Nga Kastriot Myftaraj
24 shtator 2010
Në Shqipërinë e periudhës së tranzicionit lloji më i çuditshëm i sharlatanit lindi nga letrarët e dështuar. Këta qenë njerëz që tentuan të bëhen poetë ose prozatorë, shkruajtën disa poezi dhe ndonjë tregim, të cilat u pritën me indiferencën më të madhe nga publiku. Duke e kuptuar se në letërsi nuk kishin asnjë të ardhme, këta njerëz, zakonisht me një diplomë gjuhë-letërsie, u vetëshpallën specialistë të rangut akademik në fusha të tjera, dhe me ndihmën e lidhjeve politike u katapultuan në botën akademike si pedagogë universitarë, anëtarë bordesh, kryetarë jurish, për të hyrë pastaj me këto kredenciale false në politikë. Ekzemplari më sinjifikues i kësaj specieje është ndoshta Mark Marku.
Zakonisht njerëzit që i përkasin species të përmendur më lart janë fshatarë, të cilët bartin veset e fshatarit, pa pasur asnjë nga virtutet e tij. Dhe në qytet kanë marrë vetëm veset e qytetarit. Unë nuk kam asgjë kundër fshatarëve në përgjithësi, por kam gjithçka kundër disa intelektualëve fshatarë të ardhur në qytet, të cilët e quajnë si shenjë qytetarie që ta shajnë tjetrin si fshatar. Para dy vitesh kam qenë në një debat televiziv përballë Mark Markut, në Vizion Plus. Në këtë debat, Mark Marku, argumenteve të mia për temën për të cilën po debatonim iu përgjegj se ai kishte bërë doktoraturë në Francë, kurse unë nuk mund të dija gjë se kisha qenë në katund në Korçë.
Mua nuk do të më vinte turp edhe sikur të kisha lindur në një katund në Korçë. Por ndodhi që unë të lind në qytet dhe ky është thjesht një fakt. Përndryshe, Mark Marku duket se e vuan shumë faktin që ka lindur në katund, madje katund të thellë malor. Se Mark Marku ka lindur në katundin Bukëmirë të Mirditës, por shtëpia e tij është aq larg grumbullit kryesor të shtëpive të këtij katundi, sa ç’ është largësia e zakonshme mes dy katundeve në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Edhe kjo nuk do të kishte asgjë të keqe se në këto fshatra malore janë krijuar disa nga perlat e kulturës shqiptare. Por Mark Marku tregoi se nuk i përkiste llojit të njerëzve që bënë këto gjëra.
Psikologjia na mëson se fëmijëria dhe adoleshenca përbëjnë bazën formative intelektuale të njeriut. Baza formative intelektuale e Mark Markut mund të shprehet në trajtë epigrami “Mark Marku, nga tharku tek çarku”. Fëmijëria dhe adoleshenca e hershme e Mark Markut kaloi në tharkun e derrave, ku ai kujdesej për derrat e familjes. Kur u bë tufëzimi i bagëtive dhe derrat i mori shteti, djemtë e moshës së Mark Markut filluan të shkojnë në pyll për të vendosur leqe dhe çarqe, për të kapur ndonjë kafshë të egër, ose ndonjë zog, në mënyrë që të siguronin pak mish për familjen, si dhe për ta shitur nën dorë në qytet. Këta njerëz nuk janë për t’ u vënë në lojë, por kjo mënyrë jetese e kufizonte shumë zhvillimin intelektual të njeriut, duke mos i lënë kohë për lexime librash që janë të domosdoshëm të lexohen në një moshë të caktuar për formimin intelektual të njeriut.
Letrari i dështuar Mark Marku, ka vetëm një kryevepër letrare dhe kjo është biografia që ka shkruar për veten në vetën e tretë, dhe e publikon në raste të ndryshme. Në këtë tekst ezoterik, nuk thuhet asgjë se çka bëri Mark Marku në vitet 1984-1990, që prej përfundimit të shkollës së mesme dhe derisa shkoi në universitet për të studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe. Këtë e them për faktin se sot politikani “i djathtë” Mark Marku, kur është mes të djathtëve pëlqen që të thotë se regjimi komunist nuk i dha të drejtën e studimit në shkollën e lartë pas përfundimit të shkollës së mesme, për shkak se familja e tij kishte qenë e internuar politikisht, dhe se ai kreu shërbimin ushtarak para shkollës së lartë. Zakonisht, njerëzit që kishin këtë fat, i çonin në punë të vështira dhe ushtrinë e kryenin në xhenio, si punëtorë krahu, pa pasur të drejtën e mbajtjes së armës. Nëse do të kishte ndodhur kështu me Mark Markun, ai do ta thoshte me të madhe këtë gjë, se sot do të përbënte kapital politik për të si politikan i djathtë. Fakti që Mark Marku nuk parapëlqen të flasë për këtë periudhë të jetës së tij, në biografinë zyrtare dhe në intervistat e shumta që jep në televizion, gazeta, revista, tregon se ka diçka për të fshehur. Madje ai ka shumë për të fshehur. Ata njerëz që për regjimin komunist klasifikoheshin si të deklasuar dhe që fitonin të drejtën e studimit në universitet pas kthimit nga ushtria, e kishin kryer ushtrinë në kurse speciale spiunazhi të regjimit.
Mark Marku, pas kthimit nga ushtria dhe para se të shkonte në universitet, e ndryshoi emrin në “Marks”, duke u bërë Marks Marku. Këtë e bëri se mendonte që Marks Marku kishte më tepër mundësi për të çarë në zyrat e regjimit komunist, për të siguruar një të drejtë shkollimi në universitet, se Mark Marku. Në kohën që binte Muri i Berlinit, i ndërtuar mbi ideologjinë e Marksit, në Mirditë një Mark bëhej Marks. Natyrisht se më pas, pa zhurmë e bujë, Marks Marku e riktheu emrin e vet në Mark Marku. Marks Marku siguroi nga regjimi komunist në vitin 1990 një të drejtë studimi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Kjo tregon lidhjet e tij speciale me regjimin, se zakonisht fshatarët mirditorë me biografi të keqe, si ai, e shumta i dërgonin në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Në biografinë e vet zyrtare, Mark Marku shkruan për veten, në vetën e tretë se: “Karrierën e vet profesionale Mark Marku e ka nisur në vitin1990 si reporter në gazetën Zëri i Rinisë dhe më vonë si kryeredaktor i saj në vitet 1994 – 1995”.
Këtu së pari të bie në sy fakti se Mark Marku quan si profesion të vetin gazetarinë, në një kohë që ai e ka mbajtur veten edhe si kritik letrar dhe specialist i letërsisë. Nejse. Nuk mund të mos bëhet pyetja se si kishte mundësi që një djalë me biografi të keqe, i ardhur në Tiranë si student nga një fshat i Mirditës, bëhej reporter në një nga gazetat e mëdha qendrore të vendit? Një arritje e tillë mund të bëhej vetëm me mbështetjen e Sigurimit të Shtetit. Mark Marku kur shkoi në universitet nuk donte të bëhej gazetar por poet. Ai filloi të botonte cikle me poezi në gazetën “Studenti”, tek “Zëri i Rinisë” dhe më pas tek “Drita”. Por shpejt Mark Marku e kuptoi se ishte një poet i dështuar dhe kjo është në origjinë të dramës së tij shpirtërore. Zgavrën shpirtërore që i la dështimi letrar ai deshi ta kompensojë me aventura intelektuale sharlateneske në fusha nga më të ndryshmet.
Mënyra se si shkoi tek “Zëri i Rinisë” ishte precedenti për Mark Markun, kur më pas u bë kryeredaktor i gazetës “Zëri i Rinisë” me mbështetjen e kryetarit të SHIK, Bashkim Gazidede. Gazeta atëherë varej nga Drejtoria e Rinisë, në Ministrinë e Kulturës. Mark Marku hynte në zyrat e SHIK më shumë se në ato të redaksisë. Mark Marku atëhere shkruante analiza për Drejtorinë e Analizës në SHIK, ku drejtor ishte një i afërmi i vet nga Mirdita.
Por SHIK dështoi me Mark Markun, i cili e mbylli gazetën “Zëri i Rinisë”, një gazetë kjo e suksesshme deri në atë kohë, kur ende kishte shumë pak gazeta qendrore në vend. Në vend që gazeta të privatizohej, ajo u mbyll fare. Mark Marku është mësuar që për dështimet e tij të shpërblehet nga shteti shqiptar. Si shpërblim për shkatërrimin e gazetës “Zëri i Rinisë”, Mark Marku, në vitin 1994, u bë me ndërhyrjen e Bashkim Gazidedes, pedagog në katedrën e porsahapur të gazetarisë, në Universitetin e Tiranës. Në biografinë e shkruar për vetveten në vetën e tretë, Mark Marku thotë: “Në periudhën 1995-1996 kreu studimet në nivelin Master në Institutin e Marrëdhënieve Publike dhe të Komunikimit (IRCOM), Anger, Francë. Gjatë kësaj kohe ai kreu edhe një specializim të ngushtë në gazetarinë e shkruar dhe gazetarinë televizive në Institutin Robert Schuman në Francë”.
Pra, Mark Marku, në harkun e një viti paska kryer dy specializime në Francë, njërin prej të cilëve ka paturpësinë që ta quajë master. Të gjithë ata që e njohin sadopak sistemin francez të kualifikimeve shkencore, i cili në atë kohë dhe deri tash së fundmi ka qenë shumë i ndërlikuar, e kanë të qartë se Mark Marku nuk ka bërë asnjë lloj masteri në Francë por thjesht ka marrë një dëshmi si asistent kërkimesh, në ato kurse që në botën universitare franceze quhen studime të thelluara. Në të vërtetë Mark Marku shkoi në Francë për t’ u kuruar nga tuberkulozi, një sëmundje migjeniane kjo që nuk u zhduk kurrë në katundin e vet, si dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë në kohën e komunizmit, megjithë propagandën e regjimit të Enver Hoxhës se kjo sëmundje ishte zhdukur.
Kur Mark Marku u kthye nga Franca, ai nuk paraqiti dot në Universitetin e Tiranës, ku kishte filluar punë si pedagog, asnjë dokument se kishte marrë një master. Kështu që e pushuan nga puna, por u rikthye përsëri me ndërhyrjen e Bashkim Gazidedes. Edhe sikur të merret i vërtetë pretendimi i Mark Markut se ai ka kryer këto specializime në Francë, të bën përshtypje fakti se këto i ka bërë jo në fushën ku u diplomua, në gjuhë letërsi, por në komunikim dhe në gazetari. Këtu nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe sipas standardeve të tranzicionit shqiptar, por ja që Mark Marku e mban veten dhe për specialist letërsie, për kritik letrar i nivelit të lartë, dhe si i tillë ka shkruar parathënien e korpusit të plotë të veprave të Ismail Kadaresë, dhe ka qenë kryetar i jurisë për ndarjen e çmimeve të konkursit kombëtar të letërsisë. E pra, Mark Marku nuk ka asnjë kualifikim pasdiplomik në letërsi, nuk ka botuar asnjë libër të llojit të kritikës letrare.
Por sharlatanit Mark Marku aq i bën për kriteret shkencore. Ai e mban veten për specialist në nivel akademik të shkencave te komunikimit, për historian në nivel akademik të shtypit shqiptar, për kritik letrar në nivel akademik, për specialist të letërsisë në nivel akademik. Ai i atribuon vetes aftësitë dhe kapacitetet intelektuale për të qenë pedagog në universitet, në departamentin e gazetarisë, në disa lëndë, në Akademinë e Arteve. Ai gjithashtu e mban veten të aftë për të qenë analist politik. Në të gjitha këto fusha Mark Marku nuk ka shkruar asnjë libër studimor. Ai hyn në këto aventura intelektuale akademike me kurajën e sharlatanit dhe të letrarit. Letrari beson tek magjia e fjalës, beson se në shkencat shoqërore mund të paraqitet si dijetar pa u thelluar në studime por vetëm duke manipuluar me fjalën si instrument magjik, si në poezi dhe në prozën letrare. Për të narrativa e shkencës nuk është më ndryshe asaj të letërsisë. Prej këtej dhe aspekti më grotesk i këtij lloji sharlatanizmi.
Në të gjithë këto nuk do të kishte asgjë të keqe, dhe e gjithë kjo do të ishte thjesht qesharake, sikur këto bëma të mos kryheshin me shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë, me para të dala nga buxheti i shtetit. Si sharlatan-pedagog i disa lëndëve në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Mark Marku paguhet me paratë e taksapaguesve. Mark Marku ka ligjëruar dhe ligjëron në disa lëndë si “Bazat e semiotikës”, “Shtypi dhe shoqëria”, “Kritikë arti”, “Historia e shtypit shqiptar”. Talenti i sharlatanit Mark Marku është zgjeruar në fusha nga më të çuditshmet, që nga semiotika, për të cilën nuk ka asnjë lloj kualifikimi shkencor dhe deri tek estetika muzikore. Mark Marku është edhe pedagog në Akademinë e Arteve, ku jep lëndën e estetikës muzikore në nivelin master. Mark Marku nuk ka pretenduar ndonjëherë që të ketë ndonjë kualifikim në estetikën muzikore, përveç ndoshta nëse e gjente estetikisht muzikore hungërimën e derrave në tharkun e vet në katund.
Në vitin 1997 Mark Marku u bë dhe zogist, duke u bërë kryeredaktori i gazetës “Monarkia”, të hapur nga Leka Zogu, në kohën e referendumit për formën e regjimit. Edhe këtë gazetë Mark Marku e falimentoi si të parën që drejtoi. Kur Gazidede u largua nga SHIK në 1997, Mark Marku mbeti në SHIK edhe me kryetarin e ri, Fatos Klosin. Aq e vërtetë është kjo, saqë në vitin 2002, në kohën kur komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e Fatos Klosit kërkoi në një moment edhe hetimin e veprimtarisë së gazetarëve që kishin punuar për llogari të SHIK (SHISH), në kohën e Klosit, Mark Marku ishte ndër gazetarët që firmuan një letër publike proteste, ku kërkonin që të mos bëhej kjo gjë. Me këtë, këta trima u dekonspiruan si bashkëpunëtorë të Fatos Klosit në media.
Por për shkak se Mark Marku ishte shumë i kompromentuar si bashkëpunëtor i Gazidedes, atij nuk i jepte akses asnjë gazetë. Kështu që ai iu qep Koço Kokëdhimës, me të cilin kishte njohje që në kohën e “Zërit të Rinisë”, kur Koçoja ishte leitnant i Hajdin Sejdisë në Shqipëri, në 1991-1992 dhe Mark Marku shkonte t’ i merrte intervista Hajdin Sejdisë. Me këtë rast, i famshmi A. D., zëdhënësi i Hajdin Sejdisë, ia prezantonte kështu këtij të fundit Mark Markun, duke e ditur se do t’ pëlqente Hajdinit që kishte shpërndarë librat e Enver Hoxhës në Zvicër: “Shef, të prezantoj marksistin më të madh në Europë, pas babës tem, Marks Markun, njeriun që e ndërroi emrin nga Mark në Marks, nga inati që ra Muri i Berlinit”.
Koçoja e bëri Markun redaktor të kulturës në revistën “Spektër”. Më pas, kur bashkëpunimi i Markut me Klosin filloi t’ ia rrisë kreditin, Koçoja e bëri Markun kryetar të bordit të etikës në gazetën “Shekulli”. Në këtë post Mark Marku do të mbahet mend për një shkelje të rëndë etike, kur në një polemikë në shtyp i tha profesor Edmond Tupjes se në vend që të merrej me polemika në shtyp duhet të merrej me djalin që e kishte handikapat. Kjo ishte njëlloj sikur Markut t’ i thuhej se në vend që të merrej me polemika duhet të shikonte hallin se kishte dhjetë vite i martuar dhe nuk lindte fëmijë.
Në vitin 2005 Marku iu afrua PD-së dhe donte me çdo kusht që të bëhej komisioner i PD në komisionet zgjedhore. Më në fund përfundoi si anëtar komisioni i kandidatit për deputet të PD, Sokol Olldashi, në një katund të Shijakut. Pas ardhjes së PD në pushtet, Marku donte të bëhej ambasador në SHBA. Kështu që ai vuri mikun e vet, Henri Çili që ishte drejtor në gazetën “Standard” që të botonte një “lajm” se Mark Marku ishte kandidatura më serioze për ambasador në Amerikë. Por Marku nuk u bë dot më tepër se këshilltar i Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në atë kohë, këshilltari tjetër i ministrit, poeti B.L., e bëri zakon që t’ i thoshte ministrit në mëngjes: “Ika unë shef se ti nuk ke nevojë për mua tani që ke Mark Markun që i di të gjitha”.
Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007 Mark Marku, i pakënaqur që PD nuk po i jepte ndonjë post, filloi një seri shkrimesh të egra kundër Berishës në gazetën “Panorama”, duke kërkuar dorëheqjen e Berishës. Berisha ka në trurin e vet një manjetizëm misterioz që tërheq sharlatanët e llojit të Mark Markut. Kështu, Berisha e tërhoqi Mark Markun me anë të Jozefina Topallit, e cila e bëri këshilltarin e saj për marrëdhëniet me publikun. Tash Mark Marku filloi të bëhet avokat i PD në media dhe në zgjedhjet e vitit 2009 u bë deputet i PD në Qarkun e Lezhës. Marku ua kishte vënë syrin dy portofoleve qeveritare, atij të Arsimit dhe atij të Kulturës. Por nuk mori dot as njërin as tjetrin. Kjo e bëri të pakënaqur ndaj Berishës. Tash Marku pret ndryshimet në qeveri, me shpresën se do të marrë njërin nga këto dy poste. Në të njëjtën kohë flirton edhe me Presidentin Topi, me të cilin ka një lidhje të fortë, derisa kushëriri i parë i gruas së tij, Saimir Shehri, është miku i ngushtë i deklaruar, i Bamir Topit.
Mark Marku e mban veten për një intelektual të madh, ekspert në disa fusha akademike, por nëse shikon skedën e tij në Bibliotekën Kombëtare, konstaton se ai ka shkuar 153 artikuj në shtyp, nga të cilët pjesa më e madhe janë artikuj politikë. Mark Marku nuk ka shkruar asnjë libër të mirëfilltë si studiues. Se nuk mund të quhen libra të mirëfilltë studimorë tekstet mësimore që ka shkruar ai me bashkëautorë, ku punën e kanë bërë të tjerët dhe ai ka vënë emrin, duke siguruar dhe financimet për librin dhe përdorimin e tij si tekst mësimor. Kështu, në vitin 2007, ai ka botuar në bashkëautorësi me Hamit Boriçin librin-tekst mësimor me titull “Histori e shtypit shqiptar: 1845-1912”. Gjithashtu, Mark Marku ka botuar në vitin 2001, në bashkëautorësi me gruan e vet Dhurata Shehri dhe me Oriana Osmanin librin shkollor “Njohuri për letërsinë për shkollat e Mesme”. Si është e mundur që ky sharlatan, i cili nuk ka dhënë asnjë ditë mësim për letërsi, nuk ka asnjë kualifikim shkencor në letërsi dhe pedagogji, të bëhet bashkëautor i një teksti të tillë! Por Marku këto i bën për të fituar lekë nga Ministria e Arsimit, ku siguronte dhe siguron financime për këto lloj librash.
Gjithashtu, Mark Marku ka botuar së bashku me deputeten e sotme të PS, Eglantina Gjermeni dhe me Elda Berisha, një tekst që ata vetë e quajnë udhëzues për gratë, me titull “Dhuna në familje në fokusin e mediave”. Marku është njeriu që ka nevojë për këtë udhëzues po të kemi parasysh atë që i ka thënë Mero Baze në një polemikë, se Marku është në shtëpi me statusin e të burgosurit.
Unë kam të dhëna se ky libër ka një histori rokamboleske, se të tre bashkëautorët u grindën keq për paratë e marra nga disa ambasada dhe fondacione të huaja, të cilat financonin projektin dhe Marku përfundoi i dhunuar keq nga dy bashkëautoret, që e akuzonin se i kishte vjedhur lekët. Prandaj dhe sot, kur Marku është duke folur në parlament dhe ngrihet Eglantina Gjermeni e replikon me të, ai e mbyll gojën në moment.
Markut do t’ i dilnin gjërat shumë keq sikur të tjerët të zbatonin atë këshillën që ka dhënë ai një herë në një televizion, për etikën në media, kur ka thënë se mjafton të shkruhet fejton në krye të një artikulli dhe mund të thuash ç’ të duash. Kështu, nëse shkruan “fejton” në krye të një artikulli për Mark Markun atëhere mund të thuash se ai doracakun për dhunën në familje e shkroi se e rreh gruaja, se Kadare e përzgjodhi si autor të parathënies së korpusit të plotë të veprës së tij se Mark Marku ka një lidhje personale me romanin “Dasma” të Kadare, ku personazhi kryesor është një shkrimtar (vetë Kadare), që merr pjesë në një dasmë ku martohet një vajzë malsore që kishte prishur fejesën e lidhur që në djep nga familja e saj.
Aq përmasa groteske ka marrë sharlatanëria e Mark Markut, sa që ai para disa ditësh, u shfaq në emisionin e Blendi Fevziut ku flitej për përrallat. Disa kohë më parë Mark Marku na u shfaq në një emision të Alban Dudushit ku flitej për xhindet dhe në një rast tjetër për jetën e përtejme.
Sharlatani Mark Marku mund të bëjë gjithçka, përveçse të shkruajë një libër prej studiuesi, si dhe të mbajë një gazetë. Para disa kohësh ai tentoi për herë të fundit të drejtonte një gazetë, “Gazeta e së Shtunës”, për të cilën tha se do të bëhej gazeta më e madhe kulturore në Shqipëri. Në fakt ajo u bë dështimi më i madh i kohëve të fundit në shtypin shqiptar dhe u mbyll pas pak kohësh, pasiqë Marku vodhi lekët që i dha investitori.
Mark Marku e ka zakon që në debatet televizive të përdorë shprehjen “Këtu jemi në fushën time”. Kur bie fjala për letërsinë, Mark Marku thotë “Këtu kemi hyrë në fushën time”. E si qenka letërsia fusha e tij, kur ai nuk ka bërë asnjë kualifikim shkencor atje, nuk ka shkruar asnjë libër studimor në letërsi! Mark Marku edhe kur bie fjala për shkencat e komunikimit thotë se kjo është fusha e tij, edhe pse as në këtë fushë nuk ka shkruar asnjë libër. Si një sharlatan që e ndjen rrezikun, ai, të vetmen fushë që mund të quhet e tija, përrallat, nuk e quajti të vetën në debatin televiziv të para disa ditëve. Mark Marku është vetëm një përralltar i tranzicionit, një njeri që shkon nga tharku i “shkencës” tek çarku i politikës.
Mark Marku kohët e fundit u largua nga gazeta “Panorama” për të shkuar tek gazeta “Mapo” e mikut të vet, Henri Çili. Në fakt vajtja e Markut tek “Mapo” ka një simbolikë mjaft domethënëse. Mapot qenë dyqane të mëdha në kohën e komunizmit, në të cilat raftet rrinin plot, por me gjëra krejt pa vlerë dhe që nuk i hynin në punë kurrkujt e mbeteshin atje me vite. Edhe prodhimet intelektuale të Mark Markut janë të llojit të mapove të kohës së komunizmit. Ai është një poet i dështuar, një kritik letrar i dështuar, derisa në moshën 44 vjec nuk ka shkruar asnjë libër studimor si poet dhe kritik letrar dhe kurrkush nuk përmend një varg të tijin poetik. Në fushat e tjera ku ka kuturisur të hyjë, ai nuk mund të thuhet se ka dështuar se nuk ka hyrë seriozisht për të arritur dicka, por me vetëdijen e plotë se po bënte sharlatanizma. Si analist politik Mark Marku nuk ka arritur kurrë që të shkruajë një tekst të lexueshëm.






