Kushtetuesja: Diana Kastratit iu shkel e drejt për jetë


Gjykata Kushtetuese e Kosovës të martën ka shpallur të pranueshme kërkesën e Gëzim dhe Makfire Kastratit, të cilët pretendojnë se Gjykata Komunale në Prishtinë nuk kishte vepruar sipas Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe si pasojë e këtij mosveprimi kishte ndodhur edhe vrasja e vajzës së tyre, Diana Kastrati, nga ish-bashkëshorti i saj Adnan Jashari.

Në aktgjykimin e Kushtetueses lidhur me këtë rast thuhet se kjo gjykatë ka vendosur ta shpallë kërkesën të pranueshme, të gjejë se ka pasur shkelje të së drejtës për jetën, të paraparë me nenin 25 të Kushtetutës dhe me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), të gjejë se ka pasur shkelje të së drejtës për mjete juridike, të konsiderojë të panevojshëm trajtimin e pretendimit për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, t'ua komunikojë palëve këtë vendim, ta publikojë këtë vendim në gazetën zyrtare si dhe ky vendim thuhet se “hyn në fuqi menjëherë”.

Prindërit e Dianës kishin kërkuar nga Kushtetuesja që të interpretohej shkelja e të drejtave individuale të Diana Kastratit, për shkak të mosveprimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë në lidhje me mos-lëshimin e urdhrit për mbrojtje.

Këtë kërkesë ata e kishin parashtruar edhe kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Tek vlerësimi i kushtetutshmërisë së kërkesës në aktgjykimin e Kushtetueses thuhet se nga dokumentacioni i deponuar në gjykatë mund të konstatohet se autoriteti përgjegjës, në këtë rast Gjykata Komunale në Prishtinë, është dashur të dinte për rrezikun real që ka ekzistuar me rastin e dorëzimit të kërkesës për lëshim të urdhrit për mbrojtje emergjente, pasi Diana Kastrati ka shpjeguar në mënyrë kronologjike përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, duke specifikuar edhe kërcënimet me vdekje nga ish-partneri dhe duke ofruar dëshmi për raportimin paraprak në organet policore për kërcënimet e pranuara.

“Për më tepër, Gjykata Komunale në Prishtinë paraprakisht ka trajtuar një lëndë të iniciuar nga D.K.-ja për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore dhe për caktimin e kujdestarisë së fëmijës së të ndjerës dhe ish-partnerit të saj, kur edhe kishte filluar shfaqja e problemeve serioze ndërmjet tyre dhe që më vonë kishte rezultuar me kërcënime të ndryshme”, thuhet në interpretimin e Kushtetueses. Më tej në konkludimet e kësaj gjykate thuhet se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës dhe nga neni 2 i KEDNJ-së.
Shteti p euml rgjegj euml s p euml r vrasjen e Diana Kastratit
Sa i përket të drejtës për mjete efektive juridike, në aktgjykim thuhet se parashtruesit e kërkesës janë ankuar edhe për shkeljen e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike të garantuara me nenin 32 dhe 54 të Kushtetutës.

“Në këtë drejtim, gjykata vëren se legjislacioni në fuqi: Ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nuk ofrojnë mjete efektive juridike për mbrojtjen e të drejtave të parashtruesve”, thuhet në aktgjykim.
Shteti përgjegjës për vrasjen e Diana Kastratit
Sipas Kushtetueses, Ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje nga njëra anë nuk parasheh masa për adresimin e mosveprimit të institucioneve përgjegjëse në ato raste kur janë të detyruara të veprojnë. “E në anën tjetër, siç mund të shihet nga Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e po ashtu edhe nga përgjigjja e KGJK-së, parashtruesit nuk kane mundësi tjetër përveç ankesës drejtuar Zyrës së Prokurorit Disiplinor, por jo edhe me tutje në faza të tjera të procedurës. Sipas nenit 45.5 të këtij ligji, është e drejtë, por jo edhe detyrim i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, të thërrasë dëshmitarë, si dhe dokumentet e nevojshme për hetim dhe të përcaktojë nëse rekomandimet për veprim disiplinor duhet të paraqiten tek Komisioni Disiplinor”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja më tej rikujton se institucioni përgjegjës kryesor, Gjykata Komunale në Prishtinë, ka dështuar të ofrojë përgjigje në pyetjet e ngritura nga gjykata dhe nuk ka ofruar dokumentacionin që ka për këtë rast. Prandaj, Gjykata Kushtetuese konkludon se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë, në kërkesën e së ndjerës Diana Kastrati për lëshimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, si dhe praktika e zhvilluar nga KGJK-ja për adresimin e mosveprimit të gjykatave të rregullta, atëherë kur duhet të veprojnë, ka penguar viktimën dhe parashtruesit e kërkesës në realizimin e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike.

Gjyqtari Robert Carolan, njëri nga anëtarët e Kolegjit të Kushtetueses që sollën këtë aktgjykim, ka shprehur mendim konkurrues dhe mospajtues lidhur me vendimin.

Sipas Carolan, parashtruesit e kërkesës, në këtë rast prindërit e Dianës, pranojnë që asnjë zyrtar nuk ka bërë gjë për të penguar vdekjen e Diana Kastratit. Parashtruesit, sipas tij, lënë të kuptohet që pretendojnë se nëse gjyqtari komunal do të kishte vepruar sipas kërkesës së Diana Kastratit për urdhër mbrojtës, ajo nuk do të vritej, si dhe ky mosveprim nga Gjykata Komunale ka shkaktuar vrasjen e saj.

“Ky është një konkludim i gabueshëm. Urdhri mbrojtës do t'i jepte policisë një vegël shtesë për ta mbajtur vrasësin e D.K.-së larg nga ajo. Po, nuk do të mund të garantonte që ai nuk do ta kryente krimin, gjë që tragjikisht e ka bërë”, ka thënë gjyqtari Carolan.

Më tej në mendimin e tij mospajtues thuhet se për aq sa mundësia e dënimit të rëndë sipas ligjit që mundet apo duhet të vendoset nëse vrasësi i Diana Kastratit kapet dhe dënohet për vrasje, nuk e ka ndaluar atë në veprën e vrasjes së Dianës, është “spekulative” të supozohet se urdhri gjyqësor për mbrojtje do të ishte i mjaftueshëm në këtë rast që ta ndalonte atë nga kryerja e vrasjes apo që policia do të ishte në gjendje ta kapte në kontaktin e ndaluar me Diana Kastratin para se ta kryente vrasjen.

“Pasi që nuk ka pretendim, e aq më pak dëshmi, që dështimi i gjyqtarit komunal si zyrtar shtetëror ka qenë shkak i përafërt i vdekjes së D.K.-së apo ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së saj, të drejtat e saj sipas nenit 25 të Kushtetutës nuk janë shkelur nga shteti apo nga ndonjë zyrtar shtetëror”, thuhet, ndër të tjera, në mendimin e këtij gjyqtari.

Gëzim Kastrati, babi i së ndjerës Diana Kastrati, së bashku me avokatin e tij Korab Sejdiu, pritet t’u drejtohen mediave përmes një konference të mërkurën lidhur me shpalljen e këtij aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gëzim dhe Makfire Kastrati, prindërit e së ndjerës, në prill të vitit të shkuar patën dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një mocion kundër Gjykatës Komunale në Prishtinë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Ata pretendonin se këtu kishte të bëhej me shkeljen e të drejtave individuale të së ndjerës Diana dhe të vetë atyre si prindër të saj, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Diana Kastrati është vrarë dy vjet më parë nga ish-bashkëshorti i saj, Adnan Jashari, me të cilin kishte bashkëjetuar plot 10 vjet dhe ishte ndarë, për shkak të problemeve personale. Ata kishin një vajzë.

Disa muaj pas ndarjes, Adnan Jashari vendosi t’i zgjidhte problemet, duke e vrarë Dianën. Teksa ajo ishte nisur në një mëngjes drejt Fakultetit të Mjekësisë, aty ku ishte gati në përfundim të studimeve, ish-bashkëshorti e kishte qëlluar me armë zjarri, duke e lënë 27-vjeçaren të vdekur në vend.

Emri i vrasësit të Dianës i shkruar gabimisht në faqen e Interpolit

Vrasësi i Diana Kastratit është në mesin e personave që kërkohen nga Interpoli, por emri i tij është i shkruar gabimisht në ueb faqen e kësaj organizate policore ndërkombëtare. Adnan Jashari figuron si “Adnon Jashari” në listën e personave të kërkuar nga Interpoli. Në faqen e Policisë së Kosovës tek rubrika e personave në kërkim, ky emër është i shkruar saktë “Adnan Jashari”, ndërsa data e lindjes së tij është e njëjtë në të dyja faqet.