalorin Enciklopedik, si flamurtar të Panteonit, dhe Fevziu e shpërblen Kristo Frashërin në librin e tij “Enver Hoxha”. Në përfundim të reportazhit të tij “Panteoni pa lavdi” Fevziu thotë edhe dy gënjeshtra të fundit, kur pretendon se gjatë vizitës së tij në 1994 në Paris, ka biseduar me administratorin francez të Panteonit, mbi Said Sermedin Toptanin:
      Përgjegjësi i fondit të Panteonit më priste të nesërmen dhe ai dinte gjithçka.
      -Një fakt interesant për ju?- Pyeti burri pa e duruar heshtjen.
      Aprovova me kokë.
      -I vështirë,- thashë.- Ti nuk e di që Shqipëria atëherë nuk kishte flamur. Vite më vonë, në ditën e pavarësisë, më 1912, djali i madh i Saidit ishte një nga njerëzit e flamurit.
      -Si?- pyeti tjetri?
      -Njeriu i flamurit.- Përsërita.
      Unë nuk mund t’ i shpjegoja atij se 64 vjet pas flamurit në Panteon, një tjetër flamur ishte ngritur mijëra kilometra prej andej, në Vlorë. Një flamur kuq e zi vizatuar nga përshkrimi i një historiani të vjetër.[xlii]
      Sipas këtyre që thotë Fevziu, ai fliste me “ti” me zyrtarin e Panteonit! Por e gjithë kjo bisedë me administratorin e Panteonit është gënjeshtër e Fevziut, pasiqë në stendat e Panteonit nuk kishte kurrgjë për Said Sermedin Toptanin. Gënjeshtra tjetër është ajo se djali i madh i Said Sermedin Toptanit, që i bie të jetë stërgjyshi i Blendit, Refik Toptani, kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, në 1912. Djali i Said Sermedin Toptanit që ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, në 1912, është Murat Toptani.
      Është e sigurt se, nëse Said Sermedin Toptani do të kishte marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 në Francë, do të kishte ngritur flamurin mbi Panteon, si dhe kjo gjë do të ishte evidentuar në stendat e muzeumit të Panteonit, atëherë me siguri që Blendi Fevziu do të kishte shkuar në Paris dhe do të kishte bërë një film dokumentar për këtë gjë, të cilin do ta shfaqte edhe në emisionin e tij televiziv “Opinion”. Gjithsesi, fakti që Said Sermedin Toptani nuk ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 në Francë nuk është asfare një gjë që i ul meritat e tij. Ai ka qenë një atdhetar relativisht i mirë. Said Sermedin Toptani meriton respekt për veprën e tij, dhe Fevziu ka treguar mungesë respekti duke e bërë atë personazh të përrallës së tij prej deliranti. Nëse do të kishte qenë gjallë Said Sermedin Toptani, të cilin tradita gojore e përshkruan si njeri me humor, do t’ i kishte thënë stërnipit të tij, Blendi Fevziut, që flamurin e anarkistëve ta merrte dhe ta ngulte në… Nejse! Të mos e personalizojmë çështjen, siç thotë Blendi Fevziu në emisionin e tij, pikërisht atëherë kur bën kombinacionet e tij më të ndyra personalizuese. Ajo që ka thënë Fevziu për Said Sermedin Toptanin është njëlloj si të dalë pas 150 vjetësh një pasardhës i Blendi Fevziut dhe të shkruajë një artikull me titull “Stërgjyshi im në Berlin”, ku të thotë se Blendi Fevziu, në 1989 u arratis nga Shqipëria komuniste dhe shkoi në Berlin, ku hoqi gurin e parë nga Muri i Berlinit!
      Sa për përpjekjet për ta shpallur Said Sermedin Toptanin si një atdhetar të shquar, ato janë me të vërtetë qesharake. Said Sermedin Toptani e pësoi përndjekjen e parë nga qeveria otomane në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XIX, për shkak të pjesëmarrjes së vet në organizatën e fshehtë të Osmanëve të Rinj. Vetëm në fund të viteve gjashtëdhjetë ai u afrua me lëvizjen nacional-kulturore shqiptare në Stamboll, por nuk ishte aktiv. Said Sermedin Toptani mori pjesë në fillimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në 1878, por u kujdes që të qëndronte mënjanë kur Lidhja hyri në konflikt të hapur me autoritetet otomane dhe kur u ballafaqua ushtarakisht me otomanët, në 1881. Duke konsideruar ndikiminin e madh të familjes së tij në Tiranë, Durrës dhe Krujë, dhe atë që mund të bënte ai, mund të thuhet se Said Sermedin Toptani, praktikisht u tërhoq nga lëvizja nacionale shqiptare në momentet vendimtare të saj. Said Sermedin Toptani nuk ndoqi shembullin e Abdyl Frashërit, i cili shkoi në Prizren atëherë kur Lidhja Shqiptare u ballafaqua ushtarakisht me otomanët, por qëndroi në Tiranë i tërhequr. Nga një njeri si Said Sermedin Toptani duhej pritur që të shkonte në Prizren me disa mijëra njerëz të armatosur për të mbështetur forcat e Lidhjes në luftë me otomanët, kur në pranverë 1881 u mësua se Sulltani do të niste një ekspeditë ushtarake për të shtypur Lidhjen Shqiptare. Paraardhësi i Blendi Fevziut, Said Sermedin Toptanit mund të quhet nismëtari i asaj tradite familjare të dyfishtë që ka trashëguar Fevziu, të tradhtisë politike për të cilën në vend të shpërblimit të pritur merret ndëshkimi pikërisht nga ata në dobi të të cilëve u krye tradhtia. Said Sermedin Toptani është mishërim i asaj maksimës “Të gjithë e duan tradhtinë, por kurrkush nuk e do tradhtarin”, Autoritetet otomane, pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, e internuan Said Sermedin Toptanin, i cili kështu shkoi të vdiste në Kaukaz, në vend që të kishte vdekur si hero në Prizren, apo edhe në Tiranë.
      Nëse Said Sermedin Toptani do të kishte qenë vërtet pjesëmarrës në Revolucionin e Shkurtit 1848 në Paris, Blendi Fevziu me siguri që do të kishte bërë për të një libër dhe jo një ese dhe një tregim. Në çdo vend sadopak serioz, paraqitja publike e provave se një njeri me profil të lartë publik si Blendi Fevziu ka mashtruar duke thënë se stërgjyshi i tij ka marrë pjesë në revolucionin e vitit 1848 në Francë, ku ka ngritur flamurin mbi Panteon, do të kishte përbërë një lajm të bujshëm, që do ta kishte vënë Fevziun para detyrimit për të dhënë shpjegime dhe do ta kishte diskredituar përjetësisht. E megjithatë, ja ku jemi pas rreth tre vitesh dhe nuk ka ndodhur kurrgjë. Fevziu nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Denoncimi publik i mashtrimit të Fevziut, nga ana ime, nuk përbëri lajm të bujshëm, në sensin që atij nuk i bënë jehonë gazetat dhe televizionet e tjera. Historia fillon kështu. Mendimet që unë shpreh për paraardhësit toptanas të Blendi Fevziut nuk do të thotë se unë kam një mendim të keq për krejt toptanasit. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë me të vërtetë atdhetarë shumë të mirë si Murat Toptani, Abdi Toptani, Hamit Toptani etj.
      Epigrami i mitomanisë së Blendi Fevziut do të ishte se ai ka krijuar një panteon të rremë, duke iu atribuar paraardhësve të tij veprime që ata nuk i kanë bërë, duke krijuar një piramidë rrenash, ekuivalent kërshëror i piramidave mashtruese financiare të krijuara gjatë tranzicionit në Shqipëri. Ndryshimi mes piramidës së Fevziut dhe piramidave të Sudes dhe Rrapush Xhaferit është se, ndërsa në piramidat financiare depozitonin para shqiptarët, të cilat pastaj keqpërdoreshin nga pronarët e piramidave financiare, Fevziu depoziton inorancën dhe rrenat e tij në mendjen e shqiptarëve. Synimi i Fevziut është që të krijojë për veten një reputacion prej njeriu me një gjenealogji historike, të cilën kërkon ta përdorë politikisht për të ushtruar ndikim mbi qeveritarët e vendit, çka do t’ i përkthehet në përfitime financiare. Me këto që thotë Fevziu mund të gënjehen lehtësisht politikanët të cilëve ai ua tregon, se ata nuk lexojnë, dhe mendojnë se nëpërmjet rrëfimeve të Fevziut mësojnë historinë.        
     

6.
Tregimi, ose hetimi policor i Fevziut për stërgjyshin e vet, Abdyl Ypi

      Duke imituar tregimin e Ismail Kadaresë “Baladë për vrasjen e J. G” (Jusuf Gërvallës), Blendi Fevziu ka shkruar një tregim për vrasjen e stërgjyshit tëtij, Abdyl Ypi. Në vitin 1995, gjatë dy ditëve, në 25-27 gusht, siç thuhet në fund të tekstit, Blendi Fevziu ka shkruar atë që ai vetë e quan “tregim ose kronikë”, me titull “Vrasja ndodhi në pesë mbasdite”, i cili është botuar në librin e tij “Gjysma tjetër e botës”, një vit më pas.[xliii]Duke e quajtur “tregim ose kronikë”, Fevziu kërkon të thotë që në fillim se nuk bëhet fjalë për fiction, dhe se në fakt ngjarja, domethënë vrasja është reale, ashtu si dhe të gjithë personazhet në tregim janë persona realë. Në shkrimin e Fevziut, fiction ka në hipotezat për vrasjen. 
      Tek “Vrasja ndodhi në pesë mbasdite” rrëfehet për vrasjen e stërgjyshit të Blendi Fevziut, nga ana e nënës, Abdyl Ypit, në Durrës, në janar 1920. Blendi Fevziu, i cili në 1995, ashtu si edhe sot, ishte dhe është së pari gazetar, dhe pastaj edhe shkrimtar, nuk ka bërë kurrë një shkrim si gazetar për Abdyl Ypin. Arsyeja është e thjeshtë. Në këtë rast Blendi Fevziut do t’ i duhej të jepte hollësi për lidhjen e tij me Abdyl Ypin, çka ai nuk mund ta bëjë për shkak se ka një kompleks të mbetur nga koha e diktaturës komuniste për të fshehur hollësitë e gjenealogjisë së tij. Në këtë tregim, me personazhe reale, Fevziu thotë disa të pavërteta:
      Enigmat fillonin që në frazën e dytë pas kësaj. D.m.th. që ai, Abdyl Ypi, Prefekt i zgjedhur i Durrësit dhe inisiator i Kongresit të Lushnjës, përgatitej të shkonte në mbledhjen me përfaqësuesit e Peqinit, ose ndoshta kthehej prej andej. Këtë nuk dinte ta sqaronte askush. Dëshmitari i vetëm, shoqëruesi i asaj nate, ishte njohur disa muaj më vonë pjestar në vrasje dhe ishte dënuar për të vdekur disa vjet më parë në një burg ordiner, në një tjetër qytet e njëherazi kryeqytet bregdetar.[xliv]
      Së pari, Abdyl Ypi nuk ishte prefekt i Durrësit në kohën që u vra, në janar 1920, por ishte shkarkuar nga ky post prej qeverisë së Durrësit, pesë muaj më parë, në gusht 1919, çka thuhet edhe në jetëshkrimin e tij në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Abdyl Ypi edhe në kohën që ishte prefekt, nuk ishte prefekt i zgjedhur i Durrësit, siç thotë Fevziu, por ishte emëruar prefekt nga qeveria e Durrësit, e kryesuar nga Turhan Pashë Përmeti, të cilën qeveri kërkonin ta rrëzonin ata të cilët do të mblidheshin në Kongresin e Lushnjës. Gjithashtu, ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, Abdyl Ypi nuk ishte nismëtar i Kongresit të Lushnjës, madje as njëri nga nismëtarët, por vetëm një njeri që intrigonte me të dy palët, sipas një agjende konspirative personale, çka ishte bërë e njohur në atë kohë, siç do të citoj më tutje. Abdyl Ypi nuk mund të kishte qenë në Peqin, për të marrë pjesë në mbledhjen që do të nxirrte përfaqësuesit e kësaj zone në Kongresin e Lushnjës, se ai nuk kishte lidhje me Peqinin. Abdyl Ypi ishte me origjinë nga fshati Starje i Kolonjës. Aq më tepër Ypi nuk mund të rikthehej në qytetin e Durrësit pas pjesëmarrjes në një mbledhje të tillë. Nuk duket e besueshme as që ai ishte duke shkuar në Peqin, për arsyet që thashë më lart. Nëse Ypi do të kishte qenë në Peqin para vdekjes, për këtë gjë do të kishte shumë dëshmitarë. Nëse ai pati qenë duke u nisur për në Peqin, kjo nuk ishte ndonjë ngjarje e tillë që ta bënte Qeverinë e Durrësit ta vriste atë, se Abdyl Ypi nuk kishte asnjë ndikim në Peqin, në Shqipërinë e Mesme, ku si në çdo zonë tjetër të Shqipërisë kishin ndikim vetëm ata të cilët qenë me origjinë nga ajo zonë dhe u përkisnin familjeve të mëdha të saj. Blendi Fevziu, gjithandej në tregim e paraqet Abdyl Ypin protagonistin e thirrjes së Kongresit të Lushnjës:
      E jashtëzakonshmja nisi pas kufirit fatal të orës pesë. Edhe pse në të vërtetë, ajo kishte ekzistuar shumë përpara tij. Që kur Abdyl Bej Ypi, ishte bërë protagonist i thirrjes së një kongresi kombëtar në Lushnjë dhe qeveria proitaliane e kishte paralajmëruar për këtë.[xlv]
      Por nuk ka asnjë dokument historik që të vërtetojë se Abdyl Ypi ishte njeriu kryesor në lëvizjen për thirrjen e Kongresit të Lushnjës. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, gjendet ky jetëshkrim i Abdyl Ypit, i bërë qartësisht nën ndikimin e Blendi Fevziut:
      Abdyl Ypi
      1878-1920
      Veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi dhe për një shtet demokratik shqiptar. Lindi në Starje të Kolonjës. Mori pjesë aktive në lëvizjen xhonturke, dhe pas fitores së saj, në korrik 1908, u vu në krye të Klubit Shqiptar të Stambollit. Deri në prag të Shpalljes së Pavarësisë A.Y. ishte një nga përfaqësuesit e krahut të moderuar të lëvizjes kombëtare. Pas Luftës së Parë Botërore ishte kundërshtar i orientimit politik proitalian të qeverisë së Durrësit të formuar në dhjetor 1918; propagandoi rrëzimin e asaj qeverie dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës. Veproi aktivisht në këtë drejtim dhe në gusht 1919 u shkarkua nga posti i prefektit të Durrësit. Në prag të hapjes së Kongresit të Lushnjës, kundërshtarët e tij politikë proitalianë organizuan vrasjen e tij me atentat në Durrës, me qëllim që të krijohej në vend një atmosferë frike dhe terrori dhe kështu të dështonte mbledhja e atij Kongresi.[xlvi]
      Në këtë tekst vërehet prirja për të pastruar pikat e errëta të veprimtarisë politike të Abdyl Ypit. Çka do të thotë se Abdyl Ypi ishte përfaqësues i krahut të moderuar të lëvizjes kombëtare, në Stamboll, në prag të shpalljes së pavarësisë? A mund të quhet “moderim” fakti që Abdyl Ypi nuk e mbështeti efektivisht Ismail Qemal Vlorën, kur ky i fundit u nis nga Stambolli në vjeshtën e vitit 1912, për të gjetur mbështetje në kryeqytetet europiane për shpalljen e pavarësisë në Shqipëri. Abdyl Ypi nuk bënte pjesë në grupin që u nis me Plakun e Vlorës. Gjithsesi, me gjithë ndërhyrjet e Blendi Fevziut, autorët e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar nuk mund të çertifikonin një gënjeshtër të Fevziut për Abdyl Ypin që ishte qënia e tij si delegat me të drejtë vote në Kongresin e Manastirit në 1908. Një shembull i manipulimit të Blendi Fevziut me paraardhësit e tij është artikulli i tij i botuar në gazetën “Panorama” në 25 nëntor 2008, me titull “Kongresi i Manastirit! 100 vjet më pas!”Në këtë shkrim Fevziu, duke folur për përkujtimin e jubileut të Kongresit të Manastirit në 2008, ku pasardhësit e delegatëve morën pjesë në celebrimet e mbajtura në Manastir dhe Shkup, thotë se:
      Duke ju përgjigjur ftesës me shumë kënaqësi zbulova se në listën e kongresit nuk qëndronte vetëm ky stërgjysh i imi, foton e të cilit në kongres isha mësuar ta shihja që fëmijë, të varur në një mur të shtëpisë së vjetër, por edhe një tjetër stërgjysh, Abdyl Ypi që ishte ulur në atë sallë për të marrë një prej vendimeve më të rëndësishëm për shqiptarët: krijimin e një alfabeti dhe alfabeti latin.[xlvii]
      Në të vërtetë, asnjëri nga stërgjyshët e Blendi Fevziut nuk ka qenë delegat me të drejtë vote në Kongresin e Manastirit, pasiqë asnjëri prej tyre nuk e ka emrin dhe firmën në akt-vendimin e kongresit. Vetëm 32 prej delegatëve qenë me të drejtë vote. Si është e mundur që Blendi Fevziu, i cili në vitin 2008, tashmë prej shumë vitesh mburrej me paraardhësit e tij me emra historikë, nuk e dinte se Abdyl Ypi, për të cilin pati shkruar edhe një ese, qe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit? Gjithsesi, edhe në këtë rast Blendi Fevziu nuk rri dot pa gënjyer se është një gjë e njohur që Abdyl Ypi në Kongres ishte kundërshtar i alfabetit pastërtisht latin, dhe bashkë me kushëririn e tij, Shahin bej Ypi (Kolonja), ishte për ruajtjen e alfabetit mikst të Stambollit, të vitit 1879, i cili kishte edhe karaktere greke dhe sllave, veç atyre latine. Alfabeti mikst krijonte probleme të mëdha në shtypjen e librave dhe gazetave, se procesi i shtypshkrimit për to ishte shumë më i ndërlikuar se në rastin e librave dhe gazetave të cilat shtypeshin në secilin prej alfabeteve që e përbënin atë. Gjithashtu, alfabeti mikst u krijonte të huajve përshtypjen se shqiptarët kishin një identitet të paqartë. Mbështetësit e alfabetit mikst kishin si argument kryesor atë se tashmë ky alfabet qe në përdorim prej tridhjetë vitesh dhe se njerëzit qenë mësuar me të. Qartësisht, ky ishte një argument alogjik, se shqiptarët të cilët qenë mësuar me alfabetin e vështirë mikst, do ta kishin shumë më të thjeshtë të mësoheshin me alfabetin e ri, ku karakteret sllave dhe greke, qenë zëvendësuar me ato latine.
        Kongresi, i cili ishte duke dështuar për shkak se asnjëra nga palët nuk tërhiqej, u mbyll me një kompromis. Kongresi vendosi që gjuha shqipe të shkruhej në dy alfabete, në një alfabet latin dhe në alfabetin mikst. Në shkolla do të ishte i detyrueshëm mësimi i të dy alfabeteve. Nuk është e vështirë që të kuptohet se sa absurd ishte ky vendim dhe sa në dritë të keqe i nxirrte shqiptarët para të huajve. Shqiptarët, në vitin 1908 ende nuk qenë pajtuar për alfabetin në të cilin do të shkruhej gjuha e tyre! Por meqënëse edhe kjo betejë për alfabetin u zhvillua në kontekstin e luftës që bëhej kundër atyre që donin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet arab dhe të cilët kishin mbështetjen e autoriteteve osmane, krahu i alfabetit latin e pranoi kompromisin. Me krijimin e shtetit shqiptar, nuk shkoi shumë kohë dhe alfabeti mikst u braktis vetiu dhe në përdorim mbeti vetëm alfabeti latin. Me krijimin e shtetit shqiptar u kuptua shpejt se përdorimi i alfabetit mikst në dokumentet zyrtare dhe në shkolla vinte në diskutim identitetin e shtetit dhe atë të nacionit shqiptar. Këto të vërteta nuk mund të fshihen sot pas 100 vjetësh dhe të dalë se në 1908 të gjithë delegatët qenë për alfabetin latin që kemi sot. Dokumenti kryesor që kemi sot për Kongresin e Manastirit është një raport për kongresin i bërë për gazetën shqiptare “Liria”, e cila botohej në Selanik. Në këtë report thuhet për ditën e shtatë të kongresit:
      Meqënëse pas programit ishin për t’ u mbajturë dhe disa konferenca, kryetari i Kongresit çdo konferencë iau ndau atyre që ishinë të zotërit t’ i thonë. Atë pasdreke u dhanë dy nga këto konferencë, dy të vetëmë, se të tjerëtë për ngushtic’ e kohësë mbenë pa thënë. I pari konferenc: “Dobija e një bashkimi të Shqypëtarëve në mes të tyre dhe me xhemietinë”- u dha prej Zotit Abdyl Ypi Kolonjësë, i cili foli me po atë zjarr dhe shpirt që i kemi parë dhe në konferencë të tjerë.
      I dyti konferenc: “Detyra që ka çdo shqipëtar të ndihnjë me të holla për mbrothësinë e kombit të vet”- u tha prej Emzot Nikolla Kaçorrit.[xlviii]
      “Xhemieti”, për të cilin foli Abdyl Ypi ishte Komiteti Xhonturk, anëtar i të cilit ishte edhe ai. Aq shumë paska folur Abdyl bej Ypi për bashkimin me Xhemietin saqë nuk u la kohë të tjerëve! Nuk mund të mos vihet re diferenca mes fjalëve të Abdyl Ypit dhe atyre të Dom Nikollë Kaçorrit. Derisa i pari foli për bashkimin me Xhemietin, i dyti foli thjesht për çështje shqiptare. Duke u rikthyer tek jetëshkrimi i Abdyl Ypit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, konstatohet se, ndonëse në të thuhet se Abdyl Ypi ishte kundërshtar i Qeverisë së Durrësit, nuk përmendet fakti se ai u emërua në postin që mbante pikërisht nga kjo qeveri. Autorët e Fjalorit Enciklopedik e quajnë të mirëqenë një version për vrasjen e Abdyl Ypit që nuk është i mbështetur në prova dhe nuk përmendin veprime të Abdyl Ypit, për të cilat kemi njohuri nga burime më të besueshme se ato nga ku dalin pjesa më e madhe e të dhënave të jetëshkrimit të Ypit në Fjalorin Enciklopedik. Sejfi Vllamasi, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, dhe një nga politikanët e rëndësishëm të kohës thotë në kujtimet e veta për Abdyl Ypin:
      Nga fundi i nandorit të 1919-ës u bë një mbledhje në Durrës nga shokët e organizatës, ku morën pjesë: Sotir Peci, Eshref Frashëri, Salih Vuçiterni, Halim Gostivari, Xhavit Leskoviku dhe unë. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Abdyl Ypi dhe mbledhja u bë në shtëpin’ e tij.
      Abdyl Ypi, veteran, patriot, ka qënë i zgjuar, guximtar dhe orator por ambicioz dhe bej aristokrat. Ky ka qenë krijuesi i “Lidhjes së bejlerëve”, anëtarët e së cilës dalloheshin me numrat e shënuara brenda rrethit të unazës të çdo anëtari dhe ka qenë i mendimit që Shqipëria të sundohet prej klasës aristokrate. Kjo lidhje dhe mendime stupide të këtij lloji si të gjitha të tjerat e kësaj kategorie, nuk patën jetë të gjatë. Pra Abdyl Ypi ka zhvilluar një aktivitet politik në favor të Esatit dhe ka bashkëpunuar me krerët esadistë të Shqipërisë së Mesme, elementë të pushkës dhe injorantë e të një niveli politik tepër të ulët. Mbasi bashkëpunimi me ta i kishte shkaktuar deziluzione, heq dorë nga mendimet e vjetra dhe si i gabuar aderon në organizatën “Krahu Kombëtar”.[xlix]
      Organizata për të cilën e ka fjalën Vllamasi është “Krahu Kombëtar”, çka ai e përmend edhe në fund të paragrafit të cituar më lart. “Krahu Kombëtar” ishte një organizatë sekrete politike e krijuar në Durrës në 1914 (Durrësi në atë kohë ishte kryeqytet i Shqipërisë), e ndërtuar sipas modelit të llozhave të masonerisë së lirë që funksiononin në Pernëdim, por edhe në Imperinë Otomane. Kjo organizatë synonte që të funksiononte si një qendër kontrolli e institucioneve të shtetit të ri shqiptar, e parlamentit, qeverisë, administratës, ushtrisë, policisë, gjykatave, prokurorisë. Anëtarët e “Krahut Kombëtar” patën qenë të gjithë anëtarë të niveleve të ndryshme të organizatave konspirative otomane që patën bërë Revolucionin Xhonturk. Kjo organizatë, mori emërtimin përkeqësues Klika, dhe anëtarët e saj u quajtën klikarë. Siç kuptohet nga fjalët e Vllamasit, edhe Abdyl Ypi u bë anëtar i “Krahut Kombëtar”. Por duket se Abdyl Ypi ua mbajti sekret “vëllezërve” të organizatës konspirative faktin se ai kishte krijuar një tjetër organizatë konspirative të llojit të llozhave masone të lira, të quajtur “Lidhja e Bejlerëve”. Pas të gjitha gjasave, Abdyl Ypi kërkonte që t’ i instrumentalizonte të dy organizatat në dobi të ambicjeve të tij politike për pushtet. Blendi Fevziu parapëlqen këtë shpjegim për vrasjen e Abdyl Ypit:
      Sipas kujtimeve që kishte skeduar biografi i tij, përforcuar edhe me shënimet e nxjerra nga shkrimtari i njohur, fataliteti kishte nisur që në mëngjes. Në shtëpinë e madhe të Cen Fanit, ku Abdyli qe vendosur disa muaj më parë, në mëngjes ishin zhdukur dokumentat autentike të kongresit. Sipas dëshmive të shërbëtorëve të tij në gjyq, dokumentat e shkruara me makinë nga sekretari, Xhemil Ruga, ishin fshehur një natë më parë nga ky i fundit, nën një vend sekret nën shkallët e mëdha. Të nesërmen ato nuk ishin më aty. Shërbëtorët këmbëngulnin se Abdyl Beu ishte veçanërisht i nervozuar atë mëngjes, ndërsa djali i tij dyvjeçar ishte gdhirë i sëmurë. Përmbajtja e dokumenteve mbeti gjithashtu enigmë. Shtypi i kohës i përshkruante si listat e vërteta të delegatëve, ndërsa kujtimet e nevojshme, ato më të qartat, por edhe më të influencuarat politikisht, përmendnin një platformë të plotë që do të pengonte në kongres autoritetin absolut. Ashtu siç kishte ndodhur në të vërtetë dy javë më vonë, me një matjan të ri të quajtur Ahmet bej Zogu, mbreti i ardhshëm i Shqipërisë.[l]
      Nuk ngjan asfare e besueshme që organizatorët e Kongresit të Lushnjës, t’ i kishin dhënë Abdyl Ypit në Durrës listën e plotë të delegatëve të Kongresit të Lushnjës, ose ta kishin ngarkuar që të bënte një program politik për Kongresin e Lushnjës. Se kështu del se Abdyl Ypi kishte qenë kryetar i grupit nismëtar të Kongresit të Lushnjës. Por kjo gjë nuk është e vërtetë, dhe këtë ne e dimë nga dokumentet historike mbi Kongresin e Lushnjës, të cilat është e tepërt që të citohen këtu. Fevziu, në tregimin e tij aludon se në vrasjen e Abdyl Ypit kishte dorë Zogu, siç e kam cituar më lart. Por duket krejt e pabesueshme që Abdyl Ypi të jetë vrarë me urdhër të Ahmet Zogut për shkak se Ypi do të shkonte në Kongresin e Lushnjës, që do të mbahej pas disa ditësh, për të paraqitur një program që do të pengonte autokracinë në Kongres, të cilën sipas Fevziut e arriti Ahmet Zogu. Por Ahmet Zogu nuk e arriti aspak një pozitë të tillë në Kongresin e Lushnjës, ku ai arriti të bëhet vetëm ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e dalë nga kongresi. Blendi Fevziu kërkon ta paraqesë Abdyl Ypin si pionierin e demokracisë dhe liberalizmit në Shqipëri. Natyrisht, Fevziu nuk ka sjellë asnjë provë për të treguar se Abdyl Ypi kishte përgatitur një program të tillë dhe se kishte ndërmend ta zbatonte atë. Ahmet Zogu kishte shumë armiq në janar 1920, një pjesë të të cilëve ai do të kishte dashur t’ i vriste. Por Zogu me siguri që nuk e shihte Ypin si një nga dashamirët e tij, por me siguri që ai nuk llogariste  atë ndër armiqtë e tij të dëmshëm, të cilët do të donte t’ i vriste imediatisht. Blendi Fevziu, në tregimin e tij e zbulon kështu enigmën e vrasjes së Abdyl Ypit:
      Ai e dinte se donte ta vrisnin. Gjeneral Ferrero, komandanti italian i Durrësit e kishte paralajmëruar për këtë. Gjithmonë sipas kunatës, gjenerali i ofroi strehim së bashku me familjen e tij në Itali dhe kur ky refuzoi iku i trishtuar.
      -Do të të vrasin,- i tha.- Njerëzit e ndershëm si ti nuk bëjnë dot politikë në Shqipëri.
      Gjeneral Ferrero në të vërtetë ishte njeriu që në të vërtetë kishte firmosur vrasjen e tij. Biografi ndryshe nga plaka e dinte këtë. 50 vjet më vonë ai kishte gjetur protokollet e takimit sekret të gjeneralit me dy drejtuesit e Qeverisë së Durrësit. Dokumentat që fare rastësisht nuk qenë gjetur atëherë, ishin gjetur 50 vjet më vonë në sëndykun e një shtëpie të vjetër në Durrës, midis shumë letrave pa vlerë, të braktisur nga të gjithë. Madje nuk ishte një protokoll i vërtetë. Ishte një marrëveshje nderi midis përfaqësuesve që angazhoheshin njëra palë të vrisnin Abdylin dhe pala italiane t’ i mbështeste dhe paguante ata. Interesi ishte sidoqoftë i dyfishtë. Biografi e dinte se vrasja ishte vendosur 20 ditë më parë. Edhe shkrimtari e dinte këtë ndaj shpesh ishte përpjekur të imagjinonte tiparet e gjeneralit italian kur kishte firmosur pa bujë dënimin me vdekje të mikut të tij.[li]
      Kështu, sipas Fevziut 50 vjet pas vdekjes së Abdyl Ypit, pra në vitin 1970, ndoshta me rastin që sapo kishte lindur Blendi, u zbulua një dokument sekret në Durrës, që ishte një marrëveshje me shkrim për vrasjen e Abdyl Ypit. Nëse një dokument i tillë do të kishte ekzistuar vërtet, atëherë sipas praktikës së rëndomtë në këto raste, duhet të ishte bërë në dy kopje nga të cilët njërën e kishte pala italiane, dhe kopjen tjetër e kishin shqiptarët të cilët vranë Abdyl Ypin. Pala shqiptare në këtë marrëveshje, nuk mund ta linte në mënyrë kaq të shkujdesur këtë dokument, që ishte një marrëveshje për vrasje politike. Nëse dokumenti do të ekzistonte vërtet, ata do ta kishin asgjësuar pasiqë kishin marrë shpërblimin për vrasjen. Por këtu nuk jemi duke folur për një fakt real, por për fantazinë e Blendi Fevziut. Fevziu kërkon të thotë praktikisht se Abdyl Ypin e vranë italianët. Nëse italianët do të kishin dashur që të vrisnin ndonjë nga nismëtarët e Kongresit të Lushnjës, ata do të kishin vrarë së pari pikërisht Ahmet Zogun, ose Aqif Pashë Biçakçiun, të cilët patën rolin më të rëndësishëm në thirrjen dhe mbajtjen e kongresit. Sa i përket vrasjes së Abdyl Ypit, kujtimet e kunatës së tij, e cila ishte një person real dhe jetoi deri në vitin 1994, na ndriçojnë për të zbuluar të vërtetën. Dokumentet sekrete vjedhjen e të cilave Ypi e konstatoi ditën që e vranë, dhe humbja e të cilave, sipas rrëfimit të kunatës, e bëri shumë nervoz Abdyl Ypin, duhet të kenë qenë dokumentet sekrete të një organizate sekrete të krijuar prej tij, Lidhjes së Bejlerëve. Organizatat konspirative kanë një betim të detyrueshëm për anëtarët e rinj, sipas termave të së cilit anëtari i ri u njeh të drejtën “vëllezërve” që ta ndëshkojnë duke i marrë jetën, nëse shkel betimin. Të njëjtin betim ka bërë edhe Abdyl Ypi kur hyri tek “Krahu Kombëtar”. Kur “vëllezërit” e “Krahut Kombëtar” e zbuluan tradhtinë, ata e vranë Abdyl Ypin dhe vrasjen e tij ua atribuan kundërshtarëve politikë të tyre, gjegjësisht Mustafa Merlikës (Kruja). Kur dokumentet sekrete të Lidhjes së Bejlerëve ranë në duart e njerëzve të Klikës, Abdyl Ypi nuk mund të mohonte më se ishte kreu i një organizate sekrete rivale me “Krahun Kombëtar”, çka do të thoshte se ai tashmë ishte i dënuar me vdekje. Prandaj Ypi ishte veçanërisht nervoz atë ditë. Sejfi Vllamasi e shpjegon kështu vrasjen e Abdyl Ypit:
      Me qendër në Durrës ka ekzistuar një komitet i fshehtë kundër Esatit dhe esadistëve. Ky komitet kryesohej prej Mustafa Krujës dhe kishte anëtar Salih Xhukën, inspektor i arsimit, një veteran patriot prej Peje (Kosovë), por kriminel i lindur etj. Komiteti vendos ta vrasë Abdyl Ypin në një kohë kur delegatët ishin duke u mbledhur në Lushnjë, për të trembur këta që të mos lëviznin nga vendet e tyre dhe nga ana tjetër të dukej se u vra si esadist. Për ta vënë në jetë projektin e tyre ata e ftojnë Abdyl Ypin në mbrëmjen e 16 janarit 1920 në shkollë, në Durrës, për një bisedim. Abdyl Ypi pa të keq shkon në shkollë në orën e caktuar. Sali Xhuka bën manevra të ndërlikuara në hapjen e derës së shkollës dhe po atë çast Ypi vritet prej Sulë Mërlikës, kushëririt të parë të Mustafa Krujës dhe i biri i Xhi Fajës që vrau të birin e vezirit të madh Refat Pashës në Urën e Gallatit për hakmarrjen e Gani bej Toptanit. Sulë Mërlika ka qënë në pritë afër derës së shkollës.[lii]
      Ky shpjegim i Vllamasit për vrasjen nuk është asfare bindës. Sipas Vllamasit del se Abdyl Ypi është vrarë nga Qeveria e Durrësit, për të shkurajuar ata që po tuboheshin në një kongres në Lushnjë me qëllim që të rrëzonin Qeverinë e Durrësit, do të thotë për të shkurajuar “Krahun Kombëtar”. Por Abdyl Ypi posa kishte hyrë në “Krahun Kombëtar” dhe nuk kishte ndikim atje, pra vrasja e tij nuk do të arrinte qëllimin që i atribuohej nga Klika. Kundërshtarët e Kongresit të Lushnjës, nëse do të kishin pasur ndërmend që të bënin një vrasje politike për të shkurajuar Klikën, do të kishin vrarë ndonjë klikar të rëndësishëm, nga ata që udhëtonin për në Lushnjë.  Miti i Abdyl Ypit si pjesëmarrës i rëndësishëm i paracaktuar i Kongresit të Lushnjës, që mungoi atje për shkak të vdekjes së tij, u krijua më pas nga Klika, kur kjo e fundit erdhi në pushtet me Kongresin e Lushnjës. Klika e shpalli Abdyl Ypin dëshmorin e Kongresit të Lushnjës. Në të vërtetë, Abdyl Ypi u vra nga Klika kur kjo zbuloi se ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Bejlerëve. Klika nuk mund të duronte një organizatë konspirative rivale në Shqipëri. Kështu, mund të thuhet se Abdyl Ypin e vranë natën dhe e qanë ditën njerëzit e Klikës. Versioni për vrasjen e Abdyl Ypit që jep Vllamasi është versioni zyrtar i atyre që u tubuan në Kongresin e Lushnjës për të rrëzuar Qeverinë e Durrësit, pra i “Krahut Kombëtar”. Këtë version ata u përpoqën që ta sanksionojnë dhe me anë të gjyqeve që u bënë pas ardhjes në pushtet të “Krahut Kombëtar”pak kohë së Abdyl Ypit. Por ky version i vrasjes ka shumë pika të dobta dhe kundërthënie. Përse duhej që ta ftonin në takim Abdyl Ypin ata që donin ta vrisnin, çka do të thoshte që të tradhtonin autorësinë e vrasjes, kur fare mirë mund ta vinin vrasësin që ta kryente krimin kur ta ndeshte Ypin, gjë që nuk ishte e vështirë? Kadri Hoxha, një nga pjesëmarrësit më të rëndësishëm të Kongresit të Lushnjës dhe ministër në qeverinë e dalë prej tij, shkruan në kujtimet e veta se “Krahu kombëtar” (Klika) u orvat që të bashkëpunonte me Abdyl Ypin, për të rrëzuar qeverinë e Durrësit. Por kur “Klika” mësoi se Abdyl Ypi kishte krijuar një organizatë të fshehtë rivale, vendosi që ta vrasë. Sipas Kadri Hoxhës njerëzit e Klikës konspiruan me Mustafa Krujën, që ai ta vriste Abdyl Ypin. Klika i premtoi Mustafa Krujës se kongresi që do të rrëzonte qeverinë e Durrësit do të mbahej në Krujë dhe se në qeverinë që do të dilte prej tij, Mustafa Kruja do të merrte një prej portofoleve të rëndësishme ministrore.[liii]Mustafa Kruja, i fajësuar për vrasjen, do të shkruante në një letër për At Paulin Margjokaj, në vitin 1952:
      Ato ditë, pak para se t’ u mblidhte kongresi qe bamë edhe një krim në Durrës, qe vramë Abdyl Ypi. Rrethanat ishin krejt të mbara për me i mbetun ai krim qeveris. Ç’ nuk u tha? Unë kisha dërgue njerëz prej Kruje për ta vramë sepse kishte qenë kundreshtar i Qeveris e propagandist i fortë i kongresit të Lushnjës, jo poi a kishte bamë të zezën Fejzi Beu. Auktori ase auktorët e atij krimi, gjyqit i kanë mbetun, atë ditë e sod, të panjohun. Miqt e mij qi u kapën ma vonë prej qeveris së re e u gjykuen po nën atë qeveri duelën të pafajshëm. Por në atë ajri të elektrizueme prej propagandës, unë e Fejzi Beu kemi mbetun gjithmonë nën padin e kundrështarëve t’ anë.[liv]
      Ndoshta vrasja e Abdyl Ypit ishte një bashkëpunim i Klikës me Esat Toptanin, se vetë Sejfi Vllamasi pohon se: 
      Në dhjetor 1919, Esad Toptani, nga Parisi, i jep urdhër qeverisë së tij në Selanik për të lajmëruar Komitetin në Dibër që të niste menjëherë Osman Memën në Shqipëri të Mesme me qëllim që të lajmërojë të gjithë anëtarët e tij që të përkrahin Kongresin e Lushnjës, mbasi “qeveria e Durrësit ishte e shitur tek italianët”. Osman Mema shkon e takon Osman Balin, Selam agë Ndroqin, Bajram Gjyzelin, Hoxhë Liçinin, Alush agë Rrogozhinën, Veli bej Jubën në Sukth, Hamit Toptanin, dhe në Krujë, Mane Mustën. Të gjithë këta krerë esadistë të Shqipërisë së Mesme muarën pjesë në Kongresin e Lushnjës.[lv]
      Pra, bashkëpunimi i Esat Toptanit me Klikën ka filluar pak kohë para vrasjes së Abdyl Ypit. Esat Toptani kishte interes që të vritej Abdyl Ypi se nuk donte që të dilte një rival që do të bëhej kryetar i bejlerëve të Shqipërisë. Pavarësisht nëse vrasja u bë me ndihmën e Esat Toptanit, apo jo, më e besueshme është se Ypi, në ditën që u vra doli nga shtëpia për të shkuar në mbledhjen e degës së “Krahut Kombëtar” në Durrës, dhe me të arritur në vendin e takimit iu kumtua vendimi i gjyqit sekret të Klikës, që e pati dënuar me vdekje për shkelje të betimit. Një provë e tërthortë për këtë gjë është fakti se vrasësi nuk ia mori Ypit unazën e shtrenjtë që ky mbante në dorën e tij. Nëse Ypi do të ishte vrarë nga një vrasës i paguar, i rëndomtë, ai do t’ ia kishte marrë unazën e shtrenjtë, dhe në errësirë vrasësi kishte kohë ta bënte këtë gjë. Por duket se vrasësi kishte porosi të rrepta se si duhej të sillej dhe ishte urdhëruar të kryente një vrasje rituale. Me anë të vrasjes së Abdyl Ypit Klika donte që t’ u jepte një kumt të gjithë bejlerëve të Shqipërisë që të hiqnin dorë nga krijimi i organizatave sekrete. Fakti është se pas vrasjes së Abdyl Ypit në Shqipëri nuk pati më një organizatë sekrete bejlerësh. Unazën e anëtarësisë në Lidhjen e Bejlerëve, të Abdyl Ypit, me kodin sekret, e mori shumë vite më vonë  Blendi Fevziu, i cili e zotëron atë dhe e mban në dorë ende, me raste. Nuk mund të mos të të bëjë përshtypje se, derisa Blendi Fevziu flet dhe shkruan me mburrje për stërgjyshin e vet nga nëna, Abdyl Ypin, ai nuk e përmend fare djalin e Abdylit, që quhej Ali Ypi. Ky ishte gjyshi i Blendit nga nëna, babai i Rezanës, nënës së Blendit. Ali Ypi pas arratisjes së gruas së tij (gjyshes së Blendit) në 1949, u dëbua prej regjimit komunist në Lushnjë, ku punoi si agronom. Vajzën e vogël, Rezanën e la tek të afërmit e tij në Tiranë, të cilët e rritën atë. Ali Ypi gjendej në Lushnjë në kohën që Blendi Fevziu gjendej atje. Megjithatë Blendi Fevziu nuk e përmend atë, dhe as e përfshin në listën e personave të cilëve u ka dedikuar librin për Enver Hoxhën, ku bëjnë pjesë edhe tre stërgjyshet. Këtu është me vend një analogji. Blendi Fevziu shkruan në librin e tij “Enver Hoxha”, se:
      Mund të jetë sa për këtë arsye inferioriteti, aq edhe për arsye më të vështira për t’ u shpjeguar, që në kujtimet e tij Enver Hoxha foli shumë pak për babanë e tij, Halilin, dhe shumë më tepër për xhaxhain, Hysenin.[lvi]
      Aluzioni i Blendi Fevziut është se Enver Hoxha dyshonte se Halili nuk ishte babai i tij biologjik. Në të njëjtën logjikë mund të bëhet pyetja se përse Blendi Fevziu tregon kaq ftohtësi ndaj gjyshit të tij, të cilin e ka pasur afër vendbanimit, në Lushnjë? A është kjo ftohtësi reciproke, në sensin që ka qenë gjyshi i Blendit, Aliu, ai që praktikisht e ka braktisur vajzën e tij, nënën e Blendit, si dhe nuk është interesuar për nipin? Ali Ypi ishte 51 vjeç kur lindi Blendi, dhe jetoi edhe pas rënies së komunizmit. Pra, do të kishte qenë logjike që ai të kishte qenë i pranishëm në fëmijërinë dhe rininë e Blendit, jo më pak se stërgjyshet për të cilat flet ky i fundit, por madje më tepër. Atëherë përse nuk ndodhi kështu? Përgjigjia është se Ali Ypi ka pësuar një shok të fortë pas arratisjes së gruas së tij, e cila iku në Jugosllavi me të dashurin, duke lënë pas burrin e saj dhe një vajzë të vogël. Në një rrethanë të tillë,  çdo burrë, në mënyrë të natyrshme, burrit do t’ i lindte një dilemë mbi atësinë e fëmijës. Se si e ndau Ali Ypi këtë dilemë, kjo kuptohet nga qëndrimi i Blendi Fevziut ndaj tij. Qëndrimi i Blendi Fevziut ndaj gjyshit të tij, tregon se Blendi nuk ka lidhje biologjike me fisin Ypi, as me Abdyl Ypin, por vetëm lidhje në letër.       
      Disa prej shkrimeve të Blendi Fevziut që gjenden në dy librat e tij të botuar në 1992 dhe 1996, përkatësisht “100 ushtarë” dhe “Gjysma tjetër e botës”, gjenden të zhvilluar si ese në librin e tij “50+1”, të votuar në vitin 2004. Por atje nuk gjendet një version i zhvilluar i “Vrasja ndodhi në pesë mbasdite”. Arsyeja nuk është e vështirë të merret me mend. Blendi Fevziu i vitit 2004, nuk mund të gënjente aq trashë sa Blendi Fevziu i vitit 1995, ndonëse nuk kishte hequr dorë nga të gënjyerit trashë.
     

7.
Bajram Fevzi bej Çorbaxhiu, stërgjyshi nga nëna prej të cilit Blendi ka trashëguar “mbiemrin”

      Një tjetër paraardhës me “emër historik” i Blendi Fevziut është Bajram Fevziu, stërgjyshi i Blendit nga nëna, i cili ka qenë një emër i njohur në politikën shqiptare të viteve njëzet të shekullit të kaluar. Bajram Fevziu ka qenë deputet, ministër, shef i Shtatmadhorisë (Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), prefekt. Siç kam thënë më lart, në këtë libër, pikërisht nga ana e Bajram Fevziut është lidhja e Blendi Fevziut me Toptanët. Bajram Fevziu u martua me Niagjar Toptanin, vajzën e Refik bej Toptanit. Nga kjo martesë lindi nëna e nënës së Blendit, Alisi. Jetëshkrimi i Bajram Fevziut në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, i bërë qartësisht nën ndikimin e Blendi Fevziut, është ky:
      Bajram Fevziu
      1884-1928
      Ushtarak, drejtues i lartë dhe politikan. Lindi në Vodenë të Kolonjës (sot në Greqi). Pas shkollës së mesme kreu Akademinë Ushtarake të Stambollit (1903). Shërbeu në Ushtrinë Turke deri më 1912, kur hyri në shërbim të Ushtrisë Shqiptare të sapokrijuar nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës; më pas hyri në shërbim të qeverisë së Princ Vidit. Më 1914 u përfshi në organizatën politike “Krahu Kombëtar” me qendër në Shkodër. Më 1919 ishte prefekt i Shkodrës. U zgjodh deputet i Matit në Parlamentin e parë shqiptar më 1921. Qe anëtar i Partisë Popullore. U emërua ministër i Punëve të Brendshme (tetor 1921), por shpejt dha dorëheqjen dhe u rikthye në Ushtri, ku iu besua detyra e kryetarit të Shtabit Madhor të Ushtrisë Shqiptare (gusht 1923-dhjetor 1924). U përpoq për organizimin e stërvitjen e Ushtrisë Shqiptare sipas kërkesave të kohës. Me rënien e qeverisë së Fan S. Nolit u përjashtua nga Ushtria. Vdiq në Vjenë ku kishte shkuar për kurim.[lvii]
      Ky tekst ka disa kundërthënie absurde. Kështu, thuhet se vendlindja e Bajram Fevziut, Vodena, gjendet në pjesën e Kolonjës që sot është në Greqi. Por gjeografikisht, kufiri i krahinës së Kolonjës është Mali i Gramozit, i cili shenjon dhe kufirin e sotëm shqiptaro-grek. Ndonëse përtej kufirit kanë mbetur toka shqiptare, kjo nuk do të thotë se ato i përkasin krahinës së Kolonjës. Blendi Fevziu e ka bërë këtë sajim për ta nxjerrë stërgjyshin e tij si kolonjar, çka nuk është e vërtetë. Përveç këtyre, Blendi Fevziu nuk e përmend kurrë se fshati i stërgjyshit nga i cili ka trashëguar mbiemrin, gjendet në Greqi. Nuk duhet menduar se Blendi Fevziu nuk dëshiron që ta thotë këtë, se nuk dëshiron të duket si “nacionalist”. Gjithsesi, ky rrezik nuk duket të ekzistojë, se mbiemri “Fevziu” e bën të dyshimtë përkatësinë etnike të Bajram Fevziut, për shkak se në Shqipëri, si në jug, ashtu edhe në veri, emri turk “Fevzi” përdoret në trajtën “Fejzi”. Trajtën “Fevzi” e përdornin vetëm turqit etnikë. Njihet p.sh. Mareshalli turk, Fevzi Çakmak, i cili në rininë e tij ka shërbyer në pjesën europiane të Imperisë Otomane dhe që ka shkruar librin për luftën ballkanase të viteve 1912-13. Në të vërtetë “Fevzi” nuk ishte mbiemri i Bajramit, por vetëm emri i dytë i tij. Sipas traditës muslimane njeriu merrte dy emra, siç është rasti i Ismail Qemal bej Vlorës, themeluesit të shtetit shqiptar, për të cilin gabimisht mendohet se e kishte emrin “Ismail” dhe mbiemrin “Qemali”, kur “Ismail” dhe “Qemal” qenë vetëm emri i tij i parë dhe i dytë. Në Imperinë Otomane muslimanët nuk përdornin mbiemra, por në vend të kësaj përdornin titullin e rangut të tyre ushtarak, administrativ, apo atë që kishin në esnafin (korporatën) ku bënin pjesë, kur qenë zejtarë apo tregtarë. Përdorimin e mbiemrit e bëri të detyrueshëm Mustafa Qemali, në kohën e Republikës së Turqisë, në 1934. Madje edhe vetë ai nuk e kishte mbiemrin “Qemal”, por vetëm emrin e dytë, dhe më pas mori mbiemrin “Ataturk” (Babai i turqve). Edhe në rastin e Fevzi Çakmak, “Fevziu” ishte emri i tij i dytë. Emri i tij ishte Mustafa Fevzi. Mbiemri i tij ishte Çakmakoglu.
      Familja e Bajram Fevziut përdorte si mbiemër informal atë Çorbaci (në shqip: Çorbaxhi), për shkak se familja mburrej se kishte nxjerrë shumë çorbaxhinj, të cilët qenë oficerë të trupës së jeniçerëve tashmë të shpërbërë. Çorbaçi (ai që ndante çorbën, që i thonë “supës” në turqisht), pati qenë një rang oficeri në trupën e jeniçerëve. Në periudhën pas Tanzimatit dhe veçanërisht pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, në Imperinë Otomane përdorimi i mbiemrit shihej si shenjë europianizimi. Bajram Fevziu, në këtë kohë nuk përdorte si mbiemër atë të vendlindjes së tij, pra “Vodena”, sipas një praktike të rëndomtë të asaj kohe, çka tregon se ai nuk ndjehej i lidhur me vendlindjen, por atë Çorbaxhiu. Ai njihej kështu si Fevzi Çorbaciu (Çorbaxhiu). Pas largimit të Imperisë Otomane, dhe krijimit të shtetit shqiptar, nisën të përdoren detyrimisht mbiemrat. Fevzi Çorbaxhiu, me këtë rast, inicoi nisjen e atij që më pas u bë ndryshimi i mbiemrave në familjen e Blendi Fevziut, duke nisur të  përdorte si mbiemër emrin e tij të dytë. Me këtë zuri fill edhe ndryshimi i mbiemrave që do të bënin më pas paraardhësit e stërnipit të tij, Blendit, i cili do të kishte në gjenealogjinë e tij pesë mbiemra të ndryshuar, duke nisur me atë Çorbaxhiu. Mbiemri “Çorbaxhiu” i shkon mirë emrit “Blendi” që në anglisht do të thotë “përzierje”. Blendi Fevziu e kishte në traditën familjare përzierjen e “çorbës së prishur”, sipas një thënieje të një filmi të kohës së komunizmit për lidhjen e dikujt me spiunazhin, e cila thënie u bë proverbiale. Blendi Fevziu, si paraardhësit e tij, që në adoleshencë ka përzierë dhe vazhdon të përziejë “çorbën e prishur”, të cilën pastaj e kanë detyruar ta hajë, çka e ka bërë të “vjellë gjithë jetën”, siç do ta tregoj më tutje në këtë libër.
      Mbiemri i Bajram Fevziut mbeti thjesht i panjohur, dhe ai bëri gjithçka që mbiemri i tij të mos bëhej i njohur. Ndoshta se të parët e tij qenë bërë famëkeqë në Shqipëri si oficerë në repartet ndëshkimore otomane. Me Vodenën, e cila tashmë kishte mbetur në Greqi, nuk e lidhte më gjë, prandaj ai nuk e mori këtë toponim si mbiemër. Nuk është për t’ u habitur që Blendi nuk thotë asgjë për këtë Bajram Fevziun, stërgjyshin e tij nga nëna nga i cili ka trashëguar mbiemrin, pra nuk thotë, se cilët qenë paraardhësit e tij, çfarë kishin bërë ata, ku ishte shtëpia ku jetonin, pronat që supozohet t’ i kishin etj. Nga jetëshkrimi i cituar më lart i Bajram Fevziut në Fjalorin Enciklopedik mësohet se ai nuk mori pjesë në kryengritjet shqiptate të vitit 1911-12, kur sidomos në kryengritjen e vitit 1912 u bashkuan me kryengritësit shumë oficerë otomanë me origjinë shqiptare. Bajram Fevziu nuk kishte njëri ndër ta. Natyrisht se ai u bashkua me ushtrinë e porsakrijuar të shtetit të ri shqiptar, por ç’ mund të bënte tjetër pas largimit të ushtrisë otomane nga Shqipëria? Fevzi Çorbaxhiu donte të vazhdonte të merrete ylefe (rrogën) e shtetit, madje dhe të bënte karrierë. Se përse Bajram Fevziu ishte një ndër oficerët turq të mbetur në Shqipëri, pas përfundimit të luftës ballkanase, kjo nuk është e qartë. Bajram beut nuk i vinte për mbarë që të riatdhesohej në Turqi, se atje kishte borxhe, kështu që zgjodhi që të mbetet në Shqipëri. I etur për të bërë karrierë, Bajram Fevziu u bashkua me Klikën (“Krahu Kombëtar”), që me krijimin e saj në 1914, gjë të cilën e thotë edhe Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij.[lviii]Bajram Fevziu ishte një nga njerëzit kryesorë që u përfshinë në ngjarjen e dyshimtë të Shijakut, që shënoi dhe fillimin e rebelimit islamik të vitit 1914, në Shqipëri. Sejfi Vllamasi, i cili në atë kohë gjendej në Durrës, shkruan në kujtimet e tij për këtë episod:
      E para qe Kavaja ajo që ngriti flamurin e Turqisë. Kundër kësaj qeveria vendosi të dërgojë një fuqi, më 23 maj 1914, të përbërë prej një kompanie xhandarësh dhe vullnetarësh të malësorëve të Shkodrës, që kishin ardhur në Durrës për mbrojtjen e Vidit. Në çastin kur kjo fuqi do të nisej, në Durrës mbërrinë me ngutësi prej Tirane, Murat e Refik Toptani, të cilët gjendjen e atjeshme e treguan alarmante dhe kërkuan fuqi. Atëhere qeveria e ndryshoi planin dhe nën udhëheqjen e kapitenit Sarr, hollandez nisi një kompani xhandarësh me toger Bajram Fevzinë në krye, vullnetarët malësore dhe 20-30 vullnetarë nacionalistë bashkë me Reuf Ficon, si nënprefekt i Tiranës.
      Kjo fuqi niset mbas mesnate dhe bën një pushim në Shijak. Kur në mëngjes do të nisej për Tiranë, vullnetarët malësorë, të përpunuar natën nga propaganda shijakase, refuzuan të niseshin duke thënë: “Na kena ardhë që të mbrojmë Vidin dhe jo që të luftojmë” dhe u kthyen për në Durrës. Atëherë kapiten Xhavit Leskoviku lajmëron kapiten Sarrin që të ktheheshin në Durrës, mbasi me një fuqi kaq të vogël s’ mund të niseshin për Tiranë. Sarri insistoi, por më në fund pyetën komandën me telegram urgjent në Durrës. Ky telegram mjerisht bie në dorë të gjeneral Deëerit dhe jo të kolonel Tomsonit, i cili dha urdhër për nisje.
      Fuqia u nis, por prej katundit në kodër të majtë të Shijakut filloi lufta dhe mbas pak kohë fillojnë të zbrazen pushkë nga të gjitha anët. Fuqia qeveritare tërhiqet në kodër të djathtë të rrugës dhe shtrëngohet të kthehet në Shijak ku shumica e xhandarëve hyjnë në një godinë qeveritare me baltë dhe pjesa tjetër në shkollë. Fillon lufta dhe disa xhandarë u vranë nga plumbat që përshkonin muret e ndërtesës prej balte.
      Kapiten Xhavit Leskoviku, shtatmadhor (ish-oficer shtabi i ushtrisë otomane- K.M.) e këshilloi Sarrin që në tërheqje e sipër të mos qëndronin në Shijak, por të zinin Rrashbullin, për të evituar rrethimin. Por Sarri, që nuk e njifte vendin dhe zakonet e popullit, nuk e digjoi. Atëherë fuqia qeveritare u dorëzua, por edhe shijakasit më vonë u penduan dhe për t’ iu shmangur përgjegjësisë eventuale thanë se qeveria e ka prishur besën.[lix]
      Në përshkrimin që i bën Vllamasi ngjarjes, gjenden pikat e errëta të saj. Fuqia qeveritare niset nga Durrësi (kryeqyteti i kohës) për në Tiranë, dhe ndonëse supozohet që të përpiqet të arrijë shpejt atje, ndalon në Shijak, shumë afër Durrësit! Shijaku më pas rezultoi të ishte qendra prej ku filloi rebelimi i armatosur islamik. A nuk ishte absurde që, në kohën kur nuk po dërgohej një forcë qeveritare kundër rebelëve në Shijak, atje të ndalej fuqia e nisur për në Tiranë? Kjo do të thoshte të krijoheshin rrethana për një incident të armatosur. Gjëja tjetër që të bën përshtypje është guximi dhe kurajoja krejt e pazakonshme për oficerët holandezë të ardhur në Shqipëri, e kapitenit Sarr. Ai duket sikur kërkonte që forcat qeveritare të ndesheshin me rebelët, madje në rrethana krejt të pafavorshme për forcat qeveritare, ashtu që rebelët të arrinin një fitore që do t’ i inkurajonte mjaft ata. Ndër oficerët holandezë kishte njerëz që vepronin në keqbesim dhe të cilët punonin për përmbysjen e Princit von Wied. Nuk është për t’ u habitur që oficerët holandezë që komandonin gjithçka në sferën ushtarake, përzgjodhën Bajram Fevziun si komandant të grupit të xhandarëve që do të shkonte në Tiranë. Holandezët e kishin kuptuar mirë se çfarë njeriu ishte Bajram Fevziu. Vllamasi tregohet indulgjent me kapitenin Sarr kur sjelljen e tij ia atribuon mosnjohjes së vendit dhe zakoneve të tij. E vërteta është se oficerët holandezë të cilët gjendeshin në Shqipëri prej disa muajsh, dhe kapiteni Sarr bashkë me ta, kishin njohur mjaftueshëm vendin dhe zakonet, sa për t’ u orientuar në një situatë si ajo e 23 majit 1914, në Shijak. Kapiteni Sarr u soll ashtu si u soll, pikërisht sepse e kishte njohur mirë vendin dhe zakonet e tij, dhe e dinte se çka do të ndodhte kur fuqia qeveritare e nisur për Tiranë të ndalej në Shijak.
      Nuk mund të mos të të bëjë përshtypje fakti se Refik Toptani, i cili vrapoi në Durrës për të dhënë alarmin për gjendjen në Tiranë, më pas do të bëhej vjehrri i Bajram Fevziut. A thua, në Shijak u inicua lidhja mes këtyre të dyve? Refik Toptani u bë shkak që qeveria të heqë dorë nga shtypja e rebelimit në Kavajë dhe t’ i kthehet Tiranës, ku ende nuk kishte ndodhur asgjë për t’ u shënuar. Nëse qeveria do të kishte vepruar energjikisht ndaj Kavajës që në 23 maj (Kavaja ishte shumë afër Durrësit), atëherë me shumë gjasë do të shkurajoheshin, si Tirana, ashtu dhe Shijaku. Nën ndikimin e Refik Toptanit, fuqia qeveritare, në vend që të shkonte në Kavajë, u nis nga Durrësi, për në Tiranë, dhe ç’ është më e çuditshmja u ndal në Shijak, fare afër Durrësit?! Si shpjegohet që toger Bajram Fevziu, komandanti i xhandarëve, i pozicionoi ata në një ndërtesë prej balte (qerpiçi), kur ai e dinte se plumbat e përshkonin murin prej qerpiçi? Vetë Bajram Fevziu u kujdes që të mbrohej, se nuk pësoi gjë.
      Siç e kërkonte politika e Klikës, Bajram Fevziu shtirej si kundërshtar i bejlerëve. Por ai në fakt bënte çmos që të bëhej dhëndërr në ndonjë familje të madhe bejlerësh, që të siguronte pasuri. Kështu që ai u martua me vajzën e Refik bej Toptanit, i cili kishte një reputacion disi të mirë atdhetar. Martesa e Bajram Fevziut me vajzën e beut të pasur toptanas, provonte se ky i fundit ishte bej, pasiqë një Toptan nuk bënte dhëndërr një njeri që nuk ishte në rangun e beut. Ishte falë aftësive të veçanta të Bajram Fevziut si kameleon politik, që ai, ndonëse kishte qenë zyrtar i administratës ushtarake italiane në Shqipëri, deri në 1920, megjithatë do të dilte si një nga njerëzit e rëndësishëm të pushtetit të dalë nga Kongresi antiitalian i Lushnjës. Në 5 mars 1919, komandanti i trupave italiane në Shqipëri, vendosi:
      Ne gjeneral-lejtnant, oficer i madh, Setimio Piaçentini, komandant epror i forcave italiane në Ballkan;
      Me propozimin e sekretariatit për punët civile;
      Për ndryshim të pjesshëm të dekretit të 13 shkurtit të kaluar, në lidhje me emërimin e prefektit të krahinës së Shkodrës;
      Në mbështetje të pushtetit që na është dhënë;
                                       Dekretojmë
      Fevzi Bajram emërohet në vend të Kolë Gurashit, kryesekretar i krahinës së Shkodrës, me mandat që përkohësisht të zëvendësojë prefektin, Ali Fehmi beun, derisa ky të mos ketë marrë funksionet e tij.[lx]
      Ahmet Zogu, i cili ishte kultivuar me traditën shtetërore otomane, në pjesën më të madhe të së cilës sulltanët patën përdorur për qeverisje të ashtuquajturit kapikullari (skllevër të Portës), të dalë kryesisht nga jeniçerët, i pëlqente njerëzit si Bajram bej Fevziu, pra të huajt që duke mos pasur rrënjë fisnore në Shqipëri, ishin besnikë ndaj tij personalisht. Zogu pati rreth vetes disa të tillë, si ish-oficerët austro-hungarezë von Myrdach dhe De Ghillardi etj. Kundërshtarët e Zogut i quanin këta njerëz “jeniçerët” e Ahmetit. Bajram Fevziu ishte padyshim njëri prej tyre. Vetëm kështu mund të shpjegohet sjellja e çuditshme e Ahmet Zogut ndaj Bajram Fevziut, me të cilin nuk kishte asnjë lidhje. Në zgjedhjet e para parlamentare të mbajtura në Shqipëri në 1921, Zogu e mori me vete Bajram Fevziun në Mat, si kandidat për deputet. Bajram Fevziu hyri në parlament si mbështetës i Zogut.
      Zgjedhjet e vitit 1921 në Shqipëri u fituan në përgjithësi nga grupimi që mori pjesë në Kongresin e Lushnjës të një viti më parë, pavarësisht nga ndarjet që u krijuan mes këtij grupimi në zgjedhje. Qeveria e dalë nga këto zgjedhje mund të quhej përsëri qeveri e Kongresit të Lushnjës. Qeveria kishte probleme me Vlorën, e cila ishte e pakënaqur nga përfaqësimi i Vlorës në qeveri. Si për ta ushqyer armiqësinë e Vlorës, qeveria emëroi prefekt në Vlorë Bajram Fevziun. Ky ishte një provokim politik ndaj Vlorës të sapodalë nga lufta çlirimtare antiitaliane e vitit 1920. Bajram Fevziu kishte qenë prefekt i emëruar nga autoritetet italiane të pushtimit, sic e kam cituar më lart dokumentin italian. Bajram Fevziu në Vlorë u përpoq që ta kompensonte kolaboracionizmin e tij proitalian me një antigreqizëm të rremë. Them antigreqizëm të rremë se ai nisi të akuzonte si agjentë grekë pikërisht ata himariotë që ishin atdhetarë të mirë shqiptarë. Incidenti i parë që shkaktoi Bajram Fevziu kur shkoi në Vlorë ishte ai me Dhimitër Konomin, nga Vunoi, gjyshin e gjyqtarit Skerdilaid Konomi, i cili në 2011 u vra në një atentat mafioz. Në Himarë atëherë, ashtu si dhe tani kishte një përplasje mes himariotëve shqiptarë dhe filogrekëve. Dhimtër Konomi ishte atdhetar shqiptar. Në 1920 ai iu përgjigj thirrjes për luftë për çlirimin e Vlorës dhe të tokave të tjera shqiptare të pushtuara nga italianët, duke krijuar një çetë që mori pjesë në luftë. Njerëzit e Greqisë në Himarë thoshin se të krishterët ortodoksë nuk duhet të merrnin pjesë në luftën kundër Italisë. Greqia kishte bërë me Italinë marrëveshjen e fshehtë Tittoni-Venizellos (mes dy ministrave të Punëve të Jashtme), sipas termave të së cilës, Greqia dhe Italia do të mbështesnin njëra-tjetrën për zbatimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, që i jepte Italisë Vlorën dhe një territor të gjerë përreth saj, me të drejtë aneksimi, si dhe i jepte Greqisë territoret në jug të këtij hinterlandi, duke përfshirë edhe Korçën. Greqia kishte frikë, dhe me të drejtë, sic e treguan ngjarjet e mëpasme, se nëse Italia do të humbte Vlorën dhe territoret përreth saj, ajo do të denonconte marrëveshjen e fshehtë Tittoni-Venizellos. Dhimitër Konomi mori pjesë në luftë si shqiptar i mirë dhe për këtë gjë Vlora e shpërbleu duke i dhënë një nga vilat e ndërtuara nga italianët, tek Uji i Ftohtë, atje ku më pas u ndërtua Kampi i Punëtorëve, në kohën e regjimit komunist.
      Bajram Fevziu, qëkurse erdhi në Vlorë, nisi nga intrigat për t’ ia marrë vilën Dhimitër Konomit, duke e akuzuar si agjent grek?! Një përplasje mes tyre ruhet në traditën gojore vlonjate. Sipas stilit xhonturk, të provokimit politik, Bajram Fevziu, hyri një ditë në një kafene në Vlorë, ku ishte Dhimitër Konomi dhe i tha si me të qeshur: “Të paska ardhur ylefeja (rroga) nga Athina ty që ia paske shtruar në mejhane?” Synimi i Bajram Fevziut ishte që ta bënte tjetrin të reagonte me nervozizëm dhe të gjente rastin ta arrestonte me dëshmitarë të rremë, sikur ai e provokoi prefektin, duke dashur të shkaktonte një rebelim. Dhimitër Konomi iu përgjigj me urtësinë dhe ironinë e shqiptarit himariot: “Ata që erdhën e më ofruan rrogë në emër të Athinës për të mos luftuar kundër italianëve, se dëmtohej dhe cështja vorio-epirote, sot janë miqtë e tu zoti prefekt, ose më saktë signor prefetto, se kështu të quanin deri pak kohë më parë. Por meqënëse më begenise me shaka ulu këtu në tryezën time të të qeras se jam i gëzuar që më fund paske mësuar një gjysmë shqipeje”.
      -Do të hash kokën tënde me këtë gjuhë prej rebeli që më ke, iblis!- I tha Bajram Fevziu me ton kërcënues, gjysmë shqip, gjysmë turqisht. Bajram Fevziu nuk i bëri dot gjë Dhimitër Konomit. Por 89 vjet më pas, në 2011, shpagimi u bë tek nipi i Dhimitër Konomit, Skerdilaid Konomi, ndonëse edhe për motive të tjera mafioze, përfitime të padrejta pronësore. Në 1923, kur Zogu ishte kryeministër, e bëri Bajram Fevziun Shef të Shtatmadhorisë (Shtabit të Përgjitshëm) të Ushtrisë, siç thuhet edhe në jetëshkrimin e tij zyrtar. Por Bajram Fevziu ishte një nga “jeniçerët” e Zogut, të cilët e zhgënjyen atë. Bajram Fevziu i tradhtoi të gjithë në çdo kohë. Në ndërkohë që ishte anëtar i Klikës, Bajram Fevziu bënte lojë të dyfishtë edhe me Esat Toptanin. Në prill 1920, forcat e Esat Toptanin rrethuan Tiranën, ku ishte vendosur qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, për shkak se Klika nuk e mbajti premtimin që ta thërriste Esatin dhe ta bënte kryeministër, por bëri të tillë Sulejman bej Delvinën, Qeveria e Tiranës u kërkoi esatistëve një kompromis, ashtu që të shkonte në Paris tek Esati një komision i përbashkët për bisedime, por në fakt qeveria e bënte këtë për të fituar kohë. Kërkesa u pranua nga esatistët. Vllamasi shkruan:
      Komisioni ishte i përbërë nga ana e qeverisë prej imzot Kolecit, ipeshkvit të Zadrimës, dhe Bajram Fevziut, kurse nga ana e Pashës prej Fuat Toptanit dhe Ymer Deliallisit.[lxi]
      Bajram Fevziu ishte futur në këtë komision për të qetësuar Esatin, dhe për t’ i krijuar përshtypjen se edhe nga ana e qeverisë në komision kishte njerëz të ndikueshëm prej tij. Bajram Fevziu kishte lidhje me Esatin se kishte qenë në shërbim të tij, kur Esati ishte komandant i xhandarmërisë të Vilajetit të Shkodrës. Gjithashtu  Fevziu ishte fejuar me vajzën e kushëririt të Esatit, Refik Toptanit. Ndonëse Refiku dhe Esati qenë kushërinj të largët, kur qe fjala për politikë, kjo lidhje gjaku donte të thoshte shumë, e pikërisht atë se Refik Toptani, i cili qe bashkëkryetar i shtetit, po i dërgonte Esatit dhëndrrin e vet, si shenjë se vullnetit të tij serioz për një marrëveshje me të. Por Bajram Fevziu përgatiti vrasjen e Esatit, për llogari të Klikës. Mbi këtë, Vllamasi shkruan:
      Avni Rustemi vazhdonte mësimet në Romë. Një ditë shkon në shtëpinë e Tefik Mborjes, inspektor i studentëve shqiptarë në Itali, dhe i thotë këtij se kishte vendosur të vriste Esatin për të shpëtuar Shqipërinë, por i duheshin të holla për shpenzimet e mëvonëshme. Në atë kohë kishte ardhur nga Tirana në Romë një delegacion mikst qeveritar-esadist, i cili ishte në udhëtim për Paris, për t’ u takuar me Esatin. Tefik Mborja e takon Bajram Fevzinë, anëtar i atij delegacioni, i kallëzon vendimin e Avniut për Esatin dhe B. Fevziu i jep fjalën se do t’ i shkruante Xhavit Leskovikut në Tiranë, duke përkrahur tezën e Avniut, ashtu edhe për ndihmë të hollash që do të kishte ai nevojë. Avniu zbret në Durrës më 5 maj 1920 me letrën e Bajram Fevziut për Xhavit Leskovikun dhe me letrën e Tefik Mborjes për Qazim Kokoshin. I furnizuar me mjetet e nevojshme dhe i përcjellë nga T. Mborja, Avniu niset për Paris dhe mbas pak ditësh e kryen misionin e tij, bash në çastin vendimtar, në çastin e kryengritjes së stilit të gjerë që kishte përgatitur Esati.[lxii]
      Në Shqipërinë e vogël gjërat nuk kalonin pa u marrë vesh, dhe këto që shkruan Vllamasi, qenë fjalë që qarkullonin gjithandej në kohën që ndodhi ngjarja. Për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse e mirëpritën ose jo vrasjen e Esatit, kjo që bëri Bajram Fevziu do të thoshte se kishte shpërdoruar besimin e vjehrrit të tij, dhe e pati mbuluar me turp këtë të fundit. A mund të thuhet se Bajram Fevziu ka merita për vrasjen e Esat Toptanit? Bajram Feziu tradhtoi të gjithë, gjithmonë. Bajram Fevziu tradhtoi Esatin, në dobi të Klikës, tradhtoi Partinë Popullore në dobi të Zogut, e pastaj në 1924, tradhtoi dy here; një herë Zogun në dobi të Nolit, në qershor, dhe pastaj Nolin në dobi të Zogut në dhjetor. Bajram Fevziu tradhtoi miqtë e tij të Klikës dhe u bashkua me Zogun, kur ky i fundit u armiqësua me Klikën, para zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese të vitit 1923. Pastaj, Bajram Fevziu e tradhëtoi Zogun, në kohën e Revolucionit të Qershorit 1924, dhe për këtë arsye ruajti postin e tij dhe në kohën e qeverisë së Fan Nolit. Por Bajram Fevziu e tradhtoi dhe Fan Nolin, në dhjetor 1924, duke ia hapur rrugën Zogut. Në Historinë e Shqipërisë të botuar në kohën e komunizmit (një botim veçanërisht interesant ky se kishte ndikim në qëndrimin e regjimit komunist ndaj familjes së Blendi Fevziut dhe ndaj vetë këtij të fundit), thuhet se në dhjetor 1924, kur Zogu nisi mësymjen e armatosur për të rrëzuar qeverinë e Nolit:
      Oficerët zogistë dhe sidomos kryetari i shtatmadhorisë Bajram Fevziu e sabotuan me të gjitha mënyrat organizimin e mbrojtjes. Dekreti i mobilizimit u shpall me vonesë. Nuk u caktua asnjeri si komandant i operacionit. Në çastet vendimtare për fatin e vendit, në Shkodër u bënë transferime të pajustifikuara oficerësh dhe u liruan rezervistët. Vullnetarët vlonjatë që kishin ardhur në Tiranë nuk hynë në luftë.[lxiii]
      Duke mos qenë shqiptar, Bajram Fevziu nuk e kishte problem që t’ i tradhtonte të gjitha palët. Ndryshe nga ç’ thuhet në jetëshkrimin e Bajram Fevziut, të cituar më lart, Zogu nuk e përjashtoi atë nga ushtria, kur u rikthye në pushtet në dhjetor 1924. Zogu e shkriu krejt ushtrinë, për shkak se oficerët qenë përzier vazhdimisht në puçe politike, dhe e zëvendësoi me një milici, deri në rindërtimin e saj. Pak kohë pas rikthimit të Zogut në pushtet, Bajram Fevziu shkoi në Austri, kinse për të kuruar një sëmundje në klinikat e Vienës. Por arsyeja e vërtetë e vajtjes së Bajram Fevziut në Austri qe se në Vienë në atë kohë ishte qendra e emigracionit politik antizogist. Pikërisht në Vienë, në 1931, emigrantët politikë antizogistë, do t’ i bënin atentat Zogut, kur ky shkoi atje për kurim shëndetësor. Bajram Fevziu shkoi në Vienë kinse për kurim, por në të vërtetë shkoi atje si si agjent i Ahmet Zogut, për të marrë kontakt me miqtë e tij të vjetër të Klikës dhe të ish-Partisë Popullore, të cilët përbënin bërthamën e emigracionit antizogist, për t’ i futur ata në grindje mes tyre, dhe për të bindur sa më shumë që të mundte prej tyre, që të ktheheshin në Shqipëri dhe të viheshin në shërbim të Zogut. Bajram Fevziu u shtir se ishte arratisur nga Shqipëria për shkak se kishte marrë të dhëna se Zogu do ta vriste pas shpine. Por emigrantët politikë, shokët e dikurshëm të Klikës, nuk i besuan, madje i kërkuan llogari për shkeljen e betimit të organizatës së fshehtë, sipas termave të të cilit Bajram Fevziu ishte betuar se nëse do të tradhtonte, atëherë kishte merituar vdekjen nga dora e shokëve. Dhe kështu, Bajram Fevziu vdiq pa bujë nga dora e shokëve në Vienë. Bajram Fevziu vdiq njëjtë si stërgjyshi tjetër i Blendi Fevziut, Abdyl Ypi.
      Karriera politike dhe ushtarake e Bajram Fevziut, nuk është e tillë që pasardhësit e tij të mburren me të. Kjo është arsyeja që Blendi Fevziu nuk e përmend me mburrje këtë paraardhës të tij, me “emër historik”, madje nuk e përmend fare. Blendi Fevziu, i cili i ka ndjekur “gjurmët” e stërgjyshit të tij, Said Sermedin Toptanit, deri në Panteonin e Parisit, nuk i ka ndjekur gjurmët e Bajram Fevziut në Vodena të Greqisë apo më tutje në Turqi, për të parë se ku shkon origjina e tij. Madje Blendi Fevziu nuk i ndjek gjurmët e stërgjyshit nga i cili ka trashëguar mbiemrin as në Arkivin Qendror të Shtetit, ku thotë se ka bërë kërkime për Enver Hoxhën, që të shikonte veprimtarinë e Bajram Fevziut si prefekt, deputet, ministër i Punëve të Brendshme dhe Shef i Shtatmadhorisë (Shtabit të Përgjithshëm) të Ushtrisë. Ish-oficeri otoman, Fevzi Çorbaxhiu, alias Bajram Fevziu, ka një pasardhës të denjë me Blendi Fevziun, stërnipin e tij, i cili përderisa ka marrë mbiemrin e këtij stërgjyshi nga nëna meriton të quhet sipas mbiemrit të saktë të tij, Blendi Çorbaxhiu.     


8.
Përralla e Fevziut me tre stërgjyshet aristokrate, me formim perëndimor

      Blendi Fevziu, në një autobiografi të tij, që gjendet në një libër të cilin ai e ka botuar në bashkëautorësi me Ben Blushin, në 1992, thotë:
      Gjyshet i kam pasur gjithmonë larg e prapë kam pasur guvernante tre stërgjyshe. Tre plaka të bardha që jetonin në kujtime qytetesh të huaj dhe historinë.[lxiv]
      Këto fjalë gjenden edhe në autobiografinë që Fevziu paraqet në një libër tjetër që e ka botuar, kësaj herë vetëm me emrin e tij, në 1996.[lxv] Në fjalët e mësipërme, Fevziu, sa përpiqet të artikulojë vanitetin e tij maniak për t’ u dukur si njeri me prejardhje aristokratike, aq edhe kujdeset që të fshehë detajet e së shkuarës së tij, duke bërë kapërcime enigmatike gjenealogjike. Duke dashur që të thotë se është rritur si aristokrat, Fevziu thotë se ka pasur tre stërgjyshe si guvernante. Këtu, së pari të bën përshtypje fakti se Fevziu i fyen stërgjyshet e tij, duke i quajtur “guvernante”. Guvernantet ishin shërbëtore me pagesë në familjet aristokratike, ku kujdeseshin për rritjen e fëmijëve. Kështu, Fevziu i quan “shërbëtore” stërgjyshet e tij për të cilat pretendon se qenë aristokrate, të cilat kishin shëtitur botën! Së dyti, Fevziu nuk thotë asgjë se përse i kishte larg gjyshet e tij dhe ku ishin ato, dhe ai ka një arsye të madhe përse të sillet kështu. Përveç këtyre, gjëja tjetër që të bën përshtypje është se Fevziu nuk i përmend emrat e stërgjysheve. Nëse na paskan ekzistuar këto tre femra shqiptare, nga familje historike, të cilat qenë shkolluar dhe patën jetuar në qytetet perëndimore dhe kishin qenë dëshmitare të historisë, a nuk duhej që Fevziu t’ i përmendte me emra? Por, mund të thotë lexuesi, ai nuk e ka bërë këtë gjë në autobiografitë e tij, por do ta ketë bërë në ndonjë shkrim të cilin e ka bërë për këto stërgjyshe më vonë. E pra, nuk ka ndodhur kështu. Të vetmin shkrim të tillë, Fevziu e ka bërë për motrën e njërës nga stërgjyshet e tij, por as atë nuk e përmend me emër:
      Nuk e di pse një nga gjërat që m’ i lumturonte mbasditet e fëmijërisë, ishte vizita në shtëpinë e vogël dhe të ngushtë të motrës së stërgjyshes sime. Një shtëpi përdhese, një lloj garsoniere, fare pranë qendrës së Tiranës, që përmblidhte brenda ngushtësisë së saj një dhomë ndenjieje me një kuzhinë në kënd dhe një banjo të vogël. Oborri i ngushtë qe i mbushur me gjithë llojet e luleve që mund të gjeje në Tiranë, ndërsa dritarja e ulët qe shndërruar në një ekspozitë saksish. Sa herë që e mendoj tani, shumë vite më vonë, më duket gjithnjë si një lloj shtëpie përrallash, një shtëpi aq e ndryshme nga standardet e kohës, të tillë që vogëlsia e bënte edhe më irreale. E zonja e shtëpisë, një grua e thyer në moshë, që e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj para lufte mes Vjenës, Parisit e Romës, që i fliste me një lehtësi të admirueshme të trija këto gjuhë dhe që duket se nuk kishte asnjë lidhje me rendin e ri komunist, që ishte vendosur tashmë prej 30 vjetësh në Shqipëri, më priste gjithnjë tek dera e jashtme.[lxvi]
      Fevziu, i cili në dy raste më parë pati thënë se kishte pasur tre stërgjyshe guvernante, në këtë shkrim të botuar së pari në vitin 2002 na thotë se bëhej fjalë për motrën e stërgjyshes së tij, e cila jetonte në një shtëpi afër qendrës së Tiranës, pra jo në shtëpinë e tij. Pastaj, si ndodhte që kjo motër e stërgjyshes e priste gjithmonë tek dera e jashtme? Apo mos ndoshta ajo kishte telefon në shtëpi dhe Blendi i telefononte para se të nisej për tek shtëpia e saj? Por në kohën e komunizmit, jo vetëm të deklasuarit, por edhe pjesa më e madhe e njerëzve me biografi të mirë politike nuk kishin telefon në shtëpi. Këtë e kishin vetëm ata që regjimi i quante kuadro të rëndësishme, pra njerëzit e nomenklaturës nga niveli i mesëm dhe lart. Kjo motër e stërgjyshes për të cilën flet Blendi Fevziu ka qenë Subije Zavalani, motra e gruas së Abdyl Ypit. Ky i fundit ishte martuar me një nga pesë vajzat e Ymer bej Zavalanit, me origjinë nga Zavalani i Përmetit. Abdyl Ypi dhe gruaja e tij qenë stërgjyshi dhe stërgjyshja e Blendi Fevziut nga ana e nënës. Këtë motër të stërgjyshes së tij Blendi Fevziu e përmend në tregimin “Vrasja ndodhi në pesë mbasdite”, për të cilin kam shkruar tashmë dhe që e nis kështu:
      Vrasja ndodhi në 3 janar 1920, ora pesë mbasdite. Ky ishte i vetmi fakt që shënohej me saktësi nga të gjitha burimet njëherazi: shtypi i kohës, një monografi e vjetër e viteve 30-të, kujtimet e mëvonshme të bashkëkohësve dhe kunata e tij plakë, që kishte rrojtur deri në fund të shekullit, në pragun e të 100-ave.[lxvii]
      Pikërisht kjo kunata e Abdyl Ypit është motra e stërgjyshes së Blendi Fevziut për të cilën flet ky i fundit. Kjo motër stëgjyshes jetoi deri në vitin 1994. Ajo ka qenë një zonjë e nderuar, por nuk ka studiuar as në Austri, as në Itali dhe askund tjetër në Perëndim. Kështu që është një përrallë qesharake ajo që thotë Blendi Fevziu se ajo kishte në shtëpi libra gjermanisht dhe se lexonte në këtë gjuhë. As motra e saj, gruaja e Abdyl Ypit, e quajtur Fatime Zavalani, nuk kishte studiuar as në Austri, as në Itali. Fakti është se babai i tyre Ymer bej Zavalani nuk ishte ndër ata burra të fisit Zavalani të cilët u shquan si intelektualë atdhetarë, dhe as i dërgoi fëmijët në shkolla në Perëndim. As Nigjare Toptani, stërgjyshja tjetër e Blendi Fevziut, nuk ka qenë shkolluar në Austri apo Itali. Këto qenë stërgjyshet nga nëna. Atëherë, cilat kanë qenë këto stërgjyshe të Blendi Fevziut të cilat patën kryer shkolla perëndimore? Asnjë nga stërgjyshet nga babai të Blendi Fevziut nuk është shkolluar në Perëndim, dhe sipas të gjitha gjasave nuk është shkolluar kurrkund. Së paku deri më sot Blendi nuk ka ofruar asnjë pretendim që të ketë ndodhur kështu, e aq më pak të dhëna. Përveç këtyre, fakti është se fëmijërinë e tij, deri në moshën 14 vjeç, Blendi Fevziu e kaloi në Dushk të Lushnjës, kështu që ai nuk mund të ketë qenë në fëmijërinë e vet në shtëpinë e motrës së stërgjyshes në Tiranë, edhe për shkak se familja e tij kishte statusin e të dëbuarit nga kryeqyteti, dhe i ndalohej të shkonte në Tiranë. Stërgjyshet bëhen përsëri tre, në një intervistë të Fevziut, në korrik 2011. Në këtë intervistë, kur Fevziu flet për “familjen fenomenale” të tij, ku është rritur, ai thotë:
      Por kishte dhe një dimension tjetër. Tri stërgjyshet me të cilat unë u rrita, kishin studiuar për shumë vite në Vienë, Paris dhe Firence. Kujtimi i këtyre qyteteve dhe i asaj bote ishte i gjallë tek to dhe unë u mësova që përtej kufijve të ndryshkur të regjimit komunist, ekzistonte një botë tjetër, shumë më interesante. Qenë mësime të mëdha në jetën time. Siç qe politika.[lxviii]
      Eh, këto stërgjyshe të shkreta, të cilat Fevziu i fut dhe i nxjerr në skenën e jetës së tij, sikur të ishte një skenë teatri, ku bëhen provat për një komedi, dhe ku regjisori nuk është i sigurt për numrin e personazheve që duhet të gjenden në skenë si figurantë! Në dedikimin që Blendi Fevziu ka bërë në hyrje të librit të tij për Enver Hoxhën, të botuar në vjeshtën e vitit 2011, ai i përmend me emër të afërmit që ka përzgjedhur, me përjashtim të stërgjysheve, të cilat i përmend pa emër:
      Prindërve të mi, babait Hektorit, kujtimit të sime mëje, Rezanës! Kujtimit të dajë Aliut dhe stërgjysheve të mia të bardha që shenjuan fëmijërinë dhe formimin tim![lxix]
      As këtu nuk e marrim vesh se për cilat nga stërgjyshet bëhet fjalë, por supozohet se Blendi Fevziu e ka fjalën për ato dy apo tre stërgjyshet që, për të cilat thotë se  patën ndikim formësues në jetën e tij. Gjithsesi emrat e stërgjysheve formative përsëri mbeten mister. Arsyeja nuk është e vështirë të zbulohet. Nëse Fevziu do të përmendte emrat e këtyre stërgjysheve të cilat supozohet të jenë shkolluar në Perëndim në fillim të shekullit XX, atëherë mund të verifikohet lehtë nëse kjo gjë është e vërtetë ose jo. Në intervistën që Fevziu i dha Ilva Tares, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 2011, pra pak më tepër se një muaj pas botimit të librit “Enver Hoxha”, numri i stërgjysheve formative zbriti nga tre në dy:
      Por ama jam rritur me dy stërgjyshe, të cilat kishin studiuar në Vjenë dhe Itali dhe njihnin në mënyrë perfekte jetën e këtyre vendeve, sidomos të Vjenës, për të cilën flisnin vazhdimisht. Kishin një urrejtje për komunizmin, jo me gjeste, ishte urrejtje që shprehej, madje me stilin e jetës së tyre që gjithmonë në një orar të caktuar pinin çaj, gjithmonë e bënin jetën e tyre duke mbledhur njëra-tjetrën, duke shpërndarë librat e tyre në gjuhën gjermane me gërmat gotike, i mbaj mend ende tani.  Vazhdimisht më flisnin për Enver Hoxhën mua personalisht, me një lloj mllefi dhe një lloj përçmimi. Mbaj mend që paralel me këtë ishte kujdesi i madh i prindërve të mi, madje ndonjëherë për të mos thënë fjalët që thoshte gjyshja, më thoshin mos i vër re se ato janë dhe plaka, nganjëherë thonë dhe gjëra që s’ kanë vlerë, nga frika që unë mund të thosha ndonjë gjë jashtë.
      Kështu, në tre intervista brenda pesë muajve, në vitin 2011, Blendi Fevziu ka dhënë tre shifra të ndryshme mbi atë se sa qenë këto stërgjyshe të famshme. Gjithsesi, këto dy apo tre femra shqiptare që supozohet të kenë studiuar në Austri dhe Itali, në fillim të shekullit, duhet të jenë persona me rëndësi historike, nëse kanë ekzistuar vërtet, se në atë kohë kishte shumë pak femra shqiptare që kishin studiuar jashtë vendit, në Perëndim. Prandaj Fevziu duhet t’ ua thoshte emrat me krenari dhe të shkruante për to, ashtu siç ka bërë një shkrim për stërgjyshin e tij Said Sermedin Toptanin, apo edhe siç ka bërë një tregim me emra realë për stëgjyshin tjetër nga nëna, Abdyl Ypi. Përse Fevziu tashmë nisi të flasë për dy stërgjyshe që e rritën atë, në vend të treve? Arsyeja ndoshta mund të ketë qenë se njëra nga stërgjyshet i është shfaqur në ëndërr dhe i ka thënë: Mjaft u talle me mua mor horr!
      Fevziu në një intervistë për Iva Tiço, në revistën e përmuajshme “Madamë Mapo”, në numrin e muajit shkurt 2012, u pyet nga intervistuesja:
      Edhe në një intervistë tjetër keni treguar se jeni rritur nga një stërgjyshe dhe motra e saj.[lxx]
      Edhe në përgjigjen për Iva Tiço, Fevziu ishte evaziv:
      Ishin disa plaka, që as vetë nuk e di se si gjendeshin rreth meje në fëmijërinë time, dhe sot jam i lumtur që ato u gjendën aty. Kur unë kisha nevojë për to dhe kur ato më zbuluan një botë magjike, ndjellëse, por edhe të rrezikshme që edhe ekzistonte përtej botës që prekja përditë. Ishin vajza të burrave të famshëm, dy prej të cilëve kishin firmosur pavarësinë e Shqipërisë më 1912 dhe gra burrash po kaq të famshëm, që qenë rralluar nga plumbat në jetën e trazuar politike të viteve 1920-1939! Në fëmijëri kishin studiuar kryesisht në Vienë dhe bota e tyre kishte ngrirë në vitin 1945, kur komunistët kishin ardhur në pushtet. Vijonin të jetonin atë jetë, me librat klasikë gjermanisht, me çajin e orës 5 mbasdite dhe me serviset e argjendit që në fëmijërinë time qenë rralluar shumë, o nga humbjet në vite o nga shitjet për të mbijetuar. Bota e tyre që mbante erën e librave dhe mobiljeve të vjetra, nuk kishte asgjë të përbashkët me fjalët “aksion”, “zbor”, ose “përgatitje revolucionare” që i dëgjoja kudo. Ato talleshin me këto dhe ndiheshin dukshëm më superiore se sa ai regjim. Natyrisht, regjimi s’ pyeste fare për to, por as ato për regjimin. Mes kësaj detante, vërtitesha unë, me këshillat e prindërve që të mos i dëgjoja shumë plakat dhe mos t’ i tregoja muhabetet e tyre në shkollë, se ato, ca gjëra, nga mosha, nuk i dinin mirë. Prindërit kishin frikë, sot e kuptoj, por për fatin tim, ato më kishin thënë ca të vërteta të mëdha. Që m’ u deshën aq shumë pas vitit 1990. Vdiqën njëra pas tjetrës në vitet ’80, dhe e fundit që mbijetoi arriti ta shihte rënien e komunizmit, triumfin e bindjeve të saj, dhe iku nga kjo botë me kënaqësinë e një fëmije, që befas gjen nën pemën e Krishtlindjeve dhuratën e tij.[lxxi]
      Fevziu nuk kundërshton kur numri i stërgjysheve ulet nga tre në një, dhe madje tashmë nuk flet më për stërgjyshe, por për “disa plaka”, për të cilat nuk e di as se si gjendeshin rreth tij në fëmijëri! Nëse Fevziu u rrit nga disa stërgjyshe, apo disa plaka, të cilat kishin studiuar në Austri, si shpjegohet që ato nuk i mësuan gjermanisht? Si shpjegohet që, ndonëse djali i vogël Blendi Fevziu, gjenden nën ndikimin intelektual të këtyre stërgjysheve me frymë perëndimorë, megjithatë libri i parë që lexoi në jetën e tij ishte ishte një libër i shkrimtarit sovjetik Arkadi Gajdar. Shpjegimi është i thjeshtë. Fevziu gjendej në Dushk të Lushnjës, dhe tek ai nuk pati kurrfarë ndikimi intelektual të stërgjysheve të supozuara gjermanofone. Fevziu i nxjerr stërgjyshet në shkrimet e tij, atëherë kur dëshiron të thotë rrena speciale. Kështu tek reportazhi “Panteoni pa lavdi”, i botuar në 1996, ku tregon historinë e rremë të stërgjyshit të tij-flamurtar të Panteonit, ai ua atribuon stëgjysheve rrëfimin e parë:
      Plakat lëvizën përsëri. Me po ato lëvizje të pakta, të reduktuara nga vitet dhe sëmundjet. Edhe filxhanet e kafes u drodhën mbi tavolinë. Kurse ato thanë përsëri atë frazë- Past Rrahmet. Ajo kishte qenë e parë. Në një gjuhë të pakuptueshme. Më vonë unë e kisha lidhur historinë me të. Nuk e di kur pati ndodhur kjo, dhe patjetër duhet të ketë qenë mbasdite. Ato qenë bashkë, të afruara më tepër nga rituali shekullor i kafes së orës pesë. I vetmi që e kishin shpëtuar nga koha e lulëzimit, për ta mbajtur në jetë edhe në atë kohën tjetër. Kur shumë gjëra patën vdekur ose s’ qenë më si më parë. Një ditë të tillë, të papërcaktuar në çdo stinë, fotografia e madhe e Said Sermedinit kishte dalë nga korniza e saj. Plaku i vjetër, i fotografuar në shekullin e kaluar, ishte bërë më i ri, ndoshta student.[lxxii]
      Por për vetë stërgjyshet të cilave u referohet për ngjarje kaq të rëndësishme, Fevziu nuk jep kurrë të dhëna. Është e qartë se historia e stëgjysheve me formim perëndimor, të cilat nga ana e tyre ndikuan formësimin e Fevziut është një krijim i mitomanisë së tij, një përrallë, të cilën sa herë që Fevziu e rrëfen, aq më qesharake e bën. Nëse Fevziu do të donte të tregonte diçka interesante, ishte dashur që ai të tregonte historinë e gjysheve të tij, nga babai dhe nga nëna, jeta e të cilave ka qenë përplot aventura. Por ai nuk do ta bëjë kurrë këtë gjë, për arsye që do t’ i rrëfej më tutje në këtë libër. Fevziu ka dhënë pak më tepër të dhëna për stërgjyshet e tij, në librin e tij “Para dhe pas kamerave”, ku përshkruan takimin e tij me Mbretëreshën Geraldinë, në Afrikën e Jugut, në 1999, dhe ku thotë se ajo i sillte ndërmend stërgjyshet e tij:
      Ishte një grua e rrallë. Edhe vetë një relikë e një bote tjetër. Plot edukatë, sharm dhe xhentilesë. E një bote, në të cilën zëri i lartë dhe të bërtiturat nuk njiheshin. E lindur dhe e edukuar në Perandorinë Austro-Hungareze, ajo mishëronte edhe edukatën e shkollave të Vienës, edhe sjelljen shik të Parisit të viteve ’30 edhe energjinë e një prej familjeve të pasura amerikane prej nga rridhte. Kishte një kujtesë të mrekullueshme, të cilën e kisha hasur edhe në dy-tre librat e botuar për të në Francë. Nuk mundi të fliste më shumë se 30 minuta. U lodh dhe pas kësaj u ul në diell të pushonte pak. E vështroja ashtu ngadalë dhe s’ di pse më dukej sikur po shihja stërgjyshet e mia. Ato plaka të mrekullueshme që kishin studiuar në shkollat vieneze të 1910-1920 dhe që kishin vdekur njëra pas tjetrës në vitet e fundit të komunizmit. Duke ruajtur po ato maniera vieneze, po atë edukatë, të pacënuar nga jeta komuniste dhe absurditetet e tij. Kujtoja bisedat e tyre për Geraldinën dhe tani, e kisha të vështirë se ndodhesha përballë saj.[lxxiii]
      Këtu Fevziu bën sikur hymnizon Mbretëreshën Geraldinë, por në fakt hymnizon stërgjyshet e tij. Nënkuptimi është se vetë Blendi është një lloj princi. Këtu Fevziu nuk përmend se sa qenë këto stërgjyshe të tij, dhe as cilat qenë emrat e tyre. Fevziu thotë vetëm se ato patën studiuar në Vienë mes vitit 1910 dhe 1920, dhe se vdiqën në Shqipëri, në vitet e fundit të diktaturës komuniste. Me këtë mënyrë të foluri, në harkun e njëzet vjetëve, Fevziu duket sikur është duke ndërtuar një puzzle për stërgjyshet e tij. Nga fjalët që thotë Fevziu më lart, del një pyetje për të: Nëse stërgjyshet e tij qenkan shkolluar në Vienë, në vitet 1910-20, kur numëroheshin me gishtat e duarve femrat shqiptare të shkolluara në Perëndim, si shpjegohet që Fevziu nuk ka bërë asnjë shkrim për to?
      Gjithsesi, Fevziu, në çdo rast thotë të vërtetën në një pikë. Disa plaka, të afërme të tij nga degëzime të ndryshme fisnore të lidhur me familjen, shfaqeshin herë pas here përreth tij në fëmijëri. Ato ftoheshin nga prindërit e Blendit që të kalonin disa ditë në shtëpinë e tyre, në Dushk të Lushnjës. Këto qenë disa plaka të cilat kishin famën se qenë në gjendje të dallonin shfaqjen e çmendurisë së trashëguar tek fëmijët me origjinë nga familjet e bejlerëve, si dhe të bënin hajmali që ta shmangnin atë. Këto plaka  vinin gjithmonë në prag të ditëve me hënë të plotë për të vëzhguar fëmijët për të cilët i patën thirrur. Që atëherë hëna i shkakton një tmerr supersticioz Blendi Fevziut, ndonëse hëna rritëse (gjysmëhëna) u kishte sjellë fat të mirë paraardhësve të tij, dhe tashmë edhe ai e kishte lidhur fatin e tij me të. Ishte një hënë tjetër kjo që e tmerronte, hëna e plotë. Ishte mallkimi i familjeve të bejlerëve, gjaku i të cilëve bartte nga brezi në brez gjenin e çmendurisë të përftuar nga gjenealogji të shenjuara nga martesa incestuoze. Tek ai Blendi qenë kombinuar disa gjenealogji incestuoze të familjeve të bejlerëve.
      Që në fëmijërinë e tij pati dëgjuar me tmerr bisedat gjysmë të fshehta që bënin të afërmit e moshuar nga familjet bejlere nga ana e babait dhe nënës për vëmendjen që duhej pasur ndaj njerëzve të familjes të cilët tregonin shenja të shfaqjes së çmendurisë. Të tilla këshilla jepeshin, sipas traditës, duke treguar histori për të çmendurit në brezat e shkuar, në familjet nga të cilat e kishte origjinën ai. Një varg i gjatë lunatikësh. Histori burrash dhe grash që çmendeshin në netët me hënë të plotë, dhe bënin krime të tmerrshme brenda familjes:
      -Hajri beu kishte ditë që rrinte i heshtur si gur varri. Një natë me hënë të plotë, u shpërfytyrua dhe nisi të ulërinte. Më ka hyrë një këlysh ujku brenda në bark, bërtiste. Ulërinte si ujk.
      -Zenepe hanmi sa vinte e po zverdhej dita-ditës. Në tryezë më tepër luante me thikën se hante. Një natë me hënë të plotë shkoi në stallë, theri pelën e saj më të dashur, e nisi t’ i pinte gjakun.
      -Sabri beut iu shfaq ndryshe, shkruante bejte të gjata, e nisën ta quajnë bejtexhi të madh. Pastaj preu damarët dhe dhe i lyeu letrat me gjak.           
      Këto plaka e vëzhguan gjatë Blendin. Madje kur ai shkoi me banim në Tiranë, në moshën 14 vjeç, e dërgonin me arsye të rreme tek njëra prej tyre, e cila ishte motra e stërgjyshes së tij, për vizitat tek e cila ai ka rrëfyer, siç e kam cituar më lart. Që nga ajo kohë Blendi Fevziu nuk shikon dot filma me lunatikë. Kur ndodhte që të ishte me shokët në kinema dhe në në film shfaqej një lunatik, që shpërfytyrohej në netët me hënë të plotë Blendin e kapnin të dridhurat dhe largohej.     


9.
Neki bej Hysenbegasi (Starova)- gjyshi i mohuar nga i ati

      Njeriu më i afërt i Blendi Fevziut, me “emër historik” është gjyshi i tij nga i ati. Neki bej Hysenbegasi (Starova) ishte i ati i Hektorit, babait të Blendit,. E megjithatë, Blendi Fevziu nuk e përmend kurrë këtë gjysh të vetin. Me Neki beun, zuri fill tradita e ndryshimit të mbiemrave, në familjen e Blendi Fevziut, nga ana e babait. Neki bej Hysenbegasi ishte nga Starova e Pogradecit. Starova, sipas ndarjes administrative otomane ishte qendra e pjesës më të madhe të zonës që më pas u bë rrethi i Pogradecit, si dhe e një pjese të madhe të atij që më pas u bë rrethi i Korçës. Në atë kohë në Shqipëri ishte një zakon që njerëzve të njohur dhe me influencë në një krahinë, t’ u vishej si mbiemër ai i krahinës ku kishin lindur. Por kjo ndodhte vetëm me një njeri, i cili quhej si më i shquari i zonës. P.sh., kur Aqif Pashë Biçakçiu u quajt Aqif Pashë Elbasani, nuk doli ndonjë Biçakçi tjetër që të mbante mbiemrin “Elbasani”. Neki bej Hysenbegasi, nuk ishte njeriu më i shquar i krahinës së tij. Njeriu më i shquar i krahinës në atë kohë ishte Sulejman bej Starova, ministër e deputet në fillim të viteve njëzet të shekullit të kaluar. Neki bej Hysenbegasi nuk kishte arsye përse të turpërohej nga mbiemri “Hysenbegasi”, se ky ishte një mbiemër i nderuar. Por Neki beu i kishte të gjitha arsyet që t’ i fshihej sadopak reputacionit të vet si Neki bej Hysenbegasi, duke qenë në shërbim të pushtuesve serbë dhe bullgarë të vendlindjes së tij, në vitet 1912-1916. Më vonë, Neki beu do të bënte të këqija të mëdha edhe si Neki Starova, dhe nëse nuk do të kishte vdekur, me siguri që do ta kishte ndryshuar edhe këtë mbiemër. 
      Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Neki beu u bë anëtar i Klikës, duke parë tek ajo një mundësi për karrierë politike. Klika i ngarkoi Neki beut një mision special, atë të zbatuesit të planit të saj për ta ndaluar Zogun që të zgjidhej deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, çka do të thoshte largimi i Zogut nga politika. Pasiqë Klika e përdori Zogun, tash donte që ta largonte nga politika. Me rënien e qeverisë së parë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, asaj të Sulejman Delvinës, në nëntor 1920, pozita e Zogut u dobësua, se ai humbi postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Zogu nuk bënte pjesë në qeverinë e re, të kryesuar nga Iljaz bej Vrioni, e cila do ta çonte vendin në zgjedhje. Qeveria, e cila gjendej krejt nën kontrollin e Klikës bëri në dhjetor 1920 një ligj zgjedhor ku u vu dhe një nen i posaçëm, i llogaritur për t’ i hequr paraprakisht Zogut mundësinë që të bëhej deputet. Sipas këtij neni, kandidati për deputet duhet të kishte mbushur moshën 30 vjeç. Zogu kishte si datëlindje zyrtare vitin 1895, pra në kohën e paraqitjes së kandidaturave nuk ishte veçse pak më tepër se 25 vjeç. Megjithë përpjekjet e Zogut për ta penguar hyrjen në fuqi të këtij ligji, ai u dekretua nga Këshilli i Naltë, që kishte funksionin e kryetarit të shtetit. Por Klika e dinte se ky ligj nuk kishte vlerë në rast se nuk gjendej një njeri i aftë që ta zbatonte këtë ligj në vendlindjen e Zogut në Mat, ku pritej të kandidonte ky i fundit. Klika e dinte se Zogu do të përpiqej që ta zgjidhte problemin thjesht duke siguruar një dokument të rremë, që të tregonte se ai e kishte moshën e duhur për të qenë kandidat në zgjedhje. Klika mendoi se e gjeti njeriun e duhur për ta zbatuar ligjin në fjalë në Mat, në personin e Neki beut, të cilin për këtë qëllim e emëroi nënprefekt në Mat, në 28 dhjetor 1920.
      Por Ahmet Zogu nuk do të ishte ai që njeh historia, nëse do të lejonte që t’ ia hidhnin kaq lehtë. Ai e bleu Neki beun dhe e bëri që të dorëzonte në Tiranë një dokument të rremë që tregonte se Zogu ishte i datëlindjes 1890, çka do të thoshte se e kishte arritur moshën e nevojshme për të qenë kandidat. Kështu që plani i Klikës dështoi. Klika bëri gjithçka që ta provokonte Zogun. Ajo i kërkoi që në Mat të dilnin deputetë dy njerëz që nuk kishin lidhje me krahinën: Bajram Fevziu, i cili shtirej si kolonjar, dhe Syrja Pojani, nga Korça. Zogu e pranoi këtë gjë dhe i bëri të dy për vete, së paku përkohësisht. Neki beu nuk ndenji në Mat më shumë se pesë muaj. (28 dhjetor 1920-30 maj 1921) Në fund të majit 1921, ai u largua për të marrë detyrën e nënprefektit në Skrapar. Në Skrapar u soll aq keq saqë nuk qëndroi më tepër se katër muaj. (U largua në 10 tetor 1921) Nga Skrapari e dëbuan, ose më saktë ai mundi të largohet për në Berat i fshehur në një arkivol, duke u shpallur i vdekur, me ndihmën e disa miqve. Edhe sot e kësaj dite në Skrapar është shprehja “Iku si Neki beu”, për ndonjë që largohet dhelpërisht i mbuluar me turp dhe frikë. Me mbështetjen e Zogut, Neki beu u emërua nënprefekt në Bilisht (Devoll), ku qëndroi edhe më pak se në Skrapar. Neki beun iku nga Bilishti natën, në Korçë. Me ndihmën e Zogut u emërua nënprefekt në Shijak dhe u ngarkua që të ushtronte përkohësisht edhe detyrën e nënprefektit të Kavajës, vendi i të cilit ishte bosh. Edhe këto detyra i mbajti për një kohë të shkurtër, nga 2 janari 1922 deri në 15 qershor 1922, por la emër si gjakësor në Kavajë dhe Shijak, se bëri listën e njerëzve që u varën dhe pushkatuan gjatë trazirave të marsit të atij viti, ndër ta dhe Bajram Xhani, i ati i Mustafa Xhanit (Baba Fajë Martaneshi). Pas këtyre provave që dha Neki beu, në qershor 1922 e dërguan të ushtronte përkohësisht detyrën e prefektit të Dibrës, deri kur të bëhej një emërim definitiv në këtë post të mbetur vakant. Kur Zogu u bë kryeministër, në dhjetor 1922, duke mbajtur edhe portofolin e Punëve të Brendshme, ai e emëroi Neki beun prefekt të Dibrës (23 shkurt 1923), ku përfshihej dhe Mati, vendlindja e Zogut. Kjo tregonte se Zogu e konsideronte Neki beun si njeriun e tij të besuar. Në këtë post, Neki beu organizoi vrasjen e Halit Lleshit, i cili ishte babai i Haxhi Lleshit, i cili më pas do të bëhej ministër i Punëve të Brendshme dhe për 30 vjet kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor- domethënë kryetar i shtetit komunist. Haxhi Lleshi shkruan në kujtimet e veta:
      Vrasjen e Halit Lleshit Ahmet Zogu ia besoi prefektit të Peshkopisë, Neki bej Starovës nga Pogradeci, të cilin e kishte vegël të tij, por edhe mik, sidomos që nga viti 1921, kur si nënprefekt në Mat, pati ndryshuar datëlindjen e Zogut, duke ia rritur moshën në 30 vjeç, në mënyrë që ky të mund të zgjidhej deputet.
      Neki beu qe njeri i kompromentuar për idetë dhe veprimtarinë e tij antipopullore e antikombëtare. Kishte qenë spiun i pushtuesve serbë e bullgarë. Këta të fundit e kishin emëruar edhe sekretar obshtine (komune). Kur shërbente si krahinor në Belsh të Elbasanit, qe dalluar për sjellje brutale ndaj popullit, madje pati vrarë edhe njerëz. Gjatë karrierës së tij gjithmonë në ngjitje, si nënprefekt në Skrapar, i patën bërë edhe atentat, por vetëm e kishin plagosur. Në Kavajë ky besnik i Ahmet Zogut dhe mjeshtër i spiunllëqeve e pabesive, kishte bashkëpunuar në kapjen e sa e sa njerëzve të pafajshëm. Edhe në Dibër të njëjtat veprime e qëndrime po mbante, sidomos ndaj atdhetarëve, për eliminimin e të cilëve kishte porosi të veçanta nga Zogu. Disa herë e kishte thirrur Elez Isufin të vinte në prefekturë gjoja për ta aktivizuar në pajtimin e gjaqeve, ndërsa qëllimi ishte ta vrisnin në besë. Por Elezi nuk kishte vajtur sepse i njihte kurthet, intrigat e pabesitë e Neki beut dhe bashkëpunëtorëve të tij në Dibër.[lxxiv]
      Kur u botuan kujtimet e Haxhi Lleshit në 1996, tashmë diktatura komuniste kishte rënë dhe familja e Blendi Fevziut ishte në gjendje t’ i kthente përgjigje publike, për akuzat publike që Haxhi Lleshi i përsëriti ndaj Neki Starovës, madje duke i stërholluar. Në 1996 familja e Fevziut mund të kishte kthyer përgjigje, aq më tepër që djali i saj Blendi ishte gazetar shumë aktiv. Madje familja e Blendi Fevziut mund të kishte ngritur padi gjyqësore ndaj Haxhi Lleshit dhe të kërkonte përgënjeshtrim dhe ndalimin e librit. Tekefundit, akuzat nuk po vinin nga një njeri çfarëdo, por po vinin nga njeriu që kishte qenë ministri i parë i Punëve të Brendshme në qeveritë komuniste, si dhe kryetar i shtetit komunist për 30 vjet! Por familja e Blendi Fevziut, dhe vetë ky i fundit nuk reaguan. Blendi dhe familja e tij parapëlqyen të fshihen pas “gjethes së fikut”, do të thotë faktit që pak vetë e dinin se Neki Starova qe gjyshi i tij. Kur doli në qarkullim libri i Haxhi Lleshit, ata që e dinin lidhjen e Blendit me Neki Starovën e pyesnin nëse do të kthente përgjigje. Por Blendi përgjigjej se ai nuk do të merrej me gjërat e së shkuarës të cilat nuk kishin më asnjë vlerë, se ua kishte lënë pleqve të rrjedhur diskutimet për to. E megjithatë, ky Blendi Fevziu bëri një libër për Enver Hoxhën!
      Haxhi Lleshi, në paragrafin e cituar më lart, e thotë saktë se cili ishte Neki bej Starova, por ajo që nuk e thotë është se ajo që ndodhi mes Neki beut dhe Halit Lleshit qe një konflikt mes agjentëve të Serbisë. Edhe Halit Lleshi ishte njeriu i Serbisë, madje shumë më i çmuar prej kësaj të fundit se Neki beu. Halit Lleshi kishte mbështetur kryengritjen e Mirditës të vitit 1921, e cila ishte sponsoruar nga Beogradi, për të destabilizuar shtetin e ri shqiptar.[lxxv]Edhe ajo që u quajt Lëvizja e Marsit (1922) dhe që në fakt ishte një rebelim i armatosur ndaj shtetit shqiptar, u nxit nga Beogradi, me rastin e ardhjes së Komisionit të Lidhjes së Kombeve për delimitimin e kufijve. Lidhja e Kombeve krijoi në janar 1922 një komision për delimitimin e kufijve të Shqipërisë, do të thotë për saktësimin në terren të kufijve të përcaktuar në vija të përgjithshme me Traktatin e Londonit të vitit 1913. Komisioni për kufirin u nda në dy nënkomisione, njëri për kufirin me Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene dhe tjetri për kufirin me Greqinë. Nënkomisioni për kufirin mes Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, erdhi në Shqipëri në mars 1922. Prej këtej interesi i Beogradit që në veri të Shqipërisë të kishte trazira në këtë periudhë.[lxxvi]Fillimisht, deri edhe historiografia zyrtare komuniste e kohës kur Haxhi Lleshi ishte një nga drejtuesit e regjimit komunist, e dënoi Lëvizjen e Marsit 1922 dhe përfshirjen e Halit Lleshit në të:
      Në lëvizjen për përmbysjen e qeverisë së Xh. Ypit u përfshinë edhe elementë karrieristë, kundërshtarë të A. Zogut si Hamit bej Toptani, Mustafa Kruja, Halit Lleshi etj.[lxxvii]
      Më tutje, nën ndikimin e Haxhi Lleshit, emri i Halit Lleshi nuk do të përmendej, madje vrasja e Halit Lleshit do të cilësohej si atentat kundër një atdhetari. Haxhi Lleshi shkruan në kujtimet e tij:
      Pas shtypjes së Lëvizjes së Marsit, qeveria jugosllave i dha Halitit strehim politik dhe ai u vendos në zonën neutrale (Dibra e Madhe dhe disa fshatra përreth).[lxxviii]
      Haxhi Lleshi këtu bën një spekulim mashtrues me çështjen e zonës neutrale, historia e së cilës është kështu. Për të lehtësuar punën, Komisioni Ndërkombëtar vendosi që të krijohej nga një zonë neutrale në thellësi prej dhjetë kilometrash, në dy anët e kufirit ekzistues. Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene nuk e përmbushi detyrimin e vet për të larguar ushtrinë nga zona neutrale. Kështu zona neutrale ishte joekzistuese e bashkë me të edhe shfajësimi që Haxhi Lleshi i bën të atit. Gjithsesi, Haxhi Lleshi këtu e pohon se i ati i tij ishte i njeriu  i serbëve. Vrasja e Halit Lleshit, për nga mënyra se si ndodhi, na ndriçon shumë dhe për atë se cili ishte Neki bej Starova. Sipas Haxhi Lleshit, Neki beu ia arriti kështu që ta vriste Halit Lleshin:
      Gjithnjë me porosi të Zogut, të njëjtën mënyrë përdori prefekti edhe për Halit Lleshin. E ftoi për bisedime në prefekturë, gjoja për t’ i shtrirë dorën bujare të qeverisë. Po si Zogu, ashtu edhe Neki beu, e njihnin mirë Halitin, e dinin se ballë për ballë nuk mund ta vriste kush, prandaj u kërkuan ndihmë bashkëpunëtorëve të tyre Sulë Mane Shehut, Shaqir Demës, Dine Demës dhe Dine beg Maqellarës.[lxxix]
      Pyetja është se si ndodhi që Halit Lleshi, njeri i regjur në këto punë, pati befasisht besim tek Neki beu, me të cilin nuk kishte pasur asnjë njohje më parë, dhe shkoi ta takonte në territorin e kontrolluar nga shteti shqiptar, kur e dinte se donin ta vrisnin? Kjo pyetje ka vetëm një përgjigje: Halit Lleshi i besoi Neki bej Starovës si agjenti serb agjentit serb! Halit Lleshi shkoi tek Neki bej Starova nën garancinë e shërbimit sekret serb, dhe për llogari të këtij të fundit. A mund të thuhet se Neki beu e tradhtoi Halit Lleshin? Ndoshta kur u zbulua se Halit Lleshi kishte kaluar kufirin me një mision dhe dyshimet binin mbi Neki beun, atëherë ky i fundit mori pjesë në vrasjen e tij, për të larguar dyshimet nga vetja. Haxhi Lleshi, duke e kuptuar se atyre që lexonin shpjegimin e tij, u lindte natyrshëm pyetja se si ishte e mundur që Halit Lleshi i besoi Neki bej Starovës, të cilin e njihte mirë se cili ishte, shton se:
      Edhe Haliti i njihte mirë pabesitë e këtyre njerëzve të shitur, madje Elez Isufi, me të cilin mbante lidhje të vazhdueshme, e kishte këshilluar të mos shkonte në Peshkopi. Po, megjithatë, ai vendosi të shkonte: “Një herë kam le e një herë do të vdes,- i kishte thënë.- kishte thënë.- Ta provojmë ç’ besë ka Neki beu”. Dhe sipas skenarit të parapërgatitur e vranë.[lxxx]
      Kjo logjikë është e çuditshme. A thua, Halit Lleshi kishte dy kokë, një për ta falur që të verifikohej besa e Neki beut, dhe tjetrën për të jetuar! Nuk ka dyshim se Halit Lleshi kapërceu kufirin dhe shkoi në takimin me Neki beun, me besën e shërbimit sekret serb. Mënyra sesi Haxhi Lleshi e përshkruan vrasjen, të shtyn të besosh se Neki Starova e tradhtoi Halit Lleshin, vetëm pasiqë ky u zbulua:
      Për këtë ngjarje shumë bashkëkohës kanë lënë kujtime. Prej tyre mund të përmend ato të atdhetarit Ahmet Demi nga Filati i Çamërisë, i cili në atë kohë ishte toger në ushtri. Sipas kujtimeve të togerit, Neki Starova e kishte ftuar Halit Lleshin në prefekturë, duke e siguruar se ishte nën mbrojtjen e tij. Por në të vërtetë prita qe ngritur. Kur Haliti, në pritje të orës së takimit, po shkonte në kafene, e kishte qëlluar pas shpine një civil, që vetëm e kishte plagosur. Haliti qe kthyer dhe e kishte vrarë, ndërsa Aqif Lleshi kishte goditur një civil tjetër që u kishte dalë pak më poshtë. Neki Starova që e ndiqte ngjarjen nga shtëpia e vet, kishte urdhëruar rojën e tij, një kapter të xhandarmërisë, ta qëllonte nga dritarja. Dhe kështu qe vrarë Halit Lleshi.[lxxxi]
      Nëse kishte një plan për të vrarë Halit Lleshin, përse duhej që vrasja të lihej të kryhej në sheshin e qytetit, nga zyra e prefektit? Kur vrasja mund të bëhej fare mirë në rrugën që prej vijës së kufirit dhe deri në qytet. Në situatën e krijuar pas shtypjes së Lëvizjes së Marsit, Halit Lleshi nuk mund të hynte ndryshe në territorin e kontrolluar nga forcat shtetërore shqiptare, veçse me garancinë dhe mbrojtjen e këtyre forcave. Nëse donin që ta vrisnin, mund ta bënin këtë gjatë rrugës në ndonjë vend të shkretë, ashtu që vrasja të mjegullohej. Edhe Neki beu vetë do të ishte i interesuar që vrasja të kryhej në këtë mënyrë. Kuptohet përveç rastit kur Neki beu e kishte ftuar Halit Lleshin në Peshkopi pa u marrë vesh me qeverinë, dhe kur Haliti, i cili hyri incognito, i kamufluar, u zbulua nga xhandarmëria dhe ushtria shqiptare, të cilat e rrethuan. Prandaj Neki beu urdhëroi që Halit Lleshi të vritej. Halit Lleshi i kapur rob, që vinte nga territori i kontrolluar nga serbët, do të kishte shumë vlerë për shtetin shqiptar, që të nxirrej në gjyq e të pohonte pjesëmarrjen serbe në rebelimet kundër shtetit shqiptar. Por Neki beut nuk i interesonte që Halit Lleshi të kapej i gjallë. se kështu ai do të fliste shumë.
      Është kuptimplotë fakti se, në akuzat e shumta me të cilat u ngarkua zyrtarisht Zogu, në gjyqin që iu bë më pas në mungesë nga regjimi i Fan Nolit, nuk ishin as vrasja e Halit Lleshit në Dibër dhe as ajo e Bajram Xhanit në Kavajë, në të cilat kishte marrë pjesë Neki bej Starova. Zogu akuzohej për vrasjen e Avni Rustemit dhe të Adem Gjinishit (babait të Mustafa Gjinisht).[lxxxii]Kështu dilte se gjyqi revolucionar i quante të drejta vrasjet e Halit Lleshit dhe të Bajram Xhanit, kjo për faktin se Zogu i bëri ato duke i shërbyer një qeverie të dalë nga Kongresi i Lushnjës, për ta mbrojtur atë nga një rebelim i armatosur që kërkonte ta përmbyste këtë qeveri. Nën ndikimin e Haxhi Lleshit, në kohën e komunizmit do të bëheshin këngë për Halit Lleshin, në të cilat ai do të lavdërohej si atdhetar, dhe vrasja e tij si akt i forcave antikombëtare të kohës. Këto këngë do të këndoheshin në festivale, do të emetoheshin në radio dhe televizion, si dhe do të përfshiheshin në botimet e kohës së komunizmit. Një këngë e tillë, ku përmendet edhe Neki bej Starova, është ajo me titull “Ditn e mart nji dit gazepi”, e vitit 1972:
      Ditn e mart’, nji dit’ gazepi,/në at Peshkpaj u ba kjameti,/ qenka vramun nji djal’ mreti;/ nji djal’ mreti, djal’ veziri,/ ban patllakja si zog bilbili,/- Pejt Haliti: kush asht mrena?/ -Veç prefekti e Dine Dema./ Dine Dema, mor thinjush,/thot’ Haliti:- Dil n’ at fushë!/ Dil’ n’ at’ fushë ku njifen burrat,/ sa t’ i ndërrojm’ të dy kësulat./ Ky Çup Duka i holl; e i gjatë/ bani yrysh, hini n’ oxhak./ Kafexhiu tha po bërtet:- Prejshe oxhakun, mor, i shkretë,/ Mane Lleshi, Esat Grranai po hikin tërmaj kah banja./ Si di nana, nana t’ shkreta,/ të di ishin me manxerka./ Mu ke shelnja me dy vesha.i po luftuakan nja dy Llesha./ More Aqif, mor im vëlla,/ Sul’ Sinani mbet pa vra./ Destan Mjeshtri, biri i kurvës,/ a i more paret e kullës?[lxxxiii]
      Gjithashtu në fund të tekstit të këngës është një shënim shpjegues ku thuhet për prefektin:
      Prefekti, vegla e Zogut Neki Starova, që mori përsipër vrasjen e patriotit Halit Lleshi.[lxxxiv]
      Kjo e rëndonte shumë statusin e pasardhësve të Neki bej Starovës gjatë regjimit komunist. Nga posti i prefektit të Dibrës, Neki beu u largua vetë, në dhjetor 1923, duke paraqitur arsye shëndetësore. Por shkaku i vërtetë ishte se në Dibër ndjehej shumë i rrezikuar, për shkak të vrasjes së Halit Lleshit. Neki bej Starova, më tutje, e tradhtoi edhe  Zogun, duke u bashkuar me Fan Nolin në 1924. Më tutje, kur Zogu u kthye në pushtet në fund të vitit 1924, Neki beu u arratis jashtë vendit. Por kur Zogu shpalli amnistinë Neki bej Starova ishte ishte ndër ata që u kthyen në Shqipëri dhe u vunë në shërbim të Zogut. Zogu e bëri Neki beun kryetar bashkie në Berat (i emëruar), detyrë që e mbajti në vitet 1926-29 dhe 1930-32. Bëmat e Neki beut ishin të tilla që, atij iu refuzuan të gjitha kërkesat për nuse në familjet e bejlerëve dhe më në fund, kur u martua në 1933, ai mori nuse në një familje në një fshat të Korçës, e cila ndonëse ishte familje bejlerësh, nuk i afrohej rangut të Hysenbegasve. Në këtë periudhë Neki beu pati një konflikt të madh me vëllain e tij, Hasanin, i cili u bë shkak për një spirale gjyqesh që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite mes trashëgimtarëve të dy palëve. Hasani ishte një atdhetar i mirëfilltë, pjesëmarrës në çetat që luftuan kundër pushtuesve serbë dhe bullgarë në vitet 1913-1916. Por meritat e tij atdhetare nuk i janë njohur për shkak se pati fatin e keq që të ishte vëllai i famëkeqit Neki bej. Mëse një herë e kishte qortuar Hasani të vëllain për veprimtarinë e tij antikombëtare, por Neki beu nuk e pati dëgjuar. Atëherë, fjala është për vitin 1933, Hasani vendosi që të ndahej përfundimisht me vëllain dhe i kërkoi që të ndanin pasurinë që kishin në bashkëpronësi. Çështja ishte kështu. Të dy vëllezërit patën bërë ndërtime në Pogradec, shtëpi të mëdha dhe dyqane të shumta. Në atë kohë, kur lidhjet familjare ishin ende shumë të forta, një pjesë e madhe e pronave regjistroheshin në emër të njërit vëlla, por konsideroheshin prona të vëllazërisë. Atëherë nuk mendohej që vëllai t’ ia vidhte pronën vëllait. Një ndër të parët që e bëri këtë gjë ishte Neki bej Starova. Kërkesa e Hasanit e shqetësoi shumë Nekiun. Si makiavelist i vërtetë, i stërvitur në intriga politike, ai i tha të vëllait se e pranonte kërkesën e tij, por do ta zgjidhnin këtë çështje pas dasmës së tij (Nekiut), e cila do të bëhej në atë kohë. Por, pikërisht ditën e dasmës së Neki beut në Pogradec, vdiq vëllai i tij Hasani, i cili ishte natyrisht i pranishëm në dasmë, Kjo ishte një vdekje për të cilën u thanë shumë fjalë më pas, duke marrë shkas nga një gjyq që Neki beu pati më pas me kunatën, të venë e vëllait. Pak kohë pas vdekjes së Hasanit, e veja e tij, kunata e Neki beut, i kërkoi këtij të fundit që të bëhej ndarja e pronave të vëllazërisë. Por Neki beu i tha se nuk kishte gjë për t’ u ndarë pasiqë pronari i vetëm ishte ai, dhe çdo ndërtim e kishte bërë me shpenzimet e tij. Kështu, në vitin 1934 Neki bej Starova u bë protagonist i një ngjarjeje krejt të rrallë për shoqërinë shqiptare të kohës, të një gjyqi pronësie brenda familjes, i cili pati në origjinë një tragjedi familjare. Në 1934 Neki bej Starova u padit në gjykatë nga kunata e tij, e veja e vëllait, i cili pati vdekur një vit më parë. Kunata, në padinë e saj kërkonte që pasuria e regjistruar në emër të Neki beut të njihej si bashkëpronësi e këtij të fundit me të vëllain, e për rrjedhim si pronar në pjesë të barabartë të njihej edhe burri i saj, do të thotë trashëgimtarët e tij.
      Ndonëse padia ishte civile, vetë paraqitja e saj nga kunata e Neki beut, fill pas vdekjes së dyshimtë të burrit të saj, ishte praktikisht një akuzë publike se Neki beu kishte vrarë vëllain e vet, burrin e saj. Neki beu ishte një njeri shumë i njohur në Shqipëri, për shkak se emri i tij ishte përfolur shumë në dy momente të rëndësishme në politikën shqiptare të viteve njëzet, për të cilat kam rrëfyer më lart: në kandidimin e Zogut për deputet në zgjedhjet e vitit 1921 dhe në vrasjen e Halit Lleshit në 1923. Kështu që kur ai u padit nga kunata, pëshpërimat që deri më atëherë patën qarkulluar se ai kishte vrarë vëllain, u shndrruan në zëra të lartë, nëpër rrugë dhe kafene. Emigrantët politikë antizogistë të cilët gjendeshin nëpër qytetet e Europës thoshin me të madhe se tani dokumentit të rremë me të cilin Zogu kandidoi për deputet në 1921 iu vu vula me gjakun e vëllait që derdhi Neki beu, përgjegjësi për falsifikimin e atij dokumenti. Gjyqi civil i pronësisë mes kunatës së Neki beut dhe këtij të fundit filloi të ndiqej me një interes të veçantë në mbarë vendin. Vetë Mbreti Zog u interesua për këtë gjyq duke e kuptuar se nga një përfundim i padrejtë i këtij gjyqi mund të dëmtohej edhe ai, dhe të dilte sikur ishte bashkëpunëtor në një krim të përbindshëm. Mbreti Zog, duke njohur më mirë se cilido tjetër aftësitë e Neki beut për të bërë mashtrime, urdhëroi që gjyqi të ndiqej me vëmendje të veçantë nga inspektorët e Oborrit Mbretëror, dhe të ishte një triumf i drejtësisë.    
      Neki beu, në kohën që vidhte pronën e vëllait, merrej dhe me punë të tjera. Neki beu e tradhtoi edhe Zogun, duke u bashkuar me konspiracionin e gjerë që u bë kundër Mbretit në vitin 1935, në mbarë Shqipërinë, por që njihet edhe si “Lëvizja e Fierit”, emërtim që ia vuri historiografia komuniste. Në këtë konspiracion merrte pjesë edhe Neki beu, në grupin e bejlerëve. Por Neki beu i tradhtoi edhe konspiratorët dhe në 13 gusht 1935, njoftoi Bilal Nivicën, komandantin e grupit ushtarak (shtetëror) të Elbasanit, që mbulonte dhe Pogradecin, se te nesërmen do të fillonte kryengritja.[lxxxv] Në gjyqet që pasuan dështimin e rebelimit, Neki Starova u dënua me vdekje, sa për lojë, ashtu që të mund të shërbente si spiun i Zogut në të ardhmen. Se pastaj dënimi i Neki beut u ul në dy vjet burg.[lxxxvi] Kaq i meritonte Neki beu, që gjithsesi e kishte informuar me vonesë Zogun. Në burg Neki beu nuk e kreu dot misionin se të dënuarit e Lëvizjes së Fierit, e rrahën dhe e trodhën një natë, duke i lënë një shënim: “Tani është i përshtatshëm për të bërë edhe detyrën e eunukut të Sulltan Ahmetit, se vetëm ajo i ka mbetur pa bërë!”
      Atëherë Zogu ia fali edhe dënimin e mbetur Neki beut, i cili pas lirimit nga burgu u nis në Tiranë që të takohej me Zogun dhe t’ i kërkonte një post, duke qenë se e dinte që Zogu i shpërblente kundërshtarët e tij që tradhëtonin shokët e tyre. Por Zogu nuk e priti dhe i doli vetëm Lalë Krosi, i besuari i Naltmadhnisë. Lalë Krosi, i cili qe shumë shakatar, kur e pa Neki beun të mërzitur (ky ishte i mërzitur që nuk e priti Mbreti), i tha:
      -Nëse do të kisha qenë unë në vendin tënd do të më qeshte buza vesh më vesh, Neki bej. Vërtet humbe dy kokrra por shpëtove dy herë kokën.
      Lalë Krosi e kishte fjalën si  për gjyqin ku Neki beu u dënua me vdekje, ashtu dhe për rrezikun që kaloi në burg. Neki beu, duke e ditur se fjalët e tij do t’ i shkonin në vesh Zogut, iu përgjigj po me shaka:
      -Abdurrahman aga, ku ta gjeja që të kisha dhënë kokën për Naltmadhninë, se më vjen turp që erdhën gjërat kështu e dhashë vetëm koqet.     
      Por Neki beu nuk ia dilte dot me shaka Lalë Krosit.
      -Ka menduar Naltmadhnia për hallin tënd. -ia ktheu Lalë Krosi,- Thonë se tani në Europë bëjnë koqe prej floriri, ashtu siç bëjnë këmbë prej druri. Prandaj merre këtë qese me flori që ta jep Naltmadhnia me dorën time dhe shiko ta ndreqësh hallin që ke. Pastaj duku prapë në Pallat.
      Neki beu ishte aq i zgjuar sat a kuptonte se duke i thënë që të kthehej në Pallatin mbretëror me koqe prej floriri, po i thoshin që të mos shkelte më atje, dhe se me kaq u mbyll historia e tij me Zogun. Neki beu shprehu mirënjohjen e tij dhe shkoi e u vendos përfundimisht në Pogradec, në vendlindjen e tij. Para se të arrinte Neki beu në Pogradec, Lalë Krosi që atë ditë e kishte treguar në Kafe “Kursal”historinë e koqeve të florinjta të Neki beut. Kjo histori arriti shpejt dhe në Pogradec. Por ky nuk qe halli i vetëm i Neki beut. Në kohën që Neki beu kishte pasur probleme të tjera,  gjykata në Korçë, me një vendim të datës 23 mars 1936, vendosi pro së vesë së Hasanit, pra që trashëgimtarët e Hasanit të merrnin gjysmën e pasurisë së regjistruar në emër të Neki beut.[lxxxvii]Ky vendim u la në fuqi në 1937 nga Gjykata e Diktimit, e cila atëherë, duke qenë se përmblidhte ato që sot janë Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, përbënte shkallën përfundimtare të gjykimit. Kështu, me vendim gjyqësor të formës së prerë, Neki beu u shpall praktikisht si vjedhës i pronës së vëllait. Pronat e Neki beut dhe vëllait të tij u shtetëzuan pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, dhe u rikthyen pas rënies së komunizmit.
      Por, në mënyrë kërshërore, pas vitit 1990, çdo gjë rifilloi si në 1933. Trashëgimtarët e Neki beut, ndër ta edhe babai i Blendi Fevziut, arritën që me makinacione të bëjnë atë që nuk arriti ta bënte dot Neki beu, pra t’ i përjashtojnë trashëgimtarët e Hasanit nga e drejta e pronësisë, duke përdorur si argument juridik faktin që shtetëzimi i tyre në 1950 ishte bërë vetëm në emër të Neki Starovës. Ndonëse çdo jurist e di se, duke qenë aktet e shtetëzimit të regjimit komunist, thjesht akte administrative që kishin synim kalimin e pronës tek shtetit dhe jo saktësimin e titullarëve të pronësisë mbi to, nuk ishte praktikë dhe as e nevojshme që të saktësohej pronësia ndër to. Por pas vitit 1990 kishte dalë një pasardhës i denjë i Neki beut, nipi i tij, Blendi Fevziu, i cili ishte i aftë që të bënte mashtrime me dokumente, të ndikonte vendimet gjyqësore, për të përfituar me pa të drejtë pasuri që u përkisnin edhe të afërmve të tij, madje shumë më tepër se kaq.
     

10.
Vrasja enigmatike e Neki bej Starovës

      Vrasja e Neki bej Starovës, në maj 1940, është një nga vrasjet politike më enigmatike në historinë e Shqipërisë, si për faktin se cilët persona u implikuan në të, ashtu dhe për faktin se cili e bëri vrasjen. Vrasja e Neki bej Starovës ishte e para vrasje e bujshme që ndodhi pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në 1939. Me vrasjen e Neki Starovës, do të niste fama e atij që pak kohë më pas do të bëhej kryeatentatori komunist, Kajo Karafilit. Sipas atij që mund të quhet versioni zyrtar i regjimit komunist për vrasjen, Kajo Karafili u nis nga Peza, dhe atentatin e bëri me urdhër të Myslim Pezës, siç e pohon ky i fundit në kujtimet. Sipas Haxhi Lleshit, ai dhe Myslimi kishin bërë një marrëveshje kur u ndanë, para se Myslimi të kthehej në Shqipëri:
      Biseduam gjerë e gjatë për punët që e prisnin Myslimin në Shqipëri, për njerëzit, për lidhjet dhe bashkërendimin e veprimeve tona në të ardhmen.
-Do të të lë një porosi,- m’ u drejtua Myslimi para se të nisej.- Dua të më dërgosh Kajon në Pezë.  
      …Duke e ditur se bejlerët e Pogradecit, që ishin bërë vegla të pushtuesve, do të bënin çmos për ta eliminuar, ne me Myslimin qemë të një mendjeje që ai të mos shkonte në Pogradec, po në Pezë. Prandaj, mbasi e mbajtëm edhe një dy javë në familjen tonë, nga mesi i korrikut 1939 e nisëm për në Tiranë te Myslimi, të shoqëruar nga Kadri Demiri.[lxxxviii]
      Kajo Karafili ishte arratisur në Jugosllavi, pasiqë kishte kryer një vrasje ordinere, në vendlindjen e tij në Pogradec. Myslimi e donte Kajo Karafilin pranë vetes në Pezë, se e shikonte këtë të fundit si  një njeri që mund t’ i shërbente. Myslim Peza e nisi Kajo Karafilin të vrasë Neki bej Starovën, në maj 1940, disa muaj pasiqë ata të dy qenë kthyer në Shqipëri. Mbi këtë, Myslim Peza thotë në kujtimet:     
      Po me urdhër të Zogut, Neki beu vrau me pabesi kreun tjetër të Lëvizjes së Marsit në zonën e Dibrës e të Martaneshit, Halit Lleshin. E thirri Halitin në zyrën e tij në prefekturë, në Peshkopi, gjoja për të biseduar dhe te dera e prefekturës i kalli dy njerëz dhe e vrau. Për këto arsye kur u ktheva në Pezë, përgatita Kajo Karafilin e Sulë Jonuzin dhe një ditë maji të vitit 1940, Neki bej Starova i pagoi me kokë krimet e tij.[lxxxix]
      Myslim Peza nuk mund të thoshte se Lëvizja e Marsit kishte karakter patriotik se vetë historiografia zyrtare komuniste, e kishte quajtur atë veprim karrieristësh politikë, çka ishte maksimumi i koncesionit që mund t’ i bëhej Haxhi Lleshit në atë kohë. Duke qenë se për regjimin komunist Lëvizja e Marsit 1922 nuk kishte karakter patriotik, atëherë dilte se për regjimin komunist, Neki bej Starova, nuk kishte bërë një vrasje politike të dënueshme, duke vrarë Halit Lleshin. Prej këtej, edhe vrasja e Neki bej Starovës në 1940 nuk mund të ishte një vrasje politike, për këtë arsye. Historiografia zyrtare e regjimit komunist, nuk na thotë që Neki bej Starova të ketë marrë ndonjë post në administratë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, në periudhën nga 7 prilli 1939 deri kur u vra në maj 1940. Neki bej Starova kishte bërë burg politik gjatë monarkisë zogiste. Pra, nëse ishte fjala që të bëhej një atentat politik antifashist nga Myslim Peza dhe Kajo Karafili, nuk mund të përzgjidhej Neki bej Starova si shënjestër. Por, për vrasjen e Neki bej Starovës jepet një e dhënë interesante në vitin 1990, kur Sabri Godo botoi një roman me titull “Koha e njeriut”, përmbajtja e të cilit bëhet e qartë që tek dedikimi në fillim të librit:
      Në kujtim të Heroit të Popullit Mustafa Xhani (Baba Faja Martaneshi).[xc]
      Në këtë libër përmendej edhe vrasja e Neki bej Starovës. Ajo çka të bën përshtypje është se autori është kujdesur që të shënojë në fillim të librit:
      Me përjashtim të figurave të njohura historike, çdo ngjasim me persona realë, vende e ndodhi, në këtë libër është krejt i rastit.[xci]
      Në libër, Mustafa Xhani përshkruhet tek personazhi i Baba Merxhan Dalipit. Por Neki bej Starova përmendet me emrin e tij real në roman! Kjo bëhet intriguese edhe për faktin se Sabri Godo, në këtë roman i paraqet ngjarjet sikur Baba Fajën e arrestuan italianët kur u vra Neki Starova dhe e mbajtën në qeli, duke e pyetur për vrasësit e tij:
      -Po, po, nazari, nuk bëhesh tellall i fashizmit,- tha nënkoloneli. U përkul përpara sikur ta fshikullonte me frymën në fytyrë dhe e pyeti:
      -Kush e vrau prefektin e Dibrës, të ndjerin Neki Starova?
      “Ah, më i lumtë dora, se qëroi një krimb nga faqja e dheut”
      -Nga ta di unë këtë gjë?
      -Çeta e Myslim Pezës është strehuar në teqe.[xcii]
      Siç shihet, këtu Sabri Godo i paraqet gjërat sikur Neki Starova ishte prefekt i Dibrës kur u vra në 1940. Në fakt ai e kishte lënë këtë post që prej 17 vjetësh! Më lart në libër, Godo shkruan:
      Kurse prefekti dukej aty në zyrë si në shtëpinë e vet. Ai u ul përballë babait, duke e parë ndër sy me gëzim dhe nisi të shqetësohej kur e pyeti për shëndetin e për teqenë. Si pinë kafenë, prefekti shkoi te tryeza dhe foli në telefon. Përpiqej të tregonte qetësi, bindje, siguri. Ai tjetri që kishte ndenjur në atë tryezë dhe qe vrarë një muaj më parë, ishte i kotë. Njeriu i vërtetë qe ky i tanishmi këshilltar i mëkëmbësit. Babai mendoi se ndofta për këtë e kishin thirrur, ta pyesnin për “dorën”, për njeriun që ia numëroi atij tjetrit në kokë tek shëtiste me miqtë në bulevard. Ishte e para vrasje e madhe.[xciii]
      Edhe këtu kuptohet se Sabri Godo i paraqet gjërat sikur Neki Starova pati qenë prefekt në Dibër kur u vra nga Kajo Karafili. Godo, i cili qe një njeri me lidhje të posaçme me rrethet e larta të regjimit dhe që kishte qenë oficer i Sigurimit të Shtetit, nuk bënte fantazi letrare, aq më tepër që në këtë rast emri i personazhit dhe ai i personit real përkonin. Godo e dinte se Neki bej Starova qe emëruar prefekt para se të vrisnin. Këtu më duhet të shënoj se një person që ngarkohej me detyrën e prefektit, që ishte dhe titulli i një karriere administrative, mund të mos lidhej me një zonë të caktuar administrative, të cilën e mbulonte një prefekturë. Kështu, në Itali, sipas modelit të së cilës ishte ndërtuar në atë kohë administrata në Shqipëri, ishte i njohur rasti i të famshmit Cesare Mori, të cilin Mussolini e emëroi prefekt në Palermo më 1925, duke i dhënë fuqi të jashtëzakonshme për të luftuar mafien, me shtrirje në territorin e të gjitha prefekturave të Siçilisë. Edhe Neki bej Starova qe emëruar prefekt me juridiksion në një zonë të posaçme, atë të kufirit shqiptaro-jugosllav, nga Korça në Dibër, me detyrën që të ndiqte veprimtarinë e spiunazhit atje. Italianët, në atë kohë, duke dashur ta qetësonin Beogradin, dhe ta bindnin se nuk kishin ndërmend të bënin subversion përtej kufirit në trevat shqiptare dhe ato maqedone, gjetën si mënyrën më të mirë atë që të emëronin një agjent jugosllav në këtë detyrë, një mënyrë që përdoret rëndom në këto raste. Kështu, Neki beu do t’ i informonte jugosllavët për veprimtarinë që bënin italianët në kufi. Natyrisht, se është e tepërt të thuhet, se italianët për veprimtarinë e tyre vërtet sekrete as që e vinin në dijeni Neki beun dhe punonin në kanale të tjera agjenturore. Neki bej Starova do ta kishte qendrën në Pogradec, që ka qenë gjithëherë zonë e favorshme për infiltrime, për shkak të ekzistencës së një liqeni të madh, të rrethuar nga male, një terren i përkryer për punë spiunazhi dhe subversioni. Neki beu, në pozitën e re, mori kontakt me miqtë e vjetër përtej kufirit.
      Natyrisht se në detyrën e re, Neki bej Starova, do të kamuflohej si një person privat. Emërimi i tij nuk do të publikohej në shtyp apo në gazetën zyrtare siç ndodhte me emërimet e prefektëve të tjerë. Emërimi i tij do të mbetej konfidencial dhe për të do të qenë në dijeni vetëm autoritetet më të larta italiane dhe shqiptare në vend. Është një gjë krejt e kotë që të kërkohen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë shenjat e veprimtarisë së Neki bej Starovës pas 7 prillit 1939 se Enver Hoxha qe i interesuar të zhdukte nga arkivat dokumentet që vërtetonin se Kajo Karafili kishte vrarë që në maj 1940 një zyrtar të lartë fashist. Por Enver Hoxha kishte dhe arsye të tjera për ta mjegulluar këtë vrasje, siç do të rrëfej më tutje.
      Vrasja e Neki bej Starovës, është një nga vrasjet më enigmatike në historinë e Shqipërisë, duke konsideruar forcat që u implikuan në të, dhe kohën kur ndodhi. Organizimin e vrasjes së Neki beut e ka marrë përsipër publikisht një njeri si Myslim Peza, i cili pati ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia dhjetë muaj para vrasjes, dhe që në kujtimet e veta praktikisht ka pohuar se kishte ngritur një rrjet agjenturor jugosllav në Shqipëri, në bashkëpunim me Haxhi Lleshin. Myslim Peza, i cili gjendej i arratisur në Jugosllavi prej vitesh, vendosi që të kthehej në Shqipëri që në korrik 1939, pak muaj pas largimit të Zogut. Haxhi Lleshi, duke qenë i vetëdijshëm se italianët e dinin shkallën e bashkëpunimit të familjes së tij me serbët, vendosi që të priste ende. Nga ato që shkruajnë në kujtimet e tyre Haxhi Lleshi dhe Myslim Peza, del se shërbimi sekret jugosllav ndërtoi një skemë agjenturore me këta të dy, sipas së cilës Myslimi do të krijonte një qendër të agjenturës jugosllave në Pezë, pranë Tiranës dhe Haxhi Lleshi do të kujdesej që nëpërmjet lidhjeve të tij përtej kufirit, në Shqipëri, ta furnizonte me ar jugosllav Babë Myslimin. Myslim Peza shkruan në kujtimet e veta për periudhën pas kthimit në Shqipëri nga Jugosllavia, kur filloi të punonte për të krijuar çetën dhe pasi e krijoi atë:
     Në atë kohë na u gjind Haxhi Lleshi. Korrierët, katundarë të thjeshtë vinin prej Dibre. Mijëra napolona na ka dërgue Haxhiu prej Dibre, duke na e lehtësue mjaft mbajtjen e 70 e ca burrave me bukë.[xciv]
    Ku i gjente këto para Haxhi Lleshi, i cili në kujtimet e veta thotë se kur u arratis në Jugosllavi pas ardhjes së Zogut në pushtet, e nxirrte jetesën me vështirësi:
     Për këtë arsye shkuam në Dibër të Madhe. Banonim herë nëpër miq e shokë, herë në shtëpi me qira. Më vonë pas shumë kërkesash e ndërhyrjesh, na lejuan të vendoseshim në Banjisht. Aty e rregulluam disi më mirë ekonominë, duke u marrë me bujqësi e blegtori.[xcv]
      Se ku i gjente aq shumë para Haxhi Lleshi për t’ ia çuar Myslim Pezës, nuk është vështirë të kuptohet, në arkën e shërbimit sekret jugosllav. Haxhi Lleshi, sado e pabesueshme që të duket, në kujtimet e veta të botuara pas rënies së komunizmit, mburret se ai ka qenë në shërbim të serbëve. Në kujtimet e veta, Haxhi Lleshi shkruan se, kur Gjermania sulmoi Jugosllavinë në 6 prill 1941, ai me një grup të armatosur nga jugosllavët msyu kufirin shqiptar, në mbështetje të forcave jugosllave:
    Në të aguar të 6 prillit, filluam veprimet luftarake në befasi të plotë.[xcvi]
    Forcat italiane, pjesa më e madhe e të cilave ndodheshin në frontin e luftës me Greqinë, luftuan shumë keq dhe vija e mbrojtjes u ça, kështu që sllavët hynë thellë në territorin shqiptar. Por jugosllavët u ndalën prej avancimit të shpejtë të msymjes gjermane në territorin jugosllav. Është shumë domethënës rrëfimi i Haxhi Lleshit për qëndrimin e tij gjatë thyerjes së ushtrisë jugosllave në territoret shqiptare brenda kufirit të Jugosllavisë së atëhershme:
     Ndërkohë repartet e ushtrisë jugosllave i përfshiu paniku, sepse  morën vesh që gjermanët po përparonin me shpejtësi të rrufeshme në të gjitha frontet. Mbasi kishin marrë Nishin, Shkupin, Tetovën e Gostivarin ata i qenë drejtuar Dibrës së Madhe. Pa arritur ende në Mavrovë, 50 km larg qytetit, ushtria jugosllave nisi të shpërbëhej. Gjeneralët dhe oficerët mendonin si të shpëtonin lëkurën e tyre dhe jo të drejtonin trupat në luftë. S’merrej vesh kush komandonte dhe kë komandonte.[xcvii]
      Haxhi Lleshit, i mësuar nga tradita familjare për të qenë nën komandën e serbëve, tashmë i dukej vetja si krejt i humbur ngase serbët nuk po ia kishin ngenë që ta urdhëronin, siç ai qe mësuar. Padronin e ri serb Haxhi Lleshi e gjeti po atë vit, kur në Shqipëri erdhi Miladin Popoviçi. Haxhi Lleshi shkruan më tutje në kujtimet e veta:
     Gjermanët arritën në Dibër të Madhe me 10-15 tanke si në manovra. Kur hynë në qytet asnjë qëndresë nuk gjetën. Që me breshëritë e para nga frëngjitë e tankeve, ushtria jugosllave u dorëzua pa kushte. “Të luftojmë, -u thosha ushtarakëve, se vendi nuk mund të pushtohet pa u shkelur nga këmbësoria”. Por ata s’çanin kokën, hidhnin armët dhe iknin nga sytë këmbët. “Ku po shkoni?” i pyesja. “Sollun, Sollun” përgjigjeshin. Sollun i thoshin Selanikut.[xcviii]
    Teoria e Haxhiut se, “pa u shkelur toka nga këmbësoria nuk pushtohet vendi”, është e vërtetë, por ajo provon se për Haxhiun ushtarakët serbë, në trevat shqiptare tej kufirit të 1913-s, nuk qenë pushtues. Për Haxhi Lleshin pushtues qenë veç gjermanët. Haxhi Lleshi, në vend që të bënte detyrën si shqiptar për t’ u vënë pushkën pushtuesve serbë, u kërkonte atyre që mos të iknin prej trevave shqiptare, por të rrinin atje, në Dibrën e Madhe shqiptare si okupatorë. Ky ishte njeriu që furnizonte Myslim Pezën e vendosur në Pezë, që prej korrikut 1939. Shumë arsye të bëjnë të besosh se në këtë rreth agjenturor jugosllav hyri në atë kohë edhe Enver Hoxha, i rekrutuar nga Myslim Peza dhe Esat Dishnica, dhe se pikërisht rekrutimi i Enver Hoxhës u bë shkak që Myslim Peza të organizonte vrasjen e Neki bej Starovës. Myslim Peza thotë në kujtimet e tij se ai u takua për herë të parë me Enver Hoxhën në korrik 1939, në Tiranë, dhe se njohjen e tyre e bëri Esat Dishnica.[xcix]Natyrisht se detyra e Myslim Pezës ishte që të zgjeronte rrjetin e tij agjenturor, duke rekrutuar njerëz të rinj. Enver Hoxha ishte një njeri i përshtatshëm për këtë gjë. Në verën e vitit 1939 Enver Hoxha ishte një njeri i dëshpëruar. Deri më atëherë pozita e tij si mësues në Liceun e Korçës ishte e palakmueshme, pasiqë ai paguhej varësisht orëve të mësimit që jepte, për shkak se nuk kishte diplomë universitare. Pasiqë me pushtimin italian të Shqipërisë u hoq frengjishtja si lëndë nga Liceu, Enver Hoxhës iu hoq gjysma e punës, se ai tashmë nuk mund të jepte më orë mësimi të frëngjishtes në klasat e ulëta të Liceut, siç pati bërë deri më atëherë. Kësaj i duhet shtuar edhe një sëmundje e rëndë që ai kaloi në vitin 1939, dhe për të cilën flet edhe nipi i tij, Luan Omari në kujtimet, kur rrëfen se si Enver Hoxha shkoi për kurim në Itali, ku në atë kohë kohë jetonte ende familja e babait të Luanit, Bahri Omarit, kunatit të Enver Hoxhës. Sipas rrëfimit të Luan Omarit, Enver Hoxha në verën e vitit 1939 befasisht siguroi një shumë të madhe parash për t’ u kuruar në një klinikë të shtrenjtë në Itali. Luan Omari thotë në kujtimet e tij të përfshira në përmbledhjen Kujtime me Enverin, të botuara në kohën e regjimit komunist:
     Në vitin 1939 Enveri erdhi në Bari për mjekime. Nuk më kujtohet muaji, por mbaj mend se na erdhi një telegram, ku ai njoftonte ardhjen e tij dhe kërkonte që ne ta prisnim në port, gjë që e shqetësoi nënën time. Shkuam dhe kur anija iu afrua skelës pamë se Enveri ishte në kuvertën e e anijes në një karrige, me gjunjët e mbuluar me batanije. Hipëm në anije dhe morëm vesh se nuk ecte dot se kishte dhimbje të forta në këmbë, nga gjuri e poshtë. Nga anija deri në skelë e mbajti një hamall i fuqishëm, që e hipi në një pajton dhe po ky, nga pajtoni e ngjiti deri në banesën tonë. Në Bari iu nënshtrua menjëherë vizitave dhe analizave mjekësore te një patolog i njohur i Universitetit të atjeshëm, profesor Gargasole. Ky përjashtoi dyshimet për sëmundje të tjera dhe përcaktoi se ishte fjala për reumatizëm akut, që mund të shërohej me kura të ndryshme dhe me banja termale. Në Bari filloi kurat. Qëndroi në shtëpinë tonë një kohë relativisht të gjatë, ndoshta dy-tre muaj dhe gradualisht u përmirësua, ngrihej në dhomë me paterica e me bastun dhe pas njëfarë kohe filloi të dilte shëtitje.
    Kur u përmirësua krejt dhe hoqi edhe bastunin Enveri u largua nga Bari për në Shqipëri. Në verë (më duket se ishte po viti 1939) së bashku me nënën time dhe vëllanë e vogël Fatosin, shkoi në Salsomaggiore (një vend me banja termike pranë Bolonjës), ku Enveri bëri banja për reumatizmën. Me sa duket mjekimet që bëri Enveri qenë shumë të dobishme sepse që nga ajo kohë, edhe në kushtet e vështira të jetës partizane, nuk pati asnjë herë ndonjë shqetësim nga reumatizmi.[c]
      Nga këto që thotë Luan Omari kuptohet se Enver Hoxha në vitin 1939 ka bërë dy udhëtime në Itali për t’ u kuruar. Në udhëtimin e parë ka qendruar në shtëpinë e Bahri Omarit në Bari dhe është kuruar, me siguri me shpenzimet e këtij të fundit. Por siç duket mjekët e Barit i kanë bërë me dije se kishte nevojë për kura në klinika të specializuara. Kështu që Enver Hoxha u rikthye në Shqipëri për të gjetur paratë, të cilat duket se i gjeti, pasiqë bëri udhëtimin e dytë në Itali atë verë. Enver Hoxha në kujtimet e veta, thotë mbi këtë episod të jetës së tij:
    Kur isha mësues në Korçë dhe Italia na kishte okupuar, mua m’ u fry gjuri keq dhe doktorët më rekomanduan se duhet të bëja banja me një baltë speciale. Fahrija dhe Bariu nuk ishin kthyer akoma në Shqipëri. Mora ca para hua dhe tok me Fahrijen shkuam në Salcomaxhore. Duhet thënë se banjat ishin të mira, po ashtu edhe shërbimi dhe pata një përmirësim të tillë sa sëmundja e gjurit nuk m’ u përsërit më, bile as gjatë viteve të rënda të luftës.[ci]
      Nga këto që thotë Enver Hoxha del se udhëtimin e parë në Itali për kurim e ka bërë në ditët pas 7 prillit 1939. Duke llogaritur atë që thotë Luan Omari se Enver Hoxha qëndroi në Itali dy-tre muaj, atëherë del se ai është kthyer në Shqipëri në fund të qershorit, fillim të korrikut 1939. Pasiqë gjeti paratë në Shqipëri, ai u nis përsëri në Itali në verën e vitit 1939, siç thotë Luan Omari. Për këtë nuk ka dyshim meqënëse Enver Hoxha thotë se të dy udhëtimet në Itali janë bërë kur ai ishte mësues në Korçë. Udhëtimi i dytë nuk mund të ketë ndodhur në verën e vitit 1940, se atëherë Enver Hoxha nuk ishte më mësues në Korçë. Enver Hoxha nuk thotë se kujt ia mori paratë borxh në Shqipëri pas kthimit nga Italia. Ajo çka është e sigurt, asnjë nga huadhënësit e Enver Hoxhës, nuk do të rrezikonte që t’ i jepte atij një shumë parash aq të madhe sa ajo që duhej për kurim në një klinikë të specializuar në Itali, se Enver Hoxha nuk kishte mundësi ta shlyente borxhin. Miqtë e tij i huanin atij vetëm shuma të vogla parash, të cilat i quanin të humbura. Enver Hoxha në kujtimet e veta për kohën e rinisë, përmend njerëzit që i huanin para, por nuk thotë kurrë se ai ia ktheu dikujt borxhin financiar! Enver Hoxhës mund t’ i huante një shumë të madhe parash vetëm një njeri që kishte një interes për ta bërë këtë gjë. Dhe në mes të dy udhëtimeve të Enver Hoxhës në Itali është takimi i tij me Myslim Pezën në verën e vitit 1939. Myslim Peza ia dha Enver Hoxhës paratë për të cilat kishte nevojë, në këmbim të pranimit të këtij të fundit të propozimit të Enver Hoxhës për t’ u bërë agjent jugosllav. Kështu zbulohet dhe enigma se përse dy të dërguarit komunistë jugosllavë në vjeshtën e vitit 1941, sponsoruan karrierën e Enver Hoxhës në Partinë Komuniste të Shqipërisë. Ata qenë në dijeni se Enver Hoxha pati qenë agjent jugosllav. Nuk duhet harruar se në vjeshtën e vitit 1941 Tito dhe komunistët jugosllavë patën vendosur lidhje me lëvizjen çetnike të Drazha Mihajlloviçit, me të cilin qenë bashkuar shumë oficerë të ish-shërbimit të fshehtë të ish-Jugosllavisë mbretërore. Kështu që në atë kohë liderët komunistë jugosllavë patën mundësi të vijnë në dijeni për agjenturën jugosllave në Shqipëri.
      Të gjitha të dhënat flasin se shërbimet sekrete italiane, OVRA dhe SIM-i vepruan në një mënyrë të dyfishtë me agjenturën jugosllave në Shqipëri. Derisa nga njëra anë italianët e goditën atë, në anën tjetër, sipas praktikës së rëndomtë kundërzbuluese, ata bënë përpjekje për t’ i rekrutuar si agjentë të dyfishtë, njerëzit më të rëndësishëm të jugosllavëve në Shqipëri, dhe për t’ i përdorur sipas skemave të caktuara. Mbi goditjen italiane ndaj agjenturës jugosllave në Shqipëri, Haxhi Lleshi shkruan në kujtimet:
      Në një rast, gjatë udhëtimit për në Pezë, Mysli Jasharit i kishin kapur karabinierët disa materiale dhe rreth 25 napolona flori nga 300 që i dërgoja Myslim Pezës. Fashistët gjetën shkak për të ndërhyrë më me forcë pranë autoriteteve jugosllave që të merrnin masa të rrepta ndaj nesh. Dhe këta nuk ngurruan, sepse kishin interes t’ i forconin lidhjet e bashkëpunimin me qeverinë italiane. Në fund të vitit 1939 Beogradi urdhëroi të na shpërndanin në thellësi të Jugosllavisë.[cii]
      Jugosllavët, të cilët shtireshin se nuk kishin dorë në veprimet e emigrantëve politike, trembeshin se mos italianët gjenin një shkak për luftë, kështu që e ndërprenë përkohësisht veprimtarinë në këtë linjë agjenturore. Ajo që nuk e thonë as Haxhi Lleshi dhe as Myslim Peza në kujtimet e tyre, është se si ndodhi që italianët nuk reaguan ndaj Myslim Pezës në fund të vitit 1939, kur u zbulua linja e tij agjenturore me Jugosllavinë. Mirë se Haxhi Lleshin italianët nuk kishin se ku ta gjenin, pasiqë ndodhej në Jugosllavi, por Myslim Peza ishte në Shqipëri. Si shpjegohet që italianët në fund të vitit 1939 nuk bënë asnjë përpjekje për ta arrestuar Myslim Pezën, i cili banonte në Pezë, vetëm pak kilometra nga qendra e qytetit të Tiranës, si person legal? Myslim Peza kaloi në ilegalitet vetëm një vit e gjysëm pas episodit në fund të vitit 1939, për të cilin flet Haxhi Lleshi. Kuptohet se Myslim Peza ka qenë agjent i dyfishtë dhe se ka pasur një bashkëpunim edhe me italianët, pasiqë është zbuluar linja e tij agjenturore jugosllave.
      Pas zbulimit të linjës së Dibrës, jugosllavët vendosën që të aktivizojnë një linjë agjenturore rezervë, nëpërmjet Pogradecit, fare pranë kufirit me Jugosllavinë, ku gjendej Neki bej Starova. Nuk ka gjasa që Haxhi Lleshi dhe Myslim Peza të jenë marrë vesh që në Jugosllavi, që ky i fundit të organizonte vrasjen e Neki beut kur të shkonte në Shqipëri, ndonëse Haxhi Lleshi do t’ ja ketë kërkuar këtë gjë. Myslim Peza ishte larguar nga Shqipëria në 1926, për shkak se kishte kryer një vrasje të bujshme, atë të Osman Balit, dhe ai nuk ia kishte ngenë që të hapte një armiqësi të re me bejlerët e fuqishëm të Starovës, pas kthimit në Shqipëri. Myslim Peza u implikua në vrasjen e Neki bej Starovës, për shkak se atë ia kërkoi Enver Hoxha, i cili u ndje i rrezikuar nga Neki beu.
      Në kohën që Enver Hoxha ishte mësues në Liceun e Korçës, në vitet 1937-40, në Pogradec do të vinte me banim edhe Neki Starova, gjyshi i Blendit Fevziut, dhe kushëri i Esat Dishnicës. Këto dy familje bejlerësh, familja “Hysenbegasi” (Starova) dhe ajo “Dishnica” duke qenë afër njëra-tjetrës, kishin bërë prej kohësh krushqi, kështu që edhe Esat Dishnica dhe Neki Starova qenë kushërinj. Beu i pasur nga Korça, Esat Dishnica, i cili ishte miku i Enver Hoxhës, udhëtonte për pushime në Pogradec, ku merrte me vete edhe Enver Hoxhën. Gjatë vajtjeve në Pogradec, në vitet 1937-40, Esat Dishnica vizitonte dhe Neki Starovën, gjyshin e Blendit, me ç’ rast Enver Hoxha u njoh mirë me Neki beun. Neki bej Starova kishte marrë vesh për një histori dashurie mes gruas së tij, Qanijes dhe Enver Hoxhës, mikut të cilin ia pati sjellë në shtëpi Esat Dishnica. Në kohën që Enver Hoxha ishte mësues në Korçë, ai ishte një vizitor i shpeshtë i shtëpisë së Neki beut në Pogradec. Që Blendi Fevziu është në dijeni të historisë së dashurisë mes gjyshes së tij nga babai dhe Enver Hoxhës, kjo gjë kuptohet tërthorazi nga libri i tij “Enver Hoxha”, ku sa i përket marrëdhënieve të Enver Hoxhës me femrat, Fevziu tregon një shpërfillje të pakuptueshme për një biograf, kur shkruan:
      Ishte një i ri i pashëm, 28-vjeçar, beqar dhe të cilit, sipas asaj çfarë rrëfenin miqtë e tij, i pëlqenin femrat. Në të vërtetë, kurrë, në asnjë rast, as në kujtimet e tij dhe as në ato të bashkëmoshatarëve dhe të njerëzve që e kanë njohur në të ri, nuk përmendet emri i ndonjë femre konkrete me të cilën ai të jetë shoqëruar ose për të cilën të ketë pasur simpati në ato kohë. Siç ka ndodhur me të gjithë drejtuesit e lartë komunistë të Europës Lindore, jeta e tij erotike, edhe nëse ka ekzistuar, ka qenë dhe mbetet krejt e panjohur.[ciii]
      Kjo sjellje e çuditshme e “biografit” të Enver Hoxhës, ka vetëm një shpjegim: në këtë rast “biografi” Fevziu është në konflikt interesi me individin Fevziu, për shkak të historisë së dashurisë të gjyshes së tij me Enver Hoxhën. Prandaj Fevziu nuk ka dashur që të hetojë në historitë e dashurisë së Enver Hoxhës me femra. Neki beu u zemërua shumë kur mësoi për historinë e dashurisë me profesorit bukurosh dhe gruas së tij, së cilës në pranverën e vitit 1940 iu shfaqën shenjat e shtatzanisë. Neki beu, natyrisht nuk i kishte bërë dot koqet e arta. Si burrë dhe si bej që ishte, Nekiu do të vepronte për të vënë nderin në vend. Kjo do të thoshte se Enver Hoxha ishte në rrezik jete. Pas Neki beut qëndronin oxhakët e fuqishëm të bejlerëve të Starovës dhe të fushës së Korçës. Enver Hoxha i kërkoi Myslim Pezës që të vriste Neki beun, ndryshe ai do të detyrohej të arratisej në Jugosllavi. Kjo do të thoshte që të dekonspirohej bashkëpunimi i Myslim Pezës me italianët. Myslim Peza tash kishte dy rrugë: ose të vriste Neki bej Starovën, ose të vriste Enver Hoxhën. Myslim Peza zgjodhi që të vriste Neki beun dhe t’ ia atribuonte kërkesën për vrasjen e tij Haxhi Lleshit. Autoritetet shqiptare të kohës kur u krye atentati ndaj Neki bej Starovës dhe vetë italianët, ndonëse e zbuluan shpejt autorin e vrasjes, treguan mungesë të madhe dëshire për ta ndjekur dhe ndëshkuar atë, sipas ligjit. Në një telegram të Prefekturës së Korçës, datë 30 maj 1940, thuhet:
       Mbrëmë në orën 21. 15 prej njerëz të panjohun tue shkue në shtëpinë e tij asht vra i quejtuni Neki Starova. Janë disponue urdhna menjëherë për kapjen e tyre.[civ]
      Kajo Karafili e bëri atentatin ndaj Neki Starovës në 29 maj 1940. Në 21 qershor 1940, doli urdhër arresti nga Prokuroria për Kajo Karafilin, por çuditërisht, vetëm tre javë më pas, në 11 korrik do të dilte një:
      “Njoftim i Prokurorisë së Shtetit dhënë Prefekturës së Korçës mbi vendimin për arrestimin e Kajo Karafilit”[cv]
      Në këtë njoftim thuhet:
      Kemi nderin me ju njoftue se Gjykata Paqtuese e Pogradecit, me cilësi Gjyq Hetues ka vendosur rreshtimin e të pandehurve 1)Kajan Karafilit nga katundi Mblacë…, si të akuzuar në vrasjen e viktimës Neki Starovës.
      Shënojmë se letër rreshtimet në fjalë janë nxjerrë qysh prej datës 21 VI 40.[cvi]
      Të bën përshtypje se ndonëse Prokuroria ishte në dijeni se emri formal në dokumente i Kajo Karafilit ishte Kajan Oshafi,[cvii] ai megjithatë kërkohet të arrestohet me emrin Kajan Karafili, çka është emri i tij dhe emri i të atit, i vënë si mbiemër. Pra, dikush në Prokurorinë e Shtetit e mbronte Kajo Karafilin, duke e ndihmuar të kamuflohej. Merret vesh, autoritetet shqiptare të kohës dhe italianët, e quajtën Neki beun tradhtar, dhe panë tek kjo vrasje thjesht një shlyerje llogarish brenda rrethit të agjenturës jugosllave në Shqipëri, kështu që nuk e panë me vend që ta prishin qetësinë. Italianët duke qenë në dijeni se Neki beu bënte lojë të dyfishtë, nuk u shqetësuan fare për vrasjen e tij.
      Vetë mënyra dhe rrethanat e atentatit, lenë shumë për të dyshuar. Ditën e 29 majit 1940, Neki bej Starova, çuditërisht gjendej jashtë shtëpisë, pasiqë kishte rënë mbrëmja, çka shënohet në raportin e policisë. Në atë kohë ora nuk shkonte një orë para në pranverë, kështu që ora 21. 15 e majit në vitin 1940, ishte praktikisht baras me orën 22. 15 të kohës së sotme. Neki bej Starova qëkurse kishte ardhur në Pogradec, kthehej herët në shtëpi, pra se të binte mbrëmja. Ditën e 29 majit, Neki beu qartësisht kishte nje takim, për të cilin nuk donte që të binte në sy. Nëse doni të kuptoni se si ndodhi atentati, imagjinoni sikur jeni në shkallët kryesore të Hotel “Guri Kuq” (turizmi siç quhej dikur), me fytyrë nga sheshi qendror i qytetit të Pogradecit. Në të djathtë, do të keni Hotel “Liqenin”, dhe fill në të djathtë të tij, me dalje në bulevardin kryesor, ishte shtëpia e Neki beut, e cila sot është bar-restorant “Inblenor”. Neki beu ishte duke ardhur nga rruga e ngushtë e tregut të qytetit, prej ku duhet të kalonte përgjatë sheshit, për të shkuar në shtëpi. Kajo Karafili po qëndronte tek tyrbja në të majtë të sheshit, përballë xhamisë (e cila gjendet atje dhe sot). Kajo Karafili nuk e njihte për fytyrë Neki beun. Në kohën që Kajo ishte arratisur nga Shqipëria, në 1937, Neki beu gjendej në burg, dhe më parë kishte qenë në Berat. Aq më pak e njihte Neki beun, Sulë Jonuzi, nga Peza, shoqëruesi i Kajos. Pra, duhej që dikush t’ ia tregonte Kajos Neki beun. Ky dikush mbeti enigmë. Kurrkush nuk doli në kohën e regjimit komunist që të thoshte se kishte marrë pjesë në këtë atentat. Personi i cili u takua me Neki bej Starovën ishte Esat Dishnica, miku i Myslim Pezës. Takimin mes tyre e pati kërkuar Neki bej Starova, i cili kishte një çështje për të sqaruar me mikun dhe kushëririn e largët të tij, Esat Dishnicën. Neki beun kërkonte që Esat Dishnica t’ i sillte në takim Enver Hoxhën. Por ishte ky i fundit që i kishte organizuar Neki beut takimin me vdekjen.
      Nga pikëpamja e regjimit komunist shqiptar, vrasja e Neki bej Starovës gjithsesi duhet të ishte vrasje politike, duke konsideruar faktin se ai pati qenë emëruar prefekt nga qeveria e kohës së pushtimit italian. Por regjimit komunist nuk i pëlqente që ta pohonte këtë fakt, se gjërat duhet të paraqiteshin sikur kryeatentatori komunist, Kajo Karafili filloi të bënte atentate politike vetëm pas themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, me urdhërin e saj. Në mitologjinë historike të regjimit komunist, Babë Myslimi (Peza) dhe Kajo Karafili, u ndërgjegjësuan plotësisht për luftë të armatosur kundër fashizmit pas takimit të çetës së Pezës me Enver Hoxhën në gusht 1941, pra më tepër se një vit pas vrasjes së Neki beut. Enver Hoxha në raportin e mbajtur në Kongresin I të Partisë Komuniste të Shqipërisë, në 1948, tha, duke folur për periudhën e luftës:
      Në Tiranë, heroi kombëtar Kajo Karafili, luftëtar i çquar dhe i patrembur jep sinjalin e atentateve politike t’ urdhëruara nga Partia duke ekzekutuar spiunin e rrezikshëm Beqir Kazazin.[cviii]
      Atentati ndaj Beqir Kazazit u krye në 28 dhjetor 1941, siç e pohon edhe Myslim Peza në kujtimet e veta.[cix]Para këtij atentati, që prej pushtimit italian, Kajo Karafili kishte kryer edhe atentate të tjerë, më i bujshmi ndër të cilët kishte qenë ai kundër Neki bej Starovës, në maj 1940. Por tashmë Enver Hoxhës nuk i konvenonte që t’ i përmendte ato. Gjithsesi, që atentatet e Kajo Karafilit para 8 nëntorit 1941 konsideroheshin nga regjimi komunist si bëma heroike patriotike, kjo kuptohet edhe nga një një botim të historiografisë zyrtare komuniste me titull “Heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar: përmbledhje dokumentesh”[cx], ku rrëfehet veprimtaria e këtyre sipas dokumenteve italiane, gjermane dhe të autoriteteve shqiptare të kohës. Në këtë libër, në kapitullin për Kajo Karafilin, nuk thuhet asgjë për atentatin ndaj Beqir Kazazit të autorizuar nga partia, por rrëfehet gjerësisht vetëm për atentatin ndaj Neki bej Starovës. Në këtë libër thuhet:           
      Atentati kundër Neki Starovës kishte karakter politik.[cxi]
      Megjithatë nuk thuhet asgjë se ku konsistonte karakteri politik i këtij atentati, kjo për arsyen që thashë më lart. Më tepër dritë mbi të vërtetën e vrasjes së Neki bej Starovës hidhet në një monografi për Kajo Karafilin, të botuar në kohën e regjimit komunist, në 1979, ku thuhet:
      Në maj të vitit 1940 krijohet çeta e Pezës. Tani ishin idetë patriotike që i tregonin Kajos rrugën e vërtetë dhe e frymëzonin të luftonte si trimat për të fituar lirinë aq të dëshiruar nga populli i shumëvuajtur. Në verën e vitit 1940, Kajo Karafili bashkë me disa shokë të tjerë të çetës së Pezës erdhën në Pogradec dhe vranë në mes të qytetit Neki bej Starovën, tradhtar dhe agjent i vjetër i Zogut dhe i fashizmit.[cxii]
      Këtu thuhet se Neki bej Starova ishte agjent fashist, por pa u dhënë më tepër shpjegime. Por duhet nënkuptuar se Neki bej Starova ishte emëruar prefekt i posaçëm. Kuptohet se nëse do të jepeshin më tepër shpjegime, atëherë do të dilte se Babë Myslimi dhe Kajo Karafili e kishin shkrepur pushkën e bujshme kundër fashizmit që para se t’ u thoshte Enver Hoxha. Prandaj në librin “Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar”, që është versioni zyrtar i historiografisë komuniste për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, në vëllimin e parë, që përmban ngjarjet e majit të vitit 1940, nuk përmendet atentati i Kajo Karafilit ndaj Neki Starovës, ndonëse në këtë periudhë, dhe në krejt vitin 1940, ngjarjet e përmendura janë shumë të varfra.[cxiii]
      Në këtë libër thuhet:
      Në maj 1940 në lëvizjen antifashiste u vu re një element i ri, përhapja e trakteve, ngjitja e tyre nëpër mure.[cxiv]
      Por, a nuk është atentati me armë një “element” vërtet për t’ u shënuar? Qartësisht, regjimi komunist nuk ka ditur se ç’ të bëjë me këtë atentat të parë të kryeatentatorit komunist, Kajo Karafilit. Fakti që regjimi komunist, ndonëse nuk e thoshte publikisht atë se çka ishte në të vërtetë Neki bej Starova në kohën e vrasjes së tij, megjithatë qe në dijeni të pozitës së tij në kohën e vrasjes, normalisht nuk duhet ta lehtësonte pozitën prej të deklasuarish të familjarëve të Neki beut. Kjo dhe fakti që në mes ishte Haxhi Lleshi, i cili kishte interes që t’ i jepte atentatit karakter politik antifashist, normalisht duhet të bënin që Neki Starova të përkeqësonte shumë biografinë politike të pasardhësve të tij gjatë regjimit komunist. Por është kërshërore se pasardhësit e Neki bej Starovës, tre djemtë e tij, patën trajtim të diferencuar në kohën e diktaturës komuniste. Dy djemtë e Neki bej Starovës të cilët patën lindur para se Enver Hoxha të njihej me Neki beun dhe me familjen e këtij të fundit, gjë që ndodhi pas ardhjes së Enver Hoxhës në Korçë, në pranverën e vitit 1937, u burgosën në kohën e regjimit komunist, gjë që ishte normale me shkallën e deklasimit që kishin ata. Por djali i vogël i Neki beut, babai i Blendit, i cili lindi pas vdekjes së të atit, nuk u burgos, madje edhe kur u dëbua nga Tirana, në fund të viteve gjashtëdhjetë, ai nuk u internua, por ndaj tij u dha vetëm masa e dëbimit, dhe jetoi në kushte të privilegjuara në krahasim me të deklasuarit e shtresës së tij. Gjithsesi, Neki bej Starova, njeriu i cili vetë kishte ndryshuar mbiemrin, u bë shkak që familja e Blendit të ndryshonte edhe tre mbiemra gjatë kohës së komunizmit.
      Nipi i Neki bej Starovës, Mojsi Starova (djali i vëllait), ishte njeriu i vetëm i familjes, i cili ishte bashkuar me lëvizjen komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ndërpreu studimet universitare për mjekësi në Itali dhe u kthye në Shqipëri për t’ u bashkuar me forcat partizane komuniste, ku mbajti detyrën e komisarit politik. Pas luftës, duke e parë statusin e xhaxhait të vet, si pengesë për karrierën e tij, Mojsi Starova bëri përpjekje të mëdha që Neki Starovës t’ i hiqej stigma e vrasjes politike, madje edhe të shpallej patriot për shkak të pjesëmarrjes së tij në Lëvizjen e Fierit. Në 1974, kur me rastin e 30 vjetorit të çlirimit u bë një fushatë për shpallje patriotësh në rrethet e ndryshme të vendit, me ndërhyrjen e dukshme të Mojsi Starovës, i cili kishte miqësi me vëllain e Ramiz Alisë, si dhe me ndërhyrjen e padukshme të Enver Hoxhës, pothuajse u arrit madje që emri i Neki Starovës të hynte në listën e propozimeve që dërgoi Pogradeci në Tiranë me emrat e atyre që do të shpalleshin patriotë dhe do të merrnin dekorata. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Bexhet Zagorçani, një ish-komandant partizan, i cili e njihte mirë historinë e vrasjes së Neki Starovës, ngulmoi që emri i tij të hynte si kontrabandë në listën që kishte paraqitur këshilli i Muzeumit të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Pogradecit, që kishte të drejtën për të bërë propozimin e emrave. Kjo të bënte të kuptoje se në prapaskenë ndikonte dhe Enver Hoxha, e cila gjithsesi nuk donte që ta lëndonte Haxhi Lleshin për këtë çështje kaq të ndjeshme për këtë të fundit. Kryetari i Këshillit të Muzeumit të Pogradecit, ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Nuçi Tira, vuri në dijeni Haxhi Lleshin, i cili reagoi ashpër dhe aktivizoi armikun e vjetër të Neki Starovës, Heroin e Popullit, Zylyftar Veleshnja. Ky i fundit dha një dëshmi për tradhtinë që kishte bërë Neki Starova në Lëvizjen e Fierit, në 1935, çka bëri që emri i Neki beut të bjerë përfundimisht. Përfundimisht, i gjithë faji iu ngarkua Mojsi Starovës, i cili u akuzua për zbutje të luftës së klasave dhe u përjashtua nga partia. Kështu, Neki beu mori me vete, politikisht, dhe nipin komunist, 34 vjet pas vdekjes. Përderisa Blendi Fevziu donte që të tregonte në librin e tij për Enver Hoxhën, një histori përndjekjeje politike për shkak të origjinës familjare, ai nuk kishte pse të shkonte deri tek historia e pabesueshme e Aurel Plasarit, por mund të kishte treguar fare mirë historinë e familjes së tij.
      Në librin e Blendi Fevziut “Enver Hoxha” ka shtatë faqe për grindjen mes Haxhi Lleshit dhe Myslim Pezës në mes fillim të viteve tetëdhjetë, e cila e shqetësoi Enver Hoxhën.[cxv]Arsyeja për të cilën Fevziu është marrë kaq shumë me këta të dy, dhe që ai nuk e thotë, është se këta të dy, Lleshi dhe Peza patën bashkëpunuar për vrasjen e gjyshit të Blendi Fevziut (babait të babait të tij), Neki Starovës në 1940. Duke mos pasur kurajë për të shtjelluar këtë çështje në librin e tij, Fevziu gjen këtë mënyrë të tërthortë për të shigjetuar Haxhi Lleshin dhe Myslim Pezën. Përmendja e Neki Starovës në një roman të Sabri Godos u bë shkak për një bisedë të hidhur mes tij dhe Blendi Fevziut në vitin 1991. Në verën e vitit 1991, kur Blendi Fevziu ishte tashmë drejtor i Drejtorisë së Rinisë dhe Sporteve, ai pati rastin të shkëmbente dy fjalë me Sabri Godon në zyrën e ministrit, ku Godo gjendej për një punë. Preç Zogaj, ministri, për t’ i bërë një kompliment Godos, tha se romanet e tij historike i qëndronin kohës, dhe kërkoi miratimin e Fevziut. Ky i fundit, si duke u përtypur, tha:
      -Në përgjithësi ndoshta, se ja, në romanin “Koha e njeriut”, z. Godo thotë se Neki Starova ishte prefekt në Dibër, kur u vra, në 1940. Zoti Godo duhet ta ketë ditur se Neki Starova nuk kishte asnjë post kur u vra dhe në Dibër pati qenë prefekt shumë kohë më parë, në vitet ‘20.
      Sabri Godo e vështroi shumë i befasuar, se nuk priste që një 22 vjeçar të kishte njohuri të tilla.
      -E ke gjë këtë Neki Starovën ti more djalë?- E pyeti Godo.
      -Joooo, por them thjesht si fakt historik,- iu përgjigj Blendi, i cili kështu vazhdoi të mohonte gjyshin edhe pas rënies së diktaturës.
      Gjithsesi, Blendi Fevziu nuk e la me kaq këtë histori. Kur kaloi me Partinë Aleanca Demokratike, e cila ishte në koalicion me Partinë Socialiste, që shpallte se e kishte antifashizmin një vlerë të shenjtë, Blendi Fevziu, i trembur se mos ajo që kishte shkruar Godo i cënonte karrierën, nuk e la me kaq këtë histori. Familjarët e Blendi Fevziut i kërkuan Sabri Godos që të bënte përgënjeshtrim publik për atë që kishte shkruar në roman, ndryshe do ta padisnin në gjykatë. Për një periudhë kohe, ata e e bezdisën shumë Godon, por një ditë nuk u panë më, po aq befasisht sa ç’ qenë shfaqur.
      -Çfarë ndodhi me këta o Sabri?- E pyeti një mik një ditë.- U bëre ndonjë magji?
      -Jo, vetëm u thashë diçka në vesh. - Tha “dhelpra” e vjetër e politikës, Sabri Godo, I cili ka qenë gjithmonë një njeri i çudive të mëdha dhe i mistereve të mëdha. Blendi Fevziu deri më sot nuk ka shkruar një ese me titull “Vrasja ndodhi në orën 21.15”, sic bëri për vrasjen e stërgjyshit të tij, Abdyl Ypi. Arsyeja është e qartë: Blendi Fevziu pak a shumë është në dijeni të atyre që unë thashë më lart, kështu që nuk dëshiron që ta hapë historinë e vrasjes së gjyshit të tij. Madje, edhe historinë e vrasjes së Abdyl Ypit, ai nuk e ka prekur më që prej vitit 1995.


[i] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 22-23
[ii] po atje: f. 23
[iii] Shih p.sh.: Simon Sebag Montefiore, “Young Stalin”, Phoenix, London 2008, p. 242
[iv] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 93
[v] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 93
[vi] Gazeta “Koha Jonë”, 16 korrik 2011, f. 7
[vii] po atje: f. 7
[viii] Fan S. Noli, Vepra, vëllimi 5, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë 1988, f. 220-221
[ix] Alfons Dode, “Tartarini i Taraskonit”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1980, f. 33
[x] http://www.youtube.com/watch?v=cqC0P6RVXxs
[xi] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 240-241-242
[xii] po atje: f. 243
[xiii] po atje: f. 243
[xiv] po atje f. 243
[xv] po atje: f. 243
[xvi] po atje: f. 244-245
[xvii] Eqrem bej Vlora, “Kujtime”, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë 2001, vëllimi II, f. 261
[xviii] Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri: 1897-1942”, Shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 2000, f. 285-286
[xix]po atje: f. 360       
[xx] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 9-10
[xxi] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 100
[xxii] Julian Amery, “Bijtë e Shqipes”, Shtëpia botuese “Lumo Skëndo”, Tiranë 2002, f. 222
[xxiii]Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 158
[xxiv] Roderick Bailey, “The wildest province: SOE in the land of eagle”, London 2009, Vintage, f. 124-125
[xxv] Gazeta “The Guardian”, 13 qershor 2001
[xxvi]Pjesa për Shqipërinë nga kujtimet e Tilman, është botuar në shqip në një libër me titull “Kujtime që nuk shlyhen: tre oficerë anglezë gjatë luftës në Shqipëri dhe në Kosovë”, Botimet “Toena”, Tiranë 1997, ku përfshihen kujtime të William Tilman, Julian Amery dhe Piter Kemp. As në librin e Roderick Bailey, “The wildest province: SOE in the land of eagle” (London 2009, Vintage) nuk thuhet thuhet asgjë për një takim të Tilman me ndonjë toptanas.
[xxvii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 69-70
[xxviii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botim i “Brezi 22”, Tiranë 1996, f. 89
[xxix] Niko Nishku, “Kush ishte Said Sermedin Toptani”, MNS, Tiranë 2000, f. 53
[xxx] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botim i “Brezi 22”, Tiranë 1996, f. 90
[xxxi] po atje: f. 88
[xxxii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 71-72
[xxxiii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botim i “Brezi 22”, Tiranë 1996, f. 29-30
[xxxiv] po atje: f. 29-30 
[xxxv] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 69-70
[xxxvi]http://www.baal.k12.tr/
[xxxvii]Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botim i “Brezi 22”, Tiranë 1996, f. 90
[xxxviii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 70
[xxxix] Nathalie Clayer, “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë”, Botime “Përpjekja”, Tiranë 2009, f. 170
[xl] Bernard Lewis, “Lindja e Turqisë moderne”, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë 2004, f. 163-164
[xli] “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, vëllimi 3, Tiranë 2009, f. 2728
[xlii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botim i “Brezi 22”, Tiranë 1996, f. 91
[xliii] po atje: f. 33
[xliv] po atje: f. 33-34
[xlv] po atje: f. 36
[xlvi] “Fjalori Enciklopedik”, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2009, vëllimi 3, f. 2965
[xlvii] Gazeta “Panorama”, 25 nëntor 2008, f. 18
[xlviii] Citohet sipas: “Mendimi politik dhe shoqëror i Rilindjes Kombëtare Shqiptare: përmbledhje artikujsh nga shtypi”, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1976, vëllimi II, f. 289
[xlix] Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri: 1897-1942”, Shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 2000, f. 183
[l] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 34- 35
[li] po atje: f. 37
[lii]Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri: 1897-1942”, Shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 2000, f. 191
[liii] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 422, Dosja 17, fletët 79 deri 121
[liv] Mustafa Kruja, Patër Paulin Margjokaj, “Letërkëmbimi: 1947-1958”, Botim i “Camaj-Pipa”, Shkodër 2006, f. 211
[lv] Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri: 1897-1942”, Shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 2000, f. 184
[lvi] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 22-23
[lvii] “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2008, vëllimi 1, f. 668
[lviii] Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri: 1897-1942”, Shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 2000, f. 340
[lix]po atje: f. 95-96 
[lx] “Lufta e Popullit Shqiptar për Çlirim Kombëtar: 1918-1920”, përmbledhje dokumentesh, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1975, vëllimi I, f. 126-127
[lxi] Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri: 1897-1942”, Shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 2000, f. 206
[lxii]po atje: f. 219
[lxiii] Historia e Shqipërisë, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Historisë, Tiranë 1965, vëllimi II, f. 556
[lxiv] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 125
[lxv]Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 93
[lxvi] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 289
[lxvii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 33
[lxviii] Gazeta “Koha Jonë”, 16 korrik 2011, f. 7
[lxix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 5
[lxx] Revista “Madamë Mapo”, shkurt 2012, nr. 19, f. 24
[lxxi] po atje: f. 24
[lxxii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 89
[lxxiii] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 77-78
[lxxiv] Haxhi Lleshi, “Vite, njerëz, ngjarje: kujtime”, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë 1996, f. 17
[lxxv] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 152/3, Viti 1921, Dosja 13, f. 27, 34
[lxxvi] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 151, Viti 1922, Dosja 42, fleta 14-15
[lxxvii] Historia e Shqipërisë, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Historisë, Tiranë 1965, vëllimi II, f. 510
[lxxviii] Haxhi Lleshi, “Vite, njerëz, ngjarje: kujtime”, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë 1996, f. 17
[lxxix] po atje: f. 17-18
[lxxx] po atje: f. 18
[lxxxi] po atje: f. 18
[lxxxii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 157, Viti 1924, Dosja 35, f. 115-119
[lxxxiii] Epika historike, Akademia e Shkencave e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, vëllimi III, Tiranë 1990, f. 564-565
[lxxxiv] Po atje: f. 565
[lxxxv]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 152/18, Viti 1935, Dosja 22, f. 18
[lxxxvi]Gazeta “Besa”, 9 shtator 1935
[lxxxvii]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 156, viti 1937, Dosja 225, fl. 194
[lxxxviii] Haxhi Lleshi, “Vite, njerëz, ngjarje: kujtime”, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë 1996, f. 31
[lxxxix] Myslim Peza, “Kur dhashë besën”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1987, f. 54-55
[xc] Sabri Godo, “Koha e njeriut”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f. 5
[xci] po atje: f. 3
[xcii] po atje: f. 174
[xciii] po atje: f. 161
[xciv] Myslim Peza: “Kur dhashë besën”, kujtime, Shtëpia botuese “8 nëntori”, f. 68
[xcv] Haxhi Lleshi, “Vite, njerëz, ngjarje”, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë 1996, f. 27
[xcvi] po atje: f. 41
[xcvii] po atje: f. 41
[xcviii] po atje: f. 41
[xcix] Myslim Peza: “Kur dhashë besën”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1987, f. 11-12
[c]Kujtime për Enverin, Shtëpia botuese 8 nëntori, Tiranë 1988, Vol. 1, f. 394
[ci] Enver Hoxha, “Vite të rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 128
[cii] Haxhi Lleshi, “Vite, njerëz, ngjarje: kujtime”, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë 1996, f. 34
[ciii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 49
[civ] “Heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar: përmbledhje dokumentesh”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, f. 193
(Gjithashtu: Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 555, Viti 1940, Dosja 22, f. 1)
[cv]“Heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar: përmbledhje dokumentesh”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, dok. nr. 156, f. 193
[cvi] Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 555, Viti 1940, Dosja 22, f. 44
[cvii]“Heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar: përmbledhje dokumentesh”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, f. 194-195
[cviii] “Kongresi i I rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë”, Botim i Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 73
[cix] Myslim Peza, “Kur dhashë besën”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1987, f. 142
[cx] Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984
[cxi] “Heronj të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar: përmbledhje dokumentesh”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, f. 193
[cxii] “Kajo Karafili”, përgatitur nga muzeumet e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare Tiranë dhe Pogradec, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1979, f. 6
[cxiii] “Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar”, vëllimi I, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, f. 176-177
[cxiv] po atje: f. 176
[cxv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 220- 227