Skënder LIMANI
Nëse iu kujtohen fjalët e ish-kryetarit amerikan Bill Klinton, “Ne e fituam luftën, Ju fitojeni Paqen”, të thëna në Ferizaj më 1999 me përfundimin e luftës në Kosovë dhe me fillimin e rindërtimit të saj, nuk do të duhej të ishe ndonjë analist- ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare që të kuptosh (në anglishte: to be point at something) se këtu fillon rindërtimi i Kosovës – në kuptimin politik të saj – e sipas meje, burim i mbrapshtisë që mbretëron sot në Kosovë. Pse?
Nëse nisim shpjegim – analizën prej fillimit atëher do të duhej të shpjegohej një histori e shkurtë e arsyes dhe e mënyrës së ndërtimit të shtetit amerikan ose të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për fillim vetëm t’iu përcaktoj në diçka, psh: pse janë SHBA-të ato të cilat janë sot; ekonomi e fortë, politikë udhëheqëse në botë e njejtë edhe ushtarakisht?
Por, t’i kthehemi Billit dhe Kosovës...
A. T’ia filojmë me Kosovën sot
Kosova sot (ende) s’e ka e edhe për një kohë relativisht të gjatë s’do të ketë një ekonomi modeste të zhvilluar. E si rezultat të kësaj janë sot raste ekstreme të varfërisë, paga të ulëta të punëtorëve (të buxhetit të Kosovës), çmime Evroatlantike të ushqimit e të veshmbathjes e të faturave të shërbimeve publike (bile po thonë se këto tonat janë edhe më të shtrenjta)!
E si rezultat i kësaj janë sot korrupsioni në shërbimet publike ose dhe krimi i organizuar i llojeve të ndryshme (si në PTK, RTK e KEK, psh.). E krejt kjo e barabart me një ambient politk të cilin e kemi sot në Kosovë: ku të gjithë politikanët deklarohen për Pavarësinë e Kosovës, por asnjëri nga ta s’ka “haber” se si zhvillohet ajo ose se si ndërtohet Pavarësia e Kosovës. Ose filloni të numëroni nga fundi, si të doni, por do të keni rezultat të njejtë: ‘hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava”, thotë populli.
B. Ndërtimi i Kosovës politike – shumetnike
Mënyra e bashkimit ndërkombëtar e cila sot proklamon ndërtimin e një Kosove politike, është e bazuar në shumetnicitet - shumëkombësi. (A ju kujtohen sot Kombet dhe Kombësitë e Jugosllavisë së Titos?) Mënyra e bashkimit ndërkombëtar e cila proklamon ndërtimin e një Kosove shumëetnike është e barabart me rrëfimet për kolonizimin e Indisë, Algjerisë ose të një shteti tjetër nëpër botë, gjatë dekadave të kaluara. “Kthimi i të zhvendosurve”, kjo është, në rastin e Kosovës, formula e ndërtimit të shoqërisë shumëetnike në Kosovë.
E si rezultat i kësaj do të shtoheshin nevojat për ndërtimin e shtëpive të reja për Të Zhvendosurit e Kosovës, e nëse kjo nuk mjafton atëher ndërtimin e vendbanimeve të reja për ta. Pastaj “nevojat e tjera” sa do të shtoheshin dita ditës e më shumë, si: shkollimi në gjuhën përkatëse të të Zhvendosurve, pastaj punësimi, e shumë e shumë të tjera.
C. Rrethi vicioz ose Lufta në Kosovë
Pa hyrë në arsyet pse kemi luftuar në Kosovë (ose për Kosovën) dhe pse kishim intervenimin e NATO-s, në Kosovë lufta ka filluar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndërsa ka përfunduar me intervenimin e NATO-s, ose thënë figurativisht ”lufta ka filluar me kallash dhe është përfunduar me Tomahavk”. Shkurt: e kanë filluar shqiptarët dhe e kanë përfunduar amerikanët.
Ç. Rindërtimi i Kosovës
Dhe këtu fillon procesi i “rindërtimit” të Kosovës dhe atë me fjalët e kryetarit të atëhershëm amerikan Bill Klinton: “Ne e fituam Luftën, Ju fitojeni Paqen (në Kosovë)”. Por, si duket, me përfundimin e luftës në Kosovë ndërprehet edhe “ndihma” amerikane për ne, Shqiptarët e Kosovës, por tashmë ajo e llojit politik - administrativ.
D. Rrethi vicioz II dhe ndërtimi i Kosovës
Gjatë dekadës së viteve të 90’ta as politikanët kosovar e as politika kosovare nuk mund të gjente, siç thuhet, konsenzus të përbashkët. Dikush thoshte se jemi republik, e dikush thoshte se jemi të pavarur, dikush thoshte se jemi të okupuare e të pushtuar. Ndërsa policia serbe, me kalimin e kohës, i kishte bërë hobi vrasjet dhe torturat e llojeve të ndryshme kundër neve. Bile aq shumë sa që neve, me kalimin e kohës, kishim filluar të mësohehsim me to.
Zhvillimi ekonomik më së shumti bazohej në korrupsion e në bashëkëpunim me “okupatorin”, ndërsa ai medial nuk ekzistonte fare, ose ekzistonte për përkrahje politike të ndonjë grupacioni poltik sepse, si i tillë, më shumë i ndihmonte qështjes serbe sesa vet neve – çështjes shqiptare. Ndërsa zhvillimet e tjera shoqërore, si: arsimi, kultura e të ngjashme tashmë ishin zhvendosur nëpër bodrume e për rezultat të tyre pozitiv do të ishte çmendi edhe të mendohej.
DH. Rindërtim i Kosovës II, rrethi vicioz III
Shikuar nga një aspekt i përmbledhur shkencor – filozofik – psikologjik – medial – ekonomik – politik - administrativë dhe shoqëror, sot, në vitin 2003, po përjetojmë një situatë përafërsisht të njejt me atë të dekadës së kaluar. Politikanët vazhdojnë të flasin për Pavarësinë e Kosovës (vetëm sa janë shtuar), ekonomia është më shumë e bazuar në korrupsion e në bashkëpunim me “ish-okupatorin” (pjesët e Kosovës që kufizohen me Serbinë – Malin e Zi), e arsimi, kultura e aspekte të tjera të jetës shoqërore ende nuk janë në binarë të nevojshëm…
E. Përfundimi
Është evidente se rehatia (paqja) në Kosovë nuk po mund të ndërtohet e të rindërtohet pa ndihmën ose angazhimin e drejtpërdrejt të amerikanëve (e siç po duket edhe në Botë).
Pa angazhmin e drejtpërdrejt të amerikanëve në Luftën e Kosovës ndoshta sot nuk do të ekzistonim. Këtu përjashtohet teoria e krahasimit ndërmjet Unionit Evropian dhe SHBA-ve sepse këtu nuk është synimi luftimi i njërës ose adhurimi i palës tjetër. Konkretisht: këtu po flasim për administrim të llojit amerikan në Kosovë.
Ndryshe nga mënyra evropiane, Demokracia Amerikane bazat e saja pikërisht i ka në mënyrën e administrimit (jo administratës). Ndërsa në Kosovë ende, fatkeqësisht, kur flitet për Administrimin ose administratën, më shumë nënkuptohet nxjerrja e letërnjoftimeve ose pashaportave.
Administrimi, përkatësisht Demokracia Amerikane, ëshët e bazuar dhe e ndërtuar sipas modelit të Dhënies së Mundësisë, Dhënies së Rastit për të gjithë – pa dallim race, feje, gjinie ose përkatësie politike. Për të pasur një Mundësi në Amerikë për të bërë diçka (në kuptimin pozitiv) nuk të duhet shumë – vetëm njohja e gjuhës amerikane – ky është kushti i parë dhe i vetëm. Administrimi amerikan është i ndërtuar në atë mënyrë sa që nuk përjashtohet askush nga asgjë. E drejta për shkollim, punë, jetë modeste. E nëse do më shumë, vetëm vazhdo të punosh më shumë.
Amerikanët kanë investuar shumë në këtë që e kanë sot. Prej luftës ndërmjet veti (luftës civile) e deri tek ndërtimi e rindërtimi i infrastrukturës, si asaj urbanistike, ekonomike, politike, edukative e shoqërore.
Suksesi i tërë kësaj është se e tërë mënyra e administrimit amerikan është e mbështjellur me patriotizëm (jo nacionalizëm) ndaj atdheut, në këtë rast SHBA-ve. Sepse ndërtimi sa më pozitiv i SHBA-ve me automatizëm nënkupton - ndikon – cakton ndërtim dhe sigurim të jetës së vet individit e me automatizëm edhe të ndërtimit të mirëfillt pozitiv të raporteve ndërnjerëzore e ndërinstitucionale.
Ë. Zbarkimi në Kosovë
Vetëm të korruptuarit, naivët, të painformuarit ose edhe të painteresuarit mund të flasin sot për një Kosovë me një situatë ekonomike të zhvilluar e me një atmosferë politike stabile, për një Kosovë me një sistem të mirëfillt edukativ e kulturor. Ose se i tërë procesi i sotëm i zhvillimeve në Kosovë po shkon në drejtim pozitiv.
Fjalët e ish kryetarit amerikan Bill Klinton “ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen” si fillim i procesit të rindërtimit politik – paqësor të Kosovës nuk po kanë sukses, nuk po japin fryt. Sipas meje, këto fjalë do të duhej të ishin: “Së bashku e fituam luftën, së bashku do të ndërtojmë edhe paqen në Kosovë”.
Përndryshe, Kosova do të përjetoj (nëse ende jo) një dështim klasik – politik, por jo për shkak të tjetërkujt ose edhe rezolutave të OKB-së.