Vendimi ka ardhur pasi Koreja e Veriut ka shtuar kërcënimet për një sulm bërthamor.
Batalioni, që ishte larguar nga Koreja e Jugut në vitin 2004, do të ofrojë mbështetje në zbulimin dhe dekontaminimin bërthamor për ushtrinë e Koresë së Jugut.
Ndërkohë shteti komunist ka paralajmëruar se “momenti i shpërthimit është pranë”. Koreja e Veriut thotë se trupat janë udhëzuar që të jenë të pamëshirshëm në sulmet ndaj SHBA.
Diktatori buzëqumësht, Kim Jong Un, ka lëvizur në drejtim të brigjeve lindore raketat që mund të arrijnë një distancë deri në 3 mijë kilometra.
Nga ana tjetër, SHBA bëri të ditur se do të zhvendosë sistemin e mbrojtjes kundër raketave balistike në Guam, ishullin e vogël në Paqësor, pasi aty ndodhet një bazë e tyre, që është përfshirë në hartën e sulmeve nga Koreja e Veriut.
Pentagoni thotë se mbrojtja anti- raketë do të jetë gati brenda pak javësh për të adresuar një rrezik real dhe të qartë.
Paralajmërimet e fundit janë më seriozet nga Koreja e Veriut.
Pavarësisht retorikës në rritje, analistët nuk presin një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut, që e di mirë se një lëvizje e tillë do të ishte vetëvrasëse.
Ekspertët besojnë se Koreja e Veriut nuk ka aftësinë për të hedhur raketa me mbushje bërthamore, por ende nuk dihen me saktësi aftësitë e saj bërthamore.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut thotë se pavarësisht se ka zhvendosur raketat balistike, nuk ka shenja që vendi komunist është duke u përgatitur për një konflikt në shkallë të gjerë.
Tensionet në rritje në rajon kanë ndikuar edhe në bursa, ndërsa banorët e këtij rajoni janë të frikësuar nga një konflikt që do ishte shkatërrimtar.
Nëse vetëm armët konvencionale do viheshin në luftim, pasojat do ishin të tmerrshme, pa përmendur këtu efektet që do shkaktonte ndonjë armë bërthamore./ep





